ATV

Blog

  • Arrestohen gjashtë persona të kërkuar me urdhëresë gjyqësore

    Arrestohen gjashtë persona të kërkuar me urdhëresë gjyqësore

    Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) në gjashtë raste të ndara ka arrestuar gjashtë persona të kërkuar me urdhëresë gjyqësore. Arrestimet janë kryer në bazë të vendimeve të gjykatave kompetente.

    Personat e arrestuar janë:

    I.I. (47 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” me dënim burgimi prej 150 ditësh.

    D.S. (41 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Kanosje” me dënim burgimi prej 50 ditësh.

    M.K. (47 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur” me dënim burgimi prej 40 ditësh.

    B.B. (37 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Sulmi” me dënim burgimi prej 36 ditësh.

    J.A. (22 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Dhuna në familje” me dënim burgimi prej 25 ditësh.

    N.B. (41 vjeç) – i kërkuar për veprën penale “Kanosje” me dënim burgimi prej 17 ditësh.

    Të gjithë të arrestuarit janë dërguar në vuajtje të dënimit sipas procedurave ligjore.

    Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje të gjithë personave që janë në kërkim me urdhëresë gjyqësore që të paraqiten në gjykatë dhe të kryejnë obligimet e tyre ligjore.

    Në të kundërtën, Policia Rajonale e Ferizajt do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e tyre, siç parashihet me ligj.

  • Reuters: Washingtoni i ka dhënë afat një javë Zelenskyt për planin 28 pikësh, refuzimi mund të çojë në pasoja serioze

    Reuters: Washingtoni i ka dhënë afat një javë Zelenskyt për planin 28 pikësh, refuzimi mund të çojë në pasoja serioze

    Një plan i ri i administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë parashikon që Kievi t’i lëshojë territor Rusisë, njohjen “de facto” të Krimesë dhe territoreve të tjera ukrainase të marra me forcë nga Kremlini si ruse dhe kufizime në madhësinë e ushtrisë së Ukrainës, sipas një drafti të planit që mediat botërore raportojnë se e kanë parë.

    Shumë nga idetë e paraqitura në planin 28-pikësh janë refuzuar në negociatat e mëparshme nga Ukraina dhe zyrtarët evropianë dhe do të shiheshin si lëshime ndaj Rusisë.

    Siç raporton Reuters me burime, Ukraina po përballet me një presion shumë më të fortë nga Uashingtoni sesa në përpjekjet e mëparshme për negociata me Moskën. Këtë herë, sipas burimeve, administrata amerikane i tha qartë Kievit se duhet të bjerë dakord me kornizën e marrëveshjes amerikane të paqes dhe atë së shpejti.

    Një nga burimet tha se SHBA kanë dhënë Ukrainës një afat – ata duan që Kievi të nënshkruajë marrëveshjen kornizë deri të enjten e ardhshme. Përveç kësaj, Uashingtoni e bëri të qartë se refuzimi mund të çojë në pasoja serioze, thekson raportimi.

    Burimet  e Reuters pohojnë se zyrtarët amerikanë kanë treguar se në rast të një refuzimi, mbështetja kryesore do të reduktohej ose edhe do të pezullohej, kryesisht dërgimi i armëve dhe shkëmbimi i inteligjencës. Pikërisht mbi këtë mbështetje mbështetet mbrojtja ukrainase për gati tre vjet.

    Kremlini tha të premten se Rusia nuk kishte marrë ende asgjë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara mbi planin 28-pikësh të paqes për Ukrainën, por se ishte gati të negocionte.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska dhe Uashingtoni ende nuk po i diskutojnë propozimet në detaje, por se kontaktet po zhvillohen.

    Edhe presidenti ukrainias, Zelensky konfirmoi se kishte marrë planin e SHBA-së, por nuk komentoi drejtpërdrejt përmbajtjen e tij. Ai postoi në Telegram gjatë natës se Ukraina ishte “e gatshme për punë konstruktive, të ndershme dhe të shpejtë”.

  • Lamine Yamal është gati për rikthimin në fushë, ja plani i Barcelonës për talentin 18-vjeçar

    Lamine Yamal është gati për rikthimin në fushë, ja plani i Barcelonës për talentin 18-vjeçar

    Barcelona po përshpejton procesin e rikuperimit të Lamine Yamal, talentit që po shkakton ankth tek tifozët blaugrana për shkak të një dhimbjeje të vazhdueshme në ijë.

