ATV

Blog

  • Hamilton: “Sebastian Vettel është piloti më i kompletuar që kam njohur”

    Hamilton: “Sebastian Vettel është piloti më i kompletuar që kam njohur”

    Në prag të Çmimit të Madh të Meksikës, Lewis Hamilton ka folur me shumë respekt për një nga rivalët më të mëdhenj të karrierës së tij – Sebastian Vettel.

    Në një intervistë për ESPN, piloti britanik e cilësoi ish-kampionin gjerman si “pilotin më të kompletuar në çdo kuptim”, duke theksuar se nuk e kishte fjalën vetëm për talentin në pistë, por edhe për karakterin e tij jashtë saj.

    “Sebastiani është njeri me empati, mirëkuptim dhe ambicie. Edhe pse kemi qenë rivalë të fortë, respekti mes nesh ka qenë gjithmonë i ndërsjellë,” tha Hamilton.

    Ai tregoi se Vettel ka qenë pranë tij në momentet e vështira dhe e vlerësoi për ndikimin pozitiv që ka jashtë botës së garave. “Është një shembull për të rinjtë – mendon për të ardhmen, për fëmijët e tij dhe për planetin. Jam krenar për të,” shtoi kampioni britanik.

    Një deklaratë që tregon se edhe në një sport plot rivalitet, respekti dhe miqësia e vërtetë mund të qëndrojnë mbi gjithçka.

  • Kim Kardashian: ChatGPT më bëri të “dështojë” në provimet e juridikut

    Kim Kardashian: ChatGPT më bëri të “dështojë” në provimet e juridikut

    Kim Kardashian ka bërë një pohim surprizues që po bën bujë në mediat e showbiz-it, ylli i reality TV-së dhe sipërmarrësja e njohur tha se përdorimi i ChatGPT e bëri të dështojë në provimet e juridikut.

    Në një intervistë për “Vanity Fair”, 42-vjeçarja tregoi se shpesh i drejtohej AI-së për të kuptuar çështje të komplikuara ligjore, fuste imazhe të rasteve studimore dhe kërkonte udhëzime për pyetje të vështira. Por rezultatet nuk ishin siç priste. “Kur kam nevojë për një përgjigje, bëj foto dhe e ngarkoj aty. Më ka bërë të dështoj provime… shpesh,” tha ajo me humor.

    Kim përshkroi ndërveprimet me chatbot-in si një lloj marrëdhënieje “frenemy” apo “mik‑armik”: ajo qante kur sugjerimet e AI-së ishin të pasakta, dhe chatbot-i i përgjigjej: “Kjo po të mëson të besosh në instinktet e tua. Ti e dije përgjigjen gjithëmonë.”

    Ky pohim i saj ka tërhequr vëmendje sepse tregon një anë të paparë të jetës akademike të Kimit, e cila ndjek një karrierë në drejtësi përkrah biznesit dhe jetës publike. Historia e saj ngre gjithashtu pyetje rreth përdorimit të inteligjencës artificiale në edukim dhe provime: a janë mjetet si ChatGPT vërtet ndihmë për studentët, apo mund të krijojnë më shumë konfuzion?

    Ndërkohë që rezultatet zyrtare të bar-it në Kaliforni nuk janë publikuar ende, kjo histori kombinon kulturën pop, edukimin dhe teknologjinë, duke ofruar një moment të lehtë, por reflektues për fansat dhe publiku i gjerë.

  • Zyrtare: Daniele De Rossi emërohet trajner i ri i Genoas – rikthim simbolik në stadiumin ku mbylli aventurën te Roma

    Zyrtare: Daniele De Rossi emërohet trajner i ri i Genoas – rikthim simbolik në stadiumin ku mbylli aventurën te Roma

    Genoa ka zyrtarizuar trajnerin e ri të skuadrës, dhe ai është ish-kapiteni legjendar i Romës, Daniele De Rossi. Klubi italian publikoi njoftimin zyrtar, duke konfirmuar se 41-vjeçari do të marrë drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Patrick Vieira-s.

