ATV

Blog

  • Flick: Rashford po shkëlqen në “atmosferën e re” te Barcelona

    Flick: Rashford po shkëlqen në “atmosferën e re” te Barcelona

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka deklaruar se Marcus Rashford po lulëzon në mjedisin e ri katalanas pas huazimit të tij nga Manchester United, duke theksuar se ndryshimi i atmosferës ka qenë vendimtar për rikthimin në formë.

    Sulmuesi i Anglisë është rikuperuar nga gripi që e mbajti jashtë fushës në fitoren 4-0 ndaj Athletic Bilbaos në fundjavë, dhe tashmë është gati për ndeshjen e së martës në Champions League kundër Chelseat në “Stamford Bridge”.

    Rashford ka shënuar gjashtë gola deri tani për Barcelonën, ku katër prej tyre kanë ardhur pikërisht në Champions League. Kalimi në “Spotify Camp Nou” e ka ndihmuar të rigjejë besimin dhe ritmin pas konfliktit të tij me trajnerin e Manchester United, Ruben Amorim.

    “Jam i lumtur që e kam në ekip, që po luan për Barçën,” u shpreh Flick.

    “E kam ndjekur gjatë gjithë karrierës së tij dhe gjithmonë më ka impresionuar cilësia dhe aftësia që ka në zonë. Tani po i tregon ato edhe në Barcelonë.”

    Trajneri gjerman shtoi se ambienti i ri ka bërë diferencën:

    “Ky ndryshim për të, një stil i ri futbolli, në Barcelonë, me mot të mirë… Për mua është e pabesueshme ta shoh gjithmonë duke buzëqeshur. Kjo është atmosfera që kemi, dhe është perfekte për të.”

    Rashford duket tashmë i integruar plotësisht në projektin e Flick dhe po tregon versionin e tij më të mirë në një fazë të rëndësishme të sezonit.

  • Raphinha prekës pas pritjes së tifozëve: “Ajo që ndodhi javën e kaluar do të më shoqërojë gjithë jetën”

    Raphinha prekës pas pritjes së tifozëve: “Ajo që ndodhi javën e kaluar do të më shoqërojë gjithë jetën”

    Ylli brazilian Raphinha ka folur me emocion pas mbështetjes së jashtëzakonshme që mori nga tifozët e Barcelonës në Camp Nou, duke e quajtur përvojën “një moment që do të mbetet përgjithmonë në zemër”.

    “Ajo që ndodhi javën e kaluar do të qëndrojë me mua për pjesën tjetër të jetës sime…,” u shpreh ai.

    “Prisja duartrokitje, por jo diçka aq të madhe sa ajo që bënë tifozët në Camp Nou.”

    Raphinha tregoi se momenti ishte aq i jashtëzakonshëm, saqë emocionet e kanë shoqëruar edhe gjatë procesit të ngrohjes.

    “Mendoj se ata filluan të më duartrokasin që në momentin kur u çova të ngrohesha. Ishte diçka shumë speciale,” tha ai.

    Braziliani shtoi se nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen e madhe që mori nga çdo cep i stadiumit.

    “I gjithë stadiumi po duartrokiste dhe thërriste emrin tim. Është diçka që do ta mbaj me vete për gjithë jetën.”

    Ky reagim vjen pas një periudhe sfiduese për futbollistin, i cili ishte i lënduar, dhe u rikthye fundjaven që lam pas, ndërsa tifozët i kanë shprehur mbështetje të pakushtëzuar. Atmosfera në Camp Nou ka qenë një dëshmi e lidhjes së tij të fortë me fanellën blaugrana dhe e ndikimit që ai ka te publiku katalanas.

  • Hamza iu drejtohet qytetarëve: Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës – ma jepni besimin

    Hamza iu drejtohet qytetarëve: Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës – ma jepni besimin

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka publikuar një videoadresim drejtuar qytetarëve, ku ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe ka kërkuar besimin për të udhëhequr vendin.

    Duke iu drejtuar qytetarëve, Hamza ka thënë se vota e tyre, do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës.

    “Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një përgjegjësi e rëndësishme, por një mundësi e madhe për ndryshim,” ka thënë Hamza.

    Ai ka thënë se janë dy rrugë para.

    “A do ta kemi një qeveri stabile, një qeveri që na bashkon të gjithëve dhe një Kryeministër që u shërben me të vërtetë qytetarëve? Apo do të vazhdojmë me të njëjtin avaz të krizave, përçarjeve e papërgjegjësisë?!”

