ATV

Blog

  • E dhimbshme: Ky është mërgimtari nga Kosova që vdiq në Mekë pasi kreu Umrën

    E dhimbshme: Ky është mërgimtari nga Kosova që vdiq në Mekë pasi kreu Umrën

    Një mërgimtar nga Kosova ka vdekur në Mekë pasi kishte kryer ritualin e Umrës.

    I ndjeri është Kenan Haliti nga Ferizaj, i moshës rreth 50 vjeçar.

    Ai kishte jetuar në Gjermani.

    Haliti vdiq teksa po shkonte drejt aeroportit për t’u kthyer nga Umra.

    Sipas informacioneve, shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë një infarkt.

    Ai do të varroset në Mekë.

  • Caktohet seanca për formimin e Qeverisë së re

    Caktohet seanca për formimin e Qeverisë së re

    Më 19 nëntor, të mërkurën, për të dytën herë me radhë do të mbahet seanca për formimin e qeverisë së re, ku mandatari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca pritet të matet, a i ka apo jo votat.

    Në ditën e fundit të afatit 15-ditor për finalizimin e këtij procesi, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në orën 14:00 për të shqyrtuar dhe votuar kabinetin e ri qeveritar.

    Para kësaj seance, deputetët pritet të zhvillojnë mbledhjen për miratimin e Buxhetit të Kosovës, e cila është caktuar të nis në orën 11:00.

    Mandatari për formimin e Qeverisë, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ende nuk e ka bërë të ditur nëse ka siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

  • Filterët e cigareve mund të ndalohet plotësisht për të reduktuar ndotjen mjedisore

    Filterët e cigareve mund të ndalohet plotësisht për të reduktuar ndotjen mjedisore

    Në konferencën globale të ardhshme mbi kontrollin e duhanit, që mbahet javën e ardhshme, do të diskutohet edhe për ndotjen masive që shkaktojnë filtërat e cigareve, me disa ekspertë që rekomandojnë ndalimin total të tyre.

    “Zgjidhja më e mirë për mjedisin do të ishte heqja e filtrave plotësisht,” tha Andrew Black, kreu i përkohshëm i sekretariatit të Konventës së Kornizës për Kontrollin e Duhanit (FCTC) të OBSH-së, të enjten.

    Sipas sekretariatit, filtërat plastik të cigareve janë artikulli më i hedhur në botë. Ata lirojnë kimikate toksike në mjedis dhe shkatërrohen në mikroplastikë — ndërkohë që nuk ofrojnë asnjë përfitim të madh për duhanpirësit.

    Konferenca e 11-të e FCTC do të mbahet në Gjenevë nga 17 deri më 22 nëntor, dhe OBSH ka paralajmëruar se industria e duhanit po përpiqet të ndikojë dhe të pengojë ngjarjen.

    Si ndotin ambientin filtërat e cigareve?

    Rreth 4.5 trilion filtër cigare hidhen çdo vit në botë, duke i bërë artikullin më të zakonshëm të hedhur.

    Këto filtër janë toksikë dhe burim kryesor i ndotjes plastike, pasi nuk dekompozohen.

    Filtrat plastik nuk rrisin sigurinë e cigareve, shton Black.

    Rudiger Krech, shefi për mjedisin dhe ndryshimet klimatike në OBSH, theksoi se është koha për të ndaluar plastikën në filtrat e cigareve, pasi ato janë “ndotësit kryesorë të ujërave” dhe “mbajnë kimikate toksike”.

    Masa konkrete do të varet nga vendet pjesëmarrëse. Aktualisht, rreth 180 shtete kanë ratifikuar FCTC-në, që ka hyrë në fuqi më 2005 dhe përfshin masa si:

    Paralajmërime grafike në paketat e cigareve

    Ligje për zona pa tym
    Rritje taksash mbi duhanin
    Konferenca do të vendosë për masat që do të ndikojnë në trajektoren e epidemisë globale të duhanit për brezat e ardhshëm. Aktualisht, mbi 7 milionë vdekje çdo vit shkaktohen nga duhani — një numër që mund të parandalohet.

