ATV

Blog

  • Dëshmitari kthehet nga të akuzuarit: “Personin që e solli Granitin me marrë veturën me qira, nuk po e shoh në sallë”

    Dëshmitari kthehet nga të akuzuarit: “Personin që e solli Granitin me marrë veturën me qira, nuk po e shoh në sallë”

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke vazhduar gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Në këtë seancë, Dëshmitari Aurel Pajaziti, pohoi se Granit Plava mori veturë me qira ditën kritike, i shoqëruar nga një person tjetër.

    Sipas tij, ky shoqërues nuk gjendet në mesin e të akuzuarve në sallën e gjyqit.

    I pyetur nga avokati i familjes Ademaj, dëshmitari u kthye nga të pandehurit dhe deklaroi se personi që solli Plavën me një Range Rover nuk ishte prezent, mirëpo i akuzuari Granit Plava tha se kishte kamera që e konfirmojnë.

    Ndërkohë, sipas aktakuzës, Naim Murseli akuzohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, ndërsa Granit Plava për ekzekutim dhe Kushtrim Kokalla për bashkëpunim.

  • “Duhet ta majt familjen” – çfarë i tha Granit Plava personit nga i cili mori veturën me qira?

    “Duhet ta majt familjen” – çfarë i tha Granit Plava personit nga i cili mori veturën me qira?

    Është duke u mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

    Dëshmitari i betuar para Prokurorisë, Aurel Pajaziti, është intervistuar në polici për rastin e makinës që ia ka lëshuar me qira. Vetura e tipit Seat-i iu ka dhënë Granitit.

    E kishte marrë më 27 nëntor 2023 për dy ditë, deri më 29 nëntor. Rreth orës 14:00 e kishte kthyer, ndërsa pas një ore e ka marrë përsëri.

    “Makina ishte në fshatin e shtëpisë sime. Graniti ka ardhur me dikë që nuk e njoh. Tipi i makinës që ka ardhur për ta marrë ishte Range Rover. Kur e ka marrë makinën me qira, Graniti e ka vozitur”.

    Tutje dëshmitari ka deklaruar se në ditën kritike tu hypë në kerr me shku kishte thënë: Duhet me e majtë familjen.

    Kujtojmë se, Liridona Ademaj u vra të mërkurën e 29 nëntorit në Sinidoll të Prishtinës, me porosi të bashkëshortit të saj Naim Murseli. 30 mijë euro ishte shuma që Naim Murseli kishte premtuar për vrasjen e saj.

    Granit Plava, i cili është arrestuar si ekzekutuesi i krimit ka deklaruar se ka marrë nga porositësi 15 mijë euro, ndërsa i është premtuar se do të merr edhe 15 mijë euro të tjera.

  • “Nëse më vjen radha”, Rashiq thotë se do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit

    “Nëse më vjen radha”, Rashiq thotë se do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit

    Deputeti Nenad Rashiq nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë njoftoi se do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, nëse i mundësohet.

    “Nëse vjen radha ime, siç kam thënë gjithmonë jam politikan i përgjegjshëm, dhe nëse votojnë për mua, unë natyrisht që do ta marrë përgjegjësinë. Nuk e di si do të shkojë procesi, nëse Lista Serbe i shpenzon krejt kandidatët dhe pastaj vjen radha ime, unë do të kandidoj”, tha Rashiq para seancës.

    Kushtetuesja tha se partisë më të madhe serbe, në këtë rast Listës Serbe, i takon të parës të propozojë kandidat për nënkryetarin serb.

    Por, nëse Lista Serbe dështon ta zgjedhë nënkryetarin, atëherë gjykata la të hapur mundësinë për votim me short dhe kjo do t’i jepte mundësi Rashiqit të kandidojë.

  • Bahtiri: Unë e presë dorën dhe nuk e votoj Listën Serbe

    Bahtiri: Unë e presë dorën dhe nuk e votoj Listën Serbe

    Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, ka thënë se Nenad rashiq do të jetë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, e ku ka shtuar se e pret dorën dhe nuk e voton Listën Serbe.

