ATV

Blog

  • “Jingle Bells”, Gjermania hap tregjet e Krishtlindjeve, shton masat e sigurisë

    “Jingle Bells”, Gjermania hap tregjet e Krishtlindjeve, shton masat e sigurisë

    Tregjet tradicionale të Krishtlindjeve u hapën në të gjithë Gjermaninë me stendat e tyre të famshme prej druri me verë të nxehtë, salçiçe të pjekura në skarë ose mollë të karamelizuara.

    Por momenti që sjell më pranë frymën e festave të fundvitit, u shoqërua me një shtim të ndjeshëm të masave të sigurisë, në një kohë kur kujtimet e dy sulmeve vdekjeprurëse në tregje të tilla janë ende të freskëta për shumë gjermanë.

    Në Berlin, tregu i famshëm në kishën Gedächtniskirche të qytetit u hap me shërbim të hapur për publikun të hënën në mëngjes.

    Hapje të tjera përfshinin tregjet e Krishtlindjeve në bashkinë Rotes Rathaus, Gendarmenmarkt dhe Pallatin Charlottenburg.

    Tregjet e Krishtlindjeve janë një traditë vjetore që gjermanët e kanë çmuar që nga Mesjeta – dhe e kanë eksportuar me sukses në pjesën më të madhe të botës perëndimore.

    Atje shesin jo vetëm ushqime të lehta dhe pije, por edhe qirinj të punuar me dorë, kapele leshi, doreza dhe yje të shndritshëm të Krishtlindjeve në të gjitha ngjyrat dhe format. Fëmijët shijojnë udhëtime në karusele dhe patinazh në pistat e akullit.

    Por, siç theksojnë mediat, siguria është një problem në të gjitha tregjet në të gjithë vendin.Vitin e kaluar, pesë gra dhe një djalë vdiqën, dhe shumë të tjerë u plagosën në një sulm me makinë në një treg Krishtlindjesh në qytetin e Magdeburgut më 20 dhjetor.

    Autori i sulmit që nuk zgjati veçse pak më shumë se një minutë, është aktualisht në gjyq në Magdeburg.

    Ndërkohë në 19 dhjetor 2016, një sulmues përplasi kamionin ndaj një turme  njerëzish që shkonin në tregun e Krishtlindjeve po në kishën Gedachtniskirche në Berlin, duke vrarë 13 persona dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë. I dyshuari u vra disa ditë më vonë në një shkëmbim zjarri në Itali.

  • Përtej golave: Messi vazhdon të thyejë rekordet në ndikim dhe asistime

    Përtej golave: Messi vazhdon të thyejë rekordet në ndikim dhe asistime

    Lionel Messi po i afrohet gjithnjë e më shumë shifrës së 900 golave në karrierë, por rekordi personal nuk është i vetmi argument që e vendos “Pleshtin” në panteonin e futbollit, krah legjendave si Pelé dhe Maradona. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në lojë, me gola dhe asiste, mbetet i pakrahasueshëm.

    Në fitoren 4-0 të Inter Miami ndaj Cincinnati-t, ku shënoi një gol dhe dha një asist, kampioni i botës arriti një tjetër prag simbolik:

    1300 kontribute në karrierë – 896 gola dhe 404 asistime.

    Sa i përket numrit total të golave, Messi qëndron pas Kristiano Ronaldos, i cili vijon të mbajë kryesimin me 954 realizime, por në asistime diferenca është e madhe:

    Messi me 404, ndaj 259 të CR7-ës.

    Argjentinasi ka barazuar legjendën Ferenc Puskas, ndërsa për nga ndikimi total në lojë mbetet mbi emra të mëdhenj si Pelé, Johan Cruyff, Thomas Müller, Kevin De Bruyne dhe Ángel Di María.

    Me 1135 ndeshje në karrierë mes Barcelonës, PSG-së, Inter Miami-t dhe Kombëtares së Argjentinës, Messi ka një mesatare marramendëse:

    1.15 gola + asist për ndeshje, ose një kontribut çdo 72 minuta – një ritëm që e vendos përpara rivalit më të madh, Kristiano Ronaldos.

    Messi vazhdon të shkruajë historinë, dhe çdo ndeshje e re është një hap më tej drejt përjetësisë në futboll.

  • Pep Guardiola arrin ndeshjen e 100 në Champions League me Manchester City

    Pep Guardiola arrin ndeshjen e 100 në Champions League me Manchester City

    Sot në mbrëmje, Manchester City do të luajë ndaj Bayer Leverkusen në Champions League. Kjo do të jetë ndeshja e 100 për Pep Guardiolën si trajner i “qytetarëve” në këtë kompeticion.

