ATV

Blog

  • OBSH ngre alarmin: Shëndeti mendor i fëmijëve po përkeqësohet dhe kërkon vëmendje urgjente

    OBSH ngre alarmin: Shëndeti mendor i fëmijëve po përkeqësohet dhe kërkon vëmendje urgjente

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur sërish alarmin për gjendjen e shëndetit mendor tek fëmijët dhe të rinjtë, duke e cilësuar atë si një nga sfidat më serioze të dekadës. Sipas raportimeve të fundit, gjithnjë e më shumë fëmijë po përballen me ankth, depresion dhe vështirësi emocionale, shpesh të paidentifikuara në kohë nga prindërit apo mësuesit.

    Ekspertët e OBSH-së theksojnë se faktorët që ndikojnë janë të shumtë – nga presioni shkollor dhe përdorimi i tepërt i teknologjisë, deri te mungesa e komunikimit familjar, stresi social dhe pasojat e pandemisë. Në shumë raste, simptomat e para shfaqen që në moshë të hershme, por shpesh neglizhohen për shkak se interpretohen si “sjellje fëmijësh”.

    Sipas të dhënave, rreth 1 në 7 fëmijë në botë vuan nga ndonjë formë e çrregullimit mendor. Mungesa e mbështetjes psikologjike dhe stigmatizimi i problemeve emocionale vazhdojnë të jenë pengesa kryesore për trajtim.

    OBSH u bën thirrje qeverive dhe institucioneve arsimore të fokusohen më shumë në programet parandaluese, të përfshijnë psikologë në shkolla dhe të krijojnë hapësira të sigurta ku fëmijët mund të shprehen lirshëm.

    Ekspertët theksojnë se kujdesi për shëndetin mendor duhet të fillojë në shtëpi – me dëgjim, përkushtim dhe komunikim të hapur. Një fëmijë që ndihet i dëgjuar dhe i kuptuar, ka shumë më pak gjasa të zhvillojë probleme emocionale në të ardhmen.

  • Aksident trafiku me fatalitet në Bresje, vdes një person

    Aksident trafiku me fatalitet në Bresje, vdes një person

    Një person ka ndërruar jetë pas një aksidenti në Bresje të Fushë Kosovës.

    Rastin e ka konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

    Ky i fundit ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 1 të pasmesnatës.

    ‘’Rreth orës 01:00, datë 11.11. 2025, policia është njoftuar për një aksident trafiku në dalje të autostradës në Bresje – Fushë Kosovë. Në aksident është përfshirë një veturë, një person ka pësuar lëndime dhe ekipi mjekësor ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete. Policia është marrë me procedurat në vend ngjarje’’, ka njoftuar Policia.

  • PDK-ja kërkon rivotim në Mitrovicë

    PDK-ja kërkon rivotim në Mitrovicë

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka denoncuar parregullsitë e ndodhura me fletëvotimet në Mitrovicë dhe ka bërë thirrje që ky qytet të shkojë në rivotim.

    Gjatë konferencës për media, Gruda ka theksuar se bartja e fletëvotimeve nga një vend në tjetrin shkel ligjin dhe rregullat e KQZ-së.

    “Jam këtu për të shprehur shqetësimet lidhur me dyshimet për procesin zgjedhor në Mitrovicë. Procesi është shënuar me presion të madh, ndërhyrje në proces dhe institucione shtetërore që kanë ndërhyrë. Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë kanë vërejtur parregullsi të rënda që janë gjetur në klasa të tjera, madje edhe në qendra të tjera të votimit. Ka pasur bartje të fletëvotimeve nga një klasë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën. Menjëherë pas vërejtjes, janë lajmëruar organet kompetente. Si pasojë, procesi i votimit është ndërprerë. Bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër bie ndesh me ligjin dhe me rregullat e KQZ-së. Kodi që shërben në fletëvotime është për vendvotime dhe si mekanizëm i vërtetimit. Ky kod është një element themelor i integritetit zgjedhor. Pra, çështja nuk është vetëm teknike, por ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e votës,” tha Gruda.

    Ai dha shembuj konkretë: “Në shkollën ‘Avdullah Shabani’ janë gjetur 3 fletëvotime që i takojnë një shkolle tjetër. Në shkollën ‘Migjeni’ është gjetur një fletëvotim që i takon një klase tjetër. Është vërejtur që ka fletëvotime të shumta të bartura nga një klasë dhe nga një shkollë tjetër.”

