ATV

Blog

  • Bastisje në vendbanimin e Fatmir Shehollit, Prokuroria Speciale jep detaje

    Bastisje në vendbanimin e Fatmir Shehollit, Prokuroria Speciale jep detaje

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje pas arrestimit të Fatmir Shehollit për spiunazh.

    Në njoftim thuhet se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”.

    “I dyshuari F.SH është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftim.

    Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale.

    Tutje në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë.

  • Osmani për Infantinon: Miku i vërtetë i Kosovës dhe futbollit

    Osmani për Infantinon: Miku i vërtetë i Kosovës dhe futbollit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për kontributin e tij të veçantë në afirmimin dhe zhvillimin ndërkombëtar të futbollit kosovar.

    Ceremonia e dekorimit u mbajt të mërkurën në Prishtinë, ndërsa sot presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj publike për Infantinon përmes një postimi në Facebook.

    “President Gianni Infantino, Kosova do ta kujtojë gjithmonë që qëndruat përkrah nesh në kohë vendimtare. Ju besuat në potencialin tonë dhe në fuqinë bashkuese të sportit, në një kohë kur vetë besimi kërkonte guxim!”, ka shkruar Osmani.

    Ajo e cilësoi Infantinon si mik të vërtetë të sportit dhe të shtetit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së tij në një periudhë të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në vend.

    “Infantino është një mik i vërtetë i futbollit, njashtu edhe i Kosovës”, shtoi Osmani.

  • “Nëse je i shëndetshëm, duhet të jesh në dispozicion – sepse përfaqëson gjithë vendin, i gjithë vendi është pas teje”

    “Nëse je i shëndetshëm, duhet të jesh në dispozicion – sepse përfaqëson gjithë vendin, i gjithë vendi është pas teje”

    Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ishte i ftuari i radhës në emisionin “FFK Podcast”.

    Në këtë intervistë, ai foli për shumë tema të rëndësishme në prag të dy ndeshjeve të muajit tetor kundër Sllovenisë dhe Suedisë, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës.

    Ndër të tjera, Foda u ndal edhe te një dukuri që ka qenë e pranishme kohët e fundit në Kombëtare – refuzimi i disa futbollistëve për t’u grumbulluar me ekipin për arsye të ndryshme.

    “Për çdo lojtar, Kombëtarja duhet të jetë gjithmonë prioriteti më i lartë. Nëse je i shëndetshëm, duhet të jesh në dispozicion – sepse përfaqëson gjithë vendin; i gjithë vendi është pas teje. Kjo është ajo që e dallon Kombëtaren nga klubi. Në klub ke shumë tifozë, por jo të gjithë vendin,” theksoi Foda. /ATVLIVE.TV

  • Agjenda e Kombëtares së Kosovës

    Agjenda e Kombëtares së Kosovës

    Kombëtarja e Kosovës mban sot stërvitjen e fundit para përballjes me Slloveninë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    Seanca stërvitore e fundit e “Dardanëve” zhvillohet në orën 17:00, ndërsa paraprakisht, nga ora 16:30, përzgjedhësi Franco Foda do të mbajë një konferencë për media.

    Po ashtu, nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të mbahet konferenca për media e Kombëtares së Sllovenisë.

    Kujtojmë se ndeshja mes Kosovës dhe Sllovenisë luhet nesër, me fillim nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /ATVLIVE.TV

  • Kampioni Olimpik Rio 2016, peshëngritësi, Kianoush Rostami, do të debutojë sot për Kosovën

    Kampioni Olimpik Rio 2016, peshëngritësi, Kianoush Rostami, do të debutojë sot për Kosovën

    Kampioni Olimpik Rio 2016, peshëngritësi, Kianoush Rostami, do të debutojë sot për Kosovën.

    Rostami ka zgjedhur të përfaqësojë vendin tonë në fillim të këtij viti, ndërsa momentalisht ndodhet në Forde të Norvegjisë, ku po mbahet Kampionati Botëror në peshëngritje.
    Rostami do të garojë në kategorinë deri në 94 kg. Gara e tij nis në ora 19:30.

    Kianoush ka përfaqësuar Iranin deri në vitin 2022, por shkaku i mosmarrëveshjeve me Federatën e këtij vendi, ka vendosur të ndryshojë përfaqësim.

