ATV

Blog

  • Hoti: Kostoja e jetës është shtrenjtuar me rreth 60%, më 28 dhjetor mundësia për të ndaluar dështimet

    Hoti: Kostoja e jetës është shtrenjtuar me rreth 60%, më 28 dhjetor mundësia për të ndaluar dështimet

    Ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë në detyrë Kurti, duke thënë se 5 vitet e fundit kanë qenë vite të ngecjes, të cilat nuk duhet të lejohen të vazhdojnë më.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kostoja e jetës është shtrenjtuar me rreth 60%.

    “Pesë vitet e fundit kanë qenë vite të ngecjes e përplasjeve, të cilat nuk duhet të lejohen të vazhdojnë më tutje. Shumë projekte të nisura në qeveritë paraprake nuk janë përfunduar ende. Qindra miliona euro janë shpenzuar në tenderë njëburimorë. Kostoja e jetës është shtrenjtuar me rreth 60%. Në mungesë të sigurimeve shëndetësore, mijëra familjeve përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të mbuluar kostot shëndetësore nëpër spitale brenda dhe jashtë vendit. Prodhimi vendor ka ngecur, e importi i mallrave është dyfishuar. Mijëra të rinj e të reja profesionistë kanë emigruar. Qeveria ka zhvilluar një luftë shtypëse ndaj mediave, sindikatave dhe bizneseve. Llogaridhënia e qeverisë karshi publikut ka munguar. Mediumi publik vuan nga buxheti, pasi nuk i është bërë zgjidhja e premtuar për financim të pavarur. Premtimet e shumta, si rruga për Tetovë, hekurudha për Durrës, mbyllja e AKP-së, Banka Zhvillimore, Fondi Sovran dhe premtime të tjera, janë vërtetuar se kanë qenë mashtrime. Shumë vendime të qeverisë e kanë cenuar seriozisht partneritetin tonë me aleatët, në veçanti miqësinë e përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Hoti.

    Ai ka thënë se më 28 dhjetor është mundësia jonë për të ndalur dështimet.

    “Data 28 dhjetor është mundësia jonë për të ndalur dështimet, për të rikthyer besimin dhe për t’i dhënë vendit drejtim të qartë demokratik dhe zhvillimor, normalitet në qeverisje dhe perspektivë euroatlantike”, ka shkruar ai.

  • Një burrë vdes në QKUK, policia thotë se po e heton rastin

    Një burrë vdes në QKUK, policia thotë se po e heton rastin

    Një burrë ka vdekur dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, njoftoi sot policia pa dhënë shumë detaje, por tha se po e heton vdekjen.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

    “Raportohet se në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar”.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, tha policia në raportin 24-orësh.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Rreth 64 mijë aplikime nga diaspora, sot dita e fundit për regjistrim

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Rreth 64 mijë aplikime nga diaspora, sot dita e fundit për regjistrim

    Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora, proces ky që prej javësh është shoqëruar me interesim të shtuar të qytetarëve jashtë vendit.

    Ky regjistrim është një hap i rëndësishëm për pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ku vota e tyre shpesh konsiderohet vendimtare.

    KQZ njoftoi dje se rreth 64 mijë votues nga diaspora kanë aplikuar deri tani për t’u regjistruar.

    “Deri tani kanë aplikuar për regjistrim 63,997 votues nga diaspora. Mos e humb mundësinë tënde që zëri yt të dëgjohet! Afati i fundit për regjistrim: 6 dhjetor 2025”, thuhet në njoftimin e KQZ-së në Facebook.

    KQZ ka apeluar që të gjithë të interesuarit të përfundojnë aplikimin brenda afatit, duke kujtuar se pas datës së sotme sistemi i regjistrimit do të mbyllet.

  • Gjykata Supreme e ShBA-së shqyrton urdhrin ekzekutiv të Trump mbi shtetësinë e lindjes

    Gjykata Supreme e ShBA-së shqyrton urdhrin ekzekutiv të Trump mbi shtetësinë e lindjes

    Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka vendosur të marrë në shqyrtim një çështje të rëndësishme kushtetuese: nëse fëmijët e lindur në territorin amerikan nga prindër që ndodhen ilegalisht ose me viza të përkohshme kanë të drejtën kushtetuese për shtetësi amerikane.

