ATV

Blog

  • Foda komenton përballjet e mundshme nëse Kosova shkon në Kupën e Botës

    Foda komenton përballjet e mundshme nëse Kosova shkon në Kupën e Botës

    Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka reaguar pas hedhjes së shortit të fazës së grupeve për Kupën e Botës 2026, ku “Dardanët” mund të përballen me ShBA-të, Australinë dhe Paraguain nëse arrijnë të sigurojnë kualifikimin.

    Tekniku gjerman e cilësoi grupin e mundshëm si “shumë interesant”, por theksoi se fokusi i tij tani është te ndeshjet e play-off-it. Kosova do të luajë në mars kundër Sllovakisë dhe, në rast fitoreje, mund të përballet me Turqinë ose Rumaninë për të siguruar një vend në Botëror.

    “Për ne, gjëja më e rëndësishme tani është të kualifikohemi. Na mbeten dy ndeshje, njëra shumë e rëndësishme kundër Sllovakisë, dhe duhet ta fitojmë atë. Nëse arrijmë të fitojmë, do të luajmë kundër Turqisë ose Rumanisë, dhe këto janë tani ndeshjet më të rëndësishme për ne,” deklaroi Foda.

    Ai shtoi se, edhe pse grupi i mundshëm në Kupën e Botës është shumë interesant, prioriteti mbetet kualifikimi.

    “Kjo është një ngjarje fantastike dhe atmosfera ishte e mrekullueshme. Nëse kualifikohemi për Botëror, do të kemi një grup të balancuar dhe gjithçka do të jetë e mundur. Por siç e përmenda, gjëja më e rëndësishme tani është të kualifikohemi, dhe nëse e arrijmë, do të jemi shumë të gëzuar për këto ndeshje,” përfundoi selektori i Kosovës.

  • Horoskopi sot: Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

    Horoskopi sot: Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

    Dashi

    Gjatë kësaj dite do të ndiheni mjaft të lumtur pranë atij që dashuroni. Në krahët e tij do të përjetoni kënaqësi pa fund dhe do t’ju duket vetja si një princeshë. Beqarët do të realizojnë një takim vendimtar në orët e mesditës. Mirë është t’i merrni gjërat shtruar. Në planin financiar, planetët do të krijojnë kushtet e duhura që gjërat të ecin si duhet. Do të kryeni shpenzimet e dëshiruara.

    Demi

    Jeta juaj në çift do të mbrohet gjithë kohës nga Venusi. Do të ruani një marrëdhënie të ngrohtë me atë që keni në krah dhe gjërat do të ecin si i kishit menduar. Beqarët ka shumë mundësi të dashurohen pas një personi diskret, por që mbart mjaft vlera. Në planin financiar do të jeni mjaft të organizuar dhe gjendja nuk do të ketë aspak probleme.

    Binjakët

    Nëse lidhja juaj ka arritur me sukses të përballojë të gjitha problemet e disa ditëve më parë, edhe sot situata do të vazhdojë të mbetet e qëndrueshme. Beqarët do të kërkojnë me ngulm të bëjnë për vete dikë, por ka mundësi të mos ja dalin mbanë. Në planin financiar fati do të jetë me ju dhe çdo gjë do të shkojë për mrekulli. Do t’i shlyeni edhe borxhet e marra kohë më parë.

    Gaforrja

    Sot do të kaloni disa momente delikate me atë që keni në krah dhe do të ndiheni keq. Gjithsesi, mirë është të mos nxitoheni për të marrë vendime për të cilat mund të pendoheni shpejt. Beqarët do të jenë shumë të shoqërueshëm dhe do të takojnë persona vërtet të veçantë. Shumë shpejt mund të ndryshojnë edhe statusin. Me paratë nuk do t’i keni punët aspak mirë. Priten vështirësi.

