ATV

Blog

  • Enver Hoxhaj i nënshtrohet një operacioni urgjent

    Enver Hoxhaj i nënshtrohet një operacioni urgjent

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj është operuar pas një lëndimi në këmbë.

    Në një postim në rrjetet sociale, Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se ditët e fundit kanë qenë një periudhë e vështirë për të dhe familjen e tij, por se tashmë po rikuperohet gradualisht.

    “Pas një lëndimi të rëndë në këmbë, për të cilin u desh të operohesha, ditët e fundit kanë qenë një periudhë jo e lehtë për mua dhe familjen time. Për fat të mirë, gjithçka shkoi mirë dhe po rikuperohem gradualisht”, ka shkruar Hoxhaj.

    Ai ka shprehur mirënjohje për kujdesin dhe mbështetjen që ka marrë nga qytetarët, miqtë dhe kolegët, duke falënderuar gjithashtu mjekët dhe stafin shëndetësor për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.

    “Faleminderit nga zemra secilit prej jush për afërsinë dhe përkujdesjen që keni treguar”, ka përfunduar Hoxhaj.

  • Kosova bëhet qendra e basketbollit evropian: Prishtina pret FIBA Europe U14 Get-Together

    Kosova bëhet qendra e basketbollit evropian: Prishtina pret FIBA Europe U14 Get-Together

    Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe në bashkëpunim me FIBA Europe, do të jetë nikoqire e ngjarjes prestigjioze FIBA Europe U14 Get-Together, që do të mbahet në Prishtinë nga 17 deri më 19 tetor 2025.

    Ky aktivitet vjetor i FIBA Europe ka për qëllim edukimin e trajnerëve të rinj dhe zhvillimin e gjeneratave të ardhshme të basketbollistëve, duke e vendosur Kosovën në hartën e ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare të sportit.

    Në këtë event do të marrin pjesë rreth 80 trajnerë nga i gjithë kontinenti, të cilët do të ndjekin ligjërata dhe trajnime profesionale nga ekspertë të njohur të basketbollit evropian.

    Ndërkohë, më 18 tetor 2025, aktiviteti do të jetë i hapur për trajnerët e rinj nga Kosova, të cilët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga përvoja dhe njohuritë e profesionistëve më të mirë të kontinentit.

  • Hapet aplikimi për mbështetjen e studentëve me nga 100 euro

    Hapet aplikimi për mbështetjen e studentëve me nga 100 euro

    Aplikimi për mbështetjen e studentëve tashmë është i hapur në eKosova, tek shërbimi Familja për shtesën e njëhershme 100 euro.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve (Bachelor, Master, Doktoratë) që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë, publike dhe private.

    “Sigurohuni që i plotësoni të gjitha fushat saktë dhe pa gabime. Nëse ka gabime, aplikimi refuzohet. Afati për aplikim është deri në fund të muajit tetor, kurse pagesat do të kryhet me grupe, sipas radhës së aplikimit”, shkruan Murati.

    Murati edhe për Bursën e Mobilitetit të Studentëve ka dhënë detaje.

    “Të drejtë aplikimi kanë studentët e nivelit Bachelor, shtetas të Kosovës, që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë. Kusht për përfitimin e Bursës së Mobilitetit është që familja e studentit/studentes të ketë të ardhura vjetore bruto jo më shumë se 12,000 euro. Sigurohuni që i plotësoni të gjitha fushat saktë dhe pa gabime. Nëse ka gabime, aplikimi refuzohet”, shkruan ai.

    Dy ditë më parë qeveria në detyrë mori vendim që shuma e përgjithshme për përkrahjen e studentëve është raportuar të jetë 26 milionë euro.

  • Kosova ndalon përkohësisht importin e kafshëve të gjalla nga Mali i Zi

    Kosova ndalon përkohësisht importin e kafshëve të gjalla nga Mali i Zi

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV), ka njoftuar për vendosjen e një mase të përkohshme ndalese për importin e kafshëve të gjalla nga Mali i Zi, pas konfirmimit të rasteve me sëmundjen virale “Gjuha e Kaltër” (Bluetongue – BT).

    Sipas AUV-it, ndalesa përfshin gjedhët, delet dhe dhitë, dhe vlen për të gjithë territorin e Malit të Zi.

