ATV

Blog

  • Zelensky thotë se Donbasi vazhdon të jetë pengesë mes trysnisë për një marrëveshje për paqe

    Zelensky thotë se Donbasi vazhdon të jetë pengesë mes trysnisë për një marrëveshje për paqe

    Kërkesat që Kievi t’i tërheqë trupat nga pjesa e Donbasit të cilën ende e ka nën kontroll, vazhdon të jetë pengesë drejt përparimit në bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe me Rusinë, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Bisedimet për paqe po zhvillohen me shpejtësi dhe Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë trysni të madhe për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

    Statusi i centralit bërthamor të Zaporizhjas, i cili kontrollohet nga Rusia, është një çështje tjetër që duhet të zgjidhet, tha Zelensky për gazetarë mbrëmjen e së enjtes, pas bisedimeve të Ukrainës me mbështetësit evropianë dhe zyrtarët amerikanë.

    Ai shtoi gjithashtu se një armëpushim do të ishte i nevojshëm, nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti.

    Pasi Shtetet e Bashkuara e paraqitën një plan për paqe me 28 pika, i cili favorizonte dukshëm Rusinë sipas kritikëve, Ukraina dhe vendet evropiane po kërkojnë ndryshime që do ta bënin marrëveshjen më të baraspeshuar dhe, mbi të gjitha, do ta siguronin mbrojtjen e Ukrainës ndaj ndonjë sulmi rus në të ardhmen.

    Kievi ia dorëzoi SHBA-së një plan me 20 pika më herët gjatë kësaj jave.

    “Ne ia dërguam ekipit amerikan një version të rishikuar të dokumentit kornizë me të cilin punuam. Ai përfshin 20 pika kyç. Ky mund të jetë themeli për gjithçka. Po pres përgjigje nga Amerika”, tha Zelensky para më shumë se 30 udhëheqësve të vendeve të “koalicionit të vullnetit”.

    Derisa Rusia ka dhënë pak shenja se është e gatshme të heqë dorë nga kërkesat e kamotshme, zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas po i shtjellojnë hollësitë.

    Zelensky tha se kishte zhvilluar një diskutim “të thellë” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, shefin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.

    Sipas Zelenskyt, SHBA-ja propozon tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesa e fortifikuar e rajonit të Donjeckut të cilën e kontrollon ende, dhe “kompromisi është, teorikisht, që trupat ruse nuk do të hyjnë” në këtë zonë, ku Uashingtoni kërkon të vendosë një “zonë të lirë ekonomike”.

    “Ata nuk e dinë se kush do ta qeverisë këtë territor”, tha Zelensky, duke shtuar se Rusia e quan atë “zonë të demilitarizuar”.

    Ai shtoi gjithashtu se ukrainasit duhet ta thonë fjalën e tyre për çdo lëshim territorial të propozuar, “qoftë përmes zgjedhjeve ose një referendumi”.

    Pas raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur datën 25 dhjetor si afatin që Ukraina të pranonte propozimin e paqes, Zelensky tha se Kievit nuk i ishte dhënë ndonjë afat i prerë, por se “mendoj se ata me të vërtetë dëshironin, ose ndoshta ende duan, ta kuptojnë plotësisht deri në Krishtlindje se ku qëndrojmë me këtë marrëveshje”.

    Trump ka synuar ta ndërmjetësojë përfundimin e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia qëkurse e mori detyrën në janar të këtij viti, por është përballur me pengesa të mëdha, duke përfshirë mospërfillje nga presidenti rus, Vladimir Putin, për armëpushim.

    Trump tha se Shtetet e Bashkuara mund të marrin ose jo pjesë në një takim të planifikuar mes zyrtarëve të lartë ukrainas, francezë, gjermanë dhe britanikë në Evropë, më 13 dhjetor.

    “Do të shohim nëse do të marrim pjesë në takim”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale.

    “Do të marrim pjesë në takim të shtunën në Evropë, nëse mendojmë se ka shans të mirë. Dhe, nuk duam të humbasim shumë kohë, nëse mendojmë se është negativ”, shtoi ai.

    “Presidenti është jashtëzakonisht i zemëruar me të dyja palët e kësaj lufte, dhe ai është i lodhur nga takimet vetëm sa për sy e faqe”, u tha gazetarëve sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, shkuran REL.

    Lidhur me zgjedhjet, që SHBA-ja po e shtyn Ukrainën t’i mbajë pavarësisht faktit se ato janë të ndaluara me ligjin ushtarak, Zelensky tha më 11 dhjetor se nevojitet armëpushim për këtë.