    De Rossi ka firmosur një kontratë 8-mujore, që do të vlejë deri në qershor të vitit 2026, me opsion rinovimi automatik në rast se Genoa siguron qëndrimin në Serie A.

    Ironia e fatit bën që rikthimi i De Rossit në pankinë të ndodhë pikërisht në stadiumin ku e mbylli aventurën e tij si trajner i Romës – në “Luigi Ferraris”. Ndeshja e fundit e tij me verdhekuqtë ishte kundër Genoas dhe përfundoi me rezultatin 1-1, ndërsa De Rossi u ndëshkua me karton të kuq. Si pasojë, ai nuk do të jetë në stol në ndeshjen debutuese të skuadrës së tij së re këtë fundjavë.

    Në javën e ardhshme, Genoa do të përballet me Fiorentinën, një skuadër emri i së cilës dikur ishte përmendur si një nga opsionet për De Rossin. Ndërkohë, “violat” janë ende në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Stefano Piolit, me Vanolin që aktualisht shihet si favorit për postin.

    Për De Rossin, kjo është një mundësi e artë për të rifilluar karrierën e tij si trajner në një klub me histori dhe pasion, ndërsa synimi kryesor mbetet i qartë – të mbajë Genoan në elitën e futbollit italian.

  • Katër vizitorë vdesin në Walt Disney World Resort brenda një muaji 

    Katër vizitorë vdesin në Walt Disney World Resort brenda një muaji 

    Një seri fatkeqësish në Walt Disney World Resort ka tërhequr vëmendje të madhe, pasi zyrtarët konfirmuan se katër vizitorë kanë ndërruar jetë në këtë destinacion të madh në Florida brenda një periudhe të shkurtër kohe.

    Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Orange (OCSO), incidenti më i fundit ndodhi të dielën, më 2 nëntor 2025, kur një grua rreth të 40-ave u gjet në Pop Century Resort dhe më pas u transportua në një spital lokal, ku u shpall e vdekur. Autoritetet deklarojnë se nuk ka shenja të krimit.

    Fatkeqësitë e fundit përfshijnë: Më 14 tetor 2025, një grua 31-vjeçare, e njohur si super fanse e Disney, vdiq nga një vetëvrasje e dukshme pas rënies nga një ballkon në Contemporary Resort.

    Më 21 tetor 2025, një burrë rreth të 60-ave pësoi një episod mjekësor dhe më pas vdiq në Fort Wilderness Resort & Campground.

    Më 23 tetor 2025, një burrë 28-vjeçar, i identifikuar si Matthew Cohn, vdiq pas rënies nga kati i 12-të i Bay Lake Tower në Contemporary Resort, vdekja e tij u konsiderua vetëvrasje.

    Këto katër raste ndodhën brenda një periudhe tre javore, duke shkaktuar shqetësim mes vizitorëve dhe vëzhguesve, megjithëse të gjitha duket se janë të pavarura nga njëra-tjetra. OCSO dhe autoritetet e tjera nuk kanë gjetur lidhje mes incidenteve dhe vazhdojnë t’i trajtojnë secilën në mënyrë të pavarur.

    Një zëdhënës i resortit ka refuzuar të japë një deklaratë zyrtare për momentin, duke cituar hetime në zhvillim dhe respekt për familjet e përfshira.

    Frekuenca e papritur e këtyre vdekjeve në një vend të njohur si “Më i Magjishmi në Tokë” ka shkaktuar natyrshëm pyetje dhe spekulime. Disa ekspertë vënë në dukje se komplekset e mëdha turistike, që presin mijëra vizitorë çdo ditë, do të hasin natyrshëm raste vdekjeje nga shkaqe natyrore ose kriza personale, ndërsa të tjerë shprehin shqetësim për modelet që përfshijnë çështje të shëndetit mendor.

    Për momentin, vizitorët e Disney që janë duke udhëtuar ose planifikojnë të udhëtojnë, këshillohen të ushtrojnë kujdes normal. Resorti vazhdon të funksionojë dhe të ofrojë shërbime, por këto ngjarje të fundit shërbejnë si një kujtesë serioze se edhe në mjedise argëtimi dhe festash, tragjedia mund të ndodhë.