    Klubi katalanas nuk po merr përsipër rreziqe dhe ka zbatuar një protokoll jashtëzakonisht rigoroz rikuperimi për sulmuesin e krahut, duke synuar ta ketë atë në formën më të mirë për ndeshjet e ardhshme vendimtare.

    Pika e kthesës erdhi më 10 nëntor, kur Yamal iu nënshtrua një trajtimi invaziv me radiofrekuencë. Pas kësaj procedure, talenti spanjoll mori disa ditë pushim të plotë, gjë që ishte thelbësore përpara se të fillonte një program intensiv rehabilitimi.

    Prioriteti i Barçës është i qartë, të mos nxitohen gjërat dhe të lejohet Yamal të arrijë gjendjen optimale për të shmangur çdo rrezik të një rikthimi.

    Ndeshja kundër Chelseat është data përfundimtare për një rikthim të plotë, por nuk përjashtohet as një rikthim në fundjavë, në ndeshjen kundër Atletik Bilbaos në Camp Nou.

  • Kurti në Samitin e BE-së: Hera e fundit që do t’i adresoj masat ndëshkuese të BE-së, duhet të hiqen plotësisht

    Kurti në Samitin e BE-së: Hera e fundit që do t’i adresoj masat ndëshkuese të BE-së, duhet të hiqen plotësisht

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë punimeve të Samitit të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, që u mbajt në Tiranë ka thënë se është hera e fundit që do t’i adresoj masat ndëshkuese të BE-së pasi siç tha “Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht”.

    Kurti tha se asnjë vend në rajon nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot.

    “Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks. Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e Planit të Rritjes. Ne ishim të parët që përmbushëm Agjendën e Reformave dhe disi, tani jemi prapa në zbatimin e saj. Dhe unë e kam mirëpritur kritikën. Ne duhet të jemi në ballë të këtyre reformave”, ka thënë Kurti.

    Dua të filloj duke uruar Shqipërinë në avancimin e saj drejt Bashkimit Evropian me hapjen e kapitullit të fundit, duke shënuar hapjen e secilit prej 33 kapitujve. Kjo është një arritje e rëndësishme.

    Prej takimit tonë të fundit në Maqedoninë e Veriut këtë vit, u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, ku dhamë mbështetjen për të arriturat e reja dhe miratuam Agjendën e Gjelbër të rishikuar për Ballkanin Perëndimor.

    Muajin e kaluar organizata Ëorld Justice Project publikoi indeksin mbi sundimin e ligjit, e cila e renditi Kosovën të tretën mes 15 shteteve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, dhe të dytën mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor sa i përket përmirësimit në sundim të ligjit.

    Renditemi si vendi më i sigurtë në rajon, me kriminalitetin më të ulët dhe progresin më të madh në luftimin e korrupsionit. E kemi shënuar rritjen ekonomike më të fuqishme dhe pas takimit tonë në korrik në Maqedoni të Veriut, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e hoqën Kosovën nga lista e shteteve fragjile dhe të ndikuara nga konfliktet.

    Ky progres i verifikuar ndërkombëtarisht dhe i bazuar në dëshmi është në kontrast të plotë me politikën e BE-së për masa ndëshkuese dhe mungesën e progresit në dhënien e statusit të merituar të vendit kandidat për Kosovën. Masat e BE-së të ndërmarra ndaj Republikës sonë demokratike në Ballkanin Perëndimor i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së.

    Kjo është hera e fundit që do të adresoj masat ndëshkuese të BE-së. Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell.

    Gjithashtu, asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks.

    Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e Planit të Rritjes. Ne ishim të parët që përmbushëm Agjendën e Reformave dhe disi, tani jemi prapa në zbatimin e saj. Dhe unë e kam mirëpritur kritikën. Ne duhet të jemi në ballë të këtyre reformave.

    Por ne jemi prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat. Vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë.

    Tani po shkojmë drejt zgjedhjeve të treta brenda një viti, të cilat, siç kanë treguar dy të mëparshmet, do të jenë të lira, të ndershme dhe konkurruese, duke treguar qëndrueshmërinë e demokracisë sonë dhe fuqinë e institucioneve tona. Jam i bindur se këto zgjedhje do të rezultojnë në një qeveri të re që do të ecë shpejt në zbatimin e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes.

