ATV

Blog

  • Ftohet Zeqiri, mungon Jashari – Kombëtarja e Zvicrës publikon listën

    Ftohet Zeqiri, mungon Jashari – Kombëtarja e Zvicrës publikon listën

    Kombëtarja e Zvicrës ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ku do të përballet me Suedinë dhe Kosovën.

    Trajneri Murat Yakin ka përfshirë në listë tre futbollistë me origjinë shqiptare: Andi Zeqiri, Ardian Bajrami dhe Granit Xhaka.

    Në listë mungon Ardon Jashari, ndonëse mesfushori i ri është rikthyer së fundmi në stërvitje me skuadrën e tij, AC Milan.

    Zvicra do të zhvillojë fillimisht ndeshjen ndaj Suedisë më 15 nëntor, ndërsa më 18 nëntor do të përballet me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Për momentin Zvicra kryeson në grup me 10 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Kosova me 7 pikë. Në vendin e tretë është Sllovenia me 3 pikë dhe me vetëm një pikë është Suedia në vend të fundit. /ATVLIVE.TV

  • Zhegrova fiton zemrën e Del Pieros – Spalletti gjen armën e re te Juventusi

    Zhegrova fiton zemrën e Del Pieros – Spalletti gjen armën e re te Juventusi

    Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka komentuar paraqitjen e sulmuesit shqiptar Edon Zhegrova, duke e cilësuar si një futbollist që sjell rrezik të vazhdueshëm për mbrojtjet kundërshtare.

    “Tani për tani, Spalletti duhet t’i menaxhojë sulmuesit taktikisht, fizikisht dhe në aspektin e ndikimit. Zhegrova është dikush që të jep ndjesinë se mund të të lëndojë — diçka që duhet të jetë e pranishme gjatë të gjitha 90 minutave,” – deklaroi Del Piero.

    Zhegrova u aktivizua në minutën e 71-të të ndeshjes së fundit ndaj Sporting CP, duke sjellë freski në lojën e Juventusit. Ai tregoi disa momente të shkëlqyera me driblime të shpejta dhe shpeshherë u ndal me faulle nga mbrojtësit portugezë.

    Sulmuesi nga Kosova nuk kishte qenë pjesë e formacionit në disa ndeshje nën drejtimin e Igor Tudor, por duket se po fiton më shumë besim nga trajneri aktual Luciano Spalletti. Ai kontribuoi edhe në fitoren 2-1 ndaj Cremoneses, duke dhënë sinjale pozitive për vazhdimësinë e tij te “Zonja e Vjetër”.

    Megjithatë, Juventus vazhdon të hasë vështirësi në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Bardhezinjtë barazuan 1-1 me Sporting dhe, me katër xhiro të mbetura, kanë grumbulluar vetëm 3 pikë, duke rrezikuar seriozisht të mos arrijnë as në fazën e play-offit.

    Në këtë situatë, Zhegrova shihet si një nga pak shpresat që mund të ndryshojë dinamikën e skuadrës, ndërsa Spalletti kërkon nga lojtarët e tij angazhim maksimal në përballjet vendimtare që e presin Juventusin. /ATVLIVE.TV

  • Vazhdon Superliga e Kosovës në hendboll – në mesjavë zhvillohen ndeshjet e xhiros së shtatë

    Vazhdon Superliga e Kosovës në hendboll – në mesjavë zhvillohen ndeshjet e xhiros së shtatë

    Pas përfundimit të angazhimeve të Kombëtares së Kosovës në hendboll, këtë mesjavë rikthehet gara në Superligën e Kosovës në konkurrencën e meshkujve, ku në program është xhiroja e shtatë.

    Sonte (e mërkurë) zhvillohet ndeshja mes Vushtrrisë dhe Kastriotit, e cila fillon nga ora 20:00 në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.

    Ndërkaq, edhe dueli tjetër në mes të Besa Famgas dhe Vëllaznimit, pritet të jetë një nga sfidat më interesante të javës, që do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi” të Pejës.

    Dy ndeshje të tjera do të luhen të enjten. Nga ora 19:00, në Podujevë përballen Rahoveci dhe Llapi. Kampioni në fuqi, Rahoveci, do të jetë formalisht vendas, por për shkak se palestra “Mizahir Isma” është në shërbim të KQZ-së, ndeshja zhvillohet në Podujevë në palestrën “Hakif Zejnullahu”.

    Po të enjten, nga ora 19:30, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, do të përballen Prishtina dhe Trepça.

    Me nga katër fitore dhe një humbje, e me tetë pikë të grumbulluara deri tani – kryesojnë në tabelë Rahoveci, Kastrioti dhe Vëllaznimi. Ndërsa Vushtrria është e fundit me zero pikë. /ATVLIVE.TV

  • 68 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba

    68 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Sipas raportit të policisë, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ku 27 kanë qenë me lëndime, ndërsa 41 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 17 persona, ndërkaq 16 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2173 gjoba.

