ATV

Blog

  • Kanosi gjyqtarin në shenjë pakënaqësie pas shpalljes së një vendimi, shoqërohet në Polici e dyshuara

    Kanosi gjyqtarin në shenjë pakënaqësie pas shpalljes së një vendimi, shoqërohet në Polici e dyshuara

    Një grua është shoqëruar në stacion policor pasi e njëjta dyshohet se ka kanosur gjyqtarin në shenjë pakënaqësie me një vendim.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe u iniciua si “Kanosje”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Gjykata Themelore Prishtinë 20.10.2025 – 13:35. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi e kënaqur me vendimin e gjykatësit lidhur me një rast, gjatë largimit nga seanca e kishte kanosur gjyqtarin. Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” të hënën ka raportuar se pas shpalljes së vendimit për Arlind Ahmetin dhe Agron Vllasaliun, të cilët u dënuan me nga 16 vjet burgim, për rastin e vrasjes së N.S., nëna e të ndjerit duke u larguar nga gjykatorja iu drejtua gjyqtarit me fjalët “Marre të koftë çka jeni tu folë, marre të koftë, i mjeri ai në Tiranë çka i ka bo qatij, edhe ti qashtu je tu e lyp si ai në Tiranë…marre ju koftë krejtve- flaka i daltë këtij gjyqi”. /BetimipërDrejtësi

  • Sonte – nëntë ndeshje në program të Ligës së kampionëve

    Sonte – nëntë ndeshje në program të Ligës së kampionëve

    Pas 20 ditëve, rikthehet sonte xhiroja e tretë në Ligën e Kampionëve, ku ballafaqon 18 skuadra, në nëntë ndeshje, ku më interesantja prej tyre do të luhet në Londër mes Arsenalit dhe Atletico Madridit.

    Do të jetë një duel midis skuadrave që kanë luajtur shkëlqyeshëm kohët e fundit. Londinezët kanë fituar pesë ndeshje radhazi në të gjitha garat, ndërsa Atletico ka fituar katër nga pesë ndeshjet e tyre të fundit.

    Është një garanci për ndeshje të mira dhe të hapura ku mysafirët do të kenë një motiv më të madh sepse, ndryshe nga Arsenali, i cili fitoi të dyja ndeshjet në Ligën e Kampionëve, lojtarët e Atleticos kanë një fitore dhe një humbje.

    Në ndeshjet tjera, Bayer Leverkuseni e pret Paris Saint-Germain në BayArena, Manchester City luan në udhëtim te Villarreali, teksa Interi është mysafir i Royale Union SG.

    Përballje interesante pritet të jenë edhe ato mes PSV Eindhoven-Napoli, Newcastle-Benfica dhe Copenhagen-Dortmund.

    Fokusi do të jetë gjithashtu edhe te dy ekipet që luajnë për herë të parë këtë sezon: Kairat Almaty dhe Pafos, që sëbashku me ndeshjen në mes të Barcelonës dhe Olympiacosit luhen nga ora 18:45, ndërsa të gjitha përballjet tjera fillojnë nga ora 21:00. /ATVLIVE.TV

  • Kurti shkon në Londër për samitin e Procesit të Berlinit

    Kurti shkon në Londër për samitin e Procesit të Berlinit

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar, kjo për të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesi të Berlinit.

    Samiti do të mbahet më 21 dhe 22 tetor 2025.

    Për këtë ka njoftuar zyra e kryeministrit, të hënën, duke paralajmëruar edhe takime bilaterale.

    “Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Britanisë së Madhe, ku do të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Gjatë qëndrimit në Londër, kryeministri Kurti do të ketë edhe takime bilaterale, si dhe do të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të samitit”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, Serbia do të përfaqësohet me kryeministrin, Đuro Macut. Nuk dihet nëse do të ketë takim mes Kurtit dhe Macut.

  • Gati një vit nga sulmi në Ibër-Lepenc, ende pa aktakuzë nga Prokuroria Speciale

    Gati një vit nga sulmi në Ibër-Lepenc, ende pa aktakuzë nga Prokuroria Speciale

    Gati një vit pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, autoritetet ende nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve. Për ngjarjen e ndodhur më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, janë arrestuar dy persona, Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq, të cilët po mbahen në paraburgim që nga fillimi i dhjetorit të kaluar.

