ATV

Blog

  • Ronaldo shënon një tjetër supergol në fitoren e Al Nassr ndaj Al Khaleej

    Ronaldo shënon një tjetër supergol në fitoren e Al Nassr ndaj Al Khaleej

    Ish-ylli i Real Madridit realizoi një goditje gërshërë të mrekullueshme, këtë herë pas një harkimi të bukur nga Boushal.

    Me një goditje të fuqishme, Ronaldo e la të pafuqishëm portierin e Al Khaleej, duke shkaktuar entuziazëm mes tifozëve dhe habi në fushë.

    Ky ishte goli i 10-të i Ronaldos në Superligën e Arabisë këtë sezon, me vetëm Joao Felix që ka shënuar një më shumë se ai. /ATVLIVE.TV

  • Vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, policia jep detaje

    Vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, policia jep detaje

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutash në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtim Prizren-Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënës polici, Daut Hoxha, ku bëri të ditur se personi i lënduar është duke u trajtuar në QKMF Prizren

    “Sot me datë 23.11.2025 rreth orës 18:30 në Autostraden “Ibrahim Rugova” Km 26, drejtimi Prizren – Prishtinë është shkaktuar një aksident trafiku (vetaksident) me lëndime. Vetura e përfshirë në këtë aksident është me targa vendore.

    Personi i lënduar është duke u trajtuar në QKMF Prizren dhe sipas mjekut kujdestar nuk ka lëndime të rënda”, ka thënë Hoxha.

  • Vetëm më të pasurit e botës i veshin këto brende: Nuk janë Dior apo Louis Vuitton

    Vetëm më të pasurit e botës i veshin këto brende: Nuk janë Dior apo Louis Vuitton

    Njerëzit që e kuptojnë vërtet modën zgjedhin dizajnerë të cilët shprehin elegancë të heshtur dhe një lloj fuqie që nuk ka nevojë për të bërë zhurmë

    Çmimi i lartë i një copë veshjeje nuk do të thotë gjithmonë se ai artikull vërtet përdoret nga njerëzit super të pasur. Ekspertët e modës tani zbulojnë se cilat brende ekskluzive i zgjedh vetëm një përqindëshi më i pasur i botës dhe shpjegojnë pse koncepti “luks i heshtur” është bërë një nga temat më me ndikim të vitit.

    Debati është ndezur fuqishëm në TikTok, ku përdoruesit diskutojnë se çfarë mesazhi përcjellin brendet e caktuara. Tendenca është shtyrë edhe nga seriali “Succession”, ku personazhet mbajnë veshje luksoze, por të thjeshta dhe pa logo të dukshme, duke e bërë këtë estetikë sinonim të elitës së vërtetë.

    Çfarë do të thotë luks i heshtur?

    Krijuesja e përmbajtjes Emily Rose ka tërhequr shumë vëmendje me deklaratën se brendet Louis Vuitton dhe Dior, edhe pse të preferuara nga të famshmit, “nuk janë brende të njerëzve të pasur”. Ajo përmend se:

    • brende si Zegna dhe të tjera të ngjashme i takojnë kategorisë “për të pasurit e vërtetë”,
    • ndërsa Loro Piana, brendi italian i njohur për bluzat e thjeshta të bardha që kushtojnë rreth 875 dollarë, është “simbol i njerëzve shumë të pasur”.

    Në vitet e fundit, pikërisht Loro Piana veçohet si shenjë dalluese e luksit të heshtur. Ekspertët theksojnë se ky status nuk ndërtohet mbi logo, por mbi materiale të rralla, punim me dorë dhe mjeshtëri të përsosur, shkruan Daily Mail.

    Sekreti qëndron në qepjen e përkryer dhe materiale të jashtëzakonshme

    Anthony Bologneze, pronar i kompanisë së qepjes me porosi “Capitol Hill Clothiers” në Uashington, prej vitesh punon me klientë shumë të pasur. Ai thekson se veshjet e tyre janë të veçanta pikërisht sepse:

    • janë qepur sipas përmasave të trupit të tyre,
    • ose janë prodhuar plotësisht me porosi, deri në detajin më të vogël.

