ATV

Blog

  • ​Ndëshkohen dy shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik në Ferizaj

    ​Ndëshkohen dy shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik në Ferizaj

    Policia e Stacionit Ferizaj dhe Njësia e Komunikacionit Rrugor kanë ndërmarrë veprime ndaj dy shoferëve për kundërvajtje të rënda në trafik.

    Rreth orës 02:22, në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, policia ndaloi shoferin E.H. (23), i cili po qarkullonte me veturën VW Golf me targa vendore, në kohën kur kishte të shqiptuar masën mbrojtëse, heqjen e patentë shoferit nga data 14 tetor 2025 deri më 13 janar 2026.

    Për këtë kundërvajtje të rëndë, ndaj tij u shqiptua gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për 6 muaj, ndërsa automjeti iu konfiskua.

    Gjatë verifikimit u konstatua se shoferi kishte arritur numrin maksimal prej 13 pikësh negative nga kundërvajtjet e mëhershme, ndaj iu shqiptua edhe një masë shtesë, heqje e patentë shoferit për 12 muaj të tjerë.

    Në një rast tjetër, policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ditë më parë ndaluan shoferin Xh.H. (42) në Gjyrkovc të Shtimes, i cili po qarkullonte me veturën Audi Q5 me targa vendore, gjithashtu nën masën mbrojtëse të heqjes së patentë shoferit nga data 15 tetor 2025 deri më 14 janar 2026.

    Për kundërvajtjen e rëndë, ndaj tij u shqiptua gjobë prej 500 euro, masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për 6 muaj, ndërsa automjeti iu konfiskua. Shoferi posedonte patentë shofer të huaj.

    Policia e Ferizajt paralajmëron se do të vazhdojë kontrollet në të gjitha rrugët e rajonit me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore.

  • Durmishi: Në vitin 2000 patëm 400 mijë udhëtar ndërsa në vitin 2025 presim mbi 4.5 milionë udhëtarë

    Durmishi: Në vitin 2000 patëm 400 mijë udhëtar ndërsa në vitin 2025 presim mbi 4.5 milionë udhëtarë

    Në Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil. U.D i ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi e cilësoi të sigurt Aviacionin civil.

    Durmishi në fjalën e tij përmendi se në vitin 2000 kanë qenë 400 mijë udhëtarë ndërsa në këtë vit 4.5 milionë udhëtarë.

    “Jam i lumtur që sot jam në mesin e komunitetit të aviacionit civil të Republikës se Kosovës dhe ju uroj. Shënimi i kësaj dite është i qëlluar sepse shteti ynë mund të mburret me arritjet e sektorit të aviacionit civil. Duke pasur parasysh se pas luftës na është dashur të fillojmë nga zero. Të dhënat historike të trafikut ajror në këtë çerek shekull janë mbresëlënëse në vitin 2000 patëm 400 mijë udhëtar ndërsa në vitin 2025 presim mbi 4.5 milionë udhëtarë. Mburremi me konsilidimin e autoriteteve profesionale të cilat kanë ngritur kapacitete teknike për mbikëqyrjen e sigurisë dhe sigurimit të aviacionit civil. Ju inkurajoj të jeni vigjilent në detyrat e juaja implementuese që niveli i sigurisë të mbetet me standarde ndërkombëtare.  Inspektorët e aviacionit civil janë aset i çmuar i shtetit duke garantuar transport të sigurt për publikun që udhëton për dhe nga Kosova por duhet të mburremi me infrastrukturën që e kemi bërë në dispozicionin për aterimet ajrore”, tha Durmishi.

  • Superheronjtë zbresin në Klinikën e Pediatrisë

    Superheronjtë zbresin në Klinikën e Pediatrisë

    Superheronjët e filmave të animuar kanë gëzuar fëmijët në Klinikën e Pediatrisë. Alpinistët të veshur me rrobat e më të dashurve për fëmijët janë lëshuar nga ndërtesa e Pediatrisë për të vazhduar me shpërndarjen e dhuratave.

    Ky është viti i gjashtë që Klubi “Alpin Prishtina”, organizon këtë aktivitet, duke u bërë kështu tradicional.

    Pjesëtari i klubit “Alpin Prishtina”, Kristian Gashi tha se qëllimi kryesor është për t’i gëzuar fëmijët sa ma shumë.

