ATV

Blog

  • Këto shenja tregojnë se keni probleme me veshkat

    Këto shenja tregojnë se keni probleme me veshkat

    Veshkat janë organet jetësore kryesisht përgjegjëse për detoksifikimin e trupit. Nëse u ndodh diçka, i gjithë trupi vuan.

    Veshkat thithin lëndë ushqyese dhe ruajnë një ekuilibër të lëngjeve të trupit. Pavarësisht rëndësisë së tyre, nuk është gjithmonë e lehtë të identifikohen simptomat e mosfunksionimit të tyre.

    Është e rëndësishme të dini se funksioni i veshkave zvogëlohet me moshën, dhe zbulimi i hershëm i çdo problemi mund të jetë thelbësor për ruajtjen e shëndetit tuaj. Këtu kemi renditur shtatë simptoma që mund të tregojnë probleme me veshkat.

    Edemë

    Një funksion i veshkave është të ruajë ekuilibrin acid/bazë të trupit duke rregulluar lëngjet. Pra, nëse ka një grumbullim jonormal të lëngjeve në trup, kjo mund të nënkuptojë se diçka nuk shkon me veshkat. Ky grumbullim i lëngjeve mund të çojë në ënjtje, e cila zakonisht ndodh në duar, këmbë ose kyçe të këmbëve.

    Ndryshime në modelin e urinimit

    Nëse përjetoni ndryshime në modelin tuaj të urinimit, kjo mund të tregojë probleme me veshkat. Disa nga këto ndryshime mund të përfshijnë:

    Ndjenja e presionit gjatë urinimit,

    Gjak në urinë
    Urinim më pak i shpeshtë, por urina duket e errët kur nxirret jashtë
    Urina duket të jetë e shkumëzuar ose me flluska
    Shpesh zgjoheni në mes të natës dhe ndjeni nevojën për të urinuar.
    Skuqje

    Grumbullimi i acidit urik dhe produkteve të mbeturinave në trup mund të shkaktojë kruarje të lëkurës. Skuqjet janë një simptomë që mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh. Megjithatë, skuqjet e shkaktuara nga mosfunksionimi i veshkave janë më të thella dhe ndihen sikur shtrihen nën sipërfaqen e lëkurës, dhe trajtimet lokale nuk duket se funksionojnë.

    Dhimbje në këmbë dhe në pjesën e poshtme të shpinës

    Dhimbja në këmbë ose në pjesën e poshtme të shpinës mund të tregojë gurë në veshka, por mund t’i atribuohet edhe infeksioneve të veshkave. Nëse kjo ndodh, sëmundja mund të përparojë dhe të shoqërohet me simptoma të tjera, të tilla si vështirësi në urinim ose ndjesi djegieje gjatë urinimit. Është e rëndësishme të dallohet kjo simptomë nga dhimbja normale e muskujve.

    Shije e keqe në gojë

    Kur veshkat nuk arrijnë të largojnë toksinat, ato do të grumbullohen në trup. Kjo mund të shkaktojë një shije metalike në gojë dhe të çojë në erë të keqe të gojës. Gjithashtu mund të ndjeni sikur ushqimet që hani nuk kanë shije të mirë, veçanërisht mishrat. Kjo mund të ulë oreksin tuaj dhe të shkaktojë humbje peshe.

  • Vetëm një koalicion deri tani është paraqitur në KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Vetëm një koalicion deri tani është paraqitur në KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon periudha në të cilën partitë politike të regjistruara duhet të informojnë institucionin lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 përmes koalicioneve. Ky afat, i hapur më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025.

    Deri të mërkurën më 26 nëntor 2025, në orën 10:00, është paraqitur një koalicion për pjesëmarrje në zgjedhje.

    Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    “Deri më tani (e mërkurë, 26 nëntor 2025, ora 10:00), KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e një koalicioni për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim: PAI – PDAK – LPB, i përbërë nga partitë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike”, ka deklaruar Elezi.

    Ai shtoi se partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ.

    “Gjithashtu, partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, theksoi Elezi.

  • Hedhet shorti për Kupën e Kosovës – skuadrat e Superligës shmangin njëra-tjetrën në raundin e radhës

    Hedhet shorti për Kupën e Kosovës – skuadrat e Superligës shmangin njëra-tjetrën në raundin e radhës

    Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës është zhvilluar sot shorti për fazën e ardhshme të Kupës së Kosovës, ku ekipet elitare kanë pasur fat duke mos u përballur mes vete. Në letër, të gjitha 10 skuadrat e Superligës konsiderohen favorite për të kaluar në rundin tjetër.

