ATV

Blog

  • Xhaketat e lëkurës, pesë ide të reja për ta veshur këtë sezon

    Xhaketat e lëkurës, pesë ide të reja për ta veshur këtë sezon

    Ajo është një nga ato veshje të jashtme të përjetshme që, për arsye të kuptueshme, e lëmë mënjanë gjatë verës. Por tani që dimri ka mbërritur zyrtarisht, më në fund mund ta rikthejmë sërish në garderobën tonë.

    A jeni gati të nxirrni xhaketat prej lëkure nga dollapi? Qoftë një model klasik motorçiklisti me xhepa dhe zinxhirë, apo një pallto më e sofistikuar dhe e gjithanshme, ky është momenti i duhur për t’u dhënë atyre rolin kryesor në veshjet e stinës. Një pallto lëkure është një nga pjesët më praktike dhe më të gjithanshme që mund të keni. Ajo sjell ngrohtësinë e duhur për ditët e ftohta, kombinohet lehtësisht nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe përshtatet po aq mirë me rroba të lehta, një bluzë të bardhë të thjeshtë dhe xhinse, ose me një fustan.

    Në varësi të prerjes dhe detajeve, xhaketa e lëkurës mund të transmetojë elegancë dhe finesë, ose një energji rock n’ roll. Madje, me veshje leshi brenda, mund t’ju mbajë ngrohtë edhe në dimër.

    Për më tepër, trendet më të fundit nga Javët e Modës i kanë rikthyer ato fuqishëm, duke na ofruar plot ide frymëzuese për këtë sezon. Më poshtë janë pesë mënyra të veçanta për t’i veshur:

    Zgjidhni një xhaketë me prerje të madhe dhe kombinojeni me xhinse të gjera dhe atlete, për një pamje moderne dhe shumë aktuale.

    Nëse nuk doni të largoheni nga zona e rehatisë, investoni në një bluzë prej lëkure. Është e bukur, e lehtë për t’u kombinuar dhe mban pamjen në qendër të vëmendjes.

    Për një pamje mbrëmjeje, kombinoni një fustan maxi me një xhaketë lëkure të rehatshme dhe balerina të sheshta, të plotësuara me geta transparente.

    Provoni kombinimin e një minifundi me çizme deri te kyçi dhe një xhakete lëkure të butë e të rehatshme.

    Si alternativë, zgjidhni një xhaketë lëkure të ngushtuar në bel me rrip, të kombinuar me pantallona të gjera dhe balerina ose mokasina — një zgjidhje ideale për ditët e ftohta.

  • Izraeli nis një operacion të ri në Bregun Perëndimor

    Izraeli nis një operacion të ri në Bregun Perëndimor

    Ushtria izraelite njoftoi më 26 nëntor për një operacion të ri “kundër terrorizmit” në veri të Bregut të okupuar Perëndimor.

    Ushtria dhe shërbimi i brendshëm i sigurisë thanë përmes një deklarate të përbashkët se “nisëm të operonim si pjesë e një operacioni të gjerë kundër terrorizmit në zonën e Samarisë së Veriut” – duke përdorur termin biblik izraelit për një pjesë të Bregut Perëndimor.

    Ndërkaq, në një përgjigje për AFP-në ushtria izraelite tha se operacioni është i ri dhe nuk është pjesë e operacionit të saj kundër terrorizmit që nisi në janar të këtij viti, i cili kryesisht shënjestron kampet e refugjatëve palestinezë.

    Dhuna në Bregun Perëndimor, që Izraeli e ka okupuar që nga viti 1967, është rritur që kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023, duke nxitur luftën në Gazë.

    Dhuna nuk është ndalur pavarësisht armëpushimit të brishtë që është në fuqi në Gazë që nga 10 tetori.

    Trupat izraelite ose kolonët kanë vrarë më shumë se 1.000 palestinezë – shumica nga ta militantë, por edhe dhjetëra civilë – në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës, sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

    Të paktën 44 izraelitë, përfshirë ushtarë dhe civilë, janë vrarë gjatë sulmeve palestineze ose gjatë operacioneve ushtarake izraelite, sipas të dhënave zyrtare të Izraelit.

  • Leard Sadriu drejt hapit më të madh të karrierës

    Leard Sadriu drejt hapit më të madh të karrierës

    Pas vetëm 6 muajsh fantastikë në Rumani te ekipi FC Arges, mbrojtësi kosovar Leard Sadriu është gati të bëjë një lëvizje të madhe drejt futbollit gjerman.

    Me 17 paraqitje dhe 2 gola është një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit rumun.
    po ashtu, është grumbulluar rregullisht me Kombëtaren e Kosovës, por numëron 2 paraqitje.

