ATV

Blog

  • TikTok po e ndryshon trurin tonë, një studim zbulon pasoja shqetësuese

    TikTok po e ndryshon trurin tonë, një studim zbulon pasoja shqetësuese

    Një studim i ri ka tronditur rrjetet sociale: përdorimi i shpeshtë i TikTok mund të ndryshojë fizikisht trurin e njeriut. Skanimet e trurit kanë treguar se përdoruesit e varur nga TikTok kanë zona të fryra në pjesët që lidhen me shpërblimin dhe emocionet, të ngjashme me ato të të varurve nga kokaina.

    Ekspertët paralajmërojnë se përdoruesit e këtij aplikacioni nuk arrijnë të përqendrohen më shumë se 8 sekonda, pasi truri mësohet të kërkojë vazhdimisht stimuj të rinj.

    Studentët që shikojnë rregullisht video në TikTok kanë dalë 43% më keq në testet e vëmendjes, dhe shumë prej tyre thonë se nuk mund të lexojnë libra apo të shikojnë filma pa ndier ankth.

    Sipas shkencëtarëve, videot e shpejta dhe të pandërprera e kthejnë aplikacionin në një “makinë dopaminash” që pushton sistemin e shpërblimit të trurit, duke e bërë jetën e zakonshme të duket e mërzitshme dhe bosh.

  • Një mace ia ndryshoi jetën 7 – vjeçit që u bullizua për shkak të pamjes

    Një mace ia ndryshoi jetën 7 – vjeçit që u bullizua për shkak të pamjes

    Madden Humphreys, një djalë 7-vjeçar nga Oklahoma, ka lindur me dy tipare të rralla që e kanë bërë të dallueshëm që në hapat e parë të jetës: një buzë të çarë (cleft lip) dhe heterokromi të plotë, që do të thotë se ka sy me ngjyra të ndryshme — njëri i kaltër, tjetri i gjelbër.

    Por ajo që për disa mund të jetë një veçori e bukur, për të ka qenë shpesh një arsye për bullizëm. Që në moshë të vogël, Madden u përball me komentet e hidhura dhe përjashtimin nga bashkëmoshatarët për shkak të pamjes së tij. Një përvojë e vështirë që do të thyente vetëbesimin e çdo fëmije.

    Por jeta kishte rezervuar për të një takim të veçantë, që do t’i ndryshonte jetën.

    Diku larg, në Minnesota, një organizatë për shpëtimin e kafshëve publikoi një njoftim për adoptimin e një maceje të veçantë, të quajtur Moon.

    Ashtu si Madden, edhe Moon kishte lindur me buzë të çarë dhe heterokromi, me sytë në ngjyra të ndryshme. E braktisur dhe në kërkim të një shtëpie të re, Moon u bë simbol i rrallë i asaj që e bën çdo krijesë unike.

    Kur nëna e Madden-it pa foton e Moon në internet, nuk pati asnjë dyshim:

    “Ishte sikur universi na tregoi se ka bukuri në çdo veçanti. Ishte si një pasqyrë për Madden-in. E dinim që duhej të bëhej pjesë e familjes sonë.”

  • Britania thirrje anëtarëve të OKB-së ta njohin Kosovën, ndërsa Serbisë ta dorëzojë Radoiçiqin

    Britania thirrje anëtarëve të OKB-së ta njohin Kosovën, ndërsa Serbisë ta dorëzojë Radoiçiqin

    Britania e Madhe ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit.

    Për Serbinë, Britania ka thënë se duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, ndërsa për Kosovën, ka kritikuar sulmet që i janë bërë Gjykatës Kushtetuese.

    Përfaqësuesja e Britanisë foli gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për Kosovën.

    “Britania mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik. Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, deklaroi ajo.

    Përfaqësuesja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë në Kosovë dhe përgëzoi “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal.

    Ajo shprehu shqetësim për disa deklarata të fundit që, sipas saj, “rrezikojnë të rrënojnë institucionet shtetërore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese”. Kryeministri në detyrë Albin Kurti më herët kishte shprehur kritika për Kushtetuesen.

