ATV

Blog

  • Osmani sqaron deklaratën: 900 “bandat” i referoheshin rasteve penale

    Osmani sqaron deklaratën: 900 “bandat” i referoheshin rasteve penale

    Lidhur me deklaratën e presidentes Vjosa Osmani në “Politico”, për shkatërrimin e 900 bandave në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit, këshilltari i saj i medias, Bekim Kupina ka dhënë një sqarim.

    Ai thotë se përgjigja e presidentes nuk kishte të bënte me banda, por me rastet që kanë ndodhur në vendin tonë.

    Tutje, Kupina tha se Osmani asnjëherë nuk e ka paraqitur Kosovën si një vend të krimit.

    “Ne fakt, është menduar për raste e jo për numër bandash. Siç e dini, disa banda serbe të veriut kanë qenë të involvuara në qindra raste të veprave penale”, thuhet në përgjigjen e tij.

    “Në asnjë moment Presidentja nuk e ka paraqitur Kosovën si vend të krimit, por si vend të rendit e ligjit dhe si vend ku respektohen në vazhdimësi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”.

  • Vetëm 15.8% e shqiptarëve përdorin AI, ndër nivelet më të ulëta në kontinent

    Vetëm 15.8% e shqiptarëve përdorin AI, ndër nivelet më të ulëta në kontinent

    Shqipëria pozicionohet ndër vendet me përdorimin më të ulët të inteligjencës artificiale, sipas të dhënave të raportuara.

    Vetëm 15.8% e shqiptarëve deklarojnë se përdorin rregullisht mjete të AI në jetën e përditshme ose në punë, një nivel që mbetet dukshëm më poshtë mesatares europiane, ku shumë shtete të BE-së e kalojnë pragun e 30–40%.

    Vendet si Irlanda, Franca dhe Spanja arrijnë nivele përhapjeje mbi 39–41%, duke treguar një adoptim shumë më të shpejtë dhe më të gjerë të teknologjive të reja.

    Europianët po përqafojnë inteligjencën artificiale (AI) – por disa vende tregojnë entuziazëm më të madh se të tjerat, sipas të dhënave të reja.

    Që prej lançimit të ChatGPT nga OpenAI në vitin 2022, mbi 1.2 miliardë njerëz në mbarë botën kanë përdorur mjete të AI, sipas raportit të Microsoft.

    Ky është një ritëm më i shpejtë adoptimi se teknologjitë e tjera të mëdha, përfshirë internetin, kompjuterin personal dhe smartfonin.

    Sot, Bashkimi Europian është në pararojë të adoptimit të AI, veçanërisht vendet e tij më të pasura, thekson raporti.

    Irlanda kryeson bllokun, me 41.7% të njerëzve që përdorin rregullisht AI në jetën e përditshme ose në punë.

    Më pas renditen Franca (40.9%) dhe Spanja (39.7%).

    Në anën tjetër të spektrit renditen Rumania (15.3%) dhe Greqia (17.7%), vendet ku njerëzit kanë më pak gjasa në BE të përdorin AI në jetën e përditshme ose në punë.

    Duke parë përtej BE-së, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar rezultojnë gjithashtu ndër më entuziastet: 45.3% e norvegjezëve dhe 36.4% e britanikëve përdorin rregullisht AI, sipas raportit.

    Microsoft thekson se, në shkallë globale, adoptimi i AI lidhet ngushtë me nivelin e zhvillimit ekonomik të një vendi. Në Global North, adoptimi arrin rreth 23%, krahasuar me 13% në Global South.

    Adoptimi i AI ka qenë gjithashtu më i shpejtë në vendet me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, lidhje të mirë të internetit dhe infrastrukturë të fuqishme kompjuterike.

    Megjithatë, pothuajse katër miliardë njerëz në mbarë botën jetojnë në rajone ku këta faktorë mbeten ende një sfidë.

    Adoptimi i AI ka qenë gjithashtu më i shpejtë në vendet me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, lidhje të mirë të internetit dhe infrastrukturë të fuqishme kompjuterike.

    Megjithatë, pothuajse katër miliardë njerëz në mbarë botën jetojnë në rajone ku këta faktorë mbeten ende një sfidë.

    “Ky hendek nuk lidhet vetëm me aksesin në mjetet e AI; ai pasqyron gjithashtu pabarazi më të gjera në infrastrukturë, arsim dhe gjuhë”, thuhet në raport.

  • Ditëlindja e heroit, Ramush Haradinaj e uron vëllaun “Gëzuar Luan”

    Ditëlindja e heroit, Ramush Haradinaj e uron vëllaun “Gëzuar Luan”

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar ditëlindjen e vëllain të tij Luanit.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar “Gëzuar Luan”.

    Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj së bashku me të vëllanë, Ramushin, dhe me Fehmi Lladrovcin dhe Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit.

    Atë ditë, forcat okupatore kishin zënë pusi, ndërsa Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, bie i pari në pritë të forcave ushtarake e policore jugosllave.

    Me këtë rast plagoset rëndë Rafet Rama, ndërsa lehtë plagoset Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.

  • KQZ: Nuk kemi buxhet të planifikuar për zgjedhje të tjera

    KQZ: Nuk kemi buxhet të planifikuar për zgjedhje të tjera

    Brenda një viti, qytetarët iu drejtuan kutive të votimit tri herë. Mirëpo këto procese zgjedhore vlerësohet se i kushtuan shumë buxhetit të shtetit.

    Kostoja për organizimin e zgjedhjeve parlamentare ishte afër 8 milionë euro. Kurse për ato lokale, të cilat u mbajtën së fundmi, ende mungojnë të dhënat.

    “Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të datës 9 shkurt ka qenë në vlerën prej 8.7 milionë euro dhe sipas raportimeve të fundit 7.9 milion prej tyre janë shpenzuar nga ana e KQZ për qëllim të atij procesi zgjedhor. Ndërkaq sa i përket buxhetit të planifikuar për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe raundit të dytë buxheti i planifikuar për ka qenë me shifren 10.5 milion euro por deri në këto qaste nuk kemi të dhëna se sa nga këto mjete janë shpenzuar me qellim të organizimit të këtij procesi zgjedhor realisht”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Kësisoj, sipas zëdhënësit të KQZ-së, nëse imponohen edhe një palë zgjedhje të parakohshme, mbajtja e tyre do të ishte sfidë.

    “Sa i përket zgjedhjeve eventuale të parakohshme të cilat po përmenden KQZ nuk ka buxhet të planifikuar sepse të vetmet procese zgjedhore të planifikuara për këtë vit janë ato që janë mbajtur dmth me 9 shkurt dhe pastaj kto lokale me 12 tetor dhe 9 nëntor”, ka thënë ai për Tëvë1

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shpenzimi kryesor i buxhetit nuk është vetëm për blerje të pajisjeve dhe të ngjashme, por pjesa më e madhe e mjeteve shpenzohet për të paguar trupat zgjedhor dhe stafin tjetër që angazhohet gjatë gjithë procesit zgjedhor.

  • Arrestohen katër gjuetarë serbë brenda territorit të Kosovës

    Arrestohen katër gjuetarë serbë brenda territorit të Kosovës

    Katër gjuetarë serbë janë arrestuar brenda territorit të Kosovës, në fshatin Sfircë.

    Ndalimi është kryer nga pjesëtarët e KFOR-it, të cilët më pas kanë njoftuar Policinë e Kosovës e cila i ka prangosur.

    Sipas burimeve, të katër personat ndodhen aktualisht në mbajtje, ndërsa policia po vazhdon me procedurat e mëtejshme ligjore.

    Policia ende nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me motivet apo rrethanat e këtij incidenti.

  • Partia Demokratike e Kosovës zgjedh sot kryetarin e ri

    Partia Demokratike e Kosovës zgjedh sot kryetarin e ri

    Partia Demokratike e Kosovës sot do të mbajë Konventën e Përgjithshme.

    Kjo Konventë vjen më herët se që ishe menduar, pasi më 12 nëntor Memli Krasniqi dha dorëheqje nga drejtimi i këtij subjekti politik.

    Derisa sot, 17 nëntor, PDK zgjedh kryetarin e ri të saj.

    Bedri Hamza ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për lider të kësaj partie, derisa Enver Hoxhaj e kishte ftuar të njëjtin në një debat televiziv mes atyre dyve.

    Se kush do ta marrë udhëheqësinë e kësaj partie, do të kuptohet vetëm pas disa orëve.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Moti gjatë kësaj jave pritet të jetë i ndryshueshëm. Në fillim të javës parashikohet të jetë ngrohtë por në vise malore mund të ketë edhe reshje bore. Ditëve të tjera pritet të jetë me vranësira e vende-vende edhe me reshje shiu. Temperaturat do të sillen mesatarisht rreth 14 gradë celsius.

    Të hënën në Kosovë pritet të jetë mot i vranët por edhe me intervale dielli. Minimalja mund të zbresë deri në 1 gradë celsius ndërsa maksimalja pritet të shkoj deri në 17 gradë celsius.

    Ndërkohë të martën, pritet që të jetë vranët e me reshje shiu. Në zona malore parashihen edhe reshje bore. Minimalja pritet të jetë jo më poshtë se 4 gradë, ndërsa maksimalja deri në 11 gradë celsius.

    Edhe të mërkurën pritet të jetë mot i vranët e në vende-vende me reshje shiu. Temperatura minimale pritet të zbresë deri në 2 gradë celsius, ndërsa edhe të mërkurën njësoj sikurse një ditë më parë, pritet të jetë deri në 11 gradë celsius.

    Të enjten pritet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Minimalja parashihet të zbresë deri në 2 gradë celsius ndërsa maksimalja mund të shkojë deri në 14 gradë celsius.

    Ndërkohë të premten pritet sërish të ketë ndryshime. Teksa është paraparë të jetë me diell e vranësira, vende-vende mund të ketë edhe riga lokale shiu.

    Temperatura minimale pritet të jetë nga 3-6 gradë celsius ndërsa maksimalja mund të arrijë deri në 15 gradë celsius.

  • Clark sot nis dëshminë në Hagë, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit

    Clark sot nis dëshminë në Hagë, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit

    Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, pritet të nis sot dëshminë në gjykatën e Hagës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës është caktuar që Wesley Clark të fillojë dëshminë të hënën, më 17 nëntor. Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën ishte planifikuar të fillonte dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor, por Specialja njoftoi se do të rezervojë një ditë shtesë, siç u kërkua.

    “Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite, dhe pas shqyrtimit të kohës së nevojshme të vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë. Trupi Gjykues deklaroi se kjo ditë shtesë ishte rezervuar për të përmbyllur në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme paraqitjen e argumenteve nga Mbrojtja, por megjithatë i kërkoi palëve që të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët nëse është e mundshme”, njoftoi Specialja.

    Gjenerali Clark pritet të jetë dëshmitari i fundit, pas së cilës procesi do të kalojë në fazën përfundimtare të përmbylljeve nga palët, përpara shpalljes së vendimit nga trupi gjykues.

  • Hoxha: ‘Nuk e merituam humbjen, shpresoj të vazhdoj me ritmin e mirë

    Hoxha: ‘Nuk e merituam humbjen, shpresoj të vazhdoj me ritmin e mirë

    Arbër Hoxha pati një paraqitje të mirë në ndeshjen e Shqipërisë ndaj Anglisë, por nuk arriti të shënojë apo të asistojë në humbjen 2-0 të ekipit kuqezinj të dielën në “Air Albania Stadium” në Tiranë.

    Sulmuesi shqiptar e vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe u shpreh se rezultati nuk pasqyronte performancën e ekipit.

    “Besoj se, bazuar në atë që treguam në fushë, nuk e merituam të humbnim. Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin, luajtëm taktikisht mirë dhe krijuam mundësi. Unë pata dy mundësi për gol, por nuk arrita ta shënoj. Anglia realizoi pas një periudhe, – Kane nuk ishte shumë aktiv për rreth 70 minuta, por më pas tregoi klasën e tij dhe shënoi. Është një lojtar i madh”, tha Hoxha.

    Ai shtoi se qëllimi i tij është të vazhdojë të paraqitet mirë dhe të kontribuojë më shumë te Kombëtarja e Shqipërisë.

    “Kam menduar të luaj më shumë një me një, që është pika ime e fortë, por nuk ia dolëm ta shmangim humbjen. Shpresoj të vazhdoj me ritmin e mirë dhe të ndihmoj ekipin sa më shumë në të ardhmen”, nënvizoi Hoxha.

    Shqipëria tani do të presë shortin e play-offit për kualifikimin në Kampionatin Botëror.

  • Tuchel: Shqipëria ka potencial për Kualifikim në Botërorin 2026

    Tuchel: Shqipëria ka potencial për Kualifikim në Botërorin 2026

    Përzgjedhësi i Anglisë, gjermani Thomas Tuchel, ka vlerësuar lart paraqitjen e Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit, edhe pse Anglia arriti të fitojë të dyja me rezultatin 2-0.

    Pas përfundimit të takimit në Tiranë, Tuchel u shpreh se Shqipëria ka treguar cilësi të lartë dhe e sheh si një ekip me potencial për të avancuar në Botërorin 2026 përmes play-offeve që do të zhvillohen në muajin mars.

    “Nuk ishte e lehtë, dhe nuk e prisnim të ishte e tillë. E dinim që do të ishte një sfidë e vështirë, pasi luajtëm në një stadium të mbushur me tifozë plot emocione. Ne luajtëm mirë, madje shkëlqyer. Shënuam dhe kjo ishte shumë e rëndësishme. Pas golit, ndeshja u bë më e lehtë për ne,” deklaroi Tuchel.

    “Jam shumë krenar për sukseset e arritura gjatë gjithë fushatës. Të gjithë kanë punuar fort dhe jam tejet i kënaqur me rezultatet. Të dy ndeshjet me Shqipërinë ishin të vështira. Shqipëria dhe Serbia ishin kundërshtarët kryesorë në grup. Megjithatë, merita i takon lojtarëve. Skuadra ka bërë përparim të madh, por ka ende mundësi për përmirësime të tjera. E përgëzoj Shqipërinë dhe shpresoj të shihemi në Botëror. Mundësia ekziston dhe kualiteti që kanë në skuadër e bën këtë të arritshëm,” shtoi ai.

    Me këto fjalë, Tuchel shprehu respektin e tij për skuadrën kuqezinj dhe dha një mesazh inkurajues, duke theksuar se Shqipëria mbetet një konkurrent i fortë për kualifikimin, pavarësisht humbjeve të fundit.