ATV

Blog

  • Mercedes G63 me vlerë 160 mijë euro sekuestrohet në Suharekë, dyshohet se pronari kishte detyrime të pashlyera në Gjermani

    Mercedes G63 me vlerë 160 mijë euro sekuestrohet në Suharekë, dyshohet se pronari kishte detyrime të pashlyera në Gjermani

    Një operacion i suksesshëm i Policisë së Kosovës ka përfunduar me gjetjen dhe sekuestrimin e një automjeti luksoz me vlerë rreth 160 mijë euro në qytetin e Suharekës.

    Bëhet fjalë për një veturë të tipit Mercedes G63 të vitit 2022, e cila dyshohet se ishte larguar ilegalisht nga Gjermania për t’iu shmangur detyrimeve financiare të pronarit.

    “Sekuestrimi i automjetit është bërë me kërkesë të autoriteteve gjermane, pasi ekziston dyshimi se pronari i tij kishte detyrime të pashlyera lidhur me këtë automjet. Në vend që t’i përgjigjej kreditorit, pronari kishte larguar automjetin nga Gjermania, ndërsa i njëjti është gjetur në Kosovë, konkretisht në qytetin e Suharekës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Sipas policisë, vetura është sekuestruar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe për veprimet e mëtejme do të veprohet sipas udhëzimeve të institucioneve përgjegjëse të drejtësisë.

    “Ky operacion paraqet një shembull të qartë të bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare, veçanërisht me ato të vendeve të Bashkimit Evropian. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për drejtësi dhe siguri”, përfundon njoftimi.

  • DJATHI I SHARRIT MES TRADITËS DHE SHKENCËS

    DJATHI I SHARRIT MES TRADITËS DHE SHKENCËS

    Vështrim mbi monografinë shkencore “Djathi i Sharrit – Nga tradita në standard” të autorit Mergim Mestani
    Demir Reshiti
     
    Monografia e prof. asoc. dr. Mergim Mestanit “Djathi i Sharrit – Nga tradita në standard” (2025) është një punim i veçantë që ndërthur trashëgiminë kulturore me metodologjinë shkencore moderne. Në qendër të saj qëndron djathi i Sharrit, një produkt simbolik i Kosovës, i cili nga një praktikë artizanale e përditshme është shndërruar në pasuri kombëtare dhe tashmë ka statusin Emërtim i Mbrojtur i Origjinës (PDO).
    Kjo monografi dokumenton aspektet fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe organoleptike të djathit të Sharrit. Ajo trajton sfidat e prodhimit artizanal, rreziqet e humbjes së praktikave tradicionale dhe nevojën për standardizim teknologjik.
    Një aspekt i veçantë është analiza e mikroflorës autoktone dhe aktivitetit të baktereve të acidit laktik, të cilat janë të domosdoshme për fermentimin spontan dhe sigurinë ushqimore. Këto studime e bëjnë djathin e Sharrit jo vetëm një produkt tradicional, por edhe një laborator natyror bioteknologjik me potencial për inovacion.
    Autori në këtë monografi bën krahasime me produkte të ngjashme të vendeve të rajonit, duke dëshmuar konkurrueshmërinë e tij në tregun e djathrave tradicionalë të Evropës Juglindore. Përfshirja e tij në listën e emërtimeve të mbrojtura të origjinës e bën këtë libër të domosdoshëm për akademikët, politikëbërësit dhe prodhuesit.

