ATV

Blog

  • Kylian Mbappé – futbollisti me më së shumti renditje në “Top 10” të Topit të Artë, pa e fituar kurrë!

    Kylian Mbappé – futbollisti me më së shumti renditje në “Top 10” të Topit të Artë, pa e fituar kurrë!

    Kylian Mbappé po vazhdon të bëjë histori, edhe pse ende nuk ka arritur ta fitojë Topin e Artë.

    Ylli francez është tani futbollisti me më së shumti renditje në “Top 10” të Ballon d’Or, pa e fituar asnjëherë atë.

    Me plot 8 herë të radhitura në mesin e 10 më të mirëve, Mbappé ka lënë pas legjenda si:
    Thierry Henry – 7 herë
    Andrés Iniesta – 7 herë
    Neymar – 6 herë
    Zlatan Ibrahimović – 6 herë

    Edhe pse vetëm 26-vjeçar, Mbappé ka qenë pjesë e elitës së futbollit botëror për gati një dekadë.

    Ai tashmë mban edhe statusin e një prej lojtarëve më konsistentë të epokës moderne — gjithmonë pranë majës, por ende pa arritur “kurorën e artë”.

  • Nenad Tomović: “Droni ishte i planifikuar nga futbollistët shqiptarë, gjithçka ishte e inskenuar”

    Nenad Tomović: “Droni ishte i planifikuar nga futbollistët shqiptarë, gjithçka ishte e inskenuar”

    Futbollisti serb Nenad Tomović, në një intervistë për “Sportinho”, është rikthyer të komentojë ngjarjen e famshme të 14 tetorit 2014, në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, e cila u ndërpre pas incidentit me dronin që mbante flamurin “Autochthonous”.

    Sipas tij, ngjarja nuk ishte spontane, por e planifikuar nga pala shqiptare. Ish-mbrojtësi i Serbisë pretendon se disa futbollistë shqiptarë e dinin se do të ndodhte një skenë e tillë.

    “Sinqerisht, ishte një provokim i madh ta shihnim atë flamur të valëvitej mbi kokat tona. Stefani reagoi me zgjuarsi dhe e hoqi menjëherë. Nga reagimi i tyre, që vrapuan për ta mbrojtur flamurin, shihet se gjithçka ishte e planifikuar dhe e organizuar. Më pas shpërthyen incidentet, por mendoj se ky ishte qëllimi i tyre. Ajo që planifikuan, në fund e arritën,” – tha 38-vjeçari.

    Tomović foli edhe për ndeshjen e ardhshme mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet të shtunën në Leskovc. Ai beson se Serbia duhet ta fitojë këtë përballje, duke theksuar se skuadra e tij ka më shumë cilësi dhe përvojë.

    “Kudo që të luhet ndeshja – në Beograd, Leskovc apo kudo tjetër – qëllimi është i njëjtë: fitorja. Duhet të jemi të durueshëm dhe të zgjuar, të mos nxitohen për të shënuar me çdo kusht. Serbia ka cilësi më të larta si individualisht ashtu edhe si ekip, prandaj besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje,” – përfundoi ai.

  • Zbulohet kontrabandë mallrash në kontrollin doganor në Vërmicë

    Zbulohet kontrabandë mallrash në kontrollin doganor në Vërmicë

    Gjatë kontrolleve rutinore në Pikëkalimin Kufitar në Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë identifikuar dy raste të kundërvajtjeve doganore. Pas selektimit të dy automjeteve për kontroll të detajuar në vijën e dytë, janë zbuluar mallra të ndryshme të padeklaruara.

    Në të dyja rastet, palët kishin mohuar posedimin e ndonjë malli për deklarim, por gjatë kontrollit janë gjetur mallra si: pjesë të përdorura për automjete, drita të përparme, parfum, çantë dore si dhe një pako me këpucë të llojeve të ndryshme (mall stoku).
    Përveç çantës së dorës, për të gjitha mallrat tjera nuk është paraqitur faturë apo dokument përcjellës.

    Të gjitha mallrat janë ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme, ndërsa ndaj palëve janë inicuar procedura për kundërvajtje doganore, në përputhje me ligjin në fuqi.

    Dogana e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që të respektojnë obligimet ligjore dhe të bëjnë deklarim të saktë të mallrave gjatë kalimeve kufitare, duke shmangur pasojat ligjore dhe ndihmuar në mbrojtjen e tregut të brendshëm.

  • Orinda Huta: “Jam pjesë e një procesi gjyqësor prej 15 vitesh, ende pa drejtësi”

    Orinda Huta: “Jam pjesë e një procesi gjyqësor prej 15 vitesh, ende pa drejtësi”

    Orinda Huta: “Jam pjesë e një procesi gjyqësor prej 15 vitesh, ende pa drejtësi”

    Moderatorja dhe artistja shqiptare Orinda Huta ka ndarë publikisht një rrëfim të ndjeshëm për një proces gjyqësor që zgjat prej 15 vitesh, i cili sipas saj ende nuk ka marrë zgjidhje.

