ATV

Blog

  • Izraeli e aprovon planin e Trumpit për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve

    Izraeli e aprovon planin e Trumpit për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve

    Qeveria e Izraelit e ka ratifikuar mëngjesin e së premtes një marrëveshje për armëpushim me grupin militant palestinez Hamas, duke hapur rrugën për ndalimin e luftimeve në Gazë brenda 24 orëve dhe lirimin e pengjeve izraelite nga enklava palestineze brenda 72 orëve.

    Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

    Kabineti izraelit e miratoi marrëveshjen rreth 24 orë pasi ndërmjetësit njoftuan arritjen e saj. Marrëveshja parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe fillimin e tërheqjes graduale të trupave izraelite nga Gaza, sipas nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gazë.

    “Qeveria sapo ka miratuar kuadrin për lirimin e të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në ‘X’, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Lufta në Gazë e ka thelluar izolimin ndërkombëtar të Izraelit dhe ka tronditur Lindjen e Mesme, duke u shndërruar në konflikt rajonal që ka përfshirë Iranin, Jemenin dhe Libanin. Ajo gjithashtu ka vënë në provë marrëdhëniet SHBA-Izrael, pasi Trumpi duket se ka humbur durimin me Netanyahun dhe e ka shtyrë atë të arrijë marrëveshje.

    Izraelitët dhe palestinezët shprehën ngazëllim të madh pas njoftimit të marrëveshjes, e cila është hapi më i madh deri tani drejt përfundimit të një lufte dyvjeçare që ka lënë mbi 67.000 palestinezë të vrarë, si dhe për kthimin e pengjeve të fundit që Hamasi i rrëmbeu gjatë sulmeve vdekjeprurëse në Izrael që ndezën luftën.

    Shefi i Hamasit për Gazën, i cili jeton në mërgim, Khalil Al-Hayya, tha se ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetës të tjerë se lufta ka përfunduar.

    Një zëdhënës i Qeverisë izraelite deklaroi se armëpushimi do të hyjë në fuqi brenda 24 orëve nga miratimi i marrëveshjes. Pas këtij afati 24-orësh, pengjet e mbajtura në Gazë do të lirohen brenda 72 orëve.

    Besohen 20 pengje izraelite janë ende gjallë në Gazë, ndërsa 26 të tjera mendohet se kanë vdekur, dhe fati i dy të tjerëve mbetet i panjohur.

    Hamasi ka thënë se tërheqja e trupave të të vdekurve mund të zgjasë më shumë se lirimi i të gjallëve./REL

  • Gjendet i moshuari që kishte humbur në Lloshkobare të Ferizajt

    Gjendet i moshuari që kishte humbur në Lloshkobare të Ferizajt

    Operacioni i kërkim-shpëtimit në fshatin Lloshkobare të Ferizajt ka përfunduar me sukses.

    Personi i moshuar, i cili ishte raportuar si i humbur dhe vuante nga demenca, është gjetur dhe është jashtë rrezikut për jetë.

    Sipas familjes, ai ishte larguar nga shtëpia gjatë pasdites së djeshme dhe nuk ishte kthyer.

     

     

  • Horoskopi ditor – Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Horoskopi ditor – Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Dashi
    Do të ndjeni nevojën për të zgjidhur me urgjencë disa çështje që janë zvarritur prej kohësh. Do të jeni mjaft ndërmarrës në zhvillimin e projekteve që ju motivojnë dhe që ju prekin personalisht. Ky është momenti i duhur për të ndërtuar objektivat e së ardhmes dhe për të kuptuar se në cilën drejtim dëshironi të shkoni.

    Demi
    Jeni në kërkim të një qetësie të brendshme që në këtë periudhë duket vërtet e vështirë për t’u arritur. Ka disa çështje financiare që duhet të zgjidhen shpejt, sepse prej shumë kohësh shpenzimet tuaja tejkalojnë të ardhurat. Mundohuni të organizoni diçka relaksuese në mbrëmje për të rigjetur pak qetësi.

    Binjakët
    Një ndjenjë lehtësie do t’ju ndihmojë të jeni krijues dhe të ndiheni të motivuar në punë. Disa persona mund të nënvlerësojnë idetë apo qëllimet tuaja, por ju do të duhet të tregoni se jeni serioz dhe besoni vërtet në atë që thoni.

