ATV

Blog

  • Funksioni Sekret i Kondicionerit që E Bën Ajrin Më të Thatë dhe Kursen Energji

    Funksioni Sekret i Kondicionerit që E Bën Ajrin Më të Thatë dhe Kursen Energji

    Shumë prej nesh e përdorin kondicionerin vetëm për të freskuar ambientin gjatë verës ose për të ngrohur dhomën gjatë dimrit. Por, a e dini që pajisjet moderne të kondicionimit të ajrit kanë një funksion të fshehtë që shpesh nuk përdoret, por që mund t’ju kursejë energji dhe të luftojë lagështinë në mënyrë efikase?

    Ky funksion quhet “Dry Mode” ose modaliteti i tharjes. Kur aktivizohet, kondicioneri nuk përqendrohet kryesisht te ftohja apo ngrohja e ambientit, por te kontrolli i lagështisë. Ai thith lagështinë e tepërt nga ajri pa e ftohur shumë dhomën, duke krijuar një ambient më të freskët dhe më të këndshëm.

    Përveç përmirësimit të rehatisë, ky funksion ka edhe një avantazh të madh ekonomik: kursim energjie. Sepse kondicioneri nuk duhet të punojë në maksimum për të ftohur dhomën; ai vepron më lehtë dhe konsumon më pak energji elektrike.

    Për të përdorur këtë funksion, zakonisht duhet të kërkoni butonin “Dry” në panelin e kondicionerit ose në aplikacionin inteligjent të pajisjes. Ky funksion është ideal për ditët e lagështa pranverore ose verore dhe ndihmon në parandalimin e zhvillimit të mykut dhe lagështisë në muret e shtëpisë.

    Pra, herën tjetër kur të ndizni kondicionerin, mos harroni ta provoni modalitetin Dry është mënyra e fshehtë për një ajër më të thatë, një ambient më komod dhe një faturë më të ulët energjie.

  • Tetori vjen me super premiera në kinema, ja cilët filma do të “pushtojnë” ekranet këtë muaj

    Tetori vjen me super premiera në kinema, ja cilët filma do të “pushtojnë” ekranet këtë muaj

    Muaji tetor pritet të jetë një ndër më të ngarkuarit për botën e kinemasë, me disa nga produksionet më të shumëpritura që më në fund do të shfaqen për publikun. Nga rikthimi i sagave të njohura deri te thriller-ët që premtojnë adrenalinë pa fund, ja cilët janë filmat që do të kenë premierë gjatë këtij muaji:

    “TRON: Ares” 10 tetor 2025
    Universi futuristik i “Tron” rikthehet më i fuqishëm se kurrë. Filmi pritet të sjellë efekte spektakolare dhe një histori që do të ngjisë fansat e sci-fi pas ekranit.

    “Black Phone 2” 17 tetor 2025
    Një nga horror-ët më të pritur të vitit. Pas suksesit të pjesës së parë, vazhdimi premton më shumë tension, sekrete dhe momente që të ngrijnë gjakun.

    “Good Fortune” 17 tetor 2025
    Një komedi me shumë energji dhe humor të zgjuar, që pritet të sjellë një frymë ndryshe në mesin e premierave të tetorit.

    “Mortal Kombat II” 24 tetor 2025
    Për fansat e aksionit dhe videolojërave ikonike, rikthimi i “Mortal Kombat” vjen me një kast të fuqishëm dhe përplasje epike. Lufta për dominim sapo ka filluar.

    “A House of Dynamite” 24 tetor 2025
    Një thriller politik i mbushur me mister, tradhti dhe tension. Ky film po cilësohet si një ndër surprizat më të mëdha të muajit.

    “Anniversary” 29 tetor 2025
    Muaji mbyllet me një triller që premton suspensë dhe emocione të forta. Me një kast të njohur dhe një fund që, sipas kritikëve, do t’i lërë të gjithë pa fjalë.

    Tetori, pra, do të jetë një muaj i artë për adhuruesit e filmit me zhanre për çdo shije dhe shumë emocione për të përjetuar në kinema apo në platformat online.

  • Kylian Mbappe në dyshim për ndeshjen kundër Azerbajxhanit

    Kylian Mbappe në dyshim për ndeshjen kundër Azerbajxhanit

    Ylli i Real Madridit Kylian Mbappe,nuk do të ketë mundësi që të luaj me Kombëtaren e Francës kundër Azerbajxhanit.

    Mbappe ka pësuar në kyçin e këmbës,dhe për më tepër u largua edhe nga stërvitja me gjelat për të nisur rehabilimtin.

