ATV

Blog

  • Norvegjia dhuron të ardhurat e ndeshjes me Izraelin për ndihma humanitare në Gaza

    Norvegjia dhuron të ardhurat e ndeshjes me Izraelin për ndihma humanitare në Gaza

    Shoqata Norvegjeze e Futbollit ka marrë një vendim me karakter humanitar, duke njoftuar se të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Izraelit do të dhurohen për popullsinë civile në Rripin e Gazës.

    Fondet e mbledhura do të destinohen për organizatat humanitare dhe mjekësore që veprojnë në terren, mes tyre edhe organizata “Mjekët pa Kufij”, e cila vazhdon të ofrojë kujdes shëndetësor dhe ndihmë emergjente për banorët e prekur nga konflikti.

    Përmes një komunikate zyrtare, Federata Norvegjeze theksoi se kjo nismë synon të ofrojë mbështetje konkrete për njerëzit që po përballen me një krizë të rëndë humanitare, duke vënë në plan të parë solidaritetin dhe ndihmën ndaj civilëve.

    Vendimi është pritur me reagime të shumta pozitive, si në opinionin publik ashtu edhe në rrjetet sociale, ku është vlerësuar si një shembull i rolit që sporti mund të luajë përtej fushës së lojës, duke u shndërruar në një mjet solidariteti dhe mbështetjeje për komunitetet në nevojë.

  • Dobra: Në Pediatri u zëvendësuan shtatë shtretër, pritet furnizimi me 51 artikuj të rinj

    Dobra: Në Pediatri u zëvendësuan shtatë shtretër, pritet furnizimi me 51 artikuj të rinj

    Drejtori i Shërbimeve Tekniko-Administrative në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Fisnik Dobra, ka deklaruar se ka nisur zëvendësimi i shtretërve të dëmtuar në Klinikën e Pediatrisë, në kuadër të një projekti për modernizimin e infrastrukturës dhe furnizimin me inventar medicinal.

    Sot është bërë ndërrimi i disa shtretërve të cilët kanë qenë të dëmtuar. Janë ndërruar me shtretër të rinj, ju e patë edhe vetë, ishit dëshmitarë të ndryshimeve që janë bërë. Desha t’ju njoftoj se ky është vetëm fillimi i një projekti, nga një kontratë që është lidhur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit e 10 qershorit, për modernizimin e infrastrukturës. Këtu konkretisht bëhet fjalë për furnizim me inventar për klinikat, inventar medicinal”, deklaroi Dobra, raporton ekonomiaonline.

    Ai bëri të ditur se deri në fund të kësaj jave priten planifikimet nga të gjitha klinikat për nevojat me inventar të ri, në kuadër të një kontrate që përfshin 51 artikuj.

    Deri të premten e kësaj jave, i presim të dhënat nga klinikat me planifikimet për inventar të ri, për shtretër dhe të tjera, nga një kontratë me 51 artikuj. Pastaj do të mblidhen të gjitha ato të dhëna, do të strukturohen dhe do të bëhet kërkesa për furnizime. Besojmë që për një periudhë shumë të shkurtër, shumë të shpejtë, do të bëhen furnizimet sipas kontratës që është lidhur nga AQP-ja”, tha ai.

    Ai shtoi se gjatë ditës së sotme janë zëvendësuar shtatë shtretër, ndërsa pritet të ndërrohet edhe një tjetër.

    Sot janë ndërruar shtatë shtretër. Besojmë që gjatë ditës bëhet edhe ndërrimi i një shtrati, domethënë janë tetë shtretër gjithsej”, tha ai.
    Dobra njoftoi gjithashtu se në Klinikën e Pediatrisë kanë përfunduar renovimet e disa nyjeve sanitare në një pjesë të repartit, ndërsa së shpejti do të nisë edhe renovimi i pjesës tjetër.

    Në Klinikën e Pediatrisë, para jo shumë ditëve, para disa javëve, janë rinovuar disa banjo ose disa nyje sanitare. Ato janë ndërruar në pjesën matanë të reparteve të tjera. Tani, shumë shpejt, do të fillojë edhe rinovimi i nyjeve sanitare në pjesën këtej, për të cilat ju po aludoni. Pra, besojmë që shpejt do të bëhet realizimi i rinovimit”, ka shtuar Dobra.

  • Pas thirrjes për spastrim etnik të Kosovës, ministrja serbe nuk tërhiqet: Krenohet me politikën e Millosheviqit

    Pas thirrjes për spastrim etnik të Kosovës, ministrja serbe nuk tërhiqet: Krenohet me politikën e Millosheviqit

    Pas reagimeve të ashpra që shkaktoi deklarata e saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta “spastronte etnikisht Kosovën”, ministrja serbe Snezhana Paunoviq është përpjekur të arsyetohet, ndonëse deklarata e saj është e regjistruar në video.

    Në një reagim me shkrim, pas kërkesave për dorëheqje nga opozita dhe organizata joqeveritare, Paunoviq pretendoi se fjalët e saj janë keqinterpretuar dhe se është bërë “propagandë” kundër saj.

