ATV

Blog

  • NBA-ja thyen rekorde pagash: Curry dhe yjet e tjerë në krye të listës

    NBA-ja thyen rekorde pagash: Curry dhe yjet e tjerë në krye të listës

    NBA është kampionati më i fortë, më i bukur dhe më i pasur në basketbollin botëror. Edhe para se të shënohet koha e parë e sezonit të ri, liga ka thyer rekorde pagash për lojtarët.

    Në 10 vitet e fundit, buxheti për kontratat është trefishuar, dhe kjo pasqyrohet në listën e basketbollistëve më të paguar. Në krye qëndron Stephen Curry i Golden State, me rreth 59 milionë dollarë në sezon.

    Pas tij vijnë dy yje të mëdhenj: Nikola Jokiç nga Denver dhe Joel Embiid nga Philadelphia, të cilët fitojnë nga 55.2 milionë dollarë secili.

    Kevin Durant, tani me Houston, renditet i katërti me 54.7 milionë dollarë, duke lënë pas veteranin Jimmy Butler të Golden State, që fiton 54.1 milionë.

    Në dhjetëshen e parë janë gjithashtu Anthony Davis, Jason Tatum, Janis Antetokounmpo, Karl-Anthony Towns dhe Jaylen Brown.

    Ndërsa LeBron James i Lakers renditet i 12-ti me 52.6 milionë dollarë, Luka Donçiç është i 22-ti me rreth 46 milionë.

    Sipas mediave amerikane, Donçiç pritet të rinovojë kontratën në fund të sezonit me një shifër rekord për historinë e NBA-së. /ATVLIVE.TV

  • Thirrje për konsulentë – Cerek Miliarde Pezull

    Thirrje për konsulentë – Cerek Miliarde Pezull

    ATV fton të gjithë hulumtuesit e fushës së gazetarisë, politikave, ekonomisë dhe sportit të aplikojnë pozitën e konsulentit/e së jashtëm për dokumentari CEREK MILIARDE PEZULL.

    Përshkrimi i angazhimit

    Konsulenti/ja do të angazhohet në fazën e zhvillimit dhe realizimit të dokumentarit, duke ofruar mbështetje profesionale në:

    • Hulumtimin dhe përgatitjen e përmbajtjes tematike;
    • Strukturimin e narrativës dhe qasjes editoriale;
    • Identifikimin e burimeve, intervistuesve dhe lokacioneve relevante;

    Kualifikimet e kërkuara

    • Së paku 5 vjet përvojë si hulumtues ose udhëheqës projektesh në fushat e lartë-cekura
    • Përvojë profesionale në produksione dokumentare, kërkim mediatik, ose studime analitike;
    • Aftësi të shkëlqyera analitike dhe shkrimore;
    • Njohuri të mira të kontekstit shoqëror e politik në Kosovë dhe rajon;
    • Fleksibilitet për bashkëpunim me ekipin e produksionit gjatë periudhës së zhvillimit të projektit.

    Kohëzgjatja e angazhimit

    Angazhimi i paraparë është 10 ditë pune, gjatë muajit nëntor 2025.

    Aplikimi

    Të interesuarit duhet të dërgojnë:

    • CV-në e përditësuar;
    • Një letër motivimi (deri në 1 faqe) që përshkruan përvojën relevante dhe arsyen e interesimit;
    • Shembuj pune ose referenca (nëse ka).

    Dokumentet duhet të dërgohen me email në adresën: [email protected]
    me subjektin: Aplikim për Konsulent Dokumentari – [Emri Mbiemri]

    Afati i fundit për aplikim: 28 / 10 / 2025, ora 17:00.

  • Kundërvajtjet kapen nga kamerat e sigurisë, gjobat dorëzohen në shtëpi-Suhareka fillon e para

    Kundërvajtjet kapen nga kamerat e sigurisë, gjobat dorëzohen në shtëpi-Suhareka fillon e para

