ATV

Blog

  • Pse është vështirë të jetohet me një grua të mençur

    Pse është vështirë të jetohet me një grua të mençur

    Koeficienti i lartë i inteligjencës në shumë situata jetësore është përparësi, mirëpo ai përfundimisht nuk është çelës për jetë të thjeshtë dhe të lumtur.

    Inteligjenca shumë njerëzve nuk u është bekim, por mallkim.

    Pse ndodh kjo?- përgjigjen psikologët.

    Çdo person me aftësi të jashtëzakonshme mendore ka pesë karakteristika specifike, me të cilat vetes dhe atyre që jetojnë rreth tij ua vështirësojnë jetën, por që nuk mund të heqin dorë.

    1. Shpesh mendojnë së tepërmi, në vend që të ndiejnë

    Njerëzit me inteligjencë mesatare dhe të ulët janë mjaft llafazanë, që është gjë e shkëlqyeshme për psiken e tyre – presionin emocional e nxjerrin jashtë nëpërmjet bisedës, vallëzimit, qarjes etj.

    Nga ana tjetër, të mençurit, kryesisht çdo gjë e mbajnë për vete, andaj shpesh duken të ftohtë dhe të pandjenja, ndërkaq brenda vetes bëjnë beteja të ashpra.

    2. Shpesh janë të vetmuara dhe të pasigurta

    Nga femrat shumë të mençura sot pritet shumë më tepër se nga të tjerët.

    Përpiqen t’i plotësojnë pritjet mirëpo me përpjekje të fuqishme që t’ua dëshmojnë të gjithëve, i largojnë nga vetja njerëzit e afërm dhe shpesh përfundojnë plotësisht të vetmuara.

    3. Shumica synojnë të kuptojnë vlerën e punës së rëndë

    Femrat e mençura drejtojnë kohën, më shpejt dhe me pak mund i përfundojnë detyrat, mirëpo fakti që të gjitha i përfundojnë dhe fitojnë me përpjekje minimale, sipas tyre, ndonjëherë nuk është aspak mirë.

    Inteligjenca e lartë mund të jetë problem për njerëzit të cilët nga fëmijëria konstatojnë që nuk janë të detyruar të angazhohen si edhe njerëzit e tjerë, ndërkaq mund të jenë në të njëjtin nivel.

    Prandaj shumica e femrave të mençura kurrë nuk mësojnë t’i shfrytëzojnë maksimalisht kapacitetet e veta.

    4. Shpesh i shikojnë si të bezdisshme

    Femrat e mençura kryesisht mund të lavdërohen me njohurinë e gjerë nga fushat më të ndryshme. Prandaj mund të marrin pjesë në çdo bisedim, ndërsa janë të prira edhe t’i përmirësojnë të tjerët në bisedë, me fakte etj.

    Kështu, shumica i shohin si femra të bezdisshme të cilat duan të përzihen në çdo gjë. Për këtë shkak shpesh njerëzit u shmangen.

    5. Analizojnë së tepërmi

    Për shkak të mendimeve dhe analizave të tepërta të çdo situate, femrave të mençura u mbetet shumë pak kohë që të merren me diç tjetër, nuk kanë kohë as për veten e vet.

    Femra që mendojnë shumë shpesh, vuajnë nga ankthi, bëhen të pavendosura dhe nuk mund të vendosin cilës rrugë të ecin.

    A e njihni ndonjë femër që i shkon përshtati këtyre kritereve?

    A mund ta gjeni ju vetën brenda këtyre fakteve?

  • Zjarri apokaliptik në Hong Kong, të paktën 55 të vdekur dhe 280 të zhdukur

    Zjarri apokaliptik në Hong Kong, të paktën 55 të vdekur dhe 280 të zhdukur

    Numri i të vdekurve nga zjarri që përfshiu disa ndërtesa në një kompleks banimi në Tai Po, një periferi të Territoreve të Reja të Hong Kongut, është rritur në 55, me 280 të zhdukur.

    Kryetari Ekzekutiv, John Lee e njoftoi lajmin në një konferencë për shtyp të mbajtur në Spitalin “Princi i Uellsit”.

    Lee shtoi se flakët ishin “nën kontroll” që pak pas mesnatës sipas orës lokale. Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, presidenti kinez Xi Jinping shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave këtë mbrëmje. Policia ka arrestuar tre burra me dyshimin për vrasje të paqëllimshme.

    Videoja nga vendi i ngjarjes tregonte ndërtesat fqinje të përfshira nga flakët, me shkëndija intensive dhe tym që dilte nga dritaret e shumë apartamenteve ndërsa binte nata.