    Kjo masë është ndërmarrë si veprim parandalues ndaj përhapjes së sëmundjes në territorin e Kosovës, në përputhje me njoftimet ndërkombëtare nga sistemet ADIS dhe WAHIS.

    “Autoritetet kufitare që veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit – Policia e Kosovës, Doganat dhe AUV – obligohen të zbatojnë masa të shtuara kontrolli në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar hyrjen në vend të kafshëve të gjalla të përmendura nga ky shtet”, thuhet në njoftim.

    Çfarë është sëmundja “Gjuha e Kaltër”?

    “Gjuha e Kaltër” është një sëmundje virale që transmetohet nga insektet e llojit Culicoides (mushkonja), e cila prek ruminantët shtëpiak si gjedhët, delet dhe dhitë.

    Delet janë më të ndjeshme ndaj infeksionit, ndërsa gjedhët shërbejnë si bartës të virusit pa shfaqur gjithmonë simptoma të rënda.

    Sëmundja nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.

  • Zgjedhjet e 12 tetorit, Policia: Do të angazhojmë numër të mjaftueshëm të policëve

    Zgjedhjet e 12 tetorit, Policia: Do të angazhojmë numër të mjaftueshëm të policëve

    Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, është takuar me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët rajonalë për të diskutuar planin policor për siguri gjatë zgjedhjeve të 12 tetorit.

    “Në këtë takim morën pjesë stafi i lartë menaxhues, drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.”

    Hoxha ka thënë se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës. Ai kërkoi që ky plan të zbatohet me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet tjera të përfshira në këtë proces.

    “Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit senzitiv e deri në përfundim të procesit.”

    Policia thotë se do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces.

    “Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.”

  • Mbappé i përgjigjet thashethemeve për Vinicius: “Kur të kem problem me të, do t’ia them vetë!”

    Mbappé i përgjigjet thashethemeve për Vinicius: “Kur të kem problem me të, do t’ia them vetë!”

    Kylian Mbappé ka reaguar ndaj zërave që qarkullojnë në media për një konflikt të mundshëm me bashkëlojtarin e tij te Real Madridi, Vinicius Junior.

    Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët, ylli francez mohoi çdo tension mes tyre, duke theksuar se marrëdhënia me brazilianin është e mirë dhe profesionale.

    “Thashethemet që kam problem me Vinín? Kur të kem një problem serioz, do t’ia them vetë,” — ka thënë Mbappé me ton të prerë.

    Kjo deklaratë vjen pas disa raportimeve se dyshja nuk po kanë marrëdhënie të ngushta jashtë fushe, ndonëse janë dy nga figurat më të rëndësishme të Real Madridit këtë sezon.

    Megjithatë, burime pranë klubit kanë theksuar se atmosfera në skuadër është pozitive dhe se Mbappé e Vinicius po punojnë në harmoni për objektivat e përbashkëta të ekipit.

  • Pesë fraza që nuk duhet t’i themi gjatë një grindjeje me partnerin/en tonë

    Pesë fraza që nuk duhet t’i themi gjatë një grindjeje me partnerin/en tonë

    Debatet janë pjesë e çdo marrëdhënieje, por mënyra se si komunikojmë gjatë atyre momenteve mund të bëjë një ndryshim të madh.

    Ndonjëherë themi gjëra që nuk i nënkuptojmë, por ato mund të lënë një përshtypje të qëndrueshme dhe të krijojnë distancë midis partnerëve.

    Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të dallojmë frazat që mund t’i përkeqësojnë gjërat në një moment zemërimi.

    Sipas ekspertëve të marrëdhënieve, këto janë frazat potencialisht të dëmshme që duhet t’i shmangim – në përgjithësi, por veçanërisht gjatë konfliktit.

    “Ti gjithmonë e bën këtë”

    Përgjithësime të tilla krijojnë një ndjesi sulmi dhe e bëjnë partnerin tuaj të pozicionohet mbrojtës. Kur përdorim fjalë si “gjithmonë” ose “kurrë”, ne fshijmë çdo moment kur personi është përpjekur ose është sjellë ndryshe. Në vend të kësaj, është më mirë të përqendroheni në çështjen specifike dhe të përshkruani se si ndiheni për situatën.

