ATV

Blog

  • Konfirmohen rastet e para me grip në Shqipëri, dominon Covidi

    Konfirmohen rastet e para me grip në Shqipëri, dominon Covidi

    Në Shqipëri janë konfirmuar rastet e para me grip për këtë sezon.

    Instituti i Shëndetit Publik deklaron se gripi i tipit A dhe nën tipi AH1N1 është në qarkullim këtë periudhë, ashtu si në shumë vende të Evropës.

    Rastet e para raportohen me shenja klasike të gripit: rrufë, temperaturë të lartë dhe bllokim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

    Aktualisht dominojnë rastet me Covid dhe virozat e tjera. Me fillimin e stinës së ftohtë pritet të shtohet intensiteti i rasteve me grip në bashkëqarkullim me Covid.

    Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik flasin për rëndësinë e vaksinimit ndaj gripit për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

    Sezoni i gripit nis në fund të nëntorit dhe mbyllet kryesisht në fund të muajit mars. Piku i qarkullimit të tij shënohet në muajt më të ftohtë, janar-shkurt.

  • Punëtorët e RTK-së nga e hëna fillojnë grevën e përgjithshme

    Punëtorët e RTK-së nga e hëna fillojnë grevën e përgjithshme

    Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka bërë të ditur se nga e hëna (24 nëntor) do të fillojë greva e përgjithshme e punëtorëve të televizionit publik e cila do të mbahet çdo ditë nga ora 11:00 deri në orën 13:00.

    “Gjatë këtyre dy orëve ndalet çdo punë, në çdo sektor të RTK-së: redaksi, administratë, financa, arkiv, kamera, galeri, master, teknikë, produksion, regjisorë, montazh, audio, si dhe të gjitha njësitë tjera mbështetëse. Greva vlen për të gjithë, pa përjashtim”, thuhet në komunikatën e SPERTK-së, njërës prej tri sindikatave në RTK.

    Sipas kësaj sindikate, kjo masë vjen pas një periudhe të gjatë kërkesash të injoruara dhe një gjendjeje që është bërë e paqëndrueshme si për stafin ashtu edhe për funksionimin e institucionit, e ku pagat janë të bllokuara dhe rrezikohet seriozisht vazhdimësia e RTK-së.

    “Kërkojmë nga menaxhmenti i RTK-së të marrë vendim të qartë për mosmbulim të fushatës zgjedhore. Pa një vendim të tillë, stafi rrezikon të përfshihet në situata të padrejta dhe të ekspozohet ndaj presioneve të jashtme. Nëse menaxhmenti nuk del me qëndrim, SPERTK do të thërrasë bojkotin e plotë të zgjedhjeve nga ana e gjithë kolegëve”, thuhet tutje në komunikatë.

    Sipas SPERTK-së, greva do të shoqërohet shumë shpejt edhe me protestë në shesh, para Qeverisë, për të cilën do të njoftohet me kohë.

    “Kjo protestë është e domosdoshme, sepse gjendja në RTK ka kaluar çdo kufi të durimit. Ftojmë të gjithë punonjësit të qëndrojnë të bashkuar dhe t’i përmbahen vendimeve të Sindikatës. Bashkimi ynë është i vetmi mjet për të mbrojtur punën, dinjitetin dhe shërbimin publik që i ofrojmë vendit. Qëllimi ynë është i vetëm: zgjidhja urgjente e çështjes së pagave dhe garantimi i funksionimit normal të RTK-së. Pasi nuk ka Kuvend aktiv, kërkojmë që Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, të marrë vendimin e nevojshëm pa asnjë vonesë. Nëse për zgjedhje gjenden mjete, atëherë duhet të gjenden edhe për RTK-në. Media publike nuk mund të lihet në kolaps”, thekson në fund SPERTK.

  • Aksident me tre të lënduar në Gllarevë të Klinës

    Aksident me tre të lënduar në Gllarevë të Klinës

    Tre persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mes dy veturave në Gllarevë të Klinës.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës Fadil Gashi.

    Gashi deklaroi se në aksident ishin të përfshirë dy vetura.

    “Të lënduarit janë dërguar për trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Sipas informacioneve janë jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes ka dal policia dhe po e heton rastin”, theksoi ai.

  • Vdes 30-vjeçari shqiptar në Angli, flinte në koshat e mbeturinave – dyshohet se u shtyp nga një kamion

    Vdes 30-vjeçari shqiptar në Angli, flinte në koshat e mbeturinave – dyshohet se u shtyp nga një kamion

    Një 30-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Sajmir Beca, ka vdekur tragjikisht pasi u shtyp nga një kamion mbeturinash në Northampton të Anglisë.

    The Sun raporton se 30-vjeçari po flinte brenda një koshi plehrash. Ngjarja e rëndë ndodhi më 31 tetor në Rrugën Wellington, ku fqinjët raportuan se u zgjuan nga britma të forta në orët e para të mëngjesit.

    Shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e transportuan me urgjencë Sajmirin drejt Spitalit të Coventry-t. Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, i riu nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë më 6 nëntor.

    Miqtë e tij, të tronditur nga humbja, treguan se Sajmiri kishte kërkuar më herët strehë tek persona të ndryshëm, por pasi nuk gjeti një vend ku të qëndronte, përfundoi duke fjetur në rrugë.

    Autoritetet britanike po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Gjetën portofolin me para dhe e dorëzuan në polici, Osmani ndan mirënjohje për tre fëmijët nga Ferizaj

    Gjetën portofolin me para dhe e dorëzuan në polici, Osmani ndan mirënjohje për tre fëmijët nga Ferizaj

    Tre fëmijë nga Ferizaj, të mërkurën e gjetën një portofol me para dhe dokumente e të njëjtin e dorëzuan në polici.

    Ndërkaq, sot në Ditën Botërore të Fëmijëve presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i priti ata në takim.

    Ajo tha se Diar, Anik dhe Rajana Terziu dhanë një shembull të jashtëzakonshëm ndershmërie.

    “Ata gjetën një portofol me para dhe e dorëzuan në polici, duke treguar vlera të larta morale. Atyre ju ndava mirënjohje për aktin e ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, duke u shndërruar në shembull frymëzues për të gjithë fëmijët e vendit”, tha Osmani.

  • CSKA Sofia shton përpjekjet për ta mbajtur Lumbardh Dellovën – oferta e re përfshin edhe pasaportë bullgare

    CSKA Sofia shton përpjekjet për ta mbajtur Lumbardh Dellovën – oferta e re përfshin edhe pasaportë bullgare

    CSKA Sofia po tenton me çdo kusht ta bindë qendërmbrojtësin e Kosovës, Lumbardh Dellova, që të mos largohet nga klubi gjatë verës. Interesi i madh nga klubet evropiane po e shtyn gjigantin bullgar të veprojë shpejt, dhe sipas mediumit bullgar “Tema Sport”, drejtuesit tashmë i kanë bërë 26-vjeçarit një ofertë të veçantë.

    CSKA ka rinisur negociatat me Dellovën me qëllimin e vetëm që të shmangë largimin e tij për vetëm 900 mijë euro, shumën që parasheh klauzola aktuale e mbrojtësit. Për ta bindur lojtarin, klubi i ka ofruar mundësinë e marrjes së pasaportës bullgare, një lehtësi e rëndësishme që do t’i mundësonte atij dhe familjes të lëviznin lirshëm në tërë Evropën.

    Përveç kësaj, Dellova ka marrë në tavolinë një kontratë të re, të vlefshme deri në vitin 2029, me një pagë mujore rreth 30 mijë euro. Pika ku palët ende nuk janë dakorduar mbetet klauzola e largimit: Dellova kërkon që ajo të rritet, por jo mbi 1.5 milionë euro, ndërsa CSKA preferon të mos vendosë fare një klauzolë të tillë.

    Raportet nga Bullgaria thonë se marrëveshja është shumë pranë, pasi CSKA nuk dëshiron ta humbasë futbollistin që këtë sezon është shndërruar në një titullar të patundshëm dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

    Kujtohet se Dellova ishte afër largimit verën e kaluar, por refuzoi një ofertë të majme nga Arabia Saudite, pasi familja e tij nuk dëshironte të braktiste Evropën.

    Mbrojtësi kosovar mbetet gjithashtu një figurë kyçe te Kombëtarja e Kosovës, ku në sistemin e trajnerit Franco Foda formon një treshe solide me Amir Rrahmanin dhe Albian Hajdarin.

  • “Më mirë shkoj vet në Speciale, sesa me i çu shokët” – Isa Mustafa e zbulon se çka i kishte thënë Kadri Veseli

    “Më mirë shkoj vet në Speciale, sesa me i çu shokët” – Isa Mustafa e zbulon se çka i kishte thënë Kadri Veseli

    Ish-kryeministri Isa Mustafa, në një intervistë të fundit, ka folur për procesin gjyqësor në Hagë dhe ka kujtuar një deklaratë të ish-kryeparlamentarit dhe ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

    Mustafa tregoi se Veseli i kishte thënë se ishte i gatshëm të përballej vet me drejtësinë, në vend që të ndiqeshin shokët e tij.

    Sipas Mustafës, Veseli i kishte thënë: “Më mirë shkoj vet në Speciale, sesa me i çu shokët.”

    Këtë deklarim ish-kryeministri e tha në një intervistë në ATV.

    Deklarata e plotë:

  • Montella pas shortit: “Nuk e di kë do preferoja në finale, por synimi ynë është i qartë – të kualifikohemi”

    Montella pas shortit: “Nuk e di kë do preferoja në finale, por synimi ynë është i qartë – të kualifikohemi”

    Përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella, ka reaguar pas shortit të play-offit për Kupën e Botës 2026, ku Turqia mësoi se do të përballet me Rumaninë në gjysmëfinale. Nëse arrin në finale, Turqia do të luajë në udhëtim kundër fituesit të ndeshjes Sllovaki – Kosovë.

