ATV

Blog

  • Magjia e sjelljes: pse njerëzit me energji të mirë duken më tërheqës

    Magjia e sjelljes: pse njerëzit me energji të mirë duken më tërheqës

    Tërheqja nuk është gjithmonë çështje pamjeje.
    Ndonjëherë, mjafton mënyra si buzëqesh, si dëgjon, apo si përshëndet dikë për ta bërë të ndjejë menjëherë një “klik” pozitiv me ty.

    Psikologët e quajnë këtë efekti i sjelljes – kur mënyra jote e të qenit i sjellshëm, i qetë dhe me prani të ngrohtë bën që njerëzit të ndihen mirë pranë teje. Dhe kjo është shumë më tërheqëse se çdo filtër apo veshje perfekte.

    Në fakt, mënyra si e përçon energjinë tënde është ajo që krijon “magjinë” e parë. Ja disa detaje që ndryshojnë gjithçka:

    1. Qëndrimi që flet pa fjalë

    Një trup i drejtë, supet e hapura dhe ecja e sigurt tregojnë vetëbesim, pa qenë nevoja të thuash asgjë. Energjia jote flet për ty.

    2. Zëri që ngroh

    Një ton i butë, i ngadalshëm, dhe një mënyrë e qetë të foluri tërheq më shumë vëmendje sesa një zë i fortë. Ai jep ndjesinë e kontrollit dhe qetësisë, dy cilësi që shumica e njerëzve i admirojnë.

    3. Sytë që krijojnë lidhje

    Një kontakt i lehtë me sy dhe një buzëqeshje e sinqertë janë më efektive se çdo kompliment. Tregojnë interes të vërtetë, dhe ky është çelësi i tërheqjes njerëzore.

    4. Dëgjo më shumë, fol më me kujdes

    Njerëzit që dinë të dëgjojnë bëhen menjëherë më të pëlqyeshëm. Sepse, në një botë ku të gjithë duan të flasin, ai që të dëgjon është gjithmonë i veçantë.

    5. Thjeshtësia që magjeps

    S’ka nevojë për përpjekje të tepërta. Një “faleminderit”, një “më fal” apo një sjellje e butë lë më shumë gjurmë se çdo pamje perfekte.

    Në fund, mënyra si i bën të tjerët të ndihen është ajo që kujtohet. Bukuria tërheq syrin, por sjellja e mirë e fiton zemrën dhe kjo është ajo që të bën vërtet tërheqës.

  • Dean Huijsen lë grumbullimin e Spanjës për shkak dëmtimi, rikthehet Aymeric Laporte

    Dean Huijsen lë grumbullimin e Spanjës për shkak dëmtimi, rikthehet Aymeric Laporte

    Kombëtarja e Spanjës ka pësuar një tjetër goditje përpara ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Mbrojtësi i Real Madridit, Dean Huijsen, është detyruar të largohet nga grumbullimi për shkak të një dëmtimi muskulor, duke mos qenë në gjendje të vazhdojë me ekipin.

    Trajneri Luis de la Fuente ka reaguar menjëherë, duke thirrur në vend të tij Aymeric Laporten, i cili rikthehet në Kombëtare pas gati një viti mungesë, që nga ndeshjet e Nations League në nëntor të vitit 2024.

    Federata Spanjolle e Futbollit ka konfirmuar lajmin me një deklaratë zyrtare:

    “Dean Huijsen largohet nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të një dëmtimi muskulor, përpara ndeshjeve kualifikuese ndaj Gjeorgjisë dhe Bullgarisë.

    Mbrojtësi i Real Madridit mbërriti me simptoma lodhjeje dhe pas testeve mjekësore, u konfirmua dëmtimi. Klubi i tij është informuar dhe lojtari do të vazhdojë rikuperimin në Madrid. I urojmë shërim të shpejtë.”

    Huijsen, i cili nuk ishte stërvitur që nga e marta në qendrën stërvitore të Las Rozas, do të ekzaminohet nga stafi mjekësor i Real Madridit sapo të rikthehet në klub për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.

    Ndërkohë, Laporte do t’i bashkohet menjëherë grumbullimit të “La Rojas”, duke sjellë përvojë dhe stabilitet në repartin e mbrojtjes për dy ndeshjet e rëndësishme të radhës.