    Libri ka një strukturë të qartë dhe logjike. Ai nis me burimet dhe metodologjinë, vazhdon me analizat mbi qumështin si bazë prodhimi, trashëgiminë dhe identitetin e djathit, procesin teknologjik, si dhe efektet e kripës dhe temperaturës në cilësinë përfundimtare.
    Autori përfshin të dhëna origjinale nga studime në terren dhe laborator, disa prej tyre të publikuara në revista ndërkombëtare. Krahasimet me produkte ballkanike dhe evropiane i japin librit një dimension ndërkombëtar dhe pozicionojnë djathin e Sharrit si produkt konkurrues globalisht.
    Stili është akademik dhe i qartë, duke balancuar analizën shkencore me reflektime mbi trashëgiminë kulturore. Një aspekt që mund të pasurohej është dimensioni socio-ekonomik i prodhimit, por përqendrimi në teknologjinë dhe biologjinë e bën veprën koherente dhe të fokusuar.
    Kjo monografi fton lexuesin të ndjejë shijen, aromën dhe historinë e djathit të Sharrit. Nuk janë vetëm analiza shkencore dhe tabela, por edhe rrëfim për lidhjen e njeriut me tokën, natyrën dhe trashëgiminë.
    Djathi i Sharrit shihet si metaforë e qëndrueshmërisë. I bërë nga qumështi i lopës, deles apo dhisë, i përpunuar me kujdes artizanal dhe i pjekur me durim, ai bart shijen e kullotave të larta, ajrin e pastër të maleve dhe mençurinë e brezave. Mestani e udhëheq lexuesin si studiues dhe dëshmitar i një trashëgimie që rrezikon të humbasë nën peshën e modernitetit dhe tregut global. Libri është ftesë për reflektim: si të ruajmë autenticitetin në një botë që kërkon unifikim? Si të mos humbasim shijen e vërtetë në detin e prodhimeve industriale?
    Kjo monografi është më shumë se një studim shkencor. Ajo është homazh për djathin e Sharrit – një produkt që ka kaluar nga stani në laborator, nga tryeza e fshatit në katalogët ndërkombëtarë. Shkenca dhe poezia bashkohen për të ruajtur një pasuri që i përket jo vetëm Kosovës, por gjithë kulturës gastronomike ballkanike dhe evropiane.
    Autori analizon djathin nga këndvështrime të ndryshme – fiziko-kimik, mikrobiologjik, organoleptik – por me vetëdijen se përtej shifrave qëndron një trashëgimi e gjallë, e ruajtur nga blegtorët dhe gratë që trashëguan recetat.
    Djathi i Sharrit në këtë monografi shfaqet si pasuri e rrezikuar, por edhe si shans për të ardhmen. Si produkt me emërtim të mbrojtur të origjinës, ai mund të bëhet ambasador i Kosovës në tryezat e botës, duke folur për shijen, kulturën dhe historinë.
    Si përfundim, konstatoj se kjo monografi është homazh i trefishtë: për prodhuesit që ruajnë traditën, për shkencën që e dokumenton dhe për lexuesin që e shijon këtë trashëgimi jo vetëm në pjatë, por edhe në mendje dhe zemër. Libri është thirrje për kujdes: të ruajmë autenticitetin, të mos humbasim shijen e vërtetë dhe të mbajmë gjallë kujtimin e një djathi që është histori e ngrirë në kripë dhe kohë.
    Botues i kësaj monografie është Sh.B. “Lena Graphic Design”, Prishtinë; Redaktore: Edona Gashi-Zhushi e Flutra Mestani; Recensentë: Dr. Ibrahim Mehmeti, Dr. Rozeta Hasalliu e Dr. Medin Zeqiri.

    Të dhëna për autorin:
    Prof. asoc. dr. Mergim Mestani ka lindur më 8 korrik 1982 në Kuklibeg të komunës së Sharrit. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje. Në vitin 2006, përfundoi studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe u diplomua me titullin “Teknolog Ushqimor”. Në vitin 2011, mori titullin “Master në Inxhinieri Ushqimore” në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës, ku më pas përfundoi edhe studimet e doktoraturës (2018), në programin “Shkencat mbi Ushqimin dhe Teknologjia Ushqimore” (Tempus), duke fituar titullin “Doktor i Shkencave të Ushqimit dhe Teknologjisë Ushqimore”.

    Mestani ka publikuar punime shkencore në revista të indeksuara ndërkombëtare dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Është autor i tre librave profesionalë për arsimin e mesëm teknik, të botuar me mbështetjen e MASHTI dhe organizatës ALLED, të financuar nga Qeveria Austriake. Ka ndjekur trajnime të shumta profesionale dhe menaxheriale në fushën e arsimit dhe të aftësimit profesional.
    Që nga viti 2006, ka qenë i angazhuar si ekspert profesional në projekte të shumë organizatave vendore dhe ndërkombëtare. Në periudhën 2007–2022, ka shërbyer si mësimdhënës në shkollën e mesme profesionale “Abdyl Frashëri” në Prishtinë. Që nga viti 2012, është ekspert i jashtëm pranë Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, me përgjegjësi në vlerësimin, validimin dhe akreditimin e institucioneve arsimore në fushën e Teknologjisë Ushqimore. Po ashtu, ka kontribuuar në hartimin dhe rishikimin e kurrikulave për arsimin profesional, si pjesë e grupeve punuese të MASHTI. Nga viti 2021 deri në vitin 2024, ka shërbyer si anëtar i Këshillit të Fushës Shkencore për Prodhimin Bujqësor dhe Sigurinë e Ushqimit pranë MASHTI, ndërsa nga viti 2025 është Kryetar i këtij Këshilli, me mandat katërvjeçar në vlerësimin e projekteve kërkimore dhe orientimin shkencor në fushat përkatëse.
    Aktualisht dr. Mergimi punon profesor i rregullt në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), ku është angazhuar që nga viti 2016 si ligjërues në lëndë të specializuara në fushën e shkencave ushqimore dhe teknologjisë së qumështit.