    Trump i tha Politicos në një intervistë të botuar më 9 dhjetor se “është koha” të mbahen zgjedhjet, dhe Zelensky tha po atë ditë – për herë të parë – se do të kërkonte nga Parlamenti të hartonte legjislacion që lejon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë ligjit ushtarak.

    Ai tha se zgjedhjet mund të mbahen brenda 60 deri në 90 ditëve, me kusht që të ketë garanci të sigurisë për të siguruar që votimi të jetë i sigurt për ukrainasit.

  • Aksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes një grua që po drejtonte veturën me targa të huaja

    Aksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes një grua që po drejtonte veturën me targa të huaja

    Një grua ka humbur jetën në një aksident trafiku të ndodhur në mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova”, pasi vetura që ajo drejtonte u përplas me një kamion.

    Sipas zëdhënësit të Policisë, Baki Kelani, aksidenti është regjistruar rreth orës 07:40, kur drejtuesja e veturës me targa të huaja është përplasur me mjetin e rëndë transportues me targa vendore. Si pasojë, ajo ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe shoferi i kamionit.

    Në vendin e aksidentit kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, ku këta të fundit kanë konstatuar vdekjen e viktimës në vendngjarje. Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti fatal.

  • “Nuk kanë përfituar rritje pagash”, punëtorët e KEK-ut protestojnë para zyrave të korporatës

    “Nuk kanë përfituar rritje pagash”, punëtorët e KEK-ut protestojnë para zyrave të korporatës

    Sot, punëtorët e KEK-ut pritet të protesojnë sot nga ora 11:00 para zyrave të korporatës së tyre.

    Sipas njoftimit, kërkohet rritje e pagave për punëtorët e KEK-ut, nivelizimin e pagave të sigurimit fizik si dhe zbatimin e pagës së 13-të, transmeton Sinjali.

    “Pse po protestojmë? Sepse punëtorët e KEK-ut përballen çdo ditë me kushte të vështira dhe rrezik profesional, përballen me rritje të kostos së jetesës nga inflacioni, nuk kanë përfituar rritje pagash si institucionet tjera publike dhe po e mbajnë mbi supe sistemin energjetik të vendit”, thuhet në njoftim.

  • Gjendet e vdekur një grua në Gostivar, pasi u raportua si e zhdukur – Dyshohet se u vra nga një 53-vjeçar

    Gjendet e vdekur një grua në Gostivar, pasi u raportua si e zhdukur – Dyshohet se u vra nga një 53-vjeçar

    Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në Gostivar. Një grua u gjet e varrosur dhe dyshohet se është vrarë, por motivet e krimit vazhdojnë të mbeten të panjohura. Dorasi dyshohet të jetë një burrë 53-vjeçar.

    I dyshuari për këtë krim është nga fshati Negotinë, Komuna Vrapçisht, dhe u zbulua se ai e kishte privuar nga jeta viktimën. Rasti u zbulua nga bashkëshortja e tij.

    Sipas Policisë, fillimisht djali i të ndjerës e ka raportuar zhdukjen e nënës së tij.

    “Më 09.12.2025, J.M. (34) nga Gostivari ka raportuar se nëna e tij, H.A. (53) nga fshati Raven, Gostivar, ishte larguar nga shtëpia. Më vonë, në kamerat e sigurisë, ai vuri re se më 07.12.2025 ajo ishte marrë me një automjet pasagjerësh ‘Fiat’, dhe pas kësaj ajo nuk kishte pasur qasje në telefonin e saj. Ai gjithashtu raportoi se në kamerat e sigurisë kishte vënë re se, natën ndërmjet 06.12. dhe 07.12.2025, personi S.M. kishte hyrë dhe kishte kërkuar në shtëpinë e tij, dhe se ishin marrë para nga dhoma e tij”, njoftoi Policia.

    Pas denoncimit, organet e rendit u aktivizuan dhe ndaluan të dyshuarin, por ai kishte dhënë një deklaratë të rreme.

    “Më 11.12.2025, në orën 02:15, S.M. është privuar nga liria me dyshimin se e kishte detyruar H.A. të largohej nga shtëpia me të. Pas masave të marra dhe kontrolleve të kryera në video-incizime, është konfirmuar se i dyshuari kishte dhënë dëshmi të rreme në stacionin policor. Gjithashtu, nga lista e thirrjeve të marra, është konstatuar se H.A. për herë të fundit kishte kontaktuar me të më 07.12.2025.”

    Megjithatë, ishte pikërisht gruaja e tij që bëri të mundur zbardhjen e këtij rasti të tmerrshëm.

