ATV

Blog

  • Tentoi të kontrabandojë veshje të ndryshme nga Shqipëria në Kosovë, kapet tregtari 43-vjeçar

    Tentoi të kontrabandojë veshje të ndryshme nga Shqipëria në Kosovë, kapet tregtari 43-vjeçar

    Një rast i tentativës për kontrabandë mallrash drejt Kosovës është goditur nga policia në Kukës, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të zhvilluar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, është sekuestruar një automjet dhe disa thasë me veshje të ndryshme që po tentoheshin të kontrabandoheshin përtej kufirit.

    “Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kontrabandë mallrash, shërbimet e DVKM Kukës kanë ndaluar në aksin rrugor që lidh fshatrat Pogaj dhe Gorozhub, Kosovë, automjetin me drejtues shtetasin V. D.”, thuhet në njoftim.

    Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti disa thasë me veshje të ndryshme, të cilat 43-vjeçari po tentonte t’i kontrabandonte në Kosovë. Mallrat dhe automjeti janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

    Në përfundim të veprimeve procedurale, “specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. D., 43 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale ‘Transporti i mallrave kontrabandë’ dhe ‘Fshehja e të ardhurave’”, thuhet më tej.

    Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

  • Kurti nga Franca: Europa përfiton nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO

    Kurti nga Franca: Europa përfiton nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Paris, ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO.

    Deklaratat e tij u bënë gjatë darkës së shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të larta politike, diplomatike dhe ekonomike të Francës, siç ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës.

    “Ai tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në vetë interesin ekonomik dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij. Në këtë drejtim, ai shtoi se u përket atyre që besojnë se zgjerimi i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe reformat e brendshme të tij shkojnë krah për krah. Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë, dhe vetëm një Evropë që dëshiron të zgjerohet nga jashtë mund të reformohet suksesshëm nga brenda; zgjerimi i jashtëm dhe reformat e brendshme janë njëkohësisht mundësi dhe kushte të njëra-tjetrës”, citohet në njoftimin e qeverisë.

    Tutje, Kurti ka theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve demokratike për avancimin e shoqërive dhe përballimin e sfidave të përbashkëta.

    Kryeministri në detyrë sot merr pjesë edhe në edicionin e tetë të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron, forum ky që mblodhi liderë nga e gjithë bota.

  • Tottenham në telashe të mëdha para ndeshjes me Newcastle

    Tottenham në telashe të mëdha para ndeshjes me Newcastle

    Ekipi elitar i Premier Ligës, Tottenham Hotspur, po përballet me një krizë të thellë përpara ndeshjes së sotme kundër Newcastle United, në kuadër të Carabao Cup, raportojnë mediat angleze.

    Skuadra londineze është në një emergjencë të plotë, pasi për këtë përballje do t’i mungojnë plot dhjetë lojtarë të rëndësishëm:

    Romero, Udogie, Solanke, Davies, Drăgușin, Kulusevski, Bissouma, Takai, Maddison, si dhe Archie Gray, i cili është lënduar së fundmi.

    Këto mungesa janë një kokëçarje e madhe për trajnerin Thomas Frank, pasi në total ai do të ketë në dispozicion vetëm 15 futbollistë për ndeshjen në “St James’ Park”.

    Mesfushori 19-vjeçar Archie Gray pritet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën katër javë.

    Kapiteni Cristian Romero është ende në fazë rikuperimi nga një dëmtim muskulor, ndërsa Dominic Solanke, ‘transferimi rekord’ i klubit, mungon për shkak të një problemi në kyçin e këmbës.

    Nga ana tjetër, Destiny Udogie ka humbur tri ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi në gju.

    Në konferencën për shtyp, trajneri Thomas Frank deklaroi se disa lojtarë janë rikthyer në stërvitje, por ende nuk janë gati për lojë.