    Prishtinë, 30 shtator 2025
  • Drejtori i Policisë së Kosovës takon përfaqësues nga Iowa, diskutohet avancimi i bashkëpunimit

    Drejtori i Policisë së Kosovës takon përfaqësues nga Iowa, diskutohet avancimi i bashkëpunimit

    Drejtori i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha priti sot për vizitë zyrtare një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht nga Iowa.

    Sipas njoftimit, Hoxha informoi të pranishmit mbi situatën e sigurisë në Kosovë, mbi punën, angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sigurimin e mbrojtjes për të gjithë qytetarët pa dallim.

    Ndër tjerash, në takim thuhet se u veçua bashkëpunimin i shkëlqyer me përfaqësuesit e ShBA-së dhe se “ky partneritet në bashkëpunim dhe mbështetje do të avancojë edhe më tej në fusha të ndryshme policore”.

    Delegacioni i Iowas ka vazhduar me vizita zyrtare, ndër to vizitë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, ku u takua me stafin udhëheqës të Drejtorisë së Kryeqytetit dhe të stacionit./ATVLIVE/

  • Një objekt ‘misterioz’ bie nga qielli në fushën e një fermeri në Argjentinë – duke shkaktuar panik te banorët

    Një objekt ‘misterioz’ bie nga qielli në fushën e një fermeri në Argjentinë – duke shkaktuar panik te banorët

    Një objekt misterioz cilindrik ka rënë nga qielli në një fushë në Puerto Tirol, Argjentinë, duke shkaktuar panik te banorët.

    Objekti, rreth 1.7 metra i gjatë dhe 1.2 metra i gjerë, ishte i përbërë nga fibra dhe metali, dhe fillimisht u dyshua si mjet shpërthyes.

    Pas ekspertizës së policisë dhe njësive të çminimit, u konfirmua se bëhej fjalë për një “kapsulë rezervuari karburanti hapësinor”.

    Specialistët e identifikuan si një lloj rezervuari i lehtë dhe rezistent që përdoret për mbajtjen e lëngjeve nën presion të lartë.

    Dyshohet se kapsula ka rënë nga një raketë kineze, e lëshuar vetëm një ditë më parë nga brigjet e Kinës.

    Ky incident vjen mes shqetësimeve në rritje për mbeturinat hapësinore, të cilat po shtohen ndjeshëm për shkak të bumit të satelitëve. /Telegrafi/

  • Spotify fshin plot 75 milionë këngë

    Spotify fshin plot 75 milionë këngë

    Spotify ka njoftuar një goditje gjithëpërfshirëse kundër keqpërdorimit të inteligjencës artificiale, duke thënë se ka hequr më shumë se 75 milionë këngë “spam” gjatë vitit të kaluar.

    Platforma ka bërë të ditur se ky hap është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbrojtur artistët nga paraqitjet e rreme, mashtrimet dhe përhapja e materialeve të dobëta të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Spotify ka prezantuar gjithashtu rregulla dhe mjete të reja, të dizajnuara për të mbrojtur identitetin e artistëve dhe për të rritur transparencën për dëgjuesit.

    Këto ndryshime vijnë në një kohë kur teknologjia gjenerative e AI po transformon industrinë e muzikës, duke ngjallur shqetësime për përmbajtjen e padëshiruar, vokalet “deepfake” dhe ngarkimet mashtruese.

    Spotify ka miratuar një politikë të re që ndalon veçanërisht klonët e AI-së dhe incizimet “deepfake”. Imitimi i paautorizuar i zërit të një artisti nuk do të lejohet, përveç rasteve kur është i licencuar zyrtarisht. Kompania gjithashtu po zgjerohet me masa që synojnë të ndalin publikimet e rreme që prezantohen si vepra të artistëve të tjerë.

    Për të parandaluar manipulimet, këtë vjeshtë Spotify do të prezantojë një sistem të ri për zbulimin e përmbajtjes së padëshiruar. Ky filtër do të identifikojë llogaritë që përdorin taktika si duplikimet, këngët artificialisht të shkurtra dhe strategji të tjera mashtruese, dhe më pas do të ndalojë rekomandimin e këtyre materialeve.