    “Më vonë, me urdhër të gjykatës, është kryer bastisje në shtëpinë e S.M., pas së cilës është privuar nga liria edhe bashkëshortja e tij Gj.V. (48). Në një bisedë zyrtare në stacionin policor, Gj.V. ka pranuar se bashkëshorti i saj S.M. e kishte vrarë viktimën H.A. me pistoletë dhe kishte treguar vendin se ku e kishte varrosur. Pas kësaj, punonjësit e policisë nga Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike Gostivar në prani të prokurorit publik kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes në fshatin Negotinë, ku u gjet trupi i H.A. Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për autopsi”, thuhet në njoftimin e Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë.

  • Bad Bunny bie në skenë gjatë koncertit në Meksikë, fansat nuk ndalen së kënduari

    Bad Bunny bie në skenë gjatë koncertit në Meksikë, fansat nuk ndalen së kënduari

    Reperi portorikan Bad Bunny ka pasur një situatë të papritur gjatë koncertit të tij në Meksikë, kur rrëshqiti dhe u rrëzua në skenë teksa po këndonte këngën “Efecto”. Rënia ndodhi përpara mijëra fansave, por atmosfera mbeti e zjarrtë pasi publiku vazhdoi të këndonte pjesën e tij pa u ndalur.

    Artisti reagoi me sportivitet, ai qëndroi ulur për pak çaste duke buzëqeshur, ndërsa turma e mbështeti me brohoritje. Pas disa sekondash u ngrit dhe vazhdoi performancën si normalisht. Bad Bunny ndodhet në Meksikë në kuadër të turneut ndërsa ekipi i tij pritet të rishikojë skenën ose pajisjet pas incidentit.

    Pavarësisht rrëshqitjes, koncerti vazhdoi me të njëjtën energji. Fansat u treguan të pandikuar dhe e shoqëruan artistin deri në fund, duke i dhënë edhe një herë provë adhurimit që kanë për superyllin latin.

  • Policët amerikanë falënderojnë shqiptarin për befasinë që u bëri

    Policët amerikanë falënderojnë shqiptarin për befasinë që u bëri

    Shqiptarët prej vitesh jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po ndërtojnë jetën dhe bizneset e tyre me sukses.

    Ndër ta është edhe Mergim Lala nga Ferizaj, i cili prej më shumë se katër dekadash jeton dhe vepron në Houston të Texasit.

    Ai drejton me sukses biznesin familjar të picerisë “Brother’s Pizza”, një emër i vlerësuar lart nga komuniteti amerikan, por edhe nga forcat policore të zonës.

    Shefi i policisë së qarkut Harris, Mark Herman ka falënderuar pronarin shqiptar të picerisë “Brothers Pizz” për befasinë që u ka bërë policëve të stacionit të katërt.

    “Sot, Mike nga Brothers Pizza vizitoi Stacionin e Patrullës Holzwarth të Konstablit Mark Herman, duke sjellë pica të shijshme për zëvendësit tanë. Gjatë vizitës, ai i falënderoi personalisht për punën e jashtëzakonshme që ata kryejnë çdo ditë në shërbim të komunitetit. Ky gjest mirënjohjeje dhe mbështetjeje vlerësohet thellësisht nga i gjithë stafi”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

    Ndryshe, piceria kohë pas kohe i shpërblen pjesëtarët e tjerë që shërbejnë në dobi të komunitetit, të tillë, si zjarrfikësit.

  • Mot i vranët e me diell

    Mot i vranët e me diell

    Sot moti në vend parashikohet të jetë kryesisht i vranët, por me intervale të shkurtra me diell gjatë ditës.

    Temperaturat minimale, sipas Institutit Hidrometerologjik, do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 7 deri në 9 gradë Celsius.

    Njëherësh, era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit, duke krijuar kushte të qëndrueshme atmosferike.

  • Noni Madueke shpallet “Lojtari i Javës” në Ligën e Kampionëve pas paraqitjes së jashtëzakonshme

    Noni Madueke shpallet “Lojtari i Javës” në Ligën e Kampionëve pas paraqitjes së jashtëzakonshme

    UEFA ka zyrtarizuar sot se Noni Madueke është shpallur Lojtari i Javës në Ligën e Kampionëve, pas paraqitjes së tij brilante në ndeshjen e fundit, ku arriti të shënojë dy gola për Arsenalin.

    Madueke ishte figura qendrore e takimit, duke udhëhequr ekipin e tij drejt një performance bindëse dhe duke treguar edhe një herë se është një nga lojtarët më në formë të momentit. Me shpejtësi, teknikë dhe vendosmëri para portës, ai bëri diferencën në një duel të rëndësishëm për “Topçinjtë”.

