ATV

Blog

  • UNICEF: Dy fëmijë mesatarisht vritën çdo ditë në Gazë, dhuna nuk ka ndaluar pavarësisht armëpushimit

    UNICEF: Dy fëmijë mesatarisht vritën çdo ditë në Gazë, dhuna nuk ka ndaluar pavarësisht armëpushimit

    Mesatarisht, pothuajse dy fëmijë janë vrarë çdo ditë në incidente të lidhura me konfliktin në Rripin e Gazës që nga fillimi i armëpushimit, paralajmëroi sot UNICEF, duke theksuar se dhuna nuk ka ndaluar pavarësisht marrëveshjes që synon të ndalojë vrasjet.

    Zëdhënësi i UNICEF, Ricardo Pires, tha se “që nga 11 tetori, derisa armëpushimi ka qenë në fuqi, të paktën 67 fëmijë janë vrarë në incidente të lidhura me konfliktin në Rripin e Gazës dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur”.

    Ai shtoi se kjo përkon me “një mesatare prej pothuajse dy fëmijësh të vrarë çdo ditë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit”.

    Pires thekson se pas çdo shifre është një fëmijë, jeta e të cilit u ndërpre me dhunë, duke përsëritur se këto nuk janë thjesht statistika.

    Sipas tij, ekipet e UNICEF po dëshmojnë në terren fëmijë që flenë jashtë me amputime dhe të tjerë të mbetur jetimë, të cilët dridhen nga frika ndërsa mbijetojnë në strehimore të improvizuara.

    “E kam parë vetë këtë kur isha atje për herë të fundit në gusht. Nuk ka vend të sigurt për ta dhe bota nuk mund të vazhdojë të normalizojë vuajtjet e tyre”, thekson ai.

    Pavarësisht zgjerimit të operacioneve të saj, UNICEF thotë se përpjekjet mbeten të pamjaftueshme. Pires tha se agjencia e OKB-së “mund të bënte shumë më tepër nëse ndihma që është vërtet e nevojshme do të vinte më shpejt”.

    Duke paralajmëruar për kushtet e dimrit dhe rreziqet e shtuara për qindra mijëra fëmijë të zhvendosur që jetojnë në strehimore, ai theksoi se rreziqet janë tepër të larta.

    “Fëmijët nuk kanë ngrohje, nuk kanë izolim dhe shumë pak batanije”, tha ai, duke shtuar se “infeksionet e frymëmarrjes janë në rritje ndërsa uji i kontaminuar nxit përhapjen e diarresë”.

    “Shumë fëmijë tashmë e kanë paguar çmimin më të lartë, shumë të tjerë ende po e paguajnë atë, edhe nën një armëpushim. Bota u premtoi atyre se lufta do të ndalet dhe ne do t’i mbrojmë ata”, tha ai, duke inkurajuar se “tani duhet të veprojmë”.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj një serbi për sulm kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj një serbi për sulm kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të premten kundër një burri të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 2023.

    Në një njoftim për media, Prokuroria e identifikoi të dyshuarin vetëm si L.M., dhe tha se ai akuzohet për veprat penale, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.

    “I pandehuri L.M. akuzohet se më 29 maj 2023, në Zveçan, në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës, kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

    Në aktakuzë thuhet se nga dhuna e ushtruar ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në automjetet e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.

    Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë.

  • Parashikimi i motit për fundjavë: Në Kosovë dominon i ftohti, maksimumi 12 gradë

    Parashikimi i motit për fundjavë: Në Kosovë dominon i ftohti, maksimumi 12 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se çfarë moti do të mbajë përgjatë dy ditëve të fundjavës.

    Bazuar në njoftimin e IHMK-së, të shtunën pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu, njëjtë edhe të dielën.

    Temperaturat parashihen të lëvizin nga 0 deri në 12 gradë Celsius.

    “Të shtunën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu. Temperatura minimale do të lëvizin ndërmjet 4 deri 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriperëndimi e lehte deri mesatare”.

    “Të dielën parashihet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu. Për shkak të uljes së temperaturave në viset malore parashihet të bie borë. Reshjet e borës mund të përhapen edhe në disa zona mesatare. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 deri 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-5 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-6m/s”, thuhet në njoftim.