    “Qetësohu”

    Takim me gastronomët e taksistët, Rama: Një ditë në mes punës, dashnisë e përkushtimit
    Zgjedhjet Lokale 2025
    Takim me gastronomët e taksistët, Rama: Një ditë në mes punës, dashnisë e përkushtimit
    Edhe pse mund të tingëllojë si një përpjekje për të qetësuar situatën, kjo frazë shpesh ka efektin e kundërt. Shumë terapistë theksojnë se t’i thuash dikujt të qetësohet mund të duket si shpërfillëse, sikur partneri nuk ka të drejtë për emocionet e veta. Në vend të kësaj, është më e dobishme të pranosh se situata është e tensionuar dhe të sugjerosh një pushim të shkurtër derisa të dyja palët të jenë qetësuar.

    “Nuk më intereson”

    Kjo fjali mund të japë përshtypjen e ftohtësisë dhe distancës emocionale, edhe nëse nuk thuhet me atë qëllim. Partneri mund të ndiejë më pas se personi tjetër nuk interesohet për marrëdhënien ose zgjidhjen e konfliktit. Komunikimi i hapur dhe gatishmëria për të dëgjuar, në vend që të mbyllesh në vetvete, çojnë shumë më efektivisht në mirëkuptim.

    “Po e ekzagjeron”

    Këshilltarë të ndryshëm për marrëdhënie paralajmërojnë se minimizimi i ndjenjave të partnerit tuaj mund ta përkeqësojë më tej konfliktin. Kur i themi dikujt se po reagon tepër, në thelb po i themi se ndjenjat e tij janë të pavlefshme. Në vend të kësaj, është e dobishme të përpiqemi të kuptojmë burimin e emocionit dhe të pyesim se çfarë mund të bëjmë për ta bërë situatën më të lehtë për të dy ne.

    “Bëj çfarë të duash”

    Kjo frazë tingëllon si heqje dorë nga biseda dhe kompromisi, dhe shpesh pas saj fshihet frustrim ose pafuqi. Megjithatë, fjalë të tilla mund të perceptohen nga partneri juaj si indiferencë. Në vend të kësaj, është më mirë të thuhet se na duhet një moment për të menduar dhe të sugjerojmë që biseda të vazhdojë më vonë, kur emocionet të jenë qetësuar.

  • Stomaku kundër trurit: Si të bindni veten për një dietë më të shëndetshme?

    Stomaku kundër trurit: Si të bindni veten për një dietë më të shëndetshme?


    Si të filloni një dietë të shëndetshme sot, pa pritje dhe pa stres

    Shumë prej nesh mendojnë se dita ideale për të filluar një dietë është “nesër” ose “java e ardhshme”. E vërteta është se koha më e mirë për të filluar është sot dhe tani. Nuk ka moment të gabuar – duhet vetëm pak planifikim dhe motivim.

    Megjithatë, vendimet që lidhen me ushqimin shpesh duken më të vështira se negociatat mes policisë dhe grabitësve të bankave. Për të ndihmuar veten, mjafton të kaloni nga “stomaku” te “truri” dhe të përdorni disa strategji të thjeshta.

    1. Pastroni ambientin nga tundimet

    Hapi i parë është të hiqni të gjitha ushqimet që mund të ju tërheqin drejt tundimit. Zbrazni sirtarët me çokollata të harruara, heqni ëmbëlsirat nga çantat dhe largoni çdo pako biskotash që nuk i përshtatet dietës suaj. Kur nuk keni pranë këto tundime, është më e lehtë të qëndroni të fokusuar.

    2. Planifikoni paraprakisht

    Zgjidhni një ditë të javës si “dita e planifikimit të menysë”. Bëni blerjet kur nuk jeni të uritur dhe vetëm sipas listës së përgatitur. Sa më pak të blini impulsivisht, aq më pak mundësi keni të tundoheni nga ushqime jo të shëndetshme.

    3. Riprogramoni zakonet e ngrënies

    Sheqeri ka efekt të ngjashëm me një varësi – trupi kërkon gjithmonë më shumë. Është e lehtë të krijoni zakone të këqija si torta pasdite apo ëmbëlsira pas darkës. Për këtë arsye, është e rëndësishme të eliminohet gradualisht sheqeri dhe të riprogramohet trupi për zgjedhje më të shëndetshme. Disa mund ta bëjnë menjëherë, të tjerët gradualisht – por rezultati duhet të jetë i njëjtë: largimi i sheqerit.