    Gjithashtu, Spotify po mbështet një standard të ri industrial për etiketimin e AI në listat e autorëve. Kjo do t’u mundësojë artistëve dhe shtëpive botuese të tregojnë se si është përdorur AI gjatë krijimit të një kënge, nga vokalet deri te instrumentalet. Këto etiketa do të shfaqen në aplikacion, ashtu siç i dorëzojnë distributorët dhe partnerët.

    Që në qershor, përdoruesit e Spotify shkruanin për një grup të ri të quajtur The Velvet Sundown, ndërsa shumëkush dyshoi shpejt se ishte gjeneruar plotësisht nga inteligjenca artificiale. Grupi madje e mohoi këtë në rrjetet sociale, por më vonë doli në pah se publiku nuk është edhe aq lehtë për t’u mashtruar – gjithçka kishte qenë vërtet e krijuar nga AI. /Telegrafi/

  • Kosova nis hetime paraprake për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi

    Kosova nis hetime paraprake për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi

    Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë i Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë të martën Radios Evropa e Lirë se autoritetet i kanë nisur hetimet paraprake për identifikim të autorëve të mundshëm për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi, për çka autoritetet malazeze i kanë dërguar notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë.

    Mali i Zi ka thënë se të shtënat me armë zjarri dyshohet se janë nisur nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve.

    Incidenti i parë ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar, kur janë vërejtur dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit, ndërsa, incidenti i dytë ka ndodhur më 24 gusht të këtij viti, kur janë regjistruar të shtëna në drejtim të një objekti të qendrës së skijimit. Autoritetet malazeze kanë hapur lëndë dhe po kryejnë hetime për rastet.

    Kryeziu ka thënë se shteti i Kosovës është njoftuar përmes kanaleve diplomatike nga shteti malazez për incidentet dhe që Policia Kufitare e Kosovës ka nisur të patrullojë menjëherë në zonën e Shtedimit, por që aty nuk janë gjetur dëshmi materiale që konfirmojnë vendin apo rrethanat e incidentit.

    “Megjithatë, me udhëzim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë nisur hetimet paraprake për identifikimin e autorëve të mundshëm, duke u mbështetur edhe në informacione nga burime lokale”, ka bërë të ditur Kryeziu.

    Ai ka thënë se institucionet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës, ka shprehur gatishmëri për organizimin e një takimi me autoritetet kufitare malazeze me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e informacionit operativ dhe parandalimin e dukurive negative përgjatë vijës kufitare, dhe që vetëm këtë vit, dy vendet i kanë kryer 30 patrullime të përbashkëta në zona kufitare.

    Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufirin me Malin e Zi, dhe që policia rajonale është më shumë e angazhuar “për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, e jo për incidente ndërkombëtare.

    Mali i Zi dhe Kosova e kanë nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin në vitin 2015. Mali i Zi e ka ratifikuar atë në të njëjtin vit, ndërsa Kuvendi i Kosovës tre vjet më vonë./REL

  • Zhegrova pjesë e listës kundër Villareal

    Zhegrova pjesë e listës kundër Villareal

    Juventusi do të udhëtojë drejt Spanjës për përballjen me Villarrealin në Ligën e Kampionëve pa dy nga lojtarët e tij kryesorë: Gleison Bremer dhe Khephren Thuram. Të dy futbollistët u detyruan të largoheshin nga fusha për shkak të lëndimeve gjatë pjesës së dytë të ndeshjes kundër Atalantës në Serie A.

    Thuram u stërvit i vetëm të martën në mëngjes, ndërsa Bremer zhvilloi një seancë normale me grupin, duke ngritur shpresa për rikuperim. Megjithatë, asnjëri nuk është përfshirë në listën e udhëtimit për sfidën e së mërkurës.

    Në anën tjetër, Francisco Conceiçao është rikuperuar dhe do të jetë në dispozicion të skuadrës, ndërsa Edon Zhegrova është gjithashtu i ftuar për ndeshjen.

    Trajneri Igor Tudor pritet të japë detaje shtesë mbi gjendjen e skuadrës gjatë konferencës për shtyp.

    Juventusi vjen në këtë ndeshje pas tre barazimeve radhazi kundër Hellas Veronës, Borussia Dortmundit dhe Atalantës, dhe është në kërkim të një fitoreje për të dalë nga kjo seri pa shkëlqim.

