ATV

Blog

  • Serwer: ShBA të mbështesë Kosovën dhe ta kufizojë ndikimin e Beogradit

    Serwer: ShBA të mbështesë Kosovën dhe ta kufizojë ndikimin e Beogradit

    Profesori amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të fokusohen jo vetëm te ruajtja e stabilitetit në Serbi, por edhe te mbështetja e demokracisë dhe mbrojtja e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës nga ndikimi i Beogradit.

    “Do të dëshiroja të shihja përpjekje të mirëfillta për ta mbështetur rikthimin e demokracisë dhe për t’i kufizuar përpjekjet e Beogradit që, përmes konceptit të ‘botës serbe’, të ushtrojë ndikim në Bosnje dhe Kosovë”, ka thënë Serwer për REL.

    Ai ka paralajmëruar gjithashtu se Beogradi mund të vazhdojë t’i shmanget përgjegjësisë për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës, incidentet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmin terrorist në Banjskë.

    Sipas Serwerit, nuk do të ishte befasuese nëse Uashingtoni do ta rikthente kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka theksuar se, për Kosovën, një hap i tillë është i mundur vetëm pas njohjes nga Serbia dhe se Asociacioni vazhdon të mbetet një pengesë në procesin e dialogut.

  • Macron reagon pas eliminimit të Francës: Humbje e vështirë sonte

    Macron reagon pas eliminimit të Francës: Humbje e vështirë sonte

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar menjëherë pas humbjes 0:2 të kombëtares franceze ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, duke shprehur mbështetjen e tij për “Blutë” dhe duke uruar kundërshtarin për kualifikimin në finale.

    Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Macron vlerësoi paraqitjen e ekipit francez, pavarësisht rezultatit zhgënjyes, duke theksuar se kjo është një skuadër me të ardhme të ndritur.

    “Bravo Spanjës për këtë kualifikim. Faleminderit Bluve që veshën ngjyrat tona me angazhim. Humbje e vështirë sonte, por kjo skuadër është e re dhe premtuese”, shkroi presidenti francez.

    Franca nuk arriti të gjejë rrugën drejt finales, pasi u mposht me rezultat 2:0 nga një Spanjë që tregoi pjekuri dhe efikasitet në momentet vendimtare të ndeshjes.

  • Parashikimi i motit për të mërkurën

    Parashikimi i motit për të mërkurën

    Të mërkurën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në orët e mëngjesit, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen dhe të sjellin rrebeshe lokale shiu orëve të pasdites, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

    Era do të fryjë nga drejtimi i veriperëndimit, e cila në ato zona ku ka zhvillime konvektive, pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 14 deri në 18°C, ndërsa ato maksimale prej 29 deri në 34°C. /MeteoKosova/

  • Trump detyrohet t’i paguajë E. Jean Carroll 5 milionë dollarë dëmshpërblim

    Trump detyrohet t’i paguajë E. Jean Carroll 5 milionë dollarë dëmshpërblim

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka paguar shkrimtares E Jean Carroll më shumë se 5 milionë dollarë (3.7 milionë paund) dëmshpërblim tre vjet pasi ai u shpall përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje ndaj saj në një çështje civile, konfirmuan avokatët e saj, ka raportuar BBC.

    “Sot, jemi të kënaqur të raportojmë se ajo ka marrë pagesën e dëmshpërblimit që juria i dha asaj si rezultat i atij vendimi”, tha Roberta Kaplan, një avokate e Carroll, në një deklaratë të shkurtër të martën.

    Trump po bënte presion për të shtyrë pagesën, me qëllim që t’i kërkonte Gjykatës Supreme të rishqyrtonte vendimin e saj për të mos dëgjuar apelin e tij të çështjes. Por javën e kaluar, gjyqtari që mbikëqyrte çështjen urdhëroi që ai të paguante dëmshpërblimin.

    Një përfaqësues nga ekipi ligjor i Trump refuzoi të komentonte mbi pagesën.

