ATV

Blog

  • Zyrtare: Frenkie de Jong mungon sonte në ndeshjen ndaj Atlético Madrid

    Zyrtare: Frenkie de Jong mungon sonte në ndeshjen ndaj Atlético Madrid

    Barcelona do të jetë pa një nga lojtarët më të rëndësishëm në një nga sfidat më të vështira të sezonit. Frenkie de Jong është përjashtuar nga ndeshja e sotme ndaj Atlético Madrid, pasi holandezi po vuan nga ethe dhe nuk është në gjendje të luajë.

    Klubi katalanas ka konfirmuar se De Jong nuk është përfshirë as në listën e skuadrës, duke e lënë Barcelonën me mungesë të madhe në mesfushë pikërisht në një ndeshje vendimtare.

    Mungesa e tij pritet të detyrojë trajnerin Hansi Flick të bëjë ndryshime në skemë dhe në rolet brenda mesfushës, duke rritur presionin mbi lojtarët e tjerë për të mbuluar hapësirat që zakonisht i menaxhon holandezi.

    Kjo është një goditje e rëndësishme për Barcelonën, e cila kërkon tre pikë të arta në garën për kreun e tabelës, ndërsa De Jong do të duhet të rikuperohet plotësisht përpara se të rikthehet në fushë.

    Një mungesë e rëndë për Barcelonën, në një ndeshje ku stabiliteti në mesfushë është kyç.

  • Haxhiu: KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi, ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm

    Haxhiu: KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi, ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka komentuar zhvillimet e fundit që po ndodhin në Këshill Prokurorial të Kosovës (KPK) e për cka ka thënë se prej KPK prehj kohësh është e kapur nga grupet e interesit që nuk kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial por mbrojtjen e interesave të tyre dhe individëve jashtë Këshillit.

    “Sot të gjithë po e shohin qartë atë për të cilën kemi paralajmëruar ndër vite. KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit. Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm. Reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion”, ka shkruar Haxhiu.

    Haxhiu shkruan mes tjerash edhe për reformat në drejtësi.

    “Që nga viti 2021, kur kemi nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë i qartë, heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore, forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet, dhe krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar. Shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së kjo reformë u ka penguar që nga dita e parë. Ata kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për ta bllokuar, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin, sepse drejtësia dhe interesi publik nuk mund të ndalen nga grupe të izoluara interesi”, përfundon shkrimin Haxhiu.

  • Për çka akuzohet Federica Mogherini?

    Për çka akuzohet Federica Mogherini?

    Të martën janë kryer bastisje në shërbimin diplomatik të Bashkimit Evropian në Bruksel (EEAS) dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges, në kuadër të një hetimi për një mashtrim të mundshëm në përdorimin e fondeve të BE-së, ka njoftuar prokuroria evropiane.

    Në total, tre persona janë arrestuar, ka shtuar prokuroria.

    Njëri prej tyre është rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini.

    Ish–nënkryetarja e Komisionit Evropian aktualisht ndodhet në paraburgim, ka mësuar Le Soir nga burime të sigurta, duke konfirmuar informacionet e L’Echo.

    Sipas të njëjtave burime, personat e tjerë të privuar nga liria për t’u marrë në pyetje janë një menaxher i Kolegjit të Evropës si dhe ish–Sekretari i Përgjithshëm i EEAS (2021–2025), diplomati italian Stefano Sannino.

    Hetimi synon dyshimet për favoritizëm dhe një mundësi konkurrencë të pandershme në dhënien nga EEAS e një programi 9-mujor trajnimi për diplomatët e ardhshëm evropianë, program i cili iu besua Kolegjit prestigjioz të Evropës.

    Faktet e pretenduara datojnë nga periudha 2021–2022, dhe shkeljet e mundshme që po hetohen janë: “mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje e sekretit profesional”, sipas prokurorisë evropiane.

    Kolegji i Evropës është një institucion i arsimit të lartë që formon shumë zyrtarë evropianë.

    Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë “nëse Kolegji i Evropës ose përfaqësuesit e tij janë informuar paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes” në kuadër të procedurës së tenderit të hapur nga shërbimi diplomatik i BE-së për një program trajnimi.

    Prokuroria Evropiane (EPPO), e krijuar zyrtarisht në vitin 2021, është një organ i pavarur i BE-së i ngarkuar me luftimin e mashtrimit me fondet e Unionit dhe çdo shkeljeje tjetër që cenon interesat e tij financiare (korrupsion, pastrim parash, mashtrim ndërkufitar me TVSH etj.).

    Kjo strukturë mbikombëtare ka për detyrë jo vetëm të hetojë, por edhe të ndjekë penalisht dhe t’i çojë në gjykatë autorët e këtyre shkeljeve – një kompetencë që më parë nuk e kishte as Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

    Hetimi po drejtohet bashkërisht nga një gjyqtar hetues i Flandrës Perëndimore, provinca belge ku ndodhet Bruges. Pikërisht policia federale belge ka kryer bastisjet.

    Para kësaj operacioni policor, Prokuroria Evropiane kishte kërkuar heqjen e imunitetit për disa prej të dyshuarve, kërkesë që është miratuar, theksoi organi i akuzës, pa përmendur emra apo funksione.

    Një zyrtar i BE-së konfirmoi për AFP se shërbimi diplomatik në Bruksel ishte një nga objektivat e këtij operacioni policor, lidhur me “aktivitete që datojnë nga mandatet e mëparshme”, përpara se Kaja Kallas të merrte detyrën si Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme në fund të vitit 2024.

  • Partitë kanë edhe pesë ditë afat për t’i dërguar listat e kandidatëve për deputetë në KQZ

    Partitë kanë edhe pesë ditë afat për t’i dërguar listat e kandidatëve për deputetë në KQZ

    Partitë politike do të kenë afat deri më 7 dhjetor për t’i dërguar listat e kandidatëve në KQZ.

    KQZ-ja ka njoftuar se aplikimi bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së.

  • Veliaj përplaset me prokurorin: Prej nëntë muajsh në këtë kafaz metalik, s’kam parë asnjë faqe të dosjes

    Veliaj përplaset me prokurorin: Prej nëntë muajsh në këtë kafaz metalik, s’kam parë asnjë faqe të dosjes

    Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot i pranishëm në Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku kërkoi t’i njihen kushtet për t’u njohur me aktet e dosjes që po hetohet.

    Top Chanel raporton se Veliaj ka kërkuar pajisje teknologjike ne burg, ose të lejohet çdo ditë të shkojë në gjykatë për të studiuar dosjen. Ndërsa kërkesa iu refuzua nga gjykata, Veliaj debatoi me prokurorin Ols Dado, pasi kërkon të mos jetë ‘në kafazin e xhamit’, pasi sipas tij, është trajtim degradues.

    Veliajt iu pranua kërkesa për t’u njohur me aktet, ndërsa seanca u shty më 5 dhjetor, ora 9:00.

    FJALA E PLOTË E VELIAJT:

    E nderuara zonja Gjyqtare. Është hera e parë që paraqitem personalisht në këtë fazë gjyqësore.

    Dua ta nis duke e bërë të qartë se kjo vonesë nuk ka ardhur kurrë për mungesë respekti ndaj këtij trupi gjykues, as ndaj gjykatës, e aq më pak ndaj drejtësisë. Përkundrazi, pikërisht sepse besoj dhe e respektoj drejtësinë, pikërisht sepse e respektoj rolin e gjykatës dhe standardet që duhet të udhëheqin një proces të drejtë, kam kërkuar pa asnjë ndërprerje, në gjithë këta muaj, drejtësi dhe standarde të larta në zbatimin e saj.

    Gjatë gjithë këtyre muajve kam kërkuar vetëm të drejta elementare, të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur ti ushtroj. Kam kërkuar dinjitet dhe të kem akses të plotë, të pakufizuar dhe real, si dhe kohën e kushtet e nevojshme për të lexuar aktet, provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që më ka sjellë para Jush dhe më ka vendosur në izolim.

    Fakti që është dashur një kohë kaq e gjatë për të më vënë në dispozicion një dosje që është bërë jo vetëm shkak i heqjes së lirisë sime, por edhe i largimit faktik nga ushtrimi i funksioneve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, po kthehet në një absurd tragjikomik. Dhe këtë e them me shumë keqardhje dhe me respekt të plotë për këtë gjykatë: vonesa dhe pengesat e vazhdueshme krijojnë panoramën e një paragjykimi të plotë të çështjes, si dhe të trajtimit të të drejtave të mia kushtetuese jo si detyrime solemne të shtetit, por si pengesa që duhen anashkaluar në funksion të një procesi, që duket sikur kërkohet të zhvillohet shpejt, të mbyllet shpejt dhe të dëgjohet sa më pak.

    Fakti që mua personalisht, nuk më është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve, si dhe koha minimale për t’u njohur me një akuzë të ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, flet qartë për fatin procedural që po i përgatitet këtij procesi. Një volum i tillë dokumentesh, që do të kishte sfiduar edhe gjykimet më të rënda të historisë moderne nga Nurembergu deri tek Tribunali i Tokios, po përdoret këtu jo për të zbardhur të vërtetën, por për të bërë praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës sime kushtetuese për t’u mbrojtur. Në këto kushte, është e qartë se procesi rrezikon të humbasë karakterin e tij gjyqësor dhe të kthehet në një procedurë formale ku volumi i akteve zëvendëson dijeninë, ndërsa mungesa e aksesit zëvendëson mbrojtjen.

    Ndaj, znj. Gjyqtare, jam para jush sot për të paraqitur dy kërkesa themelore, kërkesa të cilat nuk burojnë nga statusi im publik, por nga atributi im më i thjeshtë dhe më i rëndësishëm: ai i qytetarit të Republikës së Shqipërisë. Nëse këto kërkesa nuk pranohen, atëherë faktikisht po më përjashtoni nga ky proces gjyqësor, një proces i cili as nuk është nisur nga unë dhe as nuk ka ardhur me iniciativën time. Unë jam thirrur nga kjo gjykatë të marr pjesë në një procedim penal.

    Por, nëse nuk më bëhen të ditura të gjitha aspektet e tij, nëse nuk më garantohet e drejta për t’u mbrojtur dhe nëse nuk trajtohem me dinjitetin që i takon çdo qytetari të këtij vendi, çdo qytetari që beson në standardet evropiane të procesit të drejtë, atëherë më keni treguar “derën” në mënyrë më cinike të mundshme. Në atë moment, gjykata e ka konsideruar prezencën time dhe pjesëmarrjen time jo të panevojshme, por të pakuptimtë, sepse nuk mund të ketë pjesëmarrje reale aty ku mungon mbrojtja reale.

    I. Kërkesa për respektimin e dinjitetit, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për mbrojtje efektive

    Znj. Gjyqtare, qëndrimi im prej nëntë muajsh në këtë kafaz metalik, në prani të këtij trupi gjykues, përbën një shkelje të qartë dhe të vazhdueshme të:

    * dinjitetit tim njerëzor,
    * prezumimit të pafajësisë,
    * të drejtës sime për mbrojtje efektive,
    * dhe të vetë perceptimit të paanshmërisë së gjykatës.

    Ky pozicionim fizik, i pazakontë për një vend që aspiron standarde evropiane, transmeton automatikisht një imazh kriminalizues, krijon idenë se jam një person “i rrezikshëm”, dhe ushqen, qoftë edhe pavetëdijshëm, paragjykime të brendshme brenda vetë trupës gjykuese. Dua të jem shumë i qartë: Këto nuk janë ankesa personale. Këto janë standarde të sanksionuara ndërkombëtarisht, të cilat çdo gjykatë e një shteti anëtar të Këshillit të Evropës është e detyruar t’i respektojë.

    Dua të sjell në vëmendje një fakt të pakontestueshëm: para pak ditësh unë kam qenë i pranishëm në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit dhe aty kam qenë i ulur, jo i mbyllur në kafaz. Nuk pati asnjë shqetësim, asnjë incident, asnjë arsye sigurie. Nëse gjykata më e lartë e Republikës së Shqipërisë ka vlerësuar se unë mund të paraqitem i lirë dhe me dinjitet para saj, është e pakuptimtë që në një gjykatë më të ulët të paraqitem si kërcënim për rendin publik.

    Ky standard i dyfishtë nuk qëndron dhe nuk mund të justifikohet.

    a. Praktika e GJEDNJ: Kafazi = shkelje e neneve 3 dhe 6 të KEDNJ

    Znj. Gjyqtare, standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë të qarta dhe të padiskutueshme: vendosja e të pandehurit në një kafaz është trajtim degradues, poshtërues dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 3 dhe nenin 6 të KEDNJ. Në çështjen Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë, GJEDNJ konstatoi se mbajtja e të pandehurit në një kafaz metalik përbën trajtim degradues dhe dëmton rëndë prezumimin e pafajësisë. Në çështjen Ashot Harutyunyan kundër Armenisë, Gjykata theksoi se një “kafaz hekuri” krijon menjëherë perceptimin se i akuzuari është një “kriminel i rrezikshëm”, sidomos në rastet, si ky i imi, ku nuk ekziston asnjë rrezik real për sigurinë publike.

    Në çështjen Khodorkovskiy dhe Lebedev kundër Rusisë, GJEDNJ ishte edhe më e prerë:

    mbajtja e të pandehurve në kafaz:

    * dëmtoi komunikimin me mbrojtësit,
    * kufizoi pjesëmarrjen reale dhe të ndërgjegjshme në proces,
    * minoi të drejtën për një proces të drejtë.

    Të gjitha këto standarde janë të detyrueshme edhe për këtë gjykatë dhe në asnjërën prej këtyre çështjeve nuk u gjet ndonjë rrezik konkret që ta justifikonte këtë masë. Ashtu si në rastin tim, nuk ka asnjë arsye ligjore, logjike apo faktike për të më mbajtur në këtë kafaz. Asnjë.

    b. Kafazi dëmton mbrojtjen time dhe të drejtën për proces të rregullt

    Znj. Gjyqtare, kjo strukturë metalike ku jam vendosur nuk është një detaj fizik i sallës, është një pengesë e drejtpërdrejtë dhe e vazhdueshme për të ushtruar të drejtat e mia themelore dhe një pabarazi proçeduriale ulëritëse. Ky kafaz më pengon:

    * të komunikoj lirshëm dhe privatisht me mbrojtësit e mi,
    * të ndjPo ek procesin në mënyrë aktive,
    * të kontribuoj realisht në mbrojtjen time,
    * të kem pozitë të barabartë proçeduriale me palën akuzuese,
    * dhe të ruaj dinjitetin që i detyrohet çdo qytetari në një sallë gjyqi.

    Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjet Moisejevs kundër Lituanisë dhe A.B. kundër Rusisë, ka qenë e prerë: mbajtja e të pandehurit në kafaz cenon mënyrë të pakthyeshme të drejtën për mbrojtje efektive, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 6(3)(b) dhe (c) të KEDNJ. Ky është pikërisht rasti im. Ndaj, kërkesa ime nuk është as privilegj, as përjashtim:
    kërkoj thjesht të trajtohem si një qytetar që gëzon prezumimin e pafajësisë dhe barazi proçeduriale, dhe jo si një person i rrezikshëm që duhet ekspozuar në një formë poshtëruese dhe paragjykuese.

    II. E drejta ime për t’u njohur me aktet e dosjes e mohuar plotësisht deri sot

    Znj. Gjyqtare, ashtu siç theksova më lart edhe me një kërkesë time zyrtare paraqitur kësaj gjykate, deri në këtë moment unë nuk jam njohur asnjëherë, as për një ditë, as për një faqe, me përmbajtjen e dosjes penale që numëron rreth 60.000 faqe. USB-ja që prokuroria i ka përcjellë avokatëve të mi nuk mund të më dorëzohet ligjërisht, sepse rregullorja e paraburgimit ndalon përdorimin e çdo pajisjeje elektronike. Ky nuk është një kufizim i rastësishëm: është një pamundësi objektive, e cila e bën formal çdo pretendim se “dosja më është vënë në dispozicion”. Si pasojë:

    * nuk kam parë asnjë faqe të dosjes,
    * nuk kam pasur asnjë mundësi reale të kuptoj akuzën ndaj meje,
    * nuk kam pasur asnjë mjet për të përgatitur mbrojtjen,
    * dhe kështu, e drejta ime për mbrojtje efektive është shkelur brutalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme.

    Ky nuk është një problem procedurial. Është një shkelje thelbësore e nenit 31 të Kushtetutës, nenit 6 të KEDNJ, dhe një cenim i drejtpërdrejtë i vetë kuptimit të procesit të rregullt ligjor.
    Neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë më garanton:

    * të vihem në dijeni menjëherë dhe hollësisht për akuzën që më bëhet, për të drejtat e mia,
    * të kem kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen vetë;
    * të mbrohem vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij

    Neni 6 paragrafi 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut më rikonfirmon të njëjtat garanci dhe,

    Neni 34/a i Kodit të Procedurës Penale më garanton:
    * të njihem me materialet e çështjes,
    * të kem lehtësitë e nevojshme për mbrojtje,
    * të komunikoj privatisht me mbrojtësin,
    * të marr pjesë në mënyrë aktive në proces.
    Asnjë nga këto nuk është respektuar.

    Znj. Gjyqtare, pas rreth 300 ditësh në paraburgim, jam sot përpara jush për t’Ju marr vetëm tre minuta me vetëm me tre kërkesa elementare. Tre kërkesa që nuk kërkojnë as privilegj, as përjashtim, por vetëm respektimin minimal të të drejtave që Kushtetuta ua njeh të gjithë qytetarëve.

    Kërkesat e mia konkrete sot

    1. Heqjen e menjëhershme të masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet detyruese të KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ, që e konsiderojnë këtë praktikë trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës.

    2. Vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime.

    3. Shtyrjen e procedurës, derisa kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale.

    Unë jam këtu i thirrur nga ana Juaj, për t’u mbrojtur, jo për t’u poshtëruar. Jam këtu si një i qytetar i një vendi demokratik dhe të lirë që kërkon të drejtën e tij, por gjithashtu edhe si Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i vetëdijshëm se ky proces prek jo vetëm lirinë time, por edhe parimet më themelore mbi të cilat ndërtohet drejtësia në këtë vend dhe për të cilat si një i votuar kam pjesën time të përgjegjësisë. Dua ta them qartë: drejtësia nuk ndërtohet mbi kafaze, nuk ndërtohet mbi perceptime kriminalizuese dhe nuk ndërtohet duke shkelur të drejtën themelore të mbrojtjes. Unë pres drejtësi me standarte evropiane ose refuzoj të bëhem pjesë e një procedure poshtëruese që nuk e meriton asnjë qytetar i këtij vendi.
    E nderuara gjykatë, me besimin e plotë për përmbushjen e një procesi të rregullt ligjor kërkoj vendimmarrjen tuaj për këto kërkesa.

  • Pse është më e vështirë të humbasësh peshë në dimër?

    Pse është më e vështirë të humbasësh peshë në dimër?

    Një studim i fundit në Universitetin e Kalifornisë ka zbuluar se një proteinë e quajtur PER2 – e cila ndihmon në rregullimin e metabolizmin të yndyrës dhe ritmet e brendshme të trupit – ndryshon sjelljen tonë në varësi të llojit të yndyrave që konsumojmë.

    Për njerëzit, kjo do të thotë se shtimi në peshë gjatë dimrit nuk vjen vetëm nga zakonet sezonale apo ushqimet e ngrohta, por edhe nga një reagim biologjik i trashëguar, i cili na shtyn të ruajmë energji kur ditët bëhen më të shkurtra.

    Më pak dritë dielli

    Kur ka më pak rreze dielli, truri prodhon më pak serotonin – një substancë që na ndihmon të ndihemi të qetë dhe të lumtur. Për të rritur nivelin e serotoninës, trupi fillon të dëshirojë karbohidrate, sepse ato ndihmojnë që triptofani të hyjë në tru, ku më pas shndërrohet në serotonin.

    “Mot i ftohtë, ditë më të shkurtra dhe ndryshime në kiminë e trurit bashkëveprojnë duke i bërë ushqimet e pasura me karbohidrate veçanërisht tërheqëse në dimër. Mungesa e dritës së diellit ndikon në mënyrën se si hamë dhe çfarë hamë. Prandaj karbohidratet vërtet ofrojnë ngushëllim gjatë muajve të errët”, ka thënë ekspertja e shëndetit metabolik, Michal Mor, për The Telegraph.

    Temperatura më të ulëta

    Trupi i njeriut shpenzon shumë energji për t’u ngrohur kur bie temperatura. Ky proces (termorregullimi) ndodh duke djegur glukozë ose rezervat e yndyrës. Kur aktivizohet, trupi fillon të mbrojë dhe të plotësojë këto rezerva.

    “Nëse kaloni shumë kohë në të ftohtë, sidomos në fund të vjeshtës, aktivizohet një reagim që ju bën të përqendroheni më shumë te ushqimi. Në mjedisin e sotëm plot ushqime, është shumë e lehtë të hani më shumë se sa ju nevojitet, duke anuluar efektin e të ftohtit”, u shpreh profesori Andrew Higginson, biolog evolucionar në Universitetin e Exeterit.

    Yndyra = mbijetesë

    Një nga arsyet kryesore pse shtojmë peshë gjatë dimrit – dhe pse vështirë humbim – lidhet me avantazhin e madh evolucionar të grumbullimit të yndyrës në klimë të ftohtë.

    “Yndyra është në thelb sigurim ndaj mungesës së ushqimit. Grumbullimi i yndyrës në vjeshtë, kur ka bollëk frutash dhe arrash, është një strategji e thellë evolutive mbijetese për dimrin”, u shpreh Higginson.

    Ulja e aktivitetit fizik

    Profesori Stuart Flint, psikolog i obezitetit në Universitetin e Leeds, shpjegon se në këtë kohë njerëzit ecin më pak dhe janë më pak aktivë fizikisht.

    “Këto ndryshime ndikojnë në humor, e cila më pas ndikon në sjelljen ushqimore. Me fjalë të tjera, shpesh kërkojmë çokollatë për të ‘shkarkuar’ emocione”, ka thënë ai.

    Ndryshimet në gjumë

    Më pak dritë dielli rrit nivelin e melatoninës – substancë që përgatit trupin për gjumë. Kjo mund të çojë në ritme të çrregulluara gjumi. Gjumi i keq ose i pamjaftueshëm prek hormonet, metabolizmin, rregullimin e oreksit dhe ekuilibrin e energjisë – të gjitha këto mund të nxisin shtimin e yndyrës.

    Mungesa e vitaminës D

    Më pak rreze dielli do të thotë më pak vitaminë D – dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me rrezikun e shtimit në peshë. Vitamina D ndikon në ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe metabolizmin e glukozës.

    Mungesa e saj mund të nxisë rezistencën ndaj insulinës, çka çon në rritje të sheqerit në gjak dhe më shumë depozitim të yndyrës. Ajo prek edhe hormonin e ngopjes (leptinën) dhe hormonin e urisë (ghrelinin).

    Nivelet e ulëta të vitaminës D dobësojnë sinjalin “jam ngopur”, duke rritur ndjenjën e urisë. Ajo mund të rrisë edhe kortizolin, hormon stresi i lidhur me yndyrën viscerale. Për më tepër, vitamina D ndihmon në rregullimin e gjeneve që përfshihen në metabolizimin dhe djegien e yndyrës.

  • Kenan Yildiz shkëlqen te Juventusi, por rinovimi mbetet pezull, interes i fortë nga Arsenal dhe Real Madrid

    Kenan Yildiz shkëlqen te Juventusi, por rinovimi mbetet pezull, interes i fortë nga Arsenal dhe Real Madrid

    Kenan Yildiz po përjeton sezonin e tij më të mirë me Juventusin, duke u kthyer në një sensacion të vërtetë në Serie A. 19-vjeçari ka bërë bujë duke u bërë golashënuesi më i mirë i sezonit për Bianconerët dhe duke arritur shifrën e 20 golave më shpejt se legjenda Alessandro Del Piero.

    Me Dusan Vlahovic të lënduar, numri 10 i ri i Juventusit po mban mbi supe përgjegjësi të mëdha, ndërsa lidhja e tij emocionale me klubin po rritet dita ditës.

    Bisedimet për kontratën e re po ecin përpara, por ende ka diferenca të rëndësishme.

    Yildiz kërkon 6–7 milionë euro në sezon, pagë që sipas tij i përshtatet statusit të ri si lojtar kyç.

    Juventusi ka ofruar pak më pak se 5 milionë euro, një rritje e madhe krahasuar me pagën e tij aktuale prej 1.7 milionë euro.

    Të dyja palët mbeten të interesuara që marrëveshja të mbyllet sa më shpejt, për të shmangur ndërhyrjen e klubeve të tjera të mëdha.

    Performancat e turkut nuk kanë kaluar pa u vënë re në Evropë.

    Arsenali ka rritur interesimin për sulmuesin, duke e parë si një investim ideal afatgjatë.

    Xabi Alonso, trajneri i Real Madridit, e ka rekomanduar personalisht Yildizin te drejtuesit e klubit, pasi e ka dashur edhe kur drejtonte Leverkusenin.

    Deri në momentin kur do të ketë një marrëveshje të re, Yildiz mbetet objektiv i klubeve më të mëdha të kontinentit.

    Juventusi po lufton për ta mbajtur yllin e tyre të ri, por gara sapo ka nisur.

  • Samsung zbulon telefonin e parë ‘me palosje të shumëfishtë’

    Samsung zbulon telefonin e parë ‘me palosje të shumëfishtë’

    Samsung Electronics ka zbuluar telefonin e saj të parë inteligjent me palosje të shumëfishtë, në një përpjekje për të forcuar pozicionin e saj në një sektor të tregut të telefonave ku konkurrenca pritet të intensifikohet.

    Lansimi i Galaxy Z TriFold shënon përpjekjen e Samsung për të forcuar pozicionin e saj në një segment ku rivalët kinezë kanë fituar terren, edhe pse analistët thonë se çmimi i lartë dhe sfidat e prodhimit nënkuptojnë se pajisjet e palosshme ka të ngjarë të mbeten një kategori e veçantë për momentin.

    Modeli shpaloset në një ekran 253.1 milimetra (10 inç), duke përdorur tre panele dhe është gati 25% më i madh se modeli i fundit i palosshëm i Samsung, Galaxy Z Fold 7.

    “Unë besoj se tregu i pajisjeve të palosshme do të vazhdojë të rritet, dhe TriFold në veçanti mund të veprojë si një katalizator që nxit rritje më shpërthyese në pjesët kryesore të segmentit”, ka thënë Alex Lim, Zëvendëspresident Ekzekutiv i Samsung Electronics dhe kreu i Zyrës së Shitjeve dhe Marketingut në Kore.

    Lim tha se pajisja e re e palosshme është menduar për klientët që e dëshirojnë atë posaçërisht.

    TriFold, i prodhuar në Korenë e Jugut, do të dalë në shitje në vend më 12 dhjetor dhe do të lansohet në Kinë, Singapor, Tajvan dhe Emiratet e Bashkuara Arabe brenda këtij viti.

    Lansimi në SHBA pritet që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/

  • Afaristi nga diaspora kandidat i AAK-së për deputet

    Afaristi nga diaspora kandidat i AAK-së për deputet

    Mehmet Klinaku nga Vushtrria, arkitekt me profesion dhe afarist i njohur në Gjermani, nga sot i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Kështu ka bërë të ditur kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

    Haradinaj tha se Klinaku do ta begatojë listën e AAK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “Ai sjell energji pozitive nga diaspora e respektuar shqiptare në Gjermani, si dhe një vizion të qartë për strategjinë që Kosova duhet ta ndërtojë për tërheqjen e investimeve nga diaspora, investime që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit”.

    “Diaspora nuk duhet të përmendet vetëm kur nevojiten votat, ajo duhet të jetë aksionare kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Prandaj, shteti duhet t’i krijojë kushte më të lehta e më të afërta diasporës për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve të ndryshme, përmes ekipeve mobile dhe zgjidhjeve të tjera praktike. Mirë se u bashkove me Aleancën, Mehmet! Suksese!”, ka shkruar ai.

  • Aksident i rëndë në Zvicër: 18-vjeçari kosovar po bënte gara me shokë, një person humb jetën

    Aksident i rëndë në Zvicër: 18-vjeçari kosovar po bënte gara me shokë, një person humb jetën

    Dy aksidente të njëpasnjëshme tronditën autostradën A3 në drejtim të Cyrihut të hënën mbrëma, ku si pasojë një burrë 50-vjeçar humbi jetën, ndërsa disa persona të tjerë u lënduan. Shkak fillestar i ngjarjeve dyshohet të ketë qenë një 18-vjeçar me prejardhje nga Kosova.

    Sipas Policisë së Aargaut, aksidenti i parë ndodhi rreth orës 20:45, kur i riu kosovar, banues në Fricktal, duke drejtuar një BMW 330 Cabrio, humbi kontrollin mbi automjetin. Makina doli nga rruga, u përmbys dhe përfundoi në barrierën qendrore të autostradës. Shoferi u dërgua me urgjencë në Spitalin Universitar të Bazelit, ku sipas të dhënave të para lëndimet e tij nuk janë të rënda, ndërsa automjeti pësoi dëme totale, shkruan 22min.ch.

    Hetimet fillestare tregojnë se shpejtësia e tepërt ka luajtur rol vendimtar në aksident. Policia po ashtu dyshon se në ngjarje kanë qenë të përfshirë edhe dy automjete të tjera të tipit BMW, të drejtuara nga shokët e 18-vjeçarit – një zviceran dhe një italian, të dy 18-vjeçarë nga Fricktali. Të dy këta shoferë janë arrestuar përkohësisht, ndërsa Prokuroria e Rheinfelden-Laufenburg ka hapur procedurë penale.

    Aksidenti i parë krijoi një kolonë të gjatë trafiku, ndërsa forcat e policisë u detyruan të mbyllin një korsi për procedurat e hetimit. Pikërisht kjo situatë çoi në aksidentin e dytë tragjik, rreth orës 23:40. Një Volvo, që udhëtonte në korsinë e majtë, u përplas me shpejtësi të plotë në pjesën e pasme të një kamioni të ndalur në fund të kolonës. Përplasja e fuqishme e futi automjetin nën rimorkion e kamionit.

    Megjithëse ndihmuesit e parë kryen menjëherë masa ndihmuese dhe shërbimet e urgjencës nisën reanimimin, shoferi i Volvos – një 50-vjeçar gjerman me banim në kantonin Schwyz – nuk arriti të mbijetojë. Shoferi i kamionit nuk u lëndua.