    Gaforrja
    Po kaloni një periudhë të mbushur me emocione të forta që ju bëjnë më empatikë ndaj të tjerëve. Do të jeni të gatshëm të dëgjoni problemet e njerëzve përreth dhe t’i ndihmoni ata që vuajnë. Një mbrëmje e këndshme me miqtë do t’ju ndihmojë të rifitoni qartësi mendore.

    Luani
    Shpesh përqendroheni shumë tek vetja dhe kjo ju bën të lini në plan të dytë problemet dhe interesat e të tjerëve. Ky qëndrim mund të shkaktojë keqkuptime ose edhe armiqësi. Mundohuni të dilni nga egoja juaj dhe të dëgjoni më shumë nevojat e të tjerëve.

    Virgjëresha
    Po hapen mundësi të reja në punë që duhet t’i kapni menjëherë. Disa surpriza në dashuri mund të forcojnë marrëdhënien, me kusht që të jeni ende të gatshëm t’i jepni partnerit tuaj një shans të dytë.

    Peshorja
    Keni një dëshirë të madhe për të rikthyer harmoninë si në vendin e punës ashtu edhe në familje, ku kohët e fundit ka pasur keqkuptime. Një bisedë e hapur dhe e sinqertë me një person të rëndësishëm mund t’ju sjellë përfitime profesionale.

    Akrepi
    Në çiftet që funksionojnë mirë, do të jetë më e lehtë të jetoni momente pasionante që forcojnë lidhjen. Jeni të vendosur të çoni përpara projektet në të cilat besoni dhe nuk do të lejoni askënd t’ju ndalojë apo t’ju bëjë të dyshoni.

    Shigjetari
    Po hapet një fazë e re për ju, në të cilën mund të nisni një projekt të ri ose të vendosni të ndryshoni qytet për të jetuar apo punuar. Kujdes me fjalët ndaj partnerit, veçanërisht nëse lindin keqkuptime.

    Bricjapi
    Yjet ju këshillojnë të pushoni pak, sepse java ka qenë e lodhshme dhe stresuese për shkak të tensioneve me kolegët apo eprorët. Do të keni sukses në çështjet financiare, për sa kohë që besoni vërtet në atë që po bëni.

    Ujori
    Origjinaliteti dhe “çmenduria” juaj shpesh janë një pikë e fortë. Një ide gjeniale mund të vlerësohet shumë nga të tjerët dhe t’ju ndihmojë të krijoni lidhje të reja me njerëz interesantë dhe frymëzues. Në dashuri, përpiquni të jeni më pak të padurueshëm me partnerin.

    Peshqit
    Sipas parashikimeve të Brankos, jeni më romantikë dhe më të ndjeshëm se kurrë, falë ndikimit të yjeve që ju përfshijnë emocionalisht. Do të jetë më e lehtë të krijoni lidhje të hapura dhe të sinqerta, të bazuara vetëm në ndjenjë të vërtetë. Një moment reflektimi do t’ju ndihmojë të gjeni sërish ekuilibrin e brendshëm.

  • Dy muaj pas lindjes, Dafina Zeqiri tregon trupin e saj në formë perfekte

    Dy muaj pas lindjes, Dafina Zeqiri tregon trupin e saj në formë perfekte

    Këngëtarja e njohur shqiptare Dafina Zeqiri po shijon një nga periudhat më të bukura të jetës së saj – atë të të qenit nënë.

    Vetëm pak muaj më parë, ajo dhe partneri i saj, Kreshnik Gjergji, mirëpritën në jetë djalin e tyre të parë, të cilit i kanë vendosur emrin Daskan.

    Pas një periudhe të shkurtër pushimi nga jeta publike, Dafina është rikthyer sërish aktive në rrjete sociale.

    Në një video të publikuar në TikTok, këngëtarja ka treguar pamjen e saj aktuale, vetëm dy muaj pas lindjes, duke i mahnitur ndjekësit me linjat e saj trupore dhe energjinë pozitive.

    E veshur me stilin e saj karakteristik dhe plot vetëbesim, Dafina duket në top formë, sikur të mos kishte kaluar aspak një shtatzëni.

