ATV

Blog

  • Osmani për serbin e rrëmbyer brenda territorit të Kosovës: Krim dhe provokim i rëndë

    Osmani për serbin e rrëmbyer brenda territorit të Kosovës: Krim dhe provokim i rëndë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Millan Vukashinoviq, i cili u plagos dhe u rrëmbye më 1 nëntor brenda territorit të Kosovës, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe se ambasadori i Kosovës në Beograd nuk është lejuar ta vizitojë atë.

    Osmani në një deklarim para mediave, këtë akt e ka cilësuar si krim dhe provokim të rëndë nga ana e Serbisë, duke e përshkruar si një tentim për vrasje.

    “Po, siç e dini edhe sipas të dhënave kadastrale, ajo është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës. Sa i përket hetimit që po e bëjnë institucionet tona në bashkëpunim me institucionet e sigurisë së shteteve aleate, ne ende po presim konkluzionin final. Megjithatë, sa i përket informatave të deritanishme që kemi nga institucionet e sigurisë, është se ka qenë brenda territorit të Kosovës. Por përtej kësaj, përtej çështjes se ku ka ndodhur, pavarësisht se ku të ketë ndodhur kjo, prapëseprapë është krim dhe provokim i rëndë, dhe është tentim vrasjeje i institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës. Pra, nëse edhe kjo të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë, gjë që nuk është e vërtetë, por edhe sikur të kishte ndodhur, përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë që Serbia vazhdimisht e rrezikon”, tha Osmani.

    Ajo po ashtu ka treguar se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë lidhur me këtë rast.

    “Si presidente, që nga dita e parë, vazhdimisht jam në komunikim me përfaqësues të shteteve të QUINT-it, por edhe përfaqësues të tjerë lidhur me këtë që ka ndodhur dhe me këtë shkelje të rëndë nga ana e Serbisë. Po ashtu, përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari, ka tentuar ta vizitojë disa herë të plagosurin, mirëpo nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që kemi janë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore. Institucionet tona janë në komunikim edhe me familjarët e të plagosurit, qytetarit tonë, dhe po ashtu me gjithë dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen dhe çfarë ka ndodhur”, deklaroi presidentja.

  • Dafina “zhduk” një nga ndërhyrjet e saj estetike, publikon foto

    Dafina “zhduk” një nga ndërhyrjet e saj estetike, publikon foto

    Këngëtarja e dashur shqiptare, Dafina Zeqiri, ka habitur ndjekësit me një vendim që pak vajza të famshme do ta bënin sot: ajo ka hequr filler-in e buzëve.

    Në një postim në Instagram, Dafina ndau një foto të re dhe një mesazh të shkurtër, por shumë domethënës: “Removed my lipfiller”.

    Në imazhin që ka shpërndarë, artistja shfaqet me një pamje krejt ndryshe — më e butë, më natyrale dhe, sipas shumë fansave, më e bukur se kurrë më parë.

    Ndërkohë që shumë vajza ende vrapojnë pas trendeve të “buzëve perfekte”, Dafina duket se ka zgjedhur të ndjekë një drejtim tjetër, duke përqafuar thjeshtësinë dhe autenticitetin.

  • Behrami ndan një foto të një fletëvotimi të vulosur dy herë nga zgjedhjet në Mitrovicë

    Behrami ndan një foto të një fletëvotimi të vulosur dy herë nga zgjedhjet në Mitrovicë

    Ditën e djeshme, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës, duke u thënë se ka pasur pretendime për manipulim me fletëvotime dhe do të pritet deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që i ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar numrat e ndryshëm serikë në disa fletëvotime.

    Lidhur me këtë ka pasur reagime të shumta, e mes tyre ka qenë edhe një deklarim i sotëm i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami.

    Në postimin e tij, Behrami ka ndarë një fotografi ku shihet se një fletëvotim është vulosur dy herë.

    ‘’Kur filluan t’i hapnin kutitë në Mitrovicë, u dëgjuan piskama. Kur e panë Albini i kishte pasur duart në to!’’, ka shkruar ai.

  • 16 muaj në hotel luksoz, pa asnjë trofe – Mourinho i kushton Fenerbahçes miliona

    16 muaj në hotel luksoz, pa asnjë trofe – Mourinho i kushton Fenerbahçes miliona

    Trajneri, Jose Mourinho, përjetoi një periudhë interesante, por pa trofe, në krye të Fenerbahçes, që zgjati 16 muaj dhe përfundoi me shkarkimin e tij pas dështimit për të kualifikuar skuadrën në Ligën e Kampionëve 2025/26.

    Gjatë qëndrimit në Stamboll, trajneri portugez zgjodhi të jetonte në hotelin luksoz Four Seasons, ku ka akumuluar një faturë mbresëlënëse për akomodimin. Sipas raportimeve të mediave turke, shpenzimet e tij për 16 muajt e qëndrimit arrijnë në rreth 36.5 milionë lira turke, që përkthehen në afro 747 mijë euro.