    Zjarrfikësit po drejtonin avionë uji drejt flakëve nga shkallët e larta të zjarrit. Flakët shkaktuan një re flakësh dhe tymi të trashë që valëvitej mbi skelat prej bambuje dhe rrjetat e ndërtimit të instaluara përgjatë pjesës së jashtme të kompleksit, i vendosur në lagjen “Tai Po”, duke shkatërruar shtatë nga tetë ndërtesat e banimit të kompleksit.

    Skelat prej bambuje janë një tipar i zakonshëm në projektet e ndërtimit dhe rinovimit të Hong Kongut, megjithëse qeveria njoftoi më parë këtë vit se do të fillonte ta hiqte gradualisht nga projektet publike për arsye sigurie.

    Policia tha se deri në pasdite, ishin marrë raportime të shumta për njerëz të bllokuar në ndërtesën ku filloi zjarri, përfshirë një burrë dhe një grua të gjetur pa ndjenja dhe që vuanin nga djegie të rënda.

    Zjarri, fillimisht i klasifikuar si Niveli 1, u rrit në Nivelin 4 në orën 15:34 dhe më në fund në nivelin më të lartë, Nivelin 5, në orën 18:22 sipas kohës lokale, sipas shkallës së ashpërsisë së Hong Kongut.

    Zyrtarët e distriktit Tai Po kanë hapur strehimore të përkohshme për ata që kanë mbetur të pastrehë nga flakët. Tai Po është një zonë periferike në Territoret e Reja, në pjesën veriore të Hong Kongut dhe pranë kufirit me qytetin kinez Shenzhen.

     

  • Ushtarët turq të KFOR-it bashkë me instruktorë hungarezë zhvillojnë stërvitje intensive për kontrollin e turmave

    Ushtarët turq të KFOR-it bashkë me instruktorë hungarezë zhvillojnë stërvitje intensive për kontrollin e turmave

    Ushtarët turq nga Batalioni i Forcës së Rezervës Operacionale, pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, vazhdojnë stërvitjet e tyre të përditshme në gjithë Kosovën.

    Në bashkëpunim me instruktorët hungarezë nga Batalioni i Rezervës Taktike të KFOR-it (KTRBN), ata kanë përfunduar ushtrime intensive në kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave (CRC), duke forcuar gatishmërinë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të marrë vendime efektive nën presion.

    KFOR thekson se stërvitjet e tilla janë thelbësore për të siguruar reagime të qeta dhe të koordinuara në situata sfiduese, duke kontribuar në efektivitetin e misionit dhe në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.

  • Nisje e fuqishme për Belgjikën U17: fitore me dhjetë gola dallim

    Nisje e fuqishme për Belgjikën U17: fitore me dhjetë gola dallim

    Kombëtarja e Belgjikës për femra ka shënuar fitore bindëse me dhjetë gola epërsi, 36:26, në ndeshjen e parë të ditës së dytë të IHF Trophy për zonën evropiane në hendboll.

    Përfaqësuesja U17 e Belgjikës e mposhti Britaninë e Madhe të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

    Ndërsa nga ora 17:00 fillon ndeshja e Kombëtares së Kosovës U17 (vajzat) që kundërshtar do të kenë Azerbajxhanin.

    Edhe kjo ndeshje zhvillohet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. /ATVLIVE.TV

  • Islam Selmani drejt gjysëmfinales

    Islam Selmani drejt gjysëmfinales

    Karateisti, Islam Selmani, sot garoi në kategorinë -60kg.

    Pas tri përballjeve, ai kaloi nga 32-shja në 16-she.

    -Luftën e parë me garuesin nga Venezuela, Jhoisber Chataing, me rezultat 3:3

    -Luftën e dytë me garuesin nga Turqia, Eray Sandan, me rezultat 3:1

    -Luftën e tretë me garuesin nga Kyrgistqni, Bekzhan Kalykov, me rezultat 0:0

    Grupin e kaloi si i dyti dhe vazhdon tutje në mesin e 16 më të mirëve në botë.

    Përballja e radhës fillon në orën 17:30, ku do të ndeshet me garuesin nga Rumania, Erhan Tornaci. /ATVLIVE.TV

  • “Stranger Things 5” mbërrin në Netflix, finalja ndahet në tre faza deri në natën e ndërrimit të viteve

    “Stranger Things 5” mbërrin në Netflix, finalja ndahet në tre faza deri në natën e ndërrimit të viteve

    Sezoni i shumëpritur i pestë dhe i fundit i superhitit “Stranger Things” ka nisur sot transmetimin në Netflix, duke shënuar rikthimin e një prej serive më të mëdha dhe më të dashura në botë. Këtë herë, platforma ka zgjedhur një strategji të veçantë publikimi, duke e ndarë finalen në tri faza për të mbajtur të ndezur interesin e fansave deri në fund të vitit.

