ATV

Blog

  • Ukraina sulmon rafinerinë e naftës dhe terminalin rus

    Ukraina sulmon rafinerinë e naftës dhe terminalin rus

    Ushtria e Ukrainës ka njoftuar këtë të martë, më 25 nëntor, se ka goditur një rafineri nafte ruse në rajonin Krasnodar si dhe një terminal nafte në portin e Novorossiysk.

    Siç shkruan Reuters, forcat e Kievit kanë intensifikuar sulmet me rreze të gjatë ndaj objektivave ruse, veçanërisht ndaj objekteve të naftës, ndërsa lufta mes dy vendeve po i afrohet shënimit të katër viteve.

    Në një deklaratë në Telegram, Shtabi i Përgjithshëm tha se pajisjet për ngarkimin dhe shkarkimin e naftës në cisternat u goditën. Po ashtu u raportua se një avion rus zbulues A-60 u godit gjatë një sulmi në uzinën ushtarake Beriev.

    Ndërkohë, një zyrtar nga shërbimi i sigurisë së brendshme të Ukrainës (SBU) tha se sulmi dëmtoi një anije të madhe zbarkimi që ishte ankoruar pranë molit të një baze detare në Novorossiysk.

    Ndërkohë edhe Rusia e ka sulmuar sërish Kievin, duke vrarë të paktën shtatë persona (lexo këtu), teksa zyrtarët amerikanë raportohet të jenë në Abu Dabi në takime të ndara me zyrtarë rusë dhe ukrainas, në përpjekje e sipër për të arritur një marrëveshje, bazuar në propozimin amerikan për paqe.

    Propozimi fillestar është kritikuar nga Ukraina dhe Perëndimi, duke u përshkruar si tejet i favorshëm për Moskën.

  • Pamjet e para të “P Diddy”-t, brenda mureve të burgut

    Pamjet e para të “P Diddy”-t, brenda mureve të burgut

    Sean “Diddy” Combs është parë për herë të parë pas hekurave që nga dënimi i tij dhe duket çuditërisht i thjeshtë.

    Fotografët kapën 55-vjeçarin duke ecur në oborrin e “Fort Dix Federal Correctional Institution” në New Jersey, i veshur me një duks të kaltër, trenerka gri dhe një kapuç portokalli. Mjekra iu është zbardhur, duke i dhënë një pamje më të ashpër dhe të lodhur nga jeta.

    Kjo pamje vjen ndërsa Combs po vuan një dënim prej 50 muajsh për akuza të lidhura me prostitucion, pas dënimit për dy akuza për transportimin e personave për t’i përfshirë në prostitucion. Ai u transferua në Fort Dix nga qendra e paraburgimit në Brooklyn në fund të tetorit.

    Burimet thonë se ai po përshtatet me jetën në burg, thuhet se punon në lavanderi dhe madje është bashkuar edhe me programin e rehabilitimit të drogës. Përfaqësuesit e tij thonë se ai nuk ka shkelur rregulla dhe është “i përqëndruar te rritja personale.”

    Reagimet e publikut kanë qenë të përziera, disa thonë se kjo është ulja me këmbë në tokë që i duhej, të tjerë habiten nga sa shumë ka ndryshuar pamja e tij.

    Qoftë rënie nga lavdia, qoftë thjesht një pauzë shumë publike, kapitulli i ri i Diddy-t po shkruhet pas mureve të betonit.

  • Reket i vogël, ëndrra të mëdha – Serena Williams krenohet për aftësitë në tenis të vajzës 2-vjeçare

    Reket i vogël, ëndrra të mëdha – Serena Williams krenohet për aftësitë në tenis të vajzës 2-vjeçare

    Serena Williams po shpërndan llojin më të ëmbël të trashëgimisë sportive. Në një postim të rrallë në Instagram, kampionia e 23 “Grand Slam”-eve ndau disa foto të adhurueshme të vajzës së saj 2-vjeçare, Adira, teksa provonte hapat e parë në tenis.

    E veshur me një veshje të vogël tenisi dhe me një raketë miniaturë në dorë, Adira mundohej të mbante topin mbi të, madje duke imituar edhe lëvizjen e “forehand”-it të mamasë. Serena e shoqëroi momentin me mbishkrimin e thjeshtë: “Po ndaj pasionin tim për tenis me vajzën time më të vogël.”