    24-vjeçari nga Ferizaj ka rënë në sy të shumë klubeve evropiane, por Holstein Kiel ka fituar garën. Marrëveshja personale mes palëve është arritur ndërsa tani pritet vetëm që klubet Argeș dhe Kiel të mbyllin detajet e fundit.

    Argeș kërkon më shumë se 1 milion euro për ta lënë të largohet dhe bisedimet po vazhdojnë dhe transferimi pritet të finalizohet në fillim të janarit.

    Sadriu po e sheh kalimin në Bundesliga 2 si mundësinë më të mirë për rritje, në një kampionat shumë më të fortë dhe konkurrues.

    Ai kaloi Nga Ferizaj – Skënderbeu – Shkëndija – Mura – Argeș dhe tani drejt Gjermanisë, ku sipas transfermarkt vlera e tij aktuale është 500.000 mijë euro. /ATVLIVE.TV

  • Shpat Kasapi ishte konfirmuar si pjesë e banorëve të Big Brother VIP 5

    Shpat Kasapi ishte konfirmuar si pjesë e banorëve të Big Brother VIP 5

    Këngëtari i njohur shqiptar, Shpat Kasapi, ka vdekur të mërkurën në moshën 40-vjeçare.

    Dyshohet se 40-vjeçari, babai i një djali, ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku në zemër.

    Siç raporton TopChanel, Kasapi ishte konfirmuar që do të ishte pjesë e spektaklit më të madh të ‘reality show’ BigBrother Albania VIP 5.

    Ai ishte një nga këngëtarët më të dashur dhe më të njohur të muzikës shqiptare.

  • Nis dita e tretë e protestës, autobusët ‘gati’ për ta paralizuar kryeqytetin

    Nis dita e tretë e protestës, autobusët ‘gati’ për ta paralizuar kryeqytetin

    Punëtorët e Trafikut Urban, dhe të operatorëve privatë, kanë nisur ditën e tretë të protestës.

    Protesta vjen për shkak të mosmarrjes së pagave që disa muaj me radhë.

    Të martën, ata zbarkuan me autobusë nëpër rrugët e Prishtinës, nga Komuna deri te Qeveria, për të shprehur pakënaqësitë e tyre, derisa është paralajmëruar që njësojë do të veprohet edhe sot, por në periudhë kohore më të gjatë.

    Protestuesve për dy ditë me radhë iu bashkua edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për bllokim të buxhetit dhe për “sabotazh” ndaj Komunës.

    Ndërkohë, qytetarët e Prishtinës vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha në lëvizje, duke u detyruar të kërkojnë alternativa të tjera ose të ecin në këmbë për të përmbushur obligimet e përditshme.

    Situata po rëndohet çdo ditë, ndërsa zgjidhja duket ende larg.

  • Tovërlani te Prishtina, Hekuran Kryeziu në krye të Kosovës U21

    Tovërlani te Prishtina, Hekuran Kryeziu në krye të Kosovës U21

    Afrim Tovërlani është larguar nga Kombëtarja e Kosovës U21 për të marrë drejtimin e FC Prishtinës.

    Por pa kaluar as 24 orë, FFK ka marrë vendimin e ri, duke i besuar postin e selektorit të Kombëtares U21 ish-mesfushorit të Kosovës, Hekuran Kryeziut.

    Kryeziu konsiderohet një nga figurat e rëndësishme të Kombëtares dardane. Ai iu bashkua Kosovës në vitin 2015 dhe mbeti besnik fanellës dardane edhe pse kishte oferta nga Shqipëria. Deri tani, ai ka shërbyer si ndihmës i Tovërlanit te Kosova U21.

    Njoftimi i plotë i FFK-së:

    Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se përzgjedhësi i deritanishëm i Kombëtares U21, Afrim Tovërlani, është liruar nga detyra me kërkesë të tij dhe me marrëveshje të dyanshme, për t’u angazhuar si kryetrajner te FC Prishtina.

    FFK i shpreh falënderimet më të sinqerta Tovërlanit për punën e palodhshme dhe korrektësinë profesionale gjatë viteve të angazhimit në Kombëtaren U21, duke kontribuar në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe forcimin e ekipit.

    Nga tani, përgjegjësinë e përzgjedhësit të Kombëtares U21 do ta marrë Hekuran Kryeziu, i cili deri më tani ka qenë ndihmëstrajner i Tovërlanit. Kryeziu, me një karrierë të bujshme si futbollist, si në nivel klubesh, por po ashtu edhe me fanellën e Kombëtares dardane, do të vazhdojë punën bashkë me pjesën tjetër të stafit të trajnerëve, me synimin e vazhdimësisë së rezultateve pozitive dhe stabilitetit në ekipin kombëtar U21.