    Një deklaratë nga ekipi ligjor i Carroll konfirmoi se asaj i ishin paguar më shumë se 5.62 milionë dollarë – 5 milionë dollarët e dhënë si dëmshpërblim plus interesin e grumbulluar gjatë apelit.

    Carroll, një ish-kolumniste reviste, e cila tani është 82 vjeç, akuzoi Trumpin se e sulmoi atë në mesin e viteve 1990 në një dhomë zhveshjeje në një dyqan të madh Bergdorf Goodman në Manhattan, dhe më vonë e shpifi atë në faqen e tij të internetit Truth Social në një postim të vitit 2022 duke mohuar akuzat e saj.

    Në vitin 2023, një juri e Nju Jorkut i dha unanimisht Carroll dëmshpërblimin për kërkesën e saj. Trump i mohoi akuzat.

    Trump i depozitoi dëmshpërblimet në një llogari të kontrolluar nga gjykata menjëherë pas vendimit, dhe ato u mbajtën atje ndërsa zhvillohej procesi i apelimit.

  • Molliqaj, pas dekretimit të Zejnullah Gashit nga Haxhiu: E zgjodhën për shkak të ‘servilitetit’ ndaj pushtetit

    Molliqaj, pas dekretimit të Zejnullah Gashit nga Haxhiu: E zgjodhën për shkak të ‘servilitetit’ ndaj pushtetit

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas dekretimit të Zejnullah Gashit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

    Përmes një video-adresimi, Molliqaj tha dekretimi i Gashit dëshmon se pushteti kishte nevojë për president të dëgjueshëm, në mënyrë që të kontrollonte procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Sot alarmi ynë mori kuptim. Kur thonim ne që Albin Kurtit po i vyn Presidenti i vet e i dëgjueshëm, sepse po don me zgjedh kryeprokurorin e shtetit, ma saktësisht me dekretu, kqyreni çka ka ndodh sot: Albulena Haxhiut, si ushtruese e detyrës, në kohë rekord, mbramë vonë ia kanë dorëzu mandatin, sot e paska dekretu…”, ka deklaruar Molliqaj.

    Molliqaj kujtoi se Haxhiu, në kohën kur ishte ministre, e kishte denoncuar atë në Policinë e Kosovës.

    “Dhe a e dini kë e ka dekretu? Një person të cilin vetë Albulena Haxhiu, kur ka qenë ministre, u shku dhe e ka denoncu në Policinë e Kosovës nga frika se po e shantazhon”, ka thënë kreu i PSD-së.

    Sipas Molliqajt, Gashi kishte shkuar në zyrën e Haxhiut për t’i dhënë sqarime lidhur me një hetim ndaj një personi që pretendohet se kishte lidhje familjare me të.

    “A e dini çka ka bë ky? Ka shku te ministrja e asaj kohe, Albulena Haxhiu, me iu justifiku dhe arsyetu që nuk jam duke e hetu dikë që është në lidhje familjare me Albulenën. Albulena, nga frika, u shku dhe e ka denoncu”, ka deklaruar ai.

    Molliqaj shtoi se pikërisht gatishmëria e Gashit për t’iu bindur pushtetit ka ndikuar në dekretimin e tij.

    “Por këta e kanë kuptu që një njeri që të vjen në zyrë me t’u justifiku është njeri servil i paprecedent, të cilin mund ta përdorësh për çka të duash. Kjo është arsyeja pse zoti Gashi është sot kryeprokuror i shtetit në kohë rekord, sepse e kanë pa vullnetin e tij për servilitet të pakushtëzuar ndaj pushtetit”, ka përfunduar Molliqaj./EO

  • Dokumenti i CIA-s: Në vitin 1993 SHBA paralajmëronte se Serbia synonte spastrimin etnik të Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit

    Dokumenti i CIA-s: Në vitin 1993 SHBA paralajmëronte se Serbia synonte spastrimin etnik të Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit

    memorandum sekret i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara (CIA), i hartuar më 27 janar 1993 dhe i deklasifikuar vite më vonë, paralajmëronte se projekti i “Serbisë së Madhe” përbënte kërcënimin më serioz për Ballkanin dhe Evropën gjatë viteve ’90.