    Policia e Kosovës , edhe Drejtoria Rajonale në Prizren, edhe më herët ka njoftuar se shpërndarja e gjobave për kundërvajtësit në komunikacion do të bëhet edhe përmes Postës së Kosovës.
    Konkretisht, Stacioni Policor në Suharekë këtë javë ka filluar dërgimin e gjobave përmes postës për ata që kanë kryer kundërvajtje.
    “Është me rëndësi të theksohet se kundërvajtësit janë identifikuar përmes kamerave të sigurisë që ndodhen në qytet dhe monitorohen nga policia.
    Informojmë edhe një herë qytetarët se jeni të detyruar të zbatoni rregullat e trafikut, me qëllim që së bashku t’i bëjmë rrugët tona më të sigurta dhe më të kalueshme për të gjithë.
    Kundërvajtësit, përveç që mund të ndalohen drejtpërdrejt nga patrullat policore, mund të identifikohen edhe përmes kamerave të sigurisë.
    Nëse keni kryer një kundërvajtje dhe ajo është regjistruar nga kamerat, në bazë të këtij regjistrimi do t’ju shqiptohet gjoba përkatëse, e cila do t’ju dërgohet në shtëpi përmes Postës së Kosovës.
    Respektoni rregullat në komunikacion – mos rrezikoni veten dhe të tjerët”, thuhet në njoftimin e PK-së.

  • Xabi Alonso konfirmon mungesat para përballjes me Juventusin

    Xabi Alonso konfirmon mungesat para përballjes me Juventusin

    Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka konfirmuar se asnjëri nga pesë mbrojtësit e lënduar nuk do të jetë gati për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Juventusit, që zhvillohet të mërkurën mbrëma në “Santiago Bernabeu”.

    Megjithëse përballja me italianët është e një rëndësie të madhe, “Los Blancos” po mendojnë edhe për “El Clasico”-n ndaj Barcelonës të dielën.

    Trent Alexander-Arnold, Dani Carvajal dhe Dean Huijsen thuhet se janë pranë rikthimit të plotë fizik dhe sipas raportimeve të fundit, pritet të jenë në dispozicion për ndeshjen kundër katalanasve.

    Sidoqoftë, Alonso ka hedhur poshtë mundësinë që ata të luajnë qysh në sfidën ndaj Juventusit.

    “Duke parë për nesër, nuk besoj se Huijsen, Trent apo Carvajal do të jenë të gatshëm. Raportin përfundimtar do t’ua jap të shtunën,” deklaroi Alonso.

    Duke folur për përballjen ndaj Juventusit, trajneri spanjoll shtoi:

    “Është një klasike evropiane. Ata janë përballur shpesh me Real Madridin, dhe unë vetë kam qenë pjesë e disa prej atyre ndeshjeve. Ndihemi shumë të përgatitur.”

    Alonso mbylli konferencën me një mesazh për tifozët:

    “Synojmë fitoren tonë të tretë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Dhe për një fillim të fortë, kemi nevojë për mbështetjen e plotë të stadiumit.” /ATVLIVE.TV

  • Rob Harvey nga Irlanda do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Drita – Omonia

    Rob Harvey nga Irlanda do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Drita – Omonia

    UEFA ka caktuar gjyqtarin kryesor dhe asistentët e tij për ndeshjen mes Dritës dhe klubit nga Qipro, Omonia.

    Gjyqtari kryesor do të jetë Rob Harvey nga Irlanda ndërsa asistentë janë Robert Clarke dhe Wayne McDonnell po ashtu nga Irlanda.

    Në VAR do të jetë skocezi Kevin Clancy.

    Ndeshja mes Dritës dhe Omonia luhet të enjten me fillim nga ora 18:45 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës së Conference League.

    Në xhiron e parë Drita barazoi me KuPS – kurse Omonia humbi nga Mainz. /ATVLIVE.TV

  • Mirlind Daku dhe Vesa Vllasaliu zyrtarizojnë lidhjen e tyre

    Mirlind Daku dhe Vesa Vllasaliu zyrtarizojnë lidhjen e tyre

    Sulmuesi i Kombetarës së Shqipërisë, Mirlind Daku dhe modelja Vesa Vllasaliu, kanë bërë zyrtare lidhjen e tyre.

    Ishte vetë Vesa që ka ndarë me ndjekësit disa fotografi në kuadër të përvjetorit të lidhjes me futbollistin nga Gjilani.

    Çifti ka preferuar që marrëdhënien e tyre ta mbajnë larg vëmendjes publike, ndonëse për lidhjen e tyre është përfolur prej kohësh në media dhe rrjete sociale.

    Vesa është treguar një mbështetëse e madhe e partnerit të saj, duke u parë shpesh në stadiume për ta përkrahur nga afër 27 vjeçarin. /ATVLIVE.TV

  • Goditje për Realin: Alaba humbet “El Clasicon” dhe ndeshjen ndaj Juventusit

    Goditje për Realin: Alaba humbet “El Clasicon” dhe ndeshjen ndaj Juventusit

    David Alaba pritet të mungojë në dy sfidat e rëndësishme të Real Madridit, për shkak të një tërheqjeje muskulore në këmbën e djathtë.