  • Xavi me superlativa për Lamine Yamal: “Një gjeni që mund të hyjë në historinë e futbollit”

    Xavi me superlativa për Lamine Yamal: “Një gjeni që mund të hyjë në historinë e futbollit”

    Ish-trajneri dhe legjenda e Barcelonës, Xavi Hernández, ka vlerësuar me fjalët më të larta talentin e ri të katalanasve, Lamine Yamal, duke e cilësuar si një lojtar të lindur për madhështi.

    Në një intervistë për mediat spanjolle, Xavi theksoi se e ardhmja e 18-vjeçarit varet tërësisht nga dëshira dhe përkushtimi i tij për t’u përmirësuar çdo ditë.

    “Lamine Yamal është një i zgjedhur. Ai mund të jetë një nga gjenitë më të mëdhenj në historinë e futbollit — por kjo varet prej tij, nga ambicia dhe pasioni që do të tregojë”, u shpreh Xavi.

    Trajneri spanjoll kujtoi edhe momentin kur i dha Yamalit mundësinë të debutonte në ekipin e parë të Barcelonës, në moshën vetëm 15-vjeçare, duke pranuar se talenti i tij ishte i dukshëm që në stërvitjet e para.

    “Yamal bënte gjëra që i shihje vetëm te Neymar apo Messi. E pashë menjëherë se ishte ndryshe — nuk kishte frikë, nuk kishte komplekse, dhe ishte gati të bënte diferencën,” – shtoi Xavi me admirim.

    Sot, Lamine Yamal është një nga figurat më premtuese të futbollit evropian dhe një shtyllë e rëndësishme për të ardhmen e Barcelonës, duke treguar pjekuri dhe klas të jashtëzakonshme për moshën e tij të re.

  • Nobelin për Kimi e fitojnë tre shkencëtarë për punën në kornizat metalo-organike

    Nobelin për Kimi e fitojnë tre shkencëtarë për punën në kornizat metalo-organike

    Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë shkencëtarëve Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar M Yaghi për punën e tyre në kornizat metalo-organike.

    Puna e të tre shkencëtarëve do të mund të përdoret për t’i luftuar disa prej problemeve më të mëdha në planet, përfshirë kontrollimin e dioksidit të karbonit, që mund të ndihmojë në luftimin e ndryshimeve klimatike, apo edhe në zvogëlimin e ndotjes plastike, duke përdorur elementë kimikë.

    Të tre fituesit do të ndajnë një çmim prej 11 milionë krunave suedeze (rreth 1 milion euro).

    Puna e tre shkencëtarëve bazohet në atë se si mund të ndërtohen molekulat në struktura. Komiteti i Nobelit e ka quajtur punën e tyre “arkitekturë molekulare”.

    Të tre burrat kanë punuar për të ndërtuar konstruksione me hapësira të mëdha mes molekulave, përmes së cilave mund të qarkullojnë gazra dhe kemikale tjera. Ato quhen korniza metalo-organike.

    Njoftimi është bërë nga Akademia Mbretërore e Shkencave në Suedi, në një konferencë për media në Stokholm.

    Profesori Kitagawa punon në Universitetin e Kjotos në Japoni, profesori Richard Robson në Universitetin e Melburnit në Australi dhe profesori Omar M. Yaghi në Universitetin e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara.

    Vitin e kaluar këtë çmim e kanë fituar shkencëtarët Demis Hassabis, John Jumper dhe David Baker për punën e tyre në proteina, të cilat i ndërtojnë blloqet e jetës.

    Më herët gjatë javës janë ndarë edhe çmimet Nobel për Fizikë dhe Mjekësi./REL

  • Armand Duka merr një tjetër post prestigjioz në FIFA

    Armand Duka merr një tjetër post prestigjioz në FIFA

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është zgjedhur anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s (Member Associations Committee) për një mandat katërvjeçar.

    Ky komitet ka një rol thelbësor në mbështetjen e federatave anëtare të FIFA-s në zhvillimin e tyre institucional, teknik dhe në zbatimin e politikave të qeverisjes së futbollit në nivel global.

    Emërimi i Dukës në këtë strukturë të rëndësishme vjen si një vlerësim i madh për kontributin e tij shumëvjeçar në drejtimin e futbollit shqiptar dhe për rolin e tij aktiv në arenën ndërkombëtare.

