ATV

Blog

  • Pas zënkës së ashpër, yjet e Evertonit befasojnë me daljen në “ring”

    Pas zënkës së ashpër, yjet e Evertonit befasojnë me daljen në “ring”

    Disa ditë më parë u konfliktuan në fushë, ndërsa sot dyshja e Evertonit, Idrissa Gueye dhe Michael Keane, u shfaqën së bashku në një “ring” – këtë herë vetëm për shaka.

    Të dy lojtarët kanë konfirmuar se tashmë janë pajtuar dhe se nuk kanë asnjë problem mes vete.

    Atmosfera pozitive duket se është rikthyer në klubin e Evertonit.

    Kujtojmë se mesfushori dhe mbrojtësi patën një përleshje gjatë ndeshjes ndaj Manchester Unitedit, ku Gueye u largua me karton të kuq nga fusha në minutën e 13-të.

    Pavarësisht se Evertoni luajti për një pjesë të ndeshjes me një lojtar më pak, skuadra arriti të sigurojë një fitore të rëndësishme 1:0 ndaj Djajve të Kuq. /ATVLIVE.TV

  • Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Ka filluar seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Në seancën e jashtëzakonshme temë diskutimi janë mjetet vetanake dhe buxheti i vitit 2026.

    Ky zhvillim vjen pas disa ditësh bllokimi të transportit publik, për shkak të grevës së Trafikut Urban dhe operatorëve privatë të transportit, si dhe problemeve financiare të komunës. Situata ka shkaktuar kolona të gjata dhe vështirësi për qytetarët në qarkullimin urban.

  • Koha, armiku i padukshëm: A po jetojmë më shpejt se ç’duhet?

    Koha, armiku i padukshëm: A po jetojmë më shpejt se ç’duhet?

    Ka një ndjesi të përbashkët që po na kap të gjithëve: koha nuk është më ajo që ishte. Ditët duken më të shkurtra, vitet ikin pa u ndier dhe ritmi i jetës na shtyn para sikur jemi në një garë që askush nuk e ka nisur me dëshirë. Nuk është vetëm perceptim, është një fenomen që psikologët, sociologët dhe ekspertët e teknologjisë po e vërejnë gjithnjë e më shumë:ne po jetojmë më shpejt, shpesh më shpejt sesa mund të përballojmë.

    Në një botë ku çdo gjë është matje: hapa, kalori, emailë, rezultate dhe klikime, koha është bërë një burim që shpenzohet pa asnjë vetëdije. Kemi mësuar të garojmë me afatet, alarmet dhe presionin, por pak kush ndalet të pyesë: a po ecim me ritmin tonë, apo me ritmin e botës?

    Teknologjia ka shpejtuar çdo gjë: mënyrën si punojmë, si komunikojmë, madje edhe mënyrën si mendojmë. Ajo ka sjellë përfitime të jashtëzakonshme, por krahas tyre edhe një ndjenjë të vazhdueshme urgjence. Në ekranet tona, çdo ditë kalojnë dhjetëra informacione që dikur do të kërkonin javë të tëra për t’u përthithur.

    Sa më shumë tentojmë të kursejmë kohë, aq më shumë duket se humbasim. Pajisjet që duhej të na e lehtësonin jetën na ngjeshin edhe më shumë: mesazhe të menjëhershme, kërkesa që presin përgjigje të menjëhershme, pritshmëri që as nuk i kemi vendosur vetë.

    Kërkimi për efikasitet ka humbur lidhjen me ritmin natyror të njeriut. Shpejtësia është bërë standard, qetësia luks. Dhe sa herë që marrim frymë pak më thellë, ndihemi fajtorë, sikur po humbim kohë.

    Ndjenja e kohës së humbur është kthyer në ankthin më të madh modern. Njerëzit punojnë më shumë, por ndihen më pak produktivë. Udhtojnë më shpejt, por ndihen më larg vetes. Jetojnë në një botë me më shumë mundësi, por me më pak durim.Ky ritëm i pakontrolluar po krijon një brez të tërë që mendon shpejt, por nuk përjeton thellë; që planifikon shumë, por nuk jeton mjaftueshëm.

    Në fund, koha nuk është diçka që fitohet apo humbet. Është thjesht diçka që jetohet. Dhe në këtë garë të padukshme që na dikton epoka moderne, beteja e vetme reale është të mos harrojmë veten.