    Prishtina, fituese në fuqi e trofeut, do të ketë përballë skuadrën e Top Football-it. Ndërkohë, Ballkani do të luajë në shtëpi ndaj Rilindjes 1987 – ekip që dikur i shkaktoi eliminim të befasishëm portokallezinjve.

    Kampioni aktual i Kosovës, Drita, udhëton drejt Pejës për t’u ndeshur me Besën, ndërsa Gjilani do të matë forcat me Istogun. Llapi luan para tifozëve të vet kundër Vjosës, kurse Ferizaj zhvillon derbin lokal me Tefik Çangën.

    Ndërkaq, Drenica takohet me Prizrenin, Prishtina e Re ndeshet me Lepencin, ndërsa Dukagjini pret Ramiz Sadikun. Malisheva ka një detyrë të vështirë pasi udhëton në Mitrovicë për t’u përballur me Trepçën.

    Çiftet tjera janë: 2 Korriku – Dinamo, Flamurtari – Vushtrria, KEK-u – Vëllaznimi, Kika – Trepça ’89, Liria – Suhareka dhe Istogu 03 – Feronikeli ’74.

  • 44-vjeçari arrestohet në Shijak, dyshohet se dhunoi seksualisht një 18-vjeçare

    44-vjeçari arrestohet në Shijak, dyshohet se dhunoi seksualisht një 18-vjeçare

    Një 44-vjeçar është arrestuar në Shijak, pas dyshimeve se dhunoi seksualisht një 18-vjeçare.

    Policia në Shqipëri ka njoftuar se gjatë kontrollit të banesës së të dyshuar, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një shkop gome dhe një armë gjahu, të cilën e mbante pa leje të organeve kompetente.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, me persona të paaftë për t’u mbrojtur”, “Mbajtje pa leje të organeve kompetente të armëve të gjahut” dhe “Mbajtje pa leje të organeve kompetente të armëve të ftohta”.

  • Dëmi në kanalin e Ibër-Lepencit rreth 4000 euro

    Dëmi në kanalin e Ibër-Lepencit rreth 4000 euro

    Kanali i Ibër-Lepencit është dëmtuar sërish.

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se persona të panjohur me mjete të forta kanë dëmtuar një pjesë të kanalit.

    Rasti fillimisht është bërë i ditur në raporton 24 orësh. Sipas policisë, kjo ka ndodhur mes datave 22 dhe 25 mars.

    E shefi i operativës rajonale për Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, ka bërë të ditur për gazetën online Reporteri.net se se vlera e dëmit është rreth 3000-4000 euro.

    “Më datë 25.11.2025 rreth orës 12:15 ankuesi, punëkryesi në kanalin e Ibër-Lepencit ka raportuar se cerada-najloni i cili ka qenë i shtrirë në bajpas, i është dëmtuar.

    Vlera e dëmit, sipas ankuesit është rreth 3000-4000 euro. Në vend të ngjarjes kanë dalë njësite policore dhe kanë shikuar vendin. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe rasti është hapur si ‘asgjësim apo dëmtim i pasurisë’. Rasti është nën hetime”, ka thënë Fejza.

    Kujtojmë se më 29 nëntor, 2024 kishte ndodhur një shpërthim në këtë kanal. Kosova e cilësoi atë si një akt terrorist dhe akuzoi Serbinë për organizimin e tij.

  • Flick pas humbjes 0–3 ndaj Chelseat: “Kartoni i kuq na penalizoi shumë, por duhet të analizojmë gabimet tona”

    Flick pas humbjes 0–3 ndaj Chelseat: “Kartoni i kuq na penalizoi shumë, por duhet të analizojmë gabimet tona”

    Barcelona doli pa pikë nga transferta ndaj Chelseat, duke u mposhtur 0–3 në ndeshjen e radhës të fazës së grupeve në Champions League. Pas sfidës, trajneri Hansi Flick u shfaq i zhgënjyer nga rezultati, duke theksuar se ndeshja mori kthesë negative që në minutat e para.

    Flick theksoi se katalanasit humbën një rast ideal për të kaluar në avantazh, ndërsa kartoni i kuq që pasoi i vuri skuadrës presion të madh:

    “Kishim një mundësi të shkëlqyer për të shënuar të parët, por nuk e konkretizuam. Më pas, të luash me një lojtar më pak kundër një ekipi si Chelsea nuk është aspak e lehtë,” u shpreh tekniku gjerman.