  • Shkatërrohet rrjeti kriminal i trafikut të objekteve historike, Europol arreston 35 persona

    Shkatërrohet rrjeti kriminal i trafikut të objekteve historike, Europol arreston 35 persona

    Një operacion i përbashkët i autoriteteve nga gjashtë vende evropiane, i koordinuar nga Eurojust dhe Europol, ka goditur një nga grupet më të mëdha kriminale të trafikut të objekteve historike në kontinent.

    Sipas agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, gjatë operacionit janë arrestuar 35 persona dhe janë kontrolluar mbi 125 lokacione, ku u sekuestruan më shumë se 3000 artefakte me vlerë mbi 100 milionë euro. Vlera e përgjithshme e objekteve të dyshuara të trafikuara nga ky grup arrin 870 milionë euro.

    Operacioni u zhvillua më 19 nëntor dhe përfshiu edhe Shqipërinë, ku SPAK bashkëpunoi me autoritetet evropiane për ekzekutimin e urdhrave të hetimit dhe kontrollit të disa lokacioneve të dyshuara. Kontrolli u krye paralelisht edhe në Bullgari, Francë, Gjermani dhe Greqi.

     

    Sipas EUROJUST, gjatë aksionit u sekuestruan mbi 3000 objekte, duke përfshirë monedha antike ari dhe argjendi, vepra arti dhe antikitete të tjera. Përveç tyre, autoritetet konfiskuan dokumente, pajisje elektronike, mbi 50 mijë dollarë në para të gatshme dhe ar për investime.

    Hetimet kishin nisur pas zbulimit në vitin 2020 në Bullgari të më shumë se 7000 artefakteve të lashta, të dyshuara të vjedhura nga gërmime të paligjshme. Grupi kriminal ishte i specializuar në vjedhjen dhe trafikimin e objekteve kulturore, përfshirë maska, bizhuteri, armatura, monedha ari dhe argjendi, si dhe vepra arti, të cilat më pas shpërndaheshin nëpërmjet një rrjeti ndërkombëtar.

    Mes të arrestuarve është edhe një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i cili dyshohet se financonte gërmime të paligjshme dhe kishte krijuar rrjete trafiku që shtriheshin në disa vende evropiane.

    Operacioni vazhdon, ndërsa artefaktet e sekuestruara do t’i nënshtrohen verifikimeve për të përcaktuar origjinën dhe vendin e tyre të ligjshëm. Autoritetet evropiane njoftuan se hetimet do të zgjerohen për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë dhe rrugët e trafikut që mund të përfshijnë vende të tjera të rajonit.

  • KQZ-ja njofton: Fushata elektorale nis më 17 dhjetor

    KQZ-ja njofton: Fushata elektorale nis më 17 dhjetor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme do të nisë më 17 dhjetor dhe do të përfundojë më 28 dhjetor.

    Pas shpërndarjes së Kuvendit të enjten, presidentja Vjosa Osmani ka caktuar datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ky vendim u mor për shkak të dështimit për formimin e Qeverisë së re, përbërjen e të cilës Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar dy herë pa sukses.

    Caktimi i datës së zgjedhjeve erdhi pas takimit që presidentja Osmani e zhvilloi me liderët e partive parlamentare.

    Ajo ka thënë se gjatë këtij takimi bëri përpjekjen e fundit për t’i kthyer deputetët në seancë dhe për t’i miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e vitit 2026, buxhetin për tri komuna dhe financimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

    Si pasojë e mungesës së konsensusit politik, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë që nga zgjedhjet parlamentare të fillimvitit. Tani vendi shkon në zgjedhje të reja, pa miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej rreth 200 milionë euro, pa miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe pa miratuar financimin për RTK dhe për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

    Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të tretat që mbahen brenda këtij viti, pas atyre nacionale të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit.

  • KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, këto janë afatet kryesore

    KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, këto janë afatet kryesore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me përgatitjet për organizimin e zgedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Në mbledhjen e mbajtur, KQZ mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

    Sipas vendimit të KQZ-së, afatet e aktiviteteve zgjedhore përfshijnë: fushata zgjedhore, aplikimi i subjekteve politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë, regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, akreditimi i vëzhguesve. Si në vijim:

    KQZ pranon ekstraktin e parë të regjistrit qendror civil nga Ministria e Punëve të Brendshme/ Agjencia e Regjistrimit Civil më së voni me datën 22.11.2025;

    KQZ merr vendim për caktimin e kufizimit të shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025 më së voni me datën 24.11.2025;

    Partitë politike të regjistruara deklarojnë mos pjesëmarrjen në zgjedhje në periudhën kohore 24.11.2025 deri më 30.11.2025;

    Partitë politike të regjistruara deklarohen për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve, në periudhën kohore 24.27.2025 deri më 30.11.2025;

    Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike realizohet nga data 24.11.2025 deri më 30.11.2025;

    Periudha e dorëzimit të listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara realizohet nga data 24.11.2025 deri më 07.12.2025;

    Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve pulitke në fletëvotim realizohet në datën 08.12.2025;

    KQZ merr vendim për emërimin e anëtarëve të Komisioneve  Komunale Zgjedhore me datën 26.11.2025;

    KQZ publikon listën e Qendrave të Votimit me datën 25.11.2025;

    KQZ miraton dhe publikon listën e Qendrave Komunale të Numërimit me datën 25.11.2025;

    Periudha e shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrave të votimit fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 06.12.2025;

    Periudha e kundërshtimit dhe konfirmimit e listës së votuesve fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 07.12.2025;

    Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 06.12.2025;

    Lista e votuesve që përfshinë votuesit brenda dhe jashtë Kosovës certifikohet nga KQZ, me datën 10.12.2025;

    Periudha e votimit përmes postës fillon me datën 12.12.2025 dhe përfundon me datën 27.12.2025;

    Fushata zgjedhore e subjekteve politike të certifikuara fillon me datën 17.12.2025 dhe përfundon me datën 28.12.2025;

    Periudha e regjistrimit të personave me nevoja të veçanta fillon me datën 11.12.2025 dhe përfundon me datën 21.12.2025;

    KQZ emëron këshillat e vendvotimeve, më së voni me datën 16.12.2025;

    KQZ emëron këshillat e vendvotimeve në përfaqësi diplomatike më së voni me datën 16.12.2025;

    KQZ emëron ekipet e numërimit për Qendrat Komunale të Numërimit më së voni me datën 16.12.2025;

    Periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve fillon me datën 05.12.2025 dhe përfundon me datën 20.12.2025.

  • Policia e Kosovës forcon bashkëpunimin me FBI-në

    Policia e Kosovës forcon bashkëpunimin me FBI-në

    Policia e Kosovës po thellon partneritetin me institucionet amerikane të sigurisë, në kuadër të përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e rendit publik në vend.

    Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka zhvilluar një takim zyrtar me atasheun për zbatimin e ligjit të FBI-së, Brendan Collins. Në takim kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të ICITAP-it nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së: atasheu Kimberly Riffe dhe asistent-atasheu për zbatimin e ligjit, Eric Littlepage.

    Gjatë takimit të 20 nëntorit, palët u njoftuan me situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, punën e Policisë dhe angazhimet për ruajtjen e rendit e sigurisë publike. Po ashtu, është diskutuar për nivelin aktual të bashkëpunimit dypalësh dhe projektet e përbashkëta në fushën e sigurisë, të cilat, siç u vlerësua, vazhdojnë të ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të rendit në Kosovë.

  • Inter-Milan derbi i fundjavës në Serie A

    Inter-Milan derbi i fundjavës në Serie A

    Serie A italiane këtë fundjavë pritet të sjellë xhiron e 12-të në program.

    Vëmendja pritet të jetë në Giusseppe Meazza,ku Inter e zhvillon derbin lokal ndaj rivalit Milan.

    Padyshim kjo ndeshje pritet të jetë mjaft e fortë,ku të dy skuadrat do të hyjnë për të marrë 3 pikët e plota,ku Inter synon të fitoj në mëyrë që të mbesë lider në tabelë kurse Milan do të synoj pikët e plota për të dalur në vendin e parë.

    Ndeshja Inter-Milan pritet të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:45.

    Kampioni aktual Napoli e pret në shtëpi skuadrën e Atalantas,ku napolitanët synojnë të iu rikthehen fitoreve në ligë,dhe për të shpresuar në një barazim të Interit dhe Milanit për të mbetur në garë për pozitën e parë.