    Luani

    Do të duhet të bëni edhe pak më shumë durim sot në jetën tuaj në çift nëse doni që gjërat të ecin si duhet. Kujdes edhe me kokëfortësinë. Beqarët më në fund do të realizojnë takimin që kanë ëndërruar dhe do ta shohin jetën me një sy tjetër. Me financat do të merreni shumë kohë, por sërish nuk do të arrini t’i përmirësoni aq sa duhet. Kënaquni ndonjëherë edhe me pak.

    Virgjëresha

    Do të zgjoheni me humor të keq gjatë kësaj dite dhe do të keni mosmarrëveshje të shumta me partnerin. Asgjë që do t’ju thotë apo që do t’ju bëjë ai nuk do t’ju pëlqejë. Edhe beqarët nuk do të ndihen gati për të hedhur hapa më tej, pavarësisht se mundësitë do të ekzistojnë. Në planin financiar nuk duhet të nxitoheni për t’i zgjidhur problemet, sepse mund të gaboni rëndë.

    Peshorja

    Priten ndryshime shumë të mëdha gjatë kësaj dite në jetën tuaj në çift. Pas problemeve dhe hatërmbetjeve, do t’i shihni gjërat me një sy tjetër. Beqarët do të kenë ndryshime shumë të mëdha dhe të papritura në jetën sentimentale. Financat nuk do të jenë aq të mira sa për të kryer investime të tejskajshme. Çdo hap duhet hedhur mirë e menduar.

    Akrepi

    Do të ndiheni si të huaj me partnerin tuaj gjatë kësaj dite dhe asgjë nuk ka për të ecur si e kishit menduar. Ata që kanë pasur probleme serioze prej kohësh do të mendojnë edhe për një ndarje. Beqarët do të vazhdojnë të mbeten sërish të vetmuar. Financat duhet t’i menaxhoni me shumë kujdes dhe maturi, në mënyrë që gjendja të mbetet e qëndrueshme.

    Shigjetari

    Ditë shumë e trazuar dhe e mbushur me probleme kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Nuk do të merreni vesh për asgjë me partnerin tuaj dhe debatet do të jenë shumë të forta. Beqarët më në fund do të bëjnë për vete dikë që do t’ua ndryshojë rrënjësisht jetën. Buxhetin nuk duhet ta lini pas dore, sepse gjendja mund t’ju përkeqësohet shpejt.

    Bricjapi

    Ditë e shkëlqyer për ata që janë në një lidhje. Për gjithçka do të bashkëpunoni me partnerin dhe marrëdhënia do të jetë e ngrohtë. Beqarët do të realizojnë disa takime mbresëlënëse të cilat do t’i mahnitin. Mirë është të njiheni për pak kohë me ata persona para se të merrni vendime. Në planin financiar do të keni disa probleme të vogla, të cilat mund të zgjidhen me pak maturi.

    Ujori

    Do të ketë disa debate dhe mosmarrëveshje sot në jetën tuaj në çift, por asgjë e rëndë nuk pritet të ndodhë. Mos e lëshoni veten, por tregohuni optimistë. Beqarët do të vazhdojnë ta kërkojnë deri në fund dashurinë, por pa shumë fat. Merkuri do të ndikojë gjithë kohës financat. Do të jeni shumë më të kthjellët se më parë dhe gjendja do të fillojë të përmirësohet.

    Peshqit

    Mos kërkoni të dominoni mbi tjetrin gjatë kësaj dite, sepse kjo do të jetë e pamundur. Mirë është të ruani ekuilibrin. Beqarët nuk do ta kërkojnë me patjetër një person në krah, por shumë gjëra do t’ju ndodhin si me magji. E rëndësishme është që emocionet do të jenë mjaft të fuqishme. Buxhetin do ta riorganizoni dhe do të ndiheni shumë më të qetë.

  • Negociatorët amerikanë dhe ukrainas thonë se ‘progresi i vërtetë’ drejt paqes varet nga Rusia

    Negociatorët amerikanë dhe ukrainas thonë se ‘progresi i vërtetë’ drejt paqes varet nga Rusia

    Negociatorët kryesorë nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina thanë të premten se kanë zhvilluar bisedime konstruktive për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por rruga drejt paqes varet nga Rusia.

    “Përparimi i vërtetë drejt çdo marrëveshjeje varet nga gatishmëria e Rusisë për të treguar angazhim serioz për paqe afatgjatë, duke përfshirë hapat drejt de-përshkallëzimit dhe ndërprerjes së vrasjeve,” thanë në një deklaratë të përbashkët i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, së bashku me negociatorët ukrainas.

    Gjatë takimit, të dy palët “ranë dakord për kuadrin e marrëveshjeve të sigurisë” dhe diskutuan çështje të parandalimit, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Bisedimet në Moskë të martën nuk çuan në ndonjë kompromis për një marrëveshje paqeje në luftën gati katërvjeçare. Takimi dyditor mes Witkoff dhe Kushner me sekretarin ukrainas të sigurisë kombëtare, Rustem Umerov, dhe gjeneralbrigadier Andriy Hnatov ishte raundi i gjashtë i bisedimeve brenda dy javësh. Ata do të takohen sërish në Florida të shtunën.

    Në deklaratë, të katër theksuan se prioriteti i Ukrainës është “sigurimi i një marrëveshjeje që mbron pavarësinë dhe sovranitetin e saj, garanton sigurinë e qytetarëve dhe krijon themele të qëndrueshme për një të ardhme demokratike dhe të begatë”.

    Ata diskutuan gjithashtu takimin që SHBA-ja pati më herët gjatë javës me presidentin rus Vladimir Putin, si dhe të ardhmen e Ukrainës pas luftës, e cila përfshin rindërtimin e vendit të shkatërruar dhe nisma ekonomike me SHBA-në.

    Arritja e një armëpushimi dhe ulja e tensioneve janë të nevojshme për të “parandaluar agresionin e përtërirë dhe për të bërë të mundur planin gjithëpërfshirës të rindërtimit të Ukrainës, i hartuar që ta bëjë vendin më të fortë dhe më të begatë se para luftës,” u tha në deklaratë.

    Të paktën dy pika të mëdha mosmarrëveshjeje vazhdojnë të mbeten mes Moskës dhe Kievit – fati i territoreve ukrainase të pushtuara nga forcat ruse dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

    Witkoff kaloi pothuajse pesë orë me Putinin në Moskë të martën, në negociata që Kremlini tha se nuk prodhuan “asnjë kompromis” për përfundimin e luftës. Kushner, biznesmen dhe investitor në pasuri të paluajtshme, i cili ka shërbyer si këshilltar i Trump gjatë mandatit të parë presidencial, ishte gjithashtu i pranishëm.

    Trump tha se ato bisedime ishin “mjaft të mira”, por ende ishte shumë herët për të thënë çfarë do të ndodhte.

    Të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se “bota e ndien qartë se ekziston një mundësi e vërtetë për t’i dhënë fund luftës”, por negociatat duhet të “shoqërohen me presion ndaj Rusisë”.

  • Britania e Madhe akuzon Rusinë: Ka deportuar me forcë mijëra fëmijë, po kërkon të zhdukë identitetin ukrainas

    Britania e Madhe akuzon Rusinë: Ka deportuar me forcë mijëra fëmijë, po kërkon të zhdukë identitetin ukrainas

    Në një deklaratë të fortë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Mbretëria e Bashkuar ka akuzuar Rusinë për një “përpjekje sistematike” për të zhdukur identitetin ukrainas dhe deportuar me forcë mijëra fëmijë dhe për t’i nënshtruar përmes indoktrinimit dhe militarizimit.

    Sipas të dhënave të qeverisë ukrainase, të mbështetura edhe nga mekanizma të pavarur ndërkombëtarë, mbi 19.500 fëmijë ukrainas janë zhvendosur me dhunë drejt Rusisë ose në territoret e pushtuara.

    Më shumë se 1.6 milionë fëmijë të tjerë jetojnë nën pushtimin rus, ku detyrohen të ndjekin programe shkollore ruse dhe ekspozohen ndaj propagandës dhe trajnimeve ushtarake.

    “Rusia po i përdor fëmijët si pengje lufte dhe po përpiqet të shkatërrojë të ardhmen e Ukrainës,” u shpreh përfaqësuesi britanik.

    Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar denoncoi bombardimet e vazhdueshme ruse, duke theksuar se mbi 3 mijë fëmijë janë në mesin e 53.000 viktimave civile të verifikuara që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë.

    358 shkolla dhe kopshte janë shkatërruar plotësisht, përfshirë një sulm të fundit ajror ndaj një kopshti në Kharkiv.

    Londra i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë menjëherë transferimet e dhunshme të fëmijëve, të tërheqë të gjitha trupat nga territori i Ukrainës, të lejojë kthimin e menjëhershëm dhe të sigurt të të gjithë fëmijëve ukrainas, me mbikëqyrje të OKB-së.

    “Çdo sekondë që Rusia vazhdon këtë luftë të pajustifikueshme, një fëmijë tjetër ukrainas humb fëmijërinë e tij,” përfundon deklaratë Britania e Madhe.

  • Moti sot: I vranët, me reshje të herëpashershme shiu

    Moti sot: I vranët, me reshje të herëpashershme shiu

    Sot pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell, ku pritet herë pas here të ketë reshje të pakta lokale shiu.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i verilindjes, me shpejtësi prej 15-38 km/h, njofton MeteoKosova, transmeton Sinjali.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 6 deri në 11°C.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sot afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sot afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se sot është afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit brenda komunës, me rastin e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit

    “Deri më tani, 16.100 votues kanë aplikuar për të ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit”, deklaron KQZ-ja.

    Qendrën tuaj të votimit mund ta ndërroni online ose në zyrën e komisionit komunal të zgjedhjeve, në komunën ku banoni.

    Ky është njoftimi i plotë i KQZ-së:

    Verifiko Qendrë tënde të Votimit!

    Kanë mbetur vetëm edhe 1 ditë për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës – afati mbyllet më 6 dhjetor 2025

    Deri më tani, 16.100 votues kanë aplikuar për të ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit.

    Online: https://qv.kqz-ks.org/sq/

    Në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën tënde

    Për më shumë informata:

    WhatsApp / Viber: +383 46 13 00 13

    Telefono pa pagesë: 0800 55 555

  • Apeli i Speciales me vendim rreth zhdëmtimeve në rastin Mustafa

    Apeli i Speciales me vendim rreth zhdëmtimeve në rastin Mustafa

    Paneli i Gjykatës së Apelit sot miratoi, me shumicë, një aspekt të apelit të Mustafës kundër vendimit të Gjykatësit të Vetëm të 16 korrikut 2025 në lidhje me pagesën e normës së interesit në lidhje me Urdhrin për Zhdëmtim.

    Paneli konstatoi, me mendimin pjesërisht të ndarë të Gjykatës Pikar, se, duke urdhëruar normën e interesit për t’u paguar për shumën e papaguar të zhdëmtimit që nga shpallja e aktgjykimit, Gjykatësi i Vetëm veproi jashtë fushëveprimit të kompetencave të veta dhe, rrjedhimisht prapësoi vendimin sa i përket zbatimit të normës së interesit dhe detyrimeve për raportim lidhur me të.

    Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’). Gjykimi u zhvillua nga 15 shtatori 2021 deri më 15 shtator 2022.

    Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, Mustafa u shpall fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe u dënua me 26 vjet burgim. Më 5 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

    Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit zvogëloi dënimin e tij në 22 vjet burgim. Pas vendimit të Gjykatës Supreme më 29 korrik 2024, çështja iu kthye përsëri Panelit të Apelit për të shqyrtuar uljen e dënimit.

    Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi një dënim të ri të njësuar prej 15 vitesh, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim. Në këtë çështje gjyqësore ishin 8 viktima pjesëmarrëse.

  • Osmani takon ambasadorin francez – U diskutua për zgjedhjet në vend dhe heqjen e masave të BE-së

    Osmani takon ambasadorin francez – U diskutua për zgjedhjet në vend dhe heqjen e masave të BE-së

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

    Osmani e Guérot diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor.

    “Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull. Në takim u diskutua edhe për marrjen e detyrës së kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës, përfshirë komunave në veri të vendit, proces ky që u realizua sot.” – thuhet në njoftim.

    Osmani ka theksuar urgjencën e heqjes së masave të BE-së të cilat padrejtësisht e pa asnjë arsye janë ende në fuqi dhe po dëmtojnë interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

  • Lushtaku emëron Fadil Nurën nënkryetar komune

    Lushtaku emëron Fadil Nurën nënkryetar komune

    Kryetari i sapozgjedhur i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, pasi ka marrë detyrën e kryetarit, ka marrë vendimin e parë të tij.

    Ai ditën e sotme ka emëruar Fadil Nurën si nënkryetar të Skenderajt.

    Lushtaku e ka quajtur Nurën si një mik dhe bashkëpunëtor prej vitesh.

    “Me bashkëpunimin tonë shumëvjeçar, me përvojën dhe profesionalizmin që e ka dëshmuar në çdo detyrë, jam i bindur se do të punojmë krah për krah, për t’i çuar përpara projektet që i kemi nisur gjatë mandatit të Fadilit si kryetar komune, për t’u ofruar qytetarëve punë të ndershme e rezultate konkrete!”, shkroi ai në një postim shpërndarë së fundmi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Me vendimin tim të parë si kryetar i komunës së Skenderajt, kam emëruar Fadil Nurën nënkryetar komune, një mik e bashkëpuntor i imi për vite me radhë.

    Me bashkëpunimin tonë shumëvjeçar, me përvojën dhe profesionalizmin që e ka dëshmuar në çdo detyrë, jam i bindur se do të punojmë krah për krah, për t’i çuar përpara projektet që i kemi nisur gjatë mandatit të Fadilit si kryetar komune, për t’u ofruar qytetarëve punë të ndershme e rezultate konkrete!

  • Serwer: Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Ballkan

    Serwer: Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Ballkan

    Komiteti për Evropën i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA mbajti të martën një seancë dëgjimore me temën “Pika e nxehtë: rruga drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    Në një analizë të publikuar në Peacefare.net, profesori amerikan Daniel Serwer vlerësoi se, ndonëse rajoni ende nuk është “pikë e nxehtë”, ai shumë lehtë mund të kthehet në të tillë.

    Sipas tij, problemi kryesor nuk është mungesa e stabilitetit, por mungesa e ndryshimit politik demokratik, pasi “stabiliteti aktual mbahet përmes korrupsionit, tensioneve etnike dhe autokracisë”.

    Gjatë seancës, dëshmitarët dhe anëtarët e Kongresit amerikan u pajtuan se Serbia mbetet një prej faktorëve më të mëdhenj destabilizues në Ballkan, për shkak të korrupsionit të përhapur, qeverisjes gjithnjë e më autokratike, lidhjeve të ngushta ushtarake e tregtare me Kinën si dhe marrëdhënieve të forta politike e ekonomike me Rusinë.

    Serwer shtoi se përpjekjet e viteve të fundit për ta orientuar Serbinë drejt Perëndimit kanë dështuar.

    Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka asnjë interes të frenojë korrupsionin, të distancohet nga Moska dhe Pekini, apo të garantojë më shumë liri mediatike dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë.

    Duke folur për situatën në Kosovë, Serwer theksoi se vendi ka nevojë për më shumë sovranitet, jo më pak.

    Ai paralajmëroi se statusi i paqartë i Kosovës krijon hapësirë për ndikim rus dhe kinez.

    “Mbështetja e pakushtëzuar për Kosovën duhet të jetë prioritet, sidomos përballë presionit serb”, deklaron ai.