    Hamza ka kërkuar besimin e qytetarëve për të udhëhequr vendin.

    “Unë e zgjedh të parën, prandaj sot po e kërkoj besimin tuaj. Ma jepni besimin që unë ta rikthej stabilitetin në Kosovë.”

    Ai ka premtuar kabinet profesional dhe të përgjegjshëm.

    “Më besoni që unë ta formoj një qeveri me njerëz të aftë dhe të ndershëm. Një qeveri që i mban premtimet dhe që i vendos qytetarët në radhë të parë. Më besoni që unë të udhëheq me transparencë, me përgjegjësi dhe me rezultate, për t’i sjellë Kosovës zhvillim dhe mirëqenie”, ka thënë ai.

    Kreu i PDK-së, përshkruan gjendjen aktuale në vend si të rënduar.

    “Sot, Kosova është e rënduar nga krizat. Jetojmë nën një mjegull pasigurie dhe jostabiliteti. Ndërkohë që shohim çdo ditë se si shpresa tek të rinjtë tanë është zbehur”, ka deklaruar Hamza.

  • OKB: Çdo 10 minuta vritet një grua në familje

    OKB: Çdo 10 minuta vritet një grua në familje

    Organizata e Kombeve të Bashkuara, në rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave ka nxjerrë shifra alarmante.

    Përafërsisht çdo dhjetë minuta, një grua ose vajzë bie viktimë e dhunës vdekjeprurëse brenda një marrëdhënieje ose familjes, vlerëson OKB.

    Vitin e kaluar, rreth 83.000 gra në mbarë botën u vranë qëllimisht dhe në rreth 60 përqind të këtyre rasteve, autori i krimit ishte një anëtar i familjes ose partner, njoftoi OKB.

    Vrasjet e grave shpesh janë pjesë e një “dhune në vazhdimësi”, tha Sarah Hendriks, Drejtoreshë e Politikave në UN Women.

    “Ajo fillon me kontrollin, kërcënimet dhe ngacmimet, përfshirë ato në internet. Çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetë e sigurt në të gjitha aspektet e jetës së saj. Shtetet duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar këto vrasje dhe për t’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë”, shtoi Hendriks.

    Shifrat bazohen në të dhëna nga 117 vende. Sipas statistikave të OKB-së, femicidet – rastet e dhunës vdekjeprurëse në të cilat gratë vriten për shkak të gjinisë së tyre – janë veçanërisht të shpeshta në vendet afrikane. Amerika e Jugut dhe e Veriut vijnë pas tyre. Ndërsa ende mjaft femicide ndodhin në shumë vende aziatike dhe evropiane, numri i tyre është relativisht më i ulët në krahasim me popullsinë.

    Një studim i kohëve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) zbuloi se më shumë se 30 përqind e të gjitha grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë në një moment të jetës së tyre. OBSH vlerëson se ka 840 milionë viktima.

    Për më shumë se tre dekada, 25 nëntori në mbarë botën kujtohet si “Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”. Në këtë ditë aksioni të njohur edhe si “Dita Portokalli” ndërtesat ndriçohen në ngjyrë portokalli, zhvillohen mitingje e evenimente të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën e përhapur ndaj grave dhe vajzave.

  • Real Madrid beson tek Xabi Alonso-Nuk do të ketë shkarkim nga posti i trajnerit

    Real Madrid beson tek Xabi Alonso-Nuk do të ketë shkarkim nga posti i trajnerit

    Klubi mbretëror spanjoll Real Madrid, ka marrë vendim lidhur me të ardhmen e Xabi Alonsos në stolin e “Los Blancos”.

    Përkundër rezultateve jo të mira në ndeshjet e fundit Alonso ka besimin e drejtuesve të Realit,dhe se një shkarkim i mundshëm nuk do të ndodhë.

    Përndryshe Alonso nuk pati marrëdhënie të mira me lojtarët kohëve të fundit,dhe sidomos me yllin brazilian Vinicius Jr ku ky i fundit nuk pajtohej me vendimet e teknikut.

    Në anën tjetër tek Real Madrid janë të bindur se Alonso mund të udhëheqë ekipin drejtë synimeve të këtij sezoni,dhe se lojtarët duhet të iu përmbahen udhëzimeve që jep trajneri.

    Kujtojmë që Xabi Alonso ka marrëveshje trevjeçare me Real Madridin.