    Në një deklaratë për mediat, Huta tregoi se çështja ka të bëjë me pronën e familjes së saj, konkretisht tokat që i përkasin nënës së saj, dhe se gjatë gjithë këtyre viteve ajo është përballur me vështirësi të shumta dhe madje edhe kërcënime personale.

    “Jam pjesë e një procesi gjyqësor prej 15 vitesh, e ende nuk po i jepet zgjidhje. Bëhet fjalë për tokat e mamës sime. Gjatë këtyre viteve kam marrë shpesh kërcënime nga i ashtuquajturi ‘daja’,” është shprehur Huta.

    Moderatorja shtoi se përvoja e gjatë në gjykata e ka bërë të kuptojë sa e vështirë është të kërkosh drejtësi në Shqipëri, sidomos kur përballesh me padrejtësi të trashëguara ndër vite.

    “Nuk po flas për hakmarrje, por për drejtësi. Dua vetëm që e vërteta të dalë në dritë dhe pronat e nënës sime të kthehen aty ku u përkasin,”  ka theksuar ajo.

    Çështja e saj është bërë simbol i ngadalësisë së sistemit gjyqësor shqiptar, ku shumë familje prej dekadash presin zgjidhje për pronat e tyre të konfiskuara apo të kontestuara.

  • KB Prishtina kërkon fitoren e dytë në Ligën ENBL ndaj Brussels Basketball

    KB Prishtina kërkon fitoren e dytë në Ligën ENBL ndaj Brussels Basketball

    Pas një nisjeje të mbarë në edicionin e ri të Ligës ENBL, KB Prishtina do të zhvillojë sonte (e mërkurë) ndeshjen e dytë, këtë herë në transfertë ndaj Brussels Basketball.

    Skuadra bardhekaltër vjen pas fitores bindëse ndaj Gimle Basket, dhe synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm për të konsoliduar pozitat në grup.

    Kjo është sfida e parë për ekipin belg në këtë sezon të ENBL, ndërsa për Prishtinën përfaqëson një test të rëndësishëm për të matur forcën e saj në arenën ndërkombëtare.

    Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të YouTube të ENBL.

    Kryeqytetasit marrin pjesë për herë të dytë në këtë ligë, e cila po fiton gjithnjë e më shumë reputacion në rajon. Përveç Prishtinës, në këtë edicion garon edhe skuadra tjetër kosovare, Peja, duke përfaqësuar me krenari basketbollin e vendit në arenën ndërkombëtare.

  • Pikturat e Bob Ross sjellin ngjyra… dhe fonde për televizionet publike

    Pikturat e Bob Ross sjellin ngjyra… dhe fonde për televizionet publike

    30 pikturat e Bob Ross dalin në ankand për të shpëtuar televizionet publike në SHBA

    Tridhjetë vepra origjinale të piktorit legjendar Bob Ross do të dalin në ankand me një qëllim fisnik të ndihmojnë televizionet publike amerikane, të cilat po përballen me shkurtime të mëdha në financimet federale.

    Presidentja e kompanisë Bob Ross Inc., Joan Kowalski, tha se ky ankand është mënyra më e bukur për të mbajtur gjallë shpirtin e artistit që frymëzoi miliona njerëz nëpër botë.

    “Bob Ross ia kushtoi jetën e tij bërjes së artit të qasshëm për të gjithë. Ky ankand siguron që trashëgimia e tij të vazhdojë të mbështesë pikërisht median që solli gëzimin dhe kreativitetin e tij në shtëpitë amerikane për dekada,” u shpreh ajo.

    Ankandet do të mbahen në disa qytete të botës

    Shtëpia prestigjioze e ankandeve Bonhams do të nisë shitjen e parë më 11 nëntor në Los Angeles, ndërsa ankande të tjera do të zhvillohen në Londër, New York, Boston, si dhe online.

    Të gjitha të ardhurat do të shkojnë për stacionet televizive publike që transmetojnë përmbajtje të shpërndarë nga American Public Television, për të mbuluar tarifat e licencimit të programeve të njohura si:

    The Best of Joy of Painting,

    America’s Test Kitchen,

    Julia Child’s French Chef Classics,

    dhe This Old House.

    Shkurtime drastike në financimin federal

    Vendimi për të eliminuar 1.1 miliardë dollarë nga buxheti federal për transmetimet publike siç kishte kërkuar ish-presidenti Donald Trump – ka lënë rreth 330 stacione PBS dhe 246 NPR pa mbështetje financiare.
    Shumë prej tyre tashmë kanë nisur fushata emergjente për mbledhje fondesh, ndërsa disa janë detyruar të zvogëlojnë stafin dhe programet.