    “Institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse janë jetike për të avancuar integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të ofruar progres për qytetarët e saj”, theksoi ajo, duke e cilësuar kthimin e kryetarëve serbë në komunat me shumicë serbe si “një hap pozitiv drejt një pushteti lokal përfaqësues”.

    Ajo kërkoi nga të gjitha palët që tranzicioni institucional në komunat ku kanë fituar kandidatët e Listës Serbe të zhvillohet me “respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe me mundësi reale për riintegrimin e komunitetit serb”.

    Dy vjet pas sulmit në Banjskë, Britania ritheksoi thirrjen ndaj Serbisë që të bashkëpunojë për “tkurrjen e tensioneve” dhe të sigurojë “përgjegjësinë penale të autorëve të sulmit”, përfshirë dorëzimin e Milan Radoiçiqit.

    “Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, ka thënë ajo, duke shtuar se çështjet e pazgjidhura duhet të adresohen përmes dialogut.

    Në deklaratë u theksua rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që u cilësua si “element thelbësor për ndërtimin e besimit dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë”.

    Britania gjithashtu mirëpriti “angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve” në procesin e Berlinit dhe u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të fokusohen në përdorimin më efikas të resurseve të OKB-së.

    “Me presionin e shtuar mbi buxhetin e Kombeve të Bashkuara, resurset duhet të rialokohen aty ku kanë më shumë efekt, e jo të mbahen në misione të trashëguara pa mandat të qartë”, theksoi ajo, duke kërkuar “rishikim strategjik të UNMIK-ut dhe një qasje më efikase të stafit civil”.

  • 8.8 milionë euro në tenderë, hetim për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prishtinë

    8.8 milionë euro në tenderë, hetim për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prishtinë

    Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka zhvilluar një hetim lidhur me dyshimet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” në procedurat e tenderëve publikë.

    Gjatë hetimeve janë siguruar prova dhe informata që mundësojnë dyshimin se një zyrtar publik ka ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme. Vlera totale e tenderëve në fjalë tejkalon 8.8 milionë euro.

    Veprimet hetimore janë zhvilluar në bashkëpunim të vazhdueshëm me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, duke përfshirë sigurimin e dëshmive dhe masa të tjera hetimore, përfshirë sekuestrimin e pajisjeve komunikuese.

    Personi i dyshuar është intervistuar dhe, me urdhër të Prokurorisë Speciale, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
    Rasti vazhdon të hetohet dhe Policia e Kosovës dhe në bashkëpunim me organet e drejtësisë do të ndërmerren veprime tjera.

  • Titulli: Liverpool në krizë të thellë: Arne Slot nën presion pas katër humbjeve radhazi

    Titulli: Liverpool në krizë të thellë: Arne Slot nën presion pas katër humbjeve radhazi

    Liverpooli po përjeton një prej periudhave më të errëta në më shumë se një dekadë, me katër humbje radhazi që kanë tronditur klubin dhe tifozët e tij anembanë botës. Një ecuri e tillë nuk ishte parë që nga viti 2014, kur skuadra drejtohej nga Brendan Rodgers.

    Trajneri aktual, Arne Slot, po përballet me sfidën më të madhe që nga momenti kur mori drejtimin e “The Reds”. Pas një fillimi të shkëlqyer me pesë fitore radhazi që e ngritën Liverpoolin në krye të tabelës, forma e ekipit ka rënë në mënyrë dramatike. Aktualisht, skuadra renditet e katërta, me Manchester Cityn dhe Arsenalin që kanë marrë epërsinë, ndërsa humbja e fundit në “Anfield” ndaj Manchester United vetëm sa ka thelluar krizën.

    Në ndeshjet e fundit mungon fryma e njohur e Liverpoolit — ajo energji dhe presion i lartë që dikur e karakterizonte ekipin. Mungesa e një identiteti të qartë në lojë është bërë më e dukshme, ndërsa mesfusha vazhdon të mos ofrojë stabilitetin e duhur. Edhe mbrojtja, dikur një nga pikat më të forta, ka shfaqur pasiguri të theksuara.