    Derisa në Rio 2016 Kianoush fitoi medaljen e artë, katër vjet më herët në Londër 2012, u stolis me medaljen e argjendtë. Ka edhe tri medalje botërore, dy të arta dhe një të argjendtë.

    Bazuar në rezultatet e tij, ai është kandidat për të fituar medalje botërore për Kosovën./ATVLIVE.TV

  • Operacion i madh antidrogë në Stamboll, shoqërohen aktorë dhe këngëtarja që çoi Turqinë në Eurovizion

    Operacion i madh antidrogë në Stamboll, shoqërohen aktorë dhe këngëtarja që çoi Turqinë në Eurovizion

    Autoritetet në Turqi arrestuan të mërkurën 19 aktorë, influencues dhe këngëtarë në një hetim për një rrjet droge. Midis atyre që u çuan në pranga në godinën e Xhandarmërisë në Stamboll ishte edhe Hadise Açıkgöz, e cila përfaqësoi Turqinë në Festivalin e Këngës në Eurovizion në vitin 2016 me këngën Düm Tek Tek.

    Pasi doli nga selia e xhandarmërisë, Hadise bëri një postim të çuditshëm në Instagram, duke shkruar: “Jam po aq e hutuar sa ju”. Ndërsa më pas ajo publikoi imazhe nga një koncert që dha në Ankara.

    Në mesin e personave të thirrur për t’u marrë në pyetje ishin edhe aktorët Demet Evgar, Özge Özpirincci, Mert Yazıcıoğlu, Kaan Yıldırım, Kubilay Aka, Berrak Tüzünataç dhe Meriç Aral, këngëtarët Hadise Açıkgöz dhe İrem Derici, si dhe çifti i influencuesve Ölans dhe İrem Derici.

    Avokatja e Dilan Polat, Sevinç Horoz, tha se klientja e saj i ishte nënshtruar më parë analizave që konfirmuan se ajo nuk kishte përdorur drogë. “Nëse kjo konsiderohet e pamjaftueshme, ne jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi një ekzaminimi të ri. Është e pamundur të kuptohet se çfarë ka ndodhur.”

    Polatët, të cilët kanë ndërtuar një biznes bukurie me vlerë shumë milionë dollarë, kanë pasur probleme me ligjin gjatë dy viteve të fundit. Ata u arrestuan marsin e kaluar me akuzën e posedimit të drogës dhe po përballen me gjyqin për akuzat e pastrimit të parave dhe evazionit fiskal.

    Hetimi po kryhet nga Zyra e Kontrabandës, Narkotikëve dhe Krimeve Ekonomike e Prokurorisë së Stambollit, me autoritetet që thonë se hetimi është përqendruar në përcaktimin nëse të dyshuarit po përdornin drogë dhe nëse përdorimi i tyre shkel ligjin turk.

  • Trump: Izraeli dhe Hamasi, dakord për fazën e parë të planit të paqes

    Trump: Izraeli dhe Hamasi, dakord për fazën e parë të planit të paqes

    Donald Trump ka bërë me dije se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të paqes të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë miratuar fazën e parë të planit tonë të paqes”, tha Trump nëpërmjet platformës Truth Social.

    “Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të dakordësuar, si hapat e parë drejt një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme”, shtoi Presidenti amerikan.

    Donald Trump shtoi për mediat amerikane se pengjet e mbajtura në Gaza ka të ngjarë të lirohen të hënën, si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit.

    “Pengjet do të lirohen, ndoshta të hënën… Tani për tani, po ndodhin shumë gjëra me lirimin e pengjeve dhe ne besojmë se të gjithë do të kthehen të hënën, përfshirë edhe trupat e të vdekurve”, deklaroi Trump.

    Deklarata erdhi disa orë pasi Trump njoftoi zyrtarisht marrëveshjen midis dy palëve, e cila përfshin shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Rripi i Gazës.

  • Marrëveshja e paqes, Hamasi konfirmon: Luftës në Gaza po i vjen fundi

    Marrëveshja e paqes, Hamasi konfirmon: Luftës në Gaza po i vjen fundi

    Hamasi, me anë të një deklarate për shtyp, njoftoi se është arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

    Hamasi gjithashtu i bëri thirrje Trumpit dhe vendeve të përfshira që ta detyrojnë Izraelin ta ndjekë plotësisht marrëveshjen.