  • Tajfuni Kalmaegi godet Vietnamin pasi vrau të paktën 140 persona në Filipine

    Tajfuni Kalmaegi godet Vietnamin pasi vrau të paktën 140 persona në Filipine

    Tajfuni Kalmaegi ka goditur pjesën qendrore të Vietnamit të enjten, duke detyruar mijëra banorë që të evakuohen nga zona nëpër të cilën do të kalojë një nga ciklonet më vdekjeprurëse në botë këtë vit.

    Gjatë kësaj jave, Kalmaegi shkaktoi dëme të mëdha në Filipine, duke lënë të vdekur të paktën 140 persona, teksa 127 të tjerë konsiderohen të zhdukur pas përmbytjeve që u shkaktuan nga stuhia.

    Tajfuni goditi Vietnamin me erëra që arritën deri në 149 kilometra në orë, tha Ministria e Mjedisit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Era është aq e fortë sa asgjë nuk i bën ballë”, tha për AFP-në banori i Vietnamit Vu Van Hao, 48 vjeç.

    Pjesa qendrore e Vietnamit, që u godit nga tajfuni, veçse ishte përballur me vërshime një javë më herët që vranë të paktën 47 persona.

    “Ky është një tajfun i madh me kapacitet të tmerrshëm shkatërrues”, tha zyrtari kryesor i provincës Gia Lai, Pham Anh Tuan. Mediat shtetërore thanë se në këtë provincë një natë më parë u evakuuan mbi 7.000 persona.

    Vietnami ndodhet në një nga rajonet më aktive në botë sa i përket cikloneve tropikale dhe zakonisht preket nga rreth dhjetë tajfune ose stuhi në vit, por Kalmaegi është stuhia e trembëdhjetë që godet këtë shtet gjatë vitit 2025.

    Sipas të dhënave shkencore, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po bëjnë që ngjarje të motit ekstrem të jenë më të shpeshta dhe më shkatërruese.

    Kalmaegi goditi fuqishëm Filipinet të hënën, duke shkaktuar dëme në ishujt Cebu dhe Negros, përpara se të rikthej në det.

    Stuhia shkaktoi vërshime të mëdha në Filipine, shtet që shpalli gjendje të fatkeqësisë kombëtare.

    Më shumë se 500.000 banorë në Filipine janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të stuhisë.

    Vietnami, që ka një bregdet prej 3.200 kilometrash dhe një rrjet prej 2.300 lumenjsh, përballet me rrezik të madh të përmbytjeve.

    Fatkeqësitë natyrore veçse kanë shkaktuar vdekjen ose zhdukjen e 279 personave gjatë këtij viti dhe kanë shkaktuar dëme në vlerë prej më shumë se 2 miliardë dollarësh, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Vietnamit./REL

  • Rritja e pagave në Shqipëri – Rama zbuloi kategoritë që do të përfitojnë

    Rritja e pagave në Shqipëri – Rama zbuloi kategoritë që do të përfitojnë

    Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të fillojë indeksimi i pagave te punonjësit në shtet, praktikë që deri tani ndiqej vetëm për pensionistët.

    Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë zbuloi kategoritë që do të përfitojnë.

    Po ashtu do të ketë përfitime në bazë të përllogaritjes vjetore të punës në sektorët e Shëndetësisë dhe policisë, shkruan tch.

    “Ka një tjetër lajm shumë të mirë në projekt-buxhetin 2026, i cili është fillimi i praktikës së indeksimit vjetor, edhe për pagat e punonjësve të sektorit publik, qoftë në nivel qendror, qoftë nivel vendor, të cilat do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit.

    Kjo është një politikë e re pagash, që e kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë, i shton gati 100 milionë euro, qysh në vitin e parë 2026, shumës që mandati i katërt do të vërë në dispozicion të rritjes së fuqisë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore.

    Kështu konkretisht:

    10600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë do të përfitojë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj.

    Për specialistët e administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja.