    Kujtojmë se Duka mban gjithashtu pozicionet e Zëvendëspresidentit të UEFA-s, anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe Kryetarit të Komitetit të Medias në UEFA, duke e bërë një nga figurat më me ndikim të futbollit europian në strukturat drejtuese botërore.

  • Dieta që forcon mishrat e dhëmbëve dhe ndalon inflamacionin – shkencëtarët befasohen nga rezultatet

    Dieta që forcon mishrat e dhëmbëve dhe ndalon inflamacionin – shkencëtarët befasohen nga rezultatet

    Një studim britaniko-italian tregon se mënyra e të ushqyerit luan rol kyç në parandalimin e parodontopatisë dhe sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve

    Dieta mesdhetare, e njohur tashmë për efektet e saj pozitive në shëndetin e trurit, uljen e rrezikut nga Alzheimeri, vdekja e parakohshme dhe problemet me shëndetin mendor, tani lidhet edhe me shëndet më të mirë të mishrave të dhëmbëve.

    Studimi, i realizuar nga kërkuesit e King’s College në Londër dhe Universiteti i Katanias në Itali, përfshiu 195 pjesëmarrës me moshë mesatare 49 vjeç, të cilët iu nënshtruan kontrolleve shëndetësore dhe pyetësorëve mbi zakonet e tyre ushqimore.

    Rezultatet treguan se personat që ndiqnin më përpikmërisht dietën mesdhetare të pasur me produkte bimore kishin më pak gjasa të zhvillonin sëmundje të mishrave të dhëmbëve, veçanërisht ata që konsumonin më pak mish të kuq.

    Për më tepër, një ushqyerje më e shëndetshme ishte e lidhur edhe me nivel më të ulët të markerëve inflamatorë në gjak, të cilët tregojnë nëse trupi është nën stres ose i dëmtuar. Ky është edhe një sukses tjetër shëndetësor që i atribuohet stilit mesdhetar të të ushqyerit.

    “Gjetjet tona tregojnë se një dietë e ekuilibruar e tipit mesdhetar mund të zvogëlojë rrezikun nga sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe inflamacionet sistemike”, ka deklaruar parodontologu Giuseppe Mainas nga King’s College në Londër, përcjell Telegrafi.

    Dieta mesdhetare, e emërtuar sipas rajonit ku praktikohet më shpesh, favorizon frutat, perimet, drithërat integrale dhe peshkun, ndërsa kufizon ushqimet e përpunuara, produktet e qumështit në sasi të mëdha dhe mishin e kuq.

    Kërkuesit theksojnë se studimi nuk ka ndjekur pjesëmarrësit në kohë, prandaj rezultatet tregojnë vetëm një lidhje dhe jo shkak-pasojë. Megjithatë, siç shtojnë ata, “kjo lidhje është mjaft e fortë për të justifikuar kërkime të mëtejshme.”

    Sipas tyre, përbërësit aktivë të produkteve bimore ndihmojnë trupin në uljen e inflamacionit, ndërsa mishi i kuq ka efekt të kundërt. Edhe pse parodontiti shkaktohet kryesisht nga grumbullimi i pllakës bakteriale, mendohet se edhe përgjigjja imune e trupit luan rol të rëndësishëm.

    “Vërejtëm se mund të ekzistojë një lidhje midis ashpërsisë së parodontopatisë, mënyrës së të ushqyerit dhe inflamacionit”, ka shtuar Mainas.

    Këto aspekte duhet të merren parasysh në mënyrë holistike gjatë vlerësimit të trajtimit të pacientëve me parodontit. /Telegrafi/

     

  • ​Kurti komenton raportin e Bankës Botërore: Nuk ka vend për brengosje

    ​Kurti komenton raportin e Bankës Botërore: Nuk ka vend për brengosje

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore për ngadalësim të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

    Sipas këtij raporti, parashihet rënie e rritjes ekonomike nga 3.6 për qind në vitin 2024, në 3 për qind në vitin këtë vit për shtetet e Ballkanit Përëndimor. Por, rënien më të madhe është parashikuar ta ketë Kosovë.

    Kurti gjatë vizitës në Termocentralin “Kosova B”, ka komentuar këtë raport, ku tha se “Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV)”.

