ATV

Blog

  • Albin Kurti: Rrëfimi i Behar Topillës, një nga dëshmitë më të fuqishme të masakrave serbe në Kosovë

    Albin Kurti: Rrëfimi i Behar Topillës, një nga dëshmitë më të fuqishme të masakrave serbe në Kosovë

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Behar Topillës, të vetmit të mbijetuar të masakrës së Shavarinave në Çikatovë të Vjetër, të kryer nga forcat serbe gjatë luftës në vitin 1999.

    Topilla, i cili kishte shpëtuar si 19-vjeçar nga pushkatimi masiv i 176 civilëve të zhvendosur, ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare në Suedi, pas një sëmundjeje.

    Kurti e cilësoi rrëfimin e Topillës si një nga dëshmitë më të fuqishme të masakrave të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe theksoi se kujtimi i tij do të mbetet i gjallë.

    Ai u shprehu ngushëllime familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.

  • Ish-presidenti brazilian urdhërohet të fillojë vuajtjen e dënimit me 27 vjet burg

    Ish-presidenti brazilian urdhërohet të fillojë vuajtjen e dënimit me 27 vjet burg

    Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, duhet të fillojë vuajtjen e dënimit me 27 vjet burg për një grushti shteti të dështuar, vendosi të martën gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes.

    Ekipi i mbrojtjes së ish-presidentit kishte zgjedhur të mos apeltote vendimin përfundimtar pas dënimit për grusht shteti në vitin 2022 kundër pasardhësit të tij, presidentit Luiz Inacio Lula da Silva.

    Si rezultat, Moraes kërkoi që dënimi të konsiderohej përfundimtar, duke hequr çdo mundësi për apel të mëtejshëm dhe duke vënë në lëvizje dënimin prej 27 vitesh për Bolsonaron, raporton cnn.

    Bolsonaro është në selinë e Policisë Federale të Brazilit që nga e shtuna, pasi ai u arrestua për ndërhyrje në hallkën monitoruese në kyçin e këmbës që i ishte vendosur me urdhër gjykate.

    Të shtunën, avokatët e Bolsonaros e përshkruan arrestimin e ish-presidentit si “të pajustifikueshëm” dhe pretenduan se shëndeti i tij është në rrezik gjatë periudhës së paraburgimit.

    Rasti që e çoi Bolsonaron në burg filloi pak pasi ai humbi garën për rizgjedhje në vitin 2022 ndaj Lula da Silvës. Autoritetet federale thonë se ish-presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij pothuajse menjëherë filluan të hartonin një plan të paligjshëm për të mbajtur presidencën, duke çuar ndër të tjera në një sulm dramatik më 8 janar 2023 ndaj godinave qeveritare në Brazilia nga mbështetësit e Bolsonaros.

    Pas rizgjedhjes së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump – aleat i Bolsonaros – në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara filluan së shpejti të komentojnë mbi rastin si një çështje të politikës së jashtme. Në muajin korrik, Trump madje vendosi tarifa të larta mbi disa eksporte braziliane, duke i bërë presion Brazilit të heqë dorë nga ajo që ai e quajti një “gjueti shtrigash” kundër Bolsonaros.

    Megjithatë, deri në momentin kur Bolsonaro u mor në paraburgim gjatë fundjavës, Shtëpia e Bardhë kishte krijuar përjashtime nga tarifat për eksportet më të mëdha të Brazilit. I pyetur të shtunën për arrestimin e Bolsonaros, Trump u tha gazetarëve se nuk kishte dëgjuar për të, por se ishte “mëkat”.

  • Vazhdon protesta, as sot s’ka transport publik në Prishtinë

    Vazhdon protesta, as sot s’ka transport publik në Prishtinë

    Banorët e Prishtinës, për të tretën ditë me radhë janë detyruar që të bëjnë zgjidhje alternative në mungesë të transportit publik. Për pasojë, kolona të gjata janë krijuar në kryeqytet e qytetarët janë përballur me pritje të gjata, ndërkohë që Qeveria në detyrë dhe zyrtarët komunalë kanë vazhduar akuzat ndaj njëri-tjetrit për situatën e komplikuar në komunë.

    Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe ata privatë protestuan dje para Komunës së Prishtinës e Qeverisë duke kërkuar që t’u bëhet pagesa.