    Mësuesit do të përfitojnë pagë, 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj.

    Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, që do të thotë si mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131.700 lekë në 143.500 lekë të reja në muaj.

    Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të reja në muaj.

    Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj.

    Po ashtu, edhe për punonjësit e policisë së shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj.

    E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave pagat rriten si më poshtë:

    Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në 84.500 lekë të reja, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit, që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja.

    Për nënkomisaret, paga do të rritet nga 95.500 në 101 mijë lekë të reja, e cila me shtesën për kushtet e punës dhe po ashtu, për ushqimin shkon në 116 mijë lekë të reja.

    Për komisarët nga 105 mijë në 110.600 dhe me shtesën për kushtet e punës, plus për ushqimin, shkon në 125.600 lekë të reja.

    Dhe për drejtuesit e thjeshtë, nga 130.500, paga do të shkojë 141.450 lekë të reja, që me shtesën dhe me ushqimin bëhet mesatarisht 156.450 lekë të reja.

    Janë të gjitha lajme të mira për të gjitha këto kategori, sepse tani Shqipëria është në një nivel tjetër dhe ky fakt do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, të njerëzve që jetojnë me punë. Sepse ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm, me 83 mandate për Shqipërinë 2030, meritojnë çdo vit e më shumë dhe do të kenë çdo vit e më shumë.”, u shpreh Rama.

  • Dhuna në familje – Fillon zbatimi i hallkave elektronike për parandalimin e rasteve

    Dhuna në familje – Fillon zbatimi i hallkave elektronike për parandalimin e rasteve

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, mbajti një takim pune me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, në kuadër të fillimit të implementimit të hallkave elektronike për parandalimin e dhunës në familje.

    Në takim morën pjesë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, gjyqtarë të rajonit, përfaqësues të Policisë Rajonale, avokatë, si dhe përfaqësues të Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave dhe të Shërbimit Sprovues. Qëllimi i takimit ishte koordinimi institucional dhe fillimi i zbatimit të kësaj mase për personat ndaj të cilëve gjykata ka shqiptuar masën e kufizimit të lëvizjes.

    Gjatë diskutimeve, u theksua se hallkat elektronike përbëjnë një mjet modern dhe efektiv për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe për forcimin e reagimit institucional në raste të tilla. Përfaqësuesit e Policisë prezantuan mënyrën e vendosjes së pajisjeve, ndërlidhjen me sistemin e monitorimit dhe procedurat që ndërmerren në rast të shkeljes së masës së kufizimit të lëvizjes.

    Kryeprokurori Petrit Kryeziu theksoi se ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes më efikase të viktimave dhe zbatimit të vendimeve gjyqësore. Ai vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Prokurorisë, Policisë dhe Gjykatës është thelbësor për zbatimin e suksesshëm të kësaj mase dhe për parandalimin e rasteve të përsëritura të dhunës.

    Në takim, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, drejtori i policisë rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, dhe kryetari i OAK – dega Prizren, Blerim Mazreku, të cilët theksuan rëndësinë e implementimit të hallkave elektronike si mjet mbrojtjeje për viktimat në rastet me masa kufizuese të lëvizjes.

    Në përfundim, pjesëmarrësit u dakorduan që të ndërmerren hapa konkretë për zbatimin praktik të kësaj mase dhe për sigurimin e informimit të vazhdueshëm ndërinstitucional mbi funksionimin e sistemit të mbikëqyrjes elektronike.

  • Kostumi i Heidi Klum si medusa për halloween shpallet nga publiku si look-u më rrënqethës ndonjëherë

    Kostumi i Heidi Klum si medusa për halloween shpallet nga publiku si look-u më rrënqethës ndonjëherë

    Halloween-i i vitit 2025 ka një mbretëreshë dhe kjo është Heidi Klum. Supermodelja dhe “Mbretëresha e Halloween-it” e njohur për transformimet e saj spektakolare, i la fansat pa fjalë edhe këtë herë, duke u shfaqur në festën e saj të “Heidiween” në Hard Rock Hotel New York si krijesa mitologjike dhe e tmerrshme, Medusa.

