ATV

Blog

  • Trump nënshkruan projektligjin për rihapje të Qeverisë amerikane

    Trump nënshkruan projektligjin për rihapje të Qeverisë amerikane

    Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar projektligjin për rihapjen e Qeverisë dhe përfundimin e mbylljes së saj më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

    Ai e ka nënshkruar dokumentin për të financuar Qeverinë deri në fund të janarit, pasi atë e kanë miratuar Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

    Në Zyrën Ovale, Trump ka thënë se Qeveria do t’i rinisë operacionet normale, pasi “njerëzit janë dëmtuar aq keq” nga mbyllja 43-ditore.

    Shumë shërbime qeveritare janë pezulluar prej tetorit dhe rreth 1.4 milion punëtorë federalë kanë qenë në pushim pa pagesë, ose kanë punuar pa paga, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Edhe ndihmat për personat me të ardhura të ulëta ishin pezulluar, si dhe trafiku ajror ishte çrregulluar, me fluturime të anuluara apo të shtyra.

    Shërbimet qeveritare pritet të rikthehen në ditët në vijim, ndërsa situata në trafikun ajror pritet të stabilizohet para Festës së Falënderimeve, kur shumë amerikanë kthehen në shtëpi.

    Festa këtë vit shënohet më 27 nëntor. Besohet se edhe kjo datë ka ndikuar që kongresistët t’i rrisin përpjekjet për të arritur një marrëveshje,.

    Presidenti Trump, republikan, e ka fajësuar vazhdimisht Partinë Demokratike për mbylljen e Qeverisë.

    “Ata e kanë bërë këtë për arsye të pastra politike. Kur të afrohen zgjedhjet për Kongres dhe gjërat tjera, mos e harroni çfarë i kanë bërë shtetit tonë”, ka thënë ai.

    Demokratët dhe republikanët nuk janë pajtuar me javë për paketën e financimit të Qeverisë, mirëpo të dielën tetë demokratë janë shkëputur nga linja partiake dhe kanë ndihmuar në miratimin e projektligjit për hapje të Qeverisë./REL

  • EUROPOL-i arreston pjesëmarrës në komplotin për rrëmbimin e një trafikanti shqiptar të drogës

    EUROPOL-i arreston pjesëmarrës në komplotin për rrëmbimin e një trafikanti shqiptar të drogës

    Agjencia Evropiane e Policisë [EUROPOL] ka bërë të ditur se më 12 nëntor ka ofruar ndihmë në një hetim të kryer nga gjermanët, lidhur me një grup mercenarësh, të angazhuar nga një rrjet kriminal, me qëllim të kidnapimit të kreut të një bande rivale shqiptare për trafikim droge.

    Kreu i kësaj bande shqiptare – emri i të cilit nuk është bërë i ditur – dyshohet se e ka orkestruar vjedhjen e disa tonëve të kanabisit, në vlerë të miliona eurove.

    Aksioni i koordinuar është fokusuar në shtetas të Letonisë, disa prej të cilëve ishin me prapavijë në Legjionin e Huaj Francez.

    EUROPOL-i ka thënë se në operacion janë përfshirë autoritetet për zbatim të ligjit prej Danimarkës, Francës, Letonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Këta individë shumë të trajnuar kanë qenë të pajisur me pajisje profesionale dhe kanë qenë aktivë në emër të grupit të krimit të organizuar”.

    Në ditën e operacionit policor janë arrestuar katër individë në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretëri të Bashkuar, ndërsa dy të tjerë, që janë arrestuar në tetor të vitit 2014 në Gjermani, tashmë janë dënuar nga gjykatat.

    EURPOL-i ka thënë në njoftim se ky operacion është i lidhur me fenomenin e ashtuquajtur “Dhuna si shërbim”, që do të thotë se kryesit e krimit ofrohen për t’i kryer aktet e dhunshme në emër të rrjeteve tjera kriminale.

    Për organizatën evropiane, ky është një trend shqetësues, i cili është edhe rezultat i luftës në Ukrainë.

    “Ukrainasit e trajnuar nga forcat amerikane, legjionarët dhe mercenarët rusë, të gjithë ish-ushtarë të zonave të luftës, po kthehen nga fronti dhe po i shfrytëzojnë aftësitë e tyre për krim të organizuar. Teksa lufta në Ukrainë vazhdon dhe potencialisht intensifikohet, Evropa mund të përballet me numër në rritje të këtyre individëve të përfshirë në aktivitete kriminale”.

    Prandaj, EUROPOL-i ka bërë thirrje që të vëzhgohen këto veprimtari dhe të bëhen përgatitje për sfidat që mund t’i sjellin.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • Si ta dalloni marramendjen që paralajmëron goditjen në tru

    Si ta dalloni marramendjen që paralajmëron goditjen në tru

    Truri reagon ndaj mungesës së oksigjenit me shenja delikate, që shpesh i ngatërrojmë me lodhje ose stres. Njohja e tyre në kohë mund të parandalojë dëmtimin e përhershëm të qelizave nervore

    Ndjenja e papritur e humbjes së ekuilibrit, shpesh e shoqëruar me përzierje, lëkundje ose ndjesinë sikur gjithçka rrotullohet, është pasojë e dëmtimit të strukturave në trungun e trurit ose në trurin e vogël.

    Marramendja është një simptomë e shpeshtë dhe shpesh e nënvlerësuar, që mund të jetë e padëmshme, por edhe shenjë e një çrregullimi serioz neurologjik. Veçanërisht është e rëndësishme të njihet marramendja si simptomë e goditjes në tru.

    Kur marramendja është shenjë e goditjes në tru

    Ndërsa në situatat e përditshme shfaqet si një shqetësim kalimtar, në disa raste marramendja mund të sinjalizojë fillimin e një goditjeje në tru, sidomos kur shoqërohet me shenja të tjera neurologjike dhe kur shfaqet papritur, pa ndonjë shkak të qartë të jashtëm.

    Gjatë fazës akute të marramendjes së shkaktuar nga goditja në tru, personi humbet aftësinë për t’u lëvizur në mënyrë të pavarur. Kjo ndjenjë e menjëhershme e humbjes së ekuilibrit, e shoqëruar me përzierje, lëkundje ose ndjesinë sikur gjithçka rrotullohet, është pasojë e dëmtimit të strukturave të trungut të trurit ose trurit të vogël, pjesët që janë përgjegjëse për koordinimin e lëvizjeve dhe ruajtjen e stabilitetit trupor, transmeton Telegrafi.

    Çfarë është marramendja qendrore

    Në dallim nga marramendjet kalimtare të shkaktuara nga çrregullime të veshit, si marramendja pozicionale beninje (BPPV) apo sëmundja e Menierit, marramendja qendrore që shoqëron goditjen në tru zgjat më shumë, nga 20 minuta deri në 24 orë. Zakonisht ajo shfaqet së bashku me simptoma të tjera neurologjike: shikim të dyfishtë, dobësi në gjymtyrë, vështirësi në të folur ose paqëndrueshmëri gjatë ecjes.

    Ky lloj marramendjeje nuk duhet ngatërruar me sulmet ishemike kalimtare (TIA), të cilat zgjasin më shkurt dhe kalojnë pa dëmtime të përhershme. Në rastin e goditjes në tru, marramendja shoqërohet me dëmtim të përhershëm të funksionit të pjesës së trurit që preket nga mungesa e qarkullimit të gjakut.

    Faktorë të tjerë rreziku: marramendja, hipertensioni, diabeti…

    Vlerësimi i gjendjes së pacientit në këto raste përfshin analizimin e faktorëve të rrezikut: presionit të lartë të gjakut, diabetit, niveleve të larta të yndyrave në gjak dhe duhanpirjes, si dhe përcaktimin e mekanizmit të goditjes, nëse ka ndodhur për shkak të trombozës, embolisë apo çrregullimeve të tjera vaskulare.

    Pikërisht për këtë arsye, çdo marramendje e papritur dhe e fortë, që e bën të pamundur ecjen e pavarur, është shenjë alarmi dhe kërkon vlerësim mjekësor urgjent. Njohja në kohë e këtij simptomi mund të jetë vendimtare për të parandaluar pasojat e përhershme të goditjes në tru dhe për të shpëtuar jetën.

    Simptoma të tjera të goditjes në tru

    Përveç marramendjes, mund të shfaqen edhe këto shenja:

    dobësi ose mpirje e papritur e fytyrës, krahut ose këmbës, zakonisht në njërën anë të trupit
    çrregullim i të folurit (vështirësi në shqiptim, të folur të pakuptueshëm ose pamundësi për të kuptuar të tjerët)
    humbje e menjëhershme e shikimit në një ose të dy sytë, ose shikim i dyfishtë (diplopi)
    humbje ekuilibri, pasiguri gjatë ecjes, pengim ose anuesje në njërën anë
    dhimbje koke e papritur dhe shumë e fortë, pa shkak të njohur
    konfuzion, çorientim ose humbje vetëdijeje.
    Këto shenja, sidomos kur shfaqen së bashku me marramendje akute, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

    Çdo minut është i çmuar – diagnostikimi i shpejtë dhe trajtimi në kohë mund të parandalojnë dëmtimet e përhershme të trurit dhe të rrisin ndjeshëm shanset për shërim. /Telegrafi/

  • “Pa të vërtetën s’ka paqe”, Vjosa Osmani me mesazh të fuqishëm nga takimi me drejtuesit e Institutit të Krimeve të Luftës

    “Pa të vërtetën s’ka paqe”, Vjosa Osmani me mesazh të fuqishëm nga takimi me drejtuesit e Institutit të Krimeve të Luftës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një mesazh të fortë për drejtësinë dhe kujtesën kombëtare, gjatë një takimi me drejtorin e Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, dhe ekipin e tij.

    Osmani ka theksuar se çdo jetë e humbur gjatë luftës është kujtesë e dhimbshme, duke theksuar se pa të vërtetën dhe pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të vërtetë.

    “Në takimin me drejtorin Atdhe Hetemi dhe ekipin e tij të përkushtuar, theksova se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës është borxhi ynë më i madh si shtet dhe si shoqëri. Çdo jetë e humbur është kujtesë e dhimbshme se pa mbrojtur të vërtetën, pa drejtësi dhe pa kujtesë – nuk ka paqe të vërtetë”, ka shkruar Osmani.

    Presidentja shtoi se Instituti nuk është vetëm një arkiv, por ndërgjegjja e kombit tonë, që dëshmon sakrificën mbi të cilën është ngritur liria e Kosovës.

    “Instituti nuk është vetëm arkiv – është ndërgjegjja e kombit tonë, dëshmia e sakrificës mbi të cilën u ngrit liria jonë. Prandaj, e vërteta e dokumentuar do të dëgjohet dhe do të jetojë”, thuhet tutje nga ana e Presidentes.

    Në fund, Osmani ka ftuar qytetarët, studiuesit dhe të rinjtë që të angazhohen për ruajtjen e kujtesës kombëtare, duke theksuar se drejtësia për viktimat e luftës mbetet një detyrë e përbashkët kombëtare.

  • 183 persona garojnë për vetëm një vend pune në MPB

    183 persona garojnë për vetëm një vend pune në MPB

    Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet vendi. Këtë e dëshmon edhe interesi i madh i qytetarëve për vende pune në institucione publike.

    Në konkursin e fundit për pozitën Zyrtar për regjistrim civil në Prishtinë, kanë aplikuar plot 183 kandidatë.

    Ky numër i madh aplikuesish për një vend pune tregon vështirësitë me të cilat përballen qytetarët për të gjetur punë dhe konkurrencën e ashpër në tregun e punës.

    Më poshtë lista e kandidatëve:




  • A ëndërrojmë me ngjyra apo bardhezi?

    A ëndërrojmë me ngjyra apo bardhezi?

    Nëse raportojmë se ëndërrojmë me ngjyra apo bardh ezi, kjo mund të ndikohet nga mediat që shohim, ose ndoshta kjo vetëm ndikon mënyrën se si i kujtojmë ëndrrat.

    Ne ëndërrojmë çdo natë, por shpesh nuk i kujtojmë ato. Disa mëngjese rikujtojmë detaje të gjalla, ndërsa herë të tjera vetëm konturet e paqarta. Por çfarë ndodh me ngjyrat? A ëndërrojnë shumica e njerëzve me ngjyra apo bardh ezi?

    Disa mund të habiten të mësojnë se kjo çështje ka shkaktuar debate. Studimet moderne sugjerojnë se televizori dhe filmat ndikojnë shumë në mënyrën se si përjetojmë ëndrrat dhe çfarë kujtojmë pasi zgjohemi.

    “Meqë jemi mësuar me media me ngjyra, mendojmë se ëndrrat duhet të jenë si të shohësh një film ose një video në YouTube,” tha Eric Schwitzgebel, profesor filozofie në Universitetin e Kalifornisë, Riverside, për Live Science. “Ato janë me ngjyra, ndaj priremi të supozojmë se edhe ëndrrat janë ashtu.”

    Por kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Deri në vitet 1960, studiuesit mendonin se njerëzit ëndërronin kryesisht bardh ezi, dhe sondazhet e asaj kohe e mbështesnin këtë ide. Një studim i vogël i vitit 1942 me 277 pjesëmarrës tregoi se 70,7% e studentëve të kolegjit rrallë ose kurrë nuk shihnin ngjyra në ëndrrat e tyre. Gati 60 vjet më vonë, Schwitzgebel u bëri të njëjtat pyetje 124 studentëve të tjerë dhe rezultatet ndryshuan ndjeshëm. Në këtë sondazh më të ri, më pak se 20% thanë se rrallë ose kurrë nuk shohin ngjyra në ëndrra.

    Studime të tjera të fundit kanë treguar rezultate të ngjashme. Studiuesit vunë re një model: njerëzit e lindur para shfaqjes së televizionit dhe filmave me ngjyra kishin më shumë gjasa të raportonin ëndrra bardh ezi sesa ata të lindur pas tyre. Kjo sugjeron se mënyra se si i interpretojmë ëndrrat ndikohet nga lloji i mediave që konsumojmë.

    Argëtimi nuk është faktori i vetëm. Shumë nga ajo që nxjerrim nga ëndrrat tona varet nga sa saktë i kujtojmë dhe cilat detaje na ngelen më shumë në mendje.

    “Ëndrrat përkufizohen si përvoja subjektive gjatë gjumit, dhe mënyra e vetme për t’i kuptuar ato është nëse personi i kujton pasi zgjohet,” tha Michael Schredl, drejtues i laboratorit të gjumit në Institutin Qendror të Shëndetit Mendor në Gjermani, për Live Science. “Problemi kryesor është: sa i mirë je për të kujtuar?”

    Ashtu si në jetën e përditshme, ngjyrat e objekteve mund të jenë lehtësisht të harrueshme nëse përputhen me atë që presim të shohim. Për shembull, një banane e verdhë në ëndërr ndoshta nuk do të linte përshtypje të veçantë.

    “Ti nuk mendon për të, dhe është e vështirë ta kujtosh,” tha Schredl. Por nëse në ëndërr shfaqet një banane ngjyrë rozë fluoreshente, ajo ndoshta do të të mbetej në mendje.

    Për më tepër, nëse një ngjyrë ka rëndësi të veçantë për një person, ai ose ajo mund ta kujtojë më lehtë.

    “Nëse ngjyra ka një kuptim specifik për personin në jetën e tij ose të saj të përditshme, atëherë ajo mund të tregojë diçka,” shtoi Schredl. “Nuk ka të bëjë me vetë ngjyrën, por me mënyrën se si ajo ndikon te personi.”

    Por Schwitzgebel argumenton se pyetja nëse ne ëndërrojmë bardh ezi apo me ngjyra mund të jetë paksa e gabuar. Kur imagjinojmë një skenë ku ngjyrat nuk kanë rëndësi, imazhi ynë mendor mund të mos jetë as bardh ezi, as me ngjyra; mund të jetë thjesht një pamje e turbullt, “e pacaktuar”. Ose ndoshta ajo që kujtojmë në mëngjes është disi ndryshe nga imazhi që kishim gjatë ëndrrës, më shumë e ndikuar nga supozimet sesa nga kujtesa. Ai tha se ëndrrat mund të jenë më pak një përvojë pamore si film, sesa ne mendojmë. Në fakt, është e mundur që mënyra se si kujtojmë ëndrrat ndikohet nga mediat që shohim.

    “Shumë njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht se çfarë do të thotë një përvojë ëndrre që nuk është as me ngjyra, as bardh ezi,” tha ai.

  • 50-vjeçari nga Kosova rrahet për vdekje me shkop bejsbolli në mes të ditës

    50-vjeçari nga Kosova rrahet për vdekje me shkop bejsbolli në mes të ditës

    Një burrë 50-vjeçar nga Kosova u rrah për vdekje me shkop bejsbolli të dielën në qytetin Annecy (Haute-Savoie) të Francës.

    Sipas policisë, një hetim për vrasje me dashje është hapur pas këtij rasti, raportoi AFP. Incidenti ndodhi rreth orës 13:30 të 9 nëntorit. Viktima u godit në fytyrë nga një ose më shumë persona, të cilët më pas ikën në këmbë nga vendi i ngjarjes.

    Mediat franceze raportojnë se burri rreth të pesëdhjetave u dërgua në spital, por ndërrimi i tij i jetës erdhi si pasojë e plagëve të marra.

    Hetimi, i hapur për vrasje me dashje, i është besuar Divizionit të Krimit të Organizuar dhe të Specializuar (DCOS).

  • Dy zyrtarë akuzohen për keqpërdorim të milionave në projektin e lapidarëve

    Dy zyrtarë akuzohen për keqpërdorim të milionave në projektin e lapidarëve

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza lidhet me projektin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë të Suharekës.

    Sipas aktakuzës, nga data 20.10.2023 e në vazhdim, të pandehurit A.E. dhe L.G., duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, ashtu që i pandehuri i parë A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshoj projektin dhe të realizoj punët që nuk kanë qenë në projekt duke ndryshuar projektin gjatë ekzekutimit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe zyrën e autoritetit kontraktues, ndërsa e pandehura e dytë L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejte, i ka pranuar të gjitha këto shkelje të menaxherit të kontratës, me qëllim që të mundësojnë përfitim për operatorin ekonomik duke konfirmuar me nënshkrimin e tyre të dhënat e pa vërteta për pagesën e vlerës prej 41.270.00 € si dhe për përfundim të punimeve të datës 22.12.2023 në vlerë prej 7.377.20 € edhe pse nuk është realizuar asnjë punim në ndërtimin e lapidarit në fshatin Studenqan, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.

    Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

    Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, dhe ndaj personave zyrtar të shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, bëhet e ditur në njoftim.

  • Analiza e ADN-së së Hitlerit zbulon një çrregullim të rrallë gjenetik

    Analiza e ADN-së së Hitlerit zbulon një çrregullim të rrallë gjenetik

    Një analizë e re e ADN-së së diktatorit nazist, Adolf Hitler, ka zbuluar se ai vuante nga një çrregullim i rrallë gjenetik, i cili mund të ketë penguar zhvillimin normal të organeve të tij gjenitale. Ai kishte sindromën Kallman – një anomalitet që ndoshta e ka bërë Hitlerin të ketë vështirësi serioze edhe në krijimin e marrëdhënieve seksuale.

    The Independent ka raportuar se rezultatet do të publikohen në dokumentarin “Hitler’s DNA: Blueprint of a Dictator” i cili rrëzon edhe disa nga mitet e vjetra – përfshirë pretendimet se Hitleri kishte prejardhje hebraike. Gjithashtu, dokumentari sugjeron se ai mund të ketë pasur edhe çrregullime neurozhvillimore apo të shëndetit mendor.
    Në bazë të studiuesve, profili gjenetik është rindërtuar nga një mostër gjaku në një copë pëlhure të njollosur të prerë nga një kolonel i ushtrisë amerikane nga divani ku Hitleri kreu vetëvrasje në vitin 1945. Kjo mostër, që ka mbijetuar për mbi shtatë dekada, ka ofruar materialin e nevojshëm për të analizuar ADN-në

    E raporte historike nga Lufta e Parë Botërore tregojnë se Hitleri shpesh ishte tallur për përmasat e organeve të tij gjenitale. Në bazë shkencëtarëve, sindroma Kallmann mund t’i ketë dhënë atij një rrezik prej 10 për qind për mikropenis, çka përforcon edhe pohimet nga një ekzaminim mjekësor i vitit 1923 i zbuluar në vitin 2015.

  • Mediat urdhërohen që të largohen nga seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh

    Mediat urdhërohen që të largohen nga seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh

    Një zhvillim i papritur ka ndodhur sot gjatë seancës gjyqësore ndaj Bedri Shabanit, i akuzuar për spiunazh. Trupi gjykues ka kërkuar që të gjitha mediat të largohen nga salla, duke urdhëruar që brenda të qëndrojnë vetëm personat e domosdoshëm për procedurën.

    Gjatë seancës, Gjykata ka kontaktuar me Qendrën e Paraburgimit në Gjilan për të marrë informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit. Përmes një kërkese zyrtare me email, është kërkuar sqarim nga mjekët e qendrës, dhe sipas përgjigjes së marrë, Shabani më datë 11.11.2025 është paraqitur për konsultë te mjeku i burgut, ku i është rekomanduar terapi dhe konsultë te specialistët përkatës.

    Megjithatë, pasi përgjigjja u konsiderua e mangët, Gjykata ka kontaktuar sërish me njësinë përkatëse për të konfirmuar nëse Shabani është vizituar sot nga mjeku. Nga përgjigja e dytë ka rezultuar se i akuzuari është vizituar dhe se parametrat e tij shëndetësorë janë brenda vlerave normale.

    Gjykata ka kërkuar që kjo përgjigje të dërgohet me shkrim dhe aktualisht është në pritje për ta dokumentuar. Ndërkohë, trupi gjykues ka bërë të ditur se nuk do të publikohen shqetësimet e ngritura nga Shabani “për momentin”.

    Avokati i të akuzuarit, Besnik Berisha, ka kërkuar që mediat të largohen nga salla dhe që çështja të trajtohet pa publicitet. Nga ana tjetër, prokurori ka theksuar se “ne jemi juristë dhe nuk jemi mjekë, prandaj nuk ka nevojë që në këtë fazë të elaborohet çështja e diagnozës”, duke ia lënë vendimin në diskrecion të gjykatës.

    Pas konsultimeve, trupi gjykues ka marrë vendim për përjashtimin e mediave nga seanca, ndërsa çështja po vazhdon me publikun e kufizuar.