    4. Krijoni zakone të reja

    Disa javë këmbëngulje janë të mjaftueshme për të krijuar një rutinë të shëndetshme. Hani mëngjes, drekë dhe darkë në të njëjtën kohë çdo ditë, dhe planifikoni ushqime të shëndetshme për momentet kur ndjeni uri të fortë. Kjo eliminon “daljet spontane” dhe ju ndihmon të qëndroni në rrugën e duhur.

    5. Mbani ekuilibrin

    Ndërsa eliminoni ushqimet jo të shëndetshme, mos harroni të shtoni ato që ofrojnë vlera ushqyese të nevojshme. Një dietë e larmishme, që përfshin të gjitha grupet e ushqimit, siguron energji, vitamina dhe minerale për funksionimin normal të trupit. Ushqehuni në sasi të arsyeshme dhe shmangni kalorite e zbrazëta, duke e bërë dietën të kënaqshme dhe të qëndrueshme.

  • Si po sjell ultrazëri një epokë të re të trajtimit të kancerit pa ndërhyrje kirurgjikale?

    Si po sjell ultrazëri një epokë të re të trajtimit të kancerit pa ndërhyrje kirurgjikale?

    Për dekada, ultrazëri është përdorur për të parë brenda trupit, por tani valët e zërit me frekuencë të lartë po shfaqin potencialin për të luftuar kancerin.

    Zhen Xu, studente doktorature në Universitetin e Michigan-it, në fillim të viteve 2000 kërkonte një mënyrë për të shkatërruar indet e sëmura pa kirurgji invazive. Duke eksperimentuar me ultrazërin mbi zemrat e derrave, ajo pa se rritja e numrit të pulsimeve të ultrazërit jo vetëm e bënte tingullin më të durueshëm për kolegët, por gjithashtu shkatërronte indin më efektivisht, duke krijuar vrima në indin e zemrës brenda një minute.

    Ky zbulim rastësor çoi në zhvillimin e histotripsisë, një teknikë që përdor ultrazërin për të shkatërruar tumorët pa nxehtësi dhe pa operacione invazive. Procedura krijon mikroflluska që shkatërrojnë indin e tumorit brenda mikrosekondash, ndërsa sistemi imunitar pastron mbetjet.

    Në tetor 2023, FDA miratoi histotripsinë për trajtimin e tumoreve të mëlçisë. Një studim i vitit pasues tregoi sukses teknik në 95% të rasteve, ndërsa komplikimet janë të rralla dhe zakonisht përfshijnë dhimbje abdominale ose gjakderdhje të lehtë brenda trupit. Trajtimi është i shpejtë, pa dhimbje dhe shpesh pacientët mund të kthehen në shtëpi të njëjtën ditë. Seanca zgjat zakonisht 1–3 orë, dhe tumorët e vegjël kërkojnë vetëm një trajtim.

    Ndryshe nga teknika e mëparshme HIFU, që përdor nxehtësi për të shkatërruar indet, histotripsi minimizon rrezikun për indet përreth dhe ofron rezultate të ngjashme pa efekte termike.

    Përveç trajtimit të tumorëve, ultrazëri ka potencial për të përmirësuar shpërndarjen e barnave. Kur mikroflluskat injektohen në gjak dhe aktivizohen me ultrazër, ato mund të hapin përkohësisht barrierën gjak-tru, duke lejuar ilaçet të arrijnë tumoret e trurit. Gjithashtu, kjo teknologji mund të forcojë efektin e imunoterapisë, pasi tumoret e dëmtuar bëhen më të dukshme për sistemin imunitar.

    Megjithatë, teknologjia ka kufizime: ultrazëri nuk depërton përmes kockave apo organeve që përmbajnë gaz, si mushkëritë, dhe ende nuk ka të dhëna afatgjata për rikthimin e kancerit pas trajtimit.

    Histotripsi po shfaqet si një nga inovacionet më premtuese në luftën kundër kancerit, duke hapur rrugën për trajtime më të sigurta, më të shpejta dhe pa kirurgji invazive.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e një personi, dyshohet për lëndim të rëndë trupor

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e një personi, dyshohet për lëndim të rëndë trupor

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personave, që dyshohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

    Në faqen zyrtare të policisë në Facebook, është publikuar fotografia e tij, ku kërkohet informacion për të mundësuar kapjen e tij.

    I dyshuari është Behar Çelaj.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin vendodhjes së tij kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose [email protected].”, thuhet në kërkesën e PK-së.