ATV

Blog

  • Para ndeshjes Drita–Shkëndija, vjen mesazhi i fortë: “Një komb, dy skuadra, një ndjenjë”

    Para ndeshjes Drita–Shkëndija, vjen mesazhi i fortë: “Një komb, dy skuadra, një ndjenjë”

    Të enjten, më 27 nëntor, në Ligën e Konferencës do të zhvillohet një derbi i veçantë shqiptar.

    Drita pret Shkëndijën në ndeshjen e xhiros së katërt, e cila do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, vetëm një ditë para Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

    Para takimit, Shkëndija publikoi një postim simbolik në rrjetet sociale, duke shkruar:

    “Përtej kufijve, ne jemi një. Një komb, dy skuadra, një ndjenjë.”

    Sa i përket rezultateve deri më tani, pas tri xhirove Drita ka grumbulluar pesë pikë (dy barazime dhe një fitore), ndërsa Shkëndija numëron katër pikë (një fitore, një barazim dhe një humbje). /ATVLIVE.TV

  • Përballje e fortë në Champions League: FC Prishtina 01 dhe FC Riga ndahen pa fitues

    Përballje e fortë në Champions League: FC Prishtina 01 dhe FC Riga ndahen pa fitues

    Klubi i futsalit FC Prishtina 01 dhe FC Riga u ndanë baraz 3-3 në ndeshjen e parë të fazës 1/16 të UEFA Futsal Champions League.

    Skuadra kampione e Kosovës e nisi ndeshjen fuqishëm, duke dominuar minutat e para. Drilon Maxharraj shënoi golin e parë në minutën e 6-të dhe më pas dyfishoi avantazhin në minutën e 10-të, duke e vendosur Prishtinën në epërsi 2-0.

    Në sekondat e fundit të pjesës së parë, Viktor Kulepovs realizoi për 2-1, duke rikthyer shpresat për ekipin letonez.

    Pjesa e dytë solli më shumë intensitet. Daniel Airoso barazoi rezultatin në 2-2 në minutën e 32-të, por reagimi i FC Prishtina 01 erdhi menjëherë: Ramadan Alaj riktheu epërsinë duke shënuar për 3-2.

    Megjithatë, në minutat e fundit FC Riga arriti të shmangë humbjen me golin e Jose Edouardo, që vulosi barazimin 3-3.

    Ndeshja e kthimit do të luhet më 5 dhjetor në Riga, ku do të vendoset skuadra që kalon më tej. /ATVLIVE.TV

  • Leposaviq: Arrestohet një person pasi sulmoi babanë e tij nën ndikim të alkoolit

    Leposaviq: Arrestohet një person pasi sulmoi babanë e tij nën ndikim të alkoolit

    Një rasti i dhunës në familje ka ndodhur mbrëmjen e 23 nëntorit në Leposaviq, ku një mashkull kosovar është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e tij.

    Sipas njoftimit zyrtar, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00, në momentin kur i dyshuari ishte nën ndikim të alkoolit. Pavarësisht incidentit, viktima – babai i tij – ka refuzuar që të marrë trajtim mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje në stacionin policor deri në këndellje.

    “Leposaviq 23.11.2025-23:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që nën ndikim të alkoolit kishte sulmuar fizikisht babanë e tij viktimën. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari do të ndalet në stacionin policor deri në këndellje dhe pastaj të intervistohet”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Chelsea–Barcelona në qendër të vëmendjes, zhvillohen dhe tetë ndeshje tjera

    Chelsea–Barcelona në qendër të vëmendjes, zhvillohen dhe tetë ndeshje tjera

    Sot (e martë) zhvillohen nëntë ndeshje në xhiron e pestë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

    Pas një pauze trejavore, gara më e madhe evropiane rikthehet me ndeshje që premtojnë shumë emocion dhe rivalitet.

    Përballja kryesore e mbrëmjes luhet në “Stamford Bridge”, ku Chelsea do të përballet me Barcelonën, me ndeshjen që nis në ora 21:00.

    Spektakël pritet edhe në takimet Manchester City – Bayer Leverkusen, Marseille – Newcastle dhe Borussia Dortmund – Villarreal.

    Po nga ora 21:00 zhvillohen edhe sfidat Bodo/Glimt – Juventus, Napoli – Qarabag dhe Slavia Prague – Athletic Bilbao.

    Ndërkohë, dy ndeshjet e orës 18:45 janë Galatasaray – Royale Union SG dhe Ajax – Benfica. /ATVLIVE.TV

  • Ky është politikani me emrin e pazakontë, Adolf Hitleri – po garon në zgjedhjet lokale në këtë shtet

    Ky është politikani me emrin e pazakontë, Adolf Hitleri – po garon në zgjedhjet lokale në këtë shtet

    Adolf Hitler Uunona, këshilltar lokal në Namibia, është i vendosur për një fitore të sigurt në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 26 nëntor.

    Ai është i njohur për emrin e tij të pazakontë, i cili e bëri viral në vitin 2020, por ka qenë gjithmonë i qartë se nuk ka lidhje me ideologjinë naziste.

    Hitler, 59 vjeç, pritet të ruajë vendin e tij në zonën zgjedhore të Ompundja, ku më parë fitoi me 85% të votave. Ai është anëtar i partisë në pushtet SWAPO dhe është aktiv në politikë që nga përfshirja në luftën kundër apartheidit në vend, transmeton tch.

    “Emri im nuk nënkupton që dua të sundoj Oshanan,” tha ai. Ai shpjegoi se përdor zakonisht emrin Adolf Uunona dhe se tani është “tepër vonë” për ta ndryshuar emrin, pasi shfaqet në të gjitha dokumentet zyrtare, ndërkohë që u shpreh se emrin ja kishte vendosur babai, duke shtuar se i ati nuk e dinte kuptimin.

    Namibia, një ish-koloni gjermane, ende ka komunitete gjermanishtfolëse dhe përjeton lidhje historike me Gjermaninë, përfshirë diskutimet mbi kompensimet për masakrat koloniale ndaj popullsive vendase në fillim të shekullit të 20-të.

  • Kurti merr pjesë në pritjen e Ambasadës së Shqipërisë për 28 Nëntorin: Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë

    Kurti merr pjesë në pritjen e Ambasadës së Shqipërisë për 28 Nëntorin: Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të festimit të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

    Në adresimin e tij, kryeministri Kurti tha se me ndjesi feste dhe ngazëllimi ka ardhur sot në këtë ditë festimi, dy ditë pasi ishte në Manastir me rastin e 117- vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe diskutimeve e vendimeve të marra aty për alfabetin e shqipes.

    “Këto data, si 22 nëntori i 1908-ës ashtu edhe 28 nëntori i 1912-ës, janë data historike të shënjuara një herë e mirë në kalendarin e kronologjisë së historisë së kombformimit dhe të shtetndërtimit të ne shqiptarëve”, tha kryeministri Kurti.

    Në shënim të 113- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Kurti tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve.

    “58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës. Është hapja e zyrave doganore, heqja e vulës apostile, njohja e pensioneve dhe sigurimeve, njësimi i diplomave dhe lëvizja pa kontrolle kufitare. Në arsim e kulturë, janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë ”, tha ai.

    Sot, teksa e shënojmë 113 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri potencoi se çdo angazhim për forcimin e dy shteteve tona, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, vazhdon ta ketë bekimin e atyre burrave dhe grave që dhanë gjithçka nga dija dhe përvoja, nga guximi dhe jeta e tyre, për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për jetësimin e ideve të shqiptarizmës siç i konceptuan ato rilindësit tanë.

    Për më tepër, ai tha se ky përvjetor i shtetit shqiptar, po kremtohet në sfond të 81-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar që Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi vend në Evropë që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar drejt pas Aleatëve. Ai tha se ky rreshtim politik i shqiptarëve, duhet ruajtur si i tillë, bashkë me angazhimin tonë për ruajtjen e aleatëve tanë.

    “Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë!”, uroj në fund kryeministri Kurti.

  • Sot nis fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”

    Sot nis fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”

    Sot nis fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, një nismë që synon rritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

    Gjatë kësaj periudhe, institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh sensibilizuese në gjithë vendin.

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, përmes një adresimi publik, ka bërë thirrje për mobilizim shoqëror dhe institucional kundër çdo forme të dhunës me bazë gjinore, duke theksuar nevojën për reagim të menjëhershëm dhe mbrojtje efektive të viktimave.

    Ceremonia zyrtare e nisjes së fushatës mbahet në Mensën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, nën sloganin “E drejta është e saj – Sot dhe çdo ditë tjetër”, duke vënë në fokus të drejtën e çdo gruaje dhe vajze për siguri, dinjitet dhe trajtim të barabartë.

    Në kuadër të “Javës për të Drejtat e Viktimave” dhe “16 Ditëve Kundër Dhunës në Familje”, Prokuroria Themelore në Pejë dhe Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, me mbështetjen e OSBE-së, organizojnë një tryezë me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Tema qendrore e diskutimit ishte “Dhuna ndaj viktimave të ndjeshme: të moshuar, të mitur dhe persona vulnerabël”, si dhe zbatimi i Konventës së Stambollit, dokument ky kyç për luftimin e dhunës ndaj grave.

    Tryeza mbahet në hotel “Dukagjini” në Pejë, nga ora 10:00 deri në 10:45, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të kryesve të veprave të dhunës.

    Pas tryezës, përfaqësues të Prokurorisë Themelore të Pejës, mbrojtës të viktimave dhe përfaqësues të strehimores në qendër të qytetit shpërndajnë broshura informuese për qytetarët. Materialet përmbanin të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve, pasojat ligjore për dhunuesit, si dhe numrat kontaktues të prokurorisë për raportimin e rasteve të dhunës në familje.

    Fushata “16 Ditët e Aktivizmit” mbetet një thirrje e fuqishme që dhuna me bazë gjinore të trajtohet si emergjencë shoqërore dhe institucionale, duke kërkuar angazhim të përbashkët për një shoqëri më të sigurt dhe të barabartë.

  • Afganistani akuzon Pakistanin për sulme ajrore, ku u vranë 10 civilë

    Afganistani akuzon Pakistanin për sulme ajrore, ku u vranë 10 civilë

    Qeveria talibane e Afganistanit akuzoi Pakistanin se ka kryer sulme ajrore gjatë natës në tri provinca lindore, duke vrarë 10 civilë, përfshirë nëntë fëmijë.

    Zëdhënësi kryesor i qeverisë afgane, Zabihullah Mujahid, tha në ‘X’ se Pakistani ka “bombarduar” shtëpinë e një civili në provincën Khost, duke vrarë nëntë fëmijë dhe një grua. Ai tha se sulme të tjera u kryen në provincat Kunar dhe Paktika, duke plagosur katër persona të tjerë.

    Ushtria dhe qeveria e Pakistanit nuk komentuan menjëherë mbi akuzat, të cilat vijnë më shumë se një muaj, pas përleshjeve ndërkufitare, kur qeveria afgane pretendoi se sulmet me dron pakistanez kapluan Kabulin.

    Megjithatë, armëpushimi i ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia mes dy palëve në tetor vazhdonte të mbahej të martën, pavarësisht sulmeve të supozuara gjatë natës nga Pakistani thellë brenda Afganistanit. Nuk pati komente të menjëhershme nga Katari dhe Turqia.

    Turqia dhe Katari, vende të cilat kanë ndërmjetësuar për armëpushim ndërmjet dy shteteve, nuk kanë komentuar për ngjarjen. Ndërsa Irani njoftohet se ka shprehur dëshirën për të ofruar rolin e tij në uljen e tensioneve mes Pakistanit dhe Afganistanit.

    Ndryshe, përshkallëzimi i fundit vjen si pasojë e një sulmi vdekjeprurës më parë në qytetin veriperëndimor pakistanez të Peshawar-it, ku dy sulmues vetëvrasës dhe një person i armatosur sulmuan selinë e Policisë Federale. Tre oficerë u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën në sulmin e së hënës në mëngjes.

    Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Peshawar, por dyshimet ranë menjëherë mbi talebanët pakistanezë, ose Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP).

    Ky është një grup i veçantë, por i lidhur ngushtë me talebanët afganë, dhe shumë prej drejtuesve të tij fshihen në Afganistan. Kabuli ndërmjetësoi në vitin 2022 një armëpushim të shkurtër mes TTP-së dhe Pakistanit. Megjithatë, grupi militant e ndërpreu armëpushimin pasi e akuzoi Pakistanin për shkeljen e tij.

  • Daçiq: Kosova nuk ka shans të bëhet anëtare e Intepolit

    Daçiq: Kosova nuk ka shans të bëhet anëtare e Intepolit

    Ministri i Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot në Marok se autoritetet në Prishtinë e dinë “se nuk ekziston asnjë mundësi” që Kosova të pranohet në Interpol, ka bërë të ditur kabineti i tij.

    Në njoftim thuhet se Daçiqi, në Marakesh, kryeson delegacionin e Serbisë në Asamblenë e 93-të të Përgjithshme të Interpolit.

    Ai ka deklaruar se në rendin e ditës të kësaj seance nuk ka pasur kërkesë të Kosovës për pranim në anëtarësim.

    Ai ka pretenduar se ky është “një mesazh i qartë se Prishtina e di që nuk e ka shumicën dhe se nuk ekziston asnjë mundësi që të pranohet në këtë organizatë ndërkombëtare”.

    “Herën e fundit ata aplikuan në Dubai para disa vitesh, dhe pas humbjes katastrofale, ata prej vitesh nuk aplikojnë për anëtarësim në Interpol”, ka thënë ai.

  • Studimi: TikTok dhe Instagram dëmtojnë trurin!

    Studimi: TikTok dhe Instagram dëmtojnë trurin!

    Një studim i ri ka hapur debat të gjerë mbi ndikimin e platformave të videove të shkurtra, si TikTok, Instagram Reels dhe YouTube Shorts, në shëndetin mendor dhe funksionin e trurit.

    Sipas kërkimit, në të cilin morën pjesë gati 100,000 individë të moshave të ndryshme, përdorimi intensiv i këtyre platformave lidhet me një ulje të dukshme të aftësisë së përqendrimit dhe me një vëmendje më të fragmentuar.

    Studiuesit shpjegojnë se natyra e videove të shpejta krijon një cikël të vazhdueshëm stimulimi të menjëhershëm, që e mësyn trurin të kërkojë vetëm përmbajtje të shpejtë, të lehtë dhe të menjëhershme.

    Kjo, sipas tyre, me kalimin e kohës mund të ndikojë negativisht në aftësinë për t’u fokusuar në detyra më të gjata, në lexim apo në studim. Për më tepër, pjesëmarrësit që konsumonin sasi më të mëdha të videove të shkurtra raportuan gjumë më të çrregullt, nivele më të larta ankthi dhe ndjesi të shtuar vetmie.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet nuk duhet të interpretohen si përfundimtare.

    Ata nënvizojnë se është e nevojshme më shumë kërkim për të kuptuar nëse videot e shkurtra janë shkaku kryesor i këtyre problemeve apo thjesht një faktor shoqërues i një mënyre jetese gjithnjë e më të shpejtë dhe të mbingarkuar me informacione.

    Ndërkohë, rritja e popullaritetit të TikTok dhe platformave të ngjashme vazhdon të ngrejë pyetje rreth ndikimit të tyre afatgjatë, sidomos te të rinjtë, të cilët përbëjnë grupin më të ekspozuar ndaj këtij lloji përmbajtjeje.