    Mbrojtësi austriak u largua nga fusha gjatë ndeshjes kundër Getafes të dielën e kaluar dhe sipas mediumit spanjoll COPE, ai nuk do të jetë në dispozicion për takimin ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve këtë të mërkurë, si dhe për përballjen e shumëpritur “El Clasico” kundër Barcelonës të dielën.

    Që nga transferimi i tij në Madrid në verën e vitit 2021, Alaba ka hasur vështirësi për të gjetur vazhdimësi për shkak të dëmtimeve të shpeshta. Pavarësisht përvojës së pasur dhe 111 ndeshjeve me përfaqësuesen e Austrisë, forma e tij fizike dhe niveli i paraqitjeve kanë pësuar rënie.

    I njohur për fleksibilitetin në mbrojtje — si qendërmbrojtës, mbrojtës i majtë apo mesfushor defensiv — Alaba mund të jetë duke kaluar muajt e fundit me fanellën e Realit. Drejtuesit e klubit thuhet se po shqyrtojnë mundësinë për të rinovuar repartin defensiv, ndërsa largimi i austriakut në fund të sezonit nuk përjashtohet.

    Ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin e tij në fushë, dhe klubi madrilen duket i vendosur të mos rrezikojë duke e aktivizuar përpara se të jetë plotësisht i gatshëm. /ATVLIVE.TV

  • Busti i Skënderbeut, në faqen zyrtare të Aston Villës

    Busti i Skënderbeut, në faqen zyrtare të Aston Villës

    Klubi i njohur anglez, Aston Villa, ka publikuar në faqen zyrtare në Facebook një fotografi të bustit të Skënderbeut, që është simbol i historisë dhe krenarisë shqiptare.

    Ky gjest vjen përpara ndeshjes së sotme që ekipi U19 i Aston Villës do të zhvillojë në Korçë kundër bashkëmoshatarëve të Skënderbeut.

    Takimi pritet të nisë në orën 15:00. /ATVLIVE.TV

  • Atletico Madrid bën ankesë zyrtare në UEFA pas një incidenti në “Emirates”

    Atletico Madrid bën ankesë zyrtare në UEFA pas një incidenti në “Emirates”

    Skuadra e Atletico Madrid ka depozituar një ankesë zyrtare pranë UEFA-s, pas një incidenti të pazakontë që ndodhi pas stërvitjes së fundit në stadiumin “Emirates” në Londër.

    Sipas mediave spanjolle, lojtarët e ekipit të Diego Simeones nuk kanë mundur të përdorin dushet në dhomat e zhveshjes, për shkak të mungesës së ujit të ngrohtë.

    Zyrtarët e klubit madrilen e kanë njoftuar menjëherë stafin e Arsenalit për problemin, por ndërhyrja për zgjidhjen e situatës ka ardhur me vonesë. Në atë moment, trajneri Simeone kishte urdhëruar që skuadra të largohej menjëherë nga stadiumi, pa pritur rregullimin e çështjes.

    Ky incident është përfshirë në një raport zyrtar të dërguar në UEFA, ku Atletico kërkon sqarime lidhur me standardet e pritjes së ekipeve mysafire në ndeshjet e Ligës së Kampionëve.

    Ngjarja ka ndodhur një ditë para supersfidës Arsenal – Atletico Madrid, që zhvillohet sonte në Londër nga ora 21:00. /ATVLIVE.TV

  • Arlind Ajeti shkëlqen sërish në kampionatin turk

    Arlind Ajeti shkëlqen sërish në kampionatin turk

    Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare po konfirmohet si një nga lojtarët kyç të skuadrës Bodrumspor, ku ka marrë rolin e liderit në repartin defensiv.

    Në ndeshjen kundër Erokspor, që përfundoi me rezultatin 1-1, Ajeti ishte ndër më të mirët në fushë. Ai u tregua i pakalueshëm në mbrojtje, duke fituar thuajse çdo duel ndaj sulmuesve kundërshtarë.

    Për paraqitjen e tij, Ajeti është vlerësuar me notën 7.7 dhe ka siguruar një vend në formacionin e javës në Turqi. /ATVLIVE.TV