ATV

Blog

  • Netflix surprizon abonentët: largon “Shrek”-un, por sjell rikthime të mëdha në nëntor

    Netflix surprizon abonentët: largon “Shrek”-un, por sjell rikthime të mëdha në nëntor

    Netflix ka nisur muajin nëntor me ndryshime të mëdha në katalogun e tij filmik, duke shkaktuar reagime të forta nga abonentët në mbarë botën. Platforma më e madhe e transmetimit online ka hequr disa prej filmave më të dashur të publikut, përfshirë serinë e famshme të animuar “Shrek” dhe “Despicable Me”, duke lënë shumë fansa të zhgënjyer.

    Që prej 1 nëntorit, katër filmat e “Shrek”-ut – nga i pari e deri te “Shrek Forever After” – nuk janë më të disponueshëm në Netflix. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe “Willy Wonka & the Chocolate Factory”, “Charlie and the Chocolate Factory” dhe disa tituj të njohur nga franshiza “Fast & Furious”, si “2 Fast 2 Furious”, “Tokyo Drift” dhe “Hobbs & Shaw”. Edhe komeditë klasike “Ferris Bueller’s Day Off” dhe “Horrible Bosses” janë larguar nga lista.

    Fansat nuk e kanë pritur mirë këtë vendim. Në rrjetet sociale, shumë prej tyre kanë shprehur indinjatën, duke e quajtur lëvizjen “një krim ndaj kujtimeve të fëmijërisë”. “Si mund të hiqet Shrek? Po na zhduket fëmijëria”, shkroi një përdorues në platformën X.

    Megjithatë, Netflix përpiqet ta kompensojë zhgënjimin me një valë titujsh të rinj dhe rikthime ikonike. Në katalogun e këtij muaji do të shtohen trilogjitë “Back to the Future” dhe “The Hangover”, si dhe filmat e suksesshëm “Charlie’s Angels” (2000) dhe “Crazy Rich Asians” (2018).

    Një nga momentet më të pritura të nëntorit do të jetë publikimi i sezonit të pestë dhe të fundit të “Stranger Things”. Pjesa e parë e këtij sezoni do të publikohet më 26 nëntor, ndërsa finalja pritet të mbërrijë për Krishtlindje dhe Natën e Vitit të Ri.

    Edhe pse heqja e disa klasikëve ka lënë një boshllëk për fansat nostalgjikë, Netflix premton që ky muaj do të sjellë përmbajtje të reja, emocione të forta dhe rikthime që do të mbajnë abonentët të ngjitur pas ekranit.

  • Çfarë thonë studimet e fundit për lidhjen mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut të autizmit te fëmijët

    Çfarë thonë studimet e fundit për lidhjen mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut të autizmit te fëmijët

    Paracetamoli është një nga medikamentet më të përdorura në botë për lehtësimin e dhimbjeve dhe uljen e temperaturës, madje shpesh konsiderohet si ilaçi “më i sigurt” edhe gjatë shtatzënisë. Megjithatë, studime të fundit po ngrenë pikëpyetje mbi përdorimin e tij të shpeshtë apo afatgjatë nga nënat shtatzëna dhe rrezikun e mundshëm për zhvillimin e çrregullimeve neurozhvillimore, përfshirë autizmin dhe çrregullimet e vëmendjes (ADHD) tek fëmijët.

    Sipas disa kërkimeve të publikuara në Journal of the American Medical Association (JAMA), nivelet më të larta të metabolitëve të paracetamolit të gjetura në kordonin e kërthizës pas lindjes janë shoqëruar me rritje të lehtë të probabilitetit që fëmijët të shfaqin shenja të autizmit ose vështirësi në përqendrim.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk ka prova përfundimtare që paracetamoli shkakton autizëm. Lidhja e vërejtur është statistikore, jo domosdoshmërisht shkak-pasojë. Studimet vazhdojnë për të kuptuar më mirë mekanizmin biologjik dhe faktorët e tjerë që mund të ndikojnë – si predispozita gjenetike, ndotja, apo shëndeti i përgjithshëm i nënës gjatë shtatzënisë.