  • Australia ndalon Reddit për fëmijët nën 16 vjeç

    Australia ndalon Reddit për fëmijët nën 16 vjeç

    Forumi i njohur Reddit i është shtuar listës së mediave sociale të ndaluara në Australi për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.

    Platforma e transmetimeve të drejtpërdrejta, Kick, i është shtuar gjithashtu listës, duke bërë që numri i faqeve të ndaluara të shkojë në nëntë. Këtu përfshihen edhe Facebook, X, Snapchat, TikTok, YouTube, Instagram dhe Threads.

    Nga 10 dhjetori, kompanitë teknologjike do të dënohen deri në 50 milionë dollarë australian nëse nuk marrin hapat e duhur për të deaktivizuar llogaritë ekzistuese për personat nën moshën 16-vjeçare dhe për të ndaluar ata që duan t’i hapin.

    “Ndalimi i qasjes së fëmijëve në rrjetet sociale do t’u japë atyre kohën që të mësojnë dhe të rriten, të çliruar nga forcat që dëmtojnë ata”, ka thënë komisionerja australiane për Sigurinë Elektronike, Julie Inman Grant.

    Shërbimet e mesazheve Discord dhe WhatsApp, si dhe platformat e lojërave Lego Play dhe Roblox nuk do të përfshihen, as Google Classroom dhe YouTube Kids.

    Nuk është e qartë se si kompanitë do ta zbatojnë ndalimin, i cili po monitorohet nga afër nga liderët globalë, por disa nga metodat e mundshme përfshijnë përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit, miratimin prindëror dhe teknologjinë e njohjes së fytyrës.

  • Trepça përballet sonte me PAOK-un në “Minatori” në kuadër të FIBA Europe Cup

    Trepça përballet sonte me PAOK-un në “Minatori” në kuadër të FIBA Europe Cup

    Kampionia e Kosovës, Trepça, do të ketë një sfidë shumë të vështirë sonte, ku do të përballet me skuadrën e njohur greke, PAOK.

    Ndeshja zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, duke filluar nga ora 18:30, në kuadër të fazës së grupeve të FIBA Europe Cup.

    Në një grup tepër të fortë, “Xehetarët” ende nuk kanë arritur të gjejnë fitoren e parë, pasi kanë tri humbje, ndërsa PAOK ka regjistruar dy fitore dhe një humbje.

    Në këtë edicion, Trepça ka pësuar dy humbje në shtëpi:

    nga Braunschweig me rezultat 84:70,

    dhe nga Anwil me rezultat 97:87.

    Në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave, që u zhvillua në Greqi, PAOK kishte triumfuar me rezultat 85:74. /ATVLIVE.TV

  • Nata e Ligës së Kampionëve: Nëntë përballje emocionuese në xhiron e katërt

    Nata e Ligës së Kampionëve: Nëntë përballje emocionuese në xhiron e katërt

    Sot (e mërkurë) zhvillohen edhe nëntë ndeshje të tjera në kuadër të xhiros së katërt të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

    Pas spektaklit të mbrëmjes së martë, ku u panë disa përballje të zjarrta, tani radha i takon natës së sotme, e cila pritet të sjellë futboll të bukur dhe emocione të reja, megjithëse pa ndonjë derbi të madh në kalendar.

    Vëmendja kryesore do të jetë në “Etihad Stadium”, ku Manchester City pret Borussia Dortmundin në një ndeshje që pritet të prodhojë shumë gola dhe ritëm të lartë.

    Takime tërheqëse priten edhe në sfidat Newcastle – Athletic Bilbao, Ajax – Galatasaray, Benfica – Bayer Leverkusen dhe Marseille – Atalanta.

    Përveç tyre nga ora 21:00, në fushë zbresin edhe Interi dhe Barcelona.

    Skuadra italiane pret atë të kazakistanit Kairat Almaty, ndërsa katalanasit udhëtojnë në Belgjikë për duelin ndaj Club Brugge.

    Mbrëmja do të nis më herët, me dy ndeshje nga ora 18:45:

    Ekipi nga Azerbajxhani Qarabag do të pres atë anglez Chelsea dhe ekipi qipriot Pafos pret atë spanjoll Villarreal, që hapin rrugën për një natë të gjatë evropiane. /ATVLIVE.TV

  • Zyrtar i BE-së plagoset me mjet të mprehtë, rasti hetohet si “vrasje në tentativë”

    Zyrtar i BE-së plagoset me mjet të mprehtë, rasti hetohet si “vrasje në tentativë”

    Një zyrtar i Zyrës së Bashkimit Evropian po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare pas plagëve të rënda që dyshohet se mori nga një mjet i mprehtë.

    Viktima, rreth 49-vjeçar, i cili gëzon imunitet diplomatik, është transportuar në Prishtinë për shkak të gjendjes shëndetësore.

