ATV

Blog

  • Koundé mungon në stërvitje, në dyshim për ndeshjen ndaj Ukrainës

    Koundé mungon në stërvitje, në dyshim për ndeshjen ndaj Ukrainës

    Mbrojtësi i Barcelonës, Jules Koundé, nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e sotme me Kombëtaren e Francës, raporton Mundo Deportivo.

    Sipas burimeve të afërta me ekipin, Koundé mund të pushohet në ndeshjen miqësore kundër Ukrainës, për shkak të një shqetësimi fizik të lehtë që lojtari ndien prej disa ditësh.

    Stafi teknik i “gjelave” po e monitoron situatën me kujdes, me qëllim që të mos rrezikohet ndonjë lëndim më serioz, ndërsa Barcelona pritet të jetë në kontakt të vazhdueshëm me federatën franceze për gjendjen e mbrojtësit të saj.

    Koundé ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës katalanase këtë sezon, dhe mungesa e tij mund të shqetësojë trajnerin Hansi Flick në prag të rifillimit të La Ligës.

  • Kombëtarja e Shqipërisë zbarkon në Andorrë

    Kombëtarja e Shqipërisë zbarkon në Andorrë

    Kombëtarja shqiptare udhëtoi sot drejt Andorrës për ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

    Sipas Departamentit të Komunikimit të FSHF, grupi i lojtarëve është i kompletuar dhe sot do të zhvillojë stërvitjen zyrtare përpara përballjes me Andorrën.

    Trajneri Silvinjo dhe një lojtar i kombëtares do të mbajnë konferencën zyrtare përpara ndeshjes.

    Ndeshja me Andorrën do të luhet nesër në orën 20:45 dhe është e vlefshme për kualifikimet drejt Botërorit 2026. /ATVLIVE.TV

  • E rëndë në Durrës: I riu godet për vdekje 52-vjeçarin pasi ia ofendoi vëllanë e sëmurë

    E rëndë në Durrës: I riu godet për vdekje 52-vjeçarin pasi ia ofendoi vëllanë e sëmurë

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arapaj të Durrësit, pak ditë më parë, ku një përplasje e momentit mes dy personave ka përfunduar me vdekje.

    Policia ka ndaluar shtetasin L. Ç., i cili akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen.”

    Sipas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, i riu dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grusht 52-vjeçarin Saimir Fetahu. Si pasojë e goditjes, ky i fundit ka rënë me kokë në tokë, duke marrë dëmtime të rënda. Nga hetimet rezulton se ka qenë një konflikt për motive të dobëta që ka sjellë pasojën e rëndë. Viktima dyshohet se në gjendje të dehur kishte ngacmuar me fjalë vëllain e sëmurë të autorit të dyshuar. Me ta marrë vesh, ai ka shkuar të sqarohet dhe e ka goditur me grusht.

  • “Kurti fuqizon partneritetin Kosovë–Turqi: TİKA premton projekte që prekin jetën e qytetarëve”

    “Kurti fuqizon partneritetin Kosovë–Turqi: TİKA premton projekte që prekin jetën e qytetarëve”

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim presidentin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren. Tema kryesore e bisedës ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe projektet zhvillimore që TİKA po mbështet në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Të dy palët vlerësuan rezultatet konkrete në arsim, shëndetësi, zhvillim rural, bujqësi dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke theksuar rëndësinë e tyre për përmirësimin e shërbimeve publike dhe fuqizimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.

    Kryeministri Kurti theksoi se Kosova çmon partneritetin me Turqinë dhe kontributin e TİKA-s në projekte që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.

    Nga ana e tij, Abdullah Eren konfirmoi përkushtimin e TİKA-s për të vazhduar dhe zgjeruar programet mbështetëse, duke punuar ngushtë me institucionet qendrore dhe komunale për projekte të shpejta, të qëndrueshme dhe me ndikim të matshëm.

    U dakordua gjithashtu krijimi i një koordinimi më të afërt mes ekipeve, me fokus tek investimet në infrastrukturën arsimore dhe shëndetësore, mbështetja e ndërmarrjeve rurale dhe projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

  • Meta sjellë risi në WhatsApp – së shpejti do të mundësojë komunikim edhe me përdorues të aplikacioneve të tjera

    Meta sjellë risi në WhatsApp – së shpejti do të mundësojë komunikim edhe me përdorues të aplikacioneve të tjera

    Kompania Meta po përgatit një ndryshim të madh në mënyrën se si funksionon WhatsApp.

    Së shpejti, aplikacioni mund të lejojë përdoruesit të dërgojnë dhe të marrin mesazhe edhe nga persona që nuk përdorin WhatsApp, raporton portali “Android Central”.

    Funksioni i ri, i quajtur “Third-party chats”, aktualisht është në fazën e testimit në versionin beta (Android 2.25.33.8), dhe pritet të mundësojë shkëmbimin e mesazheve tekst, fotografive, videove, mesazheve zanore dhe dokumenteve ndërmjet WhatsApp dhe aplikacioneve të tjera të komunikimit.

    Përdoruesit do të kenë mundësinë të zgjedhin nëse duan që këto biseda të shfaqen në listën kryesore të bisedave ose në një seksion të veçantë të quajtur “Third-party chats”. Deri më tani, dihet se në testim është përfshirë vetëm aplikacioni “BirdyChat”.

    Megjithatë, disa funksione si “stikera”, statuset dhe mesazhet që “zhduken” nuk do të jenë të disponueshme gjatë komunikimit ndër-aplikacion. Po ashtu, bllokimi i një kontakti në WhatsApp nuk do të nënkuptojë automatikisht që ai person nuk mund të kontaktojë përmes aplikacionit tjetër – kjo do të varet nëse platforma tjetër e mbështet bllokimin.

    Zbatimi i këtij funksioni lidhet me rregulloren e Digital Markets Act (DMA) të Bashkimit Evropian, e cila detyron kompanitë e mëdha teknologjike të lejojnë ndërveprimin (interoperabilitetin) e shërbimeve të tyre me aplikacione konkurrente.

    Meta ka njoftuar se po punon për të zbatuar sistemin që do të mundësojë shkëmbimin e mesazheve duke ruajtur standardet e larta të privatësisë dhe enkriptimit për të cilat është i njohur WhatsApp-i. Megjithatë, kompania nuk ka publikuar ende një datë të saktë se kur ky funksion do të jetë i qasshëm për të gjithë përdoruesit.

  • “Dardanët” në përballje historike: Dy ndeshje, një ëndërr Botërori

    “Dardanët” në përballje historike: Dy ndeshje, një ëndërr Botërori

    Kombëtarja e Kosovës po përgatitet për dy ndeshjet vendimtare në kualifikimet për Kupën e Botës: të shtunën (15 nëntor) ndaj Sllovenisë dhe të martën (18 nëntor) ndaj Zvicrës.

    Aktualisht, “Dardanët” ndodhen në vendin e dytë me 7 pikë, tri më pak se Zvicra, që kryeson Grupin B me 10 pikë. Vendi i parë në grup kualifikohet direkt në Botëror, ndërsa vendi i dytë shkon në “Play-Off”, ku do të luajë dy ndeshje të tjera për të siguruar biletën.

    Si mund të kualifikohet Kosova direkt në Botëror?

    • Të fitojë të dy ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës;

    • Të presë që Zvicra të mos fitojë ndaj Suedisë (barazim ose humbje).

    Në këtë rast, Kosova përfundon me 13 pikë, ndërsa Zvicra me 10 ose 11, duke bërë që “Dardanët” të shkojnë direkt në Botëror.

    Si mund të shkojë Kosova në “Play-Off”?

    • Fiton ose barazon ndaj Sllovenisë;

    • Edhe nëse humb dy ndeshjet, mund të kualifikohet në “Play-Off” nëse Sllovenia pëson humbje ndaj Suedisë dhe suedezët nuk fitojnë ndaj Zvicrës më parë.

    Si mund të eliminohet Kosova?

    • Humb të dy ndeshjet dhe Sllovenia fiton ndaj Suedisë;

    • Humb të dy ndeshjet, Sllovenia barazon ndaj Suedisë, por ka gol-ndalim më të mirë se Kosova;

    • Humb të dy ndeshjet dhe Suedia fiton të dy ndeshjet, duke pasur gol-ndalim më të mirë se Kosova.

    Kjo është java më e rëndësishme në histori për Kosovën që nga pranimi në UEFA dhe FIFA, dhe çdo pikë do të ketë rëndësi vendimtare për fatin e saj në Botëror. /ATVLIVE.TV

  • Macron do t’i mësojë Palestinës si të bëjë kushtetutë, Franca investon 100 milionë euro për Gazën

    Macron do t’i mësojë Palestinës si të bëjë kushtetutë, Franca investon 100 milionë euro për Gazën

    Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar të martën se Franca do të ndihmojë Autoritetin Palestinez në hartimin e një kushtetute për një shtet të ardhshëm palestinez, pas bisedimeve me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas në Paris.

    Një numër vendesh të mëdha perëndimore, përfshirë Francën, kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez në shtator, një veprim i nxitur nga frustrimi me Izraelin për luftën e tij shkatërruese në Gazë dhe dëshira për të promovuar një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e Lindjes së Mesme.

    Armëpushimi Izrael-Hamas, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, ka hyrë në fuqi në tetor, por Izraeli ka hedhur poshtë çdo perspektivë të shtetësisë palestineze.

    Macron ka theksuar se Franca dhe Autoriteti Palestinez, i cili ushtron vetëqeverisje të kufizuar nën pushtimin ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor, do të krijojnë një komitet të përbashkët për hartimin e një kushtetute të re palestineze.

    “Ky komitet do të jetë përgjegjës për të punuar në të gjitha aspektet ligjore: kushtetuese, institucionale dhe organizative,” tha ai.

    “Do të kontribuoj në punën e zhvillimit të një kushtetute të re, një draft të së cilës presidenti Abbas ma ka paraqitur mua, dhe do të synoj të finalizoj të gjitha kushtet për një shtet të tillë të Palestinës,” shtoi Macron.

    Ai gjithashtu bëri të ditur se Franca do të kontribuojë me 100 milionë euro në ndihmë humanitare për Gazën për vitin 2025.

    Vendimi i Francës, së bashku me Britaninë, Kanadanë dhe Australinë për të njohur shtetin palestinez, i bashkoi këto vende me mbi 140 të tjera që mbështesin aspiratën e palestinezëve për një atdhe të pavarur nga territoret e pushtuara nga Izraeli.

    Megjithatë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka dënuar këtë valë njohjesh, duke theksuar qëndrimin e aleatit të ngushtë të Izraelit se një veprim i tillë do të ishte shpërblim për Hamasi pas sulmit të 7 tetorit 2023 që shkaktoi luftën në Gazë.

  • Federata Serbe nuk do të shesë bileta për ndeshjen ndaj Anglisë

    Federata Serbe nuk do të shesë bileta për ndeshjen ndaj Anglisë

    Kombëtarja e Anglisë do të zhvillojë nesër ndeshjen e saj të parafundit në kualifikimet për Kupën e Botës, duke pritur Serbinë në stadiumin legjendar “Wembley”.

    Skuadra vizitore do të përballet me mungesë të mbështetjes nga tifozët e saj, pasi Federata Serbe e Futbollit ka vendosur të mos shesë bileta për sektorin e tifozëve miq.

    Anglia ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në Botërorin e verës së ardhshme, pas gjashtë fitoreve në po aq ndeshje kualifikuese. Në përballjen e shtatorit në Beograd, “Tre Luanët” triumfuan 5-0, duke vazhduar formën e shkëlqyer nën drejtimin e Thomas Tuchel.

    Megjithatë, ajo ndeshje u shoqërua me incidente, pasi disa lojtarë anglezë u shënjestruan me lazer, ndërsa tifozët serbë u përplasën në shkallët e stadiumit, duke detyruar ndërhyrjen e policisë. Vetëm një muaj më vonë, FIFA gjobiti Federatën Serbe me 83 mijë paund për sjelljen e tifozëve në ndeshjen ndaj Shqipërisë në të njëjtat kualifikime.

    Duke marrë parasysh këto episode, Federata Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë përsipër shitjen apo shpërndarjen e biletave për sfidën ndaj Anglisë. Në deklaratën zyrtare thuhet:

    “Duke pasur parasysh përvojat e mëparshme dhe gjobat e larta të paguara, jo vetëm për ndeshjet në shtëpi, por edhe për incidentet jashtë vendit, Federata Serbe e Futbollit nuk do të organizojë shitjen e biletave për tifozët miq në ‘Wembley’ dhe nuk do të mbajë përgjegjësi për sjelljen e tyre gjatë ndeshjes kundër Anglisë.” / ATVLIVE.TV

  • Konfirmon policia, vdes në vendngjarje burri 58-vjeçar, gruaja në gjendje të rëndë pas aksidentit me kamion

    Konfirmon policia, vdes në vendngjarje burri 58-vjeçar, gruaja në gjendje të rëndë pas aksidentit me kamion

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Dobërdelan të Suharekës, ku një 58-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa bashkëshortja e tij ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:25 në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin dhe përfshiu një automjet dhe një kamion.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi se e lënduara është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

    “Sot, më datë 12 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në fshatin Dobërdelan, në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, është raportuar për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një kamion. Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit, mashkull 58-vjeçar, fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, tha Bytyqi.

    Ai shtoi se menjëherë pas raportimit të rastit, njësitet policore kanë dalë në vendngjarje, kanë siguruar perimetrin dhe po kryejnë hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit për të parandaluar aksidente dhe për të ruajtur jetën e qytetarëve.

  • 10 shtëpitë më të shtrenjta të VIP-ave

    10 shtëpitë më të shtrenjta të VIP-ave

    Nga vilat e Hollivudit te pallatet e Bollywood-it, këto prona tregojnë se luksit nuk ka kufij. Ja lista e 10 shtëpive më të shtrenjta të VIP-ave në 2025, renditur nga më e lirë tek më e shtrenjta.

    1. Elliot Page – Penthouse në New York City

    Penthouse modern me pamje mahnitëse të qytetit dhe elegancë urbane, thuhet se për këtë “penthouse” aktori pagoi rreth 21 milionë dollarë.

    2. LeBron James – Los Anxhelos, Kaliforni

    Shtëpia e legjendës së basketbollit natyrisht që përfshin fushë basketbolli private, palestër dhe shtëpi për mysafirët, ideale për jetën aktive të yllit NBA. Çmimi i kësaj shtëpie supozohet se kushtoi rreth 23 milionë dollarë

    3. Taylor Swift – Pronë bregdetare në Rhode Island

    Prona me plazh privat, shtëpi për mysafirë dhe kopshte të mëdha, vend ideal për arratisje të qeta larg paparacëve. Thuhet se shtëpia kushton rreth 17 milionë dollarë.

    4. Kylie Jenner – Holmby Hills, Los Anxhelos

    Vila moderne me pishinë infinity, kinema private dhe dizajn minimalist që reflekton stilin unik të Kylie-t. Kjo vilë ka çmim prej 36.5 milionë dollarësh

    5. Shah Rukh Khan – Mannat, Mumbai, Indi

    Arkitekturë madhështore, kopshte të gjelbëruara dhe tarraca me pamje nga oqeani, një prej shtëpive më të famshme jashtë Hollivudit. Ky objekt arti kushton rreth 35 milionë dollarë.

    6. Ellen DeGeneres – Montecito, Kaliforni

    Pishinë, fushë tenisi dhe shtëpi për mysafirë, perfekte për pritje VIP-ash. Me çmim marramendës prej 45 milionë dollarësh.

     

    7. Kim Kardashian – Hidden Hills, Kaliforni

    Dizajn futuristik, garderoba gjigante dhe teknologji tejet të avancuar, një nga shtëpitë më të komentuara të VIP-ave dhe siç pritet kap shumën prej 60 milionë dollarësh.

    8. Jennifer Lopez & Ben Affleck – Bel-Air, Los Anxhelos

    Pishina të shumta, kinema private dhe dizajn bashkëkohor, vendpushimi i përkryer për çiftin e famshëm. Shtëpia e çiftit Lopez dhe Afleck kap shumën e 70 milionëve…

    9. Oprah Winfrey – Montecito, Kaliforni

    Pronë 23,000 metra katrorë me kopshte të gjelbëruara, spa privat dhe bibliotekë madhështore. Tërë këta metra katrorë kushtojnë rreth 90 milionë dollarë.

     

    10.  Drake – Toronto, Kanada

    Ashensor privat, pishinë brenda dhe studio regjistrimi luksoze, kombinim perfekt pune dhe kënaqësie. Çmimi 100 milionë dollarë, duke kaluar çdo shifër tjetër në këtë list.

    Çdo pronë reflekton stilin dhe mënyrën e jetesës së pronarit. Nga plazhet private dhe pishinat infinity, te kinematë private dhe kopshtet e mëdha, këto vila japin një shije të luksit që shumica mund ta shohin vetëm në ëndrrat e tyre.