  • Rodri dhe Kovacic mungojnë ndaj Leverkusen – Guardiola konfirmon situatën e dy mesfushorëve

    Rodri dhe Kovacic mungojnë ndaj Leverkusen – Guardiola konfirmon situatën e dy mesfushorëve

    Rodri dhe Mateo Kovaçiç nuk do të jenë gati për ndeshjen e Manchester City-t në Champions League kundër Bayer Leverkusen sonte.

    Megjithatë, trajneri Pep Guardiola konfirmoi se rikthimi i Rodrid nuk do të vonojë shumë, por klubi do të tregojë kujdes të shtuar para se ta rikthejë në fushë.

    “Kur të kthehet, do të presim edhe pak për t’u siguruar që është 100% mirë,” deklaroi Guardiola.

    Rodri ka munguar në tre ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi në kofshë, ndërsa Kovaçiç ka qenë jashtë fushës për shkak të një problemi në kyçin e këmbës.

  • iPhone Fold pritet të kushtojë më shumë se 2,000 dollarë

    iPhone Fold pritet të kushtojë më shumë se 2,000 dollarë

    Thuhet se iPhone i parë i palosshëm nga Apple do të lançohet vitin e ardhshëm.

    iPhone Fold (emri i pritur) nuk do të jetë i lirë, dhe një analist ka ndarë çmimin e pritur të pajisjes së palosshme.

    Sipas një analisti të Fubon Research, i cili e bazon vlerësimin në të dhënat e zinxhirit të furnizimit dhe kërkesat e marzhit të Apple, iPhone Fold pritet të kushtojë rreth 2,399 dollarë.

    Në krahasim, Samsung Galaxy Z Fold7 fillon nga 1,999 dollarë, kështu që nuk është për t’u habitur që iPhone i palosshëm i Apple do të ketë një çmim më të lartë.

    Fubon Research beson se kostot e materialeve të iPhone Fold për panelin e ekranit, menteshën dhe komponentët e lehtë janë arsyeja pas çmimit më të lartë.

    Megjithatë, analisti pret që Apple të shesë 15.4 milionë njësi të iPhone të palosshëm, duke përfshirë 5.4 milionë njësi në vitin 2026.

    Thuhet se iPhone Fold do të ketë një ekran fleksibël 7.58 inç pa palosje dhe një ekran mbulues 5.8 inç. Gjithashtu, pritet të ofrojë një bateri më të madhe se iPhone 17 Pro Max.

  • PSG dhe Real Madrid futen në garë për Upamecanon – mbrojtësi francez mund të jetë i lirë verën e ardhshme

    PSG dhe Real Madrid futen në garë për Upamecanon – mbrojtësi francez mund të jetë i lirë verën e ardhshme

    Sipas Florian Plettenberg dhe Jonas Gerhartz nga Sky Germany, Paris Saint-Germain i është bashkuar Real Madridit në interesin për të transferuar Dayot Upamecanon në verën e ardhshme, me një marrëveshje të lirë.

    Kontrata e mbrojtësit francez me Bayern Munich skadon në qershor 2026, dhe klubi bavarez po përpiqet ta bindë 27-vjeçarin të firmosë një kontratë të re afatgjatë. Bayern dëshiron ta zgjasë marrëveshjen deri në vitin 2030 ose 2031, por deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje.

    Në një intervistë ekskluzive për Sky Germany, drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, e quajti rinovimin e kontratës së Upamecanos “prioritetin e tij kryesor”.

    Megjithatë, situata ka marrë një kthesë të re: PSG tashmë ka hyrë seriozisht në garë dhe është gati të ofrojë një marrëveshje të rëndësishme verën e ardhshme, nëse Upamecano vendos të largohet nga Mynihu.

  • Arrestohen edhe 4 persona të tjerë për vjedhjen e bizhuterive me vlerë 102 milionë dollarë në Luvër

    Arrestohen edhe 4 persona të tjerë për vjedhjen e bizhuterive me vlerë 102 milionë dollarë në Luvër

    Rrethi i hetimeve për grabitjen spektakolare në Muzeun e Luvrit është ngushtuar sërish. Prokuroria e Parisit njoftoi këtë të martë arrestimin e katër personave të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në vjedhjen e bizhuterive historike me një vlerë prej 102 milionë dollarësh, ngjarje e ndodhur në tetor të këtij viti.

    Të arrestuarit e rinj

    Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, e cila drejton hetimin, bëri të ditur se në pranga kanë rënë dy burra dhe dy gra. Të arrestuarit janë banorë të rajonit të Parisit dhe kanë moshën nga 31 deri në 40 vjeç. Ndonëse deklarata zyrtare nuk specifikoi rolin e tyre të saktë në vjedhjen e 19 tetorit, policia ka të drejtë t’i mbajë ata në paraburgim deri në 96 orë për t’i marrë në pyetje.

    Këto arrestime vijnë pas akuzave të ngritura më herët ndaj tre burrave dhe një gruaje tjetër, të arrestuar në tetor për “grabitje dhe komplot kriminal”.

    Një “thesar” ende i zhdukur

    Pavarësisht arrestimeve të njëpasnjëshme, sendet e vjedhura nuk janë gjetur ende. Inventari i objekteve të humbura përfshin pjesë të një rëndësie të jashtëzakonshme historike:

    Një gjerdan me diamante dhe smeralde, dhuratë e Napoleonit për Perandoreshën Marie-Louise;

    Bizhuteri që i përkisnin mbretëreshave të shekullit të 19-të, Marie-Amélie dhe Hortense;

    Diadema me perla dhe diamante e Perandoreshës Eugénie.

    E vetmja pjesë e rikuperuar është kurora perandorake me smerald e Perandoreshës Eugénie (me mbi 1,300 diamante), e cila u gjet e braktisur jashtë muzeut menjëherë pas ngjarjes.

    8 minuta si në filma

    Detajet e grabitjes kanë shokuar opinionin publik dhe ekspertët e sigurisë. Sipas hetimeve, bandës i mjaftuan më pak se tetë minuta për të kryer vjedhjen. Ata hynë me forcë përmes një dritareje në Galerinë e zbukuruar Apollo, përdorën prerës disqesh për të hapur vitrinat e blinduara dhe u larguan përmes një ashensori mallrash, për t’u zhdukur më pas me shpejtësi me ndihmën e bashkëpunëtorëve që i prisnin me skutera.

    Siguria në Luvër nën akuzë

    Grabitja e guximshme gjatë ditës ka vënë në qendër të kritikave masat e sigurisë në muzeun më të vizituar në botë. Senatorët francezë kanë deklaruar se siguria në Luvër “nuk është në përputhje me standardet moderne”, ndërsa ministri francez ka premtuar instalimin e pajisjeve të reja anti-ndërhyrje pas mangësive të zbuluara nga raporti i pas-ngjarjes.

  • Fituesi i Topit të Artë, Ousmane Dembélé, mund të rikthehet ndaj Tottenham – PSG merr një shtysë para ndeshjes së madhe

    Fituesi i Topit të Artë, Ousmane Dembélé, mund të rikthehet ndaj Tottenham – PSG merr një shtysë para ndeshjes së madhe

    Ousmane Dembélé mund të rikthehet për Paris Saint-Germain në ndeshjen e së mërkurës kundër Tottenhamit në Champions League, e cila luhet në “Parc des Princes”.

    Fituesi i Topit të Artë ka kaluar një sezon të mbushur me probleme dëmtimesh, duke u aktivizuar vetëm në nëntë ndeshje pas dy lëndimeve të veçanta që e larguan nga fusha për periudha të gjata.

    Megjithatë, pas stërvitjes së tij të plotë të së martës, trajneri Luis Enrique pranoi se shanset për një rikthim janë të mëdha.

    “Ai është stërvitur mirë. Do të shohim nesër. Nëse nuk ka ndonjë problem, do të jetë në skuadër,” tha Enrique para gazetarëve.

    Kjo është një shtysë e rëndësishme për PSG-në para një sfide vendimtare, sidomos pas humbjes në shtëpi ndaj Bayern Munich në ndeshjen e fundit europiane në fillim të muajit.

    Kjo do të jetë përballja e dytë mes PSG dhe Tottenham këtë sezon, pas një ndeshjeje dramatike në Superkupën e UEFA-s në gusht. Spurs ishin në epërsi 2–0 dhe pranë një fitoreje historike, por Dembélé udhëhoqi një rikthim të jashtëzakonshëm, me PSG-në që fitoi më pas me penallti pas barazimit 2–2.

    PSG kishte vetëm një javë në përgatitjet parasezonale para asaj ndeshjeje në Udine, dhe Luis Enrique paralajmëroi se këtë herë ndeshja do të jetë krejt tjetër, ai po ashtu theksoi se PSG tani është më e përgatitur për të qenë skuadër dominante