    Megjithatë, ajo nuk u distancua nga qëndrimet e saj, përkundrazi deklaroi se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviqi.

    “Jam socialiste dhe nuk heq dorë nga politika e SPS-së. Serbia është shtëpia ime, ndërsa SPS është dhoma ime në atë shtëpi”, tha Paunoviq, duke shtuar se mbetet krenare për politikën e partisë së saj në vitet ’90.

    Ajo i cilësoi reagimet si propagandë dhe tha se është e gatshme të debatojë për politikën e SPS-së dhe ngjarjet e viteve ’90. /Danas

  • Sinner forcon kreun e renditjes ATP, Sabalenka mbetet numri një te femrat

    Sinner forcon kreun e renditjes ATP, Sabalenka mbetet numri një te femrat

    Përfundimi i turneut prestigjioz të Wimbledonit ka sjellë edhe ndryshime në renditjen botërore të tenisit. Italianti Jannik Sinner vazhdon të dominojë në krye të listës ATP, pasi mbrojti me sukses pikët e fituara një vit më parë dhe tani ka krijuar një epërsi prej afro pesë mijë pikësh ndaj ndjekësit më të afërt.

    Në vendin e dytë është ngjitur gjermani Alexander Zverev, falë paraqitjes së tij në finalen e Wimbledonit, duke lënë pas spanjollin Carlos Alcaraz. Ky i fundit vazhdon të bjerë në renditje, pasi mungon në gara prej dy muajsh për shkak të një dëmtimi.

    Ndërkohë, te femrat, triumfi në Wimbledon i ka sjellë një ngjitje të rëndësishme çekes Linda Noskova, e cila tashmë renditet në vendin e shtatë në botë.

    Pavarësisht kësaj, bjellorusja Aryna Sabalenka vazhdon të mbajë kreun e renditjes WTA. Megjithatë, diferenca me rivalet është ngushtuar ndjeshëm. Elena Rybakina, që mban vendin e dytë, ndodhet vetëm rreth 400 pikë larg, ndërsa edhe Jessica Pegula, Coco Gauff dhe Mirra Andreeva mbeten në garë për pozitat më të larta.

    Me sezonin që vazhdon drejt US Open, gara për vendin e parë në renditjen botërore pritet të bëhet edhe më e fortë, si në konkurrencën e meshkujve, ashtu edhe te femrat.

  • Argjentina rikthen fanellën blu për gjysmëfinalen ndaj Anglisë

    Argjentina rikthen fanellën blu për gjysmëfinalen ndaj Anglisë

    Argjentina do të paraqitet me fanellën e saj alternative në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Anglisë, sfidë që do të zhvillohet të mërkurën në Atlanta.

    Vendimi vjen pasi FIFA e ka përcaktuar Argjentinën si skuadrën mysafire, duke bërë që “Albicelestët” të zbresin në fushë me fanellën blu, të kombinuar me pantallona dhe çorape të zeza.

    Për ekipin e Lionel Scalonit kjo nuk është hera e parë që përdor këtë komplet në këtë Botëror. Fanella blu u vesh edhe në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, ku Argjentina triumfoi 3 me 1 ndaj Jordanisë. Me të njëjtën uniformë pritet të paraqitet edhe portieri Emiliano “Dibu” Martinez.

    Megjithatë, kjo fanellë mbart edhe një simbolikë të veçantë në historinë e futbollit argjentinas. Pikërisht me ngjyrën blu, Argjentina ka arritur disa nga fitoret më të paharrueshme ndaj Anglisë në Kupën e Botës.

    Në Botërorin e vitit 1986 në Meksikë, Diego Maradona shkroi historinë me dy golat legjendarë në çerekfinale, ndërsa në Francë 1998, Argjentina eliminoi anglezët pas ekzekutimit të penalltive në fazën e 1/8-ës së finales.

    Tashmë, fanella blu rikthehet në një tjetër përballje historike mes dy rivalëve të mëdhenj, me Argjentinën që synon ta shndërrojë edhe këtë herë në një ogur të mirë për të siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës 2026.

  • Jashari takon Hargreaves, diskutimi u përqendrua tek situata aktuale e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë

    Jashari takon Hargreaves, diskutimi u përqendrua tek situata aktuale e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Gjatë takimit, gjenerali Jashari prezantoi të arriturat e FSK-së, aktivitetet, operacionet dhe planet për zhvillimin e mëtejmë të forcës. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe i ka dhënë FSK-së në të gjitha fazat e zhvillimit të saj.

    Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, si dhe u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit profesional në fushën e arsimit, edukimit dhe zhvillimit profesional të liderëve dhe njësive të FSK-së, me synim rritjen e kapaciteteve operacionale dhe profesionalizmit.

    Në përfundim të takimit, ambasadori Hargreaves vlerësoi lidershipin e gjeneral Jasharit në udhëheqjen e proceseve zhvillimore të FSK-së, ndërsa të dyja palët u zotuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë.