    Deputeti theksoi se Mitrovica ishte komuna me pjesëmarrjen më të madhe në votime dhe se dështimi i KQZ-së aty është më serioz, si në rezultat, ashtu edhe në proces.

    LEXONI EDHE:

    Votat në Mitrovicë, kompania që i shtyp fletëvotimet e merr përgjegjësinë për “gabimin teknik”

  • Votat në Mitrovicë, kompania që i shtyp fletëvotimet e merr përgjegjësinë për “gabimin teknik”

    Votat në Mitrovicë, kompania që i shtyp fletëvotimet e merr përgjegjësinë për “gabimin teknik”

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar një sqarim zyrtar lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

    Sipas njoftimit, pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania përgjegjëse ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka konfirmuar se problemi ndodhi vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, ndërkohë që sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), prandaj gabimi nuk u zbulua gjatë shtypjes.

    “CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në reagimin e KQZ-së.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për këtë përgjigje është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit.

  • Robert Lewandowski dhe Hansi Flick, rikthimi i një lidhjeje magjike

    Robert Lewandowski dhe Hansi Flick, rikthimi i një lidhjeje magjike

    Robert Lewandowski po tregon edhe një herë pse konsiderohet një nga sulmuesit më të mirë në botë, veçanërisht nën drejtimin e Hansi Flick. Polaku ka regjistruar plot 158 kontribute në gola në vetëm 135 ndeshje të zhvilluara me trajnerin gjerman, një statistikë që flet për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes tyre.

    Dyshja krijoi një lidhje të fortë gjatë kohës së përbashkët te Bayern Munich, ku arritën të dominojnë futbollin europian, dhe duket se po e rikthejnë të njëjtin sukses edhe te Barcelona.

    Flick e njeh në detaje stilin dhe pikat e forta të Lewandowskit, ndërsa polaku duket se po rigjen formën më të mirë nën drejtimin e tij. Një “partneritet i artë” që mund të jetë çelësi i rikthimit të katalanasve në majën e futbollit europian.

  • Kennet Eichhorn, talenti i ri i Hertha Berlin që po tërheq vëmendjen e gjigantëve evropianë

    Kennet Eichhorn, talenti i ri i Hertha Berlin që po tërheq vëmendjen e gjigantëve evropianë

    Barcelona dhe Real Madridi nuk vonojnë kurrë për të zbuluar talentet më premtuese të Evropës – dhe më gjerë – dhe mesfushori i Hertha Berlin, Kennet Eichhorn, po shihet gjithnjë e më shumë si një prej tyre. 16-vjeçari ka impresionuar këtë sezon në Bundesliga 2 dhe gjigantët evropianë po e ndjekin nga afër.

    Eichhorn ka qenë një nga lojtarët më të përdorur të Herthas këtë sezon, duke qenë titullar në shtatë nga 12 ndeshjet e kampionatit, me paraqitje të qëndrueshme dhe të matur. Sipas Sky Sports DE, në varësi të disa faktorëve, ai mund të ketë një klauzolë lirimi prej vetëm 10-12 milionë eurosh verën e ardhshme – shumë që konsiderohet e përballueshme për klubet më të mëdha.

    Bayern Munich dhe RB Leipzig janë aktualisht favoritët për të transferuar Eichhorn, por Borussia Dortmund gjithashtu po monitoron zhvillimin e tij. Në garë janë edhe Real Madrid, Barcelona, Paris Saint-Germain dhe Manchester United. Raporti i Sky Sports DE u konfirmua edhe nga BILD javën e kaluar, duke shtuar interesimin e Liverpool dhe Arsenal. Eichhorn ka spikatur për inteligjencën dhe qetësinë e tij në mesfushë, duke treguar një maturi të rrallë për moshën e tij.

    E ardhmja e tij mbetet e paqartë. Pavarësisht interesimit nga klubet gjermane dhe evropiane, Eichhorn mund të vendosë të qëndrojë te Hertha për të vazhduar zhvillimin e tij, ndoshta duke rinovuar kontratën me një klauzolë më të lartë lirimi. Një faktor shtesë në vendimin e tij mund të jetë edhe përvoja e Michael Cuisance, ish-talent i madh i Bayernit, i cili mund të shërbejë si këshilltar i vlefshëm për të ardhmen e Eichhorn.

