ATV

Blog

  • Çka po i sjellin resurset Kosovës?

    Çka po i sjellin resurset Kosovës?

    Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, deri në këtë fillim nëntor, regjistroi të hyra prej 25.8 milionë eurosh.

    Rregullatorit të sektorit minerar në vend, i duhet t’i inkasojë edhe mbi tre milionë euro, për ta realizuar planin vjetor.

    Burim kryesor financiar për KPMM-në, është renta minerare, që paguhet nga kompanitë që shfrytëzojnë mineralet e Republikës.

    Paratë më pas shkojnë në arkë të shtetit.

    Këto pagesa rregullohen përmes vendimit për Listat për Rentat Minerare.

    Sidoqoftë, në vitin 2024, KPMM-ja pat planifikuar të inkasojë mbi 30.3 milionë euro, ndërsa realizoi rreth 28.5 milionë.

    Kjo përbën 300 mijë euro më pak nga shuma që planifikon të inkasojë këtë vit.

    Referuar portalit të të dhënave të KPMM-së, mbi 40 aplikacione për shfrytëzim të resurseve, presin përgjigje nga bordi.

    Në listë ka kompani që janë në pritje prej vitit 2022, ndonëse KPMM-ja deklaron se aplikacionet shqyrtohen sipas radhës.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala thotë se rënia e të hyrave të planifikuara, është indikator se sektori po pëson rënie.

    “Të gjithë parametrat tregojnë që sektori ka rënie të madhe”, thotë Shala.

    Sidoqoftë, vitin e kaluar, aplikimet e ndërmarrjes Trepça për minierat e saj, ishin trajtuar me më shumë prioritet.

    Madje kjo kompani, është edhe borxhliu më i madh ndaj KPMM-së, për rent minerare, me gjithsej 7.3 milionë euro detyrime.

    Legjislacioni në fuqi, përcakton se në rast të mospagesës së rentës minerare në afat KPMM-ja do të nxjerrë një “Njoftim për Dështim”.

    “Borxhi aktual i “Trepça” Sh.A., ndaj Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për të gjitha licencat në fuqi, është 7,348,762.17 €.Deri më tani, “Trepça” Sh.A nuk ka pranuar asnjë njoftim për dështim nga KPMM, që zakonisht u dërgohet ndërmarrjeve kur nuk i kryejnë detyrimet e tyre ndaj rregullatorit”, deklarojnë nga ndërmarrja.

    Qasja e bordit tre anëtarësh të rregullatorit, vlerësohet të jetë edhe dëmshme.

    “Me këtë neglizhencë ndaj palëve, ndaj klinetëve, ndaj biznesmenëve, ndaj ndërmarrësve është jashtëzakonisht shqetësuese dhe jashtëzakonisht me pasoja ekonomike dhe të përgjithshme për vendin”, sipas deputetit Shala.

    Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tregon se ka kompani që kanë larguar edhe punëtorë nga puna.

    “Fatkeqësisht kemi biznese të cilat iu ka ra me të madhe fuqia e tyre në treg. Kemi biznese të cilat fatkeqësisht kanë filluar ta ulin numrin e punëtorëve, për shkak se në momentin kur ti nuk ke mundësi të punosh, atëherë nuk ke se si i mban punëtorët”, thotë Ahmeti.

    Ahmeti thotë se edhe Ligji për Pronën Publike, i miratuar në vitin 2023, po i mban ndërmarrjet e sektorit peng për të marrë licencë për aktivitet në tokë të shtetit.

    “Ky Ligj për Pronën Publike, në një farë mënyre e ka bllokuar edhe punën e KPMM-së, pasiqë Agjencia e Pyjeve që është e autorizuar edhe me ligj t’i jap autorizimet e para ose të bëjë marrëveshje me kompanitë të cilat i marin në shfrytëzim pronat që menaxhohet nga kjo agjenci, nuk po mund të funksionalizohet shkaku i këtyre bllokadave që i shkaktoi Ligji për Pronën Publike”, deklaron Ahmeti.

    Nga kjo dhomë alarmojnë se bizneset po e lënë Kosovën për vendet e rajonit.

    Në listën e aplikacioneve që presin shqyrtim nga bordi, dominojnë ato për hulumtim.

    Numri i tyre, e kalon 200, ndërsa ka të tilla që presin përgjigje që tri vjet.

    Për këso aktiviteti, kanë aplikuar edhe kompani nga jashtë.

    “Në rend të parë e ka obligim komisioni që t’u krijojë hapësirë hulumtuese, sepse Kosova nuk humb gjë nga hulumtimet profesionale shkencore për resurset  e veta, pra e bënë të njohur pasurinë nëntokësore të saj”, deklaron deputeti Shala.

    Nga Dhoma e Industrisë thonë se shteti jep mesazh të keq për investitorë të huaj potencial.

    Nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, thonë se aplikacionet po trajtohet sipas rregullave.

    “Sa i përket aplikacioneve të ndërmarrjeve ndërkombëtare, ju informojmë se të gjitha aplikacionet janë duke u shqyrtuar me radhë, sipas procedurave ligjore dhe administrative në fuqi”, përgjigjen nga KPMM-ja.

    ATV ka informacion se për këto vonesa në shqyrtim janë të njoftuar edhe disa ambasada.

    Madje, ka të tillë që synojnë të hulumtojnë edhe ari, porse nuk pati gatishmëri për t’u deklaruar nga frika se dëmtohen.

    Ndërkaq, shteti nuk ka shumë informacione zyrtare për arin në tokë të vet.

    “Ari i cili është i lidhur me mineralizimet dhe vendburimet e plumb-zinkut, në nivelin e matshëm paraqitet në minierën e Artanës, ku përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vend burimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë. Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg. Sipas vendburimeve, vlerësohen këto përmbajtje të arit: Stantërg: 0.6 g/t, Bellobërdë: 0.7 g/t, Cërnac:1.0 g/t, Hajvali: 0.5 g/t, Kizhnicë: 1.1 g/t, Badovc: 0.25 g/t, Artanë: 1.6 g/t, Crepulë: 0.13 g/t19”, thuhet në Strategjinë Minerare të Kosovës.

    Nëse një hulumtim rezulton me një minierë të arit, shteti përfiton 5% të çmimit për kilogram.

    Sidoqoftë, kompanitë i paguajnë shtetit edhe për hulumtime.

    Udhëzimi Administrativ për Shpenzimet Minimale të Hulumtimit, tregon për çdo lloj hulumtimi, në vitin e parë kompania paguan 10 Euro për hektarë, në të dytin 20 dhe në të tretin 30 Euro.

    “Për të gjitha vazhdimet tjera të licencës sëhulumtimit të aplikohet vlera minimale eshpenzimeve.Për çdo vit të licencës 50 € (Euro) për1ha (një hektar)”, përcakton udhëzimi.

    Bordi i KPMM-së, emërohet nga Kuvendi me propozim të qeverisë.

    Në maj të vitit të kaluar, në këtë pozitë u vendosën Habib Basholli, Nasuf Mjekiqi dhe Bahri Karaça.

    Kuvendi ka përgjegjësinë edhe të mbikëqyrjes së punës së tyre, por këtë nuk mund ta bëjë në mungesë të komisionit përkatës.

    Naim Jakaj nga Insitututi i Kosovës për Drejtësi, thotë se pa mbikëqyrje rriten gjasat për keqpërdorime.

    “Njëri ndër katër funksionet kryesore të Kuvendit të Kosovës është funksioni mbikëqyrës të cilin nuk mund ta realizojë aktualisht, pasi që nuk është formuar qeveria e Kosovës dhe rrjedhimisht nuk mund të formohen komisionet parlamentare. Dhe në këtë drejtim këto trupa që janë themeluar dhe ndërtuar nga Kuvendi i Kosovës, mund të bëjnë çfarë të dojnë dhe të mos vihen para përgjegjësisë”, thotë Jakaj.

    Në 2021-tën, vit pandemik, KPMM-ja realizojë të hyra për pak më shumë se 20 milionë Euro, ndërsa në vitin 2022, 31.1 milionë dhe në atë 2023, mbi 27.6 milionë euro.

    Për një periudhë, rregullatori nuk kishte fare bord aktiv, që bëri që qindra aplikacione të mbesin pa u shqyrtuar.

     

     

  • Edhe Supremja rrëzon ankesën e PDK’së për rivotim në Mitrovicë

    Edhe Supremja rrëzon ankesën e PDK’së për rivotim në Mitrovicë

    Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, që kërkonte të ketë përsëritje të votimit të balotazhit për kryetar të Mitrovicës.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa më 14 nëntor vendosi që të mos ketë rivotim pas ankesës së PDK-së për fletëvotime të përziera ndërmjet klasave dhe problemeve me shfaqjen e numrit serik në fletëvotime. PZAP-ja e pati cilësuar të pabazë ankesën duke thënë se ankuesi nuk ka prezantuar prova për të dëshmuar parregullsitë.

    Pas kësaj, PDK-ja u ankua në instancën më të lartë. Të enjten, Supremja ka njoftuar se e ka refuzuar ankesën e PDK-së duke e pranuar si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin e PZAP-së.

    “Gjykata Supreme konstaton se asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar dhe nuk ekziston bazë ligjore që të provojë se ka pasur shkelje të natyrës substanciale që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar, andaj, vlerësoi se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi”, thuhet në njoftim të Supremes.

    Në balotazh, Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje e pati mposhtur Arian Tahirin e PDK-së.

  • Bashkimi mbyll debutimin historik në FIBA Europe Cup me tri fitore – eliminimi vjen vetëm nga koshdallimi

    Bashkimi mbyll debutimin historik në FIBA Europe Cup me tri fitore – eliminimi vjen vetëm nga koshdallimi

    Skuadra e Bashkimit ka përfunduar aventurën e saj debutuese në FIBA Europe Cup, duke lënë pas një edicion mbresëlënës me tri fitore në gjashtë ndeshje. Portokallezinjtë fituan nga një herë ndaj secilës skuadër të Grupit J, por gara jashtëzakonisht e ngushtë në këtë grup bëri që fati të vulosej vetëm nga koshdallimi – faktor që i penalizoi rëndë.

    Grupi J ishte tërësisht i paparashikueshëm: të katër ekipet e përfunduan fazën me bilanc identik prej 3 fitore dhe 3 humbje, duke e kthyer koshdallimin në kriterin vendimtar. Ndërsa Reggiana doli me +45 dhe siguroi kualifikimin, Bashkimi mbylli grupin me koshdallim -28, pavarësisht rritjes së jashtëzakonshme në fazën e dytë të garës.

    Një rikthim spektakolar, por jo i mjaftueshëm

    Bashkimi e nisi me tri humbje radhazi, duke e bërë grupin të dukej i paarritshëm. Por portokallezinjtë reaguan fuqishëm, duke shënuar tri fitore të njëpasnjëshme:

    89:69 ndaj Cibonës në Prizren, 77:76 ndaj Reggianas në një ndeshje dramatike, 93:84 në udhëtim ndaj Dijonit, duke u hakmarrë për humbjen në shtëpi 74:83 pas kohës shtesë.

    Ky reagim e riktheu Bashkimin në garë deri në momentin e fundit, duke dëshmuar karakter, organizim dhe cilësi të nivelit ndërkombëtar.

    Edhe pse rruga u ndërpre për shkak të koshdallimit, Bashkimi e mbyll edicionin me kokën lart. Tri fitore në debutim në grupet e FIBA Europe Cup për nënkampionët e Kosovës përbëjnë një sukses të madh dhe një sinjal të qartë se klubi prizrenas mund të synojë edhe më shumë në edicionet e ardhshme.

    Fakti që grupi u mbyll me barazi të plotë mes katër skuadrAVE vetëm e rrit peshën e këtij edicioni historik për portokallezinjtë.

  • Trajneri i Polonisë, Jan Urban: “Short i mirë për ne – jemi favoritë ndaj Shqipërisë”

    Trajneri i Polonisë, Jan Urban: “Short i mirë për ne – jemi favoritë ndaj Shqipërisë”

    Pas hedhjes së shortit në Cyrih, ku Polonia mësoi se do të përballet me Shqipërinë në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026, ka ardhur edhe reagimi i përzgjedhësit polak, Jan Urban. Ai e cilësoi Shqipërinë si një kundërshtar të fortë, por theksoi se Polonia mbetet favorite në ndeshjen që do të luhet në shtëpi.

    Nuk mendoj se duhet të ankohemi. Kemi short të mirë, jemi favoritë në ndeshjen e parë. Nuk mund ta fshehim këtë. Duhet ta shfrytëzojmë avantazhin e stadiumit si vendas, deklaroi Urban.

    Trajneri polak shtoi se, pavarësisht se ndihen superiorë, respekti ndaj kundërshtarit është i domosdoshëm:

    “Është e qartë që ne jemi favoritë, por duhet të respektojmë çdo ekip. Futbolli të surprizon – e kemi përjetuar vetë, por edhe duke parë përfaqësueset e tjera.”

    Urban theksoi se vetëbesimi do të jetë një armë e rëndësishme në këtë fazë:

    “Respekti është i rëndësishëm, por duhet të kemi vetëbesim. Shorti është i mirë dhe ne kthehemi me besim të plotë në rrugëtimin e play-off-it.”

    Ai konfirmoi se Polonia është e fokusuar te sfida e parë, por pa e lënë pas dore përgatitjen për një finale të mundshme kundër Ukrainës ose Suedisë:

    “Jemi të lumtur me shortin. Dy ndeshje në shtëpi do të ishte një fat i madh. Nëse arrijmë në finale, do të luftojmë fort për vendin në Kupën e Botës. Jemi të fokusuar tek Shqipëria, por nuk harrojmë analizën për Ukrainën dhe Suedinë.”

    Sfida Poloni – Shqipëri do të luhet në mars, në një duel që pritet të jetë vendimtar në rrugën drejt Botërorit 2026.

  • Sylvinho pas shortit: “I njohim mirë kundërshtarët, do të përgatitemi maksimalisht ndaj Polonisë”

    Sylvinho pas shortit: “I njohim mirë kundërshtarët, do të përgatitemi maksimalisht ndaj Polonisë”

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka komentuar shortin e play-offit për Kupën e Botës 2026, duke theksuar se e njeh mirë kundërshtarin e parë dhe se ekipi do të përgatitet maksimalisht për sfidën ndaj Polonisë.

    Shqipëria do të udhëtojë për t’u përballur me Poloninë në ndeshjen e parë, ndërsa nëse kalon, në finale do të përballet me fituesin e duelit Ukrainë – Suedi.

    Në një intervistë për faqen zyrtare të FSHF-së, tekniku brazilian u shpreh:

    “Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara.”

    I pyetur për një finale të mundshme, Sylvinho theksoi se edhe Ukraina dhe Suedia mbeten kundërshtarë shumë të fortë:

    “Finalja e mundshme ndaj Ukrainës ose Suedisë? Janë të gjitha skuadra të forta: Polonia fillimisht, por edhe dy kundërshtarët e tjerë nga ana tjetër. Ukrainën e njohim tashmë nga Nations League, ndërsa ndaj Suedisë kemi zhvilluar një miqësore. Janë skuadra me lojtarë të fortë – katër skuadra shumë të forta.”

    Kujtojmë se ndeshja e parë mes Shqipërisë dhe Polonisë do të zhvillohet në mars të vitit 2026, një sfidë ku kuqezinjtë synojnë të tregojnë forcën dhe përgatitjen e tyre për Botërorin.

  • Shkencëtarët zbulojnë kur daton puthja e parë në botë

    Shkencëtarët zbulojnë kur daton puthja e parë në botë

    Njerëzit e bëjnë, majmunët e bëjnë, madje edhe arinjtë polarë e bëjnë. Dhe tani studiuesit kanë rindërtuar origjinën evolucionare të puthjes. Studimi i tyre sugjeron që puthja gojë më gojë evoluoi më shumë se 21 milion vjet më parë. I njëjti hulumtim arriti në përfundimin se Neandertalët mund të jenë puthur gjithashtu dhe se njerëzit dhe Neandertalët mund të kenë përkëdhelur njëri-tjetrin. Shkencëtarët e studiuan puthjen sepse ajo paraqet një lloj enigme evolucionare – nuk ka përfitime të dukshme mbijetese apo riprodhuese, megjithatë është diçka që shihet jo vetëm në shumë shoqëri njerëzore, por në të gjithë mbretërinë shtazore.

    Shkencëtarët e përcaktuan një puthje si kontakt gojë më gojë me disa lëvizje të buzëve ose të pjesëve të gojës dhe pa transferim ushqimi. Duke gjetur prova të kafshëve të tjera që përfshiheshin në puthje, shkencëtarët ishin në gjendje të ndërtonin një pemë gjenealogjike evolucionare për të përcaktuar se kur kishte më shumë gjasa të kishte evoluar.

    Për t’u siguruar që po krahasonin të njëjtën sjellje në specie të ndryshme, studiuesit duhej t’i jepnin një përkufizim shumë të saktë mjaft jo romantik – një “puthjeje”. Në studimin e tyre, të botuar në revistën Evolution and Human Behaviour, ata e përcaktuan puthjen si kontakt jo-agresive, të drejtuar oral-oral me disa lëvizje të buzëve ose të pjesëve të gojës dhe pa transferim ushqimi.

    “Njerëzit, shimpanzetë dhe bonobot puthen të gjithë”, shpjegoi studiuesja kryesore Dr. Matilda Brindle, një biologe evolucionare nga Universiteti i Oksfordit. Nga kjo, ajo arriti në përfundimin se ka të ngjarë që paraardhësi i tyre më i fundit i përbashkët të ketë puthur.

    “Ne mendojmë se puthja ndoshta evoluoi rreth 21.5 milion vjet më parë tek majmunët e mëdhenj.”

    Në këtë studim, shkencëtarët gjetën sjellje që përputhej me përkufizimin e tyre shkencor të puthjes tek ujqërit, qentë, arinjtë polarë dhe madje edhe albatrosët. Ata u përqendruan te primatët – dhe në veçanti te majmunët – me qëllim që të ndërtonin një pamje evolucionare të origjinës së puthjes njerëzore. I njëjti studim arriti gjithashtu në përfundimin se Neandertalët – të afërmit tanë më të afërt të lashtë njerëzorë që u zhdukën rreth 40,000 vjet më parë gjithashtu putheshin.

    Një studim i mëparshëm mbi ADN-në e Neandertalit tregoi gjithashtu se njerëzit modernë dhe Neandertalët ndanin të njëjtin mikrob oral një lloj bakterie që gjendet në pështymën tonë.

    “Kjo do të thotë që ata duhet të kenë shkëmbyer pështymë për qindra mijëra vjet pasi dy speciet u ndanë”, shpjegoi Dr. Brindle.

    Shkencëtarët thonë se kjo sjellje është diçka që e ndajmë me të afërmit tanë jo-njerëzorë. Ndërsa ky studim përcaktoi me saktësi se kur evoluoi puthja, nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjes pse.

    Ekzistojnë tashmë një numër teorish – se kjo lindi nga sjellja e kujdesit ndaj grave te paraardhësit tanë majmunë ose se mund të ofrojë një mënyrë intime për të vlerësuar shëndetin dhe madje edhe përputhshmërinë e një partneri.

  • Pse disa kafshë mund të hanë helm dhe ta mashtrojnë vdekjen

    Pse disa kafshë mund të hanë helm dhe ta mashtrojnë vdekjen

    Krijesat që hanë specie me toksina vdekjeprurëse zhvillojnë strategji mbijetese po aq të jashtëzakonshme sa edhe vetë helmi.

    Dhjetë gjarpërinj mbretërorë të tokës ( Erythromaprus reginae ) u vendosën në një eksperiment të çuditshëm në Kolumbinë amazoniane. Pasi kishin qëndruar disa ditë pa ushqim në robëri, atyre iu ofrua një pre shumë e rrezikshme: bretkosat helmuese me tre vija (Ameerega trivittata). Lëkura e tyre përmban molekula tepër toksike – histrionikotoksina, pumiliotoksina dhe dekahidrokinolina – që ndërhyjnë drejtpërdrejt në proteinat esenciale të qelizave.

    Gjashte gjarpërinj nuk pranuan të hanin. Katër të tjerët, megjithatë, u përpoqën. Para se të gëlltisnin bretkosat, ata i zvarritën ato nëpër tokë – një sjellje e ngjashme me atë të disa zogjve që përpiqen të fërkojnë e të heqin toksinat nga preja. Tre prej gjarpërinjve mbijetuan, duke treguar se trupi i tyre ka mekanizma mbrojtës të brendshëm ndaj sasive të vogla të toksinës.

    Lufta e padukshme biologjike

    Toksinat kanë qenë pjesë e betejës për mbijetesë për qindra miliona vjet. Fillimisht te mikrobet, pastaj te kafshët dhe bimët, këto kimikate u përdorën si armë për të eliminuar konkurrentët, për të vrarë prenë ose për të larguar grabitqarët.

    Krijesat që prodhojnë toksina i krijojnë vetë ose i marrin nga ushqimi:

    • Bretkosat bufonide prodhojnë glikozide kardiake që bllokojnë pompën natrium-kalium – thelbësore për funksionimin e muskujve dhe sinjalet nervore.

    • Peshqit puffer strehojnë baktere në trup që prodhojnë tetrodotoksinë, një nga helmet më vdekjeprurëse.

    • Bretkosat helmuese marrin toksina nga insektet që konsumojnë.

    Në të njëjtën kohë, shumë kafshë kanë evoluar mënyra për t’i rezistuar këtyre molekulave vdekjeprurëse. Shpesh kjo përfshin ndryshime në vetë proteinat që toksinat synojnë të bllokojnë. Por një ndryshim i tillë mund të krijojë efekte anësore.

    Studimet e biologes molekulare Susanne Dobler tregojnë se insektet që ushqehen me bimë qumështi kanë zhvilluar pompa natrium-kalium rezistente ndaj glikozideve. Por sa më rezistente të bëhet pompa, aq më pak efikase është – sidomos në tru. Kjo ka detyruar insektin të evoluojë mekanizma shtesë mbrojtës, si transportuesit ABCB që largojnë toksinat nga qelizat.

    Mbrojtja përmes filtrimit të toksinave

    Disa krijesa kanë zhvilluar sisteme të sofistikuara filtrimi:

    • Fluturat e natës përdorin transportues ABCB për të larguar glikozidet nga inde nervore.

    • Brumbulli i qepës së kuqe i nxjerr toksinat jashtë trupit pothuajse të paprekura, duke i përdorur jashtëqitjet e helmëta për t’i larguar milingonat.

    • Ketrat e tokës në Kaliforni kanë proteina në gjak që bllokojnë toksinat e gjarpërinjve me zile, të ngjashme me proteina antihelmi që gjarpërinjtë i prodhojnë për të mbrojtur veten.

    Por kjo garë është e vazhdueshme. Gjarpërinjtë me zile vazhdojnë të evoluojnë helm të ri për të kapërcyer mbrojtjet e ketrave – një betejë evolucionare pa fund.

    Roli i mëlçisë: çelësi i mbijetesës së gjarpërinjve

    Në rastin e gjarpërinjve mbretërorë të tokës, duket se mëlçia është pika kyçe. Studimet e ekipit të Rebecca Tarvin sugjerojnë se ekstrakti i mëlçisë së gjarprit përmban enzima që:

    • shpërbëjnë toksinat në forma të padëmshme,

    • ose molekula që lidhen me toksinat dhe i neutralizojnë ato si “sfungjerë kimikë”.

    Proteina të tilla janë gjetur edhe te bretkosat helmuese dhe disa specie të tjera rezistente.

    Përvetësimi i toksinave si strategji mbrojtëse

    Shumë kafshë nuk mjaftohen me neutralizimin e helmit – ato e ri-përdorin atë për vete:

    • Brumbulli dogbane transporton glikozidet në shpinë për t’u mbrojtur, duke nxjerrë pika helmuesh kur rrezikohet.

    • Vemjet monarke akumulojnë glikozide kardiake nga bimët e barit të qumështit, duke u bërë të pangrënshme për shumicën e grabitqarëve.

    • Zogjtë sqepzi të zinj në Meksikë kanë evoluar tolerancë ndaj glikozideve për të ushqyer monarket që migrojnë.

    Ky është një shembull i jashtëzakonshëm i mënyrës se si një molekulë e vogël e prodhuar në një bimë të zakonshme mund të formësojë biologjinë e një zogu që jeton mijëra kilometra larg.

  • Ivan Schranz pas shortit: “Kosovën nuk e njoh shumë, por do të jemi gati deri në mars”

    Ivan Schranz pas shortit: “Kosovën nuk e njoh shumë, por do të jemi gati deri në mars”

    Sulmuesi i Slavia Pragës dhe Kombëtares së Sllovakisë, Ivan Schranz, ka folur pas shortit të playoff-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, ku Sllovakia do të përballet me Kosovën në gjysmëfinale.

    Schranz ka pranuar se aktualisht nuk ka shumë njohuri për ekipin kosovar, por ka theksuar se në këtë fazë çdo kundërshtar është i fortë dhe nuk duhet nënvlerësuar.

    “Nuk kam pasur favorit se me kë do të doja të përballesha, sepse secili kundërshtar në playoff është i fortë. Nuk di shumë për Kosovën për momentin, por deri në mars do të kemi mjaftueshëm informata dhe do ta analizojmë në mënyrë të përkryer,” ka deklaruar ai.

    Sulmuesi 32-vjeçar ka shtuar se fakti që ndeshja e parë do të luhet në shtëpi për Sllovakinë është një avantazh i madh.

    “Jam i lumtur që do të luajmë në shtëpi. Besoj se tifozët do të jenë në numër të madh dhe do të na përkrahin,” u shpreh Schranz.

    Në këtë sezon, Schranz ka zhvilluar 12 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola dhe dhuruar një asistim, duke u bërë një nga armët kryesore të Sllovakisë për duelin e marsit.

    Playoffi pritet të jetë një përballje e fortë, ndërsa të dyja skuadrat synojnë biletën e artë drejt Botërorit 2026.

  • Rúben Amorim: “Kam mësuar shumë këtë vit, tani jam gati për të ardhmen e Manchester United!”

    Rúben Amorim: “Kam mësuar shumë këtë vit, tani jam gati për të ardhmen e Manchester United!”

    Trajneri i Manchester United, Rúben Amorim, po tregon një vizion të qartë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Në një intervistë të fundit, ai u shpreh: “Kam mësuar shumë gjatë vitit të kaluar, tani jam një trajner më i mirë… jam gati për të ardhmen.”

    Amorim thekson se çdo sfidë dhe eksperiencë e ka bërë më të fortë dhe më të përgatitur për të drejtuar një nga klubet më të mëdha të botës. Tifozët e Manchester United mund të presin një trajner që kombinon strategjinë, përvojën dhe vendosmërinë për të rikthyer suksesin në Old Trafford.

    Ekspertët e futbollit e përshkruajnë si një lider modern, që mëson nga çdo ndeshje dhe nuk ndalet para sfidave të mëdha. Sipas tyre, Amorim është trajneri që mund ta rikthejë Manchester United në majat e Premier League dhe Europës.

  • Thibaut Courtois: “Mbappé ka një mentalitet fitues të jashtëzakonshëm, ai është lider”

    Thibaut Courtois: “Mbappé ka një mentalitet fitues të jashtëzakonshëm, ai është lider”

    Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka folur së fundmi për ndikimin dhe mentalitetin e yllit francez, Kylian Mbappé, duke e cilësuar atë jo vetëm një lojtar të jashtëzakonshëm teknikisht, por edhe një lider të vërtetë në fushë. Courtois u shpreh: “Këtë vit po shohim një rritje të madhe në mentalitetin fitues të Mbappé.”

    Ai shtoi gjithashtu: “Duket qartë që ai është një lider.”

    Fjala e portierit belg vjen pas një serie performancash mbresëlënëse nga Mbappé, i cili ka treguar se nuk është vetëm një sulmues i talentuar, por edhe një lojtar që frymëzon dhe udhëheq skuadrën e tij në momentet më të vështira. Ekspertët e futbollit e vlerësojnë këtë kombinim të aftësive teknike, shpejtësisë dhe mentalitetit fitues si një nga arsyet kryesore që e bëjnë Mbappé një nga yjet më të shquar të momentit.

    Sipas Courtois, kjo rritje e vazhdueshme në mentalitetin fitues dhe aftësia për të marrë përgjegjësi në momente kyçe e bëjnë Mbappé një figurë qendrore për çdo skuadër, dhe një shembull frymëzimi për lojtarët e rinj që duan të arrijnë nivelin më të lartë të futbollit profesional.