    Ne i mirëpresim nismat e reja. Gjithashtu e kuptojmë se përparimi ynë individual drejt bashkimit me Tregun Unik të BE-së është i lidhur ngushtë me përparimin tonë kolektiv në lëvizshmërinë dhe tregtinë rajonale, ose, siç do të thoshte Komisioni, Shtylla e Parë është e lidhur me Shtyllën e Dytë të Planit të Rritjes.

    Ne nuk shohim pengesa në Udhërrëfyesin e Roaming-ut.

    Në samitin e fundit në Shkup, identifikuam tre sektorë për “nearshore” si pjesë e nismës së Autostradës së Tregut Unik: 1) Teknologjinë Informative dhe të Komunikimit, 2) Mbrojtjen 3) Agrikulturën.

    Transformimi ekonomik i Inteligjencës Artificiale ka filluar dhe ne duhet të sigurohemi që është gjithëpërfshirës, etik dhe demokratik. Ne kryesojmë në digjitalizim dhe kemi mbulim të lartë të rrjetit me brez të gjerë të internetit. Gjithashtu kemi çmimin më të ulët të energjisë elektrike në rajon. Këto elementë: lidhshmëria, përballueshmëria dhe gatishmëria digjitale – formojnë infrastrukturën e së ardhmes, duke na bërë një qendër të fuqishme potenciale për Fabrikat e Inteligjencës Artificiale të Bashkimit Evropian.

    Për mandatin tonë të ardhshëm, ne planifikojmë të ndajmë të paktën një miliard euro në vit në investime kapitale për projekte strategjike. Ne kemi një klimë ekonomike gjithnjë e më të fortë. Ne renditemi të 26-tët në nivel global dhe të parët në Ballkanin Perëndimor, sipas Indeksit Global të Riskut dhe Rezistencës së Investimeve të Henley & Partners. Të frymëzuar nga pritja pozitive e konferencave të investimeve në Tiranë dhe Podgoricë, ne mezi presim mundësinë për të sjellë një forum edhe në Prishtinë.

    Së fundmi, avancimi i integrimit ekonomik kërkon infrastrukturën në thelb të tij. Një përditësim i Rrjetit Trans-Evropian është thelbësor për të siguruar që korridoret rajonale të funksionojnë me efikasitet maksimal. Pozicioni i Kosovës ka rëndësi unike. Ne kemi potencialin për të shërbyer si rruga më e shpejtë brenda rajonit dhe nga rajoni drejt BE-së. Në këtë kontekst, hekurudha Prishtinë-Durrës meriton vëmendje të veçantë. Si një lidhje midis korridoreve 8 dhe 10 të rrjeteve evropiane TEN-T, do t’i shërbente lidhjes dhe arkitekturës evropiane të transportit.

    Mbi progresin e Planit të Rritjes dhe angazhimet tona të përbashkëta:

    Për Korsitë e Gjelbra – Ne mirëpresim përfshirjen e dy pikave doganore më të ngarkuara “Hani i Elezit – Bllacë” si pjesë e nismës Korsitë e Gjelbra dhe Vërmicë/Morinë me Shqipërinë si pjesë e nismës brenda CEFTA-s. Modernizimi i këtyre dy pikave kufitare do të përmirësojë më tej tregtinë.

    Për SEPA-n – Ne kemi dorëzuar të gjitha ligjet e nevojshme si kritere teknike për aplikimin tonë një vit më parë, por ato mbeten nën shqyrtim në Gjykatën tonë Kushtetuese. Kosova i plotëson të gjitha kushtet për t’u bashkuar me SEPA-n, dhe ne do të mirëprisnim shqyrtimin e BE-së në mënyrë që të mund të ecim shpejt sapo gjykata të përfundojë procesin e saj.

    Për nismën ËIFI – Pothuajse të gjitha komunat, 33 nga 38, janë përzgjedhur për nismën ËIFI4ËB. Instalimet pritet të fillojnë në dhjetor, ndërsa vendosja e të gjitha pikave është planifikuar të përfundojë deri në shkurt.

    Për Portofolin Digjital – kemi nisur pilotimin e parë për sistemin tonë kombëtar të identifikimit elektronik, portofolin elektronik të Kosovës, i modeluar sipas Portofolit Digjital të Identitetit të BE-së. Ofron autentifikim elektronik, nënshkrime, vula dhe një portofol digjital.

