ATV

Blog

  • Rama: Atmosferë kuqezi në çdo hyrje të Shqipërisë – publikohen pamjet

    Rama: Atmosferë kuqezi në çdo hyrje të Shqipërisë – publikohen pamjet

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka shpërndarë një video në të cilën shihet atmosfera e festës në çdo pikë kufitare të Shqipërisë.

    Për nder të Ditës së Flamurit e Pavarësisë së Shqipërisë, dhjetëra qytetarë shihen në video duke vallëzuar dhe shënuar këtë datë.

    “Atmosferë kuqezi në çdo hyrje të Shqipërisë, nga Morina në Kakavijë”, ka shkruar ai.

  • Parashikimi i motit për fundjavë, reshje shiu e bore

    Parashikimi i motit për fundjavë, reshje shiu e bore

    Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se të shtunën do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu të përziera me borë teksa në viset e larta të Kosovës do të ketë reshje bore.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga veriperëndimi e lehte deri mesatare.

    Ndërkaq, të dielën parashihet mot i vranët, me temperaturat minimale që do të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius.

    Ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-5 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-4m/s.

  • Një pensioniste u josh nga një ‘Brad Pitt i rremë’, i pagoi pothuajse 100,000 dollarë dhe e priti në një dhomë hoteli për javë të tëra

    Një pensioniste u josh nga një ‘Brad Pitt i rremë’, i pagoi pothuajse 100,000 dollarë dhe e priti në një dhomë hoteli për javë të tëra

    Një pensioniste nga Zvicra ishte e bindur se ishte në një lidhje me Brad Pitt. Ajo i pagoi mashtruesit pothuajse 100,000 dollarë (86,300 euro). Madje udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara, ku kaloi tre javë vetëm në një dhomë hoteli duke pritur që të shfaqej një aktor i famshëm.

    Një grua që e identifikoi veten si Patricia tha se gjithçka filloi në maj të vitit 2024, kur ndoqi profilin e Brad Pitt në Instagram dhe mori një mesazh nga dikush që pretendonte të ishte menaxheri i tij. Personi e pyeti nëse do të pranonte të fliste drejtpërdrejt me aktorin, gjë për të cilën ajo pranoi.

    “Ne filluam të komunikonim normalisht, si dy njerëz që takohen në një mënyrë shumë të këndshme”, tha ajo. Ajo shtoi se ata vazhduan të korrespondonin dhe se ai përfundimisht i rrëfeu se e donte.

    “Ai më bëri shumë pyetje rreth asaj se si ndihesha, çfarë lloj gjërash më pëlqenin, si e shikoja jetën dhe pastaj një ditë më rrëfeu se ishte i dashuruar me mua”, tha ajo për Mise Au Point.

    Mashtruesi i kërkoi asaj të mos i tregonte askujt për lidhjen e tyre. Ai pretendoi se ajo duhej t’i paguante para që të takoheshin.

    “E dashur, menaxhmenti im po kërkon 50,000 dollarë (43,100 euro)”, shkroi ai, duke shtuar se ky ishte çmimi i zakonshëm për këdo që donte ta takonte. Ajo fillimisht e refuzoi këtë, por më vonë e bindi veten se mund të ishte i ligjshëm.

    “Mendova, ‘Ndoshta kështu funksionojnë gjërat…’ Nuk kisha pasur kurrë kontakt me aktorin më parë”, tha ajo. I dërgoi 30,000 dollarë (25,800 euro), pastaj 20,000 dollarë (17,200 euro).

    Kur Brad Pitt i vërtetë u shfaq në Festivalin e Filmit në Venecia, ajo shpresonte që ëndrra e saj më në fund do të realizohej. Ajo bëri gati valixhet dhe priti ftesën për t’u bashkuar me të. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Mashtruesi i dërgoi lule dhe një mesazh: “Të dua shumë zemër. Mezi pres të kaloj pjesën tjetër të jetës sime me ty Pitt”.

    Pas pagesave të para, u bë gjithnjë e më e vështirë për të që të hiqte dorë. Mashtruesi kërkoi 10,000 dollarë (8,600 euro) për shpenzime të supozuara mjekësore, pastaj edhe 10,000 dollarë (8,600 euro) të tjerë. Pas kësaj, ai sugjeroi që të takoheshin në SHBA.

    Ajo udhëtoi për në Los Angeles. Megjithatë, përfundoi duke kaluar tre javë vetëm në një hotel. Ajo i dërgoi atij edhe 20,000 dollarë (17,200 euro) të tjerë përpara se të kthehej në shtëpi.

    Kur u kthye në Zvicër, ajo hasi në një histori për një grua franceze që i kishte paguar një mashtruesi tjetër 830,000 dollarë (716,000 euro) sepse ishte e bindur se ai ishte Brad Pitt. Vetëm atëherë e kuptoi se ishte bërë vetë viktimë e mashtrimit. Ajo i raportoi gjithçka policisë. Ajo u tha atyre se i kishte paguar atij pothuajse 100,000 dollarë (86,300 euro) në total.

    “Është një turp i papërshkrueshëm. Kalova pothuajse një vit në një lidhje që nuk ekzistonte. Pyes veten: ‘Si mund të më kishin shfrytëzuar kaq shumë?’” tha ajo.

  • Trump uron Shqipërinë për Pavarësi, ka një mesazh të ngrohtë për shqiptarët

    Trump uron Shqipërinë për Pavarësi, ka një mesazh të ngrohtë për shqiptarët

    Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka marrë një mesazh urimi nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump me rastin e përvjetorit të Pavarësisë.

    Në një reagim në rrjete sociale, Begaj ka ndarë përshëndetjet nga lideri amerikan për shqiptarët në këtë ditë të rëndësishme, ndërsa shton se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me aleatin e saj.

    “Ndihem i nderuar t’u përcjell përshëndetjet e presidentit Trump shqiptarëve për Ditën e Pavarësisë. Faleminderit SHBA, dhe faleminderit”, shkroi Begaj në X.

    “Donald J. Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara mbi prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara. Zoti i bekoftë kombet dhe popujt tanë”, shtoi ai.

    Raportohet se Trump i dërgoi Begajt një mesazh të posaçëm, ku, veç urimeve për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, riafirmon vullnetin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara për forcim të bashkëpunimit me Shqipërinë.

    “Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Shqipërisë ndërsa festoni pavarësinë tuaj. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë të krijuar nga lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë”.

    “Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”, thuhet se shkroi Trump në mesazhin dërguar Begajt.

  • Zelanda e Re nis procesin për zhdukjen e maceve

    Zelanda e Re nis procesin për zhdukjen e maceve

    Zelanda e Re synon të zhdukë macet që jetojnë të lira deri në vitin 2050, njoftoi Ministrja e Mbrojtjes së Natyrës, Tama Potaka . Ajo tha se plani është që macet endacake të shtohen në strategjinë e famshme botërore “Pa Grabitqarë 2050”.

    Macet e braktisura kapen dhe vriten tashmë në disa zona, por grabitqarët e listuar i nënshtrohen shkatërrimit të koordinuar, me programe dhe kërkime në shkallë të gjerë për zhdukjen e tyre. Plane më të detajuara do të publikohen në mars të vitit 2026.

    Më shumë se 2.5 milionë mace enden nëpër pyjet dhe ishujt e Zelandës së Re. Ato mund të rriten deri në një metër të gjata, përfshirë bishtin e tyre, dhe të peshojnë deri në shtatë kilogramë. Ekspertët thonë se ato kanë asgjësuar jetën e egër vendase.

    “Për të rritur biodiversitetin, për të ruajtur trashëgiminë natyrore dhe për të krijuar llojin e vendit që duam të shohim, duhet të heqim qafe disa nga këto krijesa vrasëse”, tha Potaka.

    Përfshirja e maceve në listën e grabitqarëve vjen pas vitesh fushatash. Deri më tani, masa të tilla janë kundërshtuar nga shumë anëtarë të publikut. Kur ambientalisti Gareth Morgan nisi fushatën “Cats Must Go” në vitin 2013, kjo shkaktoi trazira. Një konkurs që i inkurajonte fëmijët të qëllonin macet u prit me kundërshtime nga grupet e të drejtave të kafshëve. Departamenti i Konservimit i tha Guardian se reagimet mbi draftin e strategjisë ishin në shumicë dërrmuese në favor të kontrollit të maceve, me 90 përqind që mbështesnin listimin ose monitorimin më të mirë të maceve.

    Macet shtëpiake, të cilat nuk përfshihen në strategji, konsiderohen gjithashtu një kërcënim serioz për biodiversitetin. Ndikimi i tyre ka shkaktuar debat të nxehtë midis publikut që i do macet në vend, i cili ka një nga normat më të larta të maceve shtëpiake në botë dhe rregulla të pabarabarta pronësie.

  • “Doktori nuk më ndihmoi”, Shontana paralizohet në fytyrë

    “Doktori nuk më ndihmoi”, Shontana paralizohet në fytyrë

    Tiktokeri i njohur Shantana, i cili u bë viral në TikTok dhe rrjete të tjera sociale në Kosovë dhe Shqipëri, kryesisht për shkak të videove “Live” dhe dinamikës së tij me një vajzë të njohur si “Malsorja”, ka publikuar një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, ku tregon me detaje momentet kur zbuloi se ishte prekur nga paraliza e fytyrës (Bell’s palsy).

    Në videon e tij, ai shpjegon se gjithçka nisi pas disa ditësh lodhjeje dhe dhimbjesh në pjesën e djathtë të fytyrës.

    “Për pesë ditë po luaja PlayStation, më dhimbte pas veshit. Mendova se do më kalonte. Pastaj në banjo, kur po laja dhëmbët dhe desha të pështyja, më iku pështyma anash. U tremba. E pashë fytyrën dhe ishte shtrembër,” rrëfen ai.

    Shantana tregon se një herë më parë, në vitin 2015, kishte kaluar të njëjtin problem, prandaj e kuptoi menjëherë se diçka nuk shkonte.

    Ai thotë se bashkë me të vëllain shkuan urgjent në spital, por aty nisi “drama e vërtetë”.

    “Në fillim infermieret më panë dhe dyshuan se ishte paralizë faciale. Por kur hyra te doktori, ai më tha se nuk kisha asgjë. E pashë në fytyrë, nuk më pëlqente. Nuk buzëqeshi asnjëherë. Më tha ‘kthehem për 10 minuta’, por u kthye pas 3–4 orësh.”

    Sipas Shantanës, ndërkohë që fytyra i përkeqësohej nga minuta në minutë, mjeku vazhdonte të insistonte se ai “nuk kishte asgjë”.

    “Isha nervoz. E hoqa vetë gjilpërën, dola jashtë. Dhe për shkak se bëra zë brenda, na mbajtën edhe dy orë e gjysmë për një letër,” tregon ai.

    Në fund, sipas tij, as mjeku nuk e firmosi dokumentin, por asistenti. “Asistenti shkoi ta pyesë doktorin nëse mund ta lëshonin letrën. Ai i tha, nëse vdes, vdes tani,” pretendon tiktokeri në videon e tij.

    VIDEO

  • Flamur Noka e bën një lapsus gjatë urimit: Sot dita kur Skënderbeu ngriti flamurin në Vlorë

    Flamur Noka e bën një lapsus gjatë urimit: Sot dita kur Skënderbeu ngriti flamurin në Vlorë

    Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ishte sot në Vlorë së bashku me demokratë të tjerë, për të bërë homazhe në varrin e Ismail Qemalit me rastin e 28 Nëntorit.

    Gjatë prononcimit të tij për mediat, teksa po uronte Festën e Pavarësisë, Noka bëri një lapsus, kur tha se “Skënderbeu ngriti flamurin në Vlorë”.

    “PD në këtë ditë Feste Kombëtare, ditë të shenjtë për kombin shqiptar, uron gëzuar këtë festë, këtë ditë të madhe çdo shqiptari. Është 28 Nëntori, dita kur Skënderbeu ngriti Flamurin në Vlorë… kur Skënderbeu ngriti Flamurin në Krujë, dhe Ismail Qemali ngriti Flamurin në Vlorë”, tha ai, duke e korrigjuar shpejt lapsusin e tij.

  • U kapën duke vjedhur në një qendër tregtare, arrestohen dy persona, Policia jep detaje

    U kapën duke vjedhur në një qendër tregtare, arrestohen dy persona, Policia jep detaje

    Policia ka arrestuar dy të rinj në Shtime që dyshohen për vjedhje të produkteve ushqimore dhe gjësendeve të tjera në një qendër tregtare.

    Në njoftim thuhet se personat e dyshuar ishin ndalur nga sigurimi deri në mbërritjen e policisë. Ata kishin shkuar në Shtime me një veturë që kishte rezultuar e vjedhur po atë ditë në Skënderaj.

    ” Njësia e hetimeve ka reaguar menjëherë dhe ka arrestuar dy të dyshuarit: Sh. Z. , rreth 20 vjeç dhe F. Z., rreth 15 vjeç, të cilët janë shoqëruar në stacionin policor. Gjatë procedurave zyrtare, janë sekuestruar sendet e vjedhura, ndërsa personat e dyshuar janë intervistuar. I mituri është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe prindit, sipas procedurave ligjore. Nga veprimet hetimore është konstatuar se të dyshuarit kishin ardhur në Shtime me një veturë të tipit Renault, me targa vendore, e cila kishte rezultuar e vjedhur po atë ditë në qytetin e Skenderajt. Në lidhje me këtë, është njoftuar stacioni policor në Skenderaj për të vazhduar trajtimin e rastit të vjedhjes së veturës”, thuhet në njoftim.

  • Prekazi mbushet me vizitorë në 28 Nëntor, nderohet komandanti Adem Jashari

    Prekazi mbushet me vizitorë në 28 Nëntor, nderohet komandanti Adem Jashari

    Në përvjetorin e ditëlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari ditën e pavarësisë se Shqipërisë, dhe daljës për herë të parë të UÇK-së qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare kanë vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Në këtë ditë, qytetarë të shumtë nga Shqipërisë ishin aty për të nderuar komandantin Adem Jashari.

    Qytetari nga Tirana, Elidon Gramçi tha për KosovaPress se ky ëahtë viti i pestë radhazi që viziton Prekazin për të nderuar familjen Jashari që dhanë jetën për atdhe.

    Ai u shpreh se Kosova e Shqipëria është një komb.

    “Është viti i pestë radhazi që vi, i nderojmë dëshmorët e atdheut, jemi një.. Për me nderua familied Jashari sepse kanë dhënë jetën e tyre, një festë është, është dhe ajo e Vlorës, por është dhe kjo këtu”, tha ai.

    Qytetari tjetër, nga Elbasani Fitim Beqiri shpreson që një ditë Shqipëria e Kosova të bëhen një komb.

    Me emocione të shumta, Beqiri i cili vizitoi për here të parë Prekazin, u ndje krenarë për familjen Jashari.

    “Ndjej një krenari të madhe, jam për here të parë këtu për fisin e Jasharve kam emocione kanë kontribu për çlirimin e Kosovës. Ishalla arrijmë një ditë që të bashkohemi të bëhemi një komb, trojet etnike shqiptare”, tha Beqiri.

    Veterani nga brigada 111 “Tigrat e Zi” Bekim Shyti shtoi se kjo festë e veçantë bashkon shqiptarët nga Leposaviqi e në Vlorë.
    Ai tha se këtë datë të rëndësishme duhet të përcillen te gjeneratat e reja, që të jenë të vetëdijshëm për luftën e UÇK-së.

    “Festa e 28 Nëntorit datë e veçantë e cila na bashkon të gjithë shqiptarëve nga Leposaviqi deri në Vlorë, datë që duhet ta përfjellin të gjithë gjeneratat. Dalja e UÇK-së, ditëlindja e Adem Jasharit, këto data duhet patjetër t’i përcjellim te gjeneratat e ardhshme që janë data historike”, shtoi Shyti.

    Ndërsa, Ragim Emrushi nga komuna e Shtimës tha se kjo është dita më e gëzueshme e kombit shqiptarë.

    “Sot është 28 Nëntori dita më e gëzueshme e jona, betimin ushtarët e kanë dhënë këtë ditë. Këtyre këtu ju qoftë lavdi të gjithëve”, tha ai.

    Në këtë datë të rëndësishme shqiptarët festojnë tre ngjarje kryesore, daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për herë të parë, ditëlindjen e heroit, komandantit legjendar Adem Jashari dhe 113 vjetorin e pavarësisë se Shqipërisë.

  • Elbert Krasniqi nën hetime për kanosje, flet avokati i tij

    Elbert Krasniqi nën hetime për kanosje, flet avokati i tij

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po hetohet nën dyshimin për kanosje ndaj dy personave.

    Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 23 nëntor, në Pejë.

    “Me urdhër të prokurorit është iniciuar rast për veprën penale ‘Kanosje’. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, tha Nikçi.

    Ai shtoi se sipas viktimave, Krasniqi dyshohet se ka vendosur dorën në armë gjatë incidentit.

    Avokati i Krasniqit, Artan Kastrati, tha se klienti i tij i mohon akuzat.

    “Lidhur me rastin, organet e drejtësisë janë duke kryer punën e tyre dhe ne qëndrojmë pranë deklaratës që kemi dhënë mbrëmë duke mohuar në tërësi kanosjen nga ana e klientit tim. Sapo të ketë zhvillime të reja, do të prononcohemi”, tha Kastrati për Betimin për Drejtësi.

    Ai shtoi se në momentin e ngjarjes, Krasniqi ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët.

    “E rëndësishme është se klienti im ka treguar gatishmëri dhe bashkëpunim që nga fillimi në zbardhjen e së vërtetës. Në momentin e ngjarjes, ministri ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët, gjë që e bën rastin edhe më të ndjeshëm”, theksoi avokati.

    Sipas tij, denoncuesit e rastit janë të njohur për organet e drejtësisë dhe rasti dyshohet të jetë politik, sidomos në prag të zgjedhjeve.

    “Duhet theksuar gjithashtu se denoncuesit janë persona me precedent dhe të njohur për organet e drejtësisë, gjë që përforcon dyshimin se rasti është tendencioz dhe politik, sidomos për faktin kur dihet se jemi në prag të zgjedhjeve”, përfundoi Kastrati. /BetimipërDrejtësi/