    “Klientët më të pasur me të cilët bashkëpunoj janë të gatshëm të shpenzojnë shuma të mëdha për gardërobën sezonale dhe rrallë i kushtojnë rëndësi logove. Atyre u intereson prejardhja e tekstilit, sidomos cilësia e kashmirit”, shpjegon ai.

    Ai shton se, për shkak të shtimit të imitimeve të orëve luksoze në treg, fokusi i elitës është zhvendosur te materiali dhe qepja, jo te etiketa e dukshme.

    Për elitën, logot e mëdha janë shenjë mungese shijeje

    Më tej ai thekson se bluzat me mbishkrime të mëdha të brendeve, si ato të Balenciagës dhe Guccit, pavarësisht çmimit të lartë, nuk përfaqësojnë status të vërtetë.

    Përkundrazi, ato shpesh shihen si “mungesë shijeje” dhe pothuajse nuk gjenden në gardërobat e njerëzve që vërtet i përkasin kategorisë së super të pasurve. Bologneze shton se zakonisht i sheh vetëm tek njerëzit që përpiqen të duken më të suksesshëm nga sa janë.

    Cilat brende zgjedh elita e vërtetë?

    Stilistja personale Helena deklaron se njerëzit vërtet të pasur më së shpeshti zgjedhin Brunello Cucinelli, Totême, Hermès – brende që njihen për elegancë diskrete, materiale të nivelit të lartë dhe dizajn minimal, por të sofistikuar.

    Nga ana tjetër, aksesorët me monogramë të Louis Vuitton, si edhe brendet Balenciaga, Michael Kors dhe të tjera, shpesh interpretohen si sinjale të mungesës së pasurisë së mirëfilltë dhe të orientimit drejt “luksit që shihet, jo që kuptohet”.

    Njerëzit që vërtet e kuptojnë modën zgjedhin dizajnerë me estetikë të heshtur dhe të thellë: The Row, Issey Miyake, Comme des Garçons, Rick Owens, Maison Margiela. Brende që nuk kërkojnë vëmendje me logo, por flasin përmes qepjes, teksturës dhe detajeve të rafinuara.

    Nëse i dalloni në shikim të parë, me shumë gjasë i përkisni edhe vetë atij botëkuptimi. Një gardërobë me stil përbëhet nga veshja cilësore, baza e thjeshtë dhe disa investime të zgjuara në veshje që zgjasin me vite.

    Luksi i heshtur mbetet më pak për t’u treguar dhe më shumë për t’u njohur

    Nuk është i ndërtuar për të bërë përshtypje menjëherë, as për të tërhequr vëmendjen e syve të huaj. Ai është stil që nuk shpjegohet, por njihet. Dhe këtë e vlerësojnë posaçërisht ata që e kuptojnë modën, traditën dhe mjeshtërinë e punuar me dorë.

  • Dion Gallapeni ndëshkohet me karton të kuq

    Dion Gallapeni ndëshkohet me karton të kuq

    Mbrojtësi i krahut, Dion Gallapeni, nga ndeshjet e mira me Kosovën, ka marr kartonin e kuq në Poloni me ekipin e tij Widzew Lodz.

    20 vjeçari u ndëshkua me dy kartonë të verdhë, njërin e morri në minutën e 38’ dhe të dytin në të 69’, në ndeshjen ndaj Korona Kielce ku humbën me rezultat 3-1.

    Me këtë humbje Widzew Lodz renditet në vendin e 13-të, ndërsa Korona Kielce në të 5-tin.

    Ende nuk dihet se sa do të mungojë djali nga Suhareka, por është një fat i keq për lojtarin, i cili së fundmi kishte fituar vendin startues.

    Këtë sezon ai numëron 10 paraqitje, ku ka arritur të shënojë një gol. /ATVLIVE.TV

  • Shanset e Kosovës për kualifikim në Kupën e Botës 2026 – sipas Football Meets Data

    Shanset e Kosovës për kualifikim në Kupën e Botës 2026 – sipas Football Meets Data

    Platforma për statistika dhe analiza të futbollit, Football Meets Data, ka publikuar shanset e kombëtares së Kosovës dhe të tjera nga rruga C për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, pas hedhjes së shortit në Cyrih për fazën “play-off”.