    Komentet e ndjekësve kanë qenë të shumta dhe plot admirim, me komplimente për përkushtimin dhe shkëlqimin e saj.

    Artistja, e njohur për stilin e veçantë, origjinalitetin dhe mënyrën si promovon forcën femërore, po e ndan me fansat e saj gëzimin dhe ndryshimet që ka sjellë mëmësia, duke dëshmuar se balanca mes karrierës dhe jetës familjare është e mundur kur ka dashuri dhe përkushtim. /Telegrafi/

     

  • Rrobat që nuk duhet t’i vishni gjatë udhëtimit me aeroplan

    Rrobat që nuk duhet t’i vishni gjatë udhëtimit me aeroplan

    Për shumë njerëz, aeroporti dhe avioni janë pothuajse si shtëpia e tyre e dytë. Këta njerëz dinë shumë sekrete që mund të ndihmojnë në përmirësimin e rehatisë dhe sigurisë gjatë fluturimit.

    Siç rezulton, ndonjëherë, edhe detajet në dukje të parëndësishme kanë rëndësi, si rrobat dhe këpucët.

    Më poshtë do të lexoni rekomandimet e mjekëve, të cilët janë të gatshëm të ndajnë sekretet e tyre për kodin e duhur të veshjes gjatë fluturimit:

    Rrobat e ngushta

    Një fluturim është një lloj stresi në trup. Enët tona të gjakut janë nën pjesën më të madhe të këtij stresi. Arsyeja është: ndryshimi i presionit dhe detyrimi që kanë për të kaluar një kohë të gjatë në një karrige të vogël. Karrigia i përkeqëson gjërat nëse keni veshje të ngushta. Si rezultat, nëse visheni me rroba të ngushta, qarkullimi i gjakut bëhet më pak efektiv, shkruan EO. Në këtë situatë, mjekët rekomandojnë që pasagjerët të zgjedhin rroba të lirshme.

    Një rekomandim tjetër është të hiqni dorë nga çdo gjë me bel të ngushtë. Përsëri, arsyeja është presioni. Ajo çfarë duhet të bëni është të dërgoni xhinset e ngushta në valixhen tuaj.

    Kominoshe (Jumpsuit)

    Jumpsuit-i mund të jetë një zgjedhje e mirë për aeroportin, në pamje të parë, por prisni derisa të shkoni në tualet për herë të parë.

    Pantallonat me bel të ulët

    Mijëra njerëz udhëtojnë nëpër aeroporte çdo ditë. Qindra pasagjerë janë ulur në të njëjtat vende para jush. Vetëm në rripin e sigurimit, ka të paktën 90 lloje të ndryshme të baktereve në një centimetër katror. Ekziston edhe një shans për t’u infektuar me një sëmundje të lëkurës ose një virus të zorrëve në aeroplan. Për shkak se ka kaq shumë mikrobe në këtë vend publik, rekomandimi më i rëndësishëm është që të mbuloni sa më shumë lëkurën tuaj.

    Këpucë me taka

    Edhe nëse keni lindur për të ecur në pasarela dhe mbani gjithmonë taka të larta, duhet të hiqni dorë prej tyre gjatë fluturimit. Kjo nuk ka të bëjë me rehatinë, ka të bëjë me sigurinë. Në rast të evakuimit, nuk do të keni mundësi të ecni me shpejtësi në taka të larta ose t’i hiqni ato nëse ka një urgjencë.

  • Trump propozon përjashtimin e Spanjës nga NATO-ja

    Trump propozon përjashtimin e Spanjës nga NATO-ja

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar që NATO ta shqyrtojë përjashtimin e Spanjës nga anëtarësia për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me vonesat në shpenzimet ushtarake.

    Anëtarët e NATO-s të mbështetur nga ShBA kanë rënë dakord në qershor që të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre ushtarake në 5% të produktit të brendshëm bruto, duke përmbushur në njga prioritetet kryesore të Trumpit, i cili kërkon që evropianët të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre.

    Por kryeministri spanjoll Pedro Sanchez pati thënë në atë kohë se nuk do të angazhohej për objektivin 5%, duke e quajtur atë “të papërputhshëm me shtetin tonë të mirëqenies dhe me vizionin tonë për botën”.