    Ai pranoi se skuadra e tij hasi vështirësi serioze në ndërtimin e aksioneve dhe në ruajtjen e qetësisë me topin:

    “Luftuam, por humbëm topa të thjeshtë dhe bëmë pasime të pasakta. Duhet t’i analizojmë këto gjëra. Nuk e di sa minuta e luajtëm me dhjetë lojtarë, por ishte një kohë e gjatë. Chelsea është shumë e fortë me topin në zotërim.”

    Megjithatë, Flick u përpoq të nxjerrë edhe anën pozitive nga kjo humbje:

    “Duhet ta pranojmë rezultatin, por edhe të shohim gjërat e mira. E dimë që është e vështirë të futemi në top 8, por do të përpiqemi deri në fund.”

    Pas kësaj ndeshjeje, Barcelona zbret në vendin e 15-të në renditjen e përgjithshme të grupeve, ndërsa Chelsea ngjitet në pozitën e 5-të.

  • Përfundon protesta e punëtorëve të transportueseve publikë dhe privatë

    Përfundon protesta e punëtorëve të transportueseve publikë dhe privatë

    Ka përfunduar protesta e punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe përfaqësuesve të operatorëve privatë, të cilët tash e tre ditë kanë ndërpre qarkullimin e autobusëve për shkak se nuk kanë marrë pagat e tyre.

    Ndryshe nga ditët e tjera, sot askush nga Komuna e Prishtinës nuk i takoi, megjithatë, Ilim Gashi, përfaqësues i sindikatës së “Trafikut Urban” paralajmëroi se protestë do të mbajnë dhe nesër.

    “Sindikata e trafikut urban edhe ditën e tret sot vazhduam me protestën deri në ora 13:00 që e kemi pasur të caktuar. Ora 13:00 po e përfundojmë protestë por nuk doli askush nga organet e komunës. Nesër protesta vazhdon me të njëjtin ritëm, për orën e kohën informoheni me vonë”, tha ai.

    E kryetari i sindikatës së re të “Trafikut Urban”, Shaip Selmani kërkoi mbështetje për ta futur punën në binar.

    “Në veçanti i falënderojmë qytetarët, ju bëjë thirrje qytetarëve që brenda mundësive që i kanë, të na përkrahim edhe të na bashkëngjiten në këtë protestë që njëherë e përgjithmonë të qesim punën në binar”, tha ai.

    Edhe sot protestuesit kanë vendosur autobusët tek objekti i Komunës së Prishtinës.

  • Clark zbulon prapaskenat e luftës së Bosnjës më 1995: Ndalimi i ofensivës ndryshoi gjithë rrjedhën

    Clark zbulon prapaskenat e luftës së Bosnjës më 1995: Ndalimi i ofensivës ndryshoi gjithë rrjedhën

    Gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, ka folur për Klix.ba rreth operacioneve të fundit ushtarake në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995 dhe negociatave të Dejtonit. Ai ka komentuar mundësinë e avancimit të forcave të Armatës së Bosnjës e Hercegovinës, HVO-s dhe Ushtrisë Kroate drejt Prijedorit e Banjallukës, si dhe rolin e SHBA-ve në frenimin e operacioneve.

    Duke folur për ofensivën e vjeshtës 1995, Clark deklaroi se parandalimi i avancimit të forcave të Bosnjës dhe Kroacisë ndryshoi rrjedhën e luftës.

    “Po të mos ishin ndalur, ndoshta do ta merrnin Banjallukën, por në luftë momenti është vendimtar. Kur e humbën, nuk mundën ta rikthenin”, tha ai.

    Clark mohoi pretendimet se NATO apo SHBA kishin planifikuar bombardime ndaj ARBiH dhe HV-së në rast se do të hynin në Banjallukë.

    “Jo, nuk do t’i bombardonim ato njësi, dhe sipas mendimit tim marrëveshja e Dejtonit do të ishte edhe më e fortë. Por vendimi për ndalimin e avancimit u mor sepse Federata në atë moment kontrollonte rreth 51 për qind të territorit, ashtu siç ishte paraparë. Ekzistonte edhe frika se forcat serbe do të nisnin një kundërofensivë nga Serbia”, theksoi Clark.

    I pyetur për pretendimet se operacioni kroat “Una-95” u nis me kërkesë të Uashingtonit, Clark mohoi një gjë të tillë.

    “Historia zyrtare është se morën vetëm ‘dritë të verdhë’ nga Shtëpia e Bardhë. Në Pentagon, në korrik 1995, i thamë ministrit Šušak: ‘Jo, mos e bëni’”, u shpreh ai.