    Arne Slot ende nuk ka arritur të gjejë ekuilibrin taktik që kërkohet në nivelet më të larta, duke lënë shumë hapësira për kundërshtarët dhe duke humbur kontrollin në momentet kyçe të ndeshjeve. Për më tepër, varësia e tepruar nga yjet si Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk e bën skuadrën më të parashikueshme dhe të lehtë për t’u neutralizuar.

    Tani, Liverpooli përballet me dy teste vendimtare — fillimisht në Ligën e Kampionëve kundër Eintracht Frankfurt, e më pas në Premier League ndaj Brentford. Dy duele që mund të përcaktojnë fatin e sezonit dhe ndoshta edhe të vetë trajnerit holandez.

    Arne Slot duhet të reagojë menjëherë për të rikthyer qartësinë taktike, moralin e skuadrës dhe besimin e humbur — përndryshe, rrezikon që sezoni të shkojë drejt një dështimi të parakohshëm.

  • Rama: Kosova republikë, nuk ka probleme territoriale me asnjë vend

    Rama: Kosova republikë, nuk ka probleme territoriale me asnjë vend

    Kryeministri Edi Rama, në panelin e Chatham House në Londër, theksoi se “nuk shoh çështje territoriale mes Kosovës e dikujt tjetër.”

    Ai theksoi se Kosova është “republikë demokratike, njohur nga Fuqitë e Mëdha” dhe se duhet të ecë përpara.

    Rama shtoi se “Kosova, për të qenë e suksesshme, duhet të harrojë Serbinë” dhe se është detyrë e Kosovës të përmbushë çdo pikë, ndërsa Europa të merret me Serbinë.

    “Nuk ka pse çështja të kthehet në problem për Beogradin dhe Prishtinën. Kosova është republikë, nuk ka probleme territoriale me asnjë vend”, përfundoi kryeministri.

  • Nëntori vendimtar për Kombëtaren e Shqipërisë: Llogaritë për Botërorin “2026”

    Nëntori vendimtar për Kombëtaren e Shqipërisë: Llogaritë për Botërorin “2026”

    Muaji nëntor do të ulë siparin e fazës kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ku do të përcaktohen skuadrat që kualifikohen direkt dhe ato që do të shkojnë në fazën play-off. Mes skuadrave që ende ruajnë shpresat për një vend në playoff është edhe Kombëtarja shqiptare, pasi Anglia e ka siguruar tashmë biletën për në Botëror.

    Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Andorrën në transfertë dhe më pas do të presin në Tiranë Anglinë e drejtuar nga Thomas Tuchel. Objektivi i skuadrës së Sylvinhos është i qartë: ruajtja e vendit të dytë në grup.

    Llogaritë për Shqipërinë

    • Kualifikimi në playoff është i sigurt nëse Shqipëria fiton të dy ndeshjet, ndaj Andorrës dhe Anglisë.

    • Nëse fitohet vetëm një nga dy sfidat, atëherë duhet pritur që Anglia të mposhtë Serbinë dhe gjithashtu Shqipërinë, për të ruajtur avantazhin në renditje.

    • Në rast se Shqipëria barazon të dyja ndeshjet, atëherë do të mbyllë grupin me 13 pikë. Këtë kuotë mund ta arrijë edhe Serbia nëse mund Letoninë, por humbet ndaj Anglisë.

    Në këtë rast, gjithçka do të vendoset nga golavarazhi, i cili aktualisht është në favor të Shqipërisë me +3 gola, ndërsa Serbia ka golavarazh 0.

    Shpresa më e madhe për kuqezinjtë është që Serbia, nëse fiton ndaj Letonisë, të mos e bëjë këtë me rezultat të thellë. Në të kundërt, Shqipëria do të detyrohej të shpresojë që Serbia të pësojë sa më shumë gola në sfidën kundër Anglisë në Londër.

    Nëse Kombëtarja i humb të dyja ndeshjet, atëherë kualifikimi në playoff bëhet praktikisht i pamundur.