  • Shërbimet kadastrale kalojnë në sistemin dixhital në Kosovë, hyjnë në fuqi me 28 nëntor

    Shërbimet kadastrale kalojnë në sistemin dixhital në Kosovë, hyjnë në fuqi me 28 nëntor

    Është bërë dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve kadastrale në Kosovë, kështu është bërë e ditur në një ceremoni e ku u tha se sistemi do të hyjë në fuqi që nga 28 nëntori e që do të lehtësojë procedurat për qytetarët.

    Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në fjalën e tij theksoi se ky transformim është arritur falë bashkëpunimit.

    “Është kënaqësi e veçantë përmbyllja e dixhitalizimit të plotë. Në emër të ministrisë falënderoj të gjithë për bashkëpunimin dhe përkushtimin në këtë sukses të përbashkët. Që nga nesër qytetarët dhe institucionet do të kenë qasje të plotë dhe të sigurt në shërbimet dixhitale kadastrale, pa vonesa. Ky transformim tregon një punë të mirë dhe më afër qytetarëve. Kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Qeverisë. Ne kemi përkrahur këtë agjenci në çdo hap. Ligji për Kadastrin ka mundësuar projekte madhore zhvillimore; në 120 zona kanë përfituar mijëra qytetarë. Jemi të kënaqur që Agjencia ka bërë proces transformimi duke ndjekur praktikat e tregut evropian. Suksesi i sotëm është rezultat i punës dhe mbështetjes së ministrisë. Sot vendosim themelet e administrimit të tokës, më të përshtatura për nevojat e shoqërisë moderne”, tha Durmishi.

    Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se dixhitalizimi është arritje e madhe për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e tij.

    “Kjo ngjarje për mua dhe kolegët e mi mund të them bindshëm se është një nga më të rëndësishmet. Kjo arritje padyshim e rendit Agjencinë Kadastrale të Kosovës në nivel rajonal e evropian. Ashtu siç jemi zotuar, nga nesër me datë historike po e kurorëzojmë këtë kremtim. Drejtpërdrejt, nga tash e tutje, përveç ATK-së, bankave dhe institucioneve të tjera financiare, qasje do të kenë edhe përmbaruesit dhe gjeodetët. Kjo ndikon në zhvillimin ekonomik, në sigurinë e pronës dhe në ngritjen e efikasitetit. Niveli i transformimit nuk do të ishte i mundur pa reformën ligjore dhe pa avancimin e teknologjisë, sepse është siguruar shërbim i sigurt dhe transparent. Dixhitalizimi është prioritet dhe AKK është shtylla kryesore e zhvillimit të Kosovës; për këtë arsye arrihen rezultate në këtë fushë. Për shumë vite, sfidat dhe dokumentacioni fizik kanë krijuar vështirësi për qytetarët dhe institucionet, ndërsa me dixhitalizimin kemi kursyer kohë dhe rritur transparencën. AKK ka publikuar edhe aplikimin për licencimin e gjeodetëve të Kosovës në eKosova. Për herë të parë, niveli i adresës është i unifikuar në gjithë Kosovën. Zhvillimi i projektit nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e institucioneve. Falënderoj Durmishin, ish-ministrin Liburn Aliu dhe të gjithë të tjerët”, tha Ahmeti.

  • Universiada e Nëntorit nisi sot në një atmosferë të zjarrtë

    Universiada e Nëntorit nisi sot në një atmosferë të zjarrtë

    Studentët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, nën organizimin e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, u bashkuan sot në Prishtinë për të shënuar Ditën e Flamurit.

    Presidenti i FSUNK-së, Musa Selimi dhe profesoresha Alma Osmani nga Universiteti i Tiranës, përshëndetën pjesëmarrësit, duke vlerësuar rolin që zë sporti universitar në promovimin e vlerave kombëtare, ndërkaq, sekretari i përgjithshëm Fidan Hamiti dha udhëzimet për garat, duke iu uruar sukses garuesve.

    Kjo universiadë dëshmoi edhe një herë se sporti i bashkon studentët, ashtu siç na bashkon flamuri kombëtar. /ATVLIVE.TV

  • Dorëzohet Lista Serbe: Ftesat për konstituimin e Kuvendit në Mitrovicën e Veriut me emrin Republika e Kosovës

    Dorëzohet Lista Serbe: Ftesat për konstituimin e Kuvendit në Mitrovicën e Veriut me emrin Republika e Kosovës

    Lista Serbe është tërhequr pas ftesës për seancën konstituive të Mitrovicës së Veriut, pasi dokumenti fillestar nuk përmbante shënimin zyrtar “Republika e Kosovës”.