    Mbi Marrëveshjen për Pranimin e Vlerësimit të Konformitetit – produktet e akredituara dhe të shënuara në përputhje me rregulloren e BE-së duhet të pranohen brenda Gjashtë Vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6).

    Dosjet e Shtyllës së Parë ofrojnë anëtarësim dhe bashkëpunim me agjencitë e BE-së dhe organe të tjera që lidhen me turizmin, aleancën mjekësore, Autostradën e Tregut Unik, ACAA-në dhe mbrojtjen e konsumatorit.

    Qasja e barabartë dhe partneriteti simetrik me këto mekanizma janë thelbësore për të gjithë anëtarët e BP6 për të përfituar nga Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Tregu Unik i BE-së. Në këtë drejtim, ne përballemi me pengesa strukturore për anëtarësim në këto agjenci dhe organe. Një e tillë e rëndësishme është Konventa e Transitit të Përbashkët (CTC). Ne aplikuam për anëtarësim në Konventën e Transitit të Përbashkët në vitin 2015. Më shumë se një dekadë pritjeje pa një vendim për aplikimin tonë pasqyron një ritëm të ngadaltë të vendimmarrjes.

    Mbi Shtyllën e Dytë (Tregu i Përbashkët Rajonal):

    Ne kemi nënshkruar pesë marrëveshje lëvizshmërie, megjithatë, pas tre vitesh, ato mbeten të pazbatuara. Që kur nisën bllokada në zbatimin e Marrëveshjes për Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), unë i dhashë detyrë SHERPA-s sonë që të ndjekë në mënyrë aktive një zgjidhje. Është për të ardhur keq që përpjekjet dhe gatishmëria jonë nuk janë ndjekur edhe nga pala tjetër. Status quo-ja për këtë çështje nuk mund të qëndrojë. Kjo marrëveshje, së bashku me Marrëveshjen për Qasjen në Studimin dhe vendimin për lejet e punës dhe Vendimin e CEFTA-s për Njohjen e Kualifikimit Profesional, është thelbësore për lëvizshmërinë e studentëve dhe punëtorëve, pa të cilat nuk mund të arrijmë një treg të përbashkët rajonal.

    Përshëndes angazhimin e fundit të Komisionit për këtë çështje dhe ju inkurajoj të punoni me SHERPA-t në zgjidhjen e çështjeve në lidhje me zbatimin e arritjeve të Tregut të Përbashkët Rajonal.

    Në kryesimin tonë të parë të drejtpërdrejtë të CEFTA-s, ne po tregojmë lidership dhe po ofrojmë përfitime për të gjitha vendet e CEFTA-s. Ne zgjodhëm një Drejtor të CEFTA-s pas një bllokimi dyvjeçar që vuri në rrezik një grant të BE-së prej 7 milionë eurosh. Kemi miratuar vendime për të thelluar tregtinë dhe presim që vendime të mëdha, të tilla si Njohja e Shërbimeve të Besimit, mbi Njohjen e Kualifikimit Profesional dhe Strategjia e Menaxhimit të Rrezikut, të miratohen këtë dhjetor në Prishtinë gjatë Javës së CEFTA-s.

    E fundit, ndonëse gjithmonë e shijoj qëndrimin në Tiranë, do ta mirëpres nëse samiti i ardhshëm zhvillohet në Prishtinë.

  • BE-ja e panjoftuar për planin e Trumpit: Çfarëdo marrëveshje kërkon aprovimin e partnerëve evropianë

    BE-ja e panjoftuar për planin e Trumpit: Çfarëdo marrëveshje kërkon aprovimin e partnerëve evropianë

    Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa, ka pranuar se Bashkimit Evropian nuk i është treguar për planin e SHBA-së.

    E, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se do të bisedojnë me liderët evropianë por edhe të shteteve të tjera lidhur me planin 28-pikësh. Ajo ka theksuar se parimi mbetet që “asgjë për Ukrainën nuk bëhet pa Ukrainën”, ndërkohë që ka shtuar se do të flasë me presidentin ukrainas.

    Një zëdhënës i kancelarit gjerman, Friederich Merz, ka konfirmuar se Merz, presidenti francez dhe ai i Britanisë kanë biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, raportoi Guardian.

    Sipas zëdhënësit, të tre liderët kanë konfirmuar mbështetjen e plotë për Ukrainën, duke përgëzuar përpjekjet e SHBA-së por edhe duke theksur se ata do të vazhdojnë të ndjekin synimin e “ruajtjes së interesave evropiane dhe ukrainase në terma afatgjatë”.