    Ndeshja mes Tottenhamit dhe Newcastle United, e vlefshme për xhiron e katërt të Carabao Cup, do të zhvillohet sonte, duke nisur nga ora 21:00. /ATVLIVE.TV

  • Obeziteti i tepërt rrit rrezikun e vdekjes së hershme për 50 për qind

    Obeziteti i tepërt rrit rrezikun e vdekjes së hershme për 50 për qind

    Kur këta persona krahasohen me personat me peshë normale, rreziku për vdekje të hershme është 50 për qind më shumë.

    Obeziteti i tepërt rrit rrezikun e vdekjes së hershme për 50 për qind, thonë shkencëtarët.

    Sipas lajmit të SkyNews, ekspertët të cilët kanë hulumtuar gjendjet shëndetësore dhe shkaqet e vdekjeve të 2.8 milionë të rriturve në Britaninë e Madhe, zbuluan se personat me indeksin e masës trupore 40 deri në 45 kanë rrezik të vdekjes së hershme për 50 për qind më shumë.

    Te personat me obezitet të tepërt, rreziku i diabetit Tip 2 është rritur në 12 herë më shumë, apnea e gjumit 22, sëmundje të zemrës, shtypje të lartë dhe vajosje e tepruar në gjak 3 herë më shumë.

    Kur këta persona krahasohen me personat me peshë normale, rreziku për vdekje të hershme është 50 për qind më shumë.

    Gjetjet e hulumtimit janë shpërndarë në Glasgow në Kongresin e Obezitetit të Evropës.

    Indeksi i masës trupore mes 18.5 dhe 24.9 për të rriturit pranohet si indeks ideal.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që nga viti 1975 numri i obezëve në mbarë botën është rritur për 3 herë më shumë.

  • Michelle Obama zbulon “rregullin sekret”, thotë se para takimeve romantike s’flasim me bashkëshortin

    Michelle Obama zbulon “rregullin sekret”, thotë se para takimeve romantike s’flasim me bashkëshortin

    Michelle Obama ka zbuluar një rregull të veçantë që ajo dhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ndjekin për të ruajtur shkëndijën në martesën e tyre: në ditët kur kanë planifikuar ndonjë takim romantik, ata nuk flasin fare gjatë ditës.

    “I kemi 32, 33 vjet martesë… gjithmonë harroj saktësisht. Më fal, i dashur”, ka thënë Michelle me humor për revistën “People”. “Kur kemi takime romantike, zakonisht qëndrojmë në shtëpi. Nuk vishemi shumë. Thjesht hamë një darkë të mirë, ndezim qirinj, lëshojmë muzikë dhe bisedojmë. Por gjatë ditës nuk flasim, sepse jemi bashkë gjithë kohës në shtëpi”, ka treguar ajo.

    Sipas saj, kjo “heshtje e qëllimshme” ndihmon që bisedat të jenë më interesante dhe më intime gjatë darkës.

    “Ne të dy punojmë nga shtëpia, kështu që kur duam një mbrëmje të veçantë, themi diçka të tillë si: ‘Mos më fol tani. Ruaje për darkë’. Ai më pyet: ‘A fole me vajzat?’ dhe unë i them ‘Po, por s’do flasim për këtë derisa të vijë darka jonë’”, ka shtuar ish-zonja e parë e SHBA-së.

    Michelle ka pranuar me të qeshur se ndonëse ndonjëherë dalin për darkë jashtë, kufizohen për shkak të lodhjes.

    “Ndonjëherë dalim për darkë në Uashington apo diku tjetër, por jam shumë e lodhur për darkë dhe film bashkë. Do të më zërë gjumi në kinema, kështu që themi: ‘Zgjidh njërën nga këto dyja’”, ka shpjeguar ajo.

    Në moshën 61-vjeçare, ajo thotë se ndihet më “e gjallë dhe energjike se kurrë”, por pranon se nuk i reziston tundimit për të ngjyrosur flokët e thinjura.

    “Nuk më shqetësojnë flokët e thinjur, por po, i ngjyros! Edhe nëna ime ishte e tillë, ajo i ngjyrosi flokët deri në ditën që vdiq. Nuk bëj shumë gjëra të tjera, për fat të mirë, lëkura ime më ndihmon, siç themi ne, ‘black don’t crack’ (lëkura e zezë nuk rrudhet)”, ka thënë Michelle.