    Që nga sot, publiku mund të shikojë katër episodet e para të sezonit. Pjesa e dytë do të lëshohet më 25 dhjetor, si një “dhuratë festive” për miliona adhurues që e kanë ndjekur serialin prej vitesh. Episodi final ai që mbyll sagën e Hawkins dhe aventurat e Eleven – do të publikohet më 31 dhjetor, duke i dhënë fund historisë pikërisht në natën e ndërrimit të viteve.

    “Stranger Things 5” vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm global, me serialin që prej vitit 2016 ka dominuar kulturën pop, ka rikthyer estetikën e viteve ’80 dhe ka krijuar një fandom të fuqishëm në të gjithë botën. Ky sezon i fundit shënon edhe fundin e një epoke për Netflix-in, që me këtë produksion ka ndryshuar mënyrën se si shihen serialet dhe ka krijuar një fenomen të vërtetë kulturor.

    Me publikimin e fazuar të finales, Netflix synon të mbajë të hapur diskutimin, teoritë e fansave dhe emocionet deri në momentet e para të vitit të ri, kur historia do të marrë përfundimisht drejtimin e saj finale. Fansat tashmë e kanë nisur maratonën dhe pritshmëritë janë më të larta se kurrë.

  • Truri i aktorit Bruce Willis do të dhurohet për shkencë: Familja shpreson të ndihmojë në gjetjen e kurës

    Truri i aktorit Bruce Willis do të dhurohet për shkencë: Familja shpreson të ndihmojë në gjetjen e kurës

    Familja e aktorit të njohur hollywoodian Bruce Willis ka njoftuar një vendim të thellë emocional dhe human: pas ndarjes nga jeta, truri i tij do t’u dhurohet studiuesve për kërkime shkencore mbi demencën frontotemporale (FTD), sëmundje me të cilën ai po përballet prej tre vitesh.

    Lajmi është bërë i ditur nga bashkëshortja e tij, Emma Heming-Willis, e cila theksoi se familja po përgatitet për fazat e fundit të kësaj sëmundjeje agresive, ndërsa kërkimi shkencor mbetet një dritë shprese për të ardhmen.

    “Ky vendim është emocionalisht i vështirë, por shkencërisht i domosdoshëm,” u shpreh ajo, duke shtuar se dëshira e tyre është të kontribuojnë që një ditë FTD të kuptohet më mirë dhe të mund të trajtohet.

    Aktori 70-vjeçar, i njohur për rolet ikonike në “Die Hard”, “The Sixth Sense” dhe qindra projekte të tjera, aktualisht po kujdeset në një qendër të specializuar, ku merr trajtim 24 orë në ditë. Emma Heming ka treguar se është duke i përgatitur vajzat e tyre, Mabel (13) dhe Evelyn (11), për realitetin e hidhur të fazave të fundit të sëmundjes, që përfshin humbjen e funksioneve mendore dhe të kujtesës.

    Edhe vajza e tij e madhe, Rumer Willis, ka ndarë një mesazh prekës, duke u përpjekur të shpjegojë gjendjen e vërtetë të babait të saj përtej fjalëve të zakonshme të ngushëllimit.

    “Kushdo që vuan nga FTD nuk ‘po ia del mbanë’. Por ai po reziston,” shkroi ajo.

    Ajo shtoi me dhimbje, por edhe me dashuri të madhe: “Jam mirënjohëse që ende mund ta përqafoj. Edhe nëse nuk më njeh, ai e ndien dashurinë time – dhe unë e ndiej të tijën.”

    Familja Willis, e bashkuar më shumë se kurrë, po përdor platformën e tyre për të rritur ndërgjegjësimin rreth demencës frontotemporale dhe për të inkurajuar mbështetjen e kërkimeve shkencore që mund të sjellin shpresë për mijëra familje në të ardhmen.

  • ‘Kënga e mjellmës’ e Franc Shubert emocionon publikun e TKOB, nën interpretimin e Artur Verës dhe Etrita Ibrahimit

    ‘Kënga e mjellmës’ e Franc Shubert emocionon publikun e TKOB, nën interpretimin e Artur Verës dhe Etrita Ibrahimit

    Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit solli për publikun kryeqytetas një nga ciklet më poetike dhe më të ndjera të kompozitorit të madh Franz Schubert: “Kënga e mjellmës” (Schwanengesang). Pas suksesit me ciklin “Rrugë dimërore” dhe premierën absolute “Mullixhesha e bukur”, TKOB vazhdon t’i sjellë publikut kryevepra të liedeve gjermane.

    Në këtë mbrëmje të veçantë u përfshi edhe “Serenata” e njohur e Schubert-it, një nga pjesët më të dashura të repertorit romantik, e cila u interpretua për herë të parë në Shqipëri nga baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi. Performanca e tyre solli një emocion të fortë, duke e çuar publikun në një udhëtim të thellë poetik dhe muzikor.

    “Schwanengesang” konsiderohet si një nga ciklet më prekëse të Schubert-it, një mozaik i fuqishëm këngësh që përfaqësojnë kulmin e krijimtarisë së tij. Janë tingujt e fundit që kompozitori shkroi përpara se të ndahej nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme muzikore.

    Ky cikël përçon bukurinë dhe thellësinë e liedeve romantike – këngë për zë solo dhe piano që ndërthurin poezinë me muzikën në mënyrë të pandashme. Pianoja dhe vokali bashkohen për të krijuar një komunikim emocional që prek tema si natyra, dashuria dhe legjenda, në traditën e kompozitorëve të mëdhenj si Schubert, Schumann dhe Brahms.

    Mbrëmja në TKOB ishte një tjetër dëshmi se muzika e Schubert-it mbetet po aq e freskët, e fuqishme dhe prekëse edhe sot.

  • “Left-Handed Girl”, Filmi tajvanez që po emocionon audiencën botërore dhe synon Oscars 2026

    “Left-Handed Girl”, Filmi tajvanez që po emocionon audiencën botërore dhe synon Oscars 2026

    Regjisorja Shih-Ching Tsou rikthehet me një projekt artistik të fuqishëm emocional, dramën “Left-Handed Girl”, e cila është përzgjedhur për të përfaqësuar Tajvanin në garën për çmimet Oscar 2026. Filmi vendoset në zemër të Taipei-t, në një treg nate të mbushur me jetë, ku zhurma, ngjyrat dhe historitë e njerëzve krijojnë sfondin e një rrëfimi të ndjeshëm familjar.

    Ky projekt shënon debutimin regjisorial të Tsou-së, e njohur për bashkëpunimet e mëparshme me fituesin e Oscar-it Sean Baker. Përveç regjisurës, ajo ka marrë përsipër edhe skenarin, montazhin dhe prodhimin, duke e kthyer filmin në një krijim thellësisht personal. Inspirimi për “Left-Handed Girl” vjen nga kujtimet e fëmijërisë së saj, sidomos një moment kur gjyshi e qortoi pse shkruante me dorën e majtë, si dhe historitë e shitësve të tregut të natës që ajo i vizitoi për vite me radhë.

    Filmi ndjek jetën e një nëne beqare dhe dy vajzave të saj që rikthehen në Taipei për të hapur një kioskë me noodle-s. Ato përballen me dinamika të reja, sfida të përditshme dhe sekrete të së kaluarës, duke sjellë një portret të sinqertë, të gjallë dhe emocional të jetës urbane në Taiwan.

    Për të ruajtur atmosferën autentike, Tsou vendosi të xhirojë në tregun e natës duke përdorur një iPhone, një metodë që i lejoi asaj të fshihej mes turmës dhe të kapte jetën spontane pa tërhequr vëmendjen e njerëzve.

    “Left-Handed Girl” vjen në Netflix më 28 nëntor dhe pritet të tërheqë vëmendjen e kritikëve dhe publikut, duke u bërë një ndër filmat më të përfolur të sezonit.

  • Kuvendi i Prishtinës voton për bartjen e mjeteve vetanake, asnjë votë kundër

    Kuvendi i Prishtinës voton për bartjen e mjeteve vetanake, asnjë votë kundër

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të kryeqytetit, në vlerë 35 milionë euro.

    Vendimi është miratuar pa asnjë votë kundër, e veç një abstenim.

    “Me 38 për, asnjë kundër, asnjë abstenim kalon pika e parë”, tha Kryesuesi.

    Tani hapet rruga për pagesën e faturave, si dhe borxhit edhe ndaj Trafikut Urban si dhe operatorëve privatë.

    “Do t’i ndihmoj kauzës sonë për me i zhblloku gjërat në kryeqytet”, tha Kryetari Rama.

    Pika për buxhetin u tërhoq nga rendi i ditës, që të votohet nga asamblistët e rinj./Reporteri