    Ky vlerësim nga UEFA vjen si konfirmim i rritjes së vazhdueshme të futbollistit anglez, i cili po e konsolidon gjithnjë e më shumë rolin e tij në ekip dhe në skenën evropiane.

    Arsenali e ka përgëzuar menjëherë lojtarin për këtë arritje, ndërsa tifozët janë shprehur entuziastë për nivelin e tij të lartë të lojës dhe ndikimin që po jep në momentet kyçe.

    Madueke jo vetëm që siguroi fitoren e ekipit, por tani merr edhe një nga çmimet individuale më prestigjioze të javës në futbollin evropian, një dëshmi e talentit dhe punës së tij të palodhur.

  • Del Piero analizoi fitoren e Juventusit: “Pesha e së kaluarës po i rëndon lojtarët, ambienti i klubit nuk është për këdo”

    Del Piero analizoi fitoren e Juventusit: “Pesha e së kaluarës po i rëndon lojtarët, ambienti i klubit nuk është për këdo”

    Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka komentuar fitoren 2-0 të “Bianconerëve” ndaj Pafosit, duke e cilësuar atë si një triumf të rëndësishëm, por të shoqëruar me shumë pasiguri. Sipas tij, skuadra e Massimiliano Allegrit po përballet me “peshën e së kaluarës” dhe një presion të madh psikologjik që vazhdon t’i ndikojë lojtarët.

    Juventusi siguroi tri pikë falë golave të Weston McKennie dhe Jonathan David në pjesën e dytë, por gjatë 45 minutave të para skuadra qipriote krijoi mundësi të rrezikshme dhe mund të kishte kaluar në epërsi. Edhe Fabio Capello, i pranishëm në panelin analitik, theksoi se Juventusi kishte “pak fat” në anën e tyre në këtë ndeshje të fazës së ligës së Ligës së Kampionëve.

    Duke folur për Sky Sport Italia, Del Piero u ndal tek ngarkesa psikologjike dhe transformimi i skuadrës pas sezonit të kaluar:

    “Pesha e së kaluarës, në aspektin e sukseseve, është gjithmonë aty. Por ekziston edhe pesha e së kaluarës së afërt. Kjo skuadër është krijuar mbi atë që ndodhi sezonin e kaluar, me disa ndryshime të mëdha te lojtarët kyç.”

    Ai shtoi se largimi i personaliteteve të forta në ekip dhe afrimi i lojtarëve më të rinj ka krijuar vështirësi të reja:

    “Ambienti i Juventusit nuk është për këdo. Është kompleks. Kemi parë lojtarë që në klube të tjera luajnë më të lirshëm, por këtu presioni është i përditshëm dhe ndikues.”

    Del Piero shprehu shqetësim edhe për mungesën e stabilitetit taktik dhe konkurrencën e brendshme që po përjeton skuadra:

    “Fitore e rëndësishme, por çdo ndeshje është në prag të rrezikut. Tani duhet të shkojnë në Bologna, mkush e di çfarë ndodh? Ka emergjencë në mbrojtje, ka ndryshime të shpeshta, mungon qartësia taktike. Përveç Yildizit, asgjë nuk është e garantuar.”

    Pas dy fitoreve radhazi në fazën e ligës së Champions League-s, Juventusi renditet në vendin e 17-të me 9 pikë, dhe i duhet vetëm edhe një fitore për të siguruar matematikisht kualifikimin në fazën e play-off-it.

    Në janar 2026, “Bianconerët” i presin dy ndeshje kyçe: fillimisht ndaj Benficës, në Torino, e më pas udhëtimi vendimtar në Monaco, sfida që do të përcaktojë fatin e tyre në garën më prestigjioze evropiane për klube.

  • Shtyhet afati për aplikim në skemën e granteve për energji të pastër

    Shtyhet afati për aplikim në skemën e granteve për energji të pastër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka njoftuar zgjatjen e afatit të aplikimit në thirrjen publike për përkrahjen financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në skemën e granteve për energji të pastër, të shpallur më 10 tetor 2025.

    Sipas njoftimit, afati i ri për aplikim është deri më 31 janar 2026, ndërsa procedura e aplikimit kryhet përmes platformës e-Kosova, të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

    Aplikimet mund të bëhen për:

    Masën 1 në platformë: ekosova.rks-gov.net/699
    Masën 2 në platformë: ekosova.rks-gov.net/714
    Masën 3 në platformë: ekosova.rks-gov.net/702
    MINT dhe KIESA thonë se shtyrja e afatit synon t’u japë më shumë kohë ndërmarrjeve që të përgatisin dokumentacionin dhe të përfitojnë nga mbështetja për investime në energji të pastër.