    Montella u shpreh se fokusi i tij dhe i ekipit është plotësisht te sfida e parë, ndërsa për finalen nuk ka preferencë, pavarësisht se e vlerëson shumë përzgjedhësin e Sllovakisë, Francesco Calzona.

    “Kemi luajtur shumë mirë në grupe dhe morëm rezultate të mira. Tani i tërë fokusi ynë është në play-off – duam të jemi në finale,” tha ai.

    “Finalja është në udhëtim, por këto janë rregullat. Tërë fokusi ynë është në ndeshjen e parë.”

    Montella foli edhe për një përballje të mundshme me Sllovakinë, duke vlerësuar punën e trajnerit italian Calzona:

    “Sllovakia ka një trajner italian, e njoh mirë. Është një trajner i shkëlqyer dhe ka një skuadër të mirë. Zakonisht luajnë kompakt dhe me besim.”

    Megjithatë, tekniku italian theksoi se për të nuk ka rëndësi kundërshtari i finales:

    “Nuk e di se cilën kombëtare do ta preferoja, por dua që Turqia të jetë në finale.”

    Ndeshjet e gjysmëfinaleve do të zhvillohen më 26 mars, ndërsa finalja e madhe është caktuar për 31 mars 2026, ku do të përcaktohet se kush siguron biletën e artë drejt Botërorit.

  • Courtois reagon ndaj deklaratave të Lamine Yamal: “Në emocionet e ndeshjes thuhet edhe ajo që nuk mendohet”

    Courtois reagon ndaj deklaratave të Lamine Yamal: “Në emocionet e ndeshjes thuhet edhe ajo që nuk mendohet”

    Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka komentuar polemikat që shpërthyen para “El Clasico”-s së fundit, ku Real Madridi triumfoi 2-1 ndaj Barcelonës. Shkak i tensioneve ishte një deklaratë provokuese e Lamine Yamal, i cili kishte thënë: “Real Madridi vjedh dhe gjithmonë ankohet.”

    Në një intervistë për Cadena Cope, Courtois u shpreh se Yamal është një talent i jashtëzakonshëm, por ndonjëherë futbollistët e rinj flasin nën ndikimin e emocioneve.

    “Mendoj se kur je i qetë dhe rehat, ndonjëherë mund të thuash gjëra që nuk i mendon. Për mua, Lamine është një lojtar i shkëlqyer dhe do të bëjë histori për Barcelonën. Por ai e tha këtë, shkaktoi pak trazirë dhe shtypi u kthye kundër tij…”, deklaroi portieri belg.

    Courtois tregoi se kishte folur me Lamine Yamal edhe pas ndeshjes:

    “E pashë duke folur me Carvajal dhe pastaj shpërtheu një grindje e vogël, kështu që i thashë diçka edhe atij. Kur emocionet janë të larta, thua gjëra që nuk duhet.”

    Portieri i Realit shtoi se tensioni është pjesë e pandashme e “El Clasico”-s dhe madje e domosdoshme për spektaklin.

    “Ky është pikërisht qëllimi i një ‘El Clasico’. Kishim nevojë për atë atmosferë, për atë intensitet, sidomos pas katër humbjeve të vitit të kaluar. Kemi nevojë për këtë ndjenjë se Barcelona është një armik sportiv dhe se duhet t’i sulmojmë. Edhe kur fituam, nuk na treguan respekt. Por këto debate mbeten në fushë.”

    Me këto deklarata, Courtois i dha fund polemikave, duke sjellë një ton më të qetë mes dy ekipeve, pa e humbur aromën e rivalitetit më të madh në futbollin botëror.

  • AKR do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    AKR do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, duke bërë të ditur se përgatitjet tashmë kanë nisur brenda strukturave të partisë.

    “Po do të marrim pjesë në zgjedhje”, tha Makolli.

    Ai ka bërë të ditur se ka pasur të planifikuar një mbledhje të kryesisë.

    “Sot kam pasur një ftesë dhe e kemi mbledhjen e kryesisë në ora 17:30, por e shtyva për nesër”, tha ai.

    Ai mohoi se ftesa e fundit ka ardhur nga kreu i LVV-së, Albin Kurti.

    “Ftesa nuk është nga Kurti, ka qenë nga ai për zgjedhjet lokale, por unë s’kam pranuar e këtë rast prej tij nuk është”, theksoi Makolli.

    Makolli, foli edhe për raportet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke theksuar afërsinë natyrale mes dy subjekteve.

    “Po, është afërsia me LDK-në sepse gjeneza jonë aty lidhet. Një pjesë e mirë e elektoratit të AKR-së ka qenë anëtarësi e LDK-së”, u shpreh ai.