    Kombëtares së Kosovës i është caktuar një ndeshje gjysmëfinale kundër Sllovakisë, që do të luhet në Bratislavë. Në rast fitoreje, Kosova do të jetë nikoqir në finale përballë fituesit të ndeshjes Turqi-Rumani.

    Sipas simulimeve të Football Meets Data, Kombëtarja e Turqisë është favorite e rrugës C, me 83% shanse për të fituar në gjysmëfinale dhe 48% për t’u kualifikuar në Botëror. Sllovakia ka 58% mundësi për të fituar ndaj Kosovës (42%), ndërsa Kosova ka 20% mundësi për t’u kualifikuar në Botëror, kundrejt 26% të Sllovakisë.

    Rumania ka shanset më të vogla, me vetëm 17% mundësi për të fituar ndaj Turqisë në gjysmëfinale dhe vetëm 6% për t’u kualifikuar në finale.

    Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen më 26 mars 2026, ndërsa finalet më 31 mars 2026. /ATVLIVE.TV

  • Kryederbi i Serie A: Inter pret AC Milanin në xhiron e 12-të – formacionet zyrtare

    Kryederbi i Serie A: Inter pret AC Milanin në xhiron e 12-të – formacionet zyrtare

    Interi do të presë AC Milanin në një përballje të nxehtë në kuadër të kryederbit të xhiros së 12-të të Serie A. Të dyja skuadrat, “Nerazzurët” dhe “Rossonerët”, kërkojnë vetëm fitore për të vazhduar ndjekjen e Romës, që kryeson tabelën e kampionatit italian.

    Formacionet zyrtare të dy ekipeve janë:

    Inter: Sommer; Acerbi, Akanji, Barella; Bastoni, Çalhanoglu, Augusto, Di Marco, Sucic; Martinez, Thuram.

    AC Milan: Maignan; Tomori, Gabbia, Pavlovic, Saelemaekers; Fofana, Modric, Rabiot; Bartesaghi, Pulisic, Leao.

    Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:45. /ATVLIVE.TV

  • “Larg Klubit”: “Plisat” kundër menaxhmentit të KB Prishtina

    “Larg Klubit”: “Plisat” kundër menaxhmentit të KB Prishtina

    Tifogrupi i njohur “Plisat” ka intensifikuar protestat dhe aksionet e tyre kundër kryesisë së klubit të basketbollit Prishtina. Ata kërkojnë largimin e menaxhmentit aktual, që udhëhiqet nga ish-legjenda e basketbollit kosovar, Ferit Zekolli.

    Në kërkesat e tyre, “Plisat” shprehin pakënaqësi edhe me praninë e Florian Miftarit dhe Blerand Stavilecit në kryesinë e klubit. Për të shprehur protestën, tifogrupi ka vendosur postera nëpër rrugët e Prishtinës, ku shfaqet thirrja “Larg Klubit”, duke bërë të qartë qëndrimin e tyre ndaj drejtuesve aktualë.

    Ky aksion i “Plisave” ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ka rritur tensionet mes tifozëve dhe menaxhmentit të klubit. /ATVLIVE.TV

  • Eze shkëlqen me “hattrick”, Arsenali mposht Tottenhamin 4-1 në derbi

    Eze shkëlqen me “hattrick”, Arsenali mposht Tottenhamin 4-1 në derbi

    Arsenali ka arritur një fitore të madhe në Premierligë, duke mposhtur rivalin e tij të qytetit, Tottenhamin, me rezultatin bindës 4-1 në derbin e Londrës Veriore. Pas këtij triumfi, “Topçinjtë” shkojnë në +6 pikë në krye të tabelës.

    Pjesa e parë nisi me një dominim të Arsenalit, që e hapi serinë e golave në minutën e 36-të, kur Leandro Trossard shënoi pas një asistimi nga Mikel Merino. Ky gol erdhi pas një periudhe dominuese të Arsenalit, i cili pati disa mundësi për të shënuar para se të konkretizonte.

    Pesë minuta më vonë, Arsenali shtoi epërsinë me një gol të dytë nga Eberechi Eze, që shënoi pas asistimit nga Declan Rice. Me rezultatin 2-0 u mbyll pjesa e parë.