    Dokumenti 13-faqësh, me titull “Greater Serbia: A Balkan Troublemaker for the 1990s”, është përgatitur nga Drejtoria e Inteligjencës, Zyra për Analizën Evropiane, dhe bazohet në një analizë të përbashkët të CIA-s, Departamentit Amerikan të Shtetit, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.

    Në përmbledhjen e dokumentit thuhet se vendosmëria e Beogradit për të krijuar një “Serbi të Madhe” etnikisht të pastër ishte e palëkundur, ndërsa çdo qëndrim më pajtues i presidentit serb Slobodan Millosheviq dhe serbëve të Bosnjës në negociatat ndërkombëtare shihej vetëm si një manovër taktike për të fituar kohë.

    CIA arrinte në përfundimin se Serbia nuk do të ndalte mbështetjen për projektin e “Serbisë së Madhe” me forcë, përveç nëse komuniteti ndërkombëtar do të ndërmerrte masa të forta, si zbatimi rigoroz i sanksioneve ekonomike, izolimi politik, armatosja e Bosnjës dhe Kroacisë, vendosja e zonës së ndalim-fluturimit dhe sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake serbe.

    Në analizë thuhet se, pa një ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, ekzistonte një probabilitet i lartë që një “Serbi e Madhe” të shndërrohej në një forcë destabilizuese në Evropë deri në mesin e dekadës. Sipas dokumentit, pasi Beogradi të konsolidonte pushtetin dhe territorin, do të nxiste konflikte me fqinjët, do të përdorte forcë edhe jashtë kufijve të tij, do të niste spastrimin etnik të Kosovës, do të përpiqej të siguronte armë të shkatërrimit në masë dhe do të synonte zgjerimin në pjesë joserbe të Maqedonisë, Bosnjës dhe bregdetit kroat.

    Dokumenti vlerëson gjithashtu se gjendja e shqiptarëve të Kosovës do të përkeqësohej brenda një viti, pasi balanca politike në Serbi po anonte gjithnjë e më shumë drejt grupeve nacionaliste që mbështesnin spastrimin etnik të Kosovës.

    Sipas analizës, Millosheviqi, nacionalistët serbë dhe ushtria ishin shtytësit kryesorë të politikës ekspansioniste serbe, ndërsa largimi i tij nga pushteti nuk do të ndryshonte domosdoshmërisht kursin e Beogradit, pasi ushtria dhe grupet nacionaliste ndanin të njëjtat objektiva.

    Në kapitullin “A Greater Serbia at Any Price?”, ekspertët amerikanë vlerësonin se partitë demokratike dhe mediat e pavarura në Serbi kishin ndikim të kufizuar, ndërsa Millosheviqi, Partia Socialiste e Serbisë dhe nacionalistët serbë në Serbi, Bosnje, Kroaci e Kosovë, me mbështetjen e heshtur të ushtrisë, drejtonin përpjekjet për krijimin e një “Serbie të Madhe” etnikisht të pastër.

    Sipas dokumentit, ata ishin të gatshëm të përballonin kosto shumë të larta për të mos hequr dorë nga ky projekt.

    CIA parashikonte gjithashtu se një “Serbi e Madhe” do të ndiqte një model agresiv të ngjashëm me Irakun e asaj kohe, duke shkaktuar vazhdimisht tensione në rajon.

    Analiza paralajmëronte se Beogradi do të nxiste telashe me fqinjët, do të fillonte spastrimin etnik të Kosovës, do të kërkonte armë kimike dhe sisteme për përdorimin e tyre, do të përdorte forcë jashtë kufijve të tij dhe mund të përpiqej të dominonte Maqedoninë ose të merrte territore në Bosnje dhe Kroaci.