    Liderët kanë theksuar se çfarëdo marrëveshje paqeje “që prek shtetet evropiane, Bashkimin Evropian ose NATO-n, kërkon aprovimin e partnerëve evropianë ose një konsensus mes aleatëve”.

  • FSHF zbulon pesë futbollistët më të shpejtë – Bajrami ‘vetëtima’ e Shqipërisë

    FSHF zbulon pesë futbollistët më të shpejtë – Bajrami ‘vetëtima’ e Shqipërisë

    Faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka publikuar statistikat e pesë futbollistëve më të shpejtë të Kombëtares së Shqipërisë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026.

    Shqipëria e mbylli grupin në vendin e dytë, pas Anglisë, duke siguruar kalimin në fazën e ‘play-off’, ku pas hedhjes së shortit u mësua se kundërshtari i gjysmëfinales është Polonia, ndërsa në rast kalimi në finale do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Ukrainë-Suedi.

    Por, një ditë pas shortit, faqja zyrtare e FSHF-së është përkujdesur t’i zbulojë disa statistika nga ndeshjet kualifikuese të grupeve, ku ndër to janë edhe shpejtësia maksimale e arritur nga lojtarët e kombëtares.

    Sipas faqes së FSHF-së, Nedim Bajrami ishte lojtari që arriti shpejtësinë më të madhe gjatë ndeshjeve kualifikuese, pasi sprinti i tij në njërën nga ndeshjet shkoi deri në 34.18km/h.

    Pas tij vjen Arbër Hoxha, i cili arriti një shpejtësi prej 32.98 km/h, ndërsa Armando Broja dhe Myrto Uzuni arritën shpejtësi të njëjtë prej 32.23 km/h.

    Lojtari i pestë më i shpejtë i kombëtares kuqezi në këto kualifikuese ishte Mario Mitaj me një shpejtësi të arritur prej 31.47 km/h.

  • Gjuriq falënderon Botsuanën për mos njohje të Kosovës

    Gjuriq falënderon Botsuanën për mos njohje të Kosovës

    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar sot se Botsuana mbështet qëndrimin e Serbisë lidhur me Kosovën, për çka u shpreh veçanërisht mirënjohës, duke theksuar se të dy vendet ndajnë mirëkuptimin për nevojën e “respektimit të së drejtës ndërkombëtare” si bazë për ruajtjen e paqes në botë.

    Ministri i Jashtëm i Botsuanës, Phenyo Butale, ka thënë se vendi i tij dhe Serbia ndajnë të njëjtat vlera, sidomos “sa i përket respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe ruajtjes së integritetit territorial”.

    “Botsuana e ka shprehur miqësinë e saj duke mbështetur qëndrimin tonë mbi shpalljen “e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe Metohisë”, dhe jemi posaçërisht mirënjohës për mbështetjen e Botsuanës ndaj “integritetit territorial dhe sovranitetit” të Serbisë,” ka pretenduar Gjuriqi në konferencën e përbashkët pas takimit me ministrin e Jashtëm të Botsuanës, Phenyo Butale.

    Ai gjithashtu ka shtuar se “e ka informuar” kolegun e tij mbi situatën aktuale në Kosovë.

    “Serbia dhe Botsuana ndajnë një mirëkuptim më të gjerë për nevojën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare si themel i ruajtjes së paqes dhe barazisë në botë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme në rrethanat e sotme”, ka përfunduar Gjuriqi me demagogjinë e tij tashmë të njohur.

  • Përmbytet banesa në Pogradec, momenti kur kryefamiljari nxjerr fëmijët

    Përmbytet banesa në Pogradec, momenti kur kryefamiljari nxjerr fëmijët

    Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që shumë banesa në zona të ndryshme të vendit të përmbyten nga uji.

    Një rast i tillë është shënuar edhe në fshatin Rrëmenj, ku kryefamiljari nxjerr fëmijët nga banesa gjatë orëve të natës pasi uji brenda saj arriti 30 cm.

    Nga video e siguruar shihet momenti kur njëri prej fëmijëve dëgjohet duke qarë.

  • Zbulohet plani i ShBA-së për përfundimin e luftës në Ukrainë

    Zbulohet plani i ShBA-së për përfundimin e luftës në Ukrainë

    Qeveria amerikane nën Presidentin Donald Trump ka hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, e cila vazhduar për tre vjet e gjysmë.