    Me këtë rast, FFK u uron sukses të dy trajnerëve në sfidat e tyre të reja, teksa do të vazhdojë të ndjekë frymën e profesionalizmit dhe afrimit të ish-futbollistëve të Kombëtares në detyra të reja. / ATVLIVE.TV

  • Përleshje mes të miturave në Gjilan, përdoret edhe thika

    Përleshje mes të miturave në Gjilan, përdoret edhe thika

    Një përleshje mes tri femrave të mitura ka ndodhur në rrugën “Tirana” të Gjilanit, pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.

    Policia ka bërë të ditur se gjatë incidentit është përdorur edhe një mjet i mprehtë – thikë.

    Të miturat e lënduara kanë marrë tretman mjekësor, ndërsa gjendja e tyre raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetë.

    Me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarat janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet si “lëndim i lehtë trupor”.

  • IHMK: Nga e enjtja temperaturat ulen, priten reshje bore

    IHMK: Nga e enjtja temperaturat ulen, priten reshje bore

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se nga e enjtja, ditët pasuese do të karakterizohen nga fusha termike më të ulëta, tipike dimërore, gjatë të cilave në zona malore, por edhe në disa vise të ulëta, priten reshje bore.

    Sipas IHMK-së, nga e enjtja deri të shtunën parashihet depërtimi i një mase të ftohtë ajrore me origjinë veriore, e cila “do të stabilizojë një regjim termik dukshëm më të ulët dhe do të gjenerojë kushte për mot të vranët dhe me reshje”.

    “Në zonat malore priten reshje të vazhdueshme bore, ndërsa në ultësira reshjet fillimisht do të paraqiten në formë të rigave të dobëta shiu, të cilat me rënien progresive të temperaturave do të transitojnë gradualisht në reshje bore”, thuhet në njoftim.

    Si rrjedhojë, edhe në disa zona të ultësirave priten intervale të shkurtra me reshje bore, kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes të së enjtes dhe të premtes, varësisht nga intensiteti i masës së ftohtë dhe profili termik i shtresës së ulët të atmosferës.

    Sipas IHMK-së, të enjten temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 4 deri në 6 gradë.

    Ndërsa të premten, temperaturat minimale parashihen të lëvizin nga 1 deri në 2 gradë, ndërsa maksimalet nga 4 deri në 6 gradë Celsius.

  • Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me nëntë ndeshje të tjera të fazës së ligës

    Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me nëntë ndeshje të tjera të fazës së ligës

    Pas disa dueleve interesante të zhvilluara mbrëmë në Ligën e Kampionëve, spektakli pritet të jetë edhe më i madh sonte, ku në program janë përballje tejet të forta.

    Dueli kryesor i mbrëmjes është ai mes Arsenalit dhe Bayern Munichut, që do të luhet në stadiumin “Emirates”. Të dyja skuadrat kanë treguar formë të jashtëzakonshme këtë edicion, duke kryesuar grupin me nga katër fitore në po aq ndeshje.

    Një tjetër sfidë madhore pritet të jetë ajo mes Atletico Madridit dhe Interit, në “Metropolitano”. “Los Colchoneros” synojnë t’i shkaktojnë nënkampionit të Evropës humbjen e parë të sezonit në Champions, pasi Interi ka katër fitore nga katër ndeshje. Ndërkohë, skuadra e Diego Simeones regjistron dy fitore dhe dy humbje deri tani.

    Një takim tjetër shumë interesant është ai mes kampionit aktual evropian, Paris Saint-Germain dhe Tottenhamit, në Paris. “Spurs” nuk kanë pësuar ende humbje këtë edicion, teksa PSG numëron tri fitore dhe një humbje.

    Liverpooli, ndërkohë, synon t’i japë fund formës së dobët me një fitore ndaj PSV Eindhoven në “Anfield”, ndërsa gjiganti spanjoll Real Madrid i shkon mysafir Olympiacosit në Greqi.

    Këto ndeshje fillojnë nga ora 21:00, ndërsa prej orës 18:45 zhvillohen dy ndeshje Copenhagen – Kairat Almaty dhe Pafos – Monaco. /ATVLIVE.TV

  • Arrestohen tri të mitura në Gllogoc, u rrahën mes vete

    Arrestohen tri të mitura në Gllogoc, u rrahën mes vete

    Tri vajza të mitura janë arrestuar të martën në Gllogoc, pasi që të njëjtat dyshohen për një rrahje mes veti.

    Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, të dyshuarat pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

    “Stacioni i Autobusëve, Gllogoc 24.11.2025 – 12:50. Më 25.11.2025 janë identifikuar dhe janë arrestuar tri femra të mitura, si të dyshuara, pasi me datën e lartcekur janë përfshirë në rrahje në mes veti. Me vendim të prokurorit, të dyshuarat pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport të policisë.