    Sipas hetimeve fillestare, dy vëllezërit dyshohen se kanë përdorur eksploziv dhe mjete të tjera shpërthyese për të dëmtuar kanalin e ujësjellësit, që furnizon me ujë veriun e Kosovës, rajonin e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Gjatë bastisjeve të kryera dy ditë pas sulmit, policia kishte sekuestruar armë dhe pajisje ushtarake në shtëpitë e tyre.

    Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është konfirmuar se hetimet janë ende në zhvillim.
    “Prokuroria Speciale ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet hetimore për konstatimin e plotë të gjendjes faktike, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ofrojmë më shumë informacione,” tha zëdhënësja e institucionit, Arbnora Luta.

    Ndërkohë, avokati i njërit prej të dyshuarve, Valdet Hoxha, e ka arsyetuar vonesën me kompleksitetin e rastit.
    “Ky është një rast shumë kompleks që kërkon hetim gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim të ngushtë me mekanizmat e tjerë të sigurisë, brenda dhe jashtë vendit. Duhet ekspertiza të shumta për vërtetimin e plotë të gjendjes faktike,” deklaroi Hoxha.

    Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë, vëllezërit Viçentijeviq dyshohen se kanë vepruar me qëllim për të dëmtuar infrastrukturën publike të ujësjellësit, duke kryer veprën penale të terrorizmit.

    Pas sulmit, policia zhvilloi bastisje në dhjetë lokacione në veri të vendit, ku u konfiskuan armë, municione dhe pajisje të tjera ushtarake. Ngjarja kishte shkaktuar shqetësim për sigurinë e furnizimit me ujë dhe për rrezikun e sulmeve ndaj infrastrukturës kritike.

    Rasti i Ibër-Lepencit po hetohet në mënyrë të ngjashme me atë të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, për të cilin aktakuza u ngrit pas një viti dhe përfshinte 45 persona, në krye me Milan Radoiçiqin.

    Hetimet për Ibër-Lepencin mbeten të hapura, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende afat se kur pritet ngritja e aktakuzës.

  • Në Bruksel diskutohet për “afatet e integrimit” të Kosovës në BE

    Në Bruksel diskutohet për “afatet e integrimit” të Kosovës në BE

    Shefi i Misionit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka takuar të hënën shefin e kabinetit të Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marko Makovec, ku në qendër të diskutimit ishte procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivat “afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata” të integrimit të Kosovës në BE.

    “Ambasadori Bajrami dhe z. Makovec shkëmbyen pikëpamje edhe mbi Planin e Rritjes dhe instrumentet e tjera të BE-së për të avancuar projektin strategjik të zgjerimit në rajon”, thuhet në njoftimin e lëshuar për shtyp nga zyra e Kosovës në Bruksel.

    Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, të gjitha ose kanë statusin e kandidatit për anëtarësim në klubin eksluziv evropian, ose kanë nisur tashmë negociatat. Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE në vitin 2022.

    Kosova prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 e ka përcaktuar qartë orientimin e saj drejt integrimit në BE dhe NATO, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar stabilitet afatgjatë dhe zhvillim ekonomik, si garanci për paqe në Ballkanin Perëndimor.

    Ndryshe, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se është e rëndësishme për Kosovën të vazhdojë të ndërtojë institucione të fuqishme dhe t’i zbusë tensionet në veri, pas takimeve me udhëheqësit e vendit më 15 tetor në Prishtinë.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot, diskutohet për Kosovën

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot, diskutohet për Kosovën

    Këshilli i Sigurimit do të mblidhet sot për takimin e dytë të rregullt këtë vit mbi situatën në Kosovë.

    Zëvendës përfaqësuesi Special dhe Zyrtari i Përgjegjshëm i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Milbert Dongjon Shin, pritet të informojë mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi UNMIK-un , i cili iu shpërnda anëtarëve të Këshillit më 10 tetor dhe mbulon zhvillimet nga 16 marsi deri më 15 shtator.