    Portali amerikan i lajmeve Axios publikoi detaje, ashtu edhe agjencitë e lajmeve AP dhe AFP shkruajnë se e kanë parë dokumentin. Parlamentari ukrainas Oleksiy Honcharenko, anëtar i partisë opozitare Solidariteti Europian, gjithashtu e postoi planin në internet nëpërmjet Telegramit. Ja një përmbledhje e propozimeve:

    Siguria ukrainase dhe evropiane

    Konfirmohet sovraniteti i Ukrainës. Rusia, Ukraina dhe Evropa deklarojnë se konfliktet e 30 viteve të fundit kanë mbaruar dhe bien dakord të mos sulmojnë njëra-tjetrën. Rusia dhe SHBA-të rifillojnë bisedimet mbi kontrollin e armëve bërthamore.

    Ukraina me kushtetutë heq dorë nga anëtarësimi në NATO

    NATO zotohet të mos e anëtarësojë asnjëherë Ukrainën dhe të mos stacionojë trupa në Ukrainë. Avionët luftarakë evropianë do të jenë të vendosur në Poloni. Rusia do të marrë detyrim ligjor të heqë dorë nga sulmet e agresionit kundër Evropës dhe Ukrainës.

    Ukraina nuk do të ketë armë bërthamore. Ajo do të marrë – megjithëse nuk specifikohet më tej në tekst – “garanci të besueshme sigurie” nga SHBA-të, të cilat nga ana tjetër do të kompensohen për ofrimin e këtyre garancive. Nëse Ukraina sulmon Rusinë, këto garanci do të anulohen. Nëse Rusia sulmon Ukrainën, sanksionet do të rivendosen dhe Moska do të humbasë të gjitha privilegjet sipas marrëveshjes së paqes. Madhësia e ushtrisë ukrainase do të kufizohet në 600,000 trupa. Ukrainës do t’i lejohet t’i bashkohet BE-së.

    Një grup pune amerikano-rus për çështjet e sigurisë do të monitorojë marrëveshjen. Një “Këshill Paqeje” i kryesuar nga Presidenti i SHBA-së Trump do të garantojë respektimin e marrëveshjes.

    Çështjet Territoriale

    Krimeja dhe territoret e pushtuara ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut njihen de facto si territor rus. Ushtria ukrainase tërhiqet nga pjesët e Donjeckut që ende i kontrollon; këto zona do të konsiderohen një zonë tampon e demilitarizuar dhe do të njihen si territor rus. Në rajonet jugore të Zaporizhjas dhe Khersonit, vija aktuale e frontit vendoset si vijë ndarëse.

    Ushtria ruse tërhiqet nga urat që aktualisht i mban të zëna në rajonet Kharkiv dhe Sumy. Rusia heq dorë nga çdo pretendim i mëtejshëm territorial. Çështjet territoriale do duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore; përndryshe, të gjitha garancitë e sigurisë janë të pavlefshme. Centrali bërthamor i Zaporizhjas do të vendoset nën juridiksionin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe energjia elektrike që prodhon do të ndahet në mënyrë të barabartë midis Ukrainës dhe Rusisë./DW

  • FSK-ja vlerësohet për ngritjen e aftësive në ushtrimin e NATO-s “Golden Sabre 25”

    FSK-ja vlerësohet për ngritjen e aftësive në ushtrimin e NATO-s “Golden Sabre 25”

    “Golden Sabre 25”, i organizuar dy herë nga NATO, është një ushtrim në të cilin ka marrë pjesë dy herë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Ky ushtrim është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit ndërinstitucional mes KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

    Më tej, thuhet se “Angazhimi i FSK-së në këtë kontekst shumëkombësh, me kapacitetet specialistike të Gardës Kombëtare, përbën një dëshmi të qartë të avancimit të aftësive në realizimin e detyrave kyçe për ofrimin e Mbështetjes Ushtarake për Autoritetet Civile( MUAC) në përputhje me standardet e NATO-s. Ky aktivitet mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme partnere dhe aleate, me qellim të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe testimit të gatishmërisë dhe përgjigjes së koordinuar ndaj krizave, në një mjedis kompleks operacional”.

    FSK vazhdon të thellojë angazhimin e saj në iniciativa të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, duke u mbështetur në partneritet të qëndrueshëm dhe në vizionin e një vendi të sigurt, të integruar dhe të gatshëm për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global.