ATV

Blog

  • Fillojnë punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos

    Fillojnë punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos

    Trajneri i xhudos, Driton Kuka ka njoftuar se sot (e premte), 12 dhjetor, kanë filluar punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos.

    Pritjes si duket po i vjen fundi. Peja pritet të bëhet me ndërtimin e Qendrën Nacionale të xhudos, projekt i shumëpritur.

    Është vet trajneri i madh i xhudos, Driton Kuka, i cili ka njoftuar se investimi i përbashkët i MKRS-së dhe federatës së xhudos po jetësohet.

    Në postimin e tij në rrjetin social, Facebook, Kuka uroi që kjo qendër të gëzohet me shumë medalje e suksese të reja.

    Njoftimi i Driton Kukës

    Sot me mëngjes në pjesën më të bukur të qytetit tim bagerët filluan punën për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos!

    Investim i MKRS në marrëveshje me federatën tonë!

    Aty ku u ndërtuan 5 medaljet Olimpike prej tyre 3 të arta do bahet një qendër moderne për sportin e xhudos!

    E gëzofshim me shumë medalje e suksese të reja!

  • (VIDEO) Bad Bunny rrëshqet dhe bie në skenë gjatë koncertit në Meksikë, turma vazhdon këngën pa u ndalur

    (VIDEO) Bad Bunny rrëshqet dhe bie në skenë gjatë koncertit në Meksikë, turma vazhdon këngën pa u ndalur

    Një moment i pakëndshëm i ka ndodhur reperit të njohur portorikan Bad Bunny, i cili u rrëzua gjatë performancës së tij në koncertin e së mërkurës në Meksikë.

    Teksa këndonte hitin “Efecto” në skenë, këngëtari rrëshqiti dhe u plandos në tokë përballë një audience gjigante.

    Dëshmitarët treguan se Bad Bunny nuk u përpoq ta fshihte incidentin: ai qëndroi ulur për disa sekonda ndërsa turma vazhdonte të këndonte, duke krijuar një atmosferë të çuditshme, por edhe mbështetëse. Pas pak çastesh ai u ngrit dhe vazhdoi normalisht performancën.

    Artisti po qëndron në Meksikë për një javë, si pjesë e turneut të tij “DeBÍ TiRAR MáS FOToS”, dhe sipas raportimeve, ekipit të tij mund t’i duhet të verifikojë skenën ose këpucët përpara paraqitjeve të radhës.

    Megjithatë, incidenti nuk e ndikoi aspak publikun, i cili vazhdoi të kërcejë dhe të shijojë koncertin, duke treguar mbështetje të fortë për yllin e muzikës latine.

  • Qyteti ku mund të paguash pothuajse gjithçka me Bitcoin

    Qyteti ku mund të paguash pothuajse gjithçka me Bitcoin

    Në qytetin piktoresk të Luganos, në jug të Zvicrës, përdorimi i Bitcoin po kthehet në një praktikë të përditshme. Në një McDonald’s buzë liqenit, një klient pyet nëse mund të paguajë me Bitcoin dhe shitësi i afron një terminal të posaçëm për pagesa me kriptomonedhë. Pajisje të tilla janë shpërndarë falas nga bashkia për qindra biznese, duke e bërë kriptovalutën një alternativë reale ndaj frangut zviceran.

    Aktualisht rreth 350 dyqane, bare dhe restorante në Lugano pranojnë Bitcoin. Madje edhe shërbimet komunale, përfshirë pagesat për kujdesin parashkollor, mund të paguhen përmes kriptomonedhës. Disa përdorues thonë se pagesa me Bitcoin u jep ndjesinë e “lirimit nga sistemi financiar tradicional”, ndërsa të tjerë e shohin atë si thjesht një alternativë më të lirë, pasi komisionet për transaksionet zakonisht janë më të ulëta se ato të kartave bankare.