    “Ne po bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi që t’i ndihmojmë edhe sektorit privat, përveçse edhe ndërmarrjeve publike që t’i ndihmojmë edhe qytetarëve me mbështetje financiare në mënyrë që të rritet kërkesa agregate, po mbështesim eksportin e Kosovës dhe gjithashtu siç e shihni këtu edhe gjenerimin e energjisë elektrike me ç’rast investimi është në rritje të kapacitetit por gjithashtu edhe në siguri e qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë sivjet ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe mos harroni që shpesh herë për aq shumë indekse edhe të demokracisë edhe të ekonomisë, Kosova është në krye të Ballkanit Perëndimor. Dhe unë besoj që kjo do të vazhdojë edhe më tej”, deklaroi Kurti.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se “shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, teksa shtoi se në katër vitet e fundit mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind.

    “Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind, pa rënë asnjëherë nën 4 për qind. Në çerekun e dytë sivjet është 4.58 për qind. Do të thotë edhe më tutje nuk biem nën 4 për qind, ta shohim tash si do të jetë raporti për çerekun e tretë sivjet. Por deri tash është mirë. Raportet ndërkombëtare neve na përgatisin edhe më shumë por natyrisht që tash për tash shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, shtoi kryeministri në detyrë.

    Sipas Bankës Botërore, vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë progresin në reformat strukturore

  • A vuani nga aknet, ankthi dhe urthi? Shkaku mund t’ju habisë

    A vuani nga aknet, ankthi dhe urthi? Shkaku mund t’ju habisë

    Akne, urth, mjegull mendore ose lodhje e vazhdueshme – të gjitha këto mund të jenë shenja që keni shumë yndyrë të ngopur në dietën tuaj. Edhe pse shumica e njerëzve nuk e llogarisin sa hanë, yndyra e ngopur është kudo përreth nesh, nga gjalpi në bukë deri te djathi në pica, shkruan EatingWell.

    Marrja e tepërt e yndyrnave të ngopura mund të ndikojë në tretje, energji, humor dhe shëndet të lëkurës. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deri në dy të tretat e njerëzve konsumojnë më shumë se sasia e rekomanduar. Dietologia e regjistruar Taiyyibah Moughal shpjegon ndryshimin: yndyrnat e pangopura, që gjenden në vajin e ullirit dhe vajin e avokados, mbeten të lëngshme në temperaturë ambienti, ndërsa yndyrnat e ngopura, si gjalpi dhe vaji i kokosit, janë të ngurta dhe të dëmshme në sasi të mëdha.

    Edhe pse trupi nuk do ta japë menjëherë alarmin, ka shenja që mund të tregojnë një problem.

    Lodhje dhe letargji pas vakteve

    Nëse keni dëshirë të shtriheni pas një vakti të madh, si një hamburger me patate të skuqura, kjo mund të jetë për shkak të yndyrës së ngopur. Sipas dietologut Avery Zenker, këto vakte ngadalësojnë tretjen dhe mund t’ju bëjnë të ndiheni të rëndë dhe të përgjumur.

    Hulumtimet tregojnë se marrja e lartë e yndyrnave të ngopura mund të çojë në përgjumje të tepërt gjatë ditës. Por lajmi i mirë është se energjia kthehet kur mishi i kuq me yndyrë zëvendësohet me peshk dhe drithërat e rafinuara zëvendësohen me drithëra të plota.

    Vështirësi me përqendrimin dhe kujtesën

    Nëse duket se po harroni më shpesh se zakonisht ose e keni të vështirë të përqendroheni, faji mund të jetë dieta. Studimet kanë treguar se një dietë e pasur me yndyrna të ngopura mund të zvogëlojë përkohësisht vëmendjen dhe të ngadalësojë reagimet. Në planin afatgjatë, ajo madje mund të ndikojë negativisht në kujtesë.

    Nga ana tjetër, modelet e të ngrënit që përfshijnë më pak yndyrë të ngopur, siç është dieta MIND, shoqërohen me kujtesë dhe funksion mendor më të mirë pas vetëm tre muajsh.