    Përndryshe Federata Franceze e Futbollit bën të ditur se gjendja e Mbappes nuk është shqetësuese,megjithatë nuk është e sigurt se Mbappe do të luaj të premten apo jo.

    Kujtojmë që Kylian Mbappe po kalon formë të jashtëzakonshme,ku me Real Madridin ka shënuar 9 gola në 8 ndeshje në La Liga si dhe 5 gola në dy raundet e para të Champions League.

  • Ancelotti “mbreti” i bankinës – trajneri më i paguar i kombëtareve në botë

    Ancelotti “mbreti” i bankinës – trajneri më i paguar i kombëtareve në botë

    Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori, këtë herë jo vetëm për trofetë, por edhe për pagesën rekord që merr si trajner i një kombëtareje. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, tekniku italian që drejton Brazilin është trajneri më i paguar në botë, me një pagë marramendëse prej 9.5 milionë eurosh në vit.

    Ancelotti, i cili mori drejtimin e “Seleçaos” pas një periudhe të artë me Real Madridin, kryeson listën e dhjetë trajnerëve më të paguar në arenën ndërkombëtare. Pas tij vjen Thomas Tuchel, trajneri i Anglisë, me një pagë prej 5.9 milionë eurosh, ndërsa podiumi plotësohet nga Julian Nagelsmann i Gjermanisë me 4.9 milionë euro.

    Në vendin e katërt ndodhet Fabio Cannavaro, ish-kapiteni kampion bote me Italinë në vitin 2006, i cili tani drejton Uzbekistanin dhe fiton 4 milionë euro në vit – njësoj si Roberto Martinez i Portugalisë.

    Kreun e dhjetësheve më të paguar e plotësojnë Didier Deschamps (Francë – 3.8 milionë euro), Marcelo Bielsa (Uruguai – 3.5 milionë euro), Ronald Koeman (Holandë – 3 milionë euro), Gustavo Alfaro (Paraguai – 2.5 milionë euro) dhe kampioni i botës me Argjentinën, Lionel Scaloni, me 2.3 milionë euro në vit.

    Kjo listë tregon jo vetëm vlerësimin financiar që kombëtaret u japin trajnerëve të mëdhenj, por edhe ndryshimin e madh që ekziston mes futbollit të kombëtareve dhe atij të klubeve.
    Ancelotti, me përvojën dhe sukseset e tij të shumta, shihet si garancia kryesore e Brazilit për të rikthyer lavdinë botërore në Kupën e Botës 2026.

  • Istvan Kovaç caktohet gjyqtar kryesor për ndeshjen Serbi – Shqipëri

    Istvan Kovaç caktohet gjyqtar kryesor për ndeshjen Serbi – Shqipëri

    Arbitri i njohur rumun, Istvan Kovaç, është caktuar nga UEFA si gjyqtari kryesor i ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026.

    Sipas njoftimit zyrtar të UEFA-s, Kovaç do të asistojë nga bashkatdhetarët Mihai Marika dhe Ferenc Tunjogi, ndërsa Horatiu Feșnic do të jetë gjyqtar i katërt.
    Në dhomën e VAR-it do të jenë gjermanët Bastian Dankert dhe Pascal Müller, të cilët do të kujdesen për verifikimin e situatave të diskutueshme.

    Ndeshja e Grupit K do të zhvillohet të shtunën, më 11 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Dubočica” të Leskovcit. Takimi pritet të jetë një nga më të nxehtët e javës në këtë fazë kualifikuese, duke marrë parasysh rivalitetin e fortë sportiv mes dy përfaqësueseve.

    Kovaç, i cili konsiderohet ndër gjyqtarët më të mirë evropianë aktualisht, ka një karrierë mbresëlënëse në arenën ndërkombëtare. Ai arbitroi finalen e fundit të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Interit në Mynih, si dhe finalen e Ligës së Evropës mes Atalantës dhe Bayer Leverkusenit.
    Në vitin 2022, ai gjykoi edhe finalen e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit, të zhvilluar në Tiranë.

    Pas pesë ndeshjeve të luajtura në Grupin K, Anglia kryeson me 15 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 8 pikë, Serbia me 7 (dhe një ndeshje më pak), Letonia me 4 dhe Andorra që mban vendin e fundit pa pikë.