    Një pjesë e veçantë e memorandumit i kushtohet Kosovës. Analiza thekson se në Beograd po fitonin peshë grupet që mbështesnin grumbullimin e shqiptarëve në zona të veçanta dhe ndarjen administrative të tyre nga territoret e rezervuara për serbët.

    CIA paralajmëronte se një përpjekje e tillë do të provokonte reagim të dhunshëm dhe do t’u shërbente ekstremistëve serbë që kërkonin një spastrim etnik edhe më radikal të Kosovës.

    Në përfundim, dokumenti thekson se edhe në rast të largimit të Millosheviqit nga pushteti, ushtria dhe nacionalistët do të mbeteshin faktorët dominues në Serbi.

    Sipas CIA-s, një “Serbi e Madhe” edhe pa Millosheviqin do të vazhdonte të destabilizonte rajonin dhe të mbështeste krijimin e një shteti etnikisht të pastër, ndërsa shqiptarët e Kosovës mund të shmangnin dëbimin ose spastrimin etnik vetëm nëse pasardhësi i tij do të ishte politikisht shumë më i dobët.

  • “S’ka asgjë për t’u shqetësuar”, Rama për projektin në Zvërnec: Nuk është finalizuar, por do të bëjë krenarë Shqipërinë dhe Europën

    “S’ka asgjë për t’u shqetësuar”, Rama për projektin në Zvërnec: Nuk është finalizuar, por do të bëjë krenarë Shqipërinë dhe Europën

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Brukseli lidhur me projektin e planifikuar në Zvërnec, duke deklaruar se procesi nuk ka përfunduar ende dhe se çdo hap po ndiqet sipas rregullave.

    Rama hodhi poshtë shqetësimet për ndikimin mjedisor dhe theksoi se vendimi përfundimtar do të bazohet në standardet europiane.

    Ai u shpreh se synimi është që projekti të jetë një vlerë për Shqipërinë dhe Europën.

    “Nga vitet e gjata në detyrë kam mësuar që kur thua Bruksel, ka shumë organizma. Për ne, të gjitha zërat në Bruksel janë të respektueshëm, por ka një fjalë që e marrim shumë seriozisht, që është zëri i Komisionit. Komisioni është në krye të gjithçkaje, duke qenë shumë mirë i informuar. Arsyeja që them gjithmonë, në këtë botë informacioni apo sistemesh kaotike, pikëpamjesh të debatueshme, ku e vërteta gjen gjithmonë e më pak hapësirë, të vërtetat e rreme gjejnë hapësirë, Komisioni mbetet ai që mban fort objektivitetin.

    Komisioni punon bazuar në të dhëna, në fakte, në burime të verifikuara. Jam i sigurt që edhe ju, po të kishit interes për burimet e verifikuara, do të kuptonit që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Projekti nuk është askund, nuk mund të shihet askund sepse nuk është finalizuar. Ndikimi i vendimit në mjedis është në proces e sipër.

    Gjithçka po bëhet sipas rregullave që nga dita e parë. Përmendja e emrave nuk është diçka që na ndihmon për të shkuar te e vërteta. Ka vetëm një libër rregullash që vlen për ne, libri i rregullave për standardin e anëtarësimit. Ideja që Shqipëria do të vazhdonte përpara me diçka që nuk do të ishte në përputhje të plotë me librin e shenjtë të besimtarëve dhe ateistëve në Shqipëri, që janë standardet e parimeve në BE, janë të pabaza.

    Ne do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipërinë dhe Europën. Shqipëria duhet ta bëjë realitet për veten dhe Europën. Në proces do të jemi siç kemi qenë, shumë rigorozë për të kërkuar asgjë përpos standardeve më të larta. Do të kërkojmë vetëm diçka që do t’i bëjë të gjithë krenarë”, u shpreh Rama. /Top Channel

  • Sveçla: Mora vendim që ministren serbe Snezana Paunović ta shpallim person non grata pas deklaratave për spastrim etnik

    Sveçla: Mora vendim që ministren serbe Snezana Paunović ta shpallim person non grata pas deklaratave për spastrim etnik

    Kosova e ka shpallur non grata Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë.