    Përveç kësaj, Fenerbahçe ende i detyrohet Mourinhos një kompensim prej 15 milionë eurosh për shkarkimin e parakohshëm të kontratës. Nuk dihet ende nëse klubi do të marrë përsipër pagesën e faturës së hotelit apo do ta detyrojë portugezin ta mbulojë vetë këtë shumë.

    Ky rast ka tërhequr vëmendjen e medias sportive, duke rikthyer në qendër të debatit mënyrën si klubet menaxhojnë shpenzimet e larta të trajnerëve të famshëm dhe ndikimin që këto kontrata kanë në buxhetin e tyre. /ATVLIVE.TV

  • Zidane paralajmëron rikthimin në futboll: “Do të ndodhë shumë shpejt”

    Zidane paralajmëron rikthimin në futboll: “Do të ndodhë shumë shpejt”

    Pas gati katër vitesh larg stolit, Zinedine Zidane ka lënë të kuptohet se rikthimi i tij në botën e futbollit është afër.

    Ish-trajneri i Real Madridit, në një deklaratë të shkurtër të raportuar nga eksperti i njohur i merkatos Fabrizio Romano, tha:

    “Do të ndodhë së shpejti. Shumë shpejt.”

    Edhe pse nuk dha detaje të tjera, kjo fjali e shkurtër ka mjaftuar për të ndezur emocionet e tifozëve, veçanërisht atyre të Real Madridit, të cilët ëndërrojnë një rikthim të mundshëm të tij në
    “Santiago Bernabeu”.

    Zidane është pa skuadër që nga viti 2021, kur u largua nga Real Madridi për herë të dytë. Që atëherë, ai është lidhur me disa destinacione të mëdha, përfshirë kombëtaren e Francës, Manchester United dhe Paris Saint-Germain. /ATVLIVE.TV

  • Sierro lëndohet, mungon ndaj Suedisë dhe Kosovës – Zvicra fton Omeragicun

    Sierro lëndohet, mungon ndaj Suedisë dhe Kosovës – Zvicra fton Omeragicun

    Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se mesfushori Vincent Sierro ka pësuar një lëndim dhe për pasojë do të mungojë në dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Suedisë dhe Kosovës.

    “Helvetikët” do të zhvillojnë dy përballje vendimtare në nëntor, ku me një fitore do të siguronin matematikisht pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror 2026.

    Megjithatë, federata ka bërë të ditur se Sierro është detyruar të largohet nga grumbullimi për shkak të një dëmtimi në këmbë.

    “Mesfushori Vincent Sierro do të mungojë në dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Suedisë dhe Kosovës. Lëndimi në këmbë është diagnostikuar nga stafi mjekësor të hënën në mesditë.
    Sierro është larguar nga kombëtarja për të marrë trajtim te klubi”
    , thuhet në njoftim.

    Në vend të tij, përzgjedhësi Murat Yakin ka ftuar mbrojtësin e Montpellier, Becir Omeragic. Ndërkohë, Ricardo Rodriguez dhe Luca Jaquez kanë kryer stërvitje individuale dhe pritet t’i bashkohen skuadrës gjatë javës.

    “Mbrojtësit Ricardo Rodriguez dhe Luca Jaquez kanë kompletuar stërvitje individuale të hënën dhe do t’i bashkohen skuadrës gjatë javës. Becir Omeragic nga Montpellier është ftuar si lojtar shtesë dhe do të mbërrijë të hënën mbrëma”, thuhet më tej në komunikatë.

    Nëse Zvicra nuk arrin ta mposhtë Suedinë në shtëpi, ndërsa Kosova fiton në udhëtim ndaj Sllovenisë, atëherë përballja e fundit në “Fadil Vokrri” do të jetë vendimtare për përcaktimin e kombëtares që do të sigurojë biletën për Kupën e Botës 2026. /ATVLIVE.TV

  • Ukraina sulmon Rusinë me dronë, goditet një rafineri e madhe nafte

    Ukraina sulmon Rusinë me dronë, goditet një rafineri e madhe nafte

    Një seri shpërthimesh tronditën qytetet ruse të Saratovit dhe Engelsit herët të martën, ndërsa mediat sociale raportuan për një zjarr në rafinerinë e naftës Saratov.

    Sipas kanaleve ruse të Telegramit, mbrojtja ajrore ishte në gatishmëri të lartë në të dy qytetet për shkak të kërcënimit të sulmeve me dronë. Banorët raportuan se kishin dëgjuar midis pesë dhe shtatë shpërthime të forta pas orës 1 të mëngjesit.

    Dëshmitarët thanë se zjarret ishin të dukshme në jugperëndim të Saratovit dhe se zhurma e motorëve të dronëve mund të dëgjohej sipër kokës.

    Guvernatori i rajonit të Saratovit, Roman Busargin, konfirmoi kërcënimin e sulmeve me dronë, ndërsa Rosaviatsia vendosi kufizime të përkohshme të fluturimit në aeroportin e Saratovit.