    Shin pritet të nxjerrë në pah zhvillimet kryesore politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së mbuluar nga raporti i Sekretarit të Përgjithshëm.

    Ai do të flasë rreth zbatimit të marrëveshjeve të lehtësuara nga BE-ja, përfshirë Marrëveshjen e shkurtit 2023 në rrugën drejt normalizimit (e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit), dhe se tensionet midis Serbisë dhe Kosovës kanë vazhduar të vazhdojnë.

    Më 9 qershor dhe 11 shtator, përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, lehtësoi dy takime trepalëshe në Bruksel me kryenegociatorët përkatës nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, mbi zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit dhe Deklaratën e majit 2023 për Personat e Zhdukur.

    “Asnjëri takim nuk rezultoi në një rezultat të deklaruar. Takimi i 11 shtatorit përfundoi pa përparim domethënës midis të dyja palëve për shkak të pikëpamjeve të ndryshme mbi përparimin e çështjeve në zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Për më tepër, megjithëse palët ranë dakord zyrtarisht për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në dhjetor 2024, takimi i tij inaugurues nuk u zhvillua siç ishte planifikuar pas bisedimeve të 11 shtatorit. Në këtë drejtim, në takimin e së martës, Shin do t’u bëjë thirrje Kosovës e Serbisë që të angazhohen me mirëbesim drejt përmbledhjes së bisedimeve të normalizimit dhe të përfitojnë nga krijimi i komisionit brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, raporton securitycouncil.

    Në të njëjtën kohë, disa anëtarë, kanë vënë në dukje në të kaluarën se situata në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm që nga themelimi i misionit në vitin 1999.

    Ata në mbledhjen e kaluara kanë bërë thirrje gjithashtu për një rishikim strategjik të misionit, ndërsa Rusia pritet të kundërshtojë çdo modifikim të mandatit, stafit ose buxhetit të UNMIK-ut./Sinjali

  • Janë shitur biletat për ndeshjen Slloveni-Kosovë

    Janë shitur biletat për ndeshjen Slloveni-Kosovë

    Federata Sllovene e Futbollit ka njoftuar se biletat për ndeshjen Slloveni-Kosovë janë shitur.

    Sipas një njoftimi të bërë Federata Sllovene ka bërë të ditur se më pak se për një muaj,dhe se asnjë biletë më nuk ka mbetur asnjë në dispozicion.

    Përndryshe më tutje Federata Sllovene njoftoi se hyrja e tifozëve duhet të jetë me simbole dhe flamuj sllovenë,teksa përjashtim bën tribuna ku do të vendosen tifozët dardanë.

    Kujtojmë që ndeshja Slloveni-Kosovë pritet të zhvillohet më 15 tetor,ndeshje e vlefshme për kualifikimet e botërorit të vitit 2026 në grupin B.

  • Jannik Sinner fitoi rreth 7 milionë dollarë në turneun “Six Kings Slam” në Riad të Arabisë Saudite

    Jannik Sinner fitoi rreth 7 milionë dollarë në turneun “Six Kings Slam” në Riad të Arabisë Saudite

    Tenisti italian Jannik Sinner po vazhdon të korrë suksese gjatë këtij viti në tenis.

    Sinner triumfoi në turneun “Six Kings Slam”në Riad të Arabisë Saudite,ku mundi rivalin e tij Carlos Alcaraz në finale me rezultat 2-6, 4-6.

    Përndryshe Sinner fitoi rreth 7 milionë dollarënga turneu,që do të thotë 1.5 milionë dollarë si dhe 6 milionë dollarë për fitimin e këtij turneu,dhe deri më tani italiani arriti shifrën prej 20 milionë dollarë përfshirë edhe 12 milionë dollar nga garat e ATP-së.

    Ndërkohë Sinner në këtë turne fitoi edhe  çmimin “raketa e artë”,të cilën e kishte fituar edhe Rafael Nadal më herët,teksa çmimin e dorëzoi Turki Al Sheikh, ministri i argëtimit në Arabinë Saudite.