    Ftesa e re për seancën konstituive të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut tash mban emrin zyrtar “Republika e Kosovës”, dhe është e shënuar edhe në gjuhën shqipe, raporton Dukagjini.

    Megjithatë, më herët kryetari i sapozgjedhur, Milan Radojeviq, dhe partia e tij, Lista Serbe, njoftuan se nuk do ta respektojnë rendin kushtetues të vendit.

    Sipas ligjit, çdo dokument zyrtar i institucionit komunal duhet të përmbajë shënimin “Republika e Kosovës” dhe të jetë në të dyja gjuhët zyrtare, shqipe dhe serbe.

    Megjithatë, ftesa e parë e dërguar nga kryetari i sapozgjedhur Milan Radojeviq i është drejtuar këshilltarëve vetëm në gjuhën serbe dhe nuk përmend emrin zyrtar të shtetit, duke shkelur kështu Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe standardet kushtetuese për dokumentacionin shtetëror.

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ka rol mbikëqyrës mbi komunat, kishte refuzuar mbajtjen e seancës më 5 dhjetor, duke argumentuar se mungesa e emrit “Republika e Kosovës” në dokumentacion e bën të pavlefshme thirrjen e seancës.

  • Sindikata e RTK-së paralajmëron: Greva vazhdon nëse kriza kthehet në 2026

    Sindikata e RTK-së paralajmëron: Greva vazhdon nëse kriza kthehet në 2026

    Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se greva e cila është mbajtur për disa ditë me radhë do të ndërpritet si rezultat i hapave që çuan në zhbllokim të situatës me buxhetin e transmetuesit publik dhe krijimin e mundësisë për adresimin e çështjeve të mbetura.

    Përmes një komunikate për media, kjo sindikatë thotë se veprimi i Qeverisë e cila bëri të ditur sot se do të ndajë mjete nga kategoria e kursimeve, ka qenë i domosdoshëm për stabilitetin e institucionit dhe për ruajtjen e misionit të RTK-së si transmetues publik.

    “RTK vazhdon të funksionojë pa Bord, pa Drejtor të Përgjithshëm dhe me pozita kyçe të paplotësuara, përfshirë Kryeredaktorin. Kjo gjendje kërkon veprim urgjent nga legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, për kompletimin e Bordit, zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, emërimin e Kryeredaktorit, si dhe për rritjen e buxhetit, rritjen e domosdoshme dhe të panegociueshme të pagave, miratimin e ligjit të ri dhe zgjidhjen e çështjes së pronës dhe objektit të ri të RTK-së”, thuhet më tej në komunikatë.

    “Sindikatës i takon gjithashtu të mirëpresë dhe falënderojë Qeverinë dhe Kryeministrin në detyrë për reflektimin ndaj kërkesave të Sindikatës dhe për ndërmarrjen e hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin. Ky veprim ka qenë i domosdoshëm për stabilitetin e institucionit dhe për ruajtjen e misionit të RTK-së si transmetues publik”.

    Megjithatë, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka paralajmëruar se nëse gjatë janarit të vitit të ardhshëm hasin sërish në situata të tilla, greva mund të rikthehet menjëherë dhe në çdo formë të nevojshme.

    “Në emër të punëtorëve të RTK-së dhe të transmetuesit publik, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e secilit që qëndroi pranë nesh gjatë kësaj periudhe sfiduese”, përfundon njoftimi.

  • Osmani viziton ushtarët amerikanë në kampin Bondsteel për Festën e Falënderimeve

    Osmani viziton ushtarët amerikanë në kampin Bondsteel për Festën e Falënderimeve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot ushtarët amerikanë në kampin Bondsteel, me rastin e Festës së Falënderimeve.

    Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se u ka shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe përtej.

    Ajo ka theksuar se ushtarët amerikanë kanë qëndruar gjithmonë pranë Kosovës, si në ditët më të vështira, ashtu edhe në ato më të mira për popullin tonë.

    ”Ushtarët amerikanë kanë qenë gjithmonë pranë Kosovës, në ditët më të vështira dhe në ditët më të mira për popullin tonë. Sot, në Festën e Falënderimeve, pata nderin t’u bashkohem sërish në kampin Bondsteel për t’ua shprehur mirënjohjen tonë për kontributin e tyre për paqe dhe siguri në Kosovë dhe përtej”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Viti që na ndryshoi: Ngjarjet që e përcaktuan botën në 2025

    Viti që na ndryshoi: Ngjarjet që e përcaktuan botën në 2025

    Bota në vitin 2025 nuk u përball vetëm me lajme të mëdha, por me ndryshime të thella që prekën mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe komunikojmë. Ngjarjet e këtij viti nuk ishin të izoluara: ato u pasqyruan në ekonominë globale, teknologjinë, klimën dhe në ritmin e shoqërive moderne. Por pse pikërisht 2025 do të mbahet mend si një vit që e ndryshoi kahjen e shumë proceseve?