    Trashëgimia e Bob Ross vazhdon

    Bob Ross, i cili ndërroi jetë në vitin 1995 nga komplikimet e kancerit, mbetet një figurë ikonike e kulturës televizive. Me zërin e tij të qetë dhe optimizmin e butë, ai krijoi më shumë se një dekadë programesh përmes serisë “The Joy of Painting”, duke u bërë i njohur për fraza që sot janë pjesë e kulturës pop:

    “Happy little trees” dhe “Happy accidents”.

    Tridhjetë pikturat që do të dalin në ankand përfshijnë peizazhe malore, liqene, pyje dhe pamje të qeta natyrore vepra që mishërojnë stilin e tij të thjeshtë, por plot shpirt.

    Ky ankand është më shumë se një ngjarje artistike është një nderim për një artist që besonte se çdo njeri mund të krijojë bukuri, dhe një përpjekje për të shpëtuar zërin publik të medias amerikane, ashtu siç ai dikur shpëtoi qetësinë e shikuesve të tij me furçën dhe buzëqeshjen e tij të famshme.

  • Gianni Infantino mbërrin në Kosovë, pritet dhe dekorohet nga Presidentja Osmani

    Gianni Infantino mbërrin në Kosovë, pritet dhe dekorohet nga Presidentja Osmani

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbërritur sot në Kosovë në një vizitë zyrtare, ku është pritur me ceremoni madhështore nga përfaqësues të lartë të shtetit dhe të futbollit kosovar.

    Në aeroportin e Prishtinës, Infantinon e mirëpritën Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, si dhe zyrtarë të Presidencës së Kosovës.

    Gjatë qëndrimit të tij, Infantino u dekorua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të FIFA-s për zhvillimin e futbollit në vend.

    Pritja dhe dekorimi i tij u zhvilluan me nderime dhe respekt të veçantë, duke reflektuar rëndësinë e vizitës së kreut të FIFA-s për futbollin kosovar dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucionit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

    Kjo është herë e dytë që Gianni Infantino viziton Kosovën, dhe gjatë qëndrimit ai pritet të takohet me drejtues të institucioneve sportive dhe shtetërore për të diskutuar projekte të reja për infrastrukturën sportive dhe zhvillimin e talenteve të rinj në futbollin kosovar.

  • Tetë vjet më parë ia shpëtoi jetën duke i dhuruar veshkën Selena Gomez nuk e ftoi shoqen në dasmë

    Tetë vjet më parë ia shpëtoi jetën duke i dhuruar veshkën Selena Gomez nuk e ftoi shoqen në dasmë

    Francia Raisa flet për herë të parë pas thashethemeve për prishjen e miqësisë me Selena Gomez

    Aktorja Francia Raisa, e cila në vitin 2017 i dhuroi një veshkë këngëtares Selena Gomez, ka vendosur më në fund të thyejë heshtjen dhe të reagojë ndaj thashethemeve që prej kohësh qarkullojnë për një grindje mes tyre.

    Në një intervistë të re, 37-vjeçarja hodhi poshtë çdo pretendim për konflikt, duke i quajtur këto histori “thashetheme pa bazë”.

    “Nuk ka pasur asnjë grindje. Njerëzit flasin shumë gjëra që nuk janë të vërteta,” – tha Raisa, duke shtuar se gjithmonë ka pasur mirënjohje dhe respekt për Gomez.

    Nuk mori pjesë në dasmën e Selena Gomez dhe Benny Blanco

    Në intervistë, Raisa u pyet edhe për dasmën e Selena Gomez me producentin Benny Blanco, ku ajo me sa duket nuk ishte e ftuar.
    Në mesin e të ftuarve ndodheshin emra të njohur si Taylor Swift, Steve Martin, Martin Short, Zoe Saldana, motrat Paris dhe Nicky Hilton, si dhe Ed Sheeran.

    Megjithatë, Raisa shprehu vetëm urime për mikeshën e saj të dikurshme.

    “E di që do të martohet dhe jam shumë e lumtur për të. Ajo ka jetën e saj, tashmë është miliardere, dhe unë jam mirënjohëse që munda të bëja diçka kaq të madhe për të,” – tha aktorja në spanjisht, në një intervistë dhënë pak para dasmës.

    “Të dhurosh një organ është për të shpëtuar jetën, jo për të mbajtur një lidhje”

    E pyetur për eksperiencën e dhurimit të organit, Raisa ndau një mesazh të fortë për ata që mendojnë të bëjnë një hap të ngjashëm.