  • Paolo Di Canio:Transferimi i Edon Zhegrovës nuk ishte e qëlluar

    Paolo Di Canio:Transferimi i Edon Zhegrovës nuk ishte e qëlluar

    Ish lojtari i Lazios Paolo Di Canio ka dhënë komente për transferimet e Juventusit në afatin kalimtar.

    Duke folur për Sky Sport Italia Di Canio ka deklaruar se transferimet ishin jo të qëlluara,duke përfshirë këtu edhe atë të Edon Zhegrovës.

    “E kuptoj që në Itali nuk ka shumë, dhe kur ndodh diçka duket sikur është e madhe, por… Openda nuk ka shënuar kurrë kaq shumë gola. Po Zhegrova? Bukur për t’u parë, por duhet ta kthejmë gjithçka në dimensionin ndërkombëtar. Këtu shohim Orsolinin dhe Politanon dhe ndihet sikur po shikojmë Robbenin”

    Përndryshe Di Canio shton se partneriteti Zhegrova-Openda nuk është sulm fenomenal për tu parë,dhe se nuk ka mirëkuptim për shumë persona që e konsiderojnë në këtë mënyrë.

    Kujtojmë që Edon Zhegrova nuk po gjen minuta të mjaftueshme tek Juventus,ku së fundmi nuk luajti në humbjen 0:2 ndaj Comos

  • Shtetasja gjermane dyshohet se vdiq në Malet e Sharrit nga hipotermia, i kishte ngecur këmba mes shkëmbinjve

    Shtetasja gjermane dyshohet se vdiq në Malet e Sharrit nga hipotermia, i kishte ngecur këmba mes shkëmbinjve

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka treguar se në shkëmbinjtë e Liqenit të Jazhnicës në Malet e Sharrit, vdiq një bjeshkatare gjermane.

    Ka treguar se kishte marrë thirrje të dielën nga një grup i bjeshkatarëve, që kishin thënë se kanë hasur në një trup që dyshohet se është i pajetë, në afërsi të shtegut kryesor në Liqenin e Jazhnicës në Malet e Sharit.

    SHKSHMK-ja ka njoftuar se është arritur të lokalizohet viktima.

    Shtetasja gjermane M.N. dyshohet se gjatë ecjes e vetmuar në atë zonë, aksidentalisht kishte ngecur në një çarje mes shkëmbinjve, ka njoftuar SHKSHMK-ja.
    Dyshohet se i kishte ngecur këmba dhe në pamundësi për të dalur dhe në pamundësi për të bërë thirrje për të kërkuar ndihmë, ka vdekur si pasojë e hipotermisë.

    “Sipas mekanizmit të aksidentit dyshohet se viktima shtetases gjermane M.N., gjatë ecjes malore e vetmuar në këtë zonë, aksidentalisht këmba i kishte ngecur në çarje në mes të shkëmbinjve dhe në pamundësi të daljes nga kjo situatë dhe thirrjes për ndihmë – pasi që zona nuk ka mbulueshmëri me rrjet telefonik – dyshohet të ketë pësuar me fatalitet nga kushtet atmosferike duke kaluar në hipotermi”, ka njoftuar SHKMSHK-ja.

    Operacioni i nxjerrjes së trupit zgjati 9 orë.

    “Në këtë operacion ka asistuar edhe një ekipi i Kërkim-Shpëtimit i Forcës së Sigurisë së Kosovës. I shprehim ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimës”.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar vdekjen e një shtetaseje të huaj në Shtërpcë.
    Trupi i saj thuhet se është gjetur të dielën.

    “Është raportuar se është gjetur një trup i pajetë i një femre shtetase të huaj. Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitë relevante dhe mjekësia ligjore”, thuhet në raportin 24-orësh.

    Për rastin ka shkruar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

    “Garda Kombëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas marrjes së informacioneve nga Qendra e Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka angazhuar togun e Kërkim-Shpëtimit Malor në koordinim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet lokale, ku me sukses ka përfunduar misionin sfidues tërheqjen e trupit të pajetë të një personi, afër Liqenit të Jazhnicës-Shterpcë, trupi i pajetë është dorëzuar autoriteteve për procedura të mëtejme”, ka njoftuar Forca e Sigurisë së Kosovës.