    Sipas raportimeve, ai fillimisht u paraqit i plagosur në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare Gjakovë më 4 nëntor. Mjekët konfirmuan se personi ka dy plagë shpuese, një në qafë dhe një në gjoks.

    Për shkak të plagëve të marra, ai nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë.

    Prokuroria e Krimeve të Rënda ka iniciuar hetimet për rastin, të cilin e ka cilësuar si “Vrasje në tentativë”. Ndërkohë, rrethanat e sakta të ngjarjes dhe vendndodhja ku ka ndodhur plagosja mbeten ende të panjohura për autoritetet.

  • “Planifikojmë ta bëjmë pas Kampionatit Botëror – bashkë me trofeun”, Ronaldo zbulon planet e dasmës me Georginan

    “Planifikojmë ta bëjmë pas Kampionatit Botëror – bashkë me trofeun”, Ronaldo zbulon planet e dasmës me Georginan

    Cristiano Ronaldo ka treguar së fundmi se dasma e tij me partneren e shumëvjeçare, Georgina Rodriguez, mund të ndodhë vetëm pasi ai të përmbushë një tjetër ëndërr të madhe në karrierë: fitimin e Kupës së Botës 2026 me Portugalinë.

    Në një intervistë të re, superylli portugez pranoi se planet për martesë kanë qenë prej kohësh pjesë e diskutimeve të çiftit, por të dy presin momentin e duhur. “E kishim planifikuar ta bënim pas Kupës së Botës – me trofeun”, tha Ronaldo, duke lënë të kuptohet se ideja e kurorëzimit vjen e lidhur me një sukses historik për kombëtaren e tij.

    Ronaldo zbuloi gjithashtu se Georgina preferon një ceremoni të qetë dhe intime, larg syrit të publikut. “Ajo nuk i pëlqen festat e mëdha. Do të respektoj vendimet e saj”, u shpreh sulmuesi, i cili madje e ftoi moderatorin Piers Morgan të jetë pjesë e ‘stag party’-t të tij.

    Në vitin 2026, Ronaldo do të jetë 41 vjeç, por megjithatë mbetet i vendosur të udhëheqë Portugalinë drejt një tjetër suksesi madhor. Kombëtarja portugeze pritet të ketë një skuadër të fortë dhe ambicioze në Botërorin e Amerikës së Veriut, ndërsa vetë Ronaldo shpreson ta mbyllë karrierën ndërkombëtare me një triumf historik.

    Ndërsa pritshmëritë rriten, fansat po ashtu presin me kureshtje nëse ëndrra e tij për trofeun – dhe më pas dasmën – do të bëhet realitet. /Telegrafi/

  • Avioni në ShBA shpërthen në flakë pas ngritjes – humbin jetën 7 persona, 11 të tjerë të plagosur

    Avioni në ShBA shpërthen në flakë pas ngritjes – humbin jetën 7 persona, 11 të tjerë të plagosur

    Shtatë persona humbën jetën dhe të paktën 11 të tjerë u plagosën kur një aeroplan mallrash i kompanisë UPS u rrëzua dhe shpërtheu në flakë gjatë ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Louisville Muhammad Ali, mbrëmjen e së martës.

    Guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, deklaroi se tre anëtarët e ekuipazhit ndoshta janë mes viktimave. “Kushdo që ka parë imazhet e përplasjes e di se sa i dhunshëm ishte ky incident”, deklaroi ai.

    Fluturimi 2976 i UPS, me destinacion Honolulu, Hawaii, transportonte rreth 38,000 gallonë (144,000 litra) karburant kur doli nga pista dhe goditi disa ndërtesa aty pranë, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme dhe re të dendura tymi.

    Zjarri përfshiu të paktën dy biznese afër aeroportit, përfshirë një kompani riciklimi nafte. Autoritetet shpallën fillimisht një urdhër strehimi për banorët brenda një rrezeje prej pesë miljesh për shkak të rrezikut nga ndotja dhe shpërthime të mundshme, i cili më pas u reduktua në një milje.

    Shefi i zjarrfikësve të Louisville, Brian O’Neill, tha se zjarri është “pothuajse nën kontroll”, por ekipet po vijojnë kërkimet për viktima të tjera. “Na duhen qindra persona për ta izoluar dhe për ta shuar plotësisht një zjarr të kësaj shkalle, shtoi ai.

    Të gjitha fluturimet e nisjes në aeroport u anuluan, ndërsa vendi i rrëzimit do të mbetet “skenë aktive për disa ditë”, sipas policisë lokale.

    Guvernatori Beshear u kërkoi qytetarëve të mos afrohen në zonë, duke paralajmëruar për rrezikun e materialeve të ndezshme. Ai tha se Byroja Kombëtare e Sigurisë së Transportit (NTSB) do të drejtojë hetimin mbi shkaqet e aksidentit, me ekipin hetimor që pritet të mbërrijë në Kentucky këtë të mërkurë (5 nëntor).