    Ndeshja zhvillohet të mërkurën nga ora 21:00. /ATVLIVE.TV

  • Gashi: Mesazhi i qartë, ose konstituohet Kuvendi për 12 ditë ose zgjedhje

    Gashi: Mesazhi i qartë, ose konstituohet Kuvendi për 12 ditë ose zgjedhje

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës e Kushtetuese për konsituimin e Kuvendit, duke thënë se mesazhi i kësaj gjykate ishte i qartë, duke deklaruar se ‘‘Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb’’.

    Gashi ka thënë edhe se Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për ta përmbyllur procesin, dhe se, nëse kjo nuk ndodh, sipas Kushtetutës, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.

    ‘’ Gjykata i ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionin e tyre në interes të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit’’, ka shkruar ai mes tjerash.

    Postimi:

    Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë sot vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit. Mesazhi është i qartë: Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

    Nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për ta përmbyllur procesin. Nëse kjo nuk ndodh, sipas Kushtetutës, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.

    Gjykata i ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionin e tyre në interes të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

    Pra, rruga është e thjeshtë: ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje.

    Kushtetuesja publikon vendimin: Seanca konstituive nuk ka përfunduar

  • Trent Alexander-Arnold rikthehet pas pushimeve ndërkombëtare, sipas Marca

    Trent Alexander-Arnold rikthehet pas pushimeve ndërkombëtare, sipas Marca

    Trent Alexander-Arnold pritet të rikthehet në fushë pas pushimeve ndërkombëtare, sipas raportimeve të Marca. Mbrojtësi i Real Madridit, i cili ka qenë jashtë fushës për shkak të një dëmtimi në muskujt e kofshës, ka bërë progres të konsiderueshëm në rikuperimin e tij.

    Alexander-Arnold ka munguar në disa ndeshje të rëndësishme, përfshirë ndeshjen e fundit të Ligës së Kampionëve dhe disa takime të La Ligës. Megjithatë, sipas burimeve, ai ka kaluar fazën më të vështirë të rikuperimit dhe pritet të jetë në dispozicion për ndeshjet pas pushimeve ndërkombëtare.

    Ky rikthim është i rëndësishëm për trajnerin Xabi Alonso, i cili ka llogaritur shumë te Alexander-Arnold për të forcuar mbrojtjen dhe për të kontribuar në fazën sulmuese të skuadrës. Rikthimi i tij do t’i japë Real Madridit një opsion të vlefshëm në mbrojtje dhe do të forcojë konkurrencën në skuadër.

    Rikthimi i Alexander-Arnold pas pushimeve ndërkombëtare do të shënojë një moment të rëndësishëm për Real Madridin, duke i dhënë skuadrës një nga lojtarët e saj kyç për pjesën e mbetur të sezonit.

  • Frenkie de Jong pranë rinovimit të kontratës me Barcelonën, konfirmon Deco

    Frenkie de Jong pranë rinovimit të kontratës me Barcelonën, konfirmon Deco

    Frenkie de Jong është shumë pranë nënshkrimit të një kontrate të re me FC Barcelona.

    Në një intervistë ekskluzive për Mundo Deportivo, drejtori sportiv i klubit, Deco, shprehu optimizëm të madh për rinovimin e mesfushorit holandez.

    Ai theksoi se De Jong është një lojtar kyç për projektin e Barcelonës dhe se bisedimet për kontratën e re janë duke ecur mirë.

    “E shoh Frenkie de Jong shumë pranë nënshkrimit të kontratës së re. E shohim si një lojtar të rëndësishëm për projektin tonë. Jemi në bisedime dhe jam optimist,” tha Deco.

    Kontrata aktuale e De Jong me Barcelonën skadon në qershor të vitit 2026. Drejtuesit e klubit, përfshirë presidentin Joan Laporta, kanë shprehur dëshirën për të rinovuar kontratën e tij për të shmangur mundësinë që ai të negociojë si lojtar i lirë nga janari i vitit 2026.

    De Jong ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm për Barcelonën që nga ardhja e tij në vitin 2019, duke kontribuar me paraqitje të shkëlqyera në mesfushë.

    Në sezonin aktual, ai ka qenë një nga liderët e skuadrës, duke ndihmuar Barcelonën të synojë tituj të rëndësishëm.

    Nëse rinovimi i kontratës realizohet, kjo do të jetë një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Barcelonës, duke siguruar vazhdimësinë e një lojtari kyç në mesfushë.