    Këtë vit, Klum shkoi deri në fund. Lëkura e saj e skalitur me ngjyra të zeza dhe të gjelbra, “flokët” gjarpërinj animatronikë, thonjtë si gjarpërinj dhe lentet e verdha që ndriçonin e bënë të duket e frikshme dhe magnetike njëkohësisht. Transformimi kërkoi rreth 10 orë për t’u realizuar, me ndihmën e një ekipi prej më shumë se 15 personash për aplikimin e pro­stetikës, makiazhit dhe detajeve të hollësishme të look-ut të saj.

    Edhe bashkëshorti i saj, Tom Kaulitz, u përfshi në temë, duke u shfaqur si një luftëtar i kthyer në gur nga shikimi i Medusës një referencë interesante mitologjike.

    Fansat menjëherë shpërthyen në rrjete sociale, duke e quajtur “ikonik” dhe “art të nivelit tjetër për Halloween-in”. Me këtë look, Klum tregon edhe një herë se nuk po feston vetëm Halloween-in ajo po e riformëson atë.

  • Travis Barker dhe djali i tij 2 vjeçar, me tattoo të njëjtë

    Travis Barker dhe djali i tij 2 vjeçar, me tattoo të njëjtë

    Travis Barker nuk është i panjohur për tatuazhet, por gjesti i tij e fundit ka ndezur fansat dhe këtë herë bëhet fjalë për djalin e tij. Drumeri i Blink-182 ka zbuluar së fundmi se ai dhe djali i tij 2 vjecar tani kanë tatuazhe të njëjta me kafkë, një simbol i guximshëm dhe i fortë i lidhjes së tyre sipas artistit.

    Dizajni i kafkës në ngjyrë të zezë dhe gri, i bërë në parakrah, reflekton jo vetëm stilin “punk-rock” karakteristik të Travis, por edhe një lidhje të thellë personale. Sipas burimeve të afërta, tatuazhet u frymëzuan nga dashuria e tyre e përbashkët për artin, muzikën dhe shpirtin rebel të familjes.

    Fansat menjëherë shpërthyen në rrjete sociale për të shprehur adhurimin e tyre për këtë gjest të ëmbël me stil rock-and-roll. Disa e quajtën “ikonik,” ndërsa të tjerë shaka se si familja Barker mund të fillojë një trend të ri me tatuazhet e përbashkëta prind-fëmijë.

    Qoftë që jeni fans i muzikës së Travis apo i stilit të tij të guximshëm, një gjë është e sigurt: ai di si të përziej anën e e tij personale me dashurinë familjare  dhe ta bëjë këtë të jetë lajm kryesor.

  • Hansi Flick i zhgënjyer me paraqitjen e Barcelonës ndaj Club Brugge

    Hansi Flick i zhgënjyer me paraqitjen e Barcelonës ndaj Club Brugge

    Barcelona po përjeton një prej sezoneve më të vështira,qëkur Hansi Flick e morri drejtimin e gjigantit katalunas vitin e kaluar.

    Tekniku gjerman ka folur pas barazimit 3:3 kundër ekipit belg Club Brugge,dhe Flick është shprehur tejet i zhgënjyer dhe se vendasit luajtën lojë të mirë gjatë gjithë kohës.

    “Duhet të jemi më  të kujdesshëm edhe në mesfushë, ku humbëm shumë duele.Kur kundërshtari luan me një ose dy prekje, duhet të reagosh më shpejt. Nuk është e lehtë, por duhet të përmirësohemi. Krijuam shumë, por ata ishin agresivë dhe bënë një ndeshje të shkëlqyer.”

    Përndryshe Flick shton se Barca arriti të shmang humbjen në fund,dhe se beson se me rikthimin e Pedrit, Raphinhës, Olmos, Leëandoëskit dhe Joan Garcías ekipi do të jetë edhe më i fortë.

    Kujtojmë që Barcelona ndeshjen e rradhës do e luaj në La Liga,ku i shkon në udhëtim skuadrës së Celta Vigos.