    Rreziqet e produkteve të reja të duhanit

    Agjenda e konferencës përfshin edhe marketingun agresiv të produkteve të duhanit dhe shqetësimet për fëmijët që tërhiqen drejt adiktimit nga produktet e reja.

    Sipas OBSH-së, më shumë se 100 milionë njerëz përdorin cigare elektronike, përfshirë të paktën 15 milionë adoleshentë 13-15 vjeç. Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se pavarësisht promovimit si alternativa më e sigurt, nuk ka prova që cigaret elektronike kanë përfitime reale për shëndetin publik, ndërsa dëmi po rritet.

    Industria e duhanit, sipas tij, ka vetëm një motiv: fitim financiar, dhe po përpiqet të ndikojë në konferencë përmes lobimit dhe ndarjes së opinionit publik.

    Produkte të reja të marketinguara si “reduktim i dëmshmërisë” janë në fakt tërheqëse për fëmijët, me ngjyra të ndezura dhe shije të ëmbla. Industria po përdor gjithashtu rrjetet sociale për të promovuar produktet midis të rinjve, duke i ekspozuar ata ndaj adiktimit.

    Çfarë synon OBSH-ja?

    OBSH kërkon ndalim të plotë të reklamave, promovimit dhe sponsorimeve të produkteve të duhanit, përfshirë cigaret elektronike dhe produktet me nikotinë.

  • Rama e çoi në Kushtetuese, Murati reagon: T’i kërkojë Abdixhikut që ta votojnë dhe buxheti bëhet pjesë e ligjit

    Rama e çoi në Kushtetuese, Murati reagon: T’i kërkojë Abdixhikut që ta votojnë dhe buxheti bëhet pjesë e ligjit

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kryetari i Prishtinës Përparim Rama e ka “shumë të lehtë” ta zgjidhë cështjen e buxhetit të kryeqytetit.

    “Përparim Rama e ka shumë të lehtë që ta bëjë zgjidhjen për buxhetin e Komunës së Prishtinës – le t’i kërkojë Lumir Abdixhikut që ta votojnë në Kuvend, dhe buxheti i Prishtinës bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit 2025. Kaq e thjeshtë është.”

    Ai tha se ka zëra që Abdixhiku duhet të japë dorëheqje dhe në vend të tij të vijë Përparim Rama. Sipas tij, kjo ka filluar të prodhojë efektet e para në LDK.

    “Por siç duket, shtimi i zërave se tash edhe Lumir Abdixhiku duhet të japë dorëheqje dhe në vend të tij në krye të LDK-së duhet të vijë Përparim Rama, ka filluar të prodhojë efektet e para në LDK. Ndryshe nuk ka se si spjegohet qëndrimi kategorik i grupit parlamentar të LDK-së për të mos e miratuar Buxhetin 2025 për Komunën e Prishtinës, kur tashmë janë me miliona euro fatura të papaguara që janë mbledhur në mungesë të buxhetit të miratuar, dhe ka mbetur pak më shumë se 1 muaj deri në fund të vitit fiskal. Shumë keq që për shkak të rivalitetit të brendshëm në LDK, po e pësojnë qytetarët e Prishtinës.”

  • Kosova U21 synon pozitën e dytë në përballjen vendimtare ndaj Finlandës

    Kosova U21 synon pozitën e dytë në përballjen vendimtare ndaj Finlandës

    Kombëtarja e Kosovës U21 do të luajë sot (e martë) në udhëtim ndaj Finlandës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U21.

    Përzgjedhësi Afrim Tovërlani ka publikuar tashmë formacionin zyrtar me të cilin Dardanët e rinj do të zbresin në fushë në “Veritas Stadium”.

    Në Grupin A po zhvillohet një garë e fortë për pozitën e dytë që siguron kualifikimin në fazën e “play-off”-it. Aktualisht, Finlanda mban vendin e dytë me 9 pikë, ndërsa Kosova renditet e treta me 7 pikë. Kjo përballje është vendimtare për Kosovën, e cila me një fitore do të ngjitej në pozitën e dytë.

    Formacionet zyrtare

    Finlanda U21:

    Jantunen, Yiltova, Jansson, Miettinen, Naamo, Siltanen, Hyrylainen, Ruoppi, Talvitie, Soderback, Liimata.

    Kosova U21:

    Seji, Bujupi, Selmonaj, Ademi, Jashari, Muqaj, Parduzi, Zeqiri, Shala, Hasani, Sadriu. /ATVLIVE.TV

  • Ngritet aktakuzë ndaj dy mërgimtarëve, kërcënuan gazetarin dhe kreun e AGK-së Xhemajl Rexha

    Ngritet aktakuzë ndaj dy mërgimtarëve, kërcënuan gazetarin dhe kreun e AGK-së Xhemajl Rexha

    “Duhet me i var në litar kta tradhtar të serbisë”, ky është njëri nga disa kërcënimet që sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë i ka marrë gazetari dhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, në komente në rrjetin social Facebook, gjatë periudhës kohore maj-qershor 2025. Për këtë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Selmanit dhe Blerim Haradinajt, të cilët akuzohen për veprën penale “Kanosja”.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 tetor 2025, në pikën e parë akuzohet Fitim Selmani. Aty thuhet se më 4 korrik 2025, i dëmtuari Xhemajl Rexha- gazetar dhe kryetar i AGK-së, ka lajmëruar në Polici se pas deklarimeve të tij publike lidhur me lirinë e mediave në Kosovë, në periudhën kohore maj- qershor 2025, në një publikim në “Gazeta Alfa” në rrjetin social Facebook, kishte pranuar komente kërcënuese me thirrje për vrasje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Qeta njerëz me pas kush mi vra ish ish qliru Kosova, ky eshte kurd qe ka msu shqipen kqyrja likuren zez si derrit magjup i kurdistanit”, kështu sipas aktakuzës ishte shprehur i pandehuri Fitim Selmani nga profili i tij, në komente në rrjetin social në Facebook, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit Rexha.

    Me këtë, Selmani akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Blerim Haradinaj akuzohet se në të njëjtën periudhë kohore ka kanosur të dëmtuarin Rexha përmes profilit të tij në Facebook, ku i kishte shkruar koment me fjalët “duhet me i var në litar kta tardhtar të serbisë”.

    Fjalët kërcënuese, Haradinaj, sipas aktakuzës i bëri kur i dëmtuari Rexha kishte dhënë një intervistë ‘online’ në rrejtin social Facebook, kështu me këto komente i ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.

    Me këtë, Haradinaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.

    Seanca fillestare për këtë rast pritet të mbahet të mërkurën (19.11.2025), në ora 14:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Në aktakuzë thuhet se të dy të pandehurit kanë treguar se janë mërgimtarë. Njëri jeton në Suedi e tjetri në Zvicër.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Fitim Selmani në deklaratën e tij para Policisë, u shpreh se nuk e njeh dhe nuk e di se me çfarë merret gazetari Rexha.

    “Po, është e vërtetë që unë e kam shkruar këtë mesazh, por nuk e mbaj mend se kur e kam shkruar veç se jam në dijeni se ka qenë një video e postuar dhe e kam lënë një koment për shkak të asaj video e cila tash nuk më kujtohet se çfarë ka qenë dhe nuk kam pasur asnjë qëllim për gazetarin në fjalë”, citohet të ketë deklaruar Selmani, duke shtuar se i kërkon falje të dëmtuarit pasi sipas tij është shkruar “pavetëdije”.

    Ngjashëm thuhet se është shprehur edhe i akuzuari Haradinaj, në deklaratën e tij të dhënë në Polici, ku ka thënë se nuk e njeh të dëmtuarin Xhemajl Rexha dhe se nuk e di se me çfarë merret.

    “Ndoshta e kam shkruar komentin në fjalë, por nuk më kujtohet se pse e kam shkruar këtë koment, nuk kam pasur qëllim të keq ose diçka tjetër nëse është në komentin tim. I kërkoj falje publikisht personit në fjalë dhe jam i gatshëm t’i kërkoj falje edhe live pasi që po ndihem shumë keq për momentin”, citohet se ka thënë në deklaratën e tij Blerim Haradinaj.

    Në anën tjetër, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, në deklaratën e dhënë në Polici, ka theksuar se shqetësimet e tij lidhen me një sërë komentesh online në disa faqe të rrjetit social Facebook, si reagim i deklaratave të tij publike për gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë.

    “Nga mijëra komente të natyrës së ofendimeve personale, disa prej tyre kam arritur pak më vonë t’i shoh, që janë shkruar, janë të natyrës kërcënues, ato përfshijnë mes tjerash thirrje për vrasje, për varje në shesh të qytetit, likuidim dhe të ngjashme”, ka thënë Rexha.

    Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Rexha ka thënë se leximi i këtyre mesazheve ka bërë që të ketë shqetësim serioz për sigurinë e tij fizike dhe përveç kësaj, sipas tij kanë pasur efekt negativ psikologjik, duke i shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit.

    “Motivi i këtyre shkrimeve lidhet ekskluzivisht me punën time si gazetar dhe si kryetar i AGK-së në mbrojtje të gazetarëve, lirisë së shprehjes dhe mediave në Kosovë dhe për këtë ndihem i rrezikuar për sigurinë time”, citohet se ka deklaruar gazetari Rexha.

  • Nëse keni probleme me kujtesën, kërpudhat mund t’ju ndihmojnë

    Nëse keni probleme me kujtesën, kërpudhat mund t’ju ndihmojnë

    Konsumimi i kërpudhave më shumë se dy herë në javë mund të parandalojë problemet me kujtesën dhe të folurit që shfaqen pas moshës 60-vjeçare, ka treguar një hulumtim nga Singapori.

    Një antioksidant unik i pranishëm në kërpudha mund të ketë një efekt mbrojtës në tru, zbuloi studimi.

    Në hulumtim sa më shumë njerëzit hanin kërpudha, aq më mirë kryenin testet e të menduarit dhe përpunimit.

    Por, studiuesit thanë se nuk ishte e mundur të provohet një lidhje e drejtpërdrejtë midis kërpudhave dhe funksionit të trurit.

    Gjetjet e studimit të Universitetit Kombëtar të Singaporit u bazuan në 663 të rritur kinezë, të moshës mbi 60 vjeç, dieta dhe mënyra e jetesës e së të cilëve u monitorua nga viti 2011 deri në vitin 2017.

  • Punëtorët e RTK-së nga e hëna hyjnë në grevë të përgjithshme

    Punëtorët e RTK-së nga e hëna hyjnë në grevë të përgjithshme

    Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës nga e nëna hyjnë në grevë të përgjithshme pasi ende nuk i kanë marrë pagat.

    Sindikata ka kërkuar nga menaxhmenti deri te bordi që të marrin vendim të qartë për mosmbulimin e asnjë ngjarje politike deri të realizohen kërkesat e tyre.

    Sindikata ka kërkuar edhe që në ekranin e RTK-së çdo ditë të shfaqet njoftimi “Punëtorët e RTK-së pa paga”, derisa të zgjidhet situata.

    “Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti dhe të gjitha partive politike që të ndërmarrin menjëherë masa konkrete dhe të alokojë buxhetin e RTK-së, sipas ligjit, pasi RTK është institucion publik dhe funksionimi i tij nuk mund të lihet në krizë financiare.”, thuhet në komunikatë.

    Komunikata e plotë:

    Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK)

    SPERTK njofton se greva e përgjithshme në RTK do të fillojë të hënën, duke shënuar nisjen e masave sindikale për shkak të mosshpërndarjes së pagave dhe neglizhencës së institucioneve për zgjidhjen e krizës së rëndë financiare në transmetuesin publik.

    Sindikata kërkon nga të gjithë vartësit, nga menaxhmenti deri te Bordi i RTK-së, që të marrin vendim të qartë për MOS-MBULIMIN e asnjë ngjarjeje politike në Kosovë, deri në realizimin e kërkesave legjitime të punëtorëve.