    Në një formë tjetër të protestës, ata për më shumë se dy orë pranë objektit të Komunës së Prishtinës dhe po ashtu pranë objektit të Qeverisë, vendosën autobusët.

    Në këtë segment të rrugës që lidh dy institucionet u krijuan kolona të gjata.

    Sindikalistët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve publiko-privat kanë thënë se grevën do ta vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha dje se sa i përket situatës me punëtorët e Trafikut Urban, Ministrit Muratit as që i intereson kjo pjesë.

    Tha se i ka bllokuar edhe fonde të tjera, teksa pjesëmarrja e tij në protestën e punëtorëve tha se erdhi me ftesë të tyre.

    “I kanë bllokuar edhe fondet e tjera, edhe fondin për investime kapitale e shumë fonde tjera që na kanë pamundësu me i kry punët në kryeqytet, e me na qit neve keq që me i fitu zgjedhjet. Ministrit në detyrë nuk i intereson, pa asnjë emocion sillet ndaj protesuesve. Më ftuan dhe u bashkangjita”.

    Ai tha se punëtorët kanë punuar me muaj të tërë pa pagesë, me shpresën se pas zgjedhjeve do të paguhen.

  • Horoskopi sot: Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

    Horoskopi sot: Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

    Dashi

    Ditë e bukur dhe me diell kjo e sotmja për të dashuruarit. Do kaloni çaste të mrekullueshme me atë që dashuroni dhe do mendoni se si ta bëni edhe të ardhmen po kaq të bukur. Beqarët do lodhen së kërkuari, por fatkeqësisht pa shumë fat. Gjendja financiare do fillojë dalëngadalë të konsolidohet. Bëni mirë t’i logaritni gjërat para se të kryeni çdo lloj shpenzimi.

    Demi

    Do ketë goxha mosmarrëveshje në çift gjatë kësaj dite. Do mërziteni pa masë dhe do kërkoni të largoheni nga ambienti ku ndodheni. Nëse jeni ende beqarë, do arrini më në fund të hidhni hapat e para drejt krijimit të një lidhjeje. Në planin financiar do keni fat me shumicë dhe do e përmirësoni dalëngadalë gjendjen. Borxhet shlyejini pak më vonë.

    Binjakët

    Do afroheni mjaft me partnerin tuaj gjatë kësaj dite dhe do keni mundësi të diskutoni edhe për tema delikate. Beqarët do kenë disa takime interesante dhe do arrijnë të bëjnë zgjedhjen e duhur. Shumë gjëra do ndryshojnë për ta. Gjendja e financave nuk do jetë shumë e mirë. Mundohuni të mos shpenzoni pa fund në mënyrë që të mos keni vështirësi më të mëdha.

    Gaforrja

    Ditë e mbushur me surpriza si pozitive ashtu edhe negative kjo e sotmja. Herë do dashuroheni me furi dhe herë do debatoni shumë ashpër me partnerin. Beqarët do ndihen gati për njohje të reja dhe nuk do ndalen për asnjë çast së kërkuari. Në planin financiar do iu duhet të merrni disa vendime me rëndësi në mënyrë që gjërat të ndryshojnë.

    Luani

    Ditë goxha e qetë dhe pa asnjë vështirësi kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Merrini gjërat si t’iu vijnë pa u sforcuar të bëni gjëra me inat. Beqarët do kenë një ditë normale dhe pa ndonjë takim shumë të veçantë. Duhet të bëjnë edhe pak kohë durim. Për financat do jetë ditë pozitive. Planetët do iu tregojnë rrugën e duhur për ta stabilizuar gjendjen.

    Virgjëresha

    Dashuria në çift do jetë e mbrojtur gjatë gjithë kohës sot. Edhe pse të shumtë do jenë personat që do mundohen t’ua prishin planet, nuk do ja dalin dot mbanë. Beqarët do e gjejnë më në fund personin e përshtatshëm dhe do fillojnë menjëherë një lidhje. Për financat nuk do keni për çfarë të shqetësoheni. Gjendja do jetë më e mirë nga sa mendonit.