    Në çdo rast, emri i 16-vjeçarit po rritet gjithnjë e më shumë në radarët e klubeve më të mëdha dhe vera e ardhshme mund të jetë vendimtare për karrierën e tij. /ATVLIVE.TV

  • Lamine Yamal largohet nga kombëtarja spanjolle dhe kthehet në Barcelonë

    Lamine Yamal largohet nga kombëtarja spanjolle dhe kthehet në Barcelonë

    Lojtari 18-vjeçar, Lamine Yamal, është larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar spanjoll dhe do të humbasë ndeshjet kundër Gjeorgjisë dhe Turqisë. Vendimi u bë i ditur nga Federata Spanjolle RFEF këtë të martë.

    Ky incident shënon një tjetër përplasje mes Barcelonës dhe Federatës Spanjolle të Futbollit, e cila shprehu pakënaqësinë e saj, duke theksuar se lojtari duhej t’i nënshtrohej testeve në të njëjtën ditë që u grumbullua, pa informacion paraprak.

    “Mbrëmjen e të hënës u njoftuam se Yamal duhet të pushojë 7-10 ditë. Për këtë arsye, vendosëm largimin e tij, duke i dhënë përparësi shëndetit dhe rikuperimit të tij,” thotë federate në njoftim.

    Situata mbetet e ndjeshme, ndërsa tifozët dhe mediat do të ndjekin me kujdes rikthimin e lojtarit te Barcelona dhe zhvillimet e ardhshme me përfaqësuesen spanjolle. /ATVLIVE.TV

  • Sot Leonardo DiCaprio feston 51-vjetorin – Hollywood-i në festë!

    Sot Leonardo DiCaprio feston 51-vjetorin – Hollywood-i në festë!

    Sot, më 11 nëntor 2025, aktori i njohur Leonardo DiCaprio mbush 51 vjeç, duke lënë pas një karrierë të jashtëzakonshme në kinematografi. Nga Titanic te Inception dhe The Revenant, ai ka sjellë në ekran personazhe që kanë shënuar historinë e filmave.

    Përveç suksesit në Hollywood, Leonardo është një aktivist i zjarrtë mjedisor, duke përdorur famën e tij për të mbrojtur planetin dhe për të ndërgjegjësuar publikun mbi ndryshimet klimatike. Ai ka themeluar edhe fondacionin e tij, i cili mbështet projekte të rëndësishme ekologjike.

    Fansat nga e gjithë bota kanë mbushur rrjetet sociale me urime dhe foto nga karriera e tij ikonike. Sot, në 51-vjetorin e tij, Leonardo DiCaprio mbetet një nga figurat më të mëdha të kinemasë dhe një shembull frymëzimi për miliona njerëz.

  • LeBron James kryeson NBA-në për të ardhurat, Curry dhe Durant pas tij

    LeBron James kryeson NBA-në për të ardhurat, Curry dhe Durant pas tij

    LeBron James është përsëri basketbollisti me të ardhurat më të mëdha në NBA. Ylli i Los Angeles Lakers ka shënuar fitimet më të larta për sezonin 2025/26, vetëm tri javë pas nisjes së tij.

    Në moshën 40-vjeçare, LeBron pritet të përfitojë 132.6 milionë dollarë nga paga dhe kontratat e sponsorizimit. Kjo e vendos atë përpara Stephen Curry të Golden State Warriors, i cili këtë sezon ka fitime prej 109.6 milionë dollarësh, ndërsa në vendin e tretë renditet Kevin Durant me 103.3 milionë dollarë. Ky trio është e vetmja që kalon kufirin e 100 milionë dollarëve këtë sezon.

    Klasifikimi vijon me Giannis Antetokounmpo me 99.1 milionë dollarë. Ndër 15 basketbollistët më të paguar gjenden edhe europianët: Nikola Jokic në vendin e 9 me 64.2 milionë, Luka Doncic i 11 me 61 milionë dhe kanadezi Shai Gilgeous-Alexander i 12 me 58.3 milionë.

    Kur merret parasysh vetëm paga nga kontrata me Lakers, LeBron me 52.6 milionë dollarë nuk është as në dhjetëshen e parë, duke u renditur në vendin e 11. Shumica e të ardhurave të tij, 80 milionë dollarë, vijnë nga sponsorët, një shifër 60% më e lartë se ajo e Curry dhe Durant.