    Ajo ka theksuar se kujdesi për shëndetin ka qenë gjithmonë prioritet për të.

    “Shëndeti ka qenë gjithmonë më i rëndësishëm — çfarë ha, stërvitja, vizitat te mjeku — të gjitha këto më ndihmojnë të shijoj këtë periudhë të jetës. Ndihem më energjike se kurrë më parë. Vajzat e mia janë të rritura, të shëndetshme e të lumtura. Burri im është mirë. Gjithçka është në vendin e vet”, ka thënë ajo.

    Michelle ka publikuar së fundmi librin “The Look”, të shkruar bashkë me stilisten e saj Meredith Koop, ku tregon historinë pas zgjedhjeve të saj të gardërobës gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë.

    “Tani jemi ish-presidenti dhe ish-zonja e parë, dhe ndjej se për herë të parë në jetën time, kur them apo bëj diçka, qoftë në këtë intervistë apo në këtë libër, janë plotësisht zgjedhjet e mia. Kjo ndjesi është çliruese”, ka përfunduar ajo.

  • Drenica rikthehet me stil – përmbys Dritën dhe i jep fund serisë së humbjeve

    Drenica rikthehet me stil – përmbys Dritën dhe i jep fund serisë së humbjeve

    Pas katër humbjeve radhazi, Drenica është rikthyer te fitorja duke mposhtur Dritën me rezultat 3-1 në ndeshjen e zhvilluar në Skenderaj.

    Pjesa e parë ishte e qetë dhe pa shumë raste, pasi të dy skuadrat u fokusuan kryesisht në lojën e mesfushës.

    Në fillim të pjesës së dytë, mysafirët nga Gjilani kaluan në epërsi me golin e Albert Dabiqajt, i cili shënoi me kokë në minutën e 56-të për 0-1.

    Megjithatë, reagimi i Drenicës ishte i menjëhershëm. Në minutën e 64-të, Ronaldo Chacón barazoi rezultatin në 1-1, ndërsa vetëm nëntë minuta më vonë, venezueliani depërtoi bukur në zonë dhe përmbysi rezultatin në 2-1.

    Kuqezinjtë nuk u ndalën as aty — në minutën e 76-të, Kreshnik Uka realizoi me një goditje të fuqishme për 3-1, duke vulosur fitoren.

    Pavarësisht përpjekjeve të Dritës në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshoi dhe tri pikët mbetën në Skenderaj.

    Me këtë fitore, Drenica ngjitet në vendin e gjashtë të tabelës me 14 pikë, ndërsa Drita mbetet e katërta me 17 pikë.

    Në ndeshjen tjetër Drenica do të jetë mysafir i Prishtinës së Re, ndërsa Drita pret në shtëpi Llapin. /ATVLIVE.TV

  • Ferizaj nuk fal në shtëpi – tre gola për rikthim te fitorja

    Ferizaj nuk fal në shtëpi – tre gola për rikthim te fitorja

    Ferizaj është rikthyer te fitorja në kampionat, pasi ka mposhtur Prishtinën e Re me rezultat të pastër 3-0.

    Skuadra vendase e nisi ndeshjen më mirë dhe arriti të kalojë në epërsi pas vetëm 20 minutash lojë, falë golit të talentit të ri Erion Sadriu, i cili shënoi për 1-0.

    Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Ferizajt, ndërsa në pjesën e dytë vendasit vazhduan të ishin më të rrezikshëm në fushë.

    Në minutën e 70-të, Jakup Berisha realizoi një gol të bukur duke dyfishuar epërsinë në 2-0.

    Në minutat e fundit të takimit, Remzifaik Selmani vulosi fitoren me golin e tretë për rezultatin përfundimtar 3-0.

    Falë këtij triumfi, Ferizaj ngjitet në pozitën e tetë të tabelës me 13 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet në vendin e fundit me vetëm 7 pikë.