    Peshorja

    Zjarri i pasionit do ndizet fort gjatë kësaj dite. Do i sqaroni të gjitha mosmarrëveshjet dhe do mendoni se si të krijoni një ambient sa më romantik. Idetë nuk do mungojnë nga të dyja palët. Për beqarët do ketë çështje shumë më të rëndësishme sesa dashuria. Financat do mbeten të qëndrueshme. Do mund të shpenzoni pa frikë për gjërat më të domosdoshme.

    Akrepi

    Do argëtoheni pa fund me partnerin tuaj gjatë kësaj dite dhe nuk do keni çfarë të kërkoni më shumë nga jeta. Edhe beqarët do ndihen të bekuar nga yjet, pasi do takojnë princin e tyre të kaltër. Gjithçka do ndryshojë rrënjësisht për ta. Financat do jenë të paekuilibruara. Duhet të vazhdoni të përkujdeseni kur të kryeni shpenzime, në mënyrë që gjendja të mos përkeqësohet më tej.

    Shigjetari

    Falë ndihmës që do iu japë sot Venusi, do kaloni një ditë të paqtë pranë atij që dashuroni. Do merreni vesh për gjithçka me njëri-tjetrin. Beqarët do kenë mundësi për aventura të njëpasnjëshme dhe mjaft emocionuese. Koha duhet shfrytëzuar deri në maksimum. Financat do i organizoni si duhet dhe nuk do shpenzoni më shumë sesa duhet.

    Bricjapi

    Ditë shumë e këndshme kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Të dy do i përkushtoheni njëri-tjetrit dhe do mundoheni në çdo çast ta përforconi sa të mundni lidhjen. Beqarët do ndihen gati si për aventura, ashtu edhe për lidhje serioze. Mundësitë do jenë të mira, mjafton t’i shfrytëzoni. Financat do jenë në një gjendje goxha të mirë.

    Ujori

    Të dashuruarit nuk do kenë asgjë për çfarë të qahen. Secili do bëjë aq sa mundet për të ruajtur harmoninë dhe alegri­në. Beqarët do marrin propozime nga persona të mrekullueshëm dhe, për më tepër, me pozitë. Nuk duhen humbur për asnjë arsye këto mundësi. Në planin financiar do jeni të përgjegjshëm dhe nuk do hidhni hapa të gabuara.

    Peshqit

    Do tërhiqeni nga një person tjetër gjatë kësaj dite dhe ka mundësi ta tradhtoni partnerin. Kjo do jetë shkatërruese për lidhjen që keni ndërtuar deri më sot. Beqarët do fillojnë shpejt një histori dashurie pasionante. Në planin financiar do keni shumë vështirësi për t’ia dalë mbanë dhe kjo për shkak të çmendurive që keni bërë deri më sot.

  • Sot fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës – qytetarët kanë afat 11 ditë për aplikim

    Sot fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës – qytetarët kanë afat 11 ditë për aplikim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 26 nëntor ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për RTKLive detaje për periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila do të përmbyllet më 6 dhjetor 2025.

    Elezit ka thënë se “gjatë kësaj periudhe 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi mund të bëhet përmes (1) platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë”.

    Më tej, Elezi ka treguar se “në momentin e regjistrimit, votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës”.

    Po ashtu, Elezi ka sqaruar se “në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës”.

    Sipas afateve të vendosura nga KQZ, votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 27 dhjetor 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.

    Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025.

  • Parashikimi i motit për sot: Vranësira gjatë ditës dhe reshje të herëpashershme

    Parashikimi i motit për sot: Vranësira gjatë ditës dhe reshje të herëpashershme

    Këtë të mërkurë vendi do të përfshihet nga mot kryesisht i vranët, ndërsa në zona të caktuara priten edhe riga të herëpashershme shiu.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të luhaten nga 3 deri në 5 gradë Celsius.

    Ndërsa temperaturat maksimale që pritet të arrijnë nga 10 deri në 13 gradë Celsius.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit, me një shpejtësi të lehtë prej 1 deri në 5 metra për sekondë.

  • Italia miraton ligjin që dënon vrasësit e grave me burgim të përjetshëm

    Italia miraton ligjin që dënon vrasësit e grave me burgim të përjetshëm

    Parlamenti i Italisë miratoi të martën një ligj që fut femicidin në ligjin penal të vendit dhe e dënon atë me burgim të përjetshëm.