    Clark sqaroi se një ndërhyrje tokësore e SHBA-ve nën komandon e OKB-së do të kishte qenë e papranueshme.

    “Do të ishte e pakuptimtë të ndërhynim me forca tokësore para Dejtonit nën mandat të OKB-së. SHBA nuk do të lejonte që trupat amerikane të ishin nën kontrollin e OKB-së”, tha ai.

    Sipas Clark, edhe përdorimi i kufizuar i forcës ajrore në shtator 1995 ndikoi direkt te Miloševiqi.

    “Edhe ajo fushatë e kufizuar ajrore e shtatorit e shtyu Milosheviqin drejt negociatave – e di, sepse kam qenë dy herë me të dhe kemi folur për këtë.”

    Clark rrëfen se në negociatat e Dejtonit ishte “anëtari i dytë më i lartë i ekipit amerikan”, duke punuar në aneksin ushtarak, hartat dhe koordinimin me ushtritë serbe e kroate.

    “Izetbegoviqi ishte negociatori më i ashpër, sepse kishte më shumë për të humbur – duhej të dorëzonte pjesë të territorit të vendit”, tha Clark.

    Ai shtoi se Tuxhmani nuk kishte çështje të hapura të mëdha

    “Milosheviqi e donte marrëveshjen sepse kishte arritur kulmin e tij ushtarak dhe diplomatik, ndaj i detyroi serbët e Bosnjës që të pranonin.”

    Clark kujtoi se rreziku më i madh për prishjen e negociatave ishte territori i Brçkos.

    “Pika më kritike ishte ndarja e Brçkos – të dyja palët e donin. Por u shpall zonë e përbashkët e okupuar dhe vendimi u shty, gjë që bëri të mundur marrëveshjen përfundimtare”, tha ai.

    Sipas tij, kishte edhe tensione të tjera – për praninë e NATO-s, aneksin ushtarak dhe statusin e Sarajevës – por vetëm çështja e Brçkos “seriozisht e rrezikoi” arritjen e marrëveshjes.

  • Qytetarët e fshatit Çabër ankohen për shkëputje selektive të rrymës: Shqiptarët pa energji, serbët me furnizim të pandërprerë

    Qytetarët e fshatit Çabër ankohen për shkëputje selektive të rrymës: Shqiptarët pa energji, serbët me furnizim të pandërprerë

    Banorët e fshatit Çabër të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Mitrovicës, janë ankuar se po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike nga ana e operatorit të energjisë, ndërsa sipas tyre, familjet serbe në zonë po furnizohen pa ndërprerje, edhe pse shumë prej tyre nuk posedojnë as matës të rrymës.

    Sipas banorëve, prej disa ditësh situata është bërë e paqëndrueshme, duke shkaktuar shqetësime në jetën e përditshme.

    “Tash e disa ditë, zyrtarë të elektro-serbëve janë duke ardhur për t’i shkëputur shqiptarët nga rryma në fshatin Çabër. Mua personalisht më është ndërprerë rryma sepse nuk kam pasur mundësi ta paguaj menjëherë, dhe pa paralajmërim më kanë shkëputur furnizimin,” ka deklaruar një qytetar për Tëvë1.

    Ai thotë se ndërsa shqiptarët po përballen me masa strikte, në anën tjetër familjet serbe nuk po përjetojnë të njëjtën situatë.

    “Në pjesën ku qëndrojnë serbët, rryma nuk po ndërpritet fare, pavarësisht se shumë prej tyre nuk kanë të regjistruar as orë të rrymës. Kjo është një padrejtësi që po e shohim çdo ditë,” është shprehur ai.

    Banorët kërkojnë trajtim të barabartë dhe ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për të garantuar furnizim të njëjtë me energji elektrike për të gjithë qytetarët, pa dallime etnike.

  • Sorensen: Spanja riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi

    Sorensen: Spanja riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Peter Sorensen, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares, ku diskutuan për çështjen e dialogut, të cilën Sorensen e ka cilësuar si të dobishme.

    “Mirënjohës për interesimin e qëndrueshëm të Spanjës dhe mbështetjen e fortë për avancimin e procesit të normalizimit”, ka shkruar ai në platformën sociale X.

    Javë më parë, Sorensen kishte takuar edhe ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

    Gjatë takimit, Sorensen dhe Valtonen kanë diskutuar në detaje mbi procesin e dialogut.

    “Jam mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e ofruar për procesin e normalizimit”, ka shkruar ai në platformën sociale X.