    Gjatë një takimi në Zyrën Ovale me presidentin finlandez Alexander Stubb, udhëheqësin e dytë më të ri të NATO-s, Trump tha se udhëheqësit evropianë duhet ta bindin Spanjën të rrisë angazhimet e saj ndaj aleancës.

    “Ju duhet të filloni të flisni me Spanjën. Duhet t’i telefononi dhe të kuptoni pse po mbeten prapa”.

    “Nuk kanë asnjë justifikim që të mos e bëjnë këtë, por në rregull, ndoshta duhet t’i përjashtoni nga NATO, sinqerisht”, tha Trumpi, shkruan Reuters.

    Spanja i ishte bashkuar Traktatit të Atlantikut të Veriut në vitin 1982, teksa NATO ka qenë në qendër të vëmendjes që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

  • Rasti i Liridona Ademajt – mbahet seanca e radhës gjyqësore për vrasjen e saj

    Rasti i Liridona Ademajt – mbahet seanca e radhës gjyqësore për vrasjen e saj

    Sot do mbahet seancë gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Në sencën e kaluar eksperti mjeko-ligjor, Naim Uka, gjatë seancës gjyqësore ndaj vrasjes së Liridona Ademajt, ka thënë se nga hulumtimet e kryera largohet mundësia e vetvrasjes së saj dhe se distanca e qitjes me armë ka qenë 2 deri në 5 centimetra.

    Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë tre të akuzuarit për vrasjen e të ndjerës, Liridona Ademajt. Dy të akuzuarit e parë kishin pretenduar se kanë çrregullime mendore, por që Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka konstatuar se asnjëri nga ta nuk kanë pasur problematika të tilla shëndetësore gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt. Ndërkaq Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, njësoj Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

  • Kuvendi vazhdon seancën konstituive, pritet zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb

    Kuvendi vazhdon seancën konstituive, pritet zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb

    Kuvendi i Kosovës sot do të vazhdojë seancën konstituive. Në rend të ditës është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

    Ndryshe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpalli aktgjykimin e plotë me të cilin ka konstatuar se Seanca Konstituive e Kuvendit të Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

    Në vendimin e publikuar, Gjykata thekson se Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me nenin 66 dhe nenin 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilat përcaktojnë zgjedhjen dhe mandatin e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit.

    Gjykata ka urdhëruar që Seanca Konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, në përputhje me afatin kushtetues dhe me aktgjykimet e mëhershme në rastet KO193/25 dhe KO196/25.

    Po ashtu, Gjykata ka kërkuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit që gjatë procesit të zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës” dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

  • Kronika zgjedhore: Dita 27 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 27 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e njëzetë e shtatë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • Kamerat vëzhguese janë shpërndarë në qendrat e votimit

    Kamerat vëzhguese janë shpërndarë në qendrat e votimit

    Kamerat vëzhguese dhe materialet tjera tashmë janë shpërndarë nëpër qendrat e votimit dhe ato të numërimit, nëpër komuna.

    Përveç kësaj, në mbledhjen e së enjtes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u prezantua edhe raporti për fazën përfundimtare të përgatitjeve për të dielën.

    “Eshtë përmbyllur procesi i trajnimit të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit për ditën e zgjedhjeve, ndërkaq gjatë ditës së sotme në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë është mbajtur trajnimi me administratorët e teknologjisë informative për përdorimin e teknologjisë informative në dorëzim-pranimin e materialeve zgjedhore dhe numërimin e fletëvotimeve,” tha Buzhala.

    KQZ mori vendim për de-akreditimin e dy organizatave vëzhguesve Rinia për Zhvillim dhe Bashkëpunim si dhe Iniciativa për Progres.

    “Konstatojmë që në bazë të qëllimit që kanë këto organizata joqeveritare dhe fushëveprimi këto dy organizata nuk merren me të drejtat e njeriut dhe me fushën që kanë të bëjnë me proceset zgjedhore,” shtoi Buzhala.

    KQZ miratoi edhe planin operacional për 12 tetor, ku planifikohet organizimi dhe bashkëpunimi me institucionet e ndryshme.

    Edhe strukturat e ndryshme policore kanë pasur takim të enjten, lidhur me planin policor për zgjedhjet e së dielës.