  • Nëse vishesh gjithmonë me të zeza, me siguri ke këto 10 tipare

    Nëse vishesh gjithmonë me të zeza, me siguri ke këto 10 tipare

    Nga të gjitha ngjyrat që ekzistojnë në garderobë, e zeza ka një fuqi që s’e ka asnjë tjetër. Nuk ka nevojë për fjalë, ajo bën “zhurmë” në heshtje. Njerëzit që vishen me të zeza kanë diçka ndryshe në energji, në mënyrën si qëndrojnë, si ecin, si të shohin. Dhe nuk është vetëm për modë – është për qëndrimin që fshihet pas saj.

    Nëse edhe ti e ke vështirë të gjesh ngjyra në dollapin tënd, ka shumë mundësi që i përket këtij grupi njerëzish që ndajnë disa tipare të përbashkëta:

    1. Je praktik/e

    E zeza është shpëtimi i përditshëm. Nuk kërkon shumë mendim – vishe dhe gjithçka përputhet. Thjeshtësi që të kursen kohë dhe stres.

    2. Ke stil

    Një kombinim i zi është gjithmonë fitues. Minimalist, elegant dhe kurrë jashtë mode. E zeza është ngjyra që e bën çdo pamje të duket e menduar – edhe kur s’është.

    3. Je formal/e

    Prej shekujsh, e zeza është simbol i klasit dhe finesës. Kush e zgjedh shpesh, zakonisht ka një lidhje të fortë me elegancën dhe respektin për detajet.

    4. Je inteligjent/e

    Thuhet se njerëzit që vishen me të zeza perceptohen si më të mençur dhe më tërheqës. Është ngjyra e qetësisë, e fokusit dhe e vendimeve të menduara.

    5. Je unik/e

    Megjithëse duket si “uniformë”, e zeza është fushë loje për individualitetin. Një prerje, një material apo një aksesor e bëjnë krejt ndryshe – dhe ti e di si ta përdorësh.

    6. Ke vetëbesim

    E zeza nuk ka nevojë të tërheqë vëmendjen. Ajo është vëmendja. Shpesh lidhet me forcën, pavarësinë dhe qëndrueshmërinë. Një mënyrë për të thënë “e di kush jam”.

    7. Je profesional/e

    Në botën e punës apo në art, e zeza tregon seriozitet. Është ngjyra që përfaqëson fokusin, maturinë dhe një lloj elegance që nuk kërkon miratim.

    8. Je emocional/e

    Ka ditë kur nuk duam ngjyra. Për disa, ajo ditë është çdo ditë. E zeza shpesh përfaqëson introspeksionin, ndjeshmërinë dhe nevojën për të qenë pak me veten.

    9. Ke shije të mirë në muzikë

    Nga bluzat e bandave rock te stili alternativ, e zeza është ngjyra e atyre që e ndiejnë muzikën, jo thjesht e dëgjojnë. Dhe jo, nuk është rastësi.

    10. E do artin

    Artistët dhe krijuesit zgjedhin të zezën për një arsye të thjeshtë: ajo nuk konkurron me idetë, por i lë ato të flasin. Një ngjyrë që shpreh thellësi, qetësi dhe fokus.

  • Caktohet vazhdimi i seancës konstituive

    Caktohet vazhdimi i seancës konstituive

    Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të bëhet të premten (10 tetor) me fillim nga ora 10:00.

    Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

    Kujtojmë se që nga dje ka nisur afati 12-ditor për konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit që lëshoi Gjykata Kushtetuese. Por, gjykata nuk ka treguar edhe se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit.

    Gjykata kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë, në të cilin vlerëson se votimi ndaras për komunitetet pakicë, mund të bëhet edhe ndaras, dhe në rastin konkret nuk kishte shkelje kushtetuese, ani pse praktika parlamentare që nga 2011-ta ishte që komunitete të votoheshin në pako.

    “Duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, njoftoi Kushtetuesja.

    Kësisoj gjykata e merr si të mirëqenë edhe zgjedhjen e Emilja Rexhepit si nënkryetare nga komunitete pakicë joserbe.

    Kushtetuesja hodhi poshtë ankesën e Listës Serbe për përzgjedhjen me short të nënkryetarëve për votim, për çka konstatoi se praktika e ndjekur në këtë rast ishte në përputhje me kushtetutën.

    Megjithëse shumica e deputetëve serb kanë konsumuar të drejtën e propozimit tri herë për votim, gjykata nuk e cilëson pengesë për konstituim të kuvendit.

    Gjithashtu gjykata obligon deputetët që të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë pro, kundër apo abstenim, në afat prej 12 ditësh.