    Kjo pasi ajo ka deklaruar se “po të ishte në vend të Millosheviqit do të spastronte etnikisht Kosovën’.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se ka nxjerr vendim përmes së cilit Snezana Paunović shpalet person non grata.

    Postimi i plotë:

    Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë, ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Slobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit.

    Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës.

    Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës.

    Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.

    Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të forta që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari. Sot ka rend dhe ligj, ka drejtësi që vazhdon të kërkojë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe ka institucione që nuk do të lejojnë cenim të sovranitetit të vendit tonë. Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale.

  • Trump: Ngushtica e Hormuzit e hapur për të gjithë, përveç Iranit

    Trump: Ngushtica e Hormuzit e hapur për të gjithë, përveç Iranit

    Presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga propozimi i tij për një tarifë prej 20% për anijet që përdorin zonën e Ngushticës së Hormuzit.

    Duke postuar në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan angazhohet të mbajë në fuqi bllokadën ndaj porteve iraniane.

    Por ai tha se do ta zëvendësonte atë që e quajti një “Tarifë Rimbursimi prej 20% të Shteteve të Bashkuara” me marrëveshje tregtare dhe investimi me shtetet e Gjirit në rajon.

    Vetëm dje, Trump propozoi taksën – me sa duket në përgjigje të kërcënimeve të rregullta iraniane për të vendosur një tarifë për anijet që përdorin ngushticën pas luftës.

    “Ngushtica e Hormuzit është e hapur për TË GJITHA trafikun e anijeve përveç Iranit – dhe kjo për shkak të lidershipit të tyre gënjeshtar, të dhunshëm dhe keqdashës, i cili po i çon ata në rrugën e SHKATËRRIMIT TOTAL. Prandaj do të kemi një Bllokadë të PLOTË, por vetëm për anijet që vijnë nga dhe drejt porteve iraniane, ose që transportojnë çdo gjë që ka të bëjë me ngarkesë iraniane”, shkroi Trump.

    Ngushtica e Hormuzit dhe armët bërthamore të Iranit kanë mbetur pikat kryesore të pengesës në negociatat për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm.

    Trump këmbëngul se Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore, ndërsa Irani ka theksuar vazhdimisht se synon të kontrollojë ngushticën dhe t’u kërkojë tarifa anijeve ndërkombëtare që ta përdorin atë.

    Bllokada efektive e ngushticës nga Irani gjatë luftës së këtij viti ka rritur çmimet globale të energjisë, duke e detyruar Trumpin të negociojë.

    Përpara luftës, ngushtica transportonte një të pestën e dërgesave botërore të naftës dhe gazit.

  • Mbyllja tre kapitujve, Haradinaj: Çdo sukses i Shqipërisë, lajm i mirë për të gjithë shqiptarët

    Mbyllja tre kapitujve, Haradinaj: Çdo sukses i Shqipërisë, lajm i mirë për të gjithë shqiptarët

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ka thënë se përmbyllja e tre kapitujve të rinj për Shqipërinë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një arritje që dëshmon se me vizion dhe angazhim institucional, integrimi evropian është i arritshëm.

    Ai përmes një postimi në Facebook tha se çdo sukses i Shqipërisë është lajm i mirë për të gjithë shqiptarët.

    “Ky zhvillim duhet të na bëjë të reflektojmë edhe në Kosovë. Derisa vendet e rajonit po avancojnë në rrugën e tyre integruese, ne po vazhdojmë të mbetemi prapa për shkak të një mendësie qeverisëse destruktive dhe izolimit në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

    “Urime Shqipërisë për këtë hap të rëndësishëm! Uroj që edhe Kosova ta rikthejë perspektivën për integrim euroatlantik, e jo të shohë se si të tjerët ecin përpara, ndërsa ne vazhdojmë të ngecim”, ka shkruar Haradinaj.