    “Është viti i gjashtë që e organizojmë ‘Super Heronjtë në Pediatri’. Këtë vit e kemi bërë hala më madhështore falë edhe përkrahësve, t’u e përfshi ministrin, drejtoreshën, Bankën Ekonomike. Këtë vit kemi edhe befasi prej shkollës së “Mitrush Kutelit” në Matiqan. Është viti i gjashtë dhe është bërë aktivitet tradicional. Qëllimi kryesor është me i gëzuar fëmijët sa më shumë. Përpos kësaj kemi mbledh edhe fonde këtë vit kogja shumë; jemi mundu përmes Valës, përmes rrjetit të tyre të dërgimit të sms. Kemi shumë përkrahës, shumë sponsor, gjithashtu edhe i kem krejt vullnetarët. Më së shumti kisha dashtë me falënderuar stafin mjekësor”, tha Gashti.
    Këtij aktiviteti i ka bashkuar edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitija tha se janë këtu për t’u uruar fëmijëve shëndet dhe një fundvit të mbarë.

    “Faleminderit të gjithë partnerëve që tash e kanë bërë si një aktivitet të përvjetshëm, një moment gëzimi për fëmijët në Klinikën e Pediatrisë. Natyrisht edhe ne jemi sot këtu për ta ndarë gëzimin që fëmijët e përjetojnë me superheronjtë, dhe për t’u dëshiruar shëndet dhe një fundvit të mbarë”, tha Vitija.

    Nermine Mahmuti nga Comunity Development Fund tha se heronjtë më të mëdhenj janë fëmijët që përballen me probleme dhe luftojnë.

    “Për mua heronjtë më të mëdhenj janë këta fëmijët që përballen me probleme dhe luftojnë, gjithashtu e falënderoj stafin mjekësor që iu rrinë gati edhe janë fantastik, ne si fond për zhvillim komunitar e përkrahim këtë aktivitet kemi me e bë edhe me vite të tjera edhe më tutje në kuadër të projektit të të drejtave të njeriut apo përkrahjes për të evituar probleme me shëndetin mendor.”, tha ai.

    Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e Bankës Ekonomike, Hamide Pacolli-Gashi i urojë fëmijëve shërim sa më të shpejtë.

    “Për Bankën Ekonomike është donacioni më fisnik që kemi mundur të bëjmë, sepse sot do të mundohemi t’u sjellim një buzëqeshje fëmijëve të cilët janë në shërim këtu në Spitalin e Pediatrisë, duke ju uruar atyre shërim dhe të kthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre”, tha Pacolli.

    Mjekja e Klinikës së Pediatrisë, Arbana Baloku-Zenjullahu shtoi se fëmijët në spital nuk vijnë vetëm për t’u shëruar, por për të përjetuar gjëra të mira dhe për të marrë kurajo.

    “Këta që gjashtë vite me radhë vijnë i gëzojnë fëmijët, për të treguar fëmijëve që fëmijët në spital nuk vijnë vetëm të shpohen, të marrin injeksione, por këtu ndodhin edhe gjëra të mira edhe ju japin kurajo fëmijëve. I falënderoj të gjithë vullnetarët, të gjithë ata kontribues që ju kanë bashkëngjit këtij misioni, që çdo vit e më shumë po pasurohet, por më së shumti i falënderojmë fëmijët e vegjël të cilët çdo ditë na tregojnë edhe na vërtetojnë se si luftohet me guxim”, tha Baloku Zenjullahu.

    Përveç në Pediatri, supërheronjët janë pritur edhe nga fëmijët tjerë që kishin ardhur para objektit të Pediatrisë, për të cilët janë shpërndarë dhurata.

  • Yjet e Hollywood-it që kanë mbuluar tatuazhet e dashurisë pas ndarjes

    Yjet e Hollywood-it që kanë mbuluar tatuazhet e dashurisë pas ndarjes

    Thonë se dashuria nuk zgjat përgjithmonë, por tatuazhet po.

    Shumë yje të Hollywood-it janë detyruar të mbulojnë ose ndryshojnë tatuazhet që dikur i kishin bërë për partnerët e tyre, pasi marrëdhëniet kanë marrë fund.

    Rasti më i fundit është ai i Jennifer Lopez. Këngëtarja 56-vjeçare thuhet se ka mbuluar tatuazhin e pafundësisë që kishte bërë në nder të Ben Affleck, një simbol që dikur e quajti provë të “përkushtimit” të tyre, shkruan DailyMail.

    Pas kërkesës për divorc në gusht 2024, fansat vunë re se tatuazhi dukej i zhdukur në daljet e saj publike.

    Një burim anonim pretendon se emri i Benit është mbuluar me një tatuazh të ri – një kolibri, simbol i forcës dhe rinovimit.

    Edhe Ben Affleck kishte bërë një tatuazh për marrëdhënien e tyre: dy shigjeta të kryqëzuara me inicialet “J” dhe “B”. Besohet se ai e mban ende.

    Sylvester Stallone është një tjetër shembull i famshëm. Në vitin 2022, aktori mbuloi tatuazhin e fytyrës së gruas së tij, Jennifer Flavin, me një imazh të qenit të tij, gjë që çoi në thashetheme për probleme në martesë.

    Pak ditë më vonë, Jennifer paraqiti kërkesë për divorc. Sylvester mbuloi edhe një tatuazh tjetër të saj, duke zëvendësuar sytë e bashkëshortes me një leopard. /Telegrafi/

  • Gjenerali i lartë amerikan i NATO-s: Evropa do të mbijetojë edhe me më pak ushtarë amerikanë

    Gjenerali i lartë amerikan i NATO-s: Evropa do të mbijetojë edhe me më pak ushtarë amerikanë

    Komandanti i lartë i NATO-s nga SHBA-ja, Alexus Grynkewich, ka deklaruar se Evropa “nuk ka nevojë për kaq shumë trupa amerikane” dhe se kontinentit do t’i shkojë “për mrekulli” edhe nëse SHBA-ja redukton praninë e saj ushtarake.

    Këto komente vijnë në një moment kur shqetësimet për strategjinë e re të mbrojtjes së presidentit amerikan, Donald Trump, janë në rritje. Strategjia e tij parashikon të tërheqë forcat amerikane nga Evropa dhe t’i zhvendosë ato në Indo-Paqësor. Hapat e parë janë tashmë realizuar: një muaj më parë, SHBA-ja tërhoqi 800 trupa nga Rumania, raporton Politico.

    Dyshimet mbi besueshmërinë e Uashingtonit po shtohen, pasi Trump ka shprehur dyshime për Nenin 5 të NATO-s, ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si aleanca duhet të reagojë ndaj një sulmi rus ndaj Polonisë dhe vazhdon të ushtrojë presion ndaj aleatëve për shpenzimet e mbrojtjes.

    Një sinjal tjetër shqetësues vjen nga mungesa e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, një rast pothuajse i paprecedentë.

    Ndërkohë, inteligjenca evropiane paralajmëron se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s para përfundimit të këtij dekade, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin një herë tjetër ka deklaruar se është “i gatshëm” për luftë me Evropën.

  • Francë: 5 dronë fluturojnë mbi bazën e nëndetëseve me raketa bërthamore, kundërpërgjigjet mbrojtja

    Francë: 5 dronë fluturojnë mbi bazën e nëndetëseve me raketa bërthamore, kundërpërgjigjet mbrojtja

    Disa dronë fluturuan mbi bazën franceze të nëndetëseve Île Longue në Finistère të enjten në mbrëmje, më 4 dhjetor, raportoi xhandarmëria. Baza strehon nëndetëset franceze me raketa balistike me energji bërthamore (SSBN) të mbrojtjes bërthamore të Francës.

    Pesë dronë u zbuluan teknikisht rreth orës 19:30 mbi bazën, e cila kufizohet me portin e Brestit. Një operacion kërkimi dhe kundër-dron u zhvillua, ndërsa Batalioni i këmbësorisë detare, përgjegjës për mbrojtjen e bazës, qëlloi disa raketa anti-dron, sipas të njëjtit burim.

    Të kontaktuar nga Agence France-Presse (AFP), Prefektura Detare e Atlantikut dhe zyra e prokurorit publik nuk u përgjigjën menjëherë.

    Fluturimet me dronë në këtë zonë të kufizuar nuk janë të rralla. Gjatë natës së 17-18 nëntorit, një dron u raportua mbi gadishullin Crozon, që përfshin Île Longue, por nuk ishte një fluturim ushtarak.

    Baza Île Longue, një strehë e mbrojtjes bërthamore të Francës, mbrohet nga 120 xhandarë detarë që punojnë në koordinim me këmbësorinë detare. Ajo mirëmban katër SSBN franceze, të paktën njëra prej të cilave është gjithmonë në det për të garantuar mbrojtjen bërthamore.

    Raportet për fluturime dronësh mbi sipërfaqe janë rritur muajt e fundit në aeroporte dhe zona të tjera të ndjeshme, duke përfshirë edhe baza ushtarake në Evropën Veriore, ndërsa udhëheqësit e vendeve të përfshira shohin dorën e Moskës pas këtyre veprimeve.

  • Bashkimi Evropian mirëpret formimin e kuvendeve në 20 komuna të Kosovës

    Bashkimi Evropian mirëpret formimin e kuvendeve në 20 komuna të Kosovës

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përshëndetur sot marrjen e detyrës nga kryetarët dhe asamblistët komunalë në 20 komuna të vendit, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse.

    Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Facebook, BE vlerësoi procesin e dorëzimit të përgjegjësive komunale si të qetë dhe të rregullt, duke përfshirë edhe katër komunat veriore të Kosovës.

    “Ky është një hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

    Bashkimi Evropian ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve lokale dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset zgjedhore si bazë për stabilitet dhe zhvillim në vend.

  • KRM “Pastrimi” largon mbeturinat inerte në lagjen Emshir

    KRM “Pastrimi” largon mbeturinat inerte në lagjen Emshir

    Ekipet operacionale të KRM “Pastrimi” kanë ndërhyrë sot në lagjen Emshir, përgjatë Rrugës “Nebih Gashi”, duke larguar mbeturinat inerte dhe ato vëllimore të hedhura jashtë hapësirave të parapara për deponim.

    Punëtorët e kompanisë, me kamionët dhe ngarkuesit funksionalë, kanë kryer pastrimin e plotë të zonës, si pjesë e mirëmbajtjes së rregullt në lagjet që mbulohen me shërbim.

    Me këtë intervenim është rikthyer pastërtia dhe rendi në hapësirën publike, e cila ishte e ngarkuar me mbetje të hedhura në mënyrë të pakontrolluar.

    Kompania ka falënderuar ekipet në terren për punën e tyre të përditshme dhe njëkohësisht ka apeluar te qytetarët që të mos hedhin mbeturina inerte nëpër lagje.

    Sipas KRM “Pastrimi”, këto mbetje duhet të dorëzohen vetëm në pikat dhe përmes procedurave të parapara nga kompania.

    “Pastërtia e qytetit është përgjegjësi e përbashkët”, theksohet në njoftim.

  • Kjo është gjendja e 19-vjeçarit që u ther me thikë nga një 13-vjeçar në Prizren

    Kjo është gjendja e 19-vjeçarit që u ther me thikë nga një 13-vjeçar në Prizren

    19-vjeçari që u ther me thikë nga një 13-vjeçar sot në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prizren, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

    Këtë e konfirmoi për Klankosova, Hekuran Veçgishti, shef i emergjencës në Prizren.

    Sipas tij, rreth orës 09:40, i lënduari u dërgua në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren. Janë kryer ekzaminime radiologjike dhe analiza laboratorike.

    “Pacienti ka marrë terapinë e nevojshme dhe, pas konsultimit me kirurgun kujdestar, është pranuar në Repartin e Kirurgjisë për trajtim të mëtejshëm”, është përgjigjur ai

    Njëherësh për rastin në fjalë kanë folur edhe nga Policia e Prizrenit.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar për Klankosova.tv se ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme dhe se i dyshuar për rastin është një 13-vjeçar.

    “Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe nga të dhënat e mbledhura është mësuar se pas një zënke ndërmjet dy të rinjve, njëri prej tyre, mashkull 13-vjeçar, e ka goditur me një mjet të mprehtë viktimën, mashkull 19-vjeçar”, tha ai.

  • PDK në Ferizaj del me listën e kandidatëve për deputetë

    PDK në Ferizaj del me listën e kandidatëve për deputetë

    Partia Demokratike e Kosovës, ka publikuar listën zyrtare të kandidatëve për deputetë nga qyteti i Ferizajt, që do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Sipas njoftimit të lëshuar në faqen zyrtare të PDK-Dega Ferizajt, janë gjashtë kandidatë për deputetë nga ky qytet.

    Bëhet fjalë për Elmi Reçicën, Lulzim Aliun, Bekim Sopaj, Burim Bajramaj, Arbnora Salihu dhe Rashit Qalaj.