    LAJMI NË PËRDITESIM…

  • Turneu “PINK-PONG” në Prishtinë: Sport për vetëdijesim kundër kancerit të gjirit

    Turneu “PINK-PONG” në Prishtinë: Sport për vetëdijesim kundër kancerit të gjirit

    Klubi i Pingpongut “Priping”, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, do të organizojë turneun tradicional jo konkurrues “PINK-PONG Breast Cancer Awareness Table Tennis Tournament”, me qëllim ngritjen e vetëdijesimit për kancerin e gjirit.

    Kjo nismë vjen në kuadër të Muajit të Vetëdijesimit ndaj Kancerit të Gjirit, që shënohet në mbarë botën gjatë tetorit. Përmes sportit dhe bashkimit qytetar, organizatorët synojnë të theksojnë rëndësinë e kontrollimeve të hershme dhe parandalimit të kësaj sëmundjeje.

    “Muaji tetor është periudha kur i rikujtojmë vetes rëndësinë e kujdesit për shëndetin. Me anë të sportit të pingpongut, duam të përçojmë mesazhin se kanceri i gjirit mund të luftohet që në hapat e parë përmes zbulimit të hershëm,” – thuhet në njoftimin e klubit KPP Priping.

    Turneu do të mbahet sot (9 tetor) në sallën e pingpongut në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 17:00.
    Organizatorët kanë bërë të ditur se do të sigurojnë të gjitha pajisjet e nevojshme për pjesëmarrësit, ndërsa të gjithë qytetarët janë të ftuar të marrin pjesë dhe të mbështesin këtë kauzë humane.

  • Nuk u mbijetoi plagëve të marra dy javë më parë, vdes i lënduari nga aksidenti në Gjakovë

    Nuk u mbijetoi plagëve të marra dy javë më parë, vdes i lënduari nga aksidenti në Gjakovë

    Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku që kishte ndodhur më 24 shtator në rrugën “Martirët e Kombit” në Gjakovë.

    Sipas njoftimit të policisë, vdekja e tij është konstatuar të mërkurën, rreth orës 14:20, si pasojë e drejtpërdrejtë e lëndimeve të marra nga aksidenti tragjik kishte ndodhur dy javë më parë në qytetin e Gjakovës.

    Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për rrethanat e aksidentit janë në vazhdim.

  • Duka para sfidës Serbi–Shqipëri: “Ata kanë emra, ne kemi ekipin dhe karakterin”

    Duka para sfidës Serbi–Shqipëri: “Ata kanë emra, ne kemi ekipin dhe karakterin”

    Në fundjavë, e gjithë vëmendja e rajonit do të jetë e përqendruar në Leskovc, ku të shtunën më 11 tetor do të zhvillohet ndeshja vendimtare e Grupit K për kualifikimet e Kupës së Botës 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë.

    Kuqezinjtë aktualisht renditen në vendin e dytë me 8 pikë, një më shumë se Serbia, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Një fitore në këtë përballje do të ishte një hap madhor për Shqipërinë drejt fazës së “play-off”-it.

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shprehur optimist për këtë sfidë të zjarrtë, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit dhe qetësisë emocionale.

    “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme nga pikëpamja sportive. Nuk mund të injorojmë presionin që sjell atmosfera, por kërkesa jonë ndaj lojtarëve është e qartë: të jenë të përqendruar dhe të tregojnë sportivitet. Ekipi që do të mbetet më i qetë dhe do ta lexojë më mirë ndeshjen, do të dalë fitues,” – tha Duka për kanalin zyrtar të FSHF-së.

    Kreu i FSHF-së shtoi se Serbia nuk është një skuadër e frikshme si grup, ndonëse ka disa individë cilësorë, deklaratë që ka bërë jehonë edhe në mediat e rajonit.

    “Kemi një ekip të fortë dhe të balancuar që di si të përballet me çdo kundërshtar. Serbia ka disa lojtarë me cilësi, por si skuadër nuk janë aq të fortë. Besoj se mund të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë transfertë,” – theksoi ai.

    Në mbyllje, Duka u shpreh se karakteri dhe besimi do të jenë pikat më të forta të kombëtares shqiptare.

    “Shpresoj që presioni të jetë më shumë në anën e Serbisë. Ne do të luajmë me zemër, por edhe me qetësi. Kam besim të madh te djemtë tanë,” – përfundoi ai.

    Sfida Serbi–Shqipëri do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe pritet të jetë një ndër ndeshjet më të tensionuara dhe më të rëndësishme të ciklit kualifikues drejt Kupës së Botës 2026.