    Mjekët rekomandojnë që gratë shtatzëna të mos e përdorin paracetamolin pa nevojë të domosdoshme, por as të mos e shmangin kur është vërtet e nevojshme, pasi temperaturat e larta apo dhimbjet e patrajtuara mund të jenë po aq të rrezikshme për zhvillimin e fetusit.

    Ekspertët theksojnë rëndësinë e këshillimit me mjekun për çdo ilaç të përdorur gjatë shtatzënisë, edhe për ata që duken “të sigurt”. Deri më tani, rekomandimi mbetet i njëjtë: përdorimi i paracetamolit duhet të jetë i kufizuar, në dozat më të ulëta efektive dhe vetëm për periudha të shkurtra.

  • Studimi i ri rrëzon pretendimin e Trumpit: Paracetamoli në shtatzëni nuk lidhet me autizmin

    Studimi i ri rrëzon pretendimin e Trumpit: Paracetamoli në shtatzëni nuk lidhet me autizmin

    Një studim i ri nuk ka gjetur lidhje në mes të marrjes së paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut që fëmija të marrë autizmin.

    Gjetjet u publikuan të dielën në “British Medical Journal”, pasi presidenti amerikan Donald Trump alarmoi muaj më parë duke bërë thirrje për të mos marrë Tylenol (në Evropë njihet si paracetamol) gjatë shtatzënisë për shkak të, siç ka thënë ai, rrezikut se mund të shkaktojë autizëm te fëmijët. Trumpi nuk ofroi asnjë dëshmi shkencore.

    Hulumtuesit nga Universiteti i Liverpoolit ekzaminuan nëntë studime sistematike që mbulonin rreth 40 studime mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rezultatet neurozhvillimore tek fëmijët. Përfundimi ishte se cilësia e përgjithshme e provave që mund ta lidhin paracetamolin me çrregullimet neurozhvillimore është “e ulët deri në kritikisht e ulët”.

    “Kemi gjetur se bazuar në të dhënat aktuale, nuk ka asnjë lidhje në mes të marrjes së paracetamolit gjatë shtatzënisë te gratë dhe diagnozës së autizmit apo ADHD-së te fëmijët e tyre”, ka thënë profesoresha e këtij universiteti dhe udhëheqëse e studimit. “Gjetjet duhet të ndihmojnë profesionistët e kujdesit shëndetësor që t’u japin këshilla të bazuara në prova dhe t’i risigurojnë nënat lidhur me përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë nëse është e nevojshme”.

    Rishikimi i këtyre studimeve ka gjetur se çdo lidhje e raportuar mund të ketë ndikuar nga faktorët gjenetikë dhe mjedisorë brenda familjeve, siç janë shëndeti mendor i prindërve ose stili i jetesës. Por studiuesit thonë se duhen më shumë studime me cilësi të lartë, për të mbështetur pretendime që mund të lidhen me paracetamolin gjatë shtatzënisë.

    Në shtator, Trumpi pati alarmuar për acetaminophenin që të mos përdoret nga gratë shtatzëna, për shkak të, siç pati thënë ai, rrezikut për autizëm, pavarësisht se nuk dha asnjë provë se bari mund ta shkaktojë direkt atë. Por edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe ajo e Barnave në Evropë kanë kundërshtuar pretendimet e Trumpit. Edhe Agjencia Amerikane për Ilaçe në SHBA pati thënë se nuk janë gjetur zyrtarisht lidhje mes ilaçit dhe rrezikut për autizëm.

  • S’ka më justifikime: ja si vetëm pak minuta mund ta ndryshojnë ditën tënde!

    S’ka më justifikime: ja si vetëm pak minuta mund ta ndryshojnë ditën tënde!