    Në ndeshjen e radhës Ferizaj do të jetë mysafir i Ballkanit, ndërsa Prishtina e Re pret Drenicën. /ATVLIVE.TV

  • Llapi ndal liderin Prishtina – fitore 2:1 në “Zahir Pajaziti”

    Llapi ndal liderin Prishtina – fitore 2:1 në “Zahir Pajaziti”

    Lideri i kampionatit, Prishtina, është mposhtur në kuadër të javës së 11-të të Superligës, pasi Llapi ka arritur fitore me rezultat 2:1 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

    Skuadra llapjane kaloi në epërsi në minutën e 40-të me golin e Edon Sadriut, pas një asisti të saktë nga Muhamet Hyseni.

    Në pjesën e dytë, Llapi e dyfishoi avantazhin në minutën e 53-të, kur Axel Gnapi shënoi për 2:0 pas asistimit të Arianit Hasanit.

    Prishtina arriti të ngushtojë rezultatin në minutën e 68-të me golin e Kryeziut, por nuk ia doli të shmangë humbjen.

    Kështu, Prishtina ndalet pas shtatë ndeshjeve pa humbje, por mbetet lidere e kampionatit me 35 pikë, ndërsa Llapi ngjitet në vendin e pestë me 16 pikë.

    Në ndeshjen tjetër Llapi luan si mysafir i Dritës, ndërsa Prishtina pret në shtëpi Gjilanin./ATVLIVE.TV

  • Rasti më i gjatë i emigracionit në histori të Britanisë përfundon në favor të një shqiptari, zgjati 26 vjet

    Rasti më i gjatë i emigracionit në histori të Britanisë përfundon në favor të një shqiptari, zgjati 26 vjet

    Një emigrant shqiptar ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar pas një beteje ligjore që zgjati plot 26 vjet, në një nga rastet më të gjata të emigracionit në historinë e vendit.

    Sipas The Telegraph Gentian Hoti, 41 vjeç, mbërriti në Britani në vitin 1999 në moshën 15-vjeçare, duke kërkuar azil dhe pretenduar se ishte nga Kosova, ndërkohë që në të vërtetë kishte lindur në Shqipëri në vitin 1984.

    Në dokumentet e paraqitura ai deklaroi se ishte viktimë e autoriteteve serbe dhe se ishte ndarë nga familja gjatë arratisjes.

    Kërkesa e tij për azil u refuzua, por iu dha leje e jashtëzakonshme për të qëndruar deri në vitin 2003. Më pas, Hoti u vu nën kujdesin e autoriteteve lokale dhe në 2004 mori leje qëndrimi me afat të pacaktuar.

    Në vitin 2005 ai mori shtetësinë britanike, por në 2010 nisi një hetim për identitetin e tij, dhe në qershor 2019 i u hoq shtetësia me arsyetimin se kishte përdorur “një identitet të rremë”.

    Hoti apeloi vendimin, dhe gjykata më në fund vendosi në favor të tij, duke konstatuar se që nga viti 2013 ai kishte pranuar origjinën e tij shqiptare.

    Pas më shumë se dy dekadash betejë ligjore, Gentian Hoti e ruan tani të drejtën për të mbajtur shtetësinë britanike.

  • Rritja e konsumit të energjisë, KEDS-i ankohet për mbingarkesë në rrjet

    Rritja e konsumit të energjisë, KEDS-i ankohet për mbingarkesë në rrjet

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se gjatë muajit tetor është shënuar një rritje prej 18.5 për qind në konsumin e energjisë elektrike, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sipas njoftimit të KEDS-it, arsyeja kryesore e kësaj rritjeje është përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje, pas rënies së temperaturave.

    “Kërkesa më e lartë sesa kapacitetet e rrjetit po shkakton mbingarkesa, sidomos gjatë orëve të pikut,” thuhet në njoftim.

    KEDS ka apeluar te qytetarët që të përdorin energjinë në mënyrë racionale dhe të kujdesshme, për të zvogëluar presionin mbi rrjetin elektrik dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët.