ATV

Blog

  • Federata Sllovene e Futbollit vendos masa të reja për ndeshjen ndaj Kosovës

    Federata Sllovene e Futbollit vendos masa të reja për ndeshjen ndaj Kosovës

    Pas vendimit të diskutueshëm për të ndalur shitjen e biletave, nga frika se ato po përfundonin në duart e tifozëve jo-sllovenë, Federata Sllovene e Futbollit ka vendosur një tjetër rregull për të gjithë ata që do të ndjekin nga stadiumi ndeshjen ndaj Kosovës, më 15 nëntor.

    Pasi njoftoi se janë shitur të gjitha biletat — plot 16.038, sa është kapaciteti i stadiumit “Stožice” — Federata sqaroi se, përveç sektorit të tifozëve miq, që përfaqëson 5% të kapacitetit total, të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në stadium duhet të jenë të pajisur me një simbol të kombëtares ose shtetit slloven, si formë identifikimi. Kjo masë është marrë pasi janë sinjalizuar raste të shtetasve kosovarë që kanë blerë bileta jashtë sektorit të përcaktuar për ta.

    “Më pak se një muaj nga ndeshja e fundit e kombëtares sllovene në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, të gjitha biletat për përballjen me Kosovën janë shitur”, njofton federata.

    Stadiumi “Stožice” pritet të jetë i mbushur më 15 nëntor, ndërsa federata u bën thirrje të gjithë tifozëve të sillen në mënyrë sportive dhe korrekte gjatë gjithë ndeshjes.

    “Hyrja në stadium (përveç sektorit të tifozëve mysafirë) do të jetë e mundur vetëm për personat që mbajnë simbole të Sllovenisë dhe të kombëtares sllovene”, përfundon deklarata.

    Kujtojmë se për Kosovën kjo ndeshje është jetike. Me vetëm një pikë të fituar ndaj Sllovenisë, “Dardanët” do ta siguronin matematikisht pjesëmarrjen në fazën play-off. Nëse arrijnë fitoren dhe njëkohësisht Suedia ndal Zvicrën, atëherë Kosova do të mbetet në garë për vendin e parë, që siguron kualifikimin direkt në fazën e grupeve të Botërorit 2026. /ATVLIVE.TV

  • Haga i refuzon dëshmitë e krimeve serbe në Kosovë: Janë të parëndësishme për rastin e krerëve të UÇK-së

    Haga i refuzon dëshmitë e krimeve serbe në Kosovë: Janë të parëndësishme për rastin e krerëve të UÇK-së

    Pjesa më e madhe e provave të prezantuara nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, që dëshmojnë për krimet serbe të kryera në Kosovë, nuk janë pranuar në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë.

    Sipas këtij rapotimi, gjyqtarët e rastit kanë theksuar se përgjithësisht këto dëshmi, janë komplet të parëndësishme për procesin ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, që po zhvillohet në Hagë.

    Në vendim thuhet se nuk është vërtetuar ndonjë ndërlidhje mes aktakuzës, dhe provave të cilat dëshmojnë krimet e Serbisë në Kosovë.

    “Paneli së pari vëren se më parë ka vendosur që provat për krimet e dyshuara të kryera nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme për akuzat kundër të akuzuarit. Mbrojtja e Krasniqit gjithashtu nuk ka arritur të vërtetojë se incidentet e përshkruara në këtë pikë janë të lidhura me ndonjë nga akuzat ose faktet në Aktakuzë, ose se ato lidhen me ose janë provuese të organizimit ose aktivitetit të UÇK-së në zonë në një kohë ose vend që lidhet me akuzat”.

    Pse u refuzuan provat e mbrojtjes së Jakup Krasniqit?

    Mbrojtja e Jakup Krasniqit kishte dorëzuar materiale të shumta, dëshmi të shkruara, video-incizime të cilat sipas tyre, dëshmojnë se në Kosovë ka qenë gjendje kaosi, dhe shumë krime janë kryer në shenjë hakmarrjeje nga individë pas krimeve të Serbisë në zona të ndryshme.

    Pas kërkesës së Jakup Krasniqit, Prokuroria e Hagës kërkoi që këto prova të krimeve serbe të refuzohen. Dhe kështu ndodhi. Pjesa më e madhe e tyre u refuzuan.

    Prova me numrin 11 përmbante një material të BBC, ku kishte video-incizime të ndryshme që dëshmonin për krimet e Serbisë në Kosovë.

    Megjithatë, kjo për gjyqtarët e Speciales është e parëndësishme. Ata vendosën ta pranojnë një pjesë krejt të shkurtër të materialit, aty ku UÇK-ja iu ndihmonte hetimeve të mundshme, por jo edhe dëshmive për krimet e Serbisë.

    “Duke iu kthyer Provës së Propozuar 11, Paneli vëren pretendimin e Mbrojtjes së Krasniqit se videoja lidhet, ndër të tjera, me pasojat e krimeve serbe të kryera kundër popullsisë shqiptare, natyrën mbrojtëse të organizatës së UÇK-së, pretendimet për përfshirjen e UÇK-së në zhdukjen dhe vdekjen e individëve, trupat e të cilëve u gjetën në rrethana të pashpjegueshme dhe aktet e mundshme të hakmarrjes nga popullsia civile. Pasi shqyrtoi Provën e Propozuar 11, Paneli vëren se pjesa e parë e videos lidhet kryesisht me krimet që dyshohet se janë kryer nga forcat serbe në Rahovec dhe përreth. Paneli kujton qëndrimin e tij se provat e krimeve të dyshuara të kryera nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit. Paneli konsideron se Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë se pjesa e parë e videos është relevante për këtë çështje”, thuhet në këtë vendim.

    “Megjithatë, Paneli vëren se pjesët pasuese të videos që kanë të bëjnë, ndër të tjera, me gatishmërinë e pretenduar të UÇK-së për të ndihmuar në hetimet e krimeve, dhe aktet e mundshme të hakmarrjes nga popullsia shqiptare në rast se nuk do të bëheshin arrestime, mund të jenë relevante për çështjen aktuale. Trupi gjykues konsideron se vetëm pjesa e videos që përbëhet nga 17:39-20:15 dhe 34:25-38:00 është treguar e rëndësishme. Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë rëndësinë e pjesëve të mbetura të Provës 11 të Propozuar”, thuhet më tej.

    Gjyqtarët e Hagës e refuzuan një tjetër prove të propozuar nga Jakup Krasniqi, e që lidhej me raportet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas gjyqtarëve, këto nuk janë relevante, ngjashëm siç konstatoi edhe për dëshmitë e krimeve serbe.

  • Netanyahu refuzon rolin e Turqisë dhe Katarit në planin e paqes në Gaza

    Netanyahu refuzon rolin e Turqisë dhe Katarit në planin e paqes në Gaza

    Shqetësime të SHBA-ve për pasojat e mundshme në procesin e paqes në Gaza

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar fuqimisht çdo prani turke ose katariote në Gaza sipas planit të propozuar të paqes pas luftës, duke e quajtur atë një “vijë të kuqe” që Izraeli nuk do ta kalojë, sipas raportimeve të Israel Hayom.

    Ky veprim ka ngritur shqetësime në Washington, ku zyrtarët po punojnë për të siguruar që Izraeli të mos prishë marrëveshjen e mbështetur nga SHBA-të me Hamasin që synon stabilizimin e Gazës pasi të përfundojë konflikti i vazhdueshëm.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, roli i propozuar i Turqisë dhe Katarit do të jetë rreptësisht humanitar dhe civil, duke u përqendruar në shpërndarjen e ndihmës, rindërtimin dhe mbështetjen e administratës civile në koordinim me organizatat ndërkombëtare.

    Megjithatë, Netanyahu dhe zyrtarët e lartë izraelitë druhen se përfshirja e Ankarasë dhe Doha-s mund të përkthehet në ndikim politik në Gaza, duke forcuar potencialisht rrjetet e lidhura me Hamasin dhe duke dëmtuar interesat e sigurisë së Izraelit.

    “Jerusalemi e sheh çdo prani turke ose katariote si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sovranitetin izraelit dhe stabilitetin rajonal”, tha një burim izraelit për Israel Hayom, duke shtuar se Netanyahu e kishte bërë të qartë kundërshtimin e tij gjatë diskutimeve të fundit të nivelit të lartë.

    Shtëpia e Bardhë thuhet se është e shqetësuar se qëndrimi i vendosur i Netanyahu-t mund të ndërlikojë negociatat e vazhdueshme dhe të rrezikojë prishjen e koordinimit midis SHBA-ve dhe Izraelit.

    Washingtoni i konsideron Turqinë dhe Katarin – të dyja të cilat kanë mbajtur kanale komunikimi me Hamasin – ndërmjetës thelbësorë në lehtësimin e armëpushimit, aksesin humanitar dhe marrëveshjet e mundshme të qeverisjes pas konfliktit.

  • Miliona për Botërorin – Arabia Saudite shpërblen kombëtaren

    Miliona për Botërorin – Arabia Saudite shpërblen kombëtaren

    Qeveria e Arabisë Saudite ka vendosur të shpërblejë bujarisht futbollistët dhe stafin teknik të kombëtares, pas kualifikimit historik në Kupën e Botës 2026.

    Ministri i Sportit, Abdulaziz bin Turki Al-Faisal, njoftoi se secili lojtar dhe anëtar i stafit do të përfitojë nga 5 milionë rialë sauditë – rreth 1.15 milionë euro – si shpërblim për suksesin.

    Arabia Saudite siguroi pjesëmarrjen në turneun më të madh të futbollit pas një barazimi pa gola ndaj Irakut, rezultat që mjaftoi për të përmbyllur me sukses fazën përfundimtare të eliminatoreve aziatike.

    Ky është kualifikimi i tretë radhazi i “Jeshilëve” në një Kupë Bote, një tregues i qartë i përparimit të ndjeshëm të futbollit saudit në vitet e fundit.

    Ministri Al-Faisal theksoi se pagesa e shpërblimeve do të bëhet brenda 30 ditëve nga përfundimi i eliminatoreve, duke e cilësuar këtë vendim si një nxitje shtesë për paraqitje të denjë në Botërorin që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

    Ky veprim konfirmon edhe një herë angazhimin e Arabisë Saudite për zhvillimin e sportit dhe përfshirjen e futbollit në strategjitë kombëtare të zhvillimit, si pjesë e vizionit të saj sportiv për të ardhmen.

    Skuadra saudite tashmë ka nisur përgatitjet për fazën finale të turneut, me objektivin për të kaluar fazën e grupeve dhe për të përsëritur suksesin e Botërorit 2022 në Katar, ku tronditi botën e futbollit duke mposhtur kampionët e ardhshëm, Argjentinën. /ATVLIVE.TV

  • Sean Dyche rikthehet te Nottingham Forest, këtë herë si trajner kryesor

    Sean Dyche rikthehet te Nottingham Forest, këtë herë si trajner kryesor

    Sean Dyche është zyrtarisht trajneri i ri i Nottingham Forest. 54-vjeçari, i cili në rininë e tij ishte pjesë e akademisë së klubit, ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në “City Ground” deri në verën e vitit 2027. Ai pritet të debutojë në pankinë që të enjten, në ndeshjen kundër FC Porto në Ligën e Evropës.

    Dyche merr vendin e Ange Postecoglou, i cili u shkarkua pas një serie zhgënjyese prej tetë ndeshjesh pa fitore në krye të ekipit.

    Emërimi i tij vjen pas një procesi të përshpejtuar rekrutimi të udhëhequr nga Drejtori Global i Futbollit, Edu Gaspar, dhe Drejtori Teknik Global, George Syrianos. Ndër kandidatët e konsideruar ishin edhe Roberto Mancini dhe Marco Silva, por në fund drejtuesit vendosën për eksperiencën dhe profilin e Dyche.

    “Nottingham Forest ka kënaqësinë të konfirmojë emërimin e Sean Dyche si trajnerin e ri të ekipit të parë, pas një procesi të plotë rekrutimi të udhëhequr nga Edu Gaspar dhe George Syrianos,” thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

    I njohur për disiplinën taktike, qëndrueshmërinë dhe organizimin mbrojtës, Dyche do të ketë në staf dy bashkëpunëtorët e tij të besuar: Ian Woan dhe Steve Stone – legjenda të Forest me mbi 400 paraqitje për klubin gjatë viteve ’90.

    Me një dekadë të suksesshme te Burnley dhe një periudhë stabilizuese te Everton, Dyche është konsideruar si një nga trajnerët më të respektuar në futbollin anglez.

    Tani, ai kthehet te klubi ku filloi rrugëtimin e tij si futbollist, me misionin për të nxjerrë Forest nga zona e rënies dhe për të rikthyer identitetin dhe stabilitetin në skuadër. /ATVLIVE.TV

  • LDK dhe Nisma arrijnë koalicion për balotazhin në Fushë Kosovë

    LDK dhe Nisma arrijnë koalicion për balotazhin në Fushë Kosovë

    LDK dhe Nisma kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për balotazhin në Fushë Kosovë

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Nismën Socialdemokrate për raundin e dytë të zgjedhjeve më 9 nëntor.

    Përmes një postimi të shkurtër në Facebook, Osmani nuk ka zbuluar detaje rreth marrëveshjes, por ka theksuar se synimi i përbashkët është fitorja dhe qeverisja në interes të qytetarëve.

    “Vazhdojmë me NISMËN drejt fitores! Së bashku për qytetarët dhe të ardhmen e komunës sonë”, shkroi Osmani.