    Si shenjë proteste, SPERTK kërkon që në ekranin e RTK-së çdo ditë të shfaqet njoftimi “Punëtorët e RTK-së pa paga”, derisa të zgjidhet situata.

    SPERTK paralajmëron se së shpejti do të fillohen protestat në shesh, para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si vazhdim i presionit sindikal ndaj institucioneve të vendit.

    Pergjegjesi për këtë krizë të rëndë financiare e kanë të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

    Ne nuk po e kuptojmë se në një situatë të tillë, ju vazhdoni të veproni normalisht, duke injoruar ekzistencën e 700 familjeve që varen nga puna në RTK.

    Kjo është shkelje e rëndë dhe cenim i të drejtave të njeriut, për të cilën dikush mund të mbajë përgjegjësi ligjore.

    Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti dhe të gjitha partive politike që të ndërmarrin menjëherë masa konkrete dhe të alokojë buxhetin e RTK-së, sipas ligjit, pasi RTK është institucion publik dhe funksionimi i tij nuk mund të lihet në krizë financiare.

    Kjo situatë nuk do të tolerohet më.

    Sindikata paralajmëron se masat sindikale do të ashpërsohen dita-ditës, derisa kërkesat e punëtorëve të realizohen plotësisht.

    Me këtë letër njoftojmë institucionet kompetente se shpallim zyrtarisht grevën nga e hëna e javës së ardhshme në gjithë RTK-në.

    SPERTK i fton të gjithë kolegët që të vazhdojnë mbështetjen, siç kanë bërë deri tani, dhe të ruajnë unitetin, i cili është forca jonë kryesore në këtë proces.

  • Welsley Clark përmbyll dëshminë e tij në Hagë

    Welsley Clark përmbyll dëshminë e tij në Hagë

    Gjenerali amerikan në pension, Welsley Clark, në mbyllje të dëshmisë së tij para Gjykatës Speciale përsëriti se Hashim Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës apo hakmarrjes që kanë ndodhur në Kosovë.

    “E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet individuale të dhunës ose të hakmarrjes”, tha ai.

    Sipas Clarkut, UÇK-ja nuk ishte terroriste pasi pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.

    “Ata nuk janë terroristë, pavarësisht se kur shkova të takoja gjeneralët serbë ata më thanë që ata janë terroristë. Janë njerëz që luftonin kundër një regjimi të padrejtë, të jashtëligjshëm, që meritonte të largohej dhe të zëvendësohej”, tha ai.

    “Këtu kemi persona që luftuan për lirinë e tyre. Ligjet, procedurat e shoqërive moderne duhet të kuptojnë edhe nevojat e personave që luftojnë për lirinë e tyre dhe dinjitetin e tyre”, shtoi ai.

  • Rënia e “Cloudflare” terron botën, probleme edhe në ChatGPT

    Rënia e “Cloudflare” terron botën, probleme edhe në ChatGPT

    Një numër i madh i ueb faqeve, përfshirë rrjetin social “X” dhe ChatGPT, kanë rënë nga sistemi për shkak të problemeve që ka pasur kompania e infrastrukturës së internetit “Cloudflare”.

    Miliona përdorues kanë raportuar problemet me faqet, gjithashtu edhe shërbime të tjera.

    Clouflare ka deklaruar se ka pasur një ngritje të pazakontë të trafikut në një prej shërbimeve të veta rreth orës 11:20, që ka shkaktuar problemet për trafikun që kalon nëpërmjet rrjetit të saj.

    “Ende nuk e dimë shkakun e kësaj rritjeje të pazakontë në trafik”, thuhej në një deklaratë.

    Edhe ChatGPT ka pasur probleme shkaku i rënies së Cloudflare.

    Cloudflare është ofrues i sigurisë në internet nëpër krejt botën dhe menaxhon me shërbimet siç janë kontrolli i lidhjeve të vizitorëve në faqe nëse janë njerëz apo botë.

    Rreth 20 për qind e krejt faqeve nëpër botë përdorin shërbimet e Cloudflare.

    Deri më tani ende nuk dihet se sa faqe të internetit janë në terr shkaku i këtyre problemeve.