ATV

Blog

  • Haxhiu mbron emërimin e kryeprokurorit Gashi: Akuzat për lidhje me VV-në, qesharake

    Haxhiu mbron emërimin e kryeprokurorit Gashi: Akuzat për lidhje me VV-në, qesharake

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka mbrojtur emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Arian Gashi, pas kritikave dhe pretendimeve për afërsi të tij me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Haxhiu tha se Gashi nuk është emëruar pa përvojë apo jashtë sistemit prokurorial, ndërsa pretendimet për lidhje politike i cilësoi si përpjekje për të dëmtuar procesin e emërimit.

    “Gashi nuk ka ardhë nga rruga që bëhet kryeprokuror. Ai ka qenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, prandaj këto deklarata se ai është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje janë qesharake. Dhe nuk e di se nga kush kanë ardhë, por janë, si me thënë, përpjekje dashakeqe për të dëmtuar një proces që ju të gjithë e keni parë që është mbikëqyrë edhe nga organizatat kredibile të shoqërisë civile, dhe po ashtu dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Partnerët ndërkombëtarë e kanë përshëndetur këtë emërim, ndërsa sa i përket organizatave të shoqërisë civile më kanë bërë thirrje që sa më shpejt të emërohet Kryeprokurori i Shtetit, duke pasur parasysh që Kosova është më shumë se katër vite me U.D. Kryeprokuror të Shtetit”, tha ajo.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes tha se nga kryeprokurori i ri pret angazhim maksimal në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së vendit.

    “Unë zotit Gashi i uroj sukses dhe punë të mbarë në detyrën e tij. Është shumë e rëndësishme ajo çfarë ia kam thënë në takim, në ditën kur e kam emëruar, që mandatin e tij, përgjegjësinë e tij ta ushtrojë me përgjegjësinë më të lartë institucionale, me integritet të lartë profesional e moral, dhe me përpjekje maksimale për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin në mënyrë që në Republikën e Kosovës të mos ketë zyrtarë të korruptuar që ndihen të paprekshëm, dhe të mos ketë përpjekje për të destabilizuar në çfarëdo forme ndonjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës siç ka ndodhur, referuar sulmit në Banjskë apo në Ibër-Lepenc. Pra, është shumë e rëndësishme që detyrat të kryhen me profesionalizmin më të lartë. Ata që thonë që është në Vetëvendosje, le të vazhdojnë ta bëjnë”, tha ajo.

  • Pesë lloje frutash që çdo grua shtatzënë duhet t’i përfshijë në dietën e saj

    Pesë lloje frutash që çdo grua shtatzënë duhet t’i përfshijë në dietën e saj

    Shtatzënia është një kohë kur ushqyerja nuk është më vetëm një zgjedhje për nënën, por gjithashtu hedh themelet për shëndetin e foshnjës. Fruti është aleati më i mirë në këtë proces sepse është i pasur me vitamina, minerale, fibra dhe ujë, dhe gjithashtu ofron një mënyrë të shëndetshme për të kënaqur dëshirën tuaj për ëmbëlsira.

    Edhe pse pothuajse çdo frut i freskët është një zgjedhje e shkëlqyer, disa lloje dallohen për shkak të vlerave të tyre specifike ushqyese që ndihmojnë drejtpërdrejt zhvillimin e fetusit dhe lehtësojnë shqetësimet e zakonshme të shtatzënisë.

    Bananet si shpëtimtar kundër të përzierave dhe ngërçeve

    Bananet konsiderohen me të drejtë një aleat ideal, veçanërisht në fazat e hershme të shtatzënisë. Ato janë të buta për stomakun dhe të lehta për t’u tretur, duke i bërë ato një zgjedhje të shkëlqyer për gratë shtatzëna që vuajnë nga të përzierat në mëngjes. Për shkak të përmbajtjes së lartë të vitaminës B6, e cila është treguar se ndihmon në lehtësimin e të përzierave, dhe kaliumit, i cili rregullon ekuilibrin e lëngjeve në trup, bananet janë të paçmueshme. Kaliumi gjithashtu luan një rol kyç në zvogëlimin e ngërçeve të pakëndshme në këmbë, të cilat shpesh ndodhin në fazat e mëvonshme të shtatzënisë.

    Fruta agrume për imunitet dhe thithje më të mirë të hekurit

    Agrumet, si portokalli, limoni dhe mandarina, ofrojnë një freski të nevojshme dhe ndihmojnë në luftimin e të përzierave me shijen e tyre të veçantë të thartë. Këto agrume janë jashtëzakonisht të pasura me vitaminë C dhe acid folik natyral, i cili është thelbësor në shtatzëninë e hershme për zhvillimin e duhur të sistemit nervor të foshnjës. Përveç kësaj, vitamina C në agrume lehtëson shumë thithjen e hekurit nga ushqimi, kështu që limonata ose portokalli i freskët është një shoqërues i shkëlqyer për vaktet e pasura me hekur, siç janë mishi i kuq ose spinaqi.

    Manaferrat si një mbrojtje natyrale dhe stimulues i tretjes

    Manaferrat, duke përfshirë boronicat, mjedrat dhe manaferrat, janë një burim i vërtetë antioksidantësh. Ato kanë një indeks të ulët glicemik, që do të thotë se nuk shkaktojnë rritje të papritura të sheqerit në gjak, duke i bërë ato perfekte për një meze të lehtë dhe të shëndetshme. Përmbajtja e lartë e fibrave dhe ujit në manaferra stimulon natyrshëm tretjen, duke ofruar një zgjidhje të butë dhe efektive për problemin e zakonshëm të kapsllëkut gjatë shtatzënisë.

    Avokado për zhvillimin e trurit të foshnjës

    Edhe pse në gatim shpesh e klasifikojmë si perime, avokado është në fakt një frut me vlera të jashtëzakonshme ushqyese për gratë shtatzëna. Është i pasur me yndyrna të shëndetshme, mono të pangopura, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e duhur të trurit, sistemit nervor dhe lëkurës së foshnjës. Përveç kësaj, avokado përmban fibra, kalium dhe vitaminë K, dhe ndihmon në mënyrë aktive trupin tuaj të përthithë më lehtë vitaminat e tjera të tretshme në yndyrë që merrni përmes dietës suaj.

    Frutat e thata si një burim i koncentruar energjie

    Frutat e thata, të tilla si kumbullat e thata dhe kajsitë, ofrojnë një burim të koncentruar lëndësh ushqyese si hekuri dhe kaliumi. Për shkak të përmbajtjes së tyre të lartë të sheqerit natyror, ato duhet të konsumohen me masë, por vetëm disa kumbulla të thata në ditë mund të jenë një mënyrë jashtëzakonisht efektive dhe natyrale për të rregulluar tretjen dhe për të stimuluar jashtëqitjen pa pasur nevojë për laksativë.

    Si t’i përfshini këto ushqime lehtësisht në jetën tuaj të përditshme

    Të gjitha këto fruta janë të lehta për t’u përfshirë në dietën tuaj të përditshme. Mund të prisni një banane në bollgurin e mëngjesit ose të përzieni manaferrat me kos grek për një kombinim ideal të proteinave dhe fibrave. Avokadot janë të shkëlqyera për t’u lyer me pak lëng limoni ose për t’u shtuar në sallata të freskëta.

  • Fanella e Peles në finalen e Kupës së Botës 1958 shitet për një shifër marramendëse

    Fanella e Peles në finalen e Kupës së Botës 1958 shitet për një shifër marramendëse

    Një fanellë e veshur nga legjenda braziliane, Pele, gjatë finales së Kupës së Botës 1958 është shitur për 4.9 milionë dollarë (4.28 milionë euro) në një ankand të Sotheby’s në Nju Jork.

    Është fanella e dytë më e vlefshme e futbollit e shitur, pas fanellës së Argjentinës që Diego Maradona veshi kur shënoi golin e njohur si “Dora e Zotit” kundër Anglisë në Kupën e Botës 1986 – e cila u shit për 7.1 milionë funte (8.36 milionë euro) në vitin 2022.

    Duke marrë gjithsej 10 oferta nga më shumë se pesë ofertues, fanella e Peles nga finalja e vitit 1958 është sendi i tij më i vlefshëm i relikteve i shitur ndonjëherë në ankand.

    Pikërisht kjo fanellë u shit në vitin 2004 për vetëm 105,600 dollarë (92, 308 euro).

    Pele shënoi dy herë kundër Suedisë si 17-vjeçar në finalen e Kupës së Botës 1958, duke fituar trofeun e parë nga tre Kupat e Botës së tij.

    Ai ende mban rekordin për lojtarin më të ri që shënon në një finale të Kupës së Botës.

    “Rezultati i sotëm është një dëshmi e fuqishme e trashëgimisë së qëndrueshme të njërit prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, tha Brendan Haëkes, kreu i strategjisë dhe zhvillimit sportiv në Sotheby’s.

    “Kjo fanellë nuk është vetëm një kujtesë e përhershme e njërit prej momenteve më të rëndësishme në historinë e futbollit, por është kryesisht e lidhur me momentin që e katapultoi Pelen në një ikonë globale të sportit”, shtoi ai.

    Artikuj të tjerë të shitur në ankandin ‘The Beautiful Game’ të enjten përfshinin shiritin e kapitenit që mbante Maradona gjatë Kupës së Botës 1986 – përfshirë edhe kur shënoi golin ‘Dora e Zotit’ kundër Anglisë – i cili u shit për 512,000 dollarë (447,554 euro).

    Një fanellë e veshur nga Lionel Messi gjatë fitores dramatike 6–1 të Barcelonës kundër Paris St-Germain në 1/8-tën e finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2017 u shit për 217,600 dollarë (190,210 euro), ndërsa fanella e David Beckham nga paraqitja e tij e 50-të me Anglinë në Kupën e Botës 2002 u shit për 51,200 dollarë (44,755 euro).

  • Dafina Zeqiri feston ditëlindjen e parë të Daskanit me një dedikim të veçantë

    Dafina Zeqiri feston ditëlindjen e parë të Daskanit me një dedikim të veçantë

    Këngëtarja, Dafina Zeqiri, po feston sot një moment shumë të veçantë në jetën e saj familjare.

    Djali i saj, Daskani, ka mbushur një vit, duke shënuar ditëlindjen e tij të parë.

    Me këtë rast, artistja ka ndarë në rrjetet sociale një fotografi prekëse nga momenti i lindjes së të birit, ku ai shihet menjëherë pasi erdhi në jetë.

    Krahas imazhit, Dafina i ka kushtuar një urim plot dashuri.

    “Urime ditëlindja drita e shpirtit tem! T’du ma shumë se veten! Gjithmonë”, ka shkruar ajo, duke shprehur lidhjen e fortë që ka me djalin e saj.

    Familja e Dafinës dhe bashkëshortit të saj, Kreshnikut, pritet të zgjerohet edhe më tej.

    Çifti është në pritje të fëmijës së dytë, një tjetër djalë, duke e bërë këtë periudhë edhe më të veçantë për ta.

  • Ariana Musliu-Shoshi: Kurti e ka futur Kosovën në izolim, Serbia po forcon lidhjet me SHBA-në

    Ariana Musliu-Shoshi: Kurti e ka futur Kosovën në izolim, Serbia po forcon lidhjet me SHBA-në

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për, siç ka thënë ajo, dështimet në politikën e jashtme dhe dëmtimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas Musliu-Shoshit, Serbia po nis Dialogun Strategjik me SHBA-në, ndërsa Kosovës po i vendosen kushte për ta filluar një proces të tillë.

    Ajo ka vlerësuar se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një qeverisjeje që, sipas saj, ka dëmtuar besimin me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës dhe e ka futur vendin në izolim ndërkombëtar.

    Deputetja e PDK-së ka kërkuar që Qeveria të marrë përgjegjësi për situatën dhe të punojë për rikthimin e besimit me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë, duke theksuar se interesi i Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesin partiak.

  • Haxhiu për seancën konstituive: Do të mbahet në javën e parë të gushtit

    Haxhiu për seancën konstituive: Do të mbahet në javën e parë të gushtit

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive do të mbahet në javën e parë të muajit gusht.

    Gjatë deklarimit të saj, Haxhiu dha edhe një premtim se së shpejti do të bëhet publike data dhe ora e mbajtjes së seancës.

    “Do të ketë seancë në javën e parë të gushtit. Ju premtoj që javën e ardhshme do të tregojmë datën dhe orën”, deklaroi Haxhiu.

    Më herët, Presidenca kishte njoftuar se Haxhiu ka vendosur që ta caktojë seancën konstituive afër fundit të afatit ligjor, i cili përfundon më 7 gusht.

    Sipas Presidencës, ky vendim është marrë me qëllim që t’u lihet kohë partive politike për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

  • Selmanaj: Albin Kurti brenda 48 orëve vuri nën kontroll Prokurorinë, Kuvendin dhe AKP-në

    Selmanaj: Albin Kurti brenda 48 orëve vuri nën kontroll Prokurorinë, Kuvendin dhe AKP-në

    Ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se brenda vetëm dy ditësh, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka dëshmuar edhe një herë se synimi i tyre nuk është forcimi i institucioneve të pavarura, por nënshtrimi i plotë i tyre ndaj pushtetit politik.

    Selmanaj ka renditur edhe disa vendime që janë marrë.

    Zejnullah Gashi u dekretua Kryeprokuror, një veprim që kritikohet si vendosje e sistemit prokurorial nën ndikimin e pushtetit.

    Feride Podvorica u emërua ushtruese e detyrës së Sekretares së Kuvendit, duke u cilësuar si zgjerim i kontrollit mbi administratën parlamentare.

    Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), Nora Kelmendi, anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, u rendit kandidatja më e poentuar për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv.

    Postimi i tij i plotë:

    Vetëm brenda dy ditësh, Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje ka dëshmuar edhe një herë se synimi i tyre nuk është forcimi i institucioneve të pavarura, por nënshtrimi i plotë i tyre ndaj pushtetit politik.

    Brenda 48 orëve:

    – Sistemi prokurorial u vu nën ndikimin e pushtetit, me dekretimin e Zejnullah Gashit si Kryeprokuror.

    – Administrata e Kuvendit u vendos nën kontroll, përmes emërimit të Feride Podvoricës si ushtruese e detyrës së Sekretares së Kuvendit.

    – Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), si kandidatja më e poentuar për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv u rendit Nora Kelmendi, anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Kur këto zhvillime shihen së bashku, na forcojnë bindjen për tendencën e vazhdueshme për përqendrimin e ndikimit politik mbi çdo institucion shtetëror. E megjithatë, opozita vazhdon të heshtë.

    Në demokraci, heshtja përballë përqendrimit të pushtetit nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të kthehet në miratim të heshtur.

    Nëse opozita nuk ngre zërin sot, nesër mund të jetë tepër vonë. Demokracia mbrohet me reagim, me përgjegjësi dhe me veprim, e asesi me heshtje.

  • Familja e kosovarit të burgosur në Serbi kërkon dokumente se Osman Selmani ishte refugjat gjatë luftës

    Familja e kosovarit të burgosur në Serbi kërkon dokumente se Osman Selmani ishte refugjat gjatë luftës

    Shtetasi kosovar, Osman Selmani, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare Mutivodë kishte qenë duke u kthyer nga Medvegja në Prishtinë.

    Familjarë dhe miq të Osmanit kanë bërë apel për ndihmë teksa potencojnë se akuzat ndaj Selmanit për krime lufte janë të pabazuara pasi ‘gjatë periudhës prill–qershor 1999, kur pretendohet se kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet, ai ishte refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran Gostivar’.

    “Sipas të gjitha informacioneve që disponojmë, gjatë periudhës prill–qershor 1999, kur pretendohet se kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet, Osman Selmani ishte refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran Gostivar”, shkruhet në apel.

    Kujtojmë se Gjykata e Lartë në Serbi i ka caktuar Selmanit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi ai u arrestua më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës.

  • FIFA cakton gjyqtarët për finalen e Kupës së Botës

    FIFA cakton gjyqtarët për finalen e Kupës së Botës

    Slloveni Slavko Vinçiç do të ndajë drejtësinë në duelin e finales së madhe të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, ndërsa ekipi i arbitrave kompletohet nga dy ndihmës sllovenë dhe dy zyrtarë nga Jordania.

    FIFA ka zyrtarizuar ekipin e gjyqtarëve që do të drejtojë finalen e madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila zhvillohet më 19 korrik në “New York New Jersey Stadium” i njohur edhe si “MetLife Stadium”.

    Besimi i është dhënë gjyqtarit slloven Slavko Vinçiç, një prej emrave më të njohur të arbitrimit evropian, i cili do të ketë përgjegjësinë për të drejtuar sfidën që do të vendosë kampionin e ri të botës.

    Vinçiç do të ndihmohet nga bashkëkombësit e tij Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic në rolin e gjyqtarëve anësorë. Ndërkohë, arbitri i katërt do të jetë Adham Makhadmeh nga Jordania, ndërsa Mohammad Alkalaf, po ashtu nga Jordania, është caktuar si gjyqtar ndihmës rezervë.

    Përballja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të jetë kulmi i Kupës së Botës 2026, me dy nga kombëtaret më të forta të turneut që do të luftojnë për trofeun më prestigjioz në futbollin botëror.

    Përzgjedhja e ekipit të gjyqtarëve nga FIFA synon të garantojë një finale të drejtuar nga një staf me përvojë në ndeshjet më të rëndësishme ndërkombëtare.

  • “Kapet” edhe administrata e Kuvendit, Haxhiu e bën u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm shoqen e saj

    “Kapet” edhe administrata e Kuvendit, Haxhiu e bën u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm shoqen e saj

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka vendosur njeriun e saj në krye të administratës së Kuvendit.

    Me anë të një vendimi, të cilin e ka nënshkruar dje, ajo e ka emëruar Feride Podvoricën ushtruese të detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit të Kosovës.

    Podvorica njihet se person shumë i afërt me Haxhiun.

    Paraprakisht, ajo kishte punuar për kohë të gjatë me Albulena Haxhiun në Ministria e Drejtësisë.

    Derisa ky dikaster drejtohej nga Albulena Haxhiu, Podvorica në këtë ministri kishte ushtruar pozita të rëndësishme.

    Fillimisht kishte ushtruar detyrën e zëvendësdrejtoreshës dhe më pas të ushtrueses së detyrës së Drejtoreshës së Departamentit Ligjor.