    Në 23 sezonet e tij në NBA, LeBron ka qenë basketbollisti me pagën më të lartë vetëm në sezonin 2016/17. Që nga momenti kur u zgjodh nga Cleveland Cavaliers në Draftin e 2003, ai gjithmonë ka përfituar më shumë jashtë parketit sesa nga kontrata me skuadrën. Ky sezon, LeBron është i vetmi mes 15 lojtarëve më të paguar që ka të ardhura më të larta nga sponsorët sesa nga paga. /ATVLIVE.TV

  • 10 të famshmit apo “Nepo Babies”, që nuk e dinim se vinin nga familje të famshme

    10 të famshmit apo “Nepo Babies”, që nuk e dinim se vinin nga familje të famshme

    Në ditët e sotme, termi “nepo baby” është bërë fjala më e nxehtë e Hollivudit, një shkurtesë për ata që lindin në famë, pasuri dhe mundësi. Ndërsa disa yje të brezit të dytë e mbajnë trashëgiminë e tyre me krenari, të tjerë e kanë ndërtuar emrin vetë, duke e lënë publikun ta zbulojë lidhjen më vonë.

    Nga mbiemrat e fshehur deri te surprizat familjare, ja 10 yje që mund t’ju habisin me prejardhjen e tyre të famshme.

     

    1. Dakota Johnson

    E njohim për rolin e saj në “Fifty Shades of Grey”, por pak e dinë që Dakota është “princeshë” e vërtetë e Hollivudit. Prindërit e saj janë aktorët Melanie Griffith dhe Don Johnson, ndërsa gjyshja e saj është Tippi Hedren, ikona legjendare e “The Birds” të Hitchcock-ut. Një familje që duket sikur ka dalë direkt nga studio filmike.

    1. Lily Collins

    Në “Emily in Paris” ajo është vajza elegante e modës dhe dashurisë, por pas beretës pariziane qëndron një trashëgimi muzikore. Lily është vajza e këngëtarit Phil Collins, zërit të pavdekshëm të “In the Air Tonight”. Ajo ka treguar se ka dashur gjithmonë të ecë më këmbët e veta, pa ndihmën e të atit.

    1. Margaret Qualley

    Kur shpërtheu me serialin “Maid” dhe filmin “Once Upon a Time in Hollywood”, shumë menduan se ishte një zbulim i ri i kinemasë indie. Por Margaret është vajza e aktores Andie MacDowell, ikonë e komedive romantike të viteve ’90. Tani, ajo po ndjek hapat e nënës me një energji krejt moderne.

    1. Zoë Kravitz

    Me stilin e saj të ftohtë dhe rolet në “The Batman” e “Big Little Lies”, Zoë është simboli i të qenurit “cool”. Por ajo është gjithashtu vajza e Lenny Kravitz dhe aktores Lisa Bonet. Dy prindër legjendarë, e një vajzë që ka krijuar një identitet krejt të vetin.

    1. Jack Quaid

    Nëse e doni në “The Boys”, ja një sekret,  Jack është djali i Meg Ryan dhe Dennis Quaid. Ai ka ndjekur një rrugë më komike e alternative, larg romancave të prindërve të tij, dhe shpesh e pranon me humor etiketën “nepo baby”.

    1. Maya Hawke

    Ylli i “Stranger Things” dhe “Once Upon a Time in Hollywood” është vajza e Ethan Hawke dhe Uma Thurman. Me stilin e saj unik dhe ndjeshmërinë artistike, Maya duket si përzierja perfekte e dy prindërve me një frymë autentike.

     

    1. Ella Beatty

    Në fillimet e saj në karrierë, Ella Beatty (vajza e Annette Bening dhe Warren Beatty) po e ndërton ngadalë emrin në projektet e pavarura. Emri i saj i njohur mund të hapë dyer, por talenti është ai që i mban ato hapur.

    1. Lily-Rose Depp

    Yll i Channel-it dhe protagoniste në “The Idol”, Lily-Rose është vajza e Johnny Depp dhe këngëtares franceze Vanessa Paradis. Me sharmin franko-amerikan dhe qëndrimin misterioz, ajo e ka kthyer trashëgiminë e saj në një markë botërore.

    1. Jessica Capshaw

    Nëse keni qarë me Grey’s Anatomy, e keni parë Jessica Capshaw,  por ndoshta s’e dinit që ajo është vajza e aktores Kate Capshaw dhe njerku i saj është vetë Steven Spielberg. Një lidhje filmike që mund të ishte lehtë një skenar.

    1. Zooey Deschanel

    Para se të bëhej “vajza e ëmbël” e komedive romantike, Zooey rritej në një shtëpi plot kamera. Babai i saj është regjisori  i nominuar për Oscar, Caleb Deschanel, ndërsa nëna, Mary Jo Deschanel, është aktore. Mesa duket, karizma artistike është në gjak.