    Votimi përkoi me ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, një ditë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

    Ligji fitoi mbështetje dypartiake nga shumica e qendrës së djathtë dhe opozita e qendrës së majtë në votimin përfundimtar në Dhomën e Ulët, duke kaluar me 237 vota pro.

    Ligji, i mbështetur nga qeveria konservatore e kryeministres Giorgia Meloni, vjen në përgjigje të një serie vrasjesh dhe dhune tjetër që synon gratë në Itali.

    Ai përfshin masa më të forta kundër krimeve me bazë gjinore, duke përfshirë ndjekjen dhe pornografinë hakmarrëse.

    Rastet e profilit të lartë, të tilla si vrasja në vitin 2023 e studentes universitare Giulia Cecchettin, kanë qenë kyçe në protestën dhe debatin e përhapur publik rreth shkaqeve të dhunës ndaj grave në kulturën patriarkale të Italisë.

  • Miss Norvegjia hedh akuza të rënda ndaj “Miss Universe 2025”

    Miss Norvegjia hedh akuza të rënda ndaj “Miss Universe 2025”

    Miss Universe Norway, Leonora Lysglimt-Rødland, e cila u bë një sensacion viral falë kostumit të saj ngjyrë salmoni, trazoi publikun me pretendimet se rezultati i konkursit Miss Universe 2025 ishte i ndarë më herët.

    Përfaqësuesja norvegjeze pretendon se lista e 10 finalisteve më të mira ishte bërë e ditur ditë para vetë finales.

    Në një transmetim të drejtpërdrejtë të kohëve të fundit në mediat sociale, Lysglimt-Rødland shprehu zhgënjimin e saj.

    “Miss Universe kishte zgjedhur 10 më të mirat para finales, rreth 15 ditë më parë. Kështu që të gjithë u zhgënjyem shumë kur e dëgjuam këtë”, deklaroi ajo.

    Akuzat e saj vijnë menjëherë pasi meksikanja Fátima Bosch u kurorëzua Miss Universe 2025 në Nonthaburi të Tajlandës

  • Ky është ish-ushtari i UÇK’së që u arrestua në Serbi

    Ky është ish-ushtari i UÇK’së që u arrestua në Serbi

    Avni Qenaj nga fshati Romaj është ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili është arrestuar të martën në Serbi. Kjo u konfirmua nga nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla.

    “Avni Qenaj nga fshati Romaj dikun në rrethin të Prizrenit edhe ka shërby gjatë kohës së luftës në brigadën “138 Agim Ramadani””, tha Syla për Demos.

    Ai shtoi se arsyet e tij se pse ish-ushtari ka kaluar nga Serbia nuk i dijnë por ai ka lëvizur disa herë nga ky vend.

    “Ai ka lëvizë disa herë dhe nuk ka pas probleme”, tha ai.

    Tutje shtoi se ende nuk kanë pasur komunikim me familjen e ish-ushtarit.

  • Seanca në Asamblenë e Prishtinës, Vetëvendosje thotë se do t’i japë votat për bartjen e mjeteve nga viti 2024 në 2025

    Seanca në Asamblenë e Prishtinës, Vetëvendosje thotë se do t’i japë votat për bartjen e mjeteve nga viti 2024 në 2025

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se do të marrë pjesë dhe do të votojë pro bartjes së të hyrave vetanake të kryeqytetit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila do të mbahet të enjten, më 27 nëntor.

    Asamblisti i VV-së, Egzon Azemi, ka thënë se debati rreth ligjshmërisë së seancës nuk është në dorën e tyre, por në kompetencë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Sipas tij, seanca është thirrur shumë vonë dhe kjo ka krijuar polemika të panevojshme.

    “MAPL-ja është ajo që e vlerëson nëse është e ligjshme apo jo. Rama ka mundur ta thirr këtë seancë edhe në tetor, edhe në shtator, kur nuk do të kishte fare polemika. Por megjithatë, a është ligjore apo jo do të vendosin organet e tjera. Qëndrimi ynë është i qartë: do të marrim pjesë në seancë dhe do të votojmë për bartjen e mjeteve. Ne asnjëherë nuk kemi qenë bllokues të Kuvendit”, deklaroi Azemi në “60 Minuta” të KTV-së.

    Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga kryesuesi i Kuvendit Komunal për dy çështje kryesore: bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 dhe shqyrtimin e buxhetit të Prishtinës për vitin 2026.