ATV

Blog

  • Zejnullah Gashi dekretohet Kryeprokuror i Shtetit

    Zejnullah Gashi dekretohet Kryeprokuror i Shtetit

    Zejnullah Gashi është dekretuar në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Kështu ka njoftuar ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi në Facebook, duke bërë të ditur se vendimi është marrë pas një shqyrtimi të kujdesshëm të propozimit dhe dokumentacionit të dërguar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

    Sipas Haxhiut, në procesin e shqyrtimit janë përfshirë edhe informacionet e institucioneve kompetente të sigurisë, si dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.

    Ajo ka theksuar se vendimi është marrë duke pasur parasysh rëndësinë e funksionit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.

    “Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues. Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo i ka uruar Gashit sukses në detyrën e re, duke shprehur pritjen që ai ta ushtrojë funksionin me integritet të lartë profesional e moral, paanshmëri dhe guxim, duke vepruar gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

  • Franca shfaq fuqinë ushtarake, Zelensky i ftuar nderi në paradë

    Franca shfaq fuqinë ushtarake, Zelensky i ftuar nderi në paradë

    Franca ka zhvilluar paradën më të madhe ushtarake të mbajtur ndonjëherë për Ditën e Bastijës, duke shfaqur forcën e saj ushtarake dhe mbështetjen për Ukrainën mes tensioneve të vazhdueshme me Rusinë.

    Në paradën e udhëhequr nga presidenti Emmanuel Macron morën pjesë rreth 6.700 ushtarë, 98 avionë, 31 helikopterë dhe 315 mjete ushtarake. I ftuari i nderit ishte presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ndërsa të pranishëm ishin edhe dhjetëra liderë evropianë.

    Në paradë marshuan edhe rreth 500 ushtarë nga vendet e të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”, si dhe 25 ushtarë ukrainas, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

    Macron tha se Evropa duhet të jetë e gatshme të mbrojë lirinë dhe sigurinë e saj, duke theksuar se paqja mbetet qëllimi kryesor, por se kontinenti duhet të jetë i përgatitur të luftojë nëse është e nevojshme.

    Parada e këtij viti u mbajt gjithashtu në 10-vjetorin e sulmit terrorist në Nicë, ku një kamion goditi turmën gjatë festimeve të 14 Korrikut, duke vrarë 86 persona dhe plagosur mbi 400 të tjerë.

  • BE-ja paralajmëron masa ndaj importeve të lira nga Kina

    BE-ja paralajmëron masa ndaj importeve të lira nga Kina

    Bashkimi Evropian pritet të marrë masa të reja për të kufizuar importet e lira nga Kina, të cilat sipas zyrtarëve evropianë po dëmtojnë industrinë vendore.

    Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Tregti në Komisionin Evropian, Denis Redonnet, tha se BE-ja do të miratojë masa mbrojtëse të njëanshme para afatit të tetorit, nëse nuk ka përparim në bisedimet me Kinën.

    Sipas tij, Komisioni Evropian do të shqyrtojë disa sektorë dhe do të përpiqet të ulë nivelin e importeve kineze që po krijojnë presion mbi prodhuesit evropianë.

    Industria e çelikut, kimikateve, makinerive dhe elektronikës janë ndër sektorët më të prekur nga konkurrenca e produkteve kineze me çmime të ulëta.

    BE-ja tashmë ka rritur tarifat për disa importe të çelikut dhe ka ulur kuotat e importit, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

    Zyrtarët evropianë kanë bërë të ditur se masa të ngjashme mund të zbatohen edhe në fusha të tjera.

    Komisioni Evropian po shqyrton gjithashtu përdorimin e tarifave kundër subvencioneve kineze, pasi Pekini akuzohet se mbështet eksportet e kompanive të tij me ndihma shtetërore.

    Tensionet tregtare mes BE-së dhe Kinës janë rritur për shkak të shqetësimeve se produktet kineze po mbushin tregun evropian dhe po kërcënojnë prodhimin vendas.

  • Deklarata e ministres serbe për Kosovën, PD-ja kërkon shpalljen “non grata” të Snezhana Paunoviq

    Deklarata e ministres serbe për Kosovën, PD-ja kërkon shpalljen “non grata” të Snezhana Paunoviq

    Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar pas deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, ndaj Kosovës, duke thënë se ajo meriton të shpallet person “non grata” dhe të paditet për nxitje të gjenocidit.

    Në reagimin zyrtar, PD-ja ka dënuar deklaratën e Paunoviqit, duke e cilësuar si raciste dhe antishqiptare, ndërsa ka thënë se ajo bie ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

    “Këto ditë, në media ka qarkulluar një deklaratë ultraraciste dhe antishqiptare e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, në qeverinë e padronit të Edi Ramës, Aleksander Vuçiçit.

    Në këtë deklaratë, ajo shprehet: “Po të isha në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën.”

    Me këtë deklaratë, kjo figurë e ultranacionalizmit serb shpreh keqardhje që xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi, me operacionin e tij “Patkoi” dhe me gjenocidin e fundit serb ndaj shqiptarëve, nuk arriti t’i dëbonte ata nga trojet e tyre mijëvjeçare”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.

    Më tej, PD-ja ka theksuar se dënon qëndrimet e tilla, si dhe ka kritikuar reagimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama përballë deklaratave të tilla.

    “Partia Demokratike e dënon me forcë deklaratën raciste dhe antishqiptare të kësaj përfaqësueseje të ultranacionalizmit primitiv serb, si edhe qëndrimin e Edi Ramës dhe të narkoqeverisë së tij përballë deklaratave të tilla çnjerëzore dhe nxitëse të urrejtjes, të cilat bien ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Shpallja e saj non grata dhe paditja për nxitje të gjenocidit janë të vetmet qëndrime që ajo meriton”, thuhet në deklaratën zyrtare të Partisë Demokratike.

  • Rama: Këtë javë pritet të përfundojë lidhja e rrugës “A” me rrugën “B”

    Rama: Këtë javë pritet të përfundojë lidhja e rrugës “A” me rrugën “B”

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se gjatë kësaj jave pritet të përfundoj lidhja e rrugës “A” me rrugën “B”.

    Përmes një postimi në rrjetin social në Fcebook Rama, bëri të ditur se ekipet janë duke punuar në terren dhe se ky investim synon të lehtësojë qarkullimin.

    Tutje thuhet se po vazhdojnë punimet edhe në vendosjen e anësoreve në segmentin e fundit të rrugës “A”.

    “Gjatë kësaj jave pritet të kryhet lidhja e Rrugës ‘A’ me Rrugën ‘B’. Vazhdojnë punimet në vendosjen e anësoreve në segmentin e fundit të rrugës ‘A’ “, ka thënë në njoftim Rama.

  • ​Osmani del nga zyrat e LDK-së: Mbështes deklaratën e Ilir Feratit për zhvillimet e fundit

    ​Osmani del nga zyrat e LDK-së: Mbështes deklaratën e Ilir Feratit për zhvillimet e fundit

    Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka pranuar të deklarohet për zhvillimet brenda LDK-së, duke thënë se e mbështet në plotni deklaratën e sekretarit të partisë, Ilir Ferati.

    Osmani u pyet se a do ta mbajë postin e deputetes, gjë për të cilën tha se do të deklarohet kur të vijë koha.

    “Është deklaruar sekretari i LDK-së, ju lus për mirëkuptim. Më dukët goxha shumë ju ka treguar edhe është deklaruar për krejt çështjet që janë me rëndësi, vetëm e mbështes atë deklaratë në tërësinë e saj. Për të gjitha çështjet e tjera, kur të vijë koha deklarohem”, tha Osmani.

    Sekretari i LDK’së: S’ka nënshkrime të deponuara në parti, Abdixhiku i ka kaluar tri Kuvende me votë të fshehtë e nuk iu ik procedurave

    Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani në zyrat e partisë nuk është deponuar asnjë kërkesë për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pavarësisht raportimeve se të martën do të dorëzohen nënshkrimet për një gjë të tillë, raporton KosovaPress.

    Ferati para mediave të martën tha se nuk ka asnjë informacion zyrtar që dëshmon se një iniciativë e tillë do të formalizohet. /KP/

  • Ekstradohen dy persona të kërkuar nga INTERPOL-i, njëri nga Kosova në Shqipëri – tjetri nga Shqipëria në Kosovë

    Ekstradohen dy persona të kërkuar nga INTERPOL-i, njëri nga Kosova në Shqipëri – tjetri nga Shqipëria në Kosovë

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 14.07.2026 ka realizuar ekstradimin e dy të dyshuarve, njërin nga Shqipëria për në Kosovë, ndërsa tjetrin nga Kosova për në Shqipëri.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se të dyshuarit janë arrestuar pasi që kërkoheshin përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

    “Njëri nga të dyshuarit ka qenë i kërkuar për veprat penale ‘Blerje, posedim, shpërndarje e substancave narkotike dhe kalim i pa autorizuar i vendkalimeve kufitare’, ndërsa i dyshuari tjetër ka qenë i kërkuar për përfshirje në veprën penale të ‘Trafikimit me narkotikë’, që të dy janë adresuar tek kompetentët për trajtim të mëtejmë sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet nw njoftim.

    Po ashtu siç thuhet nw njoftim, mw datën e njëjtë, në Prishtinë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit të PK-së ka bërë arrestimin e shtetasit turk pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Malit të Zi dhe ato të Turqisë për veprat të ndryshme penale “Mashtrim, Shmangie nga tatimi dhe Falsifikim i dokumenteve zyrtare”.

    Me urdhër të prokurorit kompetent i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë për të vazhduar me procedurat e tjera ligjore.

    Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitetet tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

  • Deklarata e ministres serbe për “spastrim etnik” në Kosovë, reagon Tirana zyrtare

    Deklarata e ministres serbe për “spastrim etnik” në Kosovë, reagon Tirana zyrtare

    Hoxha, ka reaguar në platformën X duke dënuar deklaratën e një anëtari të Qeverisë së Serbisë për spastrimin etnik në Kosovë, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës.

    Ai theksoi se normalizimi i krimeve kundër njerëzimit minon pajtimin dhe se e ardhmja evropiane e rajonit mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për viktimat.

    Ministrja në qeverinë e Aleaksandar Vuçiqit ka deklaruar se po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën gjatë luftës’. “Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviçi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, deklaroi ministrja serbe.

    Reagimi i plotë Ministrit:

    Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës.

    Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar.

    Askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës, aq më pak duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për tragjedi, vuajtje dhe krime që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e rajonit tonë siç është “kasapi i Ballkanit”.

    Procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni ynë kanë aq shumë nevojë, kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t’u përballur me të kaluarën.

    Ai nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim, por vetëm e vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane.

  • Brukseli kundër retorikës së ministres serbe: Nuk ka vend për justifikim të spastrimit etnik

    Brukseli kundër retorikës së ministres serbe: Nuk ka vend për justifikim të spastrimit etnik

    Bashkimi Evropian ka dënuar deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi se, megjithëse BE-ja nuk komenton deklarata individuale, në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.

    “Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper para gazetarëve në Bruksel.

    Ajo shtoi se deklarata të tilla janë gjithashtu në kundërshtim me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, theksoi Hipper.

    Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime të shumta.

    Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) në Serbi kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Paunoviqit, duke e akuzuar atë për përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe promovim të persekutimit etnik. Sipas kësaj partie, deklarata e saj përbën një avokim të vetëdijshëm të spastrimit etnik.

    PSG theksoi se sqarimi i mëvonshëm i ministres, sipas të cilit ajo kishte nënkuptuar dëbimin e njerëzve në “vendin e tyre të origjinës”, dëshmon se deklarata nuk ishte një lapsus.

    Po ashtu, kjo parti shprehu shqetësim edhe për deklarata të tjera të saj, të cilat, sipas PSG-së, i portretizojnë shqiptarët në mënyrë raciste dhe fyese.

    Në lidhje me këtë reagoi edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili deklaroi se qëndrime të tilla tregojnë se politika e Serbisë nuk është shkëputur nga trashëgimia e regjimit të Millosheviqit.

    Sipas Kamberit, deklarata e Paunoviqit është skandaloze, e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.

    Paunoviq e bëri deklaratën të shtunën në një intervistë për televizionin serb Kurir, duke thënë se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”. Ajo e cilësoi këtë si “deklaratën më të ashpër” që kishte bërë ndonjëherë.

    Ndryshe, ministrja Snezhana Paunoviq deklaroi, gjatë një interviste në Kurir, se “nëse do të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, gjë që, tha ajo, është “kualifikimi më i ashpër që ka bërë ndonjëherë në jetën e saj”.

  • Sekretari i LDK’së: S’ka nënshkrime të deponuara në parti, Abdixhiku i ka kaluar tri Kuvende me votë të fshehtë e nuk iu ik procedurave

    Sekretari i LDK’së: S’ka nënshkrime të deponuara në parti, Abdixhiku i ka kaluar tri Kuvende me votë të fshehtë e nuk iu ik procedurave

    Sekretari i LDK’së, Ilir Ferati, ka folur për media në selinë e LDK’së për nënshkrimet që po mblidhen për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm të LDK’së.

    Ai ka thënë se deri më tani s’ka nënshkrime të dorëzuara, duke thënë se në rast se do të dorëzohen, LDK do ti trajtojë me seriozitet.

    Ferati ka thënë se Abdixhiku i ka kaluar tri Kuvende me votë të fshehtë dhe nuk iu ik procedurave statutare të LDK’së.

    “Deri më tani s’ka asnjë nënshkrim të deponuar. Nëse do të ketë kërkesa brenda organeve të LDK’së sigurisht që me urgjencë do t’i trajtojmë si parti dhe do të shqyrtohen deri në realizimin përfudnimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve”, ka deklaruar Ferati.

    “Jemi të gatshëm me i trajtu e me dalë deri në Kuvend. Kryetari Abdixhiku i ka kalu tri Kuvende me votë të fshehtë, nuk i ik procedurave statutare të LDK’së”, ka thënë ai.