    Nga ana tjetër, Serbia do të luajë në shtëpi ndaj Letonisë, një kundërshtar që e ka mposhtur edhe në transfertë. Pas humbjes kundër Shqipërisë, presioni mbi serbët është rritur ndjeshëm dhe pritet që ata të kërkojnë me çdo kusht tri pikët. /ATVLIVE.TV

  • Gol dhe asist – Zeneli ndër më të mirët e xhiros në kampionatin suedez

    Gol dhe asist – Zeneli ndër më të mirët e xhiros në kampionatin suedez

    Arbër Zeneli shkëlqeu në xhiron e fundit të kampionatit suedez, ku skuadra e tij, Elfsborg, triumfoi me rezultatin 5:1 ndaj Oster.

    30 vjeçari kontribuoi në këtë fitore duke dhënë një asist dhe duke realizuar një gol, kështu ndihmoi ekipin të marrë tre pikët e rëndësishme.

    Për shkak të paraqitjes së tij impresive, futbollisti kosovar u përfshi nga ‘SofaScore’ në formacionin më të mirë të javës. Më poshtë gjeni formacionin më të mirë:

  • Edon Zhegrova në listën zyrtare të Juventusit për ndeshjen ndaj Real Madridit

    Edon Zhegrova në listën zyrtare të Juventusit për ndeshjen ndaj Real Madridit

    Edon Zhegrova është përfshirë në listën zyrtare të Juventusit për ndeshjen ndaj Real Madridit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, që do të zhvillohet nesër (e mërkurë) në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’ nga ora 21:00.

    Sulmuesi shqiptar ka punuar intensivisht gjatë javëve të fundit dhe trajneri Igor Tudor, ka vendosur ta përfshijë në skuadër si një opsion i rëndësishëm për këtë përballje të madhe.

    Ky është një lajm i mirë për tifozët kosovar dhe për vetë futbollistin, i cili kërkon të tregojë vlerat e tij në një nga kompeticionet më prestigjioze në botë, duke kontribuar për suksesin e ‘Zonjës së vjetër’ kundër njërës prej skuadrave më të forta në botë.

    Ndeshja pritet të jetë sfiduese, por prania e Zhegrovës në listë tregon besimin e trajnerit në aftësitë e tij për të bërë diferencën në fushë. /ATVLIVE.TV

  • Ostlund shpall listën e Kosovës në hendboll për ndeshjet me Britaninë e Madhe

    Ostlund shpall listën e Kosovës në hendboll për ndeshjet me Britaninë e Madhe

    Suedezi Jesper Ostlund më 2 shtator është zyrtarizuar në postin e përzgjedhësit të Kosovës në hendboll, ndërsa të martën e ka shpallur listën e parë të tij.

    Selektori i ri ka ftuar 18 hendbollistë për ndeshjet me Britaninë e Madhe, që i takojnë fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027.

    Ostlund do të debutojë të mërkurën e javës së ardhshme, më 29 tetor, në ndeshjen në Derby të Anglisë. Ndeshja Kosovë – Britani e Madhe zhvillohet të dielën, më 2 nëntor, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe synimi është kualifikimi në raundin e dytë.

    Te Kosova ka mungesa të rëndësishme, por edhe emra të rinjë. Mungojnë kapiteni Valon Dedaj, kapiteni i dytë, Kastriot Jupa, si dhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm. Ndërkohë në listë është Gzim Salihi, lojtari që bën karrierë në Suedi.

    Për herë të parë janë ftuar edhe pivotët Ardit Tafilaj e Muhamet Durmishi. Tafilaj luan për Rahovecin, ndërsa Durmishi bënë karrierë në Gjermani.

    Kombëtarja jonë grumbullohet të dielën, më 26 tetor në Prishtinë. Stërvitja e parë është po të dielën nga ora 18:00 në palestrën në Lipjan.

    Të hënën janë dy stërvitje, ndërsa të martën është udhëtimi për në Britani të Madhe.

    Selektori Ostlund do të asistohet nga Jasmin Zhuta. /ATVLIVE.TV