    “E kuptoj që po plakem! Por kjo është pozitive, sepse tregon se çdo sezon kemi qenë aty. Shpresoj që edhe sezonin tjetër të jemi përsëri”, tha trajneri spanjoll.

    “Është një garë e madhe dhe e veçantë për lojtarët, të cilët e duan çdo sfidë. Për klubin, sa i përket reputacionit, prestigjit dhe financave, Champions League është jashtëzakonisht e rëndësishme”, shtoi Guardiola.

    Ai gjithashtu theksoi: “Ka më shumë zhgënjime sesa momente të bukura. Në fazat e grupeve kemi qenë shpesh në krye, përveç sezonit të kaluar, por gjithmonë ka qenë një përvojë e shkëlqyer. Jo gjithçka është e lehtë ose e rehatshme për mua dhe ekipin, por kjo është pjesë e asaj që jemi si klub dhe si ekip. Është e rëndësishme ta jetojmë këtë sfidë.” / ATVLIVE.TV

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, BE ende nuk ka vendosur nëse do të dërgojë vëzhgues

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, BE ende nuk ka vendosur nëse do të dërgojë vëzhgues

    Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj ngërçit politik që ka ndodhur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025 në Kosovë.

    Zëdhënësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nikolla Gaon, ka bërë të ditur për Telegrafin se vendimi për dërgimin e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 28 dhejtorit do të konfirmohet më vonë.

    “Duke qenë se njoftimi për zgjedhjet është bërë vetëm së fundmi, do të konfirmojmë pjesëmarrjen e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve më vonë”, tha Gaon.

    Ai shprehu keqardhjen e Bashkimit Evropian për situatën politike të krijuar në vend.

    “BE-ja shpreh keqardhjen që partitë politike nuk arritën të kapërcejnë ngërçin politik të zgjatur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025”, ka deklaruar Gaon.

    Ai gjithashtu tha se BE-ja ka marrë njoftimin për zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, dhe nënvizon rëndësinë e një procesi zgjedhor të mirë administruar dhe konkurrues.

    “Përfshirja, certifikimi i partive politike dhe akreditimi i mediave nga të gjitha komunitetet janë thelbësore për një proces të drejtë zgjedhor”, u shpreh zëdhënësi i zyrës së BE-së në Prishtinë.

    Gaon gjithashtu shtoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të punojë me autoritetet e Kosovës sapo të zgjidhen dhe të vazhdojë mbështetjen në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

    “Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e duhur për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, u shpreh Gaon.

  • Dhëndri helmon prindërit e nuses për t’ua vjedhur pensionin, flet e moshuara: Na gjetën pa ndjenja

    Dhëndri helmon prindërit e nuses për t’ua vjedhur pensionin, flet e moshuara: Na gjetën pa ndjenja

    E moshuara e cila u helmua me valium nga dhëndri i saj Ismail Kllogjri në Librazhd, ka folur për News24. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më datë 22 nëntor në Librazhd, ku dhëndri u dha prindërve të nuses se tij doza të mëdha valiumi për t’i vënë në gjumë të thellë, në mënyrë që ai të mundej t’u vidhte paratë e pensionit të çiftit të moshuar.

    E moshuara thotë se ditën e ngjarjes ajo ishte duke qëndruar në shtëpi më bashkëshortin e saj, kur në banesë i vizitoi dhëndri.

    Ajo tha se dhëndri u fut në shtëpi dhe i pyeti se si janë. Këto janë momentet e fundit që ajo mban mend, pasi më pas ka rënë pa ndjenja si pasojë e dozës së valiumit që i kishte dhënë dhëndri.

    “Unë isha duke ndenjur dhe ai erdhi dhëndri dhe pyeti ‘ si je mirë’ kaq gjë. Pastaj nuk mbaj mend asgjë. Erdhi çuni prej Greqie me gjithë nuse dhe na gjetën pa ndjenja”, tha e moshuara.

    Kujtojmë se hetimet e policisë lidhur me ngjarjen nisën pasi çifti i bashkëshortëve ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore, të dyshuar për intoksikim.

    Nga hetimet rezultoi se dhëndri i tyre, 36-vjeçari Ismail Kllogjri, dyshohet se u ka dhënë një dozë të lartë medikamenti qetësues duke u shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre.

  • Besim Kelmendi padit Këshillin Prokurorial, kërkon anulimin e vendimit për shkarkim nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit

    Besim Kelmendi padit Këshillin Prokurorial, kërkon anulimin e vendimit për shkarkim nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit

    Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.

    Ai ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

    Shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.

    Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Në padi thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.

    Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.

    Në padi theksohet se më 20 nëntor u thirr takimi i KPK-së, i cili për pikë të rendit të ditës kishte: Raportin e komisionit zgjedhor nga radhët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar i datës 3 nëntor 2025. Por, para miratimit të rendit të ditës, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli propozoi që në rendin e ditës të futet edhe shkarkimi i paditësit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

    Pas këtij propozimi, pesë anëtarët e KPK-së – paditësi si anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Arian Gashi, Visar Krasniqi dhe Dardan Vuniqi – fillimisht e kundërshtuan këtë propozim, duke e konsideruar arbitrar dhe të kundërligjshëm, e më pas e lëshuan menjëherë takimin e Këshillit. E që, në padi thuhet se me largimin e tyre, kuorumi bie automatikisht në më pak se minimumin e kërkuar me ligj.

    Më tej, thuhet se kryesuesi Ardian Hajdaraj, duke vepruar sipas detyrimit të tij ligjor, e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, e cila juridikisht prodhon efekt përfundimtar, duke shënuar fundin e çdo kompetence për vendimmarrje deri në thirrjen e një mbledhjeje të re.

    Sipas padisë, rënia e kuorumit e bën juridikisht të pamundur çdo vendimmarrje dhe se vendimmarrja pas mbylljes së mbledhjes, pa thirrje të re, është akt i nxjerrë në kundërshtim me procedurën thelbësore dhe, si e tillë, përbën shkak të pavlefshmërisë absolute

    Po ashtu, aty thuhet se në momentin e marrjes së vendimit të kontestuar, në sallë kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KPK-së, gjë që e bën të pamundur formimin e kuorumit të nevojshëm.

    Andaj, sipas padisë, çdo vendim i marrë në këto rrethana është absolutisht i pavlefshëm.

    Gjithnjë sipas padisë, është e pavërtetë ajo që theksohet në vendimin e KPK-së se “… pas një pauze të shkurtër vazhdoi takimi”, ngase kryesuesi Ardian Hajdaraj takimin e mbylli në mungesë kuorumi.

    Për këtë arsye, Kelmendi pretendon se vendimi për shkarkimin e tij, marrë nga vetëm pesë anëtarë, është: i marrë nga organi jo-kompetent, në mungesë të kuorumit të detyrueshëm, në një takim të ri pas mbylljes së takimit të parë dhe pa respektuar normën imperative të nenit 37/A. Kështu që, paraqet akt administrativ të pavlefshëm.

    Në padi po ashtu përmendet se lidhur me këtë vendim të Këshillit, Bashkimi Evropian ka konstatuar se vendimi: shpërfill sundimin e ligjit, dëmton besimin publik dhe minon përparimin drejt BE-së.

    Këshilli Prokurorial, sipas tij, veproi pa kuorum; veproi pas mbylljes së mbledhjes, pa një thirrje të re, pa procesverbal të vlefshëm, dhe duke e tejkaluar në mënyrë të papranueshme kompetencën e vet ligjore.

    Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e tij, të anulohet vendimi i Këshillit Prokurorial dhe i njëjti të kthehet në pozitën e ushtruesit të detyrës zyrtare, dhe që t’ia paguajnë shpenzimet e procedurës, raporton Betimi për Drejtësi.

  • “Fëmijët jashtë shtëpisë? Pse prindërit po tregohen më të kujdesshëm”

    “Fëmijët jashtë shtëpisë? Pse prindërit po tregohen më të kujdesshëm”

    Në dekadat e kaluara, të linit fëmijët të luanin apo të flinin jashtë shtëpisë ishte një gjë normale. Por sot, edhe prindërit më të relaksuar po hezitojnë të lejojnë fëmijët të kalojnë natën jashtë.

    Arsyet nuk janë thjesht frika e ekzagjeruar – ekspertët flasin për ndryshime në stilin e jetës dhe sigurinë. Trafiku më i madh, ndikimi i teknologjisë dhe risqet që nuk ishin prezente dikur bëjnë që prindërit të jenë më të kujdesshëm. Për më tepër, fëmijët vetë shpesh preferojnë të qëndrojnë në shtëpi, të lidhen me shoqërinë virtuale dhe të ndihen më komodë në ambientin familjar.

    Ndërsa dikur liria e vogël ishte pjesë e zhvillimit të pavarësisë, sot kjo ndodh gradualisht, brenda limiteve të sigurisë që prindërit vendosin. Kjo nuk do të thotë se fëmijët nuk mësojnë autonomi – thjesht mënyra ka ndryshuar.

    Në fund, çelësi është balanca: lejoni fëmijët të eksplorojnë dhe mësojnë nga përvojat jashtë shtëpisë, por gjithmonë duke ruajtur sigurinë dhe mbikëqyrjen e duhur.

  • Palltot dhe shalli: Kombinimi perfekt për dimrin 2025”

    Palltot dhe shalli: Kombinimi perfekt për dimrin 2025”

    Kur dimri troket në derë, palltot dhe shalli bëhen protagonisti i çdo look-u. Ky sezon vjen me modele elegante që nuk sakrifikojnë ngrohtësinë, duke ju lejuar të dukeni stilish pa u lodhur.

    Palltot oversized ose me bel të theksuar janë një zgjedhje klasike, ndërsa ngjyrat neutrale si e zeza, kafeja dhe gri janë gjithmonë në modë. Për të shtuar një “twist” modern, stilistët sugjerojnë kombinimin me shalla voluminoze në ngjyrë kontrastuese ose me print unik.

    Shalli nuk është thjesht aksesor – ai mund të transformojë çdo outfit. Një pallto e thjeshtë bëhet e veçantë kur kombinohet me një shall me ngjyrë të ndezur, print animalik ose teksturë të veçantë. Ky kombinim jo vetëm që duket bukur, por ju mban edhe të ngrohtë gjatë ditëve të ftohta.

    Palltot me shall janë gjithmonë një zgjedhje fituese për dimrin: elegante, komode dhe gjithmonë në trend.

  • Tahiri kërkon veprim urgjent për lirimin e 77-vjeçarit Hazir Haziri, i burgosur në Serbi

    Tahiri kërkon veprim urgjent për lirimin e 77-vjeçarit Hazir Haziri, i burgosur në Serbi

    Ish-deputeti, Besnik Tahiri ka parashtruar kërkesë për veprim urgjent institucional, për lirimin e Hazir Hazirit, 77-vjeçarit i cili tashmë 78 ditë po mbahet i ndaluar nga autoritetet serbe në burg, nën akuza të për krime lufte.

    Përmes një postimi në Facebook, Tahiri thotë se vazhdimi i mbajtjes në burg i Hazirit, paraqet real për shëndetin dhe jetën e tij.

    Tahir po ashtu përmendi Marrëveshjen e vitit 2015, sipas të cilës,rastet e dyshuara për krime lufte ndaj shtetasve të Kosovës duhet të trajtohen nga gjykatat e Kosovës.

    “Familja e tij po kalon ditë të padurueshme pasigurie, frike dhe dhimbjeje. Çdo ditë që kalon është e rëndë dhe e padrejtë. Institucionet tona, partnerët ndërkombëtarë dhe miqtë e Kosovës, veproni TANI. Mos heshtni. Mos prisni. Ky është test i humanizmit, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor”, ka shkruar Tahiri.

    Dje, ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet e Kosovës, edhe vajza e 77-vjeçarit.

    Në një letër zyrtare, Anita Haziri ka apeluar urgjentisht për reagim institucional, duke thënë se babai i saj, 77-vjeçar, po mbahet në kushte jo humane dhe pa asnjë provë konkrete ndaj tij.

  • “Pantallona lëkure: Trendi që po dominon rrugët e qytetit”

    “Pantallona lëkure: Trendi që po dominon rrugët e qytetit”

    Pantallona lëkure po kthehen fuqishëm në modë këtë sezon dhe nuk është çudi pse. Nga setet elegante për zyrë deri te look-et casual për kafe me shoqet, ky trend duket se mund të kombinohet me gjithçka.

    Stilistët rekomandojnë të zgjidhni modele që përshtaten me formën tuaj dhe të kombinoni ngjyrat klasike si e zeza, kafe ose e kuqe me aksesorë minimalë për një efekt “chic”. Për ata që duan një stil më rebel, pantallonat lëkure me detaje metalike ose të prerjes së veçantë janë zgjedhja perfekte.

    Ky trend nuk është vetëm estetik, por edhe praktic – lëkura e mirë ka qëndrueshmëri dhe duket gjithmonë elegante. Nëse po kërkoni të përmirësoni garderobën tuaj, pantallonat lëkure janë padyshim një investim që nuk zhgënjen.