ATV

Blog

  • Studimi: TikTok dhe Instagram dëmtojnë trurin!

    Studimi: TikTok dhe Instagram dëmtojnë trurin!

    Një studim i ri ka hapur debat të gjerë mbi ndikimin e platformave të videove të shkurtra, si TikTok, Instagram Reels dhe YouTube Shorts, në shëndetin mendor dhe funksionin e trurit.

    Sipas kërkimit, në të cilin morën pjesë gati 100,000 individë të moshave të ndryshme, përdorimi intensiv i këtyre platformave lidhet me një ulje të dukshme të aftësisë së përqendrimit dhe me një vëmendje më të fragmentuar.

    Studiuesit shpjegojnë se natyra e videove të shpejta krijon një cikël të vazhdueshëm stimulimi të menjëhershëm, që e mësyn trurin të kërkojë vetëm përmbajtje të shpejtë, të lehtë dhe të menjëhershme.

    Kjo, sipas tyre, me kalimin e kohës mund të ndikojë negativisht në aftësinë për t’u fokusuar në detyra më të gjata, në lexim apo në studim. Për më tepër, pjesëmarrësit që konsumonin sasi më të mëdha të videove të shkurtra raportuan gjumë më të çrregullt, nivele më të larta ankthi dhe ndjesi të shtuar vetmie.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet nuk duhet të interpretohen si përfundimtare.

    Ata nënvizojnë se është e nevojshme më shumë kërkim për të kuptuar nëse videot e shkurtra janë shkaku kryesor i këtyre problemeve apo thjesht një faktor shoqërues i një mënyre jetese gjithnjë e më të shpejtë dhe të mbingarkuar me informacione.

    Ndërkohë, rritja e popullaritetit të TikTok dhe platformave të ngjashme vazhdon të ngrejë pyetje rreth ndikimit të tyre afatgjatë, sidomos te të rinjtë, të cilët përbëjnë grupin më të ekspozuar ndaj këtij lloji përmbajtjeje.

  • E goditi me shuplakë bashkëlojtarin dhe u ndëshkua me të kuq, vjen reagimi i Gueyes

    E goditi me shuplakë bashkëlojtarin dhe u ndëshkua me të kuq, vjen reagimi i Gueyes

    Mesfushori i Evertonit, Idrissa Gueye, ka reaguar më në fund pasi goditi me shuplakë shokun e skuadrës Michael Keane dhe u ndëshkua me karton të kuq.

    Evertoni festoi një fitore të madhe 1-0 ndaj Manchester United në Old Trafford mbrëmë (e hënë), pavarësisht se luajti me një lojtar më pak për gati 80 minuta.

    Kiernan Dewsbury-Hall ishte heroi i ndeshjes, por ndeshja u njollos nga një incident i çuditshëm në minutën e 13-të kur Gueye goditi me shuplakë bashkëlojtarin e tij, Keane, dhe u ndëshkua direkt me karton të kuq.

    Skenë skandaloze në ndeshjen e Ligës Premier – lojtari i Evertonit godet me shuplakë shokun e skuadrës, merr karton të kuq

    E gjitha ndodhi pasi Keane e qortoi Gueyen për një pasim të pakujdesshëm. Mesfushori senegalez reagoi dhunshëm, duke i rënë në fytyrë shokut të tij të skuadrës dhe duke e goditur me shuplakë, pas së cilës gjyqtari Tony Harrington i tregoi rrugën për në dhomën e zhveshjes.

    Fituesi i ndeshjes, Dewsbury-Hall e përshkroi situatën si një “moment çmendurie”, ndërsa pas ndeshjes, 36-vjeçari Gueye kërkoi falje publikisht nëpërmjet profilit të tij në Instagram.

    “Së pari, do të doja t’i kërkoja falje shokut tim të skuadrës Michael Keane”, shkroi fillimisht Gueye.

    “Marr përgjegjësi të plotë për reagimin tim. Gjithashtu u kërkoj falje shokëve të skuadrës, stafit, tifozëve dhe klubit. Ajo që ndodhi nuk pasqyron kush jam unë apo vlerat për të cilat qëndroj”.

    “Emocionet mund të jenë të forta, por asgjë nuk e justifikon një sjellje të tillë. Do të sigurohem që të mos ndodhë më kurrë”, përfundoi mesfushori.

  • 61 aksidente trafiku e mbi 2400 gjoba trafiku brenda 24-të orëve

    61 aksidente trafiku e mbi 2400 gjoba trafiku brenda 24-të orëve

    Gjatë 24-të orëve të fundit në vendin tonë janë shkaktuar 61 aksidente trafiku ku prej tyre 23 me të lënduar dhe 38 me dëme materiale.

    Po ashtu është bërë e ditur se në këtë interval kohor janë shqiptuar 2479 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    16 persona janë arrestuar, 13 janë dërguar në mbatje.

  • Dogana e Kosovës ndalon mallra të padeklaruara me vlerë mbi 10,000 €

    Dogana e Kosovës ndalon mallra të padeklaruara me vlerë mbi 10,000 €

    Dogana e Kosovës njofton se në mbrëmë rreth orës 22:00, gjatë kontrollit të rregullt të një automjeti me targa të huaja, si dhe pas deklarimit fillestar të shoferit se nuk kishte mallra për të deklaruar, oficeret doganor së bashku me Policinë e Kosovës kanë ushtruar kontroll të detajuar në vijën e dytë.

    Gjatë kontrollit fizik dhe verifikimit përmes skanerit, në automjet janë gjetur tre valixhe të kamufluara me veshje të përdorura, brenda të cilave dyshohej të ketë mallra të padeklaruara.

    Pas hapjes së bagazhit, është konstatuar se brenda tyre ndodheshin pajisje për ujësjellës dhe sistem të ngrohjes qendrore, të cilat nuk ishin deklaruar.

    Mallrat janë ndalur përkohësisht, vlera e mallit të gjetur dyshohet se tejkalon shumën prej 10,000 eurove.

    Dogana e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore sipas procedurave në fuqi dhe mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të rregullt.

  • Studimi: Verat në Evropë mund të zgjasin 42 ditë më shumë deri në vitin 2100

    Studimi: Verat në Evropë mund të zgjasin 42 ditë më shumë deri në vitin 2100

    Verat në Evropë po bëhen gjithnjë e më të gjata dhe më të ngrohta. Një studim i ri tregon se në të ardhmen mund të ketë shumë më shumë ditë të nxehta gjatë vitit.

    Edhe pse ky trend është vërejtur prej kohësh, ka pasur dyshime për shkaqet e tij. Sipas Dr. Celia Martin-Puertas, studiuese kryesore në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin Royal Holloway, modelet klimatike aktuale ngjajnë me ato të periudhës së ngrohtë para 6,000 vitesh.

    Studimi, botuar në Nature Communications, përdori analizën e sedimentit në liqenet evropiane, të cilët japin informacion mbi ndryshimet e stinëve gjatë 10,000 viteve të fundit. Shkencëtarët vëzhguan gjithashtu “gradientin zonal të temperaturës”, që tregon ndryshimin e temperaturës midis Arktikut dhe ekuatorit – një faktor kyç që ndikon në motin e Evropës dhe lëvizjen e erërave nga Atlantiku.

    Me ngrohjen e Arktikut, ky ndryshim i temperaturës zvogëlohet, duke ngadalësuar rrymat e ajrit dhe duke intensifikuar valët e nxehtësisë gjatë verës. Studimi tregon se për çdo rënie prej një gradë Celsius në gradientin zonal të temperaturës, sezoni veror zgjatet rreth gjashtë ditë. Nëse ngrohja vazhdon me ritmin aktual, Evropa mund të fitojë deri në 42 ditë shtesë vere deri në vitin 2100. Me trendin aktual, disa vende mund të kenë deri në tetë muaj mot veror.

    Këto kushte ngjajnë me periudhën e ngrohtë të Evropës rreth 6,000 vjet më parë, kur vera zgjaste rreth 200 ditë. Por ajo që e bën ndryshimin sot është shpejtësia dhe intensiteti i ndryshimeve, kryesisht për shkak të emetimeve të gazrave serrë. Arktiku po ngrohet deri në katër herë më shpejt se mesatarja globale, thonë autorët e studimit.

    Ndikimi i verave të gjata ndikohet gjithashtu nga faktorë të tjerë, duke përfshirë reagimet e shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

    Ngrohja e Evropës në dekadat e fundit

    Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt. Qytetet vuajnë veçanërisht nga efekti i “ishullit të nxehtësisë urbane”, ku nxehtësia grumbullohet mbi asfalt dhe beton. Një analizë nga projekti “Rezistenca ndaj Klimës për të Gjithë” tregoi se verat e nxehta nuk ndodhin më vetëm në verë.

    Për shembull, Athina pati një sezon të gjatë të nxehtësisë, nga mesi i majit deri në fillim të tetorit. Tirana regjistroi 143 ditë me temperatura ekstreme, ndërsa Lisbona dhe Madridi përjetuan përkatësisht 136 dhe 119 ditë të nxehta. Hulumtime të mëparshme treguan se ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu shtoi mesatarisht një muaj me nxehtësi ekstreme për gjysmën e popullsisë botërore vitin e kaluar.

  • Autobusët në rrugë, nis protesta e Trafikut Urban në Prishtinë

    Autobusët në rrugë, nis protesta e Trafikut Urban në Prishtinë

    Banorët e Prishtinës, nga e hëna janë detyruar që të bëjnë zgjidhje alternative në mungesë të transportit publik. Për pasojë, kolona të gjata janë krijuar në kryeqytet e qytetarët janë përballur me pritje të gjata, ndërkohë që Qeveria në detyrë dhe zyrtarët komunalë kanë vazhduar akuzat ndaj njëri-tjetrit për situatën e komplikuar në komunë.

    Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe ata privatë protestuan dje para Komunës së Prishtinës e Qeverisë duke kërkuar që t’u bëhet pagesa.

    Mirëpo, ata sot kanë zgjedhur një formë tjetër të protestës, kësaj radhe me autobusë.

    Ata kanë vendosur që pranë objektit të Komunës së Prishtinës ti vendosin autobusët.

    Shkaku i vonesave në vendimmarrje nga kuvendet komunale, buxheti i Prishtinës, ai i Gjilanit dhe buxheti i Zubin-Potokut nuk janë përfshirë në buxhetin e Kosovës të 2025-s. Kjo nuk u bë as pas miratimit të tyre nëpër komuna, meqë thuajse gjatë gjithë vitit Kosova ka funksionuar pa Kuvend, shkaku i ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve nacionale të shkurtit.

  • Sot vazhdon gjykimi për rastin tragjik në Koçan

    Sot vazhdon gjykimi për rastin tragjik në Koçan

    Gjykimi për zjarrin tragjik në diskoteken Pulse në Koçani, ku humbën jetën 63 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë, vazhdon sot në sallën e gjyqit në Qendrën Korrektuese të Idrizovës.

    Sipas njoftimeve, seanca do të vazhdojë me paraqitjen e fajësisë dhe fjalëve hyrëse nga mbrojtja, pasi prokuroria paraqiti fjalët e saj hyrëse në seancën e mëparshme.

    Prokurori Borçe Janev theksoi në fjalën e tij hyrëse se hetimi dhe provat synojnë të përcaktojnë përgjegjësinë specifike – kush e lejoi, kush heshti dhe kush nuk reagoi për të parandaluar tragjedinë.

    Ai theksoi se kërkimi i drejtësisë nuk motivohet nga hakmarrja, por nga nevoja për të vërtetuar paligjshmërinë që ka zgjatur me vite.

    Ai njoftoi se provat do të tregojnë se Pulse ka vepruar me vite në shkelje të standardeve të sigurisë – pa sistem mbrojtjeje nga zjarri, me materiale lehtësisht të ndezshme, pa dalje të mjaftueshme evakuimi dhe me tejkalim të numrit të lejuar të vizitorëve. Sipas aktakuzës, rreziku ishte i dukshëm dhe zyrtarët kishin detyrim të reagonin, por nuk reaguan.

    Në fillim të seancës, Gjykata Themelore Penale e Shkupit vendosi ta bashkojë çështjen me procedurën kundër pronarit të diskotekës.

    Tragjedia e 16 marsit 2025, sipas prokurorisë, është rezultat i neglizhencës sistematike: diskoteka funksionoi pa kushte minimale teknike, kishte vetëm një dalje dhe pjesa e brendshme ishte e mbushur me materiale toksike dhe lehtësisht të ndezshme. Në mbrëmjen kritike, mbi 600 të ftuar u lejuan të hynin pa kontroll, përfshirë të mitur pas mesnatës.

    Performanca e grupit “DNK” u organizua me përdorimin e efekteve piroteknike dhe sfungjeri i tavanit, gjatë djegies, lëshoi gazra vdekjeprurës që kontribuan në përhapjen e shpejtë të flakës dhe një numër të lartë viktimash.

    Seanca u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe në sallën e gjyqit morën pjesë të pandehurit, të afërm të viktimave, përfaqësues të prokurorisë dhe mbrojtjes, si dhe gazetarë vendas dhe të huaj.

    37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve – 34 individë dhe tre persona juridikë, përfshirë pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë bashkie, anëtarë të shërbimit të sigurisë dhe nëpunës civilë.

    Paralelisht me procedurën kryesore, po zhvillohet një hetim kundër disa oficerëve të policisë të dyshuar se kanë dhënë siguri të rreme për vite me radhë dhe kanë lejuar që diskoteka të funksionojë pa përmbushur kushtet e sigurisë. Disa prej tyre janë në paraburgim, ndërsa të tjerët janë nën masa paraprake.

    Javën e kaluar, Prokuroria njoftoi se një procedurë ishte nisur edhe kundër punonjësve të Zyrës së të Ardhurave Publike, të dyshuar për ryshfet dhe abuzime në lidhje me këtë rast.

    Sipas informacioneve të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, gjendja e të plagosurve që i mbijetuan zjarrit është e qëndrueshme. Nga 20 të plagosurit më rëndë, 10 mbeten në gjendje të rëndë, por nën kontroll.

  • Vëllau raporton zhdukjen e motrës në Gjakovë, e humbur që nga 4 tetori

    Vëllau raporton zhdukjen e motrës në Gjakovë, e humbur që nga 4 tetori

    Një burrë në Gjakovë ka raportuar në polici zhdukjen e motrës së tij, e cila nuk është parë që nga data 4 tetor e këtij viti.

    Sipas raportit policor, ankuesi ka bërë të ditur se e zhdukura është person me të meta mendore, gjë që e bën rastin edhe më shqetësues.

    Organet e rendit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe lokalizimin e saj.

  • Zhduket një e mitur në Rahovec dhe një grua në Gjakovë

    Zhduket një e mitur në Rahovec dhe një grua në Gjakovë

    Policia e Kosovës raporton dy raste të zhdukjes në Gjakovë dhe Rahovec.

    Në rastin e parë raportohet se një person ka informuar se që një kogë të gjatë nuk dihet vendndodhja e motrës së tij me të meta mendore.

    “Lagjja Brekoc, Gjakovë 04.10.2025 – 10:00. Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se që një kohë të gjatë nuk din ku ndodhet motra e tij me të meta mendore. Rasti është duke u hetuar”.

    Ndërsa rasti i dytë babai raporton se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

    “Rr.Xhelal Hajda, Rahovec 20.11.2025-13:30. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj”, thuhet në raport.

  • Zbulohet një nga rezervat më të mëdha të arit në botë

    Zbulohet një nga rezervat më të mëdha të arit në botë

    Në provincën Liaoning të Kinës, gjeologët kanë identifikuar një depozitë gjigante ari, me më shumë se 1,440 tonë, e cila vlerësohet rreth 192 miliardë dollarë, sipas dailygalaxy.com.

    Ministria kineze e Burimeve Natyrore ka konfirmuar këtë zbulim, që mund të ndikojë ndjeshëm në tregjet globale dhe të forcojë strategjinë financiare të Pekinit.

    Miniera, e njohur si Dadonggou, është më e madhe që është zbuluar në Kinë që nga viti 1949. Me një përqindje mesatare ari prej 0,56 gram për tonë në më shumë se 2,5 milion tonë shkëmb mbajtës, ajo ka potencial të rrisë ndjeshëm prodhimin kombëtar të artit dhe të rrisë rëndësinë e Kinës në tregun ndërkombëtar.

    Qeveria kineze po investon 20 miliardë juanë për zhvillimin e një zinxhiri të plotë industrial, duke përfshirë nxjerrjen, rafinimin dhe përpunimin e arit, si dhe prodhimin e bizhuterive. Projekti përfshin një park industrial prej 133 hektarësh, me magazina, zona logjistike dhe infrastrukturë të dedikuar për menaxhimin e arit.

    Shpejtësia e zhvillimit të minierës është e jashtëzakonshme: pothuajse 1,000 punonjës përfunduan fazën e eksplorimit në vetëm 15 muaj, një kohë shumë e shkurtër për një depozitë të tillë. Kjo tregon prioritetin e qartë të autoriteteve kineze, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe strategjike.

    Ky zbulim vjen ndërsa çmimet globale të artit kanë arritur nivele rekord, mbi 4,100 dollarë për kilogram. Rritja e kërkesës nxitet nga pasiguria financiare, inflacioni dhe një largim nga dollari amerikan, veçanërisht nga bankat qendrore dhe ETF-të e mbështetura në ari.

    Në vitin 2024, Kina konsumoi 985 tonë ari, shumë më shumë se prodhimi i saj kombëtar prej 377 tonësh, duke nxjerrë në pah nevojën për të forcuar rezervat strategjike dhe për të siguruar stabilitet financiar përballë pasigurive globale.

    Vendndodhja e minierës mbahet e fshehtë, gjë që ka shkaktuar spekulime mbi masat e sigurisë dhe menaxhimin e rezervave strategjike. Kjo fshehtësi tregon rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij zbulimi për planifikimin ekonomik dhe politik të Kinës.