  • Dyshimet për spiunazh: Edhe dy muaj prapa grilave për Fatmir Shehollin

    Dyshimet për spiunazh: Edhe dy muaj prapa grilave për Fatmir Shehollin

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit.

    Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.

    Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe ka vendosur vazhdimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh.

    Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj Shehollit ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të “spiunazhit në vazhdimësi”.

    Hetimet për rastin janë duke vazhduar nga Prokuroria Speciale.

  • Lirimi me kusht i Thaçit, Specialja: Vendimi i takon vetëm gjyqtarit

    Lirimi me kusht i Thaçit, Specialja: Vendimi i takon vetëm gjyqtarit

    Nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim me kusht dhe ofrim të disa garancive përfshirë edhe dorëzanin prej 50 mijë euro, është thënë se vendimi i takon vetëm gjyqtarit.

    “Është gjykatësi i vetëm ai që vendos për paraburgimin në përputhje me ligjin dhe rregulloren. Gjykatësi i vetëm do të lëshojë vendim lidhur me këtë në kohën e duhur së bashku me arsyetimin për këtë vendim. Lirimi me kusht i Thaçit, Specialja: Vendimi i takon vetëm gjyqtarit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Rtv21.

    Përveç garancisë prej 50 mijë eurosh, thuhet se Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës dhe se ai do të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.

    Gjithashtu thuhet se Thaçi do të përmbahet nga bërja e çdo deklarate publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi në media dhe, ose në rrjetet sociale, si dhe, ai nuk do të diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës.

  • Deklarata skandaloze e ministres serbe, Kamberi: Do të inicioj kërkesë për shkarkimin e saj

    Deklarata skandaloze e ministres serbe, Kamberi: Do të inicioj kërkesë për shkarkimin e saj

    Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar ashpër pas deklaratës skandaloze të ministres për Pushtetin Lokal, Snežana Paunoviq.

    Ajo ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.

    Për këtë, Kamberi ka thënë se do të iniciojë shkarkimin e saj.

    “Në të kundërtën, heshtja dhe mungesa e veprimit do të kuptohen si miratim i deklaratës së saj dhe si qëndrim zyrtar i të gjithë Qeverisë.”, ka thënë Kamberi.

    Ai ka thënë se deklaratat fashiste të ministrave të qeverisë serbe tregojnë më së miri se Serbia e Millosheviqit vazhdon të mbetet e njejtë, duke kërkuar cilësuar atë si të papranueshme dhe që kërkon reagim të menjëhershëm institucional.

    “Për këtë arsye, sot, nëpërmjet një shkrese zyrtare, kam kërkuar reagim nga të gjitha ambasadat relevante ndërkombëtare në Beograd.”, ka shkruar Kamberi.

    Ai ka thënë se një deklaratë e tillë nuk mund të konsiderohet e izoluar.

    Sipas tij, deklarata të tilla janë rezultat i mohimit sistematik të krimeve të luftës, glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, relativizimit të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe revizionizmit të historisë.

    “Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, deklarata të tilla nga përfaqësues të institucioneve shtetërore përbëjnë një burim shtesë pasigurie. Kur një anëtar i Qeverisë flet për spastrim etnik, pjesëtarët e komuniteteve pakicë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë sigurie mund të presin nga këto institucione.”, ka thënë Kamberi.

    Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sipas tij, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë.

    “Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto obligime dhe tejkalojnë çdo standard demokratik mbi të cilin bazohet Bashkimi Evropian.”, ka thënë Kamberi.

  • Aktakuzë ndaj tre personave për narkotikë dhe ryshfet, tentuan të fusnin marihuanë në Burgun e Dubravës

    Aktakuzë ndaj tre personave për narkotikë dhe ryshfet, tentuan të fusnin marihuanë në Burgun e Dubravës

    Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të identifikuar me inicialet S.D., R.R. dhe B.T., nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me narkotikët dhe korrupsionin.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri S.D., në cilësinë e zyrtarit korrektues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se ka tentuar të fusë brenda institucionit 85.61 gram marihuanë, të cilën e kishte fshehur në trup. Lënda narkotike është zbuluar gjatë një kontrolli të zyrtarëve korrektues, pas pranimit të informatave operative.

    Ndërkohë, i pandehuri R.R., i cili në kohën e ngjarjes ishte duke vuajtur dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar futjen e substancës narkotike në burg, duke nxitur të pandehurit e tjerë ta kryenin veprën në këmbim të një shpërblimi financiar.

    Sipas aktakuzës, B.T. dyshohet se ka siguruar dhe dorëzuar marihuanën me qëllim që ajo të futej në institucionin korrektues. Ai po ashtu akuzohet se i ka ofruar 1 mijë euro zyrtarit korrektues për ta nxitur të vepronte në kundërshtim me detyrën zyrtare, duke mundësuar futjen e narkotikëve në burg.

    S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa R.R. akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre. B.T. përballet gjithashtu edhe me akuzën për “Dhënie të ryshfetit”.

    Prokuroria i ka propozuar gjykatës që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

    Për zyrtarin korrektues S.D., Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.