    “Rashiqi do të zgjidhet. Unë kam deklaruar dhe po deklaroj përsëri se e presë dorën dhe nuk e votoj Listën Serbe, kështu e kam mendimin dhe kolegët e mi të Vetëvendosjes. Kjo është bazuar në problemet të cilat i kanë bërë në veri dhe janë të kyçur direkt në atë pjesë. Disa deputetë të partive të tjera nuk na ndihmuan ta zgjedhim Rashiqin. Sigurisht që tash është e qartë për arsye se edhe qëndrimet kanë ndryshuar për momentin”, tha ai.

  • Dëshmitari: Granit Plava shkoi në klub nate pak orë pasi u vra Liridona Ademaj

    Dëshmitari: Granit Plava shkoi në klub nate pak orë pasi u vra Liridona Ademaj

    Në seancën e sotme gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt, po dëshmon Florian Avdija, dëshmitar i propozuar nga Prokuroria.

    Avdija është bashkëfshatar i tre të akuzuarve. Ai ka folur për njohjet me të akuzuarit dhe kontaktet e tyre në kuadër të biznesit të tij familjar.

    “Në dëshminë time ju kam treguar për biznesin familjar që kemi, dhe që Naimin e kam bashkëfshatar.

    Naimin më pak, sepse ka jetuar jashtë. Ndërsa Granitin dhe Kushtrimin po, sepse i kam pasur klientë aty. Edhe jam pyetur a keni parë ndonjë shumë të madhe parash që kanë ardhur në lokal.

    Edhe ju kam thënë që jo, s’kam parë ndonjë shumë të madhe, e kam pyetur edhe prindin, ka thënë jo. Jam pyetur a kam parë Granitin natën kritike, kam thënë që e kam parë në një klub. Granitin në orën 12 të natës.”

    Ai shtoi se ka dorëzuar një video tek autoritetet, të cilën ia kishte dërguar bashkëshortja e tij, Leonora, natën kur ndodhi vrasja.

    “Leonora (bashkëshortja) natën kritike ma ka dërguar një video-incizim që e ka marrë edhe policia.

    U kon Graniti edhe një çikë tjetër.” Avdija deklaroi se Naim Murseli kishte qenë disa herë në lokalin e tij, ndërsa Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla ishin klientë të rregullt.

    “Naim Murseli nja 8-10 herë ka qenë në lokalin tim. Kurse Graniti dhe Kushtrimi kanë qenë klientë të rregullt.”

  • Vdes një grua në Dragash, dyshohet se shkaku është shpërthimi i bombolës së gazit

    Vdes një grua në Dragash, dyshohet se shkaku është shpërthimi i bombolës së gazit

    Një grua në Dragash dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në shtëpinë e saj.

    Sipas Policisë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku, derisa trupi i saj është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

    “Raportohet se viktima femër kosovare ka mbetur pa shenja jete, dyshohet si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në dhomën e shtëpisë ku kishte qenë duke qëndruar. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Lidhur me rastin është informuar prokurori me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e PK-së.

  • Si të thahen rrobat më shpejt në dimër – pa tharëse

    Si të thahen rrobat më shpejt në dimër – pa tharëse

    Me ardhjen e dimrit, tharja e rrobave në ambiente të mbyllura bëhet gjithnjë e më sfiduese. Rrobat kanë nevojë për më shumë kohë për t’u tharë, sidomos kur moti është i lagësht dhe temperaturat janë të ulëta.

    Megjithatë, ekspertja e organizimit të shtëpisë, Nicola Lewis, ka ndarë një këshillë të thjeshtë por efektive, që mund të shkurtojë ndjeshëm kohën e tharjes – pa pasur nevojë për tharëse elektrike.

    Sipas saj, pas përfundimit të ciklit të larjes në lavatriçe, duhet të vendosni rrobat në një cikël shtesë rrotullimi, pa shtuar ujë. Kjo ndihmon në nxjerrjen e lagështisë së mbetur në veshje, duke i bërë ato shumë më pak të lagura.