    Çështja lidhet me urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti Donald Trump, i cili synon t’i japë fund të drejtës së shtetësisë së lindjes për këto kategori fëmijësh. Urdhri u bllokua nga gjykatat federale, të cilat vlerësuan se bie ndesh me Amendamentin e 14-të të Kushtetutës.

    Gjykata e Lartë ende nuk ka caktuar një datë për seancat, ndërsa vendimi pritet pas disa muajsh.

    Prej afro 160 vitesh, Amendamenti i 14-të garanton se çdo person i lindur në SHBA është shtetas amerikan, me përjashtim të fëmijëve të diplomatëve dhe personelit të forcave të huaja.

    Administrata Trump argumenton se fraza “i nënshtrohen juridiksionit amerikan” përjashton fëmijët e imigrantëve të përkohshëm ose të paligjshëm. Ndërkohë, përfaqësuesit e paditësve thonë se asnjë president nuk mund të ndryshojë këtë garanci kushtetuese të shtetësisë së lindjes.

    Sipas Pew Research Center, në vitin 2016 rreth 250,000 foshnja lindën në SHBA nga prindër pa shtetësi amerikane. Ndërsa në vitin 2022, numri i shtetasve amerikanë të lindur nga prindër pa dokumente arriti në 1.2 milionë.

    Një studim i Migration Policy Institute paralajmëron se shfuqizimi i së drejtës së shtetësisë së lindjes mund të rrisë popullsinë e paautorizuar në SHBA me 2.7 milionë deri në vitin 2045 dhe 5.4 milionë deri në 2075.

  • Rrahmani përballë Zhegrovës në derbin e madh mes Napolit dhe Juventusit

    Rrahmani përballë Zhegrovës në derbin e madh mes Napolit dhe Juventusit

    Xhiroja e 14-të në Serie A do të karakterizohet me derbin e madh mes Napolit dhe Juventusit.

    Ndeshja luhet të dielën nga ora 20:45 në “Stadio Diego Armando Maradona”.

    Përballë do të jenë dy reprezentuesit e Kosovës, Amir Rrahmani me Napolin dhe Edon Zhegrova me Juven.

    Do të jetë përballje e veçantë edhe për dy trajnerët.

    Trajner i Napolit është Antonio Conte, kurse Juven e drejton Luciano Spalleti.

    Conte ka punuar te Juve nga viti 2011 deri në vitin 2014. Gjatë kësaj periudhe ka fituar tre herë titullin e kampionit me “Zonjën e Vjetër”. Titull të fituar ka edhe me Napolin.

    Spalleti ishte shef i shtabit teknik te napolitanët nga viti 2021 deri në vitin 2023. 66-vjeçari Spalletti e udhëhoqi Napolin drejt titullit të kampionit në edicionin 2022/23.

    Napoli ka katër fitore radhazi në të gjitha garat. Ka 28 pikë në vendin e dytë. Milani me pikë të njëjta është lider.

    Juve ka 23 pikë në pozitën e shtatë.

    Napoli ka fituar pesë nga shtatë ndeshjet e fundit kundër Juventusit. Gjithashtu Napoli është i pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi. Ka mbajtur portën e paprekur në tri nga pesë ndeshjet e fundit, duke pësuar tre gola gjatë kësaj periudhe.

    “Zonja e Vjetër” nuk di për humbje në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Ka pesë fitore dhe tri barazime.

    Juventusi është skuadra që ka fituar më së shumti ndeshje, 71, dhe ka shënuar më së shumti gola, 228, kundër Napolit në Serie A.

    Në total mes dy skuadrave janë zhvilluar 184 ndeshje. Juve prin me 85 fitore, Napoli ka 48 fitore dhe 51 ndeshje nuk kanë dhënë fitues.

    Ndeshje interesante është edhe ajo mes Interit dhe Comos. Kjo ndeshje luhet të shtunën nga ora 18:00.

    Interi ka 27 pikë në vendin e tretë. Como ka tri pikë më pak në pozitën e pestë.