    Pjesa e dytë nisi me një ritëm të lartë dhe Eze shënoi golin e tij të dytë dhe të tretin për Arsenalin, duke realizuar në minutën e 46-të pas një asistimi nga Jurrien Timber.

    Tottenham reagoi në minutën e 55-të, kur Richarlison shënoi një supergol nga distanca, duke ngushtuar diferencën në 3-1. Megjithatë, Arsenali nuk u ndal, dhe Eze plotësoi “hattrickun” e tij, duke realizuar golin e katërt të ndeshjes.

    Me këtë fitore, Arsenali arrin në 29 pikë pas 12 ndeshjeve, duke e ruajtur vendin e parë në tabelë me 6 pikë më shumë se Chelsea, që ndodhet në vendin e dytë. Ndërsa Tottenhami mbetet i nënti me 18 pikë.

    Në xhiron e ardhshme, Arsenali do të vizitojë Chelsean në “Stamford Bridge”, ndërsa Tottenhami do të presë Fulhamin në shtëpi. /ATVLIVE.TV

  • Conte shpjegon zëvendësimin e Rrahmanit

    Conte shpjegon zëvendësimin e Rrahmanit

    Napoli i trajnerit Antonio Conte, me Amir Rrahmanin në mbrojtje, fitoi 3-1 ndaj Atalantës në Serie A, me tri gola të shënuar në pjesën e parë. Neres shënoi dy herë, ndërsa Noa Lang shtoi një gol të tretë për skuadrën napolitane. Për Atalantën, vetëm Gianluca Scamacca arriti të gjejë golin.

    Në minutën e 64-të, Conte bëri një ndryshim të papritur, duke e zëvendësuar Amir Rrahmanin me Juan Jesusin. Duket se kjo ishte për shkak të lodhjes, pasi pas ndeshjes Conte shpjegoi arsyen e zëvendësimit.

    “Si Hojlund ashtu edhe Rrahmani u zëvendësuan sepse pashë që ishin të lodhur, dhe preferova t’i ndryshoja,” tha Conte pas ndeshjes, duke sqaruar se nuk kishte të bënte me ndonjë lëndim të mundshëm.

    Rrahmani, i rikthyer pas një dëmtimi që e mbajti jashtë për dy muaj, kishte luajtur disa ndeshje të plota që nga kthimi i tij në fushë, duke përfshirë ndeshjet kundër Comos, Frankfurtit, Bolognas dhe Sllovenisë me kombëtaren e Kosovës.

    Napoli tani renditet në vendin e dytë në Serie A me 25 pikë, dy pikë më pak se Roma në krye dhe një më shumë se Interi dhe Bologna në vendet e tretë dhe të katërt. /ATVLIVE.TV

  • Liverpool nuk po shqyrton shkarkimin e Arne Slot, pavarësisht krizës

    Liverpool nuk po shqyrton shkarkimin e Arne Slot, pavarësisht krizës

    Sipas gazetarit të njohur italian, Fabrizio Romano, Liverpool, edhe pse po kalon një krizë të thellë rezultatesh, nuk ka ndërmend të shkarkojë trajnerin Arne Slot në këtë moment.

    Megjithëse “Reds” kanë pësuar tetë humbje në 11 ndeshjet e fundit, Romano konfirmon se bordi i klubit nuk është duke diskutuar një ndryshim në stol.

    “Nuk kam asnjë informacion që tregon se pronarët e Liverpool po mendojnë për një vendim të menjëhershëm. Ata nuk po shqyrtojnë ndryshimin e trajnerit dhe nuk janë në bisedime me ndonjë trajner tjetër”, tha ai në një video në kanalin e tij YouTube.

    Slot, i cili udhëhoqi Liverpool drejt titullit të Premier Ligës në sezonin e tij të parë pas largimit të Jurgen Klopp, ende ka kredibilitet te drejtuesit e klubit. Megjithatë, pakënaqësia po rritet te një pjesë e tifozëve. Nëse presioni vazhdon të rritet, pozita e trajnerit mund të bëhet e rrezikuar.

    Një opsion tjetër që është përmendur është rikthimi i Jurgen Klopp, i cili ka shprehur gatishmërinë për të udhëhequr sërish Liverpoolin në të ardhmen. /ATVLIVE.TV