    Nëse shpesh ndihesh i lodhur, i ngarkuar ose pa motiv për të nisur detyrat, ndoshta problemi nuk është mungesa e kohës — por mënyra si e përdor atë. Shpesh mendojmë se për të qenë produktivë duhen orë të tëra përqendrim, por studimet tregojnë të kundërtën: mjaftojnë vetëm pak minuta në ditë për të ndryshuar ritmin e trurit dhe energjinë e trupit.

    Ekspertët e produktivitetit theksojnë se fillimi është gjithçka. Kur nisim diçka për 5 minuta, truri ynë kalon nga faza e rezistencës në fazën e veprimit. Pra, në vend që të ankohemi për mungesë kohe, mund ta përdorim atë për hapa të vegjël që sjellin rezultat të madh:

    • Bëj një listë të shkurtër të prioriteteve ditore;

    • Kalo 5 minuta në lëvizje ose stretching për të aktivizuar trupin;

    • Fillo me detyrën më të lehtë – ajo do të të japë ndjesinë e përparimit;

    • Ndaj 10 minuta për reflektim ose frymëmarrje të thellë.

    Vetëm disa minuta fokus dhe qetësi mund të jenë çelësi për një ditë më produktive dhe mendje më të qetë. Nuk është çështje kohe, por vullneti për të filluar – dhe shpesh, fillimi është gjysma e suksesit.

  • Vetëm 13 ditë pas sfilatës së saj mahnitëse në “Victoria’s Secret”, Jasmine Tookes bëhet nënë për herë të dytë!

    Vetëm 13 ditë pas sfilatës së saj mahnitëse në “Victoria’s Secret”, Jasmine Tookes bëhet nënë për herë të dytë!

    Modelja e njohur ndërkombëtare Jasmine Tookes ka mirëpritur në jetë fëmijën e saj të dytë me bashkëshortin Juan David Borrero. Lajmin e bukur ajo e ndau në Instagram, duke postuar foto të ëmbla me djalin e porsalindur, Mateo Ira, që erdhi në jetë më 28 tetor.

    Vetëm disa ditë para lindjes, Jasmine kishte shkëlqyer në pasarelën e “Victoria’s Secret Fashion Show”, duke mahnitur publikun me elegancën dhe sigurinë e saj.

    Tookes dhe Borrero janë tashmë prindër edhe të një vajze dyvjeçare, Mia, ndërsa modelja ka treguar se kjo shtatzëni ishte më e vështirë për shkak të angazhimeve me vajzën e vogël.

  • Taylor Swift zbulon shoqërueset e dasmës një emër që askush s’e priste!

    Taylor Swift zbulon shoqërueset e dasmës një emër që askush s’e priste!

    Ylli i muzikës pop, Taylor Swift, duket se është zyrtarisht në fazën më romantike të jetës së saj. Pas propozimit nga futbollisti Travis Kelce, ajo ka nisur përgatitjet për dasmën – dhe tashmë ka zbuluar dy nga shoqërueset e saj të nuses.

    Sipas raportimeve të US Sun, Taylor ka zgjedhur përkrah saj Selena Gomez, mikeshën e saj të ngushtë prej vitesh, dhe Gigi Hadid, një emër që ka befasuar fansat. Burimet tregojnë se këngëtarja e ftoi Gigin gjatë një darke private në Manhattan, ku supermodelja është shprehur “e emocionuar” dhe e nderuar nga ftesa.

    Taylor po dëshiron që e gjithë periudha e përgatitjeve të jetë plot me momente të këndshme dhe kujtime të paharrueshme – me udhëtime, festa të vogla dhe plane që do të përfshijnë mikeshat e saj më të afërta në çdo hap.

    Fansat e kanë vënë re aktivitetin e shtuar të Taylor kohët e fundit, duke spekuluar për listën e të ftuarve në dasmë. Ajo është parë në darka me Ashley Avignone në tetor dhe me Sabrina Carpenter pak ditë më parë, duke rritur kuriozitetin për atë që pritet të jetë një nga dasmat më të komentuara të vitit.

    Sipas US Weekly, Taylor dhe Travis janë ende në fazat e hershme të planifikimit, por dasma thuhet se do të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm. Propozimi romantik ka ndodhur në gusht, në pronën e Travis në Kansas, ku ai i dhuroi unazën e fejesës.

    Ceremonia pritet të mbahet në vilën luksoze të Taylor në Rhode Island, një pronë që vlen rreth 17 milionë dollarë dhe që shpesh është përdorur për evente të saj private.

    Burime pranë këngëtares tregojnë se ajo po e shijon çdo moment të këtij procesi, duke e kthyer planifikimin e dasmës në një përvojë të ngrohtë, argëtuese dhe plot dashuri. Ndërkohë, Selena Gomez, e cila së fundmi është martuar me Benny Blanco, po e ndihmon mikeshën e saj me këshilla dhe ide për ditën e madhe.

    Duket se për Taylor-in, kjo do të jetë jo vetëm një dasmë e ëndrrave, por edhe një “Love Story” e jetës reale.

  • Neda Balluku tregon arsyen pas titullit të librit “I dashur, ti je trap”: “Në fund del që trape jam unë”

    Neda Balluku tregon arsyen pas titullit të librit “I dashur, ti je trap”: “Në fund del që trape jam unë”

    Moderatorja dhe autorja Neda Balluku, e cila prej disa javësh është në qendër të vëmendjes për shkak të ndarjes nga bashkëshorti i saj, Ogren Balluku, ka sqaruar më në fund domethënien e titullit të librit të saj “I dashur, ti je trap”.

    Pas konfirmimit të divorcit gjatë emisionit “Goca & Gra”, ku zbuloi se pas 10 vitesh martesë ka nisur një kapitull të ri në jetë, Neda ka folur hapur me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.

    E pyetur nga një ndjekës se pse zgjodhi një titull kaq të guximshëm e provokues, ajo u përgjigj me sinqeritet:
    “Është një lojë me lexuesin. Në shumë aspekte jam e bindur që në fund del trape ajo – jo ai.”

    Përmes kësaj deklarate, Neda la të kuptohet se libri i saj nuk është një akuzë ndaj burrave apo një tregim për zemërim pas ndarjes, por një reflektim për marrëdhëniet, fajet dhe mësimet që vijnë me to.

    Reagimi i saj ka ngjallur shumë komente, me ndjekës që e vlerësuan për mënyrën e hapur dhe të sinqertë me të cilën trajton edhe temat më personale.

  • Lamine Yamal viziton mjekun belg për pubalgji – lajme pozitive për Barcelonën

    Lamine Yamal viziton mjekun belg për pubalgji – lajme pozitive për Barcelonën

    Sulmuesi anësor i Barcelonës, Lamine Yamal, është vizituar së fundmi nga mjeku specialist belg Ernest Schilders, për trajtimin e problemit të pubalgjisë që e ka shqetësuar prej disa muajsh.

    Sipas gazetës Mundo Deportivo, Schilders nuk ka konstatuar ndonjë dëmtim serioz, çka ka sjellë lehtësim të madh si për futbollistin, ashtu edhe për klubin katalunas.

    Mjeku belg ka lavdëruar gjithashtu stafin mjekësor të Barcelonës për identifikimin e hershëm të problemit dhe për programin efektiv të rikuperimit që i është ofruar 18-vjeçarit.

    Yamal, që konsiderohet si një nga talentet më premtues në botë, ka filluar të rikthejë formën e tij më të mirë, duke shënuar në tre ndeshjet e fundit radhazi me Barcelonën.

    Ai është gjithashtu përfshirë në listën e Spanjës për ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës që do të zhvillohen këtë muaj.

    Në total spanjolli në 11 ndeshjet e këtij sezoni me Barcelonën, numëron 6 gola dhe po aq asiste. /ATVLIVE.TV

  • Xhensila dhe Besi emocionojnë rrjetin: mesazhe prekëse për djalin e tyre një vit pas ndarjes

    Xhensila dhe Besi emocionojnë rrjetin: mesazhe prekëse për djalin e tyre një vit pas ndarjes

    Një vit pas ndarjes së tyre të bujshme, Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallaku kanë prekur publikun me postime plot emocione, të dedikuara djalit të tyre, Amen. Në ditëlindjen e dytë të vogëlushit, artistët kanë treguar se pavarësisht ndarjes, lidhja e tyre si prindër mbetet e fortë dhe e mbushur me dashuri.

    Në rrjetet sociale, Besi publikoi një video ku shfaqet me djalin e tij, duke shkruar: “I vogli im, djali me superfuqi engjëllore bën 2 vjeç. U rritsh me Zotin, biri im.” Ndërsa Xhensila ndau një dedikim të ndjerë, duke e cilësuar Amenin si “shpëtimtarin” e saj: “Ti më shpëtove, Amen. Solle dritë e forcë aty ku mendova se s’kishte më.”

    Ky gjest i përbashkët i këngëtares dhe aktorit u prit me shumë reagime nga ndjekësit, të cilët i vlerësuan për mënyrën se si kanë ruajtur respektin dhe bashkëpunimin për hir të fëmijës.

    Pavarësisht se rrugët e tyre personale janë ndarë, Xhensila dhe Besi kanë treguar se dashuria prindërore i bashkon më fort se kurrë një shembull i bukur për mënyrën se si mund të mbetet harmonia edhe pas një ndarjeje.

  • Kupa e Botës 2026: parkim luksoz, fitime rekord për FIFA

    Kupa e Botës 2026: parkim luksoz, fitime rekord për FIFA

    FIFA pret fitime rekord nga Kupa e Botës 2026, e cila për herë të parë do të përfshijë 48 ekipe, por këtë herë edhe vendet e parkimit pritet të sjellin miliona dollarë fitim për organizatorët amerikanë.

    Sipas raportimeve të The Athletic, organizatorët në Shtetet e Bashkuara kanë vendosur çmime jashtëzakonisht të larta për parkim gjatë ndeshjeve të turneut – në disa raste, më të larta se vetë biletat e fazës së grupeve të Kupës së Botës 2022 në Katar.

    Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, në gjithsej 16 qytete pritëse. Deri tani janë zbuluar çmimet e parkimit në pesë prej tyre, që variojnë nga 75 deri në 175 dollarë për ndeshje.

    Në stadiumet Hard Rock (Miami), Arrowhead (Kansas City), Gillette (Foxborough) dhe AT&T (Arlington), çmimet janë:

    • 75 dollarë për fazën e grupeve dhe 1/16-tën,

    • 100 dollarë për fazën e 1/8-tave,

    • 145 dollarë për çerekfinalet dhe

    • 175 dollarë për gjysmëfinalet ose ndeshjen për vendin e tretë.

    Në Lincoln Financial Field (Filadelfia), çmimet janë edhe më të larta – 115 dollarë për fazën e grupeve dhe 145 dollarë për 1/16-tën.

    Çmimet për stadiumet në Atlanta, Los Angeles, San Francisco, Seattle, Guadalajara, Mexico City, Monterrey, Vancouver, Houston, Toronto dhe East Rutherford (ku do të zhvillohet finalja) ende nuk janë njoftuar.

    Për krahasim, një vend parkimi prej 75 dollarësh në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026 kushton më shumë se një biletë e kategorisë së tretë për ndeshjet e Kupës së Botës Katar 2022, e cila ishte 69 dollarë.

    Në total, FIFA pret të përfitojë mbi 13 miliardë dollarë nga edicioni i vitit 2026 – shifër rekord në historinë e turneut. /ATVLIVE.TV