    Në një postim në Telegram në orën 8:22 të mëngjesit, Busargin shkroi se sulmi me dronë kishte thyer dritaret në disa shtëpi në lagjen Zavodsky, duke plagosur një person që nuk kishte nevojë për shtrim në spital.

    “Specialistët po inspektojnë të gjithë zonën për të eliminuar çdo rrezik. Pasi të përfundojnë të gjitha masat e sigurisë, banorët do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi. Nëse është e nevojshme, qytetarëve do t’u ofrohet akomodim falas në hotel”, tha Busargin.

    Pas orës 8 të mëngjesit, kanalet e Telegram raportuan shpërthime të reja në Saratov, megjithëse autoritetet lokale nuk kanë komentuar mbi sulmin e dytë të supozuar.

    Saratov strehon një rafineri që prodhon mbi 20 lloje produktesh nafte, duke përfshirë benzinë, naftë, bitum dhe squfur. Rajoni është gjithashtu shtëpia e bazës ajrore Engels, nga e cila lëshohen rregullisht bombardues rusë për sulme me raketa në Ukrainë.

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, njësitë e mbrojtjes ajrore gjatë natës kapën dhe shkatërruan 37 dronë ukrainas: 10 mbi Krimenë e pushtuar, 8 mbi rajonin e Saratovit dhe 7 mbi rajonin e Oryol. Ukraina nuk e ka konfirmuar përfshirjen e saj në sulm.

    Ndërkohë, kryetari i rajonit të Odesës, Oleh Kiper, raportoi se Rusia nisi një sulm masiv me dronë në jug të Ukrainës gjatë natës.

    “Pavarësisht punës aktive të mbrojtjes sonë ajrore, ka dëme në infrastrukturën civile të energjisë dhe transportit,” tha Kiper.

    “Zjarret shpërthyen në disa objekte energjetike, por u shuan shpejt. Depoja e Ukrzaliznytsia dhe ndërtesat administrative u dëmtuan gjithashtu,” shtoi ai.

  • Prokuroria në Pejë konfiskon dhe sekuestron 106 automjete, ato ishin përdorur apo përfituar përmes veprave penale

    Prokuroria në Pejë konfiskon dhe sekuestron 106 automjete, ato ishin përdorur apo përfituar përmes veprave penale

    Prokuroria në Pejë ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar–tetor të këtij viti janë konfiskuar dhe sekuestruar gjithsej 106 automjete të përdorura apo përfituara përmes veprave penale.

    Vendimet janë marrë me kërkesë të prokurorëve të shtetit dhe me urdhër përfundimtar të gjykatës.

    Sipas njoftimit, 63 prej këtyre automjeteve, përfshirë vetura, kamionë e makineri pune, janë konfiskuar përfundimisht, ndërsa 43 të tjera janë të sekuestruara përkohësisht derisa hetimet janë në vazhdim.

    Automjetet e konfiskuara do të shiten nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, ndërsa të gjitha mjetet e fituara nga shitja do të derdhen në buxhetin e shtetit.

  • Hill: Jakup Krasniqi nuk ishte figurë kyçe në UÇK

    Hill: Jakup Krasniqi nuk ishte figurë kyçe në UÇK

    Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij, ka deklaruar se Jakup Krasniqi nuk ka qenë një figurë kyçe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    I pyetur nga avokati Aiden Ellis, Hill tha se mendimi i tij për Krasniqin ishte formuar bazuar në disa udhëzime që kishte marrë.

    “Po. Këto janë mendime të pabazuara, por në mungesë të informacioneve të tjera, po. Kjo ishte përshtypja ime që zotëri Krasniqi nuk ishte një person i rëndësishëm në UÇK”, tha Hill.

  • Murati me akuza të forta: Dikur 120% dalje në votime – sot PDK-ja flet për hajni, po rrëfejnë mëkatet e veta

    Murati me akuza të forta: Dikur 120% dalje në votime – sot PDK-ja flet për hajni, po rrëfejnë mëkatet e veta

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas kritikave të Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se Kosova prej vitesh njihet për zgjedhje të lira e pa probleme të theksuara.

    Ai tha se për këtë meritë të madhe i takon Lëvizjes Vetëvendosje, me komisionerët dhe vëzhguesit e saj që kanë mbrojtur votën ndër vite.

    Murati shtoi se para përfshirjes së Vetëvendosjes në garat zgjedhore, proceset shoqëroheshin me “vjedhje industriale të votave”, kryesisht në bastionet e PDK-së. Ai e quajti “turp” përpjekjen e kësaj partie për të kërkuar shfajësim pas dështimeve të saj.

    Reagimi i plotë:

    Tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë merr edhe lëvdata nga ndërkombëtarët.

    Një meritë e madhe për këtë i shkon pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje! me komisionerët dhe vëzhguesit e saj, të cilët ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve qoftë edhe me trupat e tyre.

    Këtë meritë tashmë na e kanë pranuar publikisht edhe kundërshtarët tanë politikë.

    Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së.

    Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë.

    Partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin.

    Turp!