    Ekspertët e teknologjisë thonë se 2025 ishte momenti kur inteligjenca artificiale ndaloi së qeni thjesht një mjet dhe filloi të ndikojë drejtpërdrejt mënyrën si punojmë, si krijojmë dhe madje si komunikojmë. AI nuk ishte më fjalë kyçe; ishte realitet i përditshëm. Ndjenja se jeta po “përshpejtohet” u bë pjesë e përditshmërisë globale, duke hapur debate të reja mbi punën, kreativitetin dhe rolin e njeriut në epokën e automatizimit.

    Ndërkohë, klima dha sinjalet e saj më serioze. Zjarret, përmbytjet dhe stuhitë e forta të vitit e kthyen mjedisin në kryetemë ndërkombëtare. Qeveritë, institucionet dhe organizatat globale u detyruan të ndryshojnë strategjitë, duke e kuptuar se planeti nuk pret më. Këto ngjarje bënë që politika klimatike të mos jetë më opsion, por urgjencë.

    Në botën digjitale, realiteti u përmbys. Rrjetet sociale ndryshuan mënyrën si na shfaqin informacion, ndërsa përmbajtja e gjeneruar nga AI krijoi një ndjesi të re: njerëzit kërkojnë autenticitet dhe sinqeritet, jo thjesht “përmbajtje”. Kjo e shtyu publikun të kthehet te komunitetet, tek njerëzit që njohin dhe te burimet më të besueshme për ata personalisht.

    Shëndeti mendor u bë një tjetër alarm i madh. Ritmi i shpejtë ekonomik, pasiguritë financiare, presioni i vazhdueshëm dhe bombardimi informativ ia rritën kostot shoqërisë. Terapitë online dhe bisedat publike u bënë pjesë e zakonshme e jetës, duke treguar se njerëzit po kërkojnë qetësi, stabilitet dhe mirëqenie emocionale më shumë se kurrë.

    Paralelisht, inovacionet në transport, eksplorimin hapësinor dhe shkencë e çuan botën në një epokë të re. Makinat elektrike u bënë standard, misionet hapësinore sollën zbulime të rëndësishme dhe teknologjitë e reja krijuan perspektiva që dikur dukeshin të pamundura.

    Në thelb, viti 2025 nuk ishte thjesht një rrjedhë lajmesh, ishte një pasqyrë e psikologjisë së një planeti që kërkon të gjejë drejtim. Ishte një vit që na detyroi të ngrihemi, të reflektojmë dhe të kuptojmë se ndryshimi nuk ndodh më ngadalë: ai ndodh tani, përpara syve tanë.

  • Diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, Kamberi në Kuvendin e Serbisë prezanton kërkesat e Luginës

    Diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, Kamberi në Kuvendin e Serbisë prezanton kërkesat e Luginës

    Deputeti Shaip Kamberi gjatë një debati për buxhetin në Kuvendin e Serbisë foli për problemet që kanë qytetarët në Luginën e Preshevës, si pasivizimi i adresave, diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, moszbatimi i ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve, etj.

    Kamberi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se e ka pyetur Ministrinë e Brendshme pse nuk i ka kthyer përgjigje në kërkesën e tij që komuna e Preshevës të marrë targën e saj të regjistrimit për automjetet motorike.

    Gjithashtu Kamberi pyeti Qeverinë pse janë bllokuar paratë për Këshillin Kombëtar Shqiptar nga fondet e Qeverisë së Kosovës, si dhe çfarë po ndodh me iniciativën për një program për pranimin e personave nga pakicat kombëtare shqiptare dhe boshnjake në shërbimin policor në nivel lokal.

    Edhe në seancën e kaluar, deputeti shqiptari foli me tone të ashpra në parlamentin serb.

    “E dimë se ekziston diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. E dimë se ekziston praktika e pasivizimit të adresave, përmes së cilës mijëra njerëzve u hiqet e drejta zgjedhore dhe qytetare”, nënvizoi Kamberi.

    Për më shumë lexoni të plotë fjalimin e Kamberit:

    Para se Serbia të hyjë në BE, ajo më parë duhet të hyjë në Evropën e të drejtave, e jo vetëm në Evropën e tregut.

    Zonja dhe zotërinj,

    Sot po flas jo vetëm si deputet, por si zëri i dhjetëra mijëra qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës njerëz, që prej më shumë se dy dekadash, jetojnë mes ligjit dhe padrejtësisë, mes garancive kushtetuese dhe jetës reale.

    Para nesh është një Rezolutë që nuk është as ekstreme e as separatiste, por thellësisht, demokratike dhe evropiane.

    Ajo kërkon vetëm një gjë: që shqiptarëve në Luginën e Preshevës t’u sigurohet barazia para ligjit dhe realizimin e plotë tëtë drejtave qytetare, politike dhe kombëtare.

    Prandaj, kur flasim për këtë Rezolutë, ne flasim për drejtësi, e jo për politikë.

    Për besim në institucione, e jo për kërcënime ndaj shtetit.

    Për vlera evropiane, e jo për kufij.

    Zonja dhe zotërinj,

    Të gjithë ne e dimë se ekziston një problem.

    E dimë se ekziston diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    E dimë se ekziston praktika e pasivizimit të adresave, përmes së cilës mijëra njerëzve u hiqet e drejta zgjedhore dhe qytetare.

    E dimë se ka moszbatim të ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve, mosnjohje të diplomave, mungesë të mbishkrimeve dygjuhëshe, mungesë të përfaqësimit në polici, gjyqësor, prokurori dhe në shërbimet inspektuese.

    E dimë edhe që zhvillimi ekonomik i rajonit neglizhohet sistematikisht, ndërsa të rinjtë po largohen sepse nuk shohin të ardhme në një vend ku trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

    Prandaj, mos të themi sot se “nuk është momenti”, sepse ky moment pritet tashmë më shumë se njëzet vjet.

    Kur kërkojmë ndalimin e pasivizimit të adresave, ne nuk kërkojmë mëshirë, por respektim të së drejtës.

    Kur kërkojmë përdorim zyrtar të gjuhës dhe simboleve, ne nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë.

    Kur kërkojmë që shqiptarët të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në institucione, ne nuk kërkojmë poste, por përfaqësim të drejtë në shtetin ku edhe ata janë qytetarë.

    Kjo Rezolutë bën thirrje për krijimin e një trupi të pavarur parlamentar, i cili, në bashkëpunim me OSBE-në dhe shoqërinë civile, do të hetojë pasojat e pasivizimit dhe do të propozojë masa për kthimin e të drejtave të mijëra njerëzve të privuar nga to.

    Ajo bën thirrje që të njihen përfundimisht diplomat dhe kualifikimet arsimore të fituara në Kosovë, që të respektohet e drejta për gjuhën shqipe dhe të sigurohet përfaqësim i barabartë në shërbimet shtetërore.

    A nuk është kjo ajo që çdo shtet evropian duhet të bëjë?

    Nëse dëshirojmë që Serbia të hyjë në Bashkimin Evropian, ajo më parë duhet të hyjë në Evropën e të drejtave, e jo vetëm në Evropën e tregut.

    Zonja dhe zotërinj deputetë,

    Që nga viti 2001, nga nënshkrimi i Planit për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përmes marrëveshjeve të viteve 2009 dhe 2013, e deri te Plani i Veprimit i vitit 2022, shtet ii Serbisë është zotuar se do ta integrojë komunitetin shqiptar.

    Të gjitha këto zotime ekzistojnë në letër, por në praktikë ato janë thjesht fjalë të vdekura.

    Sot, në vitin 2025, funksionarë të Trupit Koordinues publikisht mohojnë edhe ekzistencën e vetë Planit të Veprimit.

    Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi – është edhe fyerje për ata që besojnë në dialog dhe institucione.

    Prandaj sot, Kuvendi Popullor ka mundësinë të marrë përgjegjësinë.

    Të tregojë se shteti nuk është armik ndaj qytetarëve të vet, por garantues i të drejtave të tyre.

    Të rikthejë besimin që është rrënuar për dekada.

    Zonja dhe zotërinj,

    Lugina e Preshevës kërkon respektimin e rregullave që tashmë ekzistojnë.

    Nuk kërkon premtime të reja, por zbatimin e atyre të dhëna para 20 vjetësh.

    Nuk kërkon më shumë, por nuk do të pranojë asgjë më pak se barazinë.

    Prandaj, sot, duke mbështetur këtë Rezolutë, ne nuk miratojmë një akt në dobi të shqiptarëve, por një akt në dobi të drejtësisë, demokracisë dhe Serbisë evropiane.