ATV

Blog

  • Vendet nordike dhe baltike, 500 milionë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës

    Vendet nordike dhe baltike, 500 milionë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës

    Danimarka, Estonia, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia dhe Suedia njoftuan sot rundin e fundit të mbështetjes për Ukrainën.

    Vendet po financojnë një paketë të përbashkët prej 500 milionë dollarësh “pajisjesh dhe municionesh ushtarake” për Ukrainën.

    Mbështetja po blihet nga ShBA-ja në kuadër të iniciativës së NATO-s për Listën e Kërkesave të Prioritare për Ukrainën (PURL).

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, në një deklaratë, thotë: “Këto pajisje janë jashtëzakonisht të rëndësishme ndërsa Ukraina hyn në muajt e dimrit dhe dërgesat përmes PURL po rrjedhin në Ukrainë.

    Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të dërgojnë pajisje dhe furnizime thelbësore”.

    Iniciativa përpiqet të zëvendësojë një pjesë të mbështetjes së ofruar më parë nga Uashingtoni.

    Në vend të kësaj, PURL është një mënyrë që aleatët e Kievit, nëpërmjet NATO-s, të blejnë armë dhe pajisje amerikane dhe më pas t’i dërgojnë ato në Ukrainë.

    Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës e përcakton iniciativën si të tillë: “Mekanizmi u lejon vendeve partnere të financojnë prokurimin e armëve të tilla sipas një liste të prioritizuar kërkesash të përcaktuara nga Ukraina dhe të dakordësuara me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n”.

  • 10 këngët më të ndëgjuara në festat e fundvitit

    10 këngët më të ndëgjuara në festat e fundvitit

    Me ardhjen e sezonit festiv, disa melodi në të gjithë botën tregojnë menjëherë se është koha për festë. Të dhënat e transmetimeve dhe klasikët që kanë qëndruar për dekada tregojnë se cilat këngë dominojnë listat e dëgjimit global.

    Në krye qëndron “All I Want for Christmas Is You” nga Mariah Carey. kënga e parë festive që ka tejkaluar 2 miliardë transmetime. Afër në renditje janë klasiket si “Last Christmas” dhe “Rockin’ Around the Christmas Tree” si dhe kompozime të reja si “Santa Tell Me” nga Ariana Grande.

    Por nuk janë vetëm këngët në anglisht, po ashtu janë edhe versionet si Feliz Navidad (José Feliciano) vazhdojnë të transmetohen në vendet hispanofolëse por edhe më gjerë. Ndërkohë, këngë si “O Holy Night” (origjinali në frëngjisht) ruajnë ndikimin global.

    Për këdo që përgatit një listë festive, këto këngë nuk janë thjesht sezonale janë universale. Sipas të dhënave të transmetimeve, të njëjtat pjesë muzikore rikthehen çdo vit, në kontinente e breza të ndryshëm.

    Më poshtë është e rënditur lista me 10 këngët më të famshme të festave të fundvitit:

    • All I Want for Christmas Is You – Mariah Carey

    • Last Christmas – Wham!

    • Santa Tell Me – Ariana Grande

    • It’s Beginning to Look a Lot Like Christmas – Michael Bublé

    • Rockin’ Around the Christmas Tree – Brenda Lee

    • Jingle Bell Rock – Bobby Helms

    • It’s the Most Wonderful Time of the Year – Andy Williams

    • Mistletoe – Justin Bieber

    • Snowman – Sia

    • Do They Know It’s Christmas? – Band Aid

  • Komuna e Prishtinës i dërgon shkresë Hekuran Muratit, për zhbllokimin e buxhetit të kryeqytetit

    Komuna e Prishtinës i dërgon shkresë Hekuran Muratit, për zhbllokimin e buxhetit të kryeqytetit

    Komuna e Prishtinës ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe partinë e tij në pushtet për bllokimin e buxhetit të Kryeqytetit.

    Sipas tyre, Murati është “adresa e vetme e bllokimit” të 33 milionë eurove të Prishtinës, prej të cilave 23 milionë janë të hyra vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar.

    Nënkryetari i Komunës, Shkëmb Manaj njofton se sot i ka dërguar Ministrisë së Financave një shkresë të re për zhbllokimin e buxhetit të Kryeqytetit, i cili, sipas saj, është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025.

    “Adresa e vetme e bllokimit të buxhetit të Prishtinës është Hekuran Murati dhe partia e tij në pushtet. Tjerat çfarë thotë ai në statuse në facebook, janë gënjeshtra të mëdha dhe tentim për ti ikur përgjegjësisë penale. Ai dhe bashkëpunëtoret e tij do të përgjigjen para drejtësisë, derisa e bllokojnë buxhetin e Prishtinës i cili është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit 2025.

    Sot ia kemi dërguar shkresën e radhës Ministrisë së Financave për zhbllokimin e buxhetit të Kryeqytetit! 33 milion euro, prej të cilave rreth 23 milion të hyra vetanake dhe 10 milion të grantit qeveritar janë bllokuar nga Hekuran Murati me bashkëpunëtoret e tij në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën”, ka shkruajtur nënkryetari i LDK-së në Facebook.

  • Kosova përgatitet për ndeshjen historike ndaj Sllovenisë, Gallapeni dhe Vojvoda optimistë

    Kosova përgatitet për ndeshjen historike ndaj Sllovenisë, Gallapeni dhe Vojvoda optimistë

    Kombëtarja e Kosovës po vijon përgatitjet intensive për ndeshjen vendimtare kundër Sllovenisë, e cila do të zhvillohet këtë të shtunë në stadiumin “Stozice” në Lubjanë, me fillim nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.

    Atmosfera në kampin e Dardanëve është e shkëlqyer, dhe lojtarët janë të motivuar për të dhënë maksimumin. Dion Gallapeni, anëtar i skuadrës polake Widzew Łódź, theksoi rëndësinë e dy ndeshjeve të ardhshme:

    “Këto dy ndeshje janë jetike për kombëtaren. E dimë se nëse i fitojmë, do të arrijmë diçka historike për Kosovën. Atmosfera në grup është shumë pozitive dhe përgatitjet po shkojnë në mënyrë perfekte.”

    Nga ana tjetër, Mërgim Vojvoda, mbrojtësi i skuadrës, është optimist dhe i gatshëm për një performancë të fortë në fushë:

    “Grupi po stërvitet shumë mirë, jemi gati për lojë. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe po e presim me padurim të shtunën. Do të luajmë si në një finale dhe do të shkojmë për tri pikë. Një pikë është e mirë, por kur hyn në fushë luan për fitore dhe ne po shkojmë për fitore.”

    Të dy lojtarët theksuan se ndeshja kundër Sllovenisë nuk është vetëm një sfidë e rëndësishme, por edhe një mundësi për të shkruar histori me kombëtaren e Kosovës.

  • Lëndohet Will Ferrell, ndalon xhirimet e serialit të shumëpritur në Netflix

    Lëndohet Will Ferrell, ndalon xhirimet e serialit të shumëpritur në Netflix

    Komiku dhe aktori Will Ferrell, po merr një pauzë të përkohshme nga xhirimet e serialit të tij komik për golf në Netflix për shkak të një lëndimi të vogël jashtë setit. Burime nga prodhimi thonë se lëndimi, ndonëse jo serioz, e bëri të pamundur që ai të xhirojë skena sipas kalendarit të planifikuar.

    Seriali me 10 episoda, ende pa titull zyrtar, do të shfaqë Ferrell-in si “Lonnie ‘The Hawk’ Hawkins”, një legjendë fiktive e golfit me një personalitet të madh, që qëndron në qendër të komedisë. Xhirimet ishin duke u zhvilluar pranë Los Angeles-it kur ekipa e prodhimit vendosi të riorganizohet derisa Ferrell të rikuperohet.

    Megjithë ndërprerjen brenda produksionit shprehin se lëndimi është i vogël dhe pritet rikthim tejet i shpejtë. Pauza e përkohshme duket se nuk do të vonojë ndjeshëm afatin përfundimtar të serialit.

  • Lidhja e Trump-it dhe Epstein-it sipas autorit “bestseller”, Michael Wolff

    Lidhja e Trump-it dhe Epstein-it sipas autorit “bestseller”, Michael Wolff

    Autori i librave “bestseller” Michael Wolff, ka hedhur aludime tronditëse për marrëdhënien mes Donald Trump dhe Jeffrey Epstein. Sipas Wolff-it, miqësia mes atyre dyve zgjati dekada, nga fundi i viteve ’80 dhe në ’90-a dhe sipas tij kjo miqësi ishte e ndërtuar mbi një obsesion të përbashkët: modelet, paratë  dhe dominancë sociale.

    Wolff përshkruan një erë kur modelet nuk ishin thjesht aksesorë për njerëzit e famshëm, por valuta sociale dhe seksualiteti i kohës:

    “Modelet ishin valuta seksuale e asaj kohe.” – Shtoi Wolff, po ashtu ai pretendon se Epstein dhe Trump madje bënë garë se cili do ta “fitonte” çmimin, e çmimi ishte se cili do të flinte i pari me Princeshën Diana, një pretendim i pa-verifikuar, por që ilustron kulturën ekstreme konkurruese që Wolff përshkruan.

    Wolff gjithashtu thotë se Epstein i tregoi atij foto të Trump me vajza të reja e të mitura, disa pa rroba, disa ulur në çadrën e Trump në rezidencën e Epstein në Palm Beach, një skenë që sipas Wolff-it nxjerr në pah dimensionin e marrëdhënies së tyre.

    Në krahun tjetër: kampi i Trump e mohon me forcë punën e Wolff-it, duke e cilësuar atë si fabrikim apo sulm politik. Ndërkohë, Wolff ka paraqitur padi kundër Melania Trump, akuzuar për kërcënim me padi prej më shumë se 1 miliard $ për deklaratat e tij që lidhen me rrjetin Epstein.

    E rëndësia e krejt kësaj është vënja në qendër të vëmendjes lidhjen e presidentit amerikan me Epstein, në një kohë kur ky i fundit është temë shumë e përfolur. Po ashtu vë theksin te ritualet elitare sociale që ata kanë dhe keqpërdorimi që u bëhet njerëzve të tjerë nga këta persona pushtetarë

    E padia ligjore nga Wolff sinjalizon se ky nuk është vetëm skandal tabloidi, kjo mund të çojë në zbardhje ligjore.

    Edhe nëse asnjë detaj i Wolff-it nuk rezulton i provuar, versioni i tij ndryshon krejt narrativën. Nuk është thjesht që Trump dhe Epstein njiheshin, por se si ata njiheshin dhe pse lidhja e tyre u formua dhe çfarë nënkuptonte ajo. Pyetja tani është jo vetëm nëse ka tym, por sa flakë në të vërtetë ka pasur.

  • Kombëtarja e Kosovës gati për Slloveninë, të gjithë lojtarët në formë të shkëlqyer

    Kombëtarja e Kosovës gati për Slloveninë, të gjithë lojtarët në formë të shkëlqyer

    Kombëtarja e Kosovës ka përfunduar një tjetër seancë stërvitore përgatitore para përballjes ndaj Sllovenisë, duke theksuar aspektet taktike dhe punën intensive në tranzicionin e lojës mes reparteve, sipas raportimit të FFK-së.

    Trajneri Franco Foda është fokusuar në hollësitë strategjike, ndërsa lajmi më i mirë për tifozët është se të gjithë lojtarët janë në formë të shkëlqyer dhe nuk do të ketë mungesa për këtë përballje vendimtare.

    Atmosfera brenda skuadrës mbetet jashtëzakonisht pozitive, dhe të gjithë janë të vendosur të synojnë pikët e plota.

    Kujtojmë se Kosova do të zhvillojë edhe një stërvitje paraditen e nesërme në vend, para se të niset drejt Lubjanës, ku do të kërkojë vetëm fitore.

  • Gjykata e Hagës nuk e dëgjoi mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, pranon dëshminë e dëshmitarit të ndikuar

    Gjykata e Hagës nuk e dëgjoi mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, pranon dëshminë e dëshmitarit të ndikuar

    Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara në Hagë ka rrëzuar ankesën e mbrojtjes ndaj vendimit të trupit gjykues që pranoi në prova dëshminë me shkrim të një dëshmitari, i cili ishte konstatuar se ishte ndikuar për të mos dëshmuar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Zëdhënësja e Gjykatës, Angela Griep, ka sqaruar se, sipas Rregullës 155, trupi gjykues mund të pranojë deklaratat me shkrim të një dëshmitari, nëse vërtetohet se ai nuk ka dëshmuar për shkak të ndikimeve të paligjshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas Griep, Paneli i Apelit ka konstatuar se shkalla e parë ka vepruar drejt kur e pranoi këtë dëshmi, duke theksuar se pesha e saj do të vlerësohet vetëm në fund të procesit.

    “Rregullorja nuk lejon që vendimi për fajësi të bazohet vetëm, ose në masë vendimtare, në provat e një dëshmitari që mbrojtja nuk ka pasur mundësi ta marrë në pyetje”, ka deklaruar Griep.

    Zëdhënësja njoftoi gjithashtu se është hedhur poshtë edhe një apel tjetër i mbrojtjes së Hashim Thaçit, që kishte kërkuar pranimin e pesë deklaratave të mëparshme me shkrim të një dëshmitari, të cilat trupi gjykues nuk i kishte pranuar.

    “Vendimi u bazua në parimin se deklaratat mund të pranohen vetëm sipas procedurave të rregullta (Rregullat 153–155), përveç nëse pala kundërshtare pajtohet”, theksoi Griep, duke shtuar se vendimi është në përputhje me jurisprudencën e tribunalëve ndërkombëtarë.

    Ndërkohë, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vrasje dhe pengim të drejtësisë, më 12 tetor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ka kaluar zyrtarisht dosjen tek gjyqtari i vetëm.

    Po ashtu, Griep ka bërë të ditur se është miratuar pjesërisht një kërkesë e Prokurorisë lidhur me materialet e sekuestruara në objektin e paraburgimit.

  • Tifoz i Monacos thyen rekord botëror me koleksionin e fanellave: 1,146 fanella të klubit të ëndrrave

    Tifoz i Monacos thyen rekord botëror me koleksionin e fanellave: 1,146 fanella të klubit të ëndrrave

    Julien Bouron, tifoz i zjarrtë i AS Monacos, ka thyer rekordin botëror për koleksionin më të madh të fanellave origjinale të një klubi futbolli, duke mbledhur 1,146 fanella të ndryshme që nga ikonat e vjetra deri te yjet e sotëm.

    Koleksioni i tij përfshin fanella të veshura nga legjendat Kylian Mbappé, Thierry Henry, Manuel Amoros, Radamel Falcao dhe golashënuesi më i mirë i historisë së klubit, Delio Onnis, ndër të tjera. Një nëpunës zyrtar i gjykatës konfirmoi numrin e saktë, duke e bërë koleksionin të zyrtarizuar dhe duke thyer rekordin e mëparshëm të mbajtur nga një tifoz i Liverpoolit nga Zvicra.

    Bouron tregon se pasioni i tij për Monaco-n ka nisur 25 vjet më parë, gjatë një ndeshjeje mes Monacos dhe Auxerre, kur skuadra e tij e zemrës fitoi titullin e shtatë të Ligue 1:

    “Ishte viti kur Monaco fitoi titullin e shtatë të ligës franceze. Atë ditë u dashurova, jo me Auxerre, por me Monacon. Dhe që atëherë, nuk kam pushuar së ndjekuri klubin.”

    Koleksioni filloi kur ish-lojtari i Monacos, Lucas Bernardi, i dhuroi Bouron fanellën që kishte veshur në sezonin 2006/2007. Fanella më e vjetër e koleksionit daton që nga vitet 1950 dhe i përkiste mbrojtësit legjendar Francois Ludo.

    Ky rekord është një dëshmi e pasionit të jashtëzakonshëm të tifozëve dhe e dashurisë së pashuar për klubin e Monacos, që vazhdon të frymëzojë breza të tërë tifozësh.

  • Turjan Hyska flet me emocion për Orindën: “Mund të kishte zgjedhur një jetë më të lehtë, por më zgjodhi mua”

    Turjan Hyska flet me emocion për Orindën: “Mund të kishte zgjedhur një jetë më të lehtë, por më zgjodhi mua”

    Producenti i njohur Turjan Hyska ka rrëfyer disa nga fjalët më të ndjera për bashkëshorten e tij, Orinda Huta, gjatë intervistës në “The Dalina Show”. Ai tregoi se Orinda është një forcë e qetë në jetën e tij dhe një grua me ndikim të jashtëzakonshëm në familje.

    “Orinda di të më shfazojë mua. Po t’i dojë qejfi, ma heq qarkun dhe s’ma heq njeri tjetër. Ajo është qetësia ime, një grua me fuqi shëruese,” tha Turjani, duke shtuar me humor se Orinda e kishte zgjedhur atë në një periudhë kur ai kishte rrogën vetëm 800 mijë lekë. “Mund ta kishte bërë jetën më të lehtë, por më zgjodhi mua dhe nuk u shkëput kurrë.”

    Në vijim, ai foli me admirim për rolin e Orindës në familje: “Sa herë që pyes Orindën për një vendim, ajo nuk më ka bërë asnjëherë të ndihem i zvogëluar. Në çdo moment stresi më ka dhënë besim dhe forcë. Është një shtyllë për mua, një kuptim i plotë i fjalës ‘familje’. Ajo është kisha ime.”

    Duke reflektuar mbi marrëdhënien e tyre, Turjani përfundoi: “Ajo nuk ka nevojë për mua, unë jam plus për të. Por mendoj se kam nevojë për të. Gruaja është krijesa më e bukur që ekziston, e fortë dhe e thellë, edhe në anët e saj të errëta.”