    Iniciativa “Plan B”, e nisur nga bashkia dhe kompania Tether në vitin 2022, synon ta shndërrojë Luganon në qendrën kryesore evropiane të Bitcoin. Drejtoresha e projektit, Mir Liponi, tregon se për 11 ditë ka jetuar vetëm me Bitcoin, duke vërtetuar se në qytet mund të mbulosh shumicën e nevojave bazë pa përdorur para tradicionale, edhe pse pagesat për transportin publik, karburantin dhe faturat e energjisë mbeten ende të pamundura.

    Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur. Disa banorë shprehin skepticizëm ndaj kriptovalutave, duke i lidhur ato me spekulime dhe rreziqe financiare. Ekspertët paralajmërojnë se luhatja e vlerës së Bitcoin mund të jetë i dëmshëm për tregtarët, të cilëve u rekomandohet konvertimi i menjëhershëm në monedha tradicionale.

    Pavarësisht debatit, kryebashkiaku Michele Foletti e vlerëson Bitcoin si një mundësi për inovacion dhe zhvillim ekonomik. Sipas tij, rreth 110 kompani të sektorit të kripto-teknologjisë janë vendosur tashmë në Lugano, duke e kthyer qytetin në një pikë të rëndësishme për industrinë e kriptomonedhave në Europë.

  • Miss Finlanda me origjinë nga Kosova e humb titullin, shkaktoi skandal me këtë foto

    Miss Finlanda me origjinë nga Kosova e humb titullin, shkaktoi skandal me këtë foto

    Sarah Dzafce, një vajzë e re me origjinë nga Kosova, e zgjedhur së fundmi si Miss Finlanda, e ka humbur “kurorën” e saj të bukurisë pas një akuze për racizëm.

    Dzafce u akuzua për racizëm pasi kishte publikuar një foto duke u tallur me aziatikët për shkak të llojit të tyre të syve.

    Në foton ku shfaqej kosovarja ishte vendosur përshkrimi “kiinalaisenkaa sýomäs”, që mund të përkthehet përafërsisht si “duke ngrënë me një kinez”.

    Dzafce kishte deklaruar se i kishte mbyllur sytë për shkak se kishe dhimbje të forta të kokës, teksa kishte kërkuar falje në rast se dikush ishte ndjerë i ofenduar me veprimet e saj.

    “Më vjen shumë keq për të gjithë ata që i kam ofenduar dhe lënduar me veprimet e mia në rrjetet sociale”, kishte thënë ajo.

    Megjithatë, organizata e konkursit të bukurisë Miss Finlanda njoftoi se nuk pranon racizëm apo diskriminim në asnjë formë.

    Ata gjithashtu kërkuan falje për këtë “incident” dhe shtuan se do t’ia hiqnin titullin bukuroshes me origjinë nga Kosova.

    Si rezultat i këtij vendimi, Tara Lehtonen, e cila u rendit e dyta në shtator, do të jetë Miss Finlanda e re.

  • Si ta pastroni në mënyrë efektive një hekur vetëm me një përbërës nga banjoja juaj

    Si ta pastroni në mënyrë efektive një hekur vetëm me një përbërës nga banjoja juaj

    Njollat e mbetura në hekur shpesh janë problem, dhe ndonjëherë duket vështirë se largohen.

    Sidoqoftë, ekziston një zgjidhje shumë e thjeshtë për këtë pasi mund ta pastroni hekurin me një përbërës të zakonshëm nga banjoja.

    Nuk rekomandohet të shpenzoni para për kimikate të shtrenjta ose të rrezikoni dëmtimin e pajisjes me tela të ashpër. Sekreti i një hekuri të shndritshëm fshihet në një produkt që shumë njerëz e kanë tashmë në banjot e tyre.

    Në fakt, pasta e dhëmbëve e bardhë e thjeshtë është një nga aleatët më të mirë në luftën kundër depozitave të djegura në pllakën e hekurit. Vetitë gërryese të pastës janë mjaftueshëm të forta për të hequr njollat, por në të njëjtën kohë mjaft të buta për të mos gërvishtur sipërfaqen delikate të hekurit. Ndryshe nga kripa ose soda e bukës, të cilat mund të jenë shumë të ashpra nëse nuk përdoren me kujdes, pasta ofron ekuilibrin ideal.

    Nëse po mendoni se si ta pastroni hekurin pa shkuar në dyqan, është e dobishme të ndiqni hapa të thjeshtë dhe rezultati do t’ju kënaqë që në hapin e parë.

    Këshillohet të siguroheni që hekuri të jetë i fikur dhe plotësisht i ftohtë. Pastrimi i një hekuri të nxehtë me pastë mund të shkaktojë tym të pakëndshëm dhe djegie. Është e dobishme të shtrydhni një sasi të vogël paste dhëmbësh të bardhë direkt mbi zonat e njollosura të dërrasës.

    Duhet të marrësh një leckë të butë e të lagur ose një peshqir të vjetër dhe t’i fërkosh njollat me lëvizje rrethore. Më pas do të shohësh që papastërtia transferohet në leckë, duke e lënë metalin të pastër.

    Me një leckë të pastër dhe të lagur, duhet të hiqni me kujdes të gjitha mbetjet e pastës, duke pasur kujdes që të mos lini asnjë mbetje në vrimat e avullit. Metoda e thjeshtë e pastës së dhëmbëve jo vetëm që ju kursen para, por edhe kohë, dhe mund t’i riktheni shkëlqimin pajisjes suaj.

  • Artemisa Gegollari:Kur nuk e shërojmë fëmijën e brendshëm, ne e humbim harmoninë me veten

    Artemisa Gegollari:Kur nuk e shërojmë fëmijën e brendshëm, ne e humbim harmoninë me veten

    Artemisa Gegollari: “Kur nuk e shërojmë fëmijën e brendshëm, ne e humbim harmoninë me veten”

    Në intervistën e saj në “LIBERO” me Resul Sinanin, Artemisa Gegollari solli një qasje të thellë rreth lidhjes midis fëmijës së brendshëm, traumave të hershme dhe disharmonisë mes trupit dhe mendjes.

    Gegollari theksoi se shumë njerëz sot jetojnë me një konflikt të brendshëm të pashëruar, ku mendja dhe trupi nuk komunikojnë. Sipas saj, kjo krijon në tru një “aktivitet kaotik elektronik”, që manifestohet në forma fizike si ngushtim në kraharor, ankth dhe pasiguri të vazhdueshme për të ardhmen.

    Ajo theksoi se ky kaos shpesh lidhet me fëmijën e brendshëm të plagosur, i cili mban brenda vetes:

    • fajin,
    • kritikat,
    • gabimet,
    • traumën,
    • ngjarjet e dhimbshme nga e kaluara.

    Gegollari shpjegoi se fëmija brenda nesh shpesh e percepton një situatë të vështirë sikur prindi e ka humbur dashurinë për të, dhe në këtë proces, ai fillon t’ia heqë dashurinë vetes.

    “Kur fëmija i brendshëm nuk shërohet, ai pyet: Cila pjesë e imja bëri që unë të refuzohem? Kjo peshë e fajit na ndjek edhe në të rritur,” – u shpreh Gegollari.

    Sipas saj, shërimi nis duke u liruar nga faji, duke pranuar plagët tona emocionale dhe duke krijuar sërish harmoni mes trupit dhe mendjes.

  • Rita Ora rrit pasurinë në rreth 35.5 milionë euro falë marrëveshjeve televizive dhe fushatave reklamuese

    Rita Ora rrit pasurinë në rreth 35.5 milionë euro falë marrëveshjeve televizive dhe fushatave reklamuese

    Rita Ora ka pasur një vit të shkëlqyer financiar, pasi llogaritë e reja të kompanive të saj Ora Live dhe Ora Multi Services tregojnë se ajo ka fituar rreth 5.5 milionë euro brenda një viti, më shumë se dyfishi i asaj që fitoi vitin e kaluar.

    Kjo i korrespondon rreth 13 mijë funte në ditë, duke e çuar pasurinë e saj të përgjithshme në afërsisht 35.5 milionë euro.

    Fitimet e saj vijnë nga kombinimi i muzikës, turneve, projekteve televizive dhe një portofoli të gjerë reklamash, shkruan DailyMail.
    Rita ka shërbyer si trajnere dhe gjyqtare në programe të njohura si The Voice UK, The X Factor dhe The Masked Singer në Britani dhe SHBA, ndërsa ka marrë pjesë edhe në projekte filmike si Kung Fu Panda: Dragon Knight dhe Fifty Shades.

    Ajo ka nënshkruar edhe një sërë marrëveshjesh të suksesshme marketingu, duke bashkëpunuar me marka të modës si Adidas, Primark dhe Escada, me marka bukurie si Rimmel, si dhe kompani pijesh si Próspero Tequila dhe Coca-Cola Zero Sugar.

    Këngëtarja foli së fundmi për fuqizimin e grave në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Detin e Kuq, ku theksoi se nuk dëshiron të kufizohet vetëm në muzikë.

    Rita tha se vazhdon të mësojë dhe të thyejë kufij, duke marrë frymëzim nga figura të mëdha femërore si nëna e saj, Madonna, Blondie dhe Cher.

    Ajo shtoi se dëshiron të përqafojë dhe të transmetojë energjinë e fuqizimit tek gjeneratat e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e diskutimit të hapur për çështjet që prekin gratë në çdo fushë të jetës. /Telegrafi/

  • Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” merr dy jetë – Vdes edhe një person nga plagët e marra

    Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” merr dy jetë – Vdes edhe një person nga plagët e marra

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen Prizren – Suharekë, duke rezultuar me fatalitet.

    Gruaja e lënduar rëndë nga aksidenti me fatalitet sot në Autostradën “Ibrahim Rugova” nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka humbur jetën rrugës për në QKUK.

    Fillimisht, viktima ishte dërguar në spitalin e Prizrenit, por për shkak të gjendjes së rëndë, është vendosur të transferohet në Prishtinë. Fatkeqësisht në Klinikën Emergjente, e njëjta është dërguar pa shenja jete.

    Këtë e ka konfirmuar Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

    “Është sjellë nga spitali i Prizrenit në Qendren Emergjente pa shenja jete”, është shprehur ai.

  • Sot zhvillohet ushtrimi në shkallë të gjerë me Policinë e Kosovës, Ambasada Amerikane del me paralajmërim

    Sot zhvillohet ushtrimi në shkallë të gjerë me Policinë e Kosovës, Ambasada Amerikane del me paralajmërim

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka rikujtuar për ushtrimin e sotëm që do të ndodh sot bashkë me Policinë e Kosovës.

    Ky ushtrim do të zhvillohet në shkallë të gjerë dhe ndërlidhet me përgjigje ndaj krizave të mundshme.

    Gjatë ditës së sotit do të mund të vërehet prani e shtuar e forcave policore në lokacione të ndryshme dhe atyre të sigurisë tek ambasada amerikane.

  • Rrëmbimi dhe mbajtja peng e kosovarit në Vlorë, policia shqiptare publikon pamjet e arrestimit të tre të dyshuarve

    Rrëmbimi dhe mbajtja peng e kosovarit në Vlorë, policia shqiptare publikon pamjet e arrestimit të tre të dyshuarve

    Një 39 vjeçar me inicialet F.X. nga Mitrovica ishte rrëmbyer e mbajtur peng në një banesë në Vlorë nga 28 nëntori nga disa të dyshuar, të cilët në këmbim të lirimit të tij ia kërkuan 70 mijë euro. Policia e Shtetit doli me njoftim sot për rastin dhe publikoi pamjet gjatë arrestimit të tre të dyshuarve.

    “Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage”, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve: • J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë”, tha policia shqiptare.

    “Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij”.

    Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i kosovarit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor, tha policia.

    Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim,“Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.