    Në ndeshjet e tjera që do të zhvillohen në Itali Juventus do të takohet kundër Fiorentinës në udhëtim,teksa Roma dhe Lazio do të takohen kundër Cremonenses respektivisht Lecces.

  • Komuna e Prishtinës e kërkon 1/12 e buxhetit të dhjetorit më herët për t’i paguar faturat

    Komuna e Prishtinës e kërkon 1/12 e buxhetit të dhjetorit më herët për t’i paguar faturat

    Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati me anë të një postimi ka bërë të ditur që komuna e Prishtinës sot ka bërë kërkesë në Thesar që t’u bëhet alokim i parakohshëm i 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor.

    Buxhetin e dhjetorit, komuna e Prishtinës do ta shpenzoj më herët, që t’i paguaj disa fatura

    Megjithatë, komuna e Prishtinës do të mbetet pa buxhet fare në muajin dhjetor, ka paralajmëruar ministri Murati në postimin e tij.

    Postimi i plotë:

    Komuna e Prishtinës sot ka bërë kërkesë në Thesar që t’u bëhet alokim i parakohshëm i 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor.

    Pra, buxhetin që do duhej të shpenzohet në dhjetor, ta kenë mundësinë ta shpenzojnë më herët në muajin nëntor, me qëllim që të paguajnë disa prej faturave që janë grumbulluar, përfshi edhe ato të energjisë elektrike.

    Megjithëse kjo nuk e zgjidh problemin por vetëm e vonon, sepse pastaj dhjetori mbetet pa buxhet, marrë parasysh situatën Thesari do të bëjë këtë alokim të parakohshëm në mënyrë që një pjesë e faturave të paguhen tash.

    Zgjidhja e problemit do të ishte nëse pardje LDK-ja do ta votonin së paku buxhetin e Prishtinës, dhe pastaj fare s’do të kishte nevojë për këso improvizime.

    Mirëpo në vend të zgjidhjes, Lumir Abdixhiku me LDK-në vendosën të mos vinin fare në seancë pardje.

    Për më keq, dje u munduan që të keqpërdorin edhe prindërit e fëmijëve në çerdhe duke u munduar që t’ia hedhin fajin Ministrisë së Financave, për buxhetin të cilin vetë LDK-ja nuk e votoi.

  • Dënohet me 6 vjet burgim i akuzuari për sulm e kanosje ndaj gjyqtarit Shefqet Baleci

    Dënohet me 6 vjet burgim i akuzuari për sulm e kanosje ndaj gjyqtarit Shefqet Baleci

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues me të cilin i akuzuari D.Z., është dënuar me dënim unik prej 6 vjet burgim për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës në Drenas, Shefqet Baleci.

    Aktgjykimi ndaj D.Z., u shpall të enjten nga gjyqtarja Valbona Përlaska.

    Sipas vendimit, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, i akuzuari u dënua me 5 vjet burgim, kurse për “Kanosje” me 2 vjet burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 6 vjet burgim.

    Në dënimin me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ai obligohet edhe për shpenzimet e procedurës penale- 20 euro për paushall gjyqësor dhe 20 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

    Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest juridiko-civil. Ndaj vendimit, lejohet ankesa në afat prej 30 ditësh.

    Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit. D.Z., shpalljen e përcjelli nga qendra e paraburgimit përmes video-lidhjes.

    I akuzuari D.Z., në seancën e 17 nëntorit 2025, ka pranuar fajësinë për veprat penale që i viheshin në barrë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 tetor 2025, i akuzuari D.Z., ngarkohet se më 5 gusht 2025, në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të palës së dëmtuar- Shefqet Baleci si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Drenas, për shkak te veprimeve të tij zyrtare në nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin i pandehuri është dënuar me gjashtë muaj me burg efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro, i pandehuri iu ka afruar palës së dëmtuar fillimisht duke iu drejtuar me fjalët “A e din çka um ke ba”, pastaj prej xhepit të djathtë e kishte nxjerrë një thikë, me të cilin e sulmon dhe kanoset se do ta sulmojë gjyqtarin Baleci, duke tentuar për ta goditur në trup, mirëpo në mes ndërhyri bashkëshortja e gjyqtarit, duke mos e lejuar ta godiste atë.

    Me këto veprime, D.Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par. 4 lidhur me par.2 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.