  • OKB-ja thotë se mburoja mbrojtëse e centralit bërthamor të Çernobilit është dëmtuar

    OKB-ja thotë se mburoja mbrojtëse e centralit bërthamor të Çernobilit është dëmtuar

    Agjencia e Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore ka njoftuar se mburoja mbrojtëse e termocentralit bërthamor në Çernobil është jofunksionale për shkak të dëmeve të shkaktuara nga dronët. Ukraina e fajëson Rusinë për këtë situatë.

    Bëhet fjalë për mburojën e njohur si “Konvoji i Sigurisë” ose Arka, e ndërtuar pas katastrofës bërthamore në Çernobil më 1986, me qëllim të ndalimit të përhapjes së rrezatimit. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), një agjenci e OKB-së, njoftoi javën e kaluar se sulmi me dron në shkurt të këtij viti kishte dëmtuar strukturën e mburojës, raporton Reuters.

    Drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, deklaroi se mburoja ka humbur funksionin kryesor të sigurisë, por nuk ka pasur dëmtime të përhershme të strukturës mbajtëse apo të sistemit të monitorimit. Ai shtoi se janë kryer disa riparime, por se është e nevojshme një ndërhyrje gjithëpërfshirëse për të parandaluar degradimin e mëtejshëm dhe për të siguruar sigurinë bërthamore afatgjatë.

    Më 14 shkurt të këtij viti, OKB-ja njoftoi autoritetet ukrainase se centrali ishte goditur nga një dron me kokë luftarake shumë-eksplozive, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtim të mburojës në zonën rreth reaktorit numër katër, i cili ishte shkatërruar në katastrofën e vitit 1986. Rusia ka mohuar pretendimin e Ukrainës se ishte përgjegjëse për këtë sulm me dron.

    Në shkurt, OKB-ja bëri të ditur se niveli i rrezatimit kishte mbetur normal dhe stabil, pa raportime për rritje të tij.

    Katastrofa e vitit 1986 shkaktoi përhapjen e rrezatimit në Evropë, duke detyruar autoritetet sovjetike të përballeshin me pasojat për një numër të madh njerëzish dhe pajisjesh. Reaktori i fundit funksional i centralit u mbyll 25 vjet më parë.

    Rusia pushtoi këtë objekt dhe zonën përreth një muaj pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

  • Java e 16-të e Superligës rikthehet me tri ndeshje të zjarrta

    Java e 16-të e Superligës rikthehet me tri ndeshje të zjarrta

    Sot nis java e 16-të e Superligës së Kosovës në futboll, e cila sjell tre ndeshje mjaft interesante.

    Kampioni në fuqi, Drita, do të luajë në udhëtim ndaj Dukagjinit. Skuadra nga Klina aktualisht renditet në vendin e tretë me 26 pikë, tre më shumë se Drita që mban vendin e katërt.

    Ballkani, lider i tabelës me 26 pikë, do të jetë nikoqire e Prishtinës së Re, e cila renditet e fundit me 14 pikë të grumbulluara deri më tani.

    Ndeshja tjetër zhvillohet mes Malishevës dhe Drenicës.

    Malisheva, me 22 pikë, renditet në vendin e pestë, ndërsa Drenica ka 17 pikë dhe mban vendin e tetë në tabelë.

  • Ndaloni mykun në shtëpi duke ndjekur metodën skandinave që s’kushton asgjë

    Ndaloni mykun në shtëpi duke ndjekur metodën skandinave që s’kushton asgjë

    Një zakon i vjetër skandinav ndihmon në parandalimin e mykut dhe gjithashtu ju bën të ndiheni “më të lumtur dhe më të shëndetshëm”.

    Myku mund të gjendet në shtëpi gjatë gjithë vitit, por zakonisht shfaqet më shumë në vjeshtë dhe dimër, kur njerëzit thajnë rrobat brenda dhe ndezin ngrohjen.

    Tharja e rrobave në ambient të mbyllur shton lagështinë në ajër, duke krijuar kushte ideale që sporet e mykut të përhapen.

    Një grua, Anna Christian, po u sugjeron njerëzve të zbatojnë një “sekret skandinav” në rutinën e tyre të përditshme, i cili sjell shumë përfitime — përfshirë parandalimin e mykut.

    Ajo shkroi: “Kujtesë: një sekret skandinav për një shtëpi më të shëndetshme… dhe nuk keni nevojë të blini asgjë”.

    Në përshkrimin e videos, Anna shpjegoi se për çfarë bëhet fjalë. Edhe pse mund të duket e çuditshme, kjo gjë mund të përmirësojë shëndetin tuaj.

    Ajo tregoi se në vendet nordike njerëzit gjithmonë kanë çelur një dritare, edhe kur jashtë ishte shumë ftohtë — madje edhe në –20°F / –29°C. Ajri i ftohtë lihej të qarkullonte në shtëpi si diçka krejt normale.

    Pse duhet t’i mbani dritaret hapur gjatë gjithë vitit?

    Edhe pse duket e çuditshme t’i hapësh dritaret në dimër, kjo sjell disa përfitime:

    Freskon ajrin në shtëpi;

    Ndihmon në largimin e ajrit të ndenjur;

    Përmirëson mjedisin e brendshëm;

    Rrit humorin dhe ju lidh më shumë me natyrën;

    Është një mënyrë e thjeshtë, falas dhe e shëndetshme.

  • Mos i hidhni më qeset me ‘silika-gel’: Ja si shpëtojnë këpucët, elektronikën, ushqimet, librat dhe çdo gjë tjetër në shtëpi

    Mos i hidhni më qeset me ‘silika-gel’: Ja si shpëtojnë këpucët, elektronikën, ushqimet, librat dhe çdo gjë tjetër në shtëpi

    Pse ‘silika-geli’ është shumë më i vlefshëm sesa duket

    A e dini për çfarë shërbejnë qeset me ‘silika-gel’ që i gjeni në kutitë e këpucëve pas blerjes? Shumica i hedhin menjëherë, pa e ditur se këto kokrriza të vogla janë shumë më të dobishme sesa duken. ‘Silika-geli’ mbron sendet nga lagështia, zgjat jetëgjatësinë e materialeve, parandalon mykun, erërat e rënda dhe dëmtimet nga uji. Ai thith deri në 40% të peshës së vet në lagështi, duke e bërë një nga materialet më efikase për tharje dhe ruajtje.

    Në fakt, ‘silika-geli’ është një nga materialet më të nënvlerësuara që mund të keni në shtëpi. Ai thith lagështinë në mënyrë jashtëzakonisht efikase dhe mbron këpucët, rrobat, elektronikën, ushqimet e thata, librat, veglat metalike, bizhuteritë dhe dokumentet. Mund të shpëtojë telefonin e lagur, të ndalojë zhvillimin e mykut dhe të neutralizojë aromat e pakëndshme. Prandaj, këshilla më e vlefshme është: mos i hidhni më qeset me ‘silika-gel’! Ruajini në një kavanoz dhe përdorini sa herë t’ju duhen, transmeton Telegrafi.

    Si shpëton këpucët e lagura
    Në vjeshtë dhe dimër, këpucët lagen shpesh. Vendosja e tyre mbi radiator i dëmton, ndërsa gazetat lënë njolla boje. Zgjidhja më e mirë është vendosja e disa qeseve me ‘silika-gel’ brenda këpucëve – ato i thajnë shpejt dhe në mënyrë të sigurt. Mjafton një natë dhe për rezultat më të shpejtë, vendosini pranë ngrohjes (por jo shumë afër).

    Shpëtim ideal për telefonin e lagur
    Nëse telefoni bie në ujë, hiqni baterinë, SIM-in dhe kartën e memories dhe vendosini në një qese hermetike së bashku me disa qese ‘silika-geli’. Ato thithin lagështinë më mirë se orizi dhe shpesh telefoni funksionon pas disa ditësh.

    Mbrojtja e bizhuterive dhe veglave metalike
    Bizhuteritë prej argjendi nxihen nga lagështia, por një qese ‘silika-geli’ në kutinë e tyre e vonon ndjeshëm nxirjen. Edhe veglat metalike, gërshërët dhe brisqet përfitojnë, sepse ‘silika-geli’ parandalon ndryshkun dhe korrozionin kur vendoset në kutitë e mjeteve.

    Ruajtja e ushqimeve të thata
    Orizi, mielli, makaronat dhe ushqimet e thata prishen shpejt nga lagështia. Nëse vendosni qese ‘silika-geli’ në raftet ku mbani ushqimet (pa kontakt të drejtpërdrejtë me produktet), do të parandaloni mykun dhe do të ruani freskinë e tyre më gjatë.

    Libra, dokumente dhe fotografi të mbrojtura nga myku
    Librat dhe dokumentet ruhen shpesh në ambiente të lagështa si bodrumet ose garazhet dhe rrezikojnë të deformohen, fryhen dhe të zhvillojnë myk. ‘Silika-geli’ i vendosur në kuti apo rafte i mbron nga dëmtimet. Edhe fotografitë e vjetra nga letra përfitojnë: ‘silika-geli’ ndalon që ato të ngjiten ose të humbasin cilësinë.

    Pajisjet elektronike dhe aparatet fotografike
    Objektivat e aparateve janë tejet të ndjeshëm ndaj lagështisë. Vendosja e qeseve me ‘silika-gel’ në çantën e aparatit parandalon formimin e mykut dhe ruan integritetin e lenteve, sidomos gjatë dimrit. Kjo funksionon po ashtu për çanta laptopësh dhe pajisje të tjera delikate.

    Rrobat dhe këpucët e sezonit pa lagështi dhe aromë të rëndë

    ‘Silika-geli’ është ideal për dollapë, valixhe dhe kuti ku ruhen rroba dimri/verë. Ai parandalon aromat e pakëndshme, lagështinë dhe mykun, sidomos tek rrobat prej leshi, lëkure dhe materialeve të ndjeshme, por edhe tek këpucët që nuk vishen shpesh.

    Zgjat jetën e vitaminave dhe suplementeve
    Brenda çdo kutie me vitamina ndodhet një qese ‘silika-geli’ sepse lagështia dëmton përbërësit aktivë. Në zona me lagështirë të lartë, mund të shtoni edhe një qese në dollapin ku mbani suplementet për t’i ruajtur më gjatë.

    Neutralizimi i aromave të pakëndshme
    Qeset e ‘silika-gelit’ thithin erërat në çanta sportive, këpucë, dollapë, valixhe, madje edhe në bagazhin e makinës. Ato largojnë njëherësh lagështinë dhe aromat e pakëndshme.

    Përdorime të tjera të habitshme në shtëpi
    ‘Silika-geli’ mund të thajë edhe makijazhin e lagur, si pudrën kompakte apo hijet e syve, pa i dëmtuar. Edhe në makinë funksionon shkëlqyeshëm: disa qese të vendosura nën xhamin e përparmë reduktojnë avullimin dhe mjegullimin e xhamave, sidomos në mëngjes. /Telegrafi/

  • Aktori i serialit “Emily in Paris” arrestohet për posedim droge, qëndron në paraburgim për 18 ditë

    Aktori i serialit “Emily in Paris” arrestohet për posedim droge, qëndron në paraburgim për 18 ditë

    Aktori amerikan Jeremy O. Harris, i njohur më së miri për rolin e tij në serialin e Netflix “Emily in Paris”, është ndaluar në Japoni për 18 ditë. Harris u arrestua më 16 nëntor me dyshimin se po përpiqej të sillte drogë të paligjshme në vend.

    Sipas Reuters, aktori 36-vjeçar u ndalua në aeroportin Naha në ishullin e Okinawa-s, ku oficerët e doganës dyshohet se gjetën 0.78 gramë kristale që përmbanin MDMA-në sintetike narkotike në çantën e tij.

    Japonia njihet për politikën e saj jashtëzakonisht të rreptë ndaj drogës dhe akuzat penale kundër Harris u ngritën më 4 dhjetor.

    Përveç karrierës së tij si aktor, Harris është gjithashtu një dramaturg i njohur. Ndërsa studionte në Universitetin Yale, ai shkroi dramën Slave Play, e cila u shfaq në Broadway në vitin 2019 dhe theu rekordin me 12 nominime për çmimin Tony, që ishte numri më i madh i nominimeve për një dramë jo-dramatike në atë kohë.

    Si aktor, Harris njihet më së miri për publikun e gjerë për rolin e tij si Grégory Elliott Dupree në serialin Emily in Paris. Ai u shfaq gjithashtu në versionin e ri të Gossip Girl dhe What We Do in the Shadows. Disa vite më parë, ai u bë viral për një histori që tregoi për këngëtaren Adele. /Telegrafi/