    “Vendosini rrobat dy herë në ciklin e rrotullimit! Do të dalin më pak të lagura dhe do të thahen shumë më shpejt”, thotë Nicola Lewis.

    Ky funksion, që ndodhet në shumicën e lavatriçeve moderne, shpesh injorohet, por mund të jetë zgjidhja ideale për ata që nuk kanë hapësira të jashtme ose tharëse elektrike në dimër.

  • Kosovë – Slloveni, “Fadil Vokrri” hap dyert sonte për Dardanët

    Kosovë – Slloveni, “Fadil Vokrri” hap dyert sonte për Dardanët

    Kombëtarja e Kosovës do të luajë sonte një ndeshje tepër të rëndësishme kundër Sllovenisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026. Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.

    Pas dy ndeshjeve të para në Grupin B, Kosova renditet në vendin e dytë me 3 pikë, pas Zvicrës që kryeson me 6 pikë të plota. “Dardanët” kanë një fitore dhe një humbje (2:4 golavarazh), ndërsa Sllovenia ndodhet në vendin e katërt me vetëm një pikë të fituar pas dy takimeve të para.

    Skuadra e trajnerit Franco Foda kërkon fitoren e dytë në grup për të qëndruar në garë për vendet e para që sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin 2026. Atmosfera në ekip është pozitive, ndërsa stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i mbushur me tifozë për të përkrahur Kosovën drejt një rezultati të madh.

    Në grupin B bëjnë pjesë gjithashtu Zvicra dhe Suedia, të cilat po ashtu garojnë për kualifikim në fazën finale të turneut më të madh të futbollit botëror.

  • 10 tetori – Dita Botërore e Shëndetit Mendor

    10 tetori – Dita Botërore e Shëndetit Mendor

    10 tetori është shpallur nga OKB si Dita Botërore e Shëndetit Mendor.

    Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pa stabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte.

    Kjo datë shënohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me rrezik, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta.

    Shëndeti Mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz.

  • Tërmet i fuqishëm në Filipine – rreziku për cunami largohet

    Tërmet i fuqishëm në Filipine – rreziku për cunami largohet

    Rreziku nga cunami është larguar për Filipinet dhe Indonezinë, pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 goditi rajonin jugor të Filipineve në orët e para të mëngjesit të së premtes.

    Sipas Qendrës Kombëtare të Paralajmërimit për Tsunami të ShBA-së, tërmeti u regjistrua në orën 09:43 me orën lokale në ujërat pranë rajonit Mindanao, në një thellësi prej 23 kilometrash. Lajmi u raportua fillimisht nga Aljazeera.

    Pas lëkundjeve, autoritetet filipinase dhe ato indoneziane lëshuan menjëherë paralajmërime për cunami, duke bërë thirrje për evakuim të banorëve të zonave bregdetare. Instituti Filipinas për Vullkanologji dhe Sizmologji njoftoi për mundësi të valëve mbi një metër dhe kërkoi evakuim urgjent në zonat jugore dhe qendrore të vendit.

    Në Indonezi, paralajmërime u lëshuan për rajonet veriore të Sulawesi dhe Papua, megjithatë valët nuk i kaluan 50 cm.

    Rreth dy orë pas tërmetit, Qendra për Paralajmërime për Tsunami në Paqësor, me seli në Honolulu (Hawaii), bëri të ditur se rreziku për cunami ishte larguar dhe se priteshin vetëm luhatje të lehta të nivelit të detit.

    Deri tani nuk ka raportime për viktima, por në rrjetet sociale janë publikuar pamje që tregojnë dëme të konsiderueshme në ndërtesa dhe infrastrukturë, sidomos në qytetin Davao. Nxënës dhe banorë janë evakuuar nga shkollat dhe ndërtesat publike menjëherë pas tërmetit.

    Presidenti Ferdinand “Bongbong” Marcos Jr. ka deklaruar se qeveria po ndjek nga afër situatën në terren dhe ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore të reagojnë me masa të menjëhershme.