    “Kur dhuron një organ, e bën për të shpëtuar një jetë – jo për të garantuar një miqësi të përjetshme. Qëllimi duhet të jetë human, jo emocional,” – theksoi ajo.

    Pas viteve të spekulimeve dhe interpretimeve të ndryshme në media, deklarata e Raisës vjen si një përpjekje për të mbyllur kapitullin e komenteve publike mbi marrëdhënien e saj me Selena Gomez – një miqësi që dikur ishte simbol i sakrificës dhe mirënjohjes, por që me kalimin e kohës është kthyer në një temë të pafundme për thashetheme.

  • Generata Z dhe paraja: Pse vetëm 1 në 5 kërkon këshilla financiare profesionale

    Generata Z dhe paraja: Pse vetëm 1 në 5 kërkon këshilla financiare profesionale

    Të rinjtë e gjeneratës Z janë të njohur si brezi më i lidhur me teknologjinë dhe aplikacionet, por kur vjen puna tek paratë, shumë prej tyre ndihen të humbur. Studimet tregojnë se vetëm 20% e të rinjve kërkojnë këshilla financiare profesionale, pavarësisht sfidave të shumta si borxhi studentor, rritja e kostove të jetesës dhe pasiguria e tregut të punës.

    Arsyeja? Çmimi i këshillave, mungesa e aksesit dhe besimi më i madh te rrjetet sociale sesa te profesionistët. Por shmangia e këshillave financiare mund të kushtojë shtrenjtë në të ardhmen.

    Si menaxhojnë financat të rinjtë e Z-së?

    • Njohuri të kufizuara financiare: 38% pranojnë se nuk dinë shumë rreth investimeve dhe borxheve.

    • Mbështetje nga prindërit: 47% ende marrin ndihmë financiare nga familja, pak më pak se vitin e kaluar (54%).

     Çfarë mund të bëjnë të rinjtë?

    • Këshilla dixhitale: Robo-këshilltarët ose shërbimet hibride janë më të përballueshme dhe të aksesueshme.

    • Edukimi financiar: Programet në shkolla dhe universitete do të rrisnin besimin dhe njohuritë për menaxhimin e financave.

    • Planifikimi i thjeshtë: Buxhet i qartë dhe njohuri bazë për kreditë dhe kursimet mund të shmangin gabimet e mëdha.

    Në fund, njohja dhe këshilla financiare nuk janë luks – ato janë mjet për të marrë vendime të zgjuara dhe për të ndërtuar një të ardhme pa stres.

  • Presidentja Osmani nderon Infantinon me medalje nderi

    Presidentja Osmani nderon Infantinon me medalje nderi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar të mërkurën presidentin e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino me medalje nderi për kontributin e tij në avancimin e rrugës së futbollistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare.

    Në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Prishtinë, Osmani ka thënë se loja e futbollit e ka mbajtur të gjallë shpirtin e shumë fëmijëve qysh prej kohës së luftës në Kosovë më 1999.

    “Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë familje me shumë kombe. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike. Ju u keni ndihmuar lojtarëve tanë që ta bartin flamurin tonë duke garuar me krenari në skenat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

    Presidenca e ka përshkruar Infantinon si “mik të vërtetë të futbollit” dhe “mik të vërtetë të Kosovës”.

    Përgjatë ceremonisë, Osmani e ka përmendur edhe punën e madhe që ka bërë ish-futbollisti i ndjerë, Fadil Vokrri për të avancuar rrugën e futbollit të lojtarëve kosovarë në skenat botërore në kapacitetin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gianni Infantino po e viziton Kosovën për herë të dytë, pas vizitës së tij të parë në shtator 2022, kur ishte takuar me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Kosova u pranua në FIFA vetëm pak muaj pasi Infantino u zgjodh për herë të parë president i saj, në fillim të vitit 2016.

    Prej pranimit në organin qeverisës së futbollit botëror, Federata e Futbollit e Kosovës pranon ndihmë financiare prej saj çdo vit përmes programeve për ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të grave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale.

    Nëntë vjet pas pranimit në FIFA, Kosova është ende në kërkim të kualifikimit për një garë të madhe ndërkombëtare, siç është Kupa e Botës apo Kampionati Evropian.

    Ajo tani po lufton për një vend në Kupën e Botës 2026 – që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara – dhe do të përballet me Slloveninë në kualifikime të premten, dy ditë pas vizitës së Infantinos.

    Kosova është në vendin e dytë në Grupin B kualifikues me tre pikë pas dy ndeshjeve, prapa lideres, Zvicrës, që i ka gjashtë.

    Suedia dhe Sllovenia janë në dy vendet e fundit me nga një pikë secila.

    Fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin 2026, ndërsa vendi i dytë luan në play-off./REL