    Fryrje, urth dhe probleme me tretjen

    Nëse shpesh keni probleme me fryrjen, gazrat ose urthin, mund të jeni duke konsumuar shumë yndyrna të ngopura. Sipas dietologes së regjistruar Sheri Gaw, yndyrnat mund të ngadalësojnë tretjen dhe të relaksojnë muskulin që mbyll stomakun, gjë që rrit mundësinë e refluksit të acidit në ezofag.

    Përveç kësaj, ushqimet me yndyrë shpesh shkaktojnë një ndjenjë rëndese ose edhe të përziera. Zvogëlimi i konsumit të ushqimeve të skuqura, mishrave me yndyrë dhe ëmbëlsirave kremoze mund t’i lehtësojë këto simptoma.

    Aknet dhe inflamacioni i lëkurës

    Një dietë e pasur me yndyrna të ngopura mund të shkaktojë inflamacion në trup, përfshirë lëkurën. Dietologu Avery Zenker thekson se këto yndyrna rrisin prodhimin e sebumit dhe mund të bllokojnë poret.

    Studimet kanë konfirmuar se njerëzit që hanë më shumë yndyrna të ngopura kanë më shumë gjasa të kenë probleme me aknet. Nga ana tjetër, një dietë e pasur me perime me gjethe jeshile, arra dhe peshk mund të ketë një efekt anti-inflamator dhe të përmirësojë gjendjen e lëkurës.

    Ankthi dhe luhatjet e humorit

    Dieta ka ndikim të madh në shëndetin mendor. Studimet tregojnë se një dietë me më pak yndyrna të ngopura dhe më shumë yndyrna të shëndetshme, si omega-3, mund të ndihmojë në lehtësimin e ankthit dhe depresionit.

    Dietologu Gaw këshillon kalimin në një dietë mesdhetare, e cila është e pasur me peshk, vaj ulliri dhe perime. Një dietë e tillë ka një efekt pozitiv në tru dhe në gjendjen emocionale.

    Çfarë mund të bësh?

    Yndyrnat e ngopura gjenden në shumë ushqime që konsumojmë çdo ditë, siç janë gjalpi, djathi, mishi i kuq dhe ushqimet e përpunuara. Të shijosh ato herë pas here nuk është problem, por konsumimi i tyre i rregullt mund të jetë i dëmshëm për shëndetin tuaj në planin afatgjatë.

    Për një ekuilibër më të mirë, provoni:

    Zëvendësoni gjalpin me vaj ulliri;

    Hani mish të kuq më rrallë dhe peshk më shpesh;

    Pasuroni vaktet me perime, fruta dhe drithëra të plota;

    Përfshini arra dhe fara në dietën tuaj.

    Ndryshimet e vogla në dietë mund të bëjnë ndryshime të mëdha në nivelet e energjisë, tretjen, lëkurën dhe humorin.

  • Dogana ndalon katër tentativa për import të mallrave të falsifikuara

    Dogana ndalon katër tentativa për import të mallrave të falsifikuara

    Dogana ka njoftuar se gjatë muajit shtator, në katër raste të ndara, ka parandaluar tentativat për importimin e mijëra produkteve të falsifikuara.

    Përmes këtyre operacioneve është bllokuar hyrja e mallrave pirate në tregun vendor, duke mbrojtur kështu konsumatorët dhe konkurrencën e ndershme.

    Ndër produktet e sekuestruara përfshihen qindra jelekë dimërorë, atlete dhe veshje tekstili, si dhe mbi pesë mijë palë çorape.

    Këto mallra mbanin logot e falsifikuara të markave të njohura ndërkombëtare si Moncler, Adidas, Nike, Calvin Klein dhe Stone Island.

    Sipas njoftimit zyrtar, këto ndërhyrje janë rezultat i analizës së avancuar të riskut dhe vigjilencës së shtuar të oficerëve doganorë.

  • Kurti takoi komandantin e KFOR-it, flasin për sigurinë në Kosovë

    Kurti takoi komandantin e KFOR-it, flasin për sigurinë në Kosovë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim mirëseardhës Komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Ozkan Ulutas.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se në takim kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vendin tonë.

    “Diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks mbi situatën e sigurisë dhe për rëndësinë e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të vendit dhe të misionit të NATO-s në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Duke i uruar mirëseardhje përsëri në Kosovë dhe duke i dëshiruar suksese në mandatin e dytë si komandant i KFOR-it, kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij dhe të Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit.