ATV

Blog

  • Prattipati vlerëson kontributin e Bajraktarit në forcimin e marrëdhënieve ShBA-Kosovë

    Prattipati vlerëson kontributin e Bajraktarit në forcimin e marrëdhënieve ShBA-Kosovë

    Ushtruesja e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, priti sot veprimtarin dhe filantropin shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari.

    Gjatë takimit në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Prattipati vlerësoi dekadat e shërbimit publik të Bajraktarit në Shtetet e Bashkuara, si dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.

    Bajraktari, i njohur për rolin e tij aktiv në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mbështetjen ndaj çështjeve shqiptare, u mirëprit për kontributin e tij në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve.

  • LDK-ja bojkoton seancën ku synohet miratimi i disa projektligjeve, merr pjesë vetëm në atë për formimin e qeverisë

    LDK-ja bojkoton seancën ku synohet miratimi i disa projektligjeve, merr pjesë vetëm në atë për formimin e qeverisë

    Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00 i thirrur nga Kuvendi i Kosovës, ku pritet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare e projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim.

    “LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, thuhet në komunikatë për media.

    Ndërsa në seancën e thirrur për në orën 14:00 ku pritet të testohet a i ka apo jo numrat mandatari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, LDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen.

    Komunikata e plotë:

    Lidhja Demokratike e Kosovës refuzon mënyrën e papërgjegjshme me të cilën Vetëvendosja po tenton, sërish, të përdorë institucionet e Republikës si instrument të lojërave të saj politike.

    Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë.

    Po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë. Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe prodhimi i skenave të radhës.

    Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate.

    LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, sapo të pranojmë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë.

    LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës. Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore.

  • Problemet globale të internetit, Cloudflare sqaron ndërprerjen: Nuk ka pasur sulm

    Problemet globale të internetit, Cloudflare sqaron ndërprerjen: Nuk ka pasur sulm

    Gjatë ditës së sotme, një pjesë e madhe e internetit ka pësuar ndërprerje, duke prekur platforma botërore. Probleme të tilla u shfaqën edhe në gazetat online të Kosovës, ku qasja dhe funksionimi i tyre nuk ishin të mundur.

    Kompania teknologjike Cloudflare, një nga shtyllat kryesore të infrastrukturës së internetit, ka dalë me sqarime, duke mohuar se bëhej fjalë për sulm kibernetik.

    Nga kompania është thënë se problemet u shfaqën për shkak të një “ndërprerjeje në gjigantin e infrastrukturës së internetit Cloudflare”, të cilën e identifikuan që në mëngjes.

    Shefi i teknologjisë në Cloudflare, Dane Knecht, tha se problemet u shkaktuan nga një “bug latent” në sistemet që mbështesin mbrojtjen nga bot-et, i cili u aktivizua pas një ndryshimi rutinë konfigurimi.

    “Ky gabim filloi të shkaktonte kolaps në rrjet dhe degradim të gjerë të shërbimeve. Nuk ka qenë sulm,” deklaroi Knecht, duke shtuar se kompania i ka zhgënjyer klientët dhe po punon që situata të mos përsëritet.

    Cloudflare njoftoi se ka zbatuar një zgjidhje dhe se shërbimet po rikthehen normalisht, megjithëse disa përdorues mund të përballen ende me vështirësi në qasje.

    Ndërprerja e sotme vjen vetëm pak javë pas një problemi të ngjashëm në Amazon Web Services (AWS), duke rikthyer debatin mbi varësinë globale nga një numër i vogël kompanish teknologjike. Cloudflare aktualisht përdoret nga rreth 20% e të gjitha faqeve të internetit në botë.

  • Igli Tare tregon projektin e madh te Milani: 19 afrime, 23 largime dhe objektivi Scudetto

    Igli Tare tregon projektin e madh te Milani: 19 afrime, 23 largime dhe objektivi Scudetto

    Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur hapur për ambiciet e tij në klubin ku u rikthye këtë verë pas një pauze dyvjeçare, si dhe për periudhat e mëparshme te Lazio.
    Gjatë Samitit të Futbollit Social në Torino, ai rrëfeu udhëtimin e tij nga futbollist në drejtues, sfidat, sukseset dhe një nga zhgënjimet më të mëdha të karrierës.

    Tare kujtoi momentin kur karriera e tij mori një kthesë të papritur.

    “Shkova në zyrat e Lazios për të firmosur si lojtar, por dola me një kontratë si drejtor sportiv. Presidenti Lotito ishte vizionar, ai pa tek unë gjëra që unë vetë nuk i kisha kuptuar ende,” tregoi ai.
    Ai shtoi se edhe si futbollist kishte një kureshtje të veçantë për mënyrën se si funksiononte klubi:
    “Doja të njihja çdo detaj. Fjalimi më i vështirë në jetën time ishte t’u thosha shokëve të skuadrës se do të isha drejtori i tyre i ri sportiv.”

    Pas 15 vitesh te Lazio, Tare synon të ndërtojë të njëjtin unitet edhe te Milani.

    “Te Lazio, sidomos me Simone Inzaghin, krijuam një atmosferë familjare. Dua ta sjell këtë frymë edhe te Milani. Tani në Milanello po shoh empati dhe respekt të ndërsjellë,” tha ai.
    Tare e konsideroi projektin aktual shumë ambicioz dhe transformues.
    “Kemi ndryshuar shumë: nënshkruam me 19 lojtarë dhe u larguan 23. Është një revolucion i vërtetë, por i domosdoshëm për të ndërtuar themelet e së ardhmes.”

    I pyetur për synimet e sezonit, Tare ishte i prerë:

    “Do të gënjeja po të thosha se nuk synojmë Scudetton. Duam majën dhe jemi në rrugën e duhur. Kam shumë dëshirë të fitoj trofe të rëndësishëm me këtë klub të madh.”
    Ai tha se puna e tij mbështetet te balanca mes teknologjisë dhe instinktit njerëzor.
    “Jam fans i të dhënave dhe inteligjencës artificiale sepse japin një pamje të gjerë. Por karakteri i një lojtari nuk matet me algoritme. Në afat të gjatë ke nevojë për të dyja.”
    Tare solli edhe shembullin e Modric:
    “Milani solli një ‘djalë të vogël’ si Luka Modrić, i cili sillet me energjinë e lojtarit më të ri të ekipit. Të shohësh si feston është fantastike.”

    Një moment i sinqertë i intervistës ishte ai kur foli për dështimin me Ravel Morrison, një talent i jashtëzakonshëm që nuk arriti të përmbushte potencialin.
    “E doja shumë te Lazio. Sir Alex Ferguson fliste gjithmonë për të. Ishte talent i pastër, ndoshta më i madhi që kam parë. I dhamë një shans të dytë, por nuk ia arritëm dot. Nuk funksionoi,” rrëfeu Tare.
    Morrison, dikur supertalent i Manchester United, iu bashkua Lazios në 2015, por luajti vetëm tetë ndeshje, duke mos arritur asnjëherë të shpërthente. /ATVLIVE.TV

  • Kuvendi njofton rendin e ditës për dy seancat e jashtëzakonshme nesër

    Kuvendi njofton rendin e ditës për dy seancat e jashtëzakonshme nesër

    Kuvendi i Kosovës ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me dy seancat e jashtëzakonshme që do të mbahen nesër – njëra për votimin e Qeverisë së re, e tjetra për votimin e buxhetit e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Seanca e parë do të mbahet në orën 11:00.

    Në rend dite:

    1. Formimi i komisioneve parlamentare,

    2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

    3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

    5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

    6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

    8. Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,

    9. Çështja e financimit të RTK-së.

    Ndërkohë, seanca tjetër do të mbahet në orën 14:00, ku pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e Qeverisë.

    Presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar Glauk Konjufcën si mandatar për formimin e Qeverisë, pas dështimit të Albin Kurtit.

    Osmani kishte deklaruar se Konjufca dhe VV kanë besim të plotë se mund t’i arrijnë 61 vota, sa janë të nevojshme për votimin e Qeverisë.

    Afati 15 ditor që ka Konjufca për ta prezantuar përbërjen e kabinetit qeveritar, përfundon pikërisht nesër.

  • Gjendet i vdekur një 88 vjeçar në shtëpinë e tij në Bablak të Ferizajt

    Gjendet i vdekur një 88 vjeçar në shtëpinë e tij në Bablak të Ferizajt

    Një 88 vjeçar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në fshatin Bablak të Ferizajt.

    Lajmi është konfirmuar nga Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt

    “Më datë 18.11.2025, rreth orës 11:05, policia është njoftuar se në fshatin Bablak të Ferizajt një person në shtëpinë e tij është pa ndjenja. Patrulla ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe brenda në shtēpi është gjetur personi pa shenja jete, vdekjen e tij e ka konstatuar Ekipi i Emergjencës nga Ferizaj . Viktima është një mashkull, rreth 88 vjeç”, tha Veseli.

    Në vendngjarje janë angazhuar njësitë e hetimeve dhe forenzika, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave.

    Prokurori i shtetit është njoftuar për të gjitha veprimet policore. Rasti është cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”.

  • Kush është Kamila Rodrigues? Modelja që la karrierën e saj për t’u bërë murgeshë

    Kush është Kamila Rodrigues? Modelja që la karrierën e saj për t’u bërë murgeshë

    të gjithë botën, ka histori personale unike, si ajo nga Brazili. Në këtë vend, Kamila Rodrigues Cardoso, me origjinë nga Patos de Minas, e ndryshoi jetën e saj plotësisht, pasi la botën e modës për t’u bërë murgeshë në moshën 18 vjeç. Tani ajo njihet si “Motra Eva” dhe rasti i saj ka ngjallur kuriozitet dhe vëmendje nga e gjithë bota, duke u bërë viral në rrjetet sociale.

    Kamila Rodrigues nuk e mori këtë vendim rastësisht , por kur jeta e saj ndryshoi plotësisht, pasi humbi të atin në moshën nëntëvjeçare. Ajo tregoi se çfarë ndodhi në një intervistë me ‘The Noite’: “Gjatë kohës sime si modele mendova se do ta kisha gjetur profesionin tim, por humbja e të atit vuajta nga depresioni dhe ankthi. Fillova të mendoja se të qenit modele nuk ma mbushte më zemrën”.

    Pavarësisht kësaj, ajo më parë fitoi konkursin e bukurisë Miss Rising Sun Teen Continent, gjë që e çoi në pjesëmarrjen në Miss Brazil dhe më pas në Miss Universe, por kjo nuk e ndryshoi idenë e saj të përmendur më parë, pasi ajo zgjodhi botën e fesë.

    “Pikërisht atëherë kërkova kishën dhe fillova të lutesha rruzaren. Një ditë, gjatë predikimit, pashë një murgeshë të kalonte dhe pashë tek ajo një dritë shumë të fortë. Fillova të admiroja rrobat e saj, të studioja jetën e një murgeshe dhe të shihja veten me rangun dhe velin”, shpjegoi ajo në programin e lartpërmendur.

    Pastaj ajo hyri në një manastir dhe zgjodhi të ndryshonte emrin e saj në Eva, diçka që ajo e sqaroi gjithashtu: “Një zgjedhje simbolike për të qenë gruaja e parë në historitë e Biblës”.

    Sot, ajo është tashmë 21 vjeç dhe është pjesë e Kongregacionit të Santa Dei Genitrix, një institucion i pavarur nga Kisha Apostolike Katolike Romake në Brazil. Ngjashëm, ajo spikat për bukurinë e saj kur u publikua një video në të cilën shfaqej duke shitur sende fetare.

    Përtej kësaj, ajo mban gjithashtu një profil diskret rreth jetës personale, megjithëse përdor edhe rrjetet sociale për të ndarë punën shpirtërore dhe aktivitetet komunitare.

  • PSG kërkon 180 milionë euro nga Mbappé në konfliktin e madh ligjor!

    PSG kërkon 180 milionë euro nga Mbappé në konfliktin e madh ligjor!

    Situata mes Kylian Mbappé dhe Paris Saint-Germain është përshkallëzuar edhe më shumë. Sipas raportimeve të “Le Parisien”, PSG i është përgjigjur zyrtarisht Mbappé-s në procesin ligjor duke kërkuar që ai t’i paguajë klubit plot 180 milionë euro.

    Klubi pretendon se Mbappé nuk ka respektuar disa detyrime të marrëveshjes së tyre dhe se disa veprime të tij i kanë shkaktuar dëm financiar PSG-së. Prandaj, sipas klubit, Mbappé duhet të paguajë, dhe jo anasjelltas.

    Ndërkohë, Mbappé mohon gjithçka, duke thënë se është PSG që i ka borxh atij bonusë dhe pagesa të prapambetura. Ai insiston se klubi i ka shkelur premtimet e dhëna para se të nënshkruante vazhdimin e kontratës. Kjo është arsyeja pse ai nisi padinë ndaj klubit.

    Të dyja palët tashmë janë zyrtarisht në gjykatë. Avokatët e PSG-së kërkojnë 180 milionë euro, ndërsa avokatët e Mbappé-s përgatiten të kundërshtojnë fort këtë kërkesë. Vendimi mund të zgjasë me muaj dhe rrezikon të bëhet një nga konfliktet ligjore më të mëdha që ka parë futbolli francez.

    Tifozët janë ndarë: disa mbështesin qëndrimin e klubit – duke argumentuar se një superyll si Mbappé duhet të jetë transparent financiarisht – të tjerë konsiderojnë se ky është një sulm tërësor nga PSG për të justifikuar humbjen e yllit.

    E sigurt është vetëm një gjë: kjo histori nuk ka mbaruar ende dhe do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes për ditët dhe javët në vijim.

  • Java e Filmit Etnografik nis sot në Prishtinë

    Java e Filmit Etnografik nis sot në Prishtinë

    Edicioni i tretë i Javës së Filmit Etnografik, nis sot dhe do të zgjasë deri më 20 nëntor 2025, aktivitet ky që synon të promovojë përdorimin e filmit si mjet kërkimor, interpretues dhe reflektues në antropologji.

    Gjatë tri ditëve të kësaj ngjarje do të shfaqen filma të përzgjedhur, të cilët trajtojnë tema të ndryshme kulturore, sociale dhe komunitare, duke sjellë perspektiva të reja mbi realitetet që studiohen në fushën e antropologjisë.

    Pas çdo shfaqjeje, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përfshihen në diskutime të hapura me panelin e përbërë nga studentë, kolegë dhe profesorë të Departamentit të Antropologjisë. Ngjarjet mbahet në Sallën 014, në Fakultetin Filozofik, Prishtinë.

  • Raphinha rikthehet sot në stërvitje me skuadrën e Barcelonës

    Raphinha rikthehet sot në stërvitje me skuadrën e Barcelonës

    Pas disa ditësh mungesë për shkak të shqetësimeve fizike, Raphinha është zyrtarisht gati të rikthehet në stërvitje me ekipin që nga dita e sotme.

    Lajmi ka sjellë menjëherë optimizëm te stafi teknik dhe tifozët, të cilët presin kontributin e tij në ndeshjet e ardhshme vendimtare.

    Rikthimi i brazilianit konsiderohet një shtysë e rëndësishme për skuadrën, sidomos në momentin kur ekipi kërkon ritëm, kreativitet dhe zgjidhje në fazën ofensive.

    Trajnerët pritet ta vlerësojnë gjendjen e tij gjatë seancës së sotme, ndërsa vendimi për aktivizim në ndeshjen e radhës do të merret në ditët në vijim.

    Tifozët ndërkohë e kanë cilësuar lajmin si “energjinë që i duhej ekipit në kohën e duhur”.