    Nga ana tjetër, kryetari i Nismës në këtë komunë, Driton Ademi, deri tani nuk ka dalë me një reagim publik lidhur me këtë marrëveshje.

    Në zgjedhjet e 12 tetorit, Osmani i LDK-së u radhit i dyti me 7,840 vota ose 36.63%, ndërsa kundërshtari i tij në balotazh, kandidati i LVV-së për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, është radhitur i pari me 9,669 vota ose 45.18%.

  • Gërvalla përfaqëson Kosovën në Këshillin e Sigurimit

    Gërvalla përfaqëson Kosovën në Këshillin e Sigurimit

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do ta përfaqësojë Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Nju Jork për ta përfaqësuar Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Lajmin e ka bërë të ditur MPJD përmes një komunikate për media.

    “Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet sot, më 21 tetor 2025, në orën 10:00 sipas kohës lokale në Nju Jork (16:00 në Kosovë)”, thuhet në komunikatë.

    Në njoftim thuhet se Gërvalla do të raportojë për punën e institucioneve, rezultatet, sfidat dhe prioritetet e reformave gjithëpërfshirëse, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, performancës ekonomike dhe fuqizimit institucional.

    Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth raportit gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e misionit mbështetës në Kosovë (UNMIK) do të mbahet këtë të martë (21 tetor) në New York të Shteteve të Bashkuara.

    Zëvendës Përfaqësuesi Special i OKB-së, Milbert Dongjoon Shin, do të paraqesë raportin e UNMIK-ut para përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit – seanca e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën u mbajt më 8 prill.

    Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm thekson se progresi në zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë i kufizuar, ndërsa tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë të jenë të larta.

    Raporti i UNMIK-ut trajton gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht mbylljen e institucioneve paralele serbe, krahas zhvillimeve politike pas zgjedhje nacionale në shkurt, duke përfshirë ngërçin në Kuvendin e Kosovës.

  • Bie çmimi global i naftës

    Bie çmimi global i naftës

    Çmimet e naftës ranë nën 61 dollarë në tregjet ndërkombëtare sot.

    Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte 72 cent më i ulët se në mbyllje të tregtimit në fund të javës së kaluar, në 60.57 dollarë.

    Në tregun amerikan, një fuçi u tregtua 66 cent më poshtë, në 56.88 dollarë.

    Ndjenja e tregut është dobësuar nga vlerësimet për një tepricë furnizimi në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm.

    Furnizimi po rritet ndërsa kërkesa është e zbehtë, raportoi javën e kaluar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).Në kushte të tilla, rezervat globale arritën nivelin e tyre më të lartë në katër vjet në gusht, në 7.9 milionë fuçi, llogariti agjencia, dhe teprica e furnizimit duhet të rritet ndjeshëm deri në vitin e ardhshëm, më së voni.Investitorët janë gjithashtu të shqetësuar për bllokadën e qeverisë amerikane për shkak të mosmarrëveshjes mbi shpenzimet buxhetore.

  • Zhduket një shtetas i Shqipërisë, kishte dal në kufi me Kosovën për të mbldhur gështënja

    Zhduket një shtetas i Shqipërisë, kishte dal në kufi me Kosovën për të mbldhur gështënja

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të zhdukjes së një personi, shtetas të Shqipërisë.

    I njëjti kishte dalë për të mbledhur gështenja në brezin kufitar me Kosovën.

    “Brezi kufitar Shqipëri-Kosovë 20.10.2025 – 23:20. Raportohet se viktima mashkull shtetas i Shqipërisë gjatë mbledhjes së gështenjave në mal, ka humbur kontaktin me familjarët e tij”, thuhet në raport.

    Njësitet policore, njësia për kërkim shpëtim dhe disa persona janë angazhuar në kërkim të viktimës, ndërsa në anën tjetër të kufirit janë angazhuar njësitë e Shqipërisë.

  • Policia heton dy raste të vdekjes, u raportuan në 24 orët e fundit

    Policia heton dy raste të vdekjes, u raportuan në 24 orët e fundit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është gjetur pa shenja jete në Prishtinë dhe një tjetër në Zveçan.

    Policia njofton se trupat e dy personave janë dërguar për obduksion dhe se rastet në fjalë do të hetohen.
    Tutje nga policia bëhet e ditur se dy viktimat në raste të ndara, janë meshkuj, por që nuk është bërë e ditur mosha e tyre.

    Rr. Harun Aliu, Prishtinë 20.10.2025 – 17:40. Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.HETIM I VDEKJESFsh. Korilë, Zveçan 17-20.10.2025 – NN. Viktima mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar.” thuhet në njoftimin e policisë.