    Fansat, natyrisht, u çmendën: “Kampione në formim,” shkroi dikush, ndërsa një tjetër parashikoi me humor: “Kampionia e “US Open 2040”, ja ku po vjen!”

    Edhe pas tërheqjes nga sporti, Serena vazhdon të inspirojë thjesht këtë herë partnerja e saj e dysheve është një vogëlushe me shumë potencial.

  • Truri kalon nëpër pesë faza gjatë jetës së njeriut

    Truri kalon nëpër pesë faza gjatë jetës së njeriut

    ruri kalon nëpër pesë faza të dallueshme gjatë jetës së një personi, me momente kyçe në moshat nëntë, 32, 66 dhe 83 vjeç, sipas studimit më të fundit nga shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit.

    Rezultatet, të bazuara në skanimet e trurit të rreth 4,000 personave të moshës deri në 90 vjeç, u botuan në revistën “Nature Communications”, dhe siç doli, adoleshenca – periudha e ndryshimeve kyçe në lidhjet e trurit, nuk përfundon në vitet e adoleshencës, por zgjat deri në fillim të të tridhjetave, raporton BBC.

    Sipas autores së studimit Alexi Mausley, “truri zhvillohet gjatë gjithë jetëgjatësisë, duke forcuar dhe dobësuar lidhjet në faza të ndryshme”.

    Shkencëtarët kanë identifikuar pesë faza të trurit në fëmijëri – deri në nëntë vjet – një periudhë e zhvillimit të shpejtë të trurit, duke zvogëluar njëkohësisht numrin e madh të sinapseve të formuara në fillim të jetës.

    Pastaj vjen periudha e adoleshencës, nga nëntë në 32 vjeç – kërcimi më i madh në efikasitetin e lidhjeve të trurit, si dhe rreziku i çrregullimeve mendore.

    Mosha e rritur nga 32 deri në 66 vjeç – një fazë e qëndrueshme me ndryshime më të ngadalta, gjatë së cilës efikasiteti i rrjetit nervor fillon të bjerë pak.

    Plakja e hershme – nga 66 në 83 vjeç – truri ndahet gjithnjë e më shumë në rajone funksionale, të cilat mund të shoqërohen me fillimin e demencës dhe problemeve kardiovaskulare.

    Faza e fundit e zhvillimit është plakja e vonë nga mosha 83 vjeç, kur ka një thellim të ndryshimeve nga faza e mëparshme, me më pak të dhëna të disponueshme për shkak të numrit më të vogël të subjekteve të shëndetshme në këtë moshë.

    Profesorët që nuk morën pjesë në hulumtim vlerësojnë se rezultatet janë “shumë interesante” dhe se ato përshtaten me njohuritë ekzistuese rreth zhvillimit të trurit dhe plakjes, duke vënë në dukje se ndryshimet individuale mbeten të rëndësishme.

    Sipas autorëve, studimi mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë ndryshimet në rrezikun e çrregullimeve mendore dhe demencës gjatë gjithë jetës.

  • Rama edhe sot doli te protestuesit, kërkesë Muratit: Ministër, qiti 35 milionë euro menjëherë

    Rama edhe sot doli te protestuesit, kërkesë Muratit: Ministër, qiti 35 milionë euro menjëherë

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, pas përfundimit të konferencë për media ka dal jashtë dhe i është bashkuar protestuesve, punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë.

    Rama foli sërish para media ku theksoi se Ministria e Financave po i mban jashtëligjshëm 35 milionë euro, që janë të hyra vetanake të Komunës së Prishtinës.

    I pari i kryeqytetit, iu bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati që të reflektojnë e t’i lënë inatet politike dhe të bëhen bashkë për popullin, në këtë mënyrë që bëhet edhe zgjidhja për punëtorët të cilët presin zgjidhjen nga ta, njofton Klankosova.tv

    “Qiti paret ministër, menjëherë”, ishte mesazhi i Ramës drejtuar ekzekutivit në detyrë.

    “Ne kemi marrë dhe masa tjera, kemi thirrë dhe seancë të jashtëzakonshme për të enjten por edhe fondet prej 28 milionë tjera përveç 35 milionëve që janë bartje prej viteve të kaluar asamblistët që e bllokuan herën e kalume kanë tregu që janë për me votu dhe fondet me u marrë. Fakti është se 35 milionë euro vetanake mbahen në mënyrë jo ligjore nga ministri”, u shpreh Rama.

    “35 milionë euro që mbahen jashtëligjshëm në Ministrinë e Financave, mundeni me u pagu sot, tash në këtë moment. Nuk ka asgjë që e ndalë pagesën e 35 milionëve tash, menjëherë e që me u pagu operatori publik dhe privatë dhe mos me i lënë këta njerëz në rrugë. Mos me i lënë qytetarët pa shërbime, mos me i lënë shkollat pa rrymë e asnjë qytetarë pa shërbime publike. këtë mundësi e ka ministri i Financave në detyrë dhe prapë refuzon ta bëjë. Dje në konferencë dje hynte në tema të tjera e që nuk kanë të bëjnë me problemin. Problemi është pagesa. Paguaji paratë e kryeqytetit dhe paguhen të gjithë operatorët dhe të gjitha rrogët, këtë mundësi e ka tash, dje dhe me muaj të tërë. I mban paratë jashtëligjshëm. Për këtë arsye kemi bërë edhe kallëzim penal ndaj tij dhe tre zyrtarëve. Çdo temë tjetër është me i qitë hi syve qytetarëve, juve, popullit”, u shpreh kryetari Përparim Rama njofton Klankosova.tv.

    Edhe sot qytetarët e Prishtinës, nuk patën transport publik, shkaku i pezullimit të punës së “Trafikut Urban” dhe transportuesve privatë.

    Arsyeja e këtij pezullimi është bllokimi i buxhetit të komunës së Prishtinës nga ana e Qeverisë në detyrë.

  • Theri me thikë bashkëshorten dhe vajzën e saj, ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prizren

    Theri me thikë bashkëshorten dhe vajzën e saj, ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173 par. 1 nënpar. 1.1, 1.3, 1.11, lidhur me nenin 28 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Sipas aktakuzës, më datë 17.10.2025, rreth orës 00:10 min, në banesën familjare në Prizren, pas një konflikti të çastit me motive xhelozie, i pandehuri B.G., e sulmon me thikë me gjatësi tehu prej 13 cm, bashkëshorten M.A., duke e goditur gjashtë herë dhe duke i shkaktuar dëmtime serioze të organeve të brendshme.

    “Gjithashtu, i pandehuri e godet me thikë edhe vajzën e mitur të viktimës, e cila kishte tentuar të ndërhynte, duke i shkaktuar lëndime të rënda në zonën e krahërorit dhe barkut. Lëndimet e shkaktuara ndaj të dy viktimave janë konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore e datës 24.11.2025”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

    Tutje, thuhet se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

  • Lajmi i fundit: Dean Huijsen nuk do të luajë ndaj Olympiacos në kuader të Ligës së Kampionëve

    Lajmi i fundit: Dean Huijsen nuk do të luajë ndaj Olympiacos në kuader të Ligës së Kampionëve

    Real Madrid po përgatitet për udhëtimin e radhës në Greqi, ku do të përballet me Olympiacos në kuadër të Ligës së Kampionëve. Trajneri Xabi Alonso do të duhet të përballet me mungesën e disa lojtarëve kyç për këtë ndeshje të rëndësishme.

    Përveç portierit që do të mungojë për arsye të njohura, Dean Huijsen nuk do të jetë në dispozicion për sfidën ndaj grekëve. Mbrojtësi 20-vjeçar ka vazhduar të ketë probleme muskulore që e kanë penguar të stërvitet plotësisht këtë javë, dhe testet mjekësore kanë konfirmuar se ai nuk është gati për të udhëtuar.

    Huijsen, i cili ka luajtur pjesërisht ndaj Elche, do të humbasë një tjetër sfidë të rëndësishme, duke e detyruar Alonsos të bëjë ndryshime në mbrojtje për të ruajtur stabilitetin e skuadrës.

    Real Madrid vjen pas një serie prej tre ndeshjesh pa fitore, ndërsa barazimi ndaj Elches e ka ulur avantazhin në krye të La Ligës në vetëm një pikë. Ekipi do të kërkojë fitoren në Mesdhe, ku çdo pikë do të jetë vendimtare për vazhdimin e aventurës në Champions League.

  • AAK garon e vetme, Lekaj: VV ka rënie të ndjeshme në mbështetje

    AAK garon e vetme, Lekaj: VV ka rënie të ndjeshme në mbështetje

    Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të kenë ndikim të rëndësishëm në drejtimin politik të vendit dhe se partia e tij është e gatshme për këtë proces. Ai tha se AAK do të garojë e vetme, me Ramush Haradinajn si kandidat kryesor, duke theksuar se partia ka “strukturë të konsoliduar, program të qartë dhe lidership të provuar”.

    “Zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë ndër më vendimtaret për vendin. Ne jemi të përgatitur plotësisht për këto zgjedhje”, deklaroi Lekaj për lajmi.net, duke shtuar se qytetarët do të vlerësojnë seriozitetin e forcave politike.

    Ai komentoi edhe situatën e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën tha se po përballet me “rënien më të ndjeshme të mbështetjes” që nga ardhja në pushtet. Sipas tij, qytetarët janë zhgënjyer nga “mungesa e rezultateve”, menaxhimi i dobët i sektorëve kyç dhe konfliktet e vazhdueshme politike.

  • Shoferi i autobusit nga Teksasi shpallet më i vjetri në botë, 95 vjeç

    Shoferi i autobusit nga Teksasi shpallet më i vjetri në botë, 95 vjeç

    Një burrë 95-vjeçar nga Teksasi, i cili ka drejtuar autobusë urbanë për 27 vjet, u emërua shoferi më i vjetër i autobusit në botë nga libri i rekordeve Guinness.

    Burri nga Wichita Falls, Raymond Hager, ishte 94 vjeç e 176 ditë kur mosha dhe statusi i tij si shofer aktiv autobusi u verifikuan nga Guinness.

    “Unë jam shoferi më i vjetër i autobusit në botë”, tha Hager për KFDX/KJTL.

    Hager tha se filloi të drejtonte në moshën 14 vjeç dhe shpejt zbuloi se i pëlqente të drejtonte automjete më të mëdha, transmeton Telegrafi.

    Ai u bë shofer autobusi për Falls Ride, sistemin e transportit publik në Wichita Falls, rreth 27 vjet më parë.

    Hager tha se fillimisht planifikonte të dilte në pension në moshën 95 vjeç, por tani planifikon të vazhdojë të drejtojë për aq kohë sa të mbetet i shëndetshëm dhe i aftë.

    Qyteti i Wichita Falls nderoi arritjen e Hager duke shpallur 18 nëntorin si ditën e Raymond Hager.

    “Mirësi. Krenari. Krenar. Mirënjohës që isha bekuar. Djali i vogël fshatar që arriti diçka të tillë”, tha Hager. /Telegrafi/

  • “Uragani” Kane qëndron në Mynih: Nuk ka plane largimi

    “Uragani” Kane qëndron në Mynih: Nuk ka plane largimi

    Në intervistën e fundit për gazetën “Bild”, Harry Kane, 32 vjeç, ka lënë të kuptohet se nuk ka ndër mend të largohet nga Bayern Munich në fund të këtij sezoni, edhe pse në kontratën e tij me klubin bavarez ekziston një klauzolë shitjeje që hyn në fuqi në verën e 2026-ës.

    “As kam pasur kontakte me ndonjë klub tjetër, dhe as ndonjë klub nuk ka kërkuar të kontaktojë me mua. Ndihem shumë rehat me situatën aktuale, edhe pse ende nuk kam biseduar me Bayern-in për të ardhmen,” tha Kane, i cili ka shënuar 28 gola në 18 ndeshje zyrtare këtë sezon.

    “Jam shumë i lumtur në Mynih dhe nuk kemi nevojë të ngutemi për të diskutuar një kontratë të re. Fillimisht duhet të mbyllim sezonin dhe më pas Botërorin e 2026-ës. Por gjasat që të ndryshoj klubin verën e ardhshme janë të vogla,” shtoi sulmuesi i njohur. /ATVLIVE.TV