    Hamasi thotë se marrëveshja do “i japë fund luftës në Gaza, do të sigurojë tërheqjen e plotë të forcave pushtuese, do të lejojë hyrjen e ndihmës humanitare dhe do të zbatojë një shkëmbim të burgosurish”, shkruan A2.

    Gjithashtu, Hamasi falënderon Katarin, Egjiptin, Turqinë dhe Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për përpjekjet e tyre të ndërmjetësimit.

    Populli i Gazës “ka treguar guxim, nder dhe heroizëm të pakrahasueshëm”, shton Hamasi në deklaratën e tij.

    “Ne kurrë nuk do t’i braktisim të drejtat kombëtare të popullit tonë derisa të arrihen liria, pavarësia dhe vetëvendosja”, shton më tej Hamasi.

  • Fatmir Sheholli arrestohet nën dyshimet për spiunazh

    Fatmir Sheholli arrestohet nën dyshimet për spiunazh

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se është arrestuar Fatmir Sheholli, i dyshuar për spiunazh.

    Sveçla ka shkruar se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili sipas tij, përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

    “Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar ai.

    Në një komunikatë për media, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se Sheholli është arrestuar pas hetimeve disa mujore.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale ‘Spiunazh’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Sheholli ka qenë i ftuar herë pas here në televizionet e Kosovës në rolin e analistit politik. Ai është drejtues i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë. Ishte ftuar për dëshmi edhe nga Gjykata Speciale.

    Në paraqitjet publike, ai ka pohuar se ka punuar në Shërbimin e Sigurimit të Serbisë (UDB) dhe pas luftës ka qenë i angazhuar në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).

  • Ekspertët alarmojnë: Mos i bëni këto 6 gabime të përditshme – po e dëmtoni fshikëzën pa e ditur

    Ekspertët alarmojnë: Mos i bëni këto 6 gabime të përditshme – po e dëmtoni fshikëzën pa e ditur

    Një ekspert mjekësor në Mbretërinë e Bashkuar ka paralajmëruar për gjashtë zakone të zakonshme që mund të dëmtojnë seriozisht fshikëzën urinare – një organ jetik për eliminimin e mbeturinave dhe ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trup.

    Dipa Kamdar, lektore e lartë në praktikën farmaceutike në Universitetin Kingston në Londër, thotë se shumë njerëz e neglizhojnë fshikëzën, duke rrezikuar shfaqjen e infeksioneve, mosmbajtjes urinare dhe madje edhe kancerit.

    Ajo thekson se kujdesi për fshikëzën duhet të jetë prioritet njësoj si për zemrën apo mushkëritë. Sipas saj, zakonet e përditshme luajnë rol kyç në shëndetin afatgjatë të këtij organi. Ja cilat janë gabimet më të zakonshme që mund t’ju kushtojnë shtrenjtë:

    Gabimet që duhet të shmangni:

    1. Mbajtja e urinës për një kohë të gjatë – Dëmton muskujt e fshikëzës dhe rrit rrezikun e infeksioneve.
    2. Mospirja e mjaftueshme e ujit – Urina bëhet më e përqendruar dhe irrituese për fshikëzën.
    3. Konsumi i tepërt i kafeinës dhe alkoolit – Rrit prodhimin e urinës dhe shkakton irritim.
    4. Pirja e duhanit – Shkaku kryesor i kancerit të fshikëzës.
    5. Higjiena e dobët – Lejon bakteret të hyjnë në traktin urinar.
    6. Mungesa e aktivitetit fizik dhe dieta e dobët – Çon në kapsllëk dhe presion të shtuar mbi fshikëzën.

    Këshilla shtesë për shëndetin e fshikëzës:

    • Pini 6–8 gota ujë në ditë
    • Ushqehuni me fibra dhe shmangni pijet e gazuara, ushqimet pikante dhe ëmbëlsuesit artificialë
    • Bëni aktivitet fizik të rregullt
    • Mos e neglizhoni nevojën për të urinuar

    Nëse vini re